Aktualitet

Shqipëria po shuhet, raportet tregojnë sa banorë do ketë në 2030

Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017.
Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje. Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë. Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara. Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Në vendet që sot janë në tranzicion, ky proces ka ndodhur në më pak se 23 vjet. Projeksionet tregojnë se për Brazilin dhe Kolumbinë, dyfishimi i numrit të të moshuarve do të kërkojë vetëm 22 vjet. Kjo qasje e re e popullsisë po prodhon një tranzicion të ri demografik për këto vende që do të duhet të përshtaten shumë shpejt me një strukturë të re popullsie.

Sot vendet në zhvillim do të duhet të përshtaten shumë shpejt me situatën në një kohë që ato kanë të ardhura për frymë shumë më të ulëta se sa vendet e zhvilluara kur u përballën me këto sfida. Numri i shteteve me moshë të re popullsie ka rënë dukshëm me kalimin e kohës. Ndërsa në vitin 2017 numëroheshin 39 shtete që kishin rreth 5% të popullsisë mbi 60 vjeç, në vitin 2050, vetëm Nigeria do të ketë në popullsinë e saj persona mbi 60 vjeç vetëm 5% të totalit.

Lindjet e shumta më 1950, më shumë pleq më 2020

Vendet që kanë përjetuar një baby boom gjatë viteve 1950-1960 do të ketë ritme të forta të plakjes së popullsisë gjatë dekadës në vijim, në kushte kur numri i lindjeve ka rënë. Në Shqipëri, indeksi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 2.1 lindje për grua në vitin 2001 dhe në 1.7 në vitin 2011. Indeksi sintetik i fekondimit (ISF) i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, shënon, 1,48 fëmijë për vitin 2017.

Kjo do të thotë se në 100 femra, pritet të lindin 148 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grupmoshave janë ato të vitit referues, 2017. Sipas INSTAT, ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20 – 24 vjeç dhe 25 – 29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë.

Për shkak të lindjeve të mëdha në vitet 1960, numri i personave të moshuar në Shqipëri do të rritet me shpejtësi në dekadën në vijim Në të kundërt, në Suedi, pjelloria totale ishte vetëm 2.2 lindje për grua në 1950-1955, dhe popullsia e vjetër aktualisht po rritet më ngadalë se sa në Shqipëri, me një normë mesatare vjetore prej 1.1% gjatë 2010-2015.
Për shkak se normat e fertilitetit në mesin e shekullit ishin të larta, mbi pesë lindje për grua në Shqipëri, normat e rritjes së popullsisë në moshë të vjetër do të jenë shumë më të larta se në Europë, ku pjelloria në vitet 1950-1955 tashmë kishte rënë nën tre lindje për grua shumë vende.

Faktorë të kombinuar keq

Ndërsa rënia e pjellorisë dhe rritja e jetëgjatësisë janë nxitësit kryesorë të plakjes së popullsisë globalisht, migrimi ndërkombëtar ka kontribuar gjithashtu në ndryshimin e strukturave të moshës së popullsisë në Shqipëri, thotë raporti i OKB-së. Por gjithashtu migracioni ndërkombëtar mund të ngadalësojë procesin e plakjes në vendet që po përjetojnë flukse të mëdha të pritjes së emigrantëve, pasi emigrantët kanë tendencë të jenë në moshë pune.

Në vendet me popullsi në plakje, pritja e emigrantëve mund të jetë zgjidhja më e shpejtë për ruajtjen e balancave në strukturat e popullsisë. Rezervat e refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme shihen si zgjidhje. Në vitin 2015, plakja e popullsisë u citua si një shqetësim i madh për 20 vitet në vijim, teksa shumë vende të zhvilluara që po përjetojnë plakjen e popullsisë po lehtësojnë procedurat për emigrantët.

Por ndërkohë, Shqipëria po përjeton njëkohësisht edhe plakje të popullsisë, edhe rritje të nivelit të emigracionit, teksa nuk ka politika për stimulimin e lindjes, as për frenimin dhe ikjen jashtë, teksa nuk bëhet fjalë për stimulimin e pritjes së të huajve si emigrantë. Një hartë e publikuar nga OKB së fundmi tregonte se në vitin 2015, rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.

Sipas Censusit të fundit të INSTAT (2011), rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta, për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit.

Emigracioni i forcës së kualifikuar të punës ka ndikuar shumë negativisht në rritjen e ekonomisë së vendit. Një studim i Departamentit të Europës në FMN, ka gjetur se gjatë periudhës 1995-2012, emigracioni ka pasur efekt negativ me 18% në PBB e vendit. Kjo humbje ishte më e larta se në vendet e tjera të rajonit, me shkak emigracionin. Dëmi më i madh, sipas FMN, është krijuar nga emigrimi i forcës së kualifikuar të punës. Humbjet më të larta në PBB, me rreth 16%, i ka krijuar ikja nga vendi i forcës së kualifikuar të punës, në raport me emigrantët që kanë pasur aftësi të ulëta.

Ashtu si për lindshmërinë, të rinjtë janë nxitësit kryesorë të migracionit, të brendshëm dhe ndërkombëtar. Heqja e barrierave ndaj emigracionit, trazirat sociale në vitet 1990, papunësia e lartë dhe mundësi më të mira për punë dhe studime jashtë vendit gjenerojnë një fluks të vazhdueshëm emigracioni më së shumti drejt Greqisë dhe Italisë. Censusi i vitit 2011 tregoi që emigracioni ka qenë faktori më i rëndësishëm për humbjen neto të popullsisë me 269 mijë persona, ndërmjet vitit 2001 dhe 2011, të shprehur në përqindje si 8.8% e popullsisë në vitin 2001.

Gjatë kësaj periudhe vlerësohet që 482 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi. Ashtu siç ndodh zakonisht në migracion, grupmosha që u përfshi më shumë në përvojën e migracionit është ajo e të rinjve të rritur. Numri total i të rinjve që kanë emigruar në periudhën ndërmjet censuseve 2001-2011 vlerësohet 225 mijë persona dhe grupmosha 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç ka më shumë emigrantë sesa çdo grupmoshë tjetër. Por fenomeni është kthyer fuqishëm dy vitet fundit. Megjithatë, arsyet ekonomike për emigracionin mbizotërojnë ende mes grave dhe burrave. Në Censusin e vitit 2011, këto janë përcaktuar si arsyet kryesore për 74% të të rinjve që kanë ikur nga shtëpia për të shkuar jashtë shtetit.

Raporti i varësisë në përkeqësim
Kombet e Bashkuara raportojnë se plakja e popullsisë është nxitur nga rënia e lindjeve, rritja e jetëgjatësisë. Kjo nënkupton se popullsia e globit pret të jetojë më gjatë, ndërkohë që do të ketë më pak fëmijë të rritur si burime të mundshme për të mbështetur plakjen tonë. Raporti i varësisë globale më 2017 ishte 100 persona në moshë punë për 74 persona pensionistë.

Në Europë në vitin 2017, kishte 30 persona të moshës 65 vjeç, ose në 100 persona në moshë pune dhe raporti i varësisë së pleqërisë është parashikuar të rritet ndjeshëm në rajon, duke arritur 53 në vitin 2050. Po ashtu, Amerika e Veriut pritet të shohë rritje të mprehtë të raportit të varësisë së pleqërisë, Raporti i varësisë së pleqërisë pritet të rritet në Azi dhe në Amerikën Latine më shumë se dyfishi nga 14 në 2017, për të arritur 34 në vitin në vitin 2050. Ky raport do të rritet me ngadalë në Afrikë.

Në Shqipëri, skenari i rritjes së mesme sipas INSTAT nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në vitin 2031. Nëse plakja e avancuar ndodh kur raporti i varësisë të të moshuarve kalon atë të të rinjve, atëherë fillimi i saj në Shqipëri mund të pritet përpara vitit 2025.
Popullsia e Shqipërisë, jo vetëm që do të plaket, por strukturat e plakjes parashikohen të ndryshojnë në të ardhmen. Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë të të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011.

Deri tani, varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune përgjatë 2000-2011. Varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare). Në dekadën e dytë të projeksioneve, tendenca e varësisë të të rinjve varet nga skenari, me një tendencë stabilizimi ose të një rënieje të lehtë. Tendenca në rritje e varësisë të të moshuarve do të intensifikohet kur brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës baby-boom të fillojnë të arrijnë moshën e pensionit në vitet 2020.

Rritet numri i personave që jetojnë vetëm
Raporti i Kombeve të Bashkuara zbuloi se në Shqipëri, sipas të dhënave që i referohen deri në vitin 2009, 13% e të moshuarve mbi 60 vjeç jetonin vetëm, teksa raportohen se rreth 60% e të moshuarve jetojnë me fëmijët dhe pjesa tjetër rreth 30% jetojnë me bashkëshortin ose bashkëshorten. Mirëpo raportet mund të kenë ndryshuar shumë në këto tetë vite, kur më shumë persona të moshuar jetojnë vetëm. Kombet e Bashkuara vërejnë se personat që jetojnë vetëm në rang global janë rritur shumë.

Disa të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik zbulojnë se në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit, tregojnë se më shumë se 2/3 e të moshuarve janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë 1/3 e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo problem shëndetësor. Vetëm 12% e të moshuarve raportojnë se nuk kanë pasur nevojë për të përdorur shërbimet shëndetësore gjatë pesë viteve të fundit.

Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuaj gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuaj gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek Mjeku i Familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt 1 – 4 recetave në muaj, që mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj.

Sëmundjet kronike më të shpeshta të raportuara mes të moshuarve shqiptarë, janë sëmundjet kardiovaskulare me rreth 60%, diabeti me rreth 20%, të ndjekura nga sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet kronike të mushkërive dhe artriti reumatid. Në vendin tonë, ende nuk është studiuar në mënyrë të përshtatshme prevalenca e problemeve të shëndetit mendor si neurozat dhe demencat. Pothuajse 70% raportojnë të kenë pasur probleme me sigurimin e medikamenteve të rekomanduara nga mjeku. Popullsia globale mbi moshën 60 vjeç arriti në 962 milionë në 2017, dy herë më shumë se në vitin 1980, kur kishte 382 milionë persona të moshuar në mbarë botën.

Numri i të moshuarve pritet të arrijë në vitin 2050, në pothuajse 2.1 miliardë. Globalisht, numri i njerëzve mbi 80 vjeç po rritet edhe më shpejt se numri i përgjithshëm i të moshuarve. Projeksionet tregojnë se numri i njerëzve mbi 80 apo më shumë në mbarë botën do të rritet më shumë se trefish midis 2017 dhe 2050, duke u rritur nga 137 milionë në 425 milionë. Dy të tretat e njerëzve të moshuar në botë jetojnë në vendet në zhvillim, ku numrat e tyre po rriten më shpejt se në rajonet e zhvilluara. Globalisht, gjatë viteve 2010-2015, gratë tejkaluan meshkujt me një jetëgjatësi mesatare prej 4.6 vjetësh.

Drejt “shuarjes”
Sipas projeksioneve të OKB-së, shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullsisë së vendit, sipas projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtar. Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që në vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar me përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1,6 milionë banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar./monitor

Shqipëria po shuhet, raportet tregojnë sa banorë do ketë në 2030 Read More »

Letra brilante që duhet lexuar patjetër çdo 1 shtator. Mos e humbni!

Letra brilante që duhet lexuar patjetër çdo 1 shtator. Mos e humbni!

A munden vallë prindërit në ditët e sotme t’i drejtohen mësuesit të fëmijës së tyre, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit, para 187 vjetësh!?

Sot është 1 shtatori, dita e parë e vitit të ri shkollor dhe kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, duke e ditur vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë, vendosi që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël, duke i renditur një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.

Letra e Presidentit Abraham Lincoln, shkruar në vitin 1830:

“Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejoheni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

Me respekt,

Abraham Lincoln”

Letra brilante që duhet lexuar patjetër çdo 1 shtator. Mos e humbni! Read More »

Sezoni turistik, 50 misionet që shpëtuan jetë njerëzish

Vendosja e shërbimit të autoambulancave fikse pranë zonave turistike si dhe funksionimi i njësisë së helikopterëve, të cilët vetëm gjatë këtij sezoni kanë kryer rreth 50 misione, ka shpëtuar shumë jetë njerëzish.

E ftuar në një studio televizive, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ndal te masat që mori dikasteri që ajo drejton për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Sipas saj, “llogaritet që njësia e helikopterëve të Urgjencës Kombëtare ka kryer rreth 50 misione shpëtimi në ndihmë të qytetarëve, ose thënë ndryshe, një herë në 2.5 ditë ka pasur një mision me helikopter dhe këtu përfshihen të gjitha rastet e urgjencës si dhe aksidente rrugore apo në det”.

Manastirliu tha se “janë 43 mijë pushues që kanë marrë shërbimin shëndetësor në 26 qendra shëndetësore verore, që janë hapur prej 1 qershorit dhe funksionojnë 24 orë në 7 ditë të javës”.

Ka ende shumë për të përmirësuar në drejtim të shërbimit të Urgjencës Kombëtare, tha Ministrja duke shtuar se “ndërkohë kemi bërë hapa shumë përpara dhe kemi përmirësuar ofrimin e shërbimit”.

Po ashtu, ajo theksoi se “mjekët dhe infermierët në terren kanë marrë trajnime për mënyrën e shërbimit, por nga ana tjetër të gjitha autoambulancat janë pajisur me aparatura të reja”.

Për të ilustruar funksionimin e këtij sistemi urgjence, Ministrja solli në vëmendje rastin e një djali nga Velipoja, i cili rrezikonte jetën, por vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë me helikopter arriti të shpëtonte.

Me buxhetin e vitit të ardhshëm, sipas Ministres “32 autoambulanca të reja do të shpërndahen në territor”. /atsh

Sezoni turistik, 50 misionet që shpëtuan jetë njerëzish Read More »

“Përgjigja ime”, Rama: Mbi 10 mijë familje morën për herë të parë ndihmë ekonomike

“Falë reformës sime janë sot mbi 10 mijë familje të varfra që e morën ndihmën për herë të parë, ndërsa po patjetër më shumë se dyfishi i tyre që e merrnin padrejtësisht nuk e marrin më”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij më të re në “Facebook”, të cilën e paraqiti sot “Përgjigja ime”.

Kryeministri Rama kishte zgjedhur t’i përgjigjej komentuesit Genc Sejko, i cili e cilësonte atë përgjegjës për gjendjen e familjeve të varfra në vend.

“Përshëndetje Genc, nëse unë do të isha përgjegjës për gjendjen e tyre do të ishte shumë e thjeshtë, por fatkeqësisht kjo është ti biesh me sopatë fijes së logjikës më elementare, sepse së pari, nuk ka asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë provë që të tregojë se në një fushë Shqipëria është më keq seç ishte 5 vjet më parë”.

“Përkundrazi ka njerëz si Hyseni dhe familja e tij apo edhe të tjerë në të tjera kategori të tjera sociale, që nuk janë më mirë se 5 vjet më parë, por janë njësoj, Kjo nuk ka diskutim. Ama aty ku sopata jote e këput fillin e logjikës është kur thua se këtë gjendje e solli sahati i dritës, jo i dashur, këtë gjendje e kishte krijuar mungesa e sahatit, mungesa e shtetit për të gjithë dhe e rregullave për të gjithë, sepse nuk është aspak e rastit që ka më pak varfëri aty ku ka më shumë rregull dhe ku ka shtet dhe të gjithë kontribuojnë sipas asaj që u takon, ndërsa ka më shumë varfëri ashtu si në Shqipërinë e deri djeshme s’bëhej asnjë përpjekje për të bërë shtet, “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, dhe ti gënjen, pa dashje natyrisht, kur thua se unë u hoqa ndihmën sociale familjeve si të Hysenit, sepse në fakt krejt e kundërta është e vërtetë, plot familje si të Hysenit nuk e merrnin ndihmën fare. Ndërkohë që të tjerë me vila e makina e merrnin në vend të tyre”, nënvizon Rama.

Kryeministri Rama i drejtohet qytetarit se “ti thua lekët e kursyera unë ua shpërndava oligarkëve. Ej Genc, pak logjikë, shumë pak mik, sepse kjo është krejt qesharake dhe nuk mbështet në asnjë lloj filli arsyetimi dhe jo më në ndonjë fakt”.

“Sa për turpin, jo nuk më vjen turp të shkoj në shtëpinë e Hysenit, se i kisha dhënë fjalën. Ti thua është show, por për mua nuk ka pikë rëndësie çfarë thua ti, por çfarë mendon Hyseni, zonja dhe fëmijët e tij”, përfundoi Kryeministri. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/327636101139668/?t=0

“Përgjigja ime”, Rama: Mbi 10 mijë familje morën për herë të parë ndihmë ekonomike Read More »

D.R.SH Vlorë vijon aktivitetet mbështetëse për kryerjen e Check-Up-it

Diagnostikimi i hershëm jo vetëm përmirëson cilësinë e shëndetit të popullatës, por lehtëson koston e trajtimit të pacientëve.

Falë ndërgjegjësimit që është realizuar për rëndësinë e kontrollit shëndetësor bazë, Check-Up-it, vihet re një rritje e numrit të banorëve që shprehin interes për këtë paketë ekzaminimesh.

D.R.SH Vlorë vijon aktivitetet mbështetëse me burime njerëzore për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor për të gjithë të interesuarit për kryerjen e Check-Up-it.

Sot njësia lëvizëse e Check-Up-it ishte e pranishme në Ambulancën Panaja të Qendrës Shëndetësore Nartë. Të shëndetshëm jemi të gjithë të barabartë. /atsh

D.R.SH Vlorë vijon aktivitetet mbështetëse për kryerjen e Check-Up-it Read More »

E premtja, dita e fundit për Vlahutin. Na jep lamtumirën: Shqipërinë e kisha si…

Për ambasadoren e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin kjo e premte shënon ditën e fundit me këtë mision në vendin tonë. Vlahutin ka reaguar përmes një shënimi lamtumire:

“Sot është dita ime e fundit si Ambasadore e BE-së në Shqipëri. Do jem gjithnjë mirënjohëse për mundësinë që pata për të punuar në të mirë të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Shqipëria po ecën qëndrueshëm drejt vendit të saj në Bashkimin Evropian, dhe unë mund t’ju uroj veç fuqi dhe vendosmëri për ta arritur këtë qëllim sa më shpejt e mundur. Sa për mua, ka qënë dhuratë e çmuar ta ndaj jetën me njerëz të mirë dhe që e kisha Shqipërinë shtëpi për katër vjetët e fundit. Faleminderit”. Pas largimit të diplomates kroate, Luigi Soreca do të shërbejë si ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë.

E premtja, dita e fundit për Vlahutin. Na jep lamtumirën: Shqipërinë e kisha si… Read More »

‘Do të të vë dinamit poshtë makinës, o plehër’! Kërcënohet gazetari Bledi Mane, publikon mesazhet

Vetëm një ditë pas sulmit me breshëri kallashnikovi ndaj gazetares së njohur, Klodiana Lala, dhe ku gjithçka vijon të gëlojë në opinionin publik, gazetari Bledi Mane ka publikuar në bisedë, ku tregon se është kërcënuar.

Mane publikon në profilin e tij në ‘Facebook’ një bisedë të zhvilluar në ‘Messenger’ me një person, i cili i kërkon të flasë më kundër ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pasi do t’i ‘hedhë në erë’ me dinamit makinën e tij.

Në fakt, gazetari Mane nuk ka makinë dhe preferon të udhëtojë me mjete publike si qytetarët e thjeshtë, ndaj dhe nuk e dimë se për çfarë makine flet kërcënuesi apo mos ndoshta e ka fjalën për makinën e rrojës së gazetarit. Kërcënimin e ka marrë me ironi dhe vetë Bledi Mane, i cili i kthen të njëjtën përgjigje, teksa i thotë se ka vetëm një makinë, atë të rrojes.

“Nëse kërcënimet nuk janë serioze, nuk mund ti pranojmë”, shkruan Mane, teksa publikon dhe bisedën me personin që e kërcënon.

‘Do të të vë dinamit poshtë makinës, o plehër’! Kërcënohet gazetari Bledi Mane, publikon mesazhet Read More »