Aktualitet

Si po kthehet Shqipëria në “republikë” të burgosurish

Shqipëria ka numrin më të lartë në rajon për të burgosurit në 100 mijë banorë.
Të dhënat e marra nga Ministria e Drejtësisë janë bërë të ditura nga Organizata Prison Studies dhe të publikuara në World Prison Brief, ku Shqipëria numëron 193 të burgosur për 100 mijë banorë. Sipas avokatëve, ky numër i lartë lidhet me mungesën e zbatimit të dënimeve alternative në vendin tonë.

Astrit Prendi, avokat: Një nder faktorët kryesor është edhe problemet e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale edhe pse ky i ka parashikuar dënimet alternative, por nuk po gjen zbatim nga gjyqësori, ose që nga organi i prokurorisë, pasi ka vepra të tilla që janë me marzh të ulët dënimi që mund të zgjidhen dënime alternative apo edhe me marrëveshje dhe mos shkohet direkt masa arrest me burg.

Sipas avokatëve, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri vendoset masa ekstreme arrest me burg edhe për veprat penale si vjedhje energjie, apo drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.

“Drejtimi i mjetit ne gjendje të dehur, vjedhja penale, janë bërë vepra penale, mjerisht edhe vepra të tilla arrest me burg e humbet efektin pozitiv që ka ligji në vetvete. Për të njëjtën vepër penale në Shqipëri nëse dënohesh rishtazi të caktohet masa arrest me burg, ndërsa anë vendet e tjera në vendet fqinj nuk vendoset, mos harrojmë që një masë shtrënguese e vendimit penal nuk ka vetëm dënimin por edhe edukimin”.

Sipas raportit të Ëorld Prison Brief, pas Shqipërisë për numër të lartë të burgosurish, renditet Mali i Zi me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 152, Maqedonia me 134 të burgosur , Kosova me 106 të burgosur dhe Bosnje Hercegovina me 73. Vendi ynë ka një numër të ulët përsa i përket të të dënuarve minorenë në shifrën 0.6 % ./Klan

Si po kthehet Shqipëria në “republikë” të burgosurish Read More »

Vlorë/ 390 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës në Vllahinë

Shkolla e mesme e bashkuar ”Mynyr Xhindi” në fshatin Vllahinë të Vlorës i është nënshtruar rikonstruksionit.

Bashkia e Selenicës bën të ditur se “ditët e e fundit ka filluar rikonstruksioni total i godinës së kësaj shkolle, falë një investimit prej 390 milionë lekë”.

“Pas rikonstruksionit shkolla do të mundësojë kushte shumë herë më të mira për nxënësit dhe mësuesit. Realizimi i këtij projekti do të bëjë të mundur zhvillimin normal të procesit mësimor dhe edukativ në këtë shkollë”, thekson bashkia e Selenicës.

Sipas bashkisë, mirëmbajtja dhe rikonstruksioni i godinave arsimore do të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së saj.

Rikonstruksioni i kësaj shkolle është pjesë e projektit të qeverisë për ndryshimin e infrastrukturës arsimore dhe modernizimin e kushteve të edukimit për nxënësit. Deri në vitin 2019 qeveria do të rikonstruktojë 58 shkolla në të gjithë vendin. /atsh

Vlorë/ 390 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës në Vllahinë Read More »

Rrëfimet e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës edhe nga SHBA

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka pritur sot në takim Dr. Gjon Bucaj, ish-Kryetar për 7 vjet i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës, Vatra.

“Në fokus të bashkëbisedimit ishte vizita e përfaqësisë e AIDSSH në SHBA me rastin e festës së pavarësisë dhe mbledhjen e rrëfimit dhe të dhënave për kampin e Tepelenës”, – u shpreh kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula.

Po ashtu, Sula shprehet se “bashkëbiseduam për një planifikim sa më të mirë të vizitës së përfaqësisë sonë në USA me rastin e festës së pavarësisë, dhe organizimin sa më të mirë të mbledhjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, që jetojnë në USA”.

“Po ashtu ai aplikoi për t’u informuar mbi dokumente të ish-Sigurimit, që mund të jenë krijuar për të dhe familjarë të tij në vitet e diktaturës”, – tha kryetarja. /atsh

Rrëfimet e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës edhe nga SHBA Read More »

Agjencitë e OKB-së në Shqipëri, një javë me aktivitete për objektivat e zhvillimit

Java e Objektivave të Zhvillimit përkon me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe është një përpjekje e përbashkët dhe aktivizim për t’u fokusuar në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Kjo nismë ka tërhequr rreth vetes gjithnjë e më shumë partnerë nga e gjithë bota që kur nisi dy vjet më parë. Të gjitha aktivitetet lidhen me objektivat e zhvillimit.
Ashtu sikurse vitet e shkuara, agjencitë e OKB-së në Shqipëri do të organizojnë aktivitete në disa rrethe të vendit përgjatë kësaj jave.

Kalendari i aktiviteteve:

14 shtator – 6 tetor – MYRTIS ballë për ballë me të shkuarën, ekspozitë në COD.

Myrtis është një vajzë 11-vjeçare, e cila vdiq në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë! Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe u ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjeve të jetëve të shumë athinasve.

Myrtis është një vajzë e veçantë edhe për Kombet e Bashkuara. Tetë vite të shkuara ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë “është ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët. Objektivi i tretë i Zhvillimi të Qëndrueshëm: Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie, promovon mënyra jetese të shëndetshme, masa parandaluese dhe kujdes shëndetësor modern dhe efikas për të gjithë. Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

26 shtator – Dita e Objektivave të Zhvillimit në Fier

09:00-10:00 – Aktivitet me të rinjtë: Pse kanë rëndësi Objektivat e Zhvillimit për të rinjtë?

Vendi: Qendra Rinore

10:00-10-45 – Seanca “The World’s Largest Lesson” – (Mësimi më i madh në botë) për të përcjellë mesazhet rreth Objektivave të Zhvillimit tek fëmijët

11:00-12:00 – Promovimi i të drejtave të pronësisë të grave. Njohja dhe gëzimi i të drejtave të pronësisë. Roli i institucioneve dhe qeverisjes vendore

12.00 – 13:00 – Qendra e Ndihmës Ligjore Falas (FLA) në Qarkun e Fierit. Shërbimet e ndihmës ligjore falas të aksesueshme për njerëzit vulnerabël.

13:00-14:30 – Përmbushja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në nivel vendor

Vendi: Bashkia Fier

27 shtator – Dhuna ndaj grave dhe vajzave në komunitetet e pafavorizuara

9:30 – Prezantim i raportit: Një vështrim mbi fenomenin e dhunës ndaj grave e vajzave nga komunitetet Rom/Egjyptian, LGBTI dhe atyre me aftësi të kufizuara.

Vendi: Europe House (Ish-Qendra e Informimit Europian)

28 shtator – Objektivat e Zhvillimit dhe roli i të rinjve

10:00 – Aktivitet ndërgjegjësues me të rinjtë me fokus Objektivin 5: Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave

Vendi: Shkolla e mesme “Shefqet Guzi”, Gramsh./atsh

Agjencitë e OKB-së në Shqipëri, një javë me aktivitete për objektivat e zhvillimit Read More »

Karaburuni dhe Sazani, destinacioni i 3596 turistëve

Sazani dhe Karaburuni edhe gjatë muajit shtator mbetet ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët mahniten nga bukuria që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës 1-17 shtator 3596 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

Sipas Malaj, pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj.

Sipas statistikave nga rreth 3596 turistë, 2014 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror qershor-gusht ishte destinacioni më mbresëlënës për 45 000 turistët vendas dhe të huaj.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operuan anije turistike, të cilat niseshin çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh

Karaburuni dhe Sazani, destinacioni i 3596 turistëve Read More »

Ja përse shqiptarëve u është grisur xhepi gjatë tre viteve të fundit…

Shqiptarët janë varfëruar çdo vit gjatë periudhës së fundit 3-vjeçare. Kjo pasi inflacioni nul është zëvendësuar me rritjen e rrogave, thënë më troç: çmimet janë rritur, ndërsa pagat jo.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti, paga mesatare në Shqipëri arriti në 50 392 lekë nga 48 107 lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2015.

Rrjedhimisht në tre vitet e fundit paga mesatare e një punonjësi shqiptar është rritur në total me 4.7 për qind. Por për të njëjtën periudhë, kostoja e jetesës e matur sipas treguesit të inflacionit është shtrenjtuar me 6 për qind.

Kjo do të thotë se në qershor të këtij viti, paga reale e një të punësuari në ekonominë shqiptare ishte 1.3 për qind më e ulët se sa tre vjet më parë. Ose e thënë ndryshe, një punonjës sot ble me rrogën e tij, 1.3 për qind më pak produkte dhe shërbime se sa blinte tre vjet më parë.

Ekonomia në spirale negative

Rënia e pagave reale ka përkeqësuar standardin e jetesës për familjet shqiptare që kanë si burim kryesor të të ardhurave punën. Prej disa vitesh pagat në Shqipëri janë në stanjacion të plotë ose rriten më pak se sa çmimet duke bërë që punonjësit të varfërohen.

Rënia e fuqisë blerëse të familjeve është arsyeja kryesore se pse konsumi në ekonomi mbetet i ndrydhur. Kjo e ka futur ekonominë në një spirale negative, ku rënia e rrogave sjell rënien e konsumit dhe anasjelltas, pasi duke shitur më pak bizneset ulin edhe më shumë rrogat.

Pas vitit 1990 rrogat në Shqipëri janë rritur me ritme dyshifrore. Në vitet e para të tranzicionit, rritja ishte e diktuar nga inflacioni i lartë. Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve në ato vite, qeveria por edhe bizneset rritën ndjeshëm pagat si një masë kompensuese.

Në vitet 2000, rritja e çmimeve u stabilizua në nivele të ulëta. Por pavarësisht kësaj, bizneset dhe qeveria kanë vazhduar të rrisin pagat në rend dyshifrorë duke përmirësuar standardin e jetesës për familjet shqiptare.

Kjo tendencë pozitive zgjati deri në vitin 20113, kur ecuria e pagave mori drejtimin e kundërt. Qeveria e majtë e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, ngriu për tre vjet rritjen e pagave në shtet. Kjo masë nxiti të njëjtën sjellje edhe tek biznesi, që vendosi të ngrijë pagat ashtu si qeveria, ndërkohë që kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet duke sjellë përkeqësimin e standardit të jetesës për shumicën e familjeve shqiptare./korrieri

Ja përse shqiptarëve u është grisur xhepi gjatë tre viteve të fundit… Read More »

Trondit raporti/ Rritet ndotja dhe sasia e mbetjeve në Shqipëri në një vit

Kanë shënuar rritje sasia e mbetjeve, por aftësitë për menaxhimin dhe përpunimin e tyre kanë shënuar rënie në raport me vitin 2016. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017 rezulton të jenë menaxhuar 1,2 milionë ton mbetje nga 1,3 milionë ton në vitin 2016, duke shënuar një rënie me rreth 3,6 %. Sasia vjetore e mbetjeve të gjeneruara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2017 ishte 386 kg/banor, nga 373 kg/banor që ishte në vitin 2016.

Në vitin 2017 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane ishte 11,0 % ndaj totalit, nga 17,0 % që ka qenë në 2016, duke shënuar një rënie me 6,0 %. Niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane ishte 68,9 % në vitin 2017, duke shënuar rritje prej 0,2 %, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2016. Në përbërjen e mbetjeve urbane komponent kryesor janë mbetjet organike. Në vitin 2017 mbetjet organike përbënin rreth 45,9 % të sasisë totale të mbetjeve, kundrejt 49,5 % që ishte ky tregues në vitin 2016.

Në vitin 2017 u depozituan 77,5 % e sasisë totale të mbetjeve në landfille, ndërsa në vitin 2016 u depozituan 77,7 %, duke shënuar një rënie rreth 0,2 % të sasisë totale të mbetjeve të menaxhuara në shkallë vendi. Në vitin 2017 u ricikluan 17,4 % e sasisë totale të mbetjeve, në vitin 2016 u ricikluan 17,2 %. Në vitin 2017 janë trajtuar me djegie në incenerator për qëllime energjetike rreth 1,8 % e sasisë totale të mbetjeve, duke shënuar kështu rritje të këtij treguesi me 1,1 %, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2016.

Në vitin 2017, janë gjeneruar afërsisht 1,8 milionë ton mbetje urbane, në vitin 2016 kjo shifër ishte 2,2 milionë ton. Struktura e subjekteve që menaxhojnë mbetje mbështetur në fonde publike në vitin 2017 ishte 47,0 % të nga 52,7 % që ishte në vitin 2016. Nga ana tjetër, vërehet rritje e menaxhimit të mbetjeve me 2,8 % të subjekteve persona juridikë privatë krahasuar me 2016. Gjithashtu, në menaxhimin e mbetjeve subjektet persona fizikë privatë kanë shënuar një rritje me 2,9 % kundrejt vitit 2016.

Trondit raporti/ Rritet ndotja dhe sasia e mbetjeve në Shqipëri në një vit Read More »