Aktualitet

Godet sërish Thaçi: Nuk mund ta vulosim fatin e Kosovës pa marrëveshje me Serbinë

Vijon të insistojë në tezën e tij për korrigjim të kufijve Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ua ka dërguar mediave, në pasditen e së dielës, një shkrim të tijin, nëpërmjet të cilit ka thënë se fati i Kosovës nuk mund të vuloset pa një marrëveshje me Serbinë. Ai ka vlerësuar se “stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE”.

Në këtë mënyrë, sipas Thaçit, “Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian”. “Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosëm njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë”, është shprehur ai. Sipas Thaçit, “marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Shkrimi i plotë i Thaçit: Korrigjimi paqësor i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë jam i sigurt se në politikën kosovare, tek qytetarët e Kosovës, nuk ka aspak dyshim se ne, si udhëheqës institucionalë të Kosovës, duhet të punojmë bashkë me qëllim që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore, t’i japim fund bisedimeve me Serbinë, duke nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Ne kemi luftuar kundër okupimit të dhunshëm nga Serbia dhe kemi fituar lirinë në qershorin e vitit 1999. Kjo histori është e njohur për të gjithë ne, sepse ka bashkuar të gjithë shqiptarët dhe Kosovën me Perëndimin, në radhë të parë me SHBA-në, Aleancën Veriatlantike dhe BE-në.

Ne, së bashku me aleatët tanë, arritëm ta bëjmë Kosovën shtet në shkurtin e vitit 2008 dhe prej atëherë jemi njohur nga 116 shtete anekënd botës. Megjithatë, të gjithë ne e dimë fare mirë se stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE. Në këtë mënyrë, Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian.
Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosëm njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë. Shumë prej jush mund të thonë që si shtet kemi merituar që rrugëtimi ynë drejt OKB-së, NATO-s dhe BE-së të jetë më ndryshe, më i lehtë, më i shpejtë dhe të mos varej më nga marrëveshja paqësore me Serbinë. Keni të drejtë në këtë qëndrim tuajin, por ja që realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis. Ju mund të thoni përsëri se Kosova tashmë i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme. Unë përsëri pajtohem me ju. Por, realiteti është edhe më kokëfortë se argumentet tona. Njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik. Dikush mund të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe brenda këtyre kufijve. Edhe unë dua të njëjtën gjë. Por, a mendoni se ne do ta bindim Serbinë ta bëjë një gjë të tillë së shpejti? Fatkeqësisht, jo. Po BE-ja dhe aleatët tanë të fuqishëm: SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e shumë të tjerë, a mendoni se do ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën? Përsëri, jo. Nuk kanë mundur ta bindin të bëjë një gjë të tillë deri më sot dhe nuk mund të garantojnë se do ta bëjnë nesër apo në të ardhmen e afërt. Si rezultat, përgjegjësia mbetet tek ne.

Për ta arritur këtë qëllim, unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Kam pritur kundërargumente racionale, por deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë.

Tashmë të gjithë e dimë që Kosova është trajtuar përherë si rast i veçantë apo ‘Sui Generis’, në ndërmarrjen e madhe ndërkombëtare të zgjidhjes së çdo procesi rreth saj. Në këtë kontekst, lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë. Dilemat vendore dhe ndërkombëtare i kanë shoqëruar të gjitha këto procese. Kështu, në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë. Por, këto shqetësime dolën të pasakta. Gjithashtu, një shqetësim tjetër i madh ishte frika nga eksodi masiv i komunitetit serb që jeton në Kosovë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe ky paragjykim doli i gabuar.

Kosova tani është shtet i pavarur dhe ne jemi në fazën përfundimtare të shtetndërtimit. Por, edhe tani ka dilema, njësoj sikurse më herët. Çuditërisht, në kohën kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët, sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, si mundësi e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po e përsëris: korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, të cilat do ta njohin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra.

Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë. Kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë në këtë debat, por atyre që prodhojnë vetëm zhurmë dhe panik, me keqardhje u them se janë të gabuar. Në ditët e kaluara kam pasur takime shumë të rëndësishme me politikanët kryesorë të shteteve fqinje të rajonit. Së pari takova Ilir Metën, Presidentin e Shqipërisë, pastaj në Podgoricë u prita nga Millo Gjukanoviq, Presidenti i Malit të Zi, si dhe në fund bisedova në Shkup edhe me Zoran Zaevin, Kryeministrin e Maqedonisë.

Në të gjitha këto bisedime miqësore dhe të sinqerta, ua bëra me dije synimin tonë për marrëveshjen me Serbinë, duke i dhënë fund armiqësisë mbi njëshekullore dhe duke ruajtur stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe qëllimin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe miqësinë me të gjitha vendet e rajonit. Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia, i siguron bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, duke forcuar kështu stabilitetin dhe mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan.

Prandaj, skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket stabilitetit të kësaj ane të Evropës. Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfolët me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdorej në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë. Koha e luftërave dhe konflikteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Ekspres

Godet sërish Thaçi: Nuk mund ta vulosim fatin e Kosovës pa marrëveshje me Serbinë Read More »

Humbën në pyllin e Llogarasë, policia u vjen në ndihmë 4 turistëve italianë (Video)

Llogara, Vlorë Policia u erdhi në ndihmë 4 turistëve italianë, ku dy prej tyre kishin humbur kontaktet në një zonë të vështirë malore në qafën e Llogarasë, ndërsa dy të tjerë kishin humbur rrugën 40 forca policore të DVP Vlorë dhe të Delta Forcë pas 3 orë kërkimesh bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga rreziku të katër turistëve italianë.

Sot rreth orës 14:15, disa shtetas italianë kanë kërkuar ndihmën e Policisë pasi dy prej tyre kishin mbetur të bllokuar në një zonë të vështirë malore në Qafën e Llogarasë si dhe dy shokët e tjerë kishin humbur kontaktet po në atë zonë.

Menjëherë me marrjen e njoftimit, u organizuan shërbimet e Komisariatit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Repartit “Delta Forcë”, filluan krehjen e zonës ku pas tre orë kërkimesh u bë e mundur gjetja e tre prej tyre si dhe pas gjysëm ore më vonë Policia gjeti edhe turistin e katërt.

Turistët janë shoqëruar nga Policia me gjithë automjetin e tyre në hotelin ku janë akomoduar në Llogara. Turistët italianë kanë falënderuar Policisë e Shtetit që ju erdhi në ndihmë. (4 shtetasit italinë kishin parkuar automjetin e tyre në anë të rrugës dhe ishin futur në pyllin e Llogarasë, duke u shpërndarë në drejtime të ndryshme për turizëm malor, por gjatë eksplorimit të zonës kishin humbur orientimin dhe rrugën e kthimit, ku dy prej tyre ishin bllokuar në një zonë të vështirë dhe për këtë shkak kërkuan ndihmën e Policisë së Shtetit)

Humbën në pyllin e Llogarasë, policia u vjen në ndihmë 4 turistëve italianë (Video) Read More »

Në kërkim si i përfshirë në grupin e Habilajve, ish-kreu i policisë habit me kërkesën e tij

Edhe pse është në kërkim prej muajsh pasi akuzohet si i përfshirë në ccështjen e trafikimit të drogës nga grupi Habilaj, ish-drejtori i policisë, Jaeld Çelakërkon nga arratia të pushohet hetimet ndaj tij. Ish-shefi i Policisë Vlorë, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për zgjatjen e hetimeve me tre muaj të tjerë.

Ankimimi është bërë nga avokati i tij dhe pritet që seanca për shqyrtimin e kërkesës të mbahet më 21 shtator. “Panorama” mëson se Gjykata e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimit edhe me tre muaj rreth 10 ditë më parë për dy ish-komisarët e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe Gjergj Kohila, të dyshuar për lidhje me bandën e Habilajve në trafikun e drogës. Të dy ish-komisarët janë ende në arrati. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë afatin deri më 20 nëntor 2018 për shkak të kohës që nevojitet për analizimin e tabulateve telefonike, por edhe për pyetjen e personave që mund të kenë dijeni për veprat penale.

Urdhërarrestet për Jaeld Çelën dhe dy ish-zyrtarët e tjerë të Policisë së Vlorës, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode u lëshuan në nëntor të vitit 2017. Prokuroria përmend në dosje se për kryerjen e veprimtarisë kriminale, dy vëllezërit, Moisi dhe Florian Habilaj, gjetën mbështetjen e ish-shefit të Stacionit të Policisë Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode, i cili mbajti këtë detyrë nga dhjetori i 2013-s deri në maj të 2016- s.

Dyshohet se ish-zyrtari Bode i siguroi grupit zhvillimin e lirshëm të aktivitetit, përmes shmangies së kontrolleve policore, thuhet më tej. Në këtë aktivitet kriminal, shefi i Policisë Bode, krahas implikimit me trafikantët e grupit, ka bashkëpunuar edhe me dy ish-zyrtarë të tjerë të Policisë, drejtorin Jaeld Çela dhe shefin kundër Drogës dhe Trafiqeve, Gjergji Kohila. Ish-drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, që është shoferi i ishministrit të Brendshëm.

Në kërkim si i përfshirë në grupin e Habilajve, ish-kreu i policisë habit me kërkesën e tij Read More »

Fluturimi i parë i Air Albania, ja çfarë shkruajnë mediat e Erdoganit

Një prej mediave më të mëdha turke, Anadoly Agency i ka kushtuar një shkrim fluturimit të parë të avionit të kompanisë Air Alibania.

“Linja ajrore kombëtare e Shqipërisë bën fluturimin e parë”, është titulli i artikullit ku flitet për ceremoninë e inagurimit dhe marrëveshjen e dy kompanive shqiptare me gjigandin Turkish Airlines.

Anadoly Agency raporton se të mërkurën dhe kompania turke Turkish Airlines ka njoftuar krijimin e ndërrmarrjes së përbashkët me dy kompanitë shqiptare MDN Investment SHPK dhe Albcontrol.

Air Albania ka kryer fluturimin e saj të parë provë të premten, ndërsa të shtunën ka transportuar 80 studentë shqiptar drejt Stambollit, ndërsa sipas kompanisë turke, kjo kompani e re do të operojë përveç në transportin e pasagjerëve dhe në transportin e mallrave.

Sipas deklaratës së Turkish Airlines, ajo do të ketë 49% të aksioneve, ndërsa shumicën do ta mbajnë kompanitë shqiptare, respektivisht MDN Investment SHPK me 41% të aksioneve dhe Albcontrol 10%.

Fluturimi i parë i Air Albania, ja çfarë shkruajnë mediat e Erdoganit Read More »

Çdo ditë në rrugë nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës, Olgerti i pafajshëm shpreson…

Ndërsa nesër pritet të nisë viti shkollor, shumë fëmijë shqiptarë do të vazhdojnë të enden rrugëve për të siguruar të ardhura që u siguron të mbajnë frymën gjallë. E tillë është dhe historia e 10-vjecarit të quajtur Olgert.

Kushdo që kalon në aksin Burrel-Tiranë është e pamundur që të mos e ketë parë në rrugë këtë fëmijë 10-vjeçar në vendin e quajtur “Ura e Karicës”. Ai është Olgerti i mitur, që mundohet të sigurojë të ardhura për familjen e tij e mbi të gjitha për veten pasi të hënën që vjen duhet të shkojë në shkollë.

Puna është nder, ndërsa ai buzëqeshur e dëshmon këtë. Olgerti thotë se del në rrugë çdo ditë në orën 7 të mëngjesit e kthehet në shtëpi në orën 19, duke sfiduar motin e nxehtë por edhe vetminë që duhet ta shoqërojë gjatë gjithë ditës, për të mos folur për lodhjen që e sfilit shtatin e tij të parritur ende.

I veshur me këpucë të grisura dhe me një pamje të pafajshme, Oligerti shpreson që dikush të ndalet dhe të blejë një misër që do t’i sillte pak para në xhepin e tij. ‘’Duhet me shit misra me bërë lekë, se duhet me ble rrobat e dimrit. Mami dhe babi janë pa punë dal nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës”, shprehet ai.

Shembulli i Olgertit është një motivim për ata që në moshë madhore që duhet të luftojnë për një punë, por do të ishim më të qetë si shoqëri nëse ai do të bënte jetën e një fëmije dhe jeta e tij të ishte vetëm jeta e një personazhi librash. Kjo është fëmijëria e shumë fëmijëve të familjeve të varfra shqiptare./korrieri

Çdo ditë në rrugë nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës, Olgerti i pafajshëm shpreson… Read More »

Këndoi për Enver Hoxhën, reagon Tërmet Peçi pas kritikave të PD: Le të më heqin!

Pas videos që po qarkullon në rrjetet sociale, ku shihet kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi teksa këndon këngë kushtuar diktatorit Enver Hoxha, ka reaguar ky i fundit.

Në një lidhje telefonike për ‘BalkanWeb’ Peçi pohoi se gjithçka ishte në kuadër të festimeve për rastin e 75-vjetorit të çlirimit të qytetit, në një darkë zyrtare të shtruar nga Bashkia e Tepelenës.

Ndërkohë, pyetjes lidhur me kërkesën publike të Tritan Shehu për shkarkimin e kryebashkiakut, Peçi tha se deputeti i PD duhej të ishte dje pjesë e festimeve dhe mos të merrej me këto histori.
“Gjithçka ishte në kuadër të festimeve. Nuk kishte asgjë tjetër. Sa për reagimin e deputetit të PD-së, për këtë qark, Tritan Shehut, do e pyes pse nuk erdhi dje në aktivitet, po merret me këto histori? Po le të më heqin, ca të them unë. S’do merrem me këto histori”, tha kryebashkiaku Peçi.

Në videon që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale shihet se si Tërmet Peçi shoqëron me zë Golikun e famshëm të Bënçës, teksa këndojnë këngë për Hoxhën, madje ai në një moment përshëndet me grusht.

Këndoi për Enver Hoxhën, reagon Tërmet Peçi pas kritikave të PD: Le të më heqin! Read More »

Pastrimi nga mbeturinat ne gadishullin e Karaburunit një iniciativë e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli

Pastrimi nga mbeturinat ne gadishullin e Karaburunit një iniciativë e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli

Këto aktivitete shërbej jo vetëm për pastrimin dhe mbajtjen pastër të mjedisit por edhe për ndërgjegjësimin e pushuesve dhe turistëve mbi ruajtjen e pastërtisë dhe shëndetit.

https://www.facebook.com/onetvhd1/videos/617700261957224/?t=20

Pastrimi nga mbeturinat ne gadishullin e Karaburunit një iniciativë e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli Read More »

Lu në ikje godet fort ligjin për Teatrin dhe koncesionet e Ramës

Në një kohë që i mbaroi mandati në Shqipëri dhe është në ditët e fundit të qëndrimit, ambasadori amerikan Donald Lu është kujtuar për të folur për Teatrin dhe koncesionet. Ai i ka dhënë një “shuplakë” qeverisë Rama në lidhje me Teatrin. I ftuar në emisionin Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus, Donald Lu bëri një deklaratë të fortë, e cila u kalua në hije.

Kemi pasur diskutime me homologet e BE gjatë ditëve të fundit. Qeveria, ambasada e SHBA dhe unë e mbështesim punë e BE në përpjekjen e tyre që ky ligj për Teatrin të mos kthehet në diçka që krijon hapësira për korrupsion duke i dhënë kontratën një biznesi të vetëm pa garë transparente apo pa i dhënë mundësinë njerëzve të tjerë që të marrin pjesë në projekt. Ky është një shqetësim jo vetëm në këtë rast, por edhe një shqetësim edhe më i përgjithshëm, sa herë kjo qeveri kërkon koncesione në vend të tenderave të hapur dhe të barabartë. Unë besoj se shqiptaret duhet të kërkojnë një garë të hapur dhe të ndershme sepse kjo ka më pak kosto për qytetarët dhe sjell cilësi më të mirë për ta.”

Pra, ambasadori amerikan Donald Lu, ashtu si edhe BE, shpreh haptazi shqetësimin e tij në lidhje me ligjin e Teatrit dhe përpjekjet e qeverisë për t’ia dhënë këtë projekt vetëm një kompanie, Fusha sh.p.k. Madje, Lu përforcon idenë se dhënie e projektit pa garë tek një kompani e vetme është diçka që krijon hapësira për korrupsion. Donald Lu vazhdon më tej duke e ngritur këtë shqetësim edhe për koncesione në përgjithësi që qeveria Rama jep duke thënë se ky është një shqetësim sa herë kjo qeveri kërkon koncesione në vend të tenderave të hapur dhe të barabartë.

Nga ana tjetër edhe BE, përmes një letre, u shpreh mbi cështjen e Teatrit. Në një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, kreu i seksionit të Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Michaela Matuella, mes të tjerash, shkruante: “Komisioni mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special me qëllimin futjen e një thirrje për tender të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo kompani private mund të aplikojë me një projekt-propozim. (...) Në të njëjtën kohë Komisioni kërkon të nënvizojë rëndësinë e përcaktimit të kritereve të qarta dhe transparente dhe jo diskriminuese për përzgjedhjen e kompanisë fituese dhe zbatimin e Ligjit Special.”

Kështu, edhe BE ngre qartazi shqetësimin e dhënies së projektit të një kompanie të vetme dhe nënvizon rëndësinë e një gare transparente dhe jo diskriminuese. Pra, BE kërkon një garë, jo një paracaktim në një kompanie, por se më çfarë kriteresh dhe me çfarë gare u zgjodh kompanie Fusha sh.p.k këtë as Rama dhe Veliaj nuk na e thonë.

Lu në ikje godet fort ligjin për Teatrin dhe koncesionet e Ramës Read More »