Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë letra nga persona që vuajnë dënimin në burgun e Fierit apo familjarë të tyre. Ata ankohen për sjellje të padenja nga ana e drejtorit Arjan Hasani, i cili i dhunon dhe nuk u lejon të burgosurve të drejtat më minimale.
Në një nga letrat shkruhet…
“Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Po ju shkruajmë nga burgu i Fierit. Saimir dhe Genti, për shoqërinë jashtë ne jemi llumi i shoqërisë, por edhe pse jemi në burg, kemi dhe ne të drejtat tona. Dhe në burg nuk ka vetëm përdhunues dhe pedofila, por ka dhe (persona) pa patentë, ndërtim pa leje, mospagim dritash dhe uji.
Problemi jonë është sesa herë ky burg drejtohet nga Arjan Hasani këtu mbizotëron dhuna dhe asgjë nuk funksionon. Ky në punë fut kushërinjtë e vet dhe të zonës së vet dhe këtu nuk funksionon më asgjë, përveç se dhuna, druri, izolimi, hakmarrja dhe arroganca.
Ne nuk kërkojmë privilegje në burg, se ky është burg i sigurisë së ulët, ku ka krime të lehta. Ne kërkojmë që të mos ketë dhunë dhe që drejtori të mos bëjë me ne si të dojë ai dhe kundra ligjit, se para ligjit jemi të gjithë njësoj.
Na vjen në 2 të natës kontroll, ushtrojnë dhunë fizike e psiqike, na tallin, na shajnë. Dhe kështu ne i hymë në grevë. E di si na tha me atë arrogancën prej tepelenasi? ‘Shkoni ankohuni te Stopi’. Ne ndodhemi në katin e parë, godina e paraburgimit. Pse u ngritëm në grevë, vetëm neve na ka mbyllur dyert. Në asnjë godinë nuk është kështu, vetëm te ne, pse u ankuam kundra këtij.
Ju lutemi na ndihmoni që të trajtohemi si të gjithë të dënuarit e burgut e të burgjeve të tjera. Mjaft i kemi larë muret me gjak! Ju lutem na sillni përfaqësues të Avokatit të Popullit që ta shikojnë gjendjen këtu”.
Ndërsa në një tjetër thuhet…
“Urojmë që letra t’ju gjejë mirë. Ne që po ju shkruajmë jemi të dënuarit e burgut të Fierit, godina e paraburgimit, kati i parë. Jemi në grevë qysh nga e premtja. Problemet tona ia shkruajtëm dhe ia thamë në sy pronarit të burgut, Arjan Hasanit. Themi pronari, se nga dita që është rikthyer në punë e ka kthyer burgun në privat.
Sapo iu ankuam në sy dhe i dhamë dhe letrën me firma, grisi letrën dhe na ka mbyllur dyert që të mos takohemi me njëri-tjetrin. Ka bllokuar telefonatat që të mos ankohemi te gazetarët, Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit.
Pika jonë e parë e grevës është të hiqet dhuna fizike dhe psiqike që ka instaluar Arjan Hasani me kushërinjtë e vetë, që i ka punësuar në grupin e gatshëm!
Të na lejohen ilaçet që na sjell familja se këto të burgut nuk i kemi parë asnjëherë. Mos harrojmë se në këtë burg kanë vdekur 3 të dënuar, për sa kohë e ka drejtuar drejtori Arjan Hasani.
Duam që të funksionojnë dushet e uji i nxehtë që të lahemi. Duam që shitësi nga Tepelena, njeriu i drejtorit, të ulë çmimet. Një kos 1 mijë e 500 lekë të vjetra.
Duam që të mos na terrorizojnë me kontrolle që na bëjnë në 1, 2 ose 3 të natës. Sa i ankohemi ky njeri hakmerret. Duam që burgu të kthehet si ka qenë me drejtorët e mëparshëm, institucion edukimi dhe jo institucion xhunglimi dhe druri.
Shpresojmë të na mirëkuptoni se nuk duam luks, as pishina në burg, por duam që të mos të na rrahin më tek izolimet se aty nuk ka kamera. Ju lutemi na çoni përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit ta shikojnë gjendjen vetë”.
Po ashtu për këtë burg është ankuar edhe e ëma e një të burgosuri nëpërmjet një letre, ku shkruhet…
“Përshëndetje Saimir dhe Genti. Jam një shqiptare e jo serbe. Kam djalin në burgun e Fierit për aksident me makinë dhe jo për terrorizëm dhe krime lufte. Kur shkova para 2 ditësh te djali e pashë me shenja në fytyrë e të trembur. Plaçkat që nxori jashtë që t’ja laj ishin me gjak. Më tregoi djali që janë në grevë kundra dhunës që ushtron drejtori Arjan Hasani.
Saimir të keqen nëna, sa është rikthyer ky drejtor kemi frikë të shkojmë në takim se na dalin fëmijët të trembur dhe gjithë shenja.
Policët janë ndërruar të gjithë dhe këta të rinjtë nuk sillen mirë dhe me ne familjarët. Ju lutemi Saimir na ndihmoni, të keqen nëna. Me respekte, anonim se na rreh çunin prapë”.
Një ish-efektiv policie pohoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga drejtori Arjan Hasani ndaj të dënuarve dhe tregoi se është i papunë vetëm pse e kundërshtoi këtë fakt.
“Tani jam i papunë sepse me rikthimin e drejtorit Arjan Hasani nuk pranova të dhunoj të dënuarit. Ai më hoqi nga puna dhe ka futur në punë kushërinjtë e vetë dhe tepelensa. Ky drejtor e ka kthyer burgun në privat. Sa erdhi filloi të hakmerret kundër të gjithë personelit duke i hequr nga puna dhe duke vendosur njerëzit e tij. E ka kthyer burgun e Fierit në ferr të vërtetë. Na thoshte: ‘Mos komunikoni me të dënuarit se janë armiqtë tanë’. Po puna ime e tillë është se i dënuari te polici shkon për çdo gjë.
Ju lutem, ju bëj thirrje që në burgun e Fierit të hyjë për kontroll Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve që quhet SHKBB dhe varet nga Ministria e Drejtësisë e do shikojnë shkeljet që ka bërë e po bën drejtori Hasani. Ky të heq nga puna sikur ta ketë pronë të babës”.
Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i bëri thirrje Avokatit të Popullit dhe SHÇBA-së së Ministrisë së Brendshme për të kryer një kontroll në burgun e Fierit, pasi drejtori Arjan Hasani nuk mund t’i trajtojë të dënuarit në këtë mënyrë./ TVKlan.al
Guvernatori i BSH Gent Sejko, ka ngritur shqetësimin se ekonomia shqiptare ka ulur produktivitetin e saj, duke u përgjysmuar me 2% krahasuar me të njëjtën përiudhë të një viti më parë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë prezantimit të Drejtorit Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano, ka theksuar se ekonomia shqiptare ka ulur produktivitetin. Si një gjetje e studimit të titulluar “Ngadalësimi i produktivitetit dhe hipoteza e stanjacionit shekullor”, Sejko argumentoi se produktiviteti dhe roli i tij në rritjen ekonomike është një temë kryesore diskutimi mes vendimmarrësve të ekonomisë.
“Studimet tona kanë gjetur se shkalla e zgjerimit të produktivitetit në ekonominë shqiptare – i përcaktuar gjerësisht si aftësia e ekonomisë për të shfrytëzuar punën dhe kapitalin fizik për gjenerimin e prodhimit – është përgjysmuar në këtë periudhë, nga 2% në 1%”, tha Guvernatori. Ai shtoi më tej se zhvendosja e burimeve financiare, njerëzore dhe manaxheriale, midis sektorëve të ekonomisë, kërkon kohë dhe shoqërohet me ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit. Sejko sugjeron se sipas studimit të mësipërm, duhet kaluar nga ndërtimi te eksportet. “Megjithatë, ribalancimi i burimeve të rritjes, nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit, është një proces i cili tashmë ka nisur. Kjo zhvendosje graduale vihet re dhe në ribalancimin simetrik të portofolit të kredisë bankare”, u shpreh guvernatori i BSH-së.
Guvernatori shton më tej se produktiviteti dhe roli i tij në rritjen ekonomike ka qenë dhe është një temë e cila ka patur vëmendje të madhe në Bankën e Shqipërisë. “Studimet tona sugjerojnë se, përtej rënies ciklike të kërkesës agregate, ngadalësimi ekonomik në Shqipëri në periudhën pas krizës, ka patur dhe një element të fortë strukturor. Me fjalë të tjera, përgjysmimi i ritmit të rritjes në periudhën para dhe pas krizës, pasqyron si ngadalësimin e zgjerimit të kërkesës për mallra dhe shërbime, ashtu dhe ngadalësimin e kapacitetit të ekonominë për të ofruar këto produkte. Në veçanti, studimet tona kanë gjetur se shkalla e zgjerimit të produktivitetit në ekonominë shqiptare – i përcaktuar gjerësisht si aftësia e ekonomisë për të shfrytëzuar punën dhe kapitalin fizik për gjenerimin e prodhimit – është përgjysmuar në këtë periudhë, nga 2% në 1%. Për këtë arsye, rritja e produktivitetit ka qenë dhe duhet të mbetet një udhërrëfyes për axhendën e reformave strukturore në vend”, tha z. Sejko.
Duke argumentuar më tej mbi konkluzionet e studimit, guvernatori Sejko shton niveli dhe shpejtësia e zgjerimit të produktivitetit ka një lidhje të drejtë me shkallën e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore. “Reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë. Megjithatë, Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, në veçanti drejt frenimin të emigrimit të fuqisë
Së treti, Guvernatori vijon argumentin duke thënë se produktiviteti është i lidhur ngushtë me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit. Fushata për rritjen e formalizimit, rritja graduale e konkurrencës, si dhe ri-shikimi i ligjit për falimentin, do të krijojnë stimujt e duhur në këtë drejtim. Në veçanti, jam i bindur se përmirësimet ligjore e nënligjore të bëra në drejtim të respektimit të kontratës së kredisë bankare, do të ndihmojnë jo thjesht e vetëm shëndetin e bankave, por do të stimulojnë dhe rritjen e disiplinës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve nga bizneset shqiptare.
“Së fundi, dëshiroj të theksoj se, në ndryshim nga ekonomitë e zhvilluara, të cilat ndodhen në kufirin teknologjik dhe të cilat, për këtë arsye, e shohin progresin të lidhur me aftësinë e tyre për inovacion, Shqipëria ka hapësira të mëdha zhvillimi nëpërmjet adoptimit të teknologjive e praktikave ekzistuese. Në këtë prizëm, detyra jonë mbetet të zgjedhim dhe të zbatojmë modelet e provuara të zhvillimit. Duke u bazuar në sa më sipër, jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha premisat për rritjen e produktivitetit dhe, në këtë mënyrë, për përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike dhe rritjen e mirëqenies. Ajo që duhet tashmë, është një konsensus mbi vizionin e zhvillimit të vendit dhe një vullnet i gjithanshëm i zbatimit të tij”, përfundoi ai.
Një thirrje jo e zakonshme ka qenë ajo e bërë nga analisti Fatos Lubonja për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ai ka treguar një zgjidhje për të shmangur prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu. Ai thotë se duhet reagim më i fortë dhe rezistencë fizike. Analisti ka ftuar shqiptarët që të shtrihen përpara fadromave.
“Mbledhja e sotme ishte një thirrje e gjithë atyre që kane qenë aktorë në shembjen e teatrit, aktorë, pjesëtarë nga shoqëria civile, etj. Aty u diskutua për hapat që duhen ndërmarrë pas letrës së mbërritur nga KE. Pati edhe përfaqësues nga PD, Jorida tabaku, dhe Albana Vokshi. Gjatë mbledhjes u ngrit pyetja se çfarë duhet të bëjmë. Pati mendime të ndryshme. Unë shpreha mendimin për dy gjëra që duhen bërë. Te ne nuk funksion demokracia, por ndërkombëtarokracia. Këtu nuk vepruan të gjitha institucionet tona, por një letër nga KE e ndaloi këtë proces për teatrin.
Meqë vendoska një ndërkombëtar, që është më i fortë se ky i forti që na nëpërkëmb ne. Këta nuk duket se kanë ndërmend të ndërrojnë mendje, dhe duan ta shembin siç bënë me stadiumin. Por duhet rezistencë fizike. Duhet përballje. T’i dilet përpara fadromave, dhe çfarë do bëjnë pastaj, do të vrasin njerëz?! Kjo është fatkeqësi padyshim, por kështu është kur përballesh me regjime të tilla. Përndryshe do të vijnë gjëra të tjera më vonë. Unë reagimin nuk e shoh vetëm tek rezistenca fizike, por edhe tek ndërgjegjësimi. Këta duhet të reagojnë. Sidomos pas asaj letre që erdhi nga KE”, u shpreh Lubonja.
Në fillimi të këtij viti uji u rrit me 44%, por mesa duket shqiptarët paguajnë për ujë jo të pijshëm. Edhe pse një fakt i rëndë ky që nuk u pranua drejtpërsëdrejti nga të pranishmit në një takim me përfaqësues të BE, gjithsesi u tha se ky sektor ka nevojë imediate për reformim.
Tema kryesore e këtij takimi ishte projekti i BE-së për të siguruar ujë të pijshëm dhe për të rritur riciklimin e tij. Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Senida Medi tha se do të nisin aksionet konkrete për ujë të pijshëm në të gjithë territorin e vendit.
“Është koha që të japim shembull konkret dhe me aksione konkrete të adresojmë një çështje të tillë kaq jetike. Toka, ajri dhe uji nuk janë një trashëgimi nga etërit tanë, në fakt na është dhënë me kredi që t’ia kalojmë fëmijëve tanë.” – tha Mesi.
Nga ana tjetër, bashkëfinancuese e këtij projekti me vlerën 6.3 mln euro është edhe qeveria gjermane. Për këtë çështja foli ambasadorja gjermane e cila tha se po punohet që Shqipëria të furnizohet me ujë të pijshëm.
“Bashkërisht po punojmë që Shqipëria të furnizohet me ujë të pijshëm. Gjermania, përveç ndihmës financiare në këtë projekt, do ta ndihmojë Shqipërinë edhe me eksperiencën e saj teknike.” – tha ambasadorja gjermane.
Banorët e Jalës kanë kundërshtuar me forcë prishjen e hoteleve dhe shtëpive të tyre, të cilat pretendojnë se janë ndërtuar mbi tokën e trashëguar nga të parët.
Një prej tyre, duke folur para deputetes së PD-së, i është drejtuar direkt Ed Ramës, për t’i treguar disa ndërtime të tjera, që nuk preken nga policia.
“Zoti kryeministër, po të jetë për ndërtime pa leje, ja ku është miku juaj Alban Xhillari dhe mund të vini ta verifikoni sot, sa ndërtime pa leje ka. Zoti kryeministër, veproni siç duhet nëse keni vënë qytetarin të parin, vini qytetarin. Nëse keni vënë ndërtuesit tuaj të parë, bravo ju qoftë!”
Policia ka ushtruar dhunë gjatë aksionit të IKMT. Në një prej videove të publikuara nga PD, shfaqen 7 polic që gjenden mbi një të ri, duke tentuar ta prangosin. Gjithashtu në komisariat është shoqëruar, një e mitur 14 vjeçare.
Deputeti i PD-së, Agron Shehaj u shkoi në mbrojtje banorëve të zonës së Jalës, të cilëve IKMT u shembi bizneset dhe shtëpisë. Por, gjatë një debati mes Shehajt dhe kreut të IKMT-së në Vlorë, Fatmir Meta pati akuza të forta mes tyre.
“Ju keni marrë shpirtin njerëzve. E bëni për paratë. Vini si hajdutë këtu. Jeni hajdutë dhe shembni shtëpi”, dëgjohet t’i drejtohet Shehaj inspektorit të IKMT. “Hajdut je ti, hajdut brez pas brezi. Nuk më tregon ti hajdutin. Vini për politikë këtu ju. Politikën bëjeni andej se ju e keni katandisur këtë vend kështu”, i kthehet kryeinspektori IKMT Vlorë, deputetit Shehaj.
Deputetët e PD, Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj mbërrin në Jalë në mbështetje të qytetarëve dhe kundër shembjes së bizneseve të tyre. Sipas IKMT, banorët i kanë ndërtuar objektet pa leje dhe se janë njoftuar që në muajin korrik për aksionin e shembeje.
Partia Demokratike deklaron se Kryeinspektori i IKMT-së ka kërcënuar deputetin demokrat Agron Shehaj sot gjatë aksionit në Jalë.
Në një njoftim për mediat, PD thotë se deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj së bashku me deputeten Nada Meçorapaj ishin në Jalë në mbështetje të banorëve të cilët kundërshtojnë shembjen e objekteve nga ana e Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
“Gjatë ditës së sotme nuk kanë munguar as përplasjet ndërsa një moment, kryeinspektori IKMT-së në Vlorë, Fatmir Meta, ka kërcënuar deputetin demokrat Agron Shehaj. ‘Mbaje mend këtë fytyrë mirë. Nga Vlora jam unë’, i drejtohet kryeinspektori deputetit”, bën të ditur PD.
Më tej PD deklaron se krahas kërcënimit, kryeinspketori IKMT-së ka shkelur gjithashtu detyrën pasi nuk mund të pengojë deputetin apo t’i kërkojë atij llogari, pasi pengon punën e tij kushtetuese.