Aktualitet

Tirana, një nga 3 qytetet me transformimin më të thellë në 2018

ë rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.

Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për “Pazarin e Ri”, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.

Kandidatët finalistë për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.

Çmimi, i cili jepet nga ICLEI – Qeveritë Lokale për Qëndrueshmërinë, Rajoni Bask dhe Qyteti i Aalborg (Danimarkë), shpërblen veprat transformuese në vijim ose të përfunduara në kategori socio-kulturore, transformimin socio-ekonomik dhe teknologjik.

Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.

Anëtarja e jurisë dhe kryetarja e Komisionit, Cor Lamers, thase “këto projekte pjesëmarrëse i bëjnë komunitetet dhe ekonomitë tona lokale më përfshirëse, të gjelbra dhe të qëndrueshme”.

Duke përgëzuar kandidatët e përzgjedhur, Hakan Lucius, anëtar i jurisë dhe shefi i Divizionit të Shoqërisë Civile, në Bankën Europiane të Investimeve, tha se “duke përfaqësuar diversitetin gjeografik të Evropës, këto tre qytete arritën të adresonin komponentë të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht përfshirjen sociale, zhvillimin urban dhe ushqimin, duke përfshirë në mënyrë kuptimplotë të gjitha palët e interesuara”.

Veprimet e tyre inovative, vijoi ai, “janë sfida kryesore për të ardhmen tonë të përbashkët dhe duhet të jenë frymëzues për të gjithë aktorët e angazhuar për qëndrueshmëri”.

Pylli Orbital, një balancë mes qytetit dhe rizbulimit të natyrës

Në një kohë kur disa vende po flasin për mure, Tirana është duke ndërtuar një “mur” pemësh, për t’i dhënë oksigjen qytetit. Objektivi strategjik numër 1 i Planit të Përgjithshëm Vendor të Boerit, propozon një “Pyll Orbital” prej 2 milionë pemësh, që do të rrethojnë Tiranën, e që do të shërbente si një brez i gjelbër, për të parandaluar shtrirjen urbane.

“Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Një qytet për fëmijët tanë, është një qytet për të gjithë ne. Unaza pyjore është dendësuar nga “pemët e ditëlindjeve” të fëmijëve, të cilat janë mbjellë nga prindërit. Ne jo vetëm krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por gjithashtu rrisim fëmijë që do ta mbajnë të sigurt të ardhmen”./atsh

Tirana, një nga 3 qytetet me transformimin më të thellë në 2018 Read More »

Ja sa është pasuria e shqiptarëve e deklaruar në banka

Në pesë vitet e fundit, pasuria financiare e shqiptarëve është rritur me rreth 104 miliardë lekë, ose 12.6%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pasuri vlerësohet të jetë rreth 940 miliardë lekë dhe llogaritet si diferenca mes mjeteve dhe detyrimeve të individëve në instrumente financiare. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, individët zotëronin në fund të muajit korrik 951 miliardë lekë depozita në sistemin bankar. Këtyre iu shtohen edhe investimet në tituj financiarë, qoftë direkt apo nëpërmjet fondeve të investimit.

Investimet e individëve në bono,  në mesin e këtij viti, kishin vlerën e afro 96 miliardë lekëve. Ndërkohë, kontributi i individëve në fondet e investimit vlerësohet në rreth 65 miliardë lekë, megjithëse për momentin statistikat nuk ofrojnë një ndarje mes kuotave të zotëruara nga individët dhe atyre që iu takojnë personave juridikë.

Një investim tjetër, që ka nisur në vitet e fundit, është ai në obligacione të shoqërive tregtare. Megjithëse nuk ekzistojnë statistika të plota, vlera e obligacioneve të korporatave llogaritet në rreth 7 miliardë lekë, të mbajtura në pjesën më të madhe nga individë. Në total, asetet financiare të individëve arrijnë në rreth 1.13 trilionë lekë. Po të zbresin kredinë për individë në sistemin financiar,  që ka vlerën e 181 miliardë lekëve, shuma e ngelur prej 938 miliardë lekësh përbën atë që në nivel makroekonomik mund të quhet pasuria financiare e shqiptarëve. E matur si pasuri për frymë, ajo do të rezultonte në rreth 323 mijë lekë apo afërsisht 2550 euro.

Ja sa është pasuria e shqiptarëve e deklaruar në banka Read More »

Një vendim qeverie “zhyt” në pasiguri të apasionuarit pas sporteve nënujore

Mungesa e zonave të rezervuara për zhytje pengon turizmin dhe pasionin e zhytësve në Durrës dhe qytete të tjera bregdetare. Një hartë e miratuar si pjesë e një VKM-je në vitin 2014 përcakton 9 zona vetëm në Vlorë e Sarandë, ndërkohë vizitat në sitet arkeologjike nënujore mbeten të ndaluara. Qeveria vendosi të miratonte në vitin 2014 si pjesë e një VKM-je për sigurinë në plazhe dhe det, një hartë me zona ku lejohej zhytja. Kjo nënkupton që në sipërfaqe të caktuara ujore të specifikuara për zhytje, ndalohet lundrimi i mjeteve motorike apo barkave të peshkimit dhe krijohen kushte për sigurinë e atyre që ushtrojnë këtë sport. Por kur mori vendimin për të bërë hartën e zonave të autorizuara, qeveria la jashtë saj gjithë bregdetin e Adriatikut, përfshi Durrësin, duke ua vështirësuar jetën zhytësve të licesuar të qytetit dhe atyre që mundësojnë trajnim në zhytje apo guida turistike nënujore. VKM-ja e vitit 2014 ka përcaktuar gjithsej 9 zona zhytjeje në të gjithë bregdetin shqiptar, 6 prej tyre në Vlorë dhe 3 në Sarandë dhe asnjë në pjesën tjetër të bregdetit, përfshi Durrësin. Denis Nova, i licensuar prej dy vitesh si guidë nënujore thotë se VKM-ja në fjalë dhe mospërcaktimi i zonave të zhytjes në qytete të tjera është kthyer në pengesë serioze për ta.

“Është bërë pengesë deri në pikën e mbylljes aktivitetit”, i tha Nova BIRN.

Kryetari i Federatës Shqiptare të Zhytjes, Igli Pustina, thotë se megjithëse shtojca me hartë që i bashkangjitet VKM-së nuk e ndalon zhytjen në Durrës apo në qytetet e tjera, ajo nuk u mundëson zhytësve siguri dhe monitorim nga institucionet shtetërore. Ndërsa zhytës të ndryshëm nga Vlorë në Durrës i thanë BIRN se zonat e përcaktuara janë pa interes për zhytësit dhe ndalimi për zhytje pranë objekteve arkeologjike përfshi anije të Luftë së Parë Botërore kishte bllokuar mundësitë për turizëm nënujor.

Nga ana tjetër, mungesa e një evidence të qartë të pasurive nënujore bën që zhytja të shihet ende si rrezik për pasuritë arkeologjike të vendit. Pustina thotë se VKM-ja nuk është hartuar në bashkëpunim me grupet e interesit dhe ato zona që janë caktuar nuk përputhen me potencialin që duhet për t’u zhytur. Këshilli i Ministrave, në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN, thotë se VKM ka qenë e suksesshme, por pa specifikuar se si ishte matur suksesi i saj sa i përket ushtrimit të sportit të zhytjes. Në vend ka katër biznese të regjistruara që ofrojnë mësime zhytje apo guidë turistike, disa shoqata, një federatë të njohur nga Komiteti Olimpik Shqiptar, 10 udhërrëfyes turistik të licesuar në këtë fushë dhe disa dhjetra zhytës të licesuar.

Durrësi jashtë harte
Durrësi ka një vijë bregdetare prej 62 km, por të apasionuarit pas zhytjes apo turistë që do të donin ta vizitonin  botën nënujore aty duhet të zhyten duke marrë përsipër vetë rrezikun, pasi ndryshe nga Vlora apo Saranda, këtu nuk ka zona zhytjeje të përcaktuara. Denis Nova thotë se ata nuk janë përfaqësuar gjatë hartimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për “Sigurinë në det e plazhe”, ndërsa thekson se përcaktimi i zonave është jetik për të ushtruar aktivitetin. “Përcaktimi i zonave të zhytjes merr në mbrojtje hapësira të caktuara, aty mund të shtohet popullata e peshkut, e cila është ulur ndjeshëm nga gjuetia pa kriter”, shpjegon ai. Sipas zhytësit, mospasja e një zone të përcaktuar për këtë sport vë në rrezik jetën e tyre. Ai thotë se zonimi do të rriste sigurinë përgjatë zhytjes, “për shkak të shmangies së mjeteve lundruese në zonë gjatë kohës që qëndrojmë nënujë”.
Po ashtu sipas tij kjo rrit mundësinë e kontrollit nga autoritet shtetërore, krijon mundësinë e pastrimit të zonave nga rrjetat e hedhura prej peshkarexhave dhe i shtohet atraksioneve turistike.

Këshilli i Ministrave, në përgjigje të një kërkese për informacion i tha BIRN e pranoi defektin e VKM-së dhe tha se po “shihet mundësia për përcaktimin e zonave të reja, të lejuara për ushtrimin e aktivitetit për zhytje argëtuese, të cilat të jenë të pozicionuara në të gjithë territorin ujor të vendit”. Edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës thotë të njëjtën gjë. Por asnjë nga institucionet nuk dha një afat se kur do të bëheshin ndryshimet. Ndërkohë BIRN mësoi se edhe në bregdetin e Jugut, ku territoret për zhytje janë të caktuara guidat nënujore nuk janë të kënaqura dhe nuk janë pyetur. Një prej tyre, Saimir Kushova nga Saranda thotë se zonat e përcaktuara për zhytje u ofrojnë një referencë zyrtare turistëve për t’u ndjerë më të sigurt, por nga ana tjetër aty nuk gjen asgjë me interes turistik. “Plazhi i Bunecit, 500 m nga bregu është përcaktuar si një nga zonat për zhytje, por  përveç plazhit të mrekullueshëm në sipërfaqe, pjesa nënujore shfaqet krejt pa interes,” tha Kushova për BIRN. Edhe në Vlorë ku janë të përcaktuara 6 zona, zhytësit thonë se ato janë të papërshtatshme.  “Zona tek Tuneli ka rërë dhe shtuf; në Dhërmi 500 m nga bregu rrezikohesh nga mjetet lundruese; në Karaburun ka vaska peshku; ndërsa zona shumë të përshtatshme për zhytje, si Jala, janë lënë jashtë kësaj liste,” tha për BIRN instruktori i zhytjes Enton Mishtaku.

Turizmi nënujor i ndaluar me ligj

Një nga zonat e zhytjes të përcaktuar në  VKM, “Zona e Karaburunit [nga moli Raguza 1 deri në “Shën Jon], rezulton njëkohësisht e përfshirë në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Nga praktika e punës së Drejtorisë së Kulturës Vlorë, kjo zonë është e mbrojtur dhe për t’u zhytur duhet leje e veçantë, ndërsa procesi duhet të jetë i monitoruar nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Kjo e bën zhytjen aty mjaft të vështirë për t’u realizuar. BIRN mësoi nga guidat nënujore në Durrës, Vlorë dhe Sarandë se interesin më të madh për zhytje e kanë turistët e huaj, të cilët tërhiqen jo vetëm nga shkëmbinjtë nënujorë dhe fauna, por dhe nga anijet e mbytura përfshi ato gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Nova tregon se pak milje nga bregdeti i Durrësit, jo larg njëra-tjetrës, janë 15 anije të mbytura përgjatë Luftës së Parë, të Dytë Botërore, që përbëjnë interes për të apasionuarit pas zhytjes. Po ashtu nën ujë gjenden anije që janë datuar se kanë lundruar deri 2500 vjet më parë. Por në pikën numër 5 të shtojcës së VKM-së së vitit 2014 thuhet se “zhytja në zonat nënujore me vlera historike dhe mbetje arkeologjike, si edhe në anijet e objektet e mbytura, që mbrohen nga ligji” është e ndaluar. Ndalimi është një përpjekje për të kufizuar “kërkuesit e thesareve” që kanë dëmtuar për vite me radhë gjetjet arkeologjike nënujore në vend.

Nova e pranon problemin, ndërsa thotë madje se pjesë anijesh të mbytura janë nxjerrë e janë shitur për skrap, por ndalimi nga ana tjetër sipas tij nuk ndihmon në ruajtjen e këtyre artefakteve nënujore. Kryetari i Federatës Shqiptare të Zhytjes, Igli Pustina, thotë se guidat nënujore janë të interesuara dhe mund të shërbejnë për ruajtjen e këtyre relikteve nga dëmtimet e mundshme, në mënyrë që ato të jenë të vizitueshme. Sipas Novës kjo pengesë mund të zgjidhet nëse aplikohen ligje të ngjashme me vende të tjera europiane “duke autorizuar persona të licensuar nga shteti për guida turistike”. Ministria e Kulturës në një përgjigje zyrtare thotë se megjithëse nuk është fusha e saj, por e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ajo “është e gatshme të japë kontributin e saj dhe të institucioneve të saj të varësisë në përgatitjen e një nënprogrami dedikuar arkeologjisë nënujore”.

Por para se të shkohet këtu, Pustina thotë se ministria e Kulturës duhet fillimisht të identifikojë dhe shpallë Monument Kulture këto anije. Një hartë e zonave të mbrojtura dhe dokumentimi i tyre do të mundësonte ruajtje më të mirë dhe po ashtu krijonte mundësi të vizitave të kontrolluara. Një hartë e tillë është ende larg të qenit gati. Drejtoria e Kulturës Kombëtare Durrës (DKKD), shpreson se me ligjin e ri të këtij viti për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, parashikohet edhe krijimi i këtyre zonave, “ku do të fillojë identifikimi, hartimi dhe propozimi për shpalljen e zonave të mbrojtura nënujore”.

Të paqartë dhe kontradiktorë.

Nga ana tjetër, institucionet nuk duken fort të interesuar për diçka si zhytja dhe arkeologjia nënujore, që tingëllojnë ekzotike. Institucionet shtetërore, të përmendura si palë në hartimin e VKM-së së vitit 2014, njëkohësisht përgjegjëse për zbatimin e saj i dhanë BIRN përgjigje konfuze dhe kontradiktore në lidhje me vendimin apo detyrat që kishin marrë prej saj.

Ndërsa kryeministria në përgjigjen zyrtare përfshinte policinë dhe disa institucione të tjera përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e VKM-së, këto të fundit i thanë BIRN se nuk kishin qenë pjesë e diskutimit, ndërsa ishte e qartë që nuk kishin informacion për detyrat që kishin prej saj.
“Zonat ku mund të ushtrohet aktiviteti i zhytjes argëtuese janë përcaktuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Policinë e Shtetit dhe ministrinë e Kulturës, të cilët i kanë përcaktuar këto zona bazuar në kushtet teknike, sipas fushës së përgjegjësisë”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.
Drejtoria e Përgjithshme Detare në një letër zyrtare i tha BIRN se ajo nuk ka qenë pjesë e konsultimeve për hartimin e VKM-së, dhe as më vonë kur janë bërë disa ndryshime në të, duke thënë se nuk ishte kompetencë e saj.

Në anën e saj, Policia e Shtetit  e cila po ashtu përmendet në VKM dhe që thotë se ka për detyrë të zbatojë pjesë të saj,  nuk është gjithashtu e informuar. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bëri me dije se i është drejtuar dy herë policisë kufitare për të survejuar nëse peshkatarët bashkë me peshkun, nxirrnin në breg edhe objekte arkeologjike që binin në rrjetat e tyre. VKM-ja e vitit 2014-të në shtojcën lidhur me zhytjen e përcakton Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe Policinë Kufitare si institucionet që informohen dhe regjistrojnë objektet arkeologjike të nxjerra rastësisht nga deti, e më pas njoftojnë institucionet e kulturës si Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik apo Drejtorinë Rajonale të Kulturës, por policia nuk ka informacion për këtë përgjegjësi. Në përgjigjen për BIRN, Policia e Shtetit, ndërsa pranon se kishte të dhëna operative për amfora të nxjerra nga peshkatarët thotë se: “objektet arkeologjike të gjetura nuk dorëzohen pranë Policisë së Kufirit Durrës, por pranë Institutit të Arkeologjisë Nënujore”- duke përmendur një institucion që nuk ekziston në Shqipëri.

Një vendim qeverie “zhyt” në pasiguri të apasionuarit pas sporteve nënujore Read More »

“Me ndihmën e FBI-së, reforma në drejtësi do të godasë koka të politikës…”

Reforma në drejtësi do të prekë mazhorancën dhe opozitën. Ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela shprehet se, e gjithë politika do të kalojë në kontroll në bazë të reformës në drejtësi dhe askush nga politikanët nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

I ftuar në Ora News, Ngjela thotë se opozita po tenton të krijojë një ndjeshmëri sociale në funksion të një detabilizimi shoqëror, por është e dështuar. Të shqetësuar në mbyllje të reformës në drejtësi e sheh dhe mazhorancën, kryesisht Kryeministrin.

Ngjela: Asnjë gjë politike, zgjedhjet janë larg.I shqetëson reforma në drejtësi, e gjithë kjo bëhet nga humbja e ekuilibrit për faktin se një pjesë e liderve të tyre do të goditen nga korrupsioni. Mendojnë se mund të realizojnë ndonjë destabilizim shoqëror, por them se është e pamundur. Policia e organizuar dhe ndërkombëtarëisht po godet krimin e rrugës, është FBI dhe shumë agjensi. Është shkollë goditja penale, nuk është gjë e thjeshtë, të paktën për amerikanët.

Sa më shumë të afrohet fundi i reformës në drejtësi, aq do të ketë përplasje sociale të nxitura nga opozita.Po mazhoranca? Edhe mazhoranca nuk është se ka ndonjë pëlqyeshmëri për reformën në drejtësi, dhe ata preken. Më i lëkunduri është Kryeministri aktual, duket.

Kemi dhe një propozim të opozitës që është nonsens. Nuk ka nevojë për vetting politik se gjithë politika do kalojë në kontroll të imët sipas reformës në drejtësi që është normë kushtetuese.Drafti nuk ka sens juridik, nuk është procedurë, asgjë.Shumë zhurmë për asgjë, kanë humbur ekuilibrin dhe mendojnë se mund të krijojnë efekt apo shqetësim social me anë të cilit mund të krijojnë ndonjë shqetësim. Zhvillimet politike, Ngjela i sheh të lidhura paralelisht dhe me krimin në rrugë.

Ngjela: Nuk është e pagjasë që edhe kriminaliteti është hedhur në sulm por edhe policia është hedhur në veprim. Nuk mund të dorëzohet aq lehtë korrupsioni por nuk mendoj se mund të ketë ndonjë akses që të krijojë ndonjë pështjellim shoqëror.

Informacioni i kualifikuar vjen nga ndërkombëtarët, u panë shenja që shqetësimi i politikës lart të korruptuar me krimin e rrugës pati një sulm aktual. Kemi dhe arrestimet që kemi parë. Mendoj se do të vazhdojnë.Këta duhet të mendohen më mirë si do mbrohen sesa të mendojnë se përmes një pështjellimi shoqëror mund të shpëtojnë. Nuk ia arrijnë dot qëllimit sepse antikorrupsiini ua ka marrë Kushteturën, nuk e “kuptuan” kur e dorëzuan. Nuk e frenuan dot, edhe ligjet organike pothuajse përfunduan. Gjithë çështja është nëse do krijohet SPAK-u apo jo? Pse duhet vettingu politikanëve kur kanë SPAK-un, duan apo nuk duan. Nuk ka lidhje as me gjykatën aktuale dhe as prokurorinë aktuale. Kanë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Reforma në drejtësi, e pandalshme

Ambasadori amerikan tha se ka marrë fund gjithçka. Sot u njoftuan se edhe Konferenca Gjyqësore do të zgjerdhë gjyqtarët. Ambasadori tha se të gjithë do të gjykohen nga gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun. Nuk është vonuar krijimi i SPAK por vettingu i gjyqtarëve. Me këta gjyqtarë këta nuk fillojnë proces penal kundër korrupsionit të niveleve të larta.

Vettingu është vonuar se është bërë nga ndërkombëtarët. Në ONM nuk ka asnjë shqiptar. Pati ngërç se ata e shikojnë imtësisht por 1 muaj e gjysmë para pushimeve ka ecur me hapa të shpejtë. Ka një segment në gjyqësor që janë magjistratët, që 90% të tyre nuk i prek vettingu. Të tjerët janë njerëz të korruptuar, të ardhur me reformë partiake në drejtësi, pa shkolla. Magjistratat janë gjyqtarët më me prespektivë, nuk eleminohet krejtësisht gjyqësori. Besoj se do ta fusin këto ditë ligjin e magjistraturës. Me gjyqtarët besoj se mbarojnë deri në janar, pastaj do vazhdojë politika. 50% e gjyqtarëve do penalizohen.

Padrejtësia është institucionalizuar

Këto janë institucione që nuk japin drejtësi, janë institucione të padrejtësisë.Bashkëpunim mes politikës dhe gjyqësorit, mos më prek që mos të të prek: Ti vidh shtetin, unë grabis individin. Këto janë dy format e mëdha të gjëmës së korrupsionit në Shqipëri. Kjo është marrëveshja, qoftë dhe e heshtur. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve prek njërin krah të ekuacionit.Lë politikën e korruptuar në mëshirën e gjyqtarëve të rinj, ata do ti gjykojnë, nuk pranuan ndërkombetarët që këta të korruptuar të gjykoheshin nga gjykata aktuale./korrieri

“Me ndihmën e FBI-së, reforma në drejtësi do të godasë koka të politikës…” Read More »

100 tonë produkte të bllokuara, çfarë po konsumojmë?!

Tonelata të tëra me ushqime të skaduara, mish i shoqëruar me dokumente jo konform ligjit, thertore e magazina janë bërë së fundmi pjesë e kronikave ditore televizive, debateve të gjera në rrjetet sociale, duke ngritur, mes të tjerave, pikëpyetje mbi sigurinë ushqimore në vend. Mes të tjera qëndrimeve të hasura më shpesh janë ato se çfarë po hamë sot?

Sa i sigurt duhet të ndihet konsumatori shqiptar? Deri ku duhet të shkojë transparenca në publik për kompanitë që nuk kanë respektuar rregullat? Por mbi të gjitha, a jemi sot përpara një lufte që synon të vendosë një standard të ri në treg apo përpara një beteje, efekti i së cilës mund të shuhet papritur, duke mbetur vetëm kujtesë e disa titujve bombastikë në lajme.

AKU: Po bëjmë punën e përditshme, nuk jemi përballë një aksioni

Të paktën 313 tonë produkte që u ka kaluar afati i skadencës janë asgjësuar gjatë periudhës 1 qershor 2018-15 gusht 2018. Nga këto, 1/3 janë produkt i kontrolleve që janë kryer nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ku është konstatuar shkelje ligjore. Ndërkohë 2/3 janë produkte që janë njoftuar nga vetë bizneset se u ka mbaruar afati i konsumit dhe se duhet të asgjësohen. Për çdo rast të tillë, AKU duhet të vihet në dijeni, në mënyrë që edhe pse kostot dhe procesi kryhet nga biznesi lidhur me shkatërrimin, ai të mbikëqyret e dokumentohet nga ana e autoritetit.

Një sasi e tillë konsiderohet si sasi rekord nga ana e institucioneve publike të cilët, ndër të tjera, theksojnë se pas vullnetit të mirë të biznesit për të njoftuar mbi sasitë e produkteve të skaduara fshihet pikërisht ndërgjegjësimi nga zëri që ju është dhënë së fundmi aksioneve në terren të AKU.

Në fakt, sipas këtij institucioni, nuk është se së fundmi po ndiqet një aksion i veçantë. Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Agim Ismaili, konfirmon për Monitor se po respektohet ligji, pa bërë asnjë ndryshim në kuadrin ekzistues dhe mbi të gjitha po zbatohet plani i kontrolleve me bazë riskun miratuar në fillimvit. Pra sot jemi përpara një pune rutinë dhe jo përpara një aksioni sikurse mund të jetë krijuar ideja.

Rritet numri i subjekteve që ndëshkohen, piku në sezonin turistik

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari në gusht të këtij viti janë penalizuar me gjobë mbi gjurmueshmërinë e produkteve 298 subjekte ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i gjobave ishte vetëm 27.

Për sezonin turistik duket se ka pasur një vëmendje të veçantë lidhur me inspektimet, ku rezultojnë të jenë kryer 6543 të tillë në terren në harkun 1 qershor-15 gusht. Nga këto janë paralajmëruar 1896 subjekte për shkak të parregullsive që mund të jenë konstatuar dhe sipas hapësirave që parashikon ligji.

Po kështu janë penalizuar me masa administrative gjobë 328 subjekte me një vlerë totale të gjobave prej 98 milionë lekësh. Për 58 subjekte të tjera është vendosur mbyllje e aktivitetit.

Shkeljet që konstatohen më shpesh te subjektet

Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë nxjerrë në pah edhe shkeljet më të zakonshme që hasen brenda subjekteve që kontrollohen, sidomos tek ato që tregtojnë mishin apo baxhot dhe prodhimi i bulmetrave. Kështu, referuar kontrolleve te grupi i produkteve me origjinë shtazore, ndër shkeljet e konstatuara janë ato që lidhen me mungesën e vulës dhe certifikatës veterinare. Janë hasur raste kur produktet e peshkimit janë pa dokumentacion shoqërues. Të tjerë subjekte nuk kanë reflektuar lidhur me kërkesat që u janë bërë në fazën e paralajmërimit. Konstatohet mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesë e kushteve higjieno-sanitare, mungesë etiketimi apo mospajisje me NIPT nga QKB.

Për rastet e tjera të kontrolleve të përfshira nga sektori me origjinë joshtazore shkeljet që janë hasur më shpesh përfshihen në 11 pika. Së pari, mungesë e kushteve higjieno-sanitare. Së dyti mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesë e sistemimit të ambientit të brendshëm, mangësi në etiketimin e produkteve ushqimore, mungesë e planit DDD, apo edhe mungesë e analizës bakteriologjike të ujit. Më pas, vijnë mungesa e librezave shëndetësore të punonjësve, prishja e shenjave dalluese dhe ushtrim aktiviteti nën masën e bllokimit, mungesa e planit të vetëkontrollit HACCP, mungesa e raportit të analizave të disa produkteve dhe në fund, mosrealizimi i detyrave të lëna nga inspektimi paraardhës.
Në fokus të inspektimeve kanë qenë edhe farmacitë veterinare ku, jo në pak raste, ka pasur gjobitje për shkak të riambalazhimeve të gabuara, apo tregtim në këto farmaci nga persona që nuk mbajnë diplomën përkatëse./Monitor.

100 tonë produkte të bllokuara, çfarë po konsumojmë?! Read More »

SHQIPERIA NE VJESHTE, JA VENDET ME TE BUKURA PER TU VIZITUAR NGA VERIU NE JUG!

Ka nje mori arsyesh qe provojne se vjeshta eshte sezoni me i bukur dhe frymezues i vitit. Me miliona ngjyra mbreselenese te natyres dhe gjethet e rena e bejne ate te pelqyeshme pothuajse nga te gjithe.

Nese kerkoni te kaloni pushimet te qeta, relaksuese e plot te papritura, natyrisht vendin ideal do ta gjenit ne nje nga fshatrat me terheqese shqiptare, nga veriu ne jug,  te cilat i propozojme per keta muaj te vjeshtes 2018.

Natyra e mrekullueshme, ajri i paster, ushqimi karakteristik, shtepite e bukura, mikpritja dhe larmia mbreselenese e mjediseve te ketyre fshatrave do t’ju shoqerojne kudo ne keto fshatra anembane Shqiperise.

Vermoshi, pika me veriore e Shqiperise, nje fshat malor i Alpeve perendimore, qe ndodhet 95 km ne veri te Shkodres ne krahinen e Kelmendit. Bukuria e natyres shfaqet qe ne Qafen e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor pershkohet nga gjarperimi i kristalte i Lumit te Cenit.

Vermoshi ndodhet ne nje pllaje 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe te thepisura plot gjelberim.

Ngjitjet malore, shetitjet apo edhe peshkimi i troftes se eger jane disa nga menyrat me terheqese per te shijuar qendrimin ne bukurite e fshatit alpin. Fshati spikat per bulmetrat karakteristik dhe natyrisht mikepritjen proverbiale te gjithe zones se Kelmendit.

Valbona, nje fshat alpin qe ndodhet 25 km nga Bajram Curri ne luginen e Valbones, ne pjesen lindore te Alpeve te Shqiperise.

Fshati Valbone ose siç quhet ndryshe, Selimaj, eshte qendra me e rendesishme e banuar e lugines dhe njeherazi njera nga pikat turistike me terheqese te Shqiperise se veriut.

Kullat karakteristike dhe natyra e paperseritshme e lugines se Valbones jane ne nje harmoni mbreselenese, ku madheshtise se natyres i eshte pershtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri.

Bujtinat e kendshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathi apo mishi, peizazhet magjepsese alpine, uji i kthjellet e Valbones, perendimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpersia e natyres, mundesite per ngjitje malore, udhetimet aventureske me kanoe, shetitjet e paharrueshme pergjate Valbones, burimet e mahnitshme te lumit, gjithçka e ben Valbonen, lumin dhe fshatin, nje nga destinacionet me te veçanta te Ballkanit.

Thethi ndodhet 70 km larg Shkodres, ku rruga kulmon ne 2000 metra lartesi ne Qafen e Terthores.

Fshati i bukur alpin rrethohet nga male te larta qe arrijne deri ne 2,500 m lartesi dhe ofron pamje te mrekullueshme brenda e perreth tij ku kullat shekullore tanime te restauruara e te rikthyera ne bukurine e tyre origjinale, mirepresin qindra e qindra turiste vendas e te huaj.

Kulla e Koçekeve dhe sa e sa kulla te tjera jane deshmi te gjalla te historive te shekujve.

Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive te tjera alpine, kullat e lagjes se Grunjasit, lagjes me te vjeter te Thethit, te shpien mes lartesish te thepisura drejt ujevares se Grunjasit, qe ndodhet ne 900 m lartesi, tek ura e vjeter prej druri me nje pamje te mrekullueshme ku lumi humbet mes shkembinjve malore.

Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundesine e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shetitjeve relaksuese.

Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e eger natyrisht nuk mund te lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e ben Thethin nje atraksion turistik te paperseritshem edhe ne keta muaj te vjeshtes.

Lini, nje fshat i mrekullueshem gadishullor qe ndodhet ne brigjet perendimore te Liqenit te Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit.

Rrugina te bukura, ku ngrihen shtepi karakteristike me gure e tulla, shtepi qe lartohen buze ujit, oborre me pjergulla, nje mjedis i mrekullueshem, ku liqeni dhe fshati jane pjese te pandara nga njeri-tjetri.

Bazilika e fshatit, nje ngrehine e shekullit te 7-e pas Krishtit, mozaiket e hershem, historia qindra vjeçare, kuzhina karakteristike, ku peshku ze vendin kryesor, dhe natyrisht liqeni dhe bukurite e arkitektures dhe rruginave jane atraksionet e veçanta te fashatit gadishullor qe e bejne Linin nje destinacion te paevitueshem per te gjithe ata qe kerkojne relaksin dhe largimin nga e perditshmja e jetes se qytetit.

Voskopoja, nje nga qendrat me te rendesishme te historise se Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçes.

Fshati ngrihet mbi nje pllaje ne 1160 metra mbi nivelin e detit.
8 nga 27 kishat mesjetare te Voskopojes kane mbetur ende ne fshat: Manastiri i Shen Prodhomit, Kisha e Shen Kollit, Kisha e Shen Thanasit apo Kisha e Shen Ilias, ku mund te admironi pikturat e mrekullueshme murale te piktoreve te famshem korçare si David Selenica apo vellezerit Zografi.

Bukurive te natyres, historise se pasur, kishave me arkitekturen dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtepite e bukura qe ofrojne kushte te pershtatshme per te gjithe ata qe duan te kalojne pushime te veçanta larg zhurmes dhe ritmit marramendes te qytetit ne kete sezon te vjeshtes.

Nje fshat i mrekullueshem malor qe ndodhet 20 km ne juglindje te Korçes e qe ngrihet ne 1,350 m lartesi.

Bukuriteve arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale te interiereve te shtepive, bukurite e natyres brenda e perreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, ku lakrori i shijshem i shoqeruar me rakine e kumbulles apo me dhallen dardhare eshte nje atraksion i paevitueshem i identitetit te fshatit.

Ne fundjave, fshatit i rikthehet gjalleria, pasi shume banore te Korçes apo rrethinave, si edhe vizitore nga Tirana apo qytete te tjera preferojne ta kalojne fundjaven ne Dardhe.

Nese shkoni ne Permet, qytetin e luleve, shtepive te vjetra karakteristike dhe kishave te bukura mesjetare, natyrisht qe nje destinacion i paevitueshem eshte Benja, qe ndodhet vetem 3 km larg Permetit.

Shtepite e bukura, kisha ortodokse e shekullit te 18-e, natyra e virgjer dhe ujrat termale e kane kthyer Benjen ne nje destinacion te mrekullueshem turistik gjithevjetor.

Ura e gurte e Kaikut mbi lumin e Langarices eshte nje atraksion tjeter i bukur qe paraprin bukurine e te papriturave te kanioneve te Langarices.

Benja natyrisht qe njihet edhe per ushqimet karakteristike permetare qe u japin shije diteve tuaja te paharrueshme ne kete perle te mirefillte te Permetit.

Fterra ndodhet 10 km ne verilindje te Borshit, ne krahinen e Kurveleshit.

Me ndarjen e re territoriale, Fterra ben pjese ne Bashkine e Himares. Fshati ndodhet ne lartesi 200 – 250 m mbi nivelin e detit. Shtepite karakteristike ngrihen mes nje peizazhi te gjelberuar e faqesh malore.

Shtepite e gurta mbulohen me pllaka guri, nje tradite thuajse unike e fshatit e ruajtur ne shekuj. Portat e tyre kane mbulese guri dhe rrethohen nga korniza guri.

Ne oborret e shtepive rriten lule, fruta dhe perime. Ambientet shtepiake ruajne qilimat e prodhuara me dore nga banoret e fshatit.

Nese deshironi te shijoni bukurite e natyres dhe fshatit, te zbuloni shpellat e paeksploruara, te pini ujin e burimeve, te perhumbeni ne jeten fshatarore apo thjesht te largoheni per disa dite nga jeta e qytetit, Fterra eshte nje destinacion krejt i veçante ne kete sezon vjeshte.

SHQIPERIA NE VJESHTE, JA VENDET ME TE BUKURA PER TU VIZITUAR NGA VERIU NE JUG! Read More »

Vlorë /Kryetari i Bashkisë dhe gazetarët pastrojnë Karaburunin dhe Shpellën e “Haxhi Aliut”

15 SHTATORI,DITA NDERKOMBETARE E PASTRIMIT. Ne diten nderkombetare te pastrimit kreu i bashkise Dritan Leli i shoqeruar nga gazetaret e qytetit, si dhe punonjesit e pastrim gjelberimit kane zgjedhur gadishullin e karaburunit per te pastruar mbetjet e hedhura nga vizitoret.

Edhe pse nje territor me pamje te mrekullueshe,nje atraksion i rendesishem gjate sezonit turistik edhe ne kete hapesire jane hedhur mbetje te nryshme. Jo pa qellim zgjodhem Karaburunin per te pastruar dhe per te percielle mesazhin, se nje ambjent i paster do te thote nje jete e shendeteshme eshte shprehur gjate fjales se tij kreu i bashkise dritan leli. Por Karaburuni nuk ka qene e vetmja hapesire ku eshte nderhyre per pastrimin e mbetjeve .

Krahes siperfaqeve tokesore, po aq te ndotura me mbetje jane edhe hapesirat nen ujore. e nje e tille ka qene edhe shpella haxhi aliut. Kreu i bashkise Dritan Leli,por dhe ekspedita e zhytesave blu jane zhytur nen uje per te pastruar mbetjet e hedhura ne kete hapesire nen ujore , gjithashtu te frekuentuar nga turiste te shumte.

Keto mbetje jane nxjerre nga ujrat e shpelles se Haxhi Aliut. 15 shtatori i vitit 2018 shënon ditën kur rreth 5 % e popullsisë së botës do të marrin pjesë në aktivitetin e përbashkët “Ta Pastrojmë Botën në Një Ditë ”, i cili ka për qëllim rritjen e vëmëndjes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.Aktiviteti eshte mbajtur në mbi 200 shtete, pjesë e Lëvizjes Botërore “Let’s Do It World”, në mesin e të cilëve është edhe Lëvizja “Ta Pastrojmë Shqipërinë”.

Vlorë /Kryetari i Bashkisë dhe gazetarët pastrojnë Karaburunin dhe Shpellën e “Haxhi Aliut” Read More »

Artan Hoxha jep alarmin: Shqipëria nën pushtetin e bandave

Gazetari investigativ, Artan Hoxha ditët e fundit ka zbardhur detaje alarmante në lidhje me pushtetin e bandave në Shqipëri.

Pas operacionit të disa ditëve më parë të forcave RENEA dhe policisë në fshatin Nikel, Artan Hoxha nga studio e Report TV, për herë të parë ka hedhur dyshime të forta në lidhje me autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo në qershor të 2014-ës në mes të bllokut dhe gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, me një atentat të tipit mafioz më 9 shtator 2011.

Gazetari Artan Hoxha tha se autorët e vrasjeve të bujshme janë vrarë, ndërsa tani po kërkohen vrasësit e vrasësve.

“Nuk janë kapur autorët se ata janë vrarë. Kërkojmë vrasësit e vrasësve. Duhet që policia të presë zinxhirin.”-tha ndër të tjera Artan Hoxha.

Sipas gazetarit Hoxha, “Një nga ngjarjet ku autori është nga Nikla është vrasja e bankierit Artan Santo, kryekomunarit në Kukës dhe gjyqtarit Skerdilajd Konomi.”

Ndërkohë, gazetari Hoxha gjithashtu ka komentuar edhe operacionin e djeshëm të forcave RENEA për të kapur dy persona të rrezikshëm në fshatin Remas të Divjakës. Nga studio e Report TV, Hoxha theksoi se përveç Laert Haxhiut personi tjetër që kërkohej ishte Orgest Bilbili, autori i dytë i dyshuar për masakrën e Lushnjes, ngjarje e ndodhur 11 shtatorin e vitit 2017.

Por, Artan Hoxha ka ngritur dyshime të forta se operacioni i policisë është dekonspiruar.

Ai tha se dy personat me rrezikshmëri të lartë në Lushnje i kanë shpëtuar për herë të 14-të policisë.

Ajo çfarë e bën edhe më alarmante situatën, është fatki se sipas tij ka pasur vazhdimisht lidhje me drejtuesit e korruptuar të policisë lokale dhe prandaj kanë informacion dhe operacioni për kapjen e tyre dështon. “Kjo do të thotë që kanë një rrjet shumë të fuqishëm brenda radhëve të policisë.”-theksoi më tej Hoxha.

Sipas Hoxhës, ky grup kriminal ka nën kontroll Lushnjen që prej tetorit të vitit të kaluar.

“Këta personat e sipërpërmendur kanë plagosur nipin e Aldo Bares. Në dy raste të tjera informacioni për operacionin e kapjes së tyre iu është dhënë vetëm drejtuesve të policisë së qarkut Fier dhe jo drejtuesve lokalë dhe prapë ka dështuar operacioni.”-tha Artan Hoxha.

Gjithashtu ai tha se “lapsus i policisë apo i qëllimshëm kjo nuk dihet po fatki është se janë të lirë dhe shumë të rrezikshëm”.

Po ashtu Hoxha tha se këta persona kanë mbështetje edhe nga biznesmenë.

Në të dyja rastet, faktet tronditëse që zbulon Artan Hoxha tregojnë pushtetin e frikshëm që kanë bandat e rrezikshme në Shqipëri dhe se siguria në vend është në kufijtë e alarmantes, ndërkohë që vrasjet e bujshme mbesin pa autor.

Artan Hoxha jep alarmin: Shqipëria nën pushtetin e bandave Read More »