Aktualitet

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Veliaj rikthen “Një kafe me gjyshin”

Mëngjesin e sotëm, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti disa miq të veçantë. Në “Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve” ai zgjodhi që kafen e mëngjesit ta pijë me gjyshe e gjyshër pensionistë, të cilëve u uroi gëzuar 1 Tetorin dhe bisedoi për disa nga nismat e ndërmarra në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

“Në emër të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, dua t’i uroj të gjithë gjysheve dhe gjyshërve “Gëzuar 1 tetorin”. Kam edhe një thirrje për nipat dhe mbesat: kjo është dita kur një gjyshi ose një gjyshe që keni harruar, t’i çoni një mesazh, t’i bëni një vizitë, t’i çoni një dhuratë të vogël në shtëpi. Kjo është dita për t’i kujtuar ata. Unë besoj se një qytet është i mirë, kur kemi një harmoni mes brezave, mes atyre që ndërtuan Shqipërinë që kemi sot, dhe po ia kalojnë stafetën Shqipërisë që duam për nesër”, tha Veliaj.

Pas suksesit të tre viteve të mëparshme, Bashkia e Tiranës rikthen edhe një nga nismat më interesante që është zbatuar ndonjëherë në kryeqytet, atë të kafes me gjyshërit dhe gjyshet pensionistë, të cilët në disa lokale mund ta konsumojnë kafen me çmim të reduktuar.

“Rikthejmë traditën tonë të mirë të “Kafes me gjyshin”, ndaj dua t’i falenderoj të gjitha institucionet pjesëmarrëse të kësaj nisme të bukur. Vërtet është diçka modeste, por diçka që tregon se nuk harrojmë, se jemi këtu për të respektuar trashëgiminë e të parëve tanë. Ju falenderoj shumë për kontributin, disa si ushtarakë, disa si mësues, disa si doktorë. Pavarësisht profesionit, vendi ynë është më i mirë falë këtij kontributi të mrekullueshëm”, theksoi Veliaj.

Teksa vlerësoi rritjen e frymës së humanizmit dhe të vullnetarizmit edhe tek të rinjtë, Veliaj i bëri apel gjithë shoqërisë për më shumë përkujdesje për të moshuarit.

“Më vjen mirë që ndjenja e humanizmit tek të rinjtë sa vjen e po rritet. Po merren më shumë me sport, me aktivitete humanitare, më shumë me punë vullnetare, gjëra që kujtojnë rininë e gjyshërve tanë, kur këto gjëra nuk ishin tabu. Mezi pres që të shoh sot, por edhe gjatë gjithë vitit, më shumë të rinj që kujtojnë gjeneratën e vjetër dhe pranojnë që nuk kemi ardhur nga hiçi. Kemi ardhur nga dikush, kemi ardhur nga një traditë, kemi një histori. Fakti që e kujtojmë këtë histori, na bën nder të gjithëve”, tha Veliaj.

Veliaj u vlerësua nga të moshuarit për vëmendjen që bashkia e Tiranës i ka kushtuar këto tre vite grupmoshës së tretë, qoftë në krijimin e infrastrukturës lehtësuese për ta, ashtu dhe në cilësinë e shërbimeve. /atsh

 

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Veliaj rikthen “Një kafe me gjyshin” Read More »

Shqipëri-Letoni, kur stërvitja ushtarake pastron mjedisin nga 788 municione

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se xhenierët shqiptarë dhe ata të Gardës Kombëtare të Letonisë pastruan 788 municione luftarake.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe të Letonisë kanë marrë pjesë në një aksion të përbashkët për demontimin e municioneve luftarake.

“DETONATOR” duhet të ishte thjesht një stërvitje për pastrimin e municioneve të paplasura, por në punë e sipër xhenierët shqiptarë dhe ata të Gardës Kombëtare të Letonisë pastruan plot 788 municione të gjetura në sipërfaqe”, shprehet ministrja. /atsh

Shqipëri-Letoni, kur stërvitja ushtarake pastron mjedisin nga 788 municione Read More »

Shkodër, përurohet Shtëpia e të Moshuarve, investim 110 mln lekë

Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër është rehabilituar tërësisht, me një investim prej 110 milion lekë nga buxheti i shtetit.

Në Ditën Botërore të të Moshuarve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri Bushati vizituan ambientet e reja të Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër.

“Kemi detyrimin të investojmë për të moshuarit, për kontributin që kanë dhënë për shoqërinë, posaçërisht për ata që kanë më shumë nevojë, ndaj siç investuam këtu në Shkodër, rijetësojmë rrjetin e institucioneve të përkujdesit për të moshuarit pa përkrahje në të gjithë vendin”, -u shpreh Ministrja Manastirliu.

“Kjo qendër do shërbejë si model suksesi. Kur po vizitoja sot këtë qendër më erdhi në mend një thënie e Nënë Terezës e cila thotë, kemi ardhur në jetë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe dhe puna e ekipit, Ministres Manastirliu dhe Qeverisë e dëshmojnë më së miri këtë”, u shpreh Ministri Bushati.

Investimi në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër, nuk është i vetmi. “Brenda 6 muaj e do të hapim shtëpinë e të Moshuarve në Palasë dhe do të rijetësojmë institucionet e përkujdesit në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Duke synuar krijimin e një sistemi të unifikuar të ofrimit të shërbimeve të integruara shoqërore dhe shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mundësuar është vizitat e specializuara për secilin nga 299 të moshuarve në qendrat tona rezidenciale.

Ministrja Manastirliu deklaroi gjithashtu se “Në kuadër të reformimit të sistemit të shërbimeve të kujdesit shoqëror kemi miratuar standardet e shërbimit të asistencës shtëpiake për të moshuarit, duke hedhur një hap të rëndësishëm për rritjen e kujdesit social për të moshuarit në nevojë”/.atsh

Shkodër, përurohet Shtëpia e të Moshuarve, investim 110 mln lekë Read More »

“Festa e shegës” në Shkodër, panairi promovon produktet dhe kulturën shqiptare

“Festa e shegës”, Promovimi i vlerave dhe resurseve të trashëgimisë kulturore, natyrore dhe produkteve është aktiviteti që pritet të organizohet në 7 tetor në njësinë administrative Ana e malit në Shkodër.

Ky aktivitet realizohet nga bashkia Shkodër në bashkëpunim me projektin Agro Turizëm Albania të mbështetur nga USAID dhe Ambasada e Suedisë.

I realizuar në kuadër të promovimit të produkteve të sektorit agropërpunues të Njësive Administrative të Bashkisë Shkodër, në këtë panair do të prezantohen produktet vendase, pasuritë kulturore dhe gatimet tradicionale të zonës.

Panairi do të zhvillohet në Njësinë Administrative Ana e Malit, pranë shkollës 9-vjeçare “Hasan Dardhanjori”, nga ora 10.00 deri në orën 14.00./atsh

“Festa e shegës” në Shkodër, panairi promovon produktet dhe kulturën shqiptare Read More »

“Do të zhdukim ty dhe familjen, hiq dorë”, zbulohet kallëzimi i oficerit për fisin e deputetit

Emiljano Nuhu, ish-nën komisari i larguar për azil në Zvicër, ka marrë kërcënimet nga fisi i deputetit të PS-së, Rrahman Raja për ngjarjen ku u përfshiri i biri i këtij të fundit.

Më tej Nuhu është shprehur se kërcënimet i ka adresuar në Polici duke bërë një denoncim në Komisariatin Nr.6 në Tiranë. “Balkanweb” ka publikuar kallëzimin që Nuhu ka bërë në polici, dokument i cili mban datën 30 korrik.

Oficeri  Nuhu pretendon se kushërinjtë Rraja e kanë kërcënuar me jetë duke i thënë se nëse nuk heq dore nga hetimi i çështjes se Xhisieles do ta zhdukin brenda 24 orëve.

“Do të zhdukim ty dhe familjen, hiq dorë”, zbulohet kallëzimi i oficerit për fisin e deputetit Read More »

Ja çfarë parashikohet të ndodhë gjatë këtij muaji të vjeshtës

Muaji tetor nis me vranësira, duke lënë përfundimisht pas diellin e verës. Dita e sotme, që përkon me fillimin e mujit tetor, do të shoqërohet me mot me kthjellime dhe vranësira të shpeshta në pjesën më të madhe të vendit.

Meteolab bën me dije se do të ketë mundësi për shira të dobët në ekstremin Juglindor të vendit. Por, çfarë surprizash rezervon moti në vijim të muajit Tetor? Ja çfarë parashikon Meteoalb.

Parashikimi i motit ne vijim

E marta sjell shtim të vranësirave dhe shira të dobët në Veri por mundësi për rrebeshe të përkohshme në Qendër – Jug; stuhitë dhe rrebeshet lokalizohen në hapësirat detare të Adriatikut – Jonit. E mërkura dhe e enjtja paraqiten me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme ndërsa shirat mbeten në horizontin e fundjavës.

Temperaturat vijojnë lehtësisht mbi vlerat tipike të vjeshtës si në mëngjes dhe mesditë thuajse gjatë gjithë javës ndërsa vlerat ekstremale do të luhaten nga 7°C më e ulëta gjatë orëve të para të ditës deri mbi 28°C, maksimumi në zonat e Ultësirës Perëndimore.

Përgjithësisht, muaji tetor do të sjellë periudha 6 – 7 ditore të ngrohta të ndërprera këto me intervale 3-4 ditore me mot të ftohtë.

Ja çfarë parashikohet të ndodhë gjatë këtij muaji të vjeshtës Read More »

Të gjithë shqiptarët po rendin drejt qyteteve, “braktisen” tërësisht fshatrat…

Popullsia e Shqipërisë deri para disa vitesh kishte një shpërndarje të barabartë të banorëve në qytet dhe fshat, por shumë shpejt të dhënat pritet të ndryshojnë në mënyrë dramatike. Projeksionet e Divizionit të Popullsisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se në 2050-n, rreth 78.2% e popullsisë së vendit do të jetojë në zonat urbane. Ndërsa sipas censit të vitit 2011, i fundit i realizuar, 54% e popullsisë jetonte në qytet dhe 46% në fshat. Para viteve ’90, mbi 60% e popullsisë jetonte në qytet.

Krahasuar me projeksionet e vendeve të tjera të rajonit, Shqipëria ka të projektuar përqindjen më të lartë të popullsisë në zonat urbane. Pas Shqipërisë renditet Mali i Zi, ku sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara rreth 77% për qind e popullsisë do të jetë e përqendruar në zonat urbane të vendit. Maqedonia është e treta me 72.7%, Serbia me 68%, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina ka projeksionin më të ulët me vetëm 64% të popullsisë që do të jetojë në zonat urbane.

Po si ka ndryshuar në vendet e rajonit përqendrimi i popullsisë?

Vitet ’80 do të ishin vitet e fundit ku në Ballkanin Perëndimor popullsia do të ishte më përqendruar më shumë në zonat rurale se ato urbane. Maqedonia ishte vendi i parë Ballkanik, ku më shumë njerëz jetonin në qytete se sa fshatra, ndërsa Bosnja ende vijon që të ketë më shumë banorë në zonat rurale se sa ato rurale. Kurse në Shqipëri vetëm në vitin 2009, popullsia që jetonte në qytet do të tejkalonte atë që jeton në fshat. Por, sikurse tregohet dhe nga grafiku ritmi i zhvendosjes së popullsisë në zonat urbane ka qenë shumë shpejtë. Edhe pse “eksodi” nga fshati në qytet krahasuar me vendet e tjera fqinje në Shqipëri përfundoi në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të ri, projeksionet tregojnë se në 2050-n Shqipëria do të ketë përqindjen më të lartë të popullsisë së përqendruar në qytet.

Në 2050-n bota do të jetojë më së shumti në qytete

E gjithë popullsia e Hong Kongut është projektuar se do të jetojë vetëm në zonat urbane deri në 2050-n. Në pjesën më të madhe të vendeve të industrializuara e gjithë popullsia do të jetë e përqendruar në qytete. Në Britani për shembull 90.2% e popullsisë do të jetojë në zonat urbane, ndërsa në Shtetet e Bashkuara popullsia që jeton në qytet do të jetë rreth 89%. Harta tregon se të vetmet vende ku popullsia që jeton në zonat rurale do të jetë më e lartë se ato urbane janë disa shtete të Afrikës dhe Azisë së Largët.

Përqindja e popullsisë që jeton në zonat urbane në krahasim me përqindjen që jeton në zonat rurale. Harta tregon se pjesa më e madhe e popullsive jetojnë në zonat urbane. Popullsitë në zonat rurale janë të përcaktuara në bazë të kategorizimit të zonave urbane nga zyrat kombëtare të statistikave. Kjo hartë është përpiluar bazuar mbi të dhënat e fundit mbi popullsinë, e kombinuar me projeksionet e Kombeve të Bashkuara deri në 2050./Monitor

Të gjithë shqiptarët po rendin drejt qyteteve, “braktisen” tërësisht fshatrat… Read More »