Aktualitet

Shullazi “shkund” Prokurorinë e Policinë, Ardi Veliu “kokë më kokë” me Donika Prelën

Refuzimi i prokurorëve për hedhjen e shortit mbi procedimin penal në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe të tjerëve që ndodhen të arrestuar është bërë shkak për marrjen e masave disiplinore ndaj tyre. Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku vendosi marrjen e masave administrative ndaj prokurorëve Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj.

Në fakt, fillimisht u tha për një hetim disiplinor për prokurorët e lartpërmendur, por në pak minuta, një tjetër deklaratë e zyrës së shtypit të kryeprokurores Marku njoftonte për caktimin e përkohshëm të tre prej tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në disa prokurori të tjera. Konkretisht, Olsian Çela në Berat, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Besim Hajdarmataj në Pogradec.

Menjëherë pas këtyre lëvizjeve  drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në orën 17:00 të pasdites së sotme ka zhvilluar një takim te Prokuroria e Krimeve të Rënda me drejtuesen e këtij institucioni, Donika Prela.

E ndërsa nuk ka ende shumë detaje nga tema e diskutimit mes Veliut dhe Prelës.

Takimi vjen edhje pas operacioneve të fundit nga policia në bashkëpunim me prokurorinë në Shkodër, Krujë.

Shullazi “shkund” Prokurorinë e Policinë, Ardi Veliu “kokë më kokë” me Donika Prelën Read More »

Monika Kryemadhi e pranon: Jam nën survejim për pastrim parash. SPAK zhbiron edhe depozitat jashtë vendit të të korruptuarve

Ndërkombëtarët kanë nisur përgatitjet për arrestime në nivele të larta. Ekspertë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave së bashku me një grup ekspertësh gjermanë dhe nga vende të tjera të BE  kanë shqyrtuar nga afër dosjet që ka Drejtoria e Pastrimit të Parave. Për këtë janë në dijeni dhe vetë politikanët, të cilët i kanë nxjerrë çantat me lekë përmes rrugëve tokësore për t’i depozituar në banka jashtë vendit.

“Unë jam survejuar nga SHISH, nga Policia, nga struktura e kësaj qeverie nga pastrimi i parave, jo vetëm unë por të gjithë deputetët edhe familjarët tanë”, ka deklaruar Kryemadhi në emisionin “Open”.

Rreth 1.6 miliardë dollarë gjatë 14 viteve të fundit janë transferuar jashtë nga politikanët e korruptuar.

Por këto para kanë nisur të gjurmohen dhe kur të ngrihet SPAK të gjithë do të japin llogari. Janë plot 15 shtete me të cilat SPAK do të lidhë kontakte dhe duke bashkëpunuar do mundet që të gjenden paratë e korrupsionit, si dhe do zhvillohen hetime për krimin e organizuar.

Monika Kryemadhi e pranon: Jam nën survejim për pastrim parash. SPAK zhbiron edhe depozitat jashtë vendit të të korruptuarve Read More »

80 efektivë dhe 4 anije shqiptare në stërvitjen “Albanian Lion 2018”

80 efektivë dhe 4 anije të Forcës Detare shqiptare prej më shumë se një javë janë angazhuar në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2018”, shprehet Ministria e Mbrojtjes.

“Stërvitja “Albanian Lion 2018”, e cila po zhvillohet në vendin tonë me pjesëmarrjen e forcave ushtarake nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria, po praktikon elementë stërvitorë të ndryshëm, duke përdorur edhe rajonet stërvitore të Forcës Detare.

Në Gjirin e Dukatit në Vlorë, po zhvillohen stërvitje të trupave me pjesëmarrjen e palombarëve anglezë, kroatë dhe shqiptarë. Ndër elementët stërvitorë kryesorë të tyre janë kërkimi nënujor, gjetja e objekteve të ndryshme, nxjerrja e tyre në sipërfaqe, kërkime rrethore etj. Në stërvitjen zhytëse marrin pjesë mjete lundrimi të tre vendeve: Britanisë së Madhe, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë, nga Kepi i Palit deri në Porto Palermo, Forca Detare me katër anije dhe një grup bordingu po zhvillon stërvitje detare me anijen britanike “RFA Lyme Bay” dhe një helikopter “Wildcat” duke ekzekutuar elementë të ndryshëm stërvitorë si mbrojtje e afërt dhe e largët, operacion zbarkimi trupash, mbrojtjen e anijes komandë nga sulme të befasishme etj.

Stërvitja “Albanian Lion 2018” po zhvillohet njëkohësisht në disa garnizone të FA si në Durrës, Pashaliman, Porto – Palermo, Rinas, Zall – Herr dhe Bizë me pjesëmarrjen e 1164 trupave ushtarake, 126 mjeteve tokësore, detare, ajrore dhe ka për qëllim realizimin e operacioneve të ndryshme nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Ndërkohë, ditën e hënë, më datë 24 shtator, ora 11:00 do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, Dita e Vizitorëve të Shquar të kësaj stërvitjeje, ku pritet të marrë pjesë Kryeministri Edi Rama”, shkruan MM./atsh

80 efektivë dhe 4 anije shqiptare në stërvitjen “Albanian Lion 2018” Read More »

Gjenerata e re – Vajzat, jo vetëm kurajoze, por edhe lidere

Shqipëria po përgatit gjeneratën e re të vajzave, të cilat do të jenë jo vetëm kurajoze në kërkimin e të drejtave të tyre, por edhe lidere të ardhshme.

Sot, drejtueset e “Girl Scouts of Albania”, themeluesja e organizatës joqeveritare “Porta Rome Për Integrim” dhe tri vullnetare të Korpusit të Paqes, takuan Zv/Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Elisabeth Millard dhe të ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses-Ones në zyrën e Korpusit të Paqes në Tiranë.

Gjatë viteve të fundit, vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe homologët e tyre shqiptarë kanë bashkëpunuar për të krijuar “Girl Scouts” të Shqipërisë. Biseda sot u përqendrua në punën që gratë po bëjnë nëpër Shqipëri, për të përgatitur vajza me guxim, besim dhe karakter për të thyer barrierat dhe për të inkurajuar gratë të jenë aktore të ndryshimeve në Shqipëri.

Në 18 shtator të vitit të kaluar, Shqipëria u pranua për herë të parë anëtare e asociuar në Shoqatën Botërore të Vajzave Udhëheqëse (World Association of Girl Guides and Girl Scout).

Udhëtimi i VUSh (Vajzave Udhëheqëse të Shqipërisë) filloi vitin në gusht të 2016, kur WAGGGS dhe Korpusi i Paqes në Shqipëri organizuan trajnimin për trajnere për të përhapur misionin e VUSh në të gjithë vendin​. Në janar të këtij viti, VUSh zgjodhi Bordin dhe në muajin prill delegacioni i vlerësimit të WAGGGS vizitoi Shqipërinë për të vlerësuar potencialin e VUSh për t’u bërë anëtar i asociuar.

Në korrik, VUSh mblodhi 4005 dollarë përmes një platforme online, për të mbështetur regjistrimin e organizatës në gjykatë dhe punën e liderëve në të gjithë vendin. Deri në këtë moment, mbi 200 vajza 6-16 vjeçe dhe vullnetare i janë bashkuar lëvizjes në 10 qytete të ndryshme të Shqipërisë. /atsh

Gjenerata e re – Vajzat, jo vetëm kurajoze, por edhe lidere Read More »

Kjo që i ka ndodhur policisë së Kurbinit do të hyjë në histori, zbardh plagosjen e vitit 2012 por mësohet se…

Çudirat në vendin tonë duket se nuk do të kenë fund dhe ajo e radhës vjen pikërisht nga Policia e Kurbinit.

Kjo e fundit ka deklaruar ditën e sotme se ka zbardhur një plagosje të ndodhur në vitin 2012, por autori i saj ka ndërruar jetë dy javë më parë.

Në njoftimin e policisë thuhet se autor është Indrit Pepa, i cili u vra në Mamurras, më 6 shtator të këtij viti.

Policia identifikoi A. M., 49 vjeç, banues në Mamurras, si autor të kësaj vrasje.

Njoftimi i Policsë së Kurbinit, i datës 6 shtator 2018

Sot, rreth orës 04:30, është marrë njoftim se në Mamurras, afër xhamisë së qytetit, është plagosur me armë zjarri shtetasi I. P., 27 vjeç, banues në Mamurras, i cili është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit A. M., 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.

Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policsë së Kurbinit, i datës 20 shtator 2018

Më datë 19. 09. 2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, pasi nga tërësia e veprimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, është dokumentuar me prova ligjore ngjarja e datës 05. 02. 2012, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi H. M., dhe autor është shtetasi I. P., i vrarë me armë zjarri më datë 06. 09. 2018/korrieri

Kjo që i ka ndodhur policisë së Kurbinit do të hyjë në histori, zbardh plagosjen e vitit 2012 por mësohet se… Read More »

Deri tani e pengonte “njolla e çekut 1 milion”, zbulohet Super Posti që do të marrë Alfred Peza

Kryeministri Rama nën shëmbullin e arkadashit të tij Erdogan, ka menduar të shtojë dhe të përforcojë pozitat kontrolluese në media, duke blinduar “bunkerin” AMA.

Dje, ai u ka dhënë anëtarëve socialistë të Komisionit Parlamentar të Medias, një “trakt” të gatshëm, me propozimin, për shkarkimin e kreut të AMA-s dhe ndryshimin e raporteve të përfaqësimit në bord.

Ky skenar, do të paraqitet për debat në komision, në fillim të muajit tetor 2018, duke hyrë në negociata të fshehta dhe me anëtarët e opozitës, ku janë bërë pazare edhe herë të tjera, paçka se aktrojnë “luftë të egër” mes palëve.

Sipas burimeve tona, thuhet, se Edi Rama, ka piketuar për Kryetar Bordi të AMA-s, ish deputetin Alfred Peza, ndaj dhe pas afro 1 viti lënie në hije, në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS, ai e promovoi si sekretar për mediat, për ta “rilindur”.

Pas këtij rehabilitimi të plotë brenda kampit “mavi”, Rama ka menduar ta vendos mikun e tij Peza, në krye të institucionit që kontrollon mediat, duke larguar kryetarin aktual Gentian Sala, të cilin e emëroi më 11 nëntor 2014, duke e tërhequr, nga puna  si drejtor i “Digitalb”.

Ideja për të vendosur Alfred Pezën, në krye të AMA, ka qenë e fiksuar qysh para 1 viti në trurin e Ramës, por skemën ia bllokoi, skandali i “çekut 1 miliardë” lekë, që iu zbulua deputetit Peza, ndaj dhe Rama qëndroi në heshtje.

Ndaj qëndroi i heshtur e në pritje, deri sa drejtësia t’i hiqte “njollën”, mbasi ligji për anëtarët dhe kryetarin e Bordit të AMA-s, ndalon kandidimin e personave që janë edhe në procese gjyqësore penale.

Tani që Rama e hoqi këtë “siklet” dhe ligjërisht, e nxorri të “pastër” me vendim të formës së prerë, ka nisur punën, për ta hipur ish-deputetin Alfred Peza, në kolltukun e kryetarit AMA-s, ndërkohë, që sot njoftoi, se e ka futur në listë, për ta hipur edhe në fluturimin e tretë, të avionit “Air Albania”./Pamfleti

Deri tani e pengonte “njolla e çekut 1 milion”, zbulohet Super Posti që do të marrë Alfred Peza Read More »

Jo vetëm mjekë dhe infermierë, tani Gjermania po kërkon për këta profesionistë

Gjermania është kthyer në ëndrrën dhe mundësinë e çdo të riu shqiptar. Për të prekur ëndrrën gjermane jo domosdoshmërisht duhet të jesh mjek ose infermier, pasi ky shtet është duke kërkuar edhe berber.

Mijëra infermierë dhe qindra mjekë tashmë profesionin e tyre e ushtrojnë në Gjermani. Duket se pas bluzave të bardha, radhën për të shkuar në këtë shtet e kanë berberët. Shumë të rinj i janë drejtuar qendrave berberhane për të marrë këtë profesion e më pas për të shkuar drejt shtetit gjerman.

22-vjeçari Flogert Bami tregon: “Kam filluar kursin e berberit prej 5 muajsh. Kam edhe një muaj që të përfundoj kursin e plotë. Unë të ardhmen time e shoh në Gjermani, pasi shumë nga shokët e mi këtë kurs e ndjekin atje. Edhe unë e shoh si mundësi të mirë për të punuar atje. Pasi të mbaroj kursin e berberit, do të shkoj të mësoj gjuhën gjermane, kështu edhe ambasada mund të më lidhë një kontratë pune”.5251454

“Kam shumë shokë dhe ata më kanë rekomanduar që të mbaroj kursin dhe të shkoj në Gjermani. Paga varion nga 1000-1500 euro, varet nga salloni ku punon dhe qyteti”, shton i riu.
Fiqo Brahaj është një nga berberët më të vjetër në kryeqytet. Pranë sallonit të tij shumë të rinj vijnë për mësuar profesionin e berberit dhe për ta ushtruar atë në Gjermani.

“Të rinjtë janë të prerë, e kanë ndarë mendjen për Gjermani. Madje nuk e mbarojnë kursin sepse dalin punojnë”, thotë Brahaj.

Numri i saktë i të rinjve me profesion berber që janë larguar në Gjermani nuk dihet, por ky është trendi i fundit. Më të kërkuarit në Gjermani janë infermierët, por edhe hidraulikët, elektricistët, specialistët e mirëmbajtjes, largimi i të cilëve po ndjehet, por së shpejti do nisin të mungojnë edhe berberët./TCH.

Jo vetëm mjekë dhe infermierë, tani Gjermania po kërkon për këta profesionistë Read More »

Shqipëria, toka e shqiponjave, ofron shumë për të gjithë/Foto

Blogerja e famshme italiane për udhëtimet Marianna Norillo, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë dhe vendeve turistike të saj duke propozuar njohjen e këtij vendi.

Ajo ka ndarë përvojën e saj në vendet që ka vizituar, duke u dhënë disa propozime interesante turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Marianna Norillo e nis shkrimin në blogun e saj për Shqipërinë duke u shprehur se ”toka e shqiponjave me të vërtetë ofron shumë për të gjithë. Unë propozoj një artikull me rreth 10 vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri, të cilat i kam vizituar dhe vetë. Zgjidhni atë që ju intrigon më së shumti”, shprehet ajo.

1. Kruja
Ndër gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri, nuk mund të mungojë Kruja e heroit kombëtar Skënderbeut, qyteti ku kam vizituar kështjellën me të njëjtin emër dhe Pazarin e Vjetër. Ky është një qytet i vogël i qetë dhe me vlerë të rëndësishme historike të kalasë, me praninë e muzeut historik “Gjergj Kastrioti”, një itinerar mbi historinë e qytetit të Krujës dhe historisë së Skënderbeut dhe rezistencës së tij kundër osmanëve, ngjarje që kujtohet me krenari nga të gjithë shqiptarët.

2. Tirana
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu meriton të jetë në listën e vendeve më të bukura për të parë në Shqipëri. Dhe jo sepse është madhështor, emocionues, modern, kozmopolit, por sepse është një kryeqytet i ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Një kryeqytet që nuk kujdeset për t’u mbushur me gjëra të padobishme, por dëshiron të paraqitet thjesht për atë që është me të vërtetë. Tirana është një kryeqytet i këndshëm dhe i vërtetë. Për t’a çmuar atë, është e nevojshme të shkojmë përtej klisheve dhe konceptit stereotipik të bukurisë. Në këtë mënyrë mund të përshtatesh me bukurinë e saj, një bukuri që tejkalon pamjen.

3. Berati
Në listën e asaj që duhet të shohim në Shqipëri duhet të përfshihet Berati, “qyteti me një mijë dritare” trashëgimi e UNESCO-s që nga viti 1992. Për të arritur atje, duhen dy orë për të udhëtuar nga Tirana. Pasi të arrini, përveç një shëtitje në qytetin e vjetër dhe një shëtitje përgjatë lumit Osum, nuk mund të humbisni një vizitë në kala, një nga monumentet më të mëdha historike në Ballkan.

4. Vlora
Vlora është një nga vendpushimet më të famshme turistike në bregdetin shqiptar, edhe për shkak se ajo gëzon një klimë vërtet të mrekullueshme gjatë gjithë vitit. Vera është e nxehtë, por edhe në dimër është shumë mirë dhe reshjet janë të rralla: në 365 ditë, të paktën 266 janë me diell, dhe Vlora konsiderohet si një nga qytetet me ditët më me diell në Shqipëri. Nuk është çudi që është një nga destinacionet më popullore për turistët, të cilët mund të shijojnë si detin e qetë, ashtu edhe plazhin me rërë tipike të Adriatikut dhe ato plazhe shkëmbore tipike të detit Jon.

5. Zvërneci
Ka një vend shumë të veçantë në periferi të Vlorës që pak e dinë: Ishulli i Zvërnecit, i vendosur në mes të lagunës së Nartës. Ai ofron një pamje spektakolare dhe mistike, veçanërisht në perëndim të diellit, një pjesë e vogël toke të çon në manastirin ortodoks të Shën Marisë, që daton në shekullin e 13-të dhe 14-të, dhe që i mbijetoi braktisjes së filluar në vitin 1966, pas fushatës së ateizmit të dëshiruar nga diktatura e Hoxhës. Ndër të gjitha gjërat që kam parë në itinerarin tim 5-ditor në Shqipëri, Zvërneci është një nga më të bukurit, më besoni, shprehet blogerja Norillo.

6. Llogaraja
Shëtitja në Llogara është një kalim i pabesueshëm malor brenda në Parkun Kombëtar me të njëtin emër, është një nga gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri. Prej këtu ju mund të shijoni një pamje të jashtëzakonshme të Rivierës Shqiptare, të arritshme në pak minuta, një pamje spektakolare dhe panoramike, midis detit dhe malit të Çikës. Gjithashtu në Llogara do të keni një mundësi për të shijuar një ëmbëlsirë shqiptare tipike të kësaj zone, kos me mjaltë dhe arra të grira.

7. Porto Palermo
Të gjitha vendet e Rivierës Shqiptare janë të bukura. Unë mendoj për plazhin e Dhërmiut dhe atë të Himarës, me vendet karakteristike ku mund të pini diçka me pamje nga deti. Një pikë e e veçantë është gjiri i Porto Palermos, që më ka lënë pa fjalë aq shumë, saqë unë mendoj se kam marrë të paktën 50 fotografi në të njëjtin peizazh. Këtu qëndron kalaja e Ali Pashës, e quajtur në mënyrë të pahijshme kështjellë, të cilën ushtarët italianë që ishin në këtë vend të shkretuar gjatë Luftës së Dytë Botërore e quajtën “Porto Palermo”, në kujtim të portit të njëjtë italian.

8. Syri i kaltër
Syri i Kaltër është një parajsë natyrore e bukurisë së rrallë, e mbushur nga turistët dhe e përfshirë në çdo itinerar udhëtimi në Shqipëri. Emri nuk është i rastësishëm, por i referohet formës së burimit që ngjan me një sy të madh ngjyrë blu dhe blu të errët. Unë e pashë atë në fund të një dite të gjatë, paksa me shpejtësi. Nëse keni më shumë kohë, ndaloni t’a admironi Syrin e Kaltër dhe peizazhin përreth.

9. Saranda

Saranda, një qytet në Shqipërinë jugore, i pasur me histori dhe bukuri natyrore, është ndër më të dashurit nga vendasit dhe turistët e huaj që kalojnë pushimet në plazhet e rërës së bardhë ose gëlqerore, plazhe me ujëra të pastra kristal dhe detit magjepsës, me restorantet me pamje nga deti për të kaluar mbrëmjet e ngrohta të verës. Ndër gjërat që duhen parë në Shqipëri, kjo është një nga më të bukurat, atë që vështirë do t’a harroni. Më pëlqeu vërtet!

10. Butrinti
Një vend tjetër për të parë në Shqipëri është Butrinti, një domosdoshmëri për t’a vizituar. Vizita në parkun arkeologjik të Butrintit, një tjetër trashëgimi e madhe e UNESCO-s në Shqipëri, ishte vërtet emocionuese, më besoni jo vetëm për rëndësinë e saj kulturore, historike dhe arkeologjike, por edhe për ambientin romantik dhe poetik. Nëse jeni të interesuar për arkeologjinë, ose thjesht dëshironi të përjetoni një mrekulli të vërtetë të Shqipërisë, shkoni atje! /atsh

Shqipëria, toka e shqiponjave, ofron shumë për të gjithë/Foto Read More »