Aktualitet

Normaliteti shqiptar, vajzat e pasura të show dhe profesorët e varfër

Nga Ben Andoni

Nuk është se Shqipëria bën ndonjë dallim të madh nga vendet e Lindjes, më saktë vendet e krahut matanë të kampit komunist, sa i përket trajtimit të njeriut të mendjes. Intelektualët që kanë derdhur djersë, atyre që u dedikohen shumica e bërjes së veprave në vend, janë dhe do të mbeten të varfër. Përndryshe, pseudot, hileqarët dhe shumë nga njerëzit e konjukturave janë të pasur. Disa prej intelektualëve tanë më të njohur tashmë në pension ose në moshë të thyer nuk mund t’i dallosh nga skamnorët e zakonshëm, që kanë pasur punë mbijetese dhe përballen njësoj me pensione qesharake. Vazhdojnë punojnë e gjallojnë në shtëpitë me kubaturat e ulta, në lagjet më të varfra të kryeqytetit në mjedise krejt modeste, të rregulluara shumë keq, pa shije, e mbi të gjitha me gjurmë tipike të një vjetërsie që shfaqet normale tek ta.

Ish-kryetari i Akademisë, i ndjeri Shaban Demiraj punonte deri në fund të jetës (pak vite më parë), në tavolinën e bukës me librat në një cep dhe pjesën tjetër ia linte vendit të ngrënës; profesor Kristo Frashëri, jetonte i veçuar në një apartament, që pak vite më vonë do jetë patjetër krejtësisht i pabanueshëm. Ndërtuesi i njohur Petraq Kolevica jeton ende në prag të 90-ve një apartament modest afër Bërrylit, krejt i harruar nga shoqëria, njësoj si shkrimtari i njohur Gaqo Bushaka dhe Inxhinieri Kristo Goga, mes shumë e shumë të tjerëve syresh, që nuk na bie dot rasti t’i përmendim të gjithë. Po sa të tjerë vallë?

Ndodh shpesh, që nga rrugëtimet e tyre ose më saktë baresjet ditore u kalojnë pranë vajzat e bukura, ato që shohin në stacionet televizive. Pakkush nga këto bukuroshe që u hedhin vështrime përbuzëse nga makinat e fundit, ka dëgjuar për ta. Madje, nëse do të drejtohej ndonjë pyetësor atëherë do të merreshin përgjigje nga më të jashtëzakonshmet prej tyre, pasi vajzat e bukura me gjasë dinë të gjitha skutat nga nxirret leku, dollari dhe euro, por aspak për kontributet e këtyre njerëzve. Po ç’u duhet vallë? Një makinë e bukurosheve vlen gati me krejt banesën e skamnorëve intelektualë. Dhe, ata që kanë ngritur diga, kanë projektuar hidrocentrale, kanë tharë moçale, kanë projektuar fabrika, sot të pagojë e të nëpërkëmbur jo pak, ecin drejt fundit të tyre, duke u kujtuar në nekrologjitë ose në rastet më të mira kur i kujton dikush shkarazi për homazh. Për hir të së vërtetës, shumë syresh, janë të harruar se e tillë është kjo shoqëri, ku janë bjerrur vlerat morale dhe për vlerësime konsiderohen vetëm gjërat që kanë dukje në lëbyrjen e këtij vendi fals, që tashmë po shndërrohet drejt një sensi të paimagjinueshëm.

…

Po çfarë listojnë vallë njerëzit sot në vlerësime? Më së shumti dihet. Statusin shoqëror, paratë dhe njohjet. Për hir të tyre, gjykatësi ta kthen vendimin dhe ia jep pronën e trashëguar një akshi, që nuk ka pasur turp të falsifikojë tokën e tjetrit, thjesht se ka lidhje me pushtetin. Mjeku të rrëmben dhe lekun e fundit, në mënyrë që njeriu yt të mbijetojë dhe pak ditë. Politikani të merr nëpërkëmbë në çdo të dalë publike. Koha ka ikur për vlerësimin e vërtetë të atyre që mësohet në shkollë. Morali është i panevojshëm, dinjiteti, studimi, librat ca më keq. Në botën e sotme vlejnë paratë, asetet hirnore të femrave dhe në rastin e Shqipërisë dhe përkatësitë politike. Këtë kanë kuptuar profesorët e rinj të shekullit XXI, ndryshe nga profesorët e vjetër që kanë ndërtuar Shqipërinë. U mjafton një aderim në parti, apo mbajtja e interesave të një grupi afër një përkatësie politike, lëpirja pas interesave të ngushta të disa kinse-pronarëve, që të mos përsërisin fatin e paraardhësve të tyre. Veçse këta nuk e kanë ndërtuar Shqipërinë, thjesht jetojnë ende duke kompiluar librat e paraardhësve dhe kolegëve të huaj. Po vajzat e show? Të ngratat dhe viktimat e paradokseve thjesht mbushin hapësirat e pangopësisë publike. Ndaj, u ngjajnë fluturave, që vinë dhe ikin, duke u zëvendësuar me të tjerat dhe duke mbetur vetëm imazhe, që harrohen sa hap e mbyll sytë.

Po vallë ia vlen të ndihmosh dhe të kontribuosh për zhvillimin e vendit tënd, nëse idealizmi yt do të shpërblehet pas një moshe me harresë dhe skamje? Kjo është pyetja, përgjigja e të cilës dihet qartë për shumicën. Jo, nëse nuk ke interes. Pasi, edhe këtë të fundit duhet ta dish ta materializosh në para të thata. Se, nëse fati nuk të jep mundësinë e hirushit apo të vajzave të bukura, që në masë jo të vogël janë trofe dhe kreditë të pabarazisë së shoqërisë së bukur, shkëlqimit të rremë të civilizimit tonë, asaj që sot bota nuk e zgjidh me shkollat e saj të mendimit dhe realizimet e jashtëzakonshme të ideve, ti je një vdekëtar që ecën në botën e të gjallëve. Anipse sa të zgjidhet kjo, profesorët idealistë të vendit tim do mbeten të varfër dhe shpesh të përbuzur, kurse ato vajzat e bukura do vazhdojnë të na përplasin luksin dhe fatin e tyre të jashtëzakonshëm. Po kjo nuk përbën më ndonjë çudi në ditët tona.

Normaliteti shqiptar, vajzat e pasura të show dhe profesorët e varfër Read More »

Zbulimi – Në Adriatik ka një mega-rezervë gazi

Një zbulim surprizë është bërë kohët e fundit në detin Adriatik siç raportojnë mediat italiane.

Nën tryezën e rërës që formon pjesën e poshtme të Adriatikut ka shumë më tepër metan sesa ishte menduar nga studiuesit.

Deri më tani 2.8 miliard metra kub gaz metan në vit janë nxjerrë nga depozitat në fundin e Adriatikut, por rezervat e identifikuara në muajt e fundit sugjerojnë se nëse shpimet vijojnë, mund të nxirren deri në 4 miliardë metra kub gaz metan në vit.

Kjo është një shifër tejet e madhe, krahasuar me 5.5 miliard metra kub gaz të nxjerra nga të gjitha depozitat italiane në vitin 2017.

Zbulimi – Në Adriatik ka një mega-rezervë gazi Read More »

Shi apo diell? Çfarë parashikojnë sinoptikanët për këtë javë

Sipas parashikimit te Meteoalb, të hënën paraditja paraqitet me kthjellime e vranësira të shpeshta por mesdita dhe pasditja ri-sjellin vranësira dhe shira në pjesën më të madhe të vendit si dhe rrebeshe afatshkurtra në zonat Qendrore dhe Jugore. Dita e martë do të nisë me kthjellime dhe vranësira të lehta deri në mesditë kur vranëisrat fuqizohen duke gjeneruar rrebeshe të izoluara në Jug dhe më pak në zonat Qendrore. E mërkura dhe në vijim deri në fundjavë, moti mbi Shqipëri paraqitet kryesisht me kthjellime.

Temperaturat e ajrit të hënën dhe të marten sjellin rritje të lehta gjatë orëve të mesditës; e mërkura dhe e enjta sjellin rënie të lehtë të vlerave termike gjatë mëngjeseve dhe orëve të mesditës ndërsa e premtja sërisht rrit lehtë temperaturat në të dy ekstremumet ditore. Temperaturat ekstremale gjatë kësaj jave do të luhaten nga 7°C më e ulëta në zonat Verilindore deri 27°C, maksimumi në Veriperëndim dhe Jugperëndim të vendit (temperaturat vlerësohen rreth 5°C më të larta se vlerat tipike të tetorit).

Shi apo diell? Çfarë parashikojnë sinoptikanët për këtë javë Read More »

Xhisiela nuk duron dot më: Ju lutem mjaft! Jam e jam e gatshme të…

25-vjecarja Xhisiela Maloku u komentua shumë dhe ishte kryefjala e mediave gjatë javës së kaluar, sidomos pas intervistave të dhëna në televizionet duke zbuluar identitetin. Në fillim e reja pranoi se është dhunuar nga ish i dashuri, djali i deputetit Rrahman Rraja dhe më pas e mohoi. Së fundmi Xhisiela ka kërkuar nga media dhe politika të mos merren më me të, pasi ajo është gatshëm të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të përballet me drejtësinë.

‘Në radhë të parë i bëj thirrje të gjitha mediave mos të merren më me mua, kjo çështje tashmë i takon prokurorisë! Gjithashtu i lutem dhe politikes të na mbaje jashtë kësaj çështje si mua dhe Rexhepin sepse policia ka bërë detyrën e saj kur unë e bëra kallëzimin. E bëra sepse ndodhi një zënkë mes nesh nga inati dhe xhelozia arrita deri aty, por kjo s’ka të bëjë me politikë. Këto janë gjërat tona personale, nëse doni të bëni politike hajde merruni me deputetin në fjalë, me Z. Rrahman Rraja por duke pasur parasysh që ai është një njeri i drejtë po merren ça bën djali i tij që tashmë është 24 vjeç duke më përdorur dhe mua. Ju lutem mjafttt”- ka thene ajo ne nje interviste per GSH.

Maloku është shprehur se deklaratat e saj janë keqkuptuar në prokurori dhe thotë se ka qenë e paqartë për atë që ka dashur të thotë. Ajo është shprehur se është gati të përballet me ligjin në lidhje me akuzat e saj të rreme në prokurori.

E reja është shprehur se është lodhur nga e gjithë vëmendja që ka marrë dhe i ka bërë thirrje politikës dhe mediave të mos merren më me të apo me djalin e deputetit Rraja.

24-vjeçarja ka shtuar:

Uroj që çdo gjë të shkoj në vend dhe unë jam e gatshme të përballem me prokurorinë për dëshmitë e mia! Sepse herën e fundit kur jam thirrur në prokurori kam pasur një keqkuptim kur më është bërë pyetja po për dhunën a e pranon? Kam thënë s’jam gati të flas për këtë por ato e kanë marrë që unë e pranoj. Pikërisht aty ka qenë momenti që unë të tregoja të vërtetën por kam qenë e paqartë”.

Xhisiela nuk duron dot më: Ju lutem mjaft! Jam e jam e gatshme të… Read More »

Izet Haxhia shpërthen i revoltuar: Makina e ndyrë politike fiton, të ndërtojmë burgun e domosdoshëm në Shqipëri

Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, u ekstradua nga Turqia në vendin tonë në muajin maj të këtij viti. Në qershor, Gjykata e Tiranës i njohu të drejtën e rivendosjes në afat të ankimit për vendimin që e ka dënuar me 25 vite burg si një nga fajtorët për vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të viti 1998. Vetë Izet Haxhia gjatë procesit për t’ju njohur ankimi ka deklaruar se pranoi ekstradimin pasi mori garanci për jetën dhe se do të dëgjohej nga drejtësia, por ecuria e dosjes po has në pengesa të vazhdueshme.

Në burg, në pritje të rigjykimit për vrasjen e Azem Hajdarit, ka lëshuar një mesash për deputetët. Ai ka publikuar një  foto të Kuvendit të vendosur pas hekurave dhe shkruan se  duhet ndërtuar burgu më  i domosdoshëm në Shqipëri.

Postimi i plotë

“Makina e ndyre politike fiton , sepse pakica e bashkuar, vepron kunder shumices se ndare”
~ W. Durant

Ne duhet, ne mundemi, ne e kemi pergjegjesi para femijeve tane, te ndertojme burgun me te domosdoshem ne Shqiperi! Stop indiferences!!!

Izet Haxhia shpërthen i revoltuar: Makina e ndyrë politike fiton, të ndërtojmë burgun e domosdoshëm në Shqipëri Read More »

Çfarë po ndodh në aeroportin e Rinasit? Pasagjerët bllokohen brenda

Nuk janë të pakta rastet kur qytetarët shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit hasin në probleme me kompanitë ajrore apo institucionet. Gjatë ditës së sotme në aeroportin e Rinasit ka pasur tension tek disa qytetarë të cilët  duhej të niseshin me destinacion Perugian, me Albaëings.

Qytetarët shprehen se duhej të ishin nisur paraditen e sotme, por janë lënë në pritje për orë të gjata, ndërsa nuk kanë marrë asnjë përgjigje për atë çfarë ka ndodhur dhe arsyen se përse u është vonuar fluturimi.

“Prej paradites presim te nisemi per Perugia me Albaëings, por jemi lene pa përgjigje”, thonë ata.

Çfarë po ndodh në aeroportin e Rinasit? Pasagjerët bllokohen brenda Read More »

Të huajt dhe diaspora po blejnë bregdetin shqiptar, ja zona e preferuar

Të huajt vijojnë të mbajnë në lëvizje tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet. Sipas agjencive kryesore në vend, arsyeja kryesore mbeten çmimet e lira, ndërsa blerësit kryesorë janë nga vendet e rajonit, të cilat nuk kanë dalje në det. Përmirësimi i infrastrukturës po tërheq blerës në Durrës. Fokusi i agjencive për bregdetin është kapja e tregjeve të huaja…

Nga Ledina Loga Në pamje të parë asgjë nuk i lidh një boshnjak, një italian, një ukrainas dhe dy gjermanë së bashku. Mirëpo që prej verës së këtij viti, ata janë banorët më të rinj të një prej pallateve në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Edi është administrator i pallatit, në të cilin këtë verë janë shtuar edhe pesë rezidentë të kombësive të ndryshme. Sipas tij, arsyeja kryesore pse të huajt kanë zgjedhur Durrësin janë çmimet e lira. Për diçka më pak se 20 mijë euro mund të blesh një apartament në afërsi me bregun e detit.Çmimi për metër katror për një banesë matanë shinave të trenit në atë zonë varion nga 300 deri në 350 euro, gjë që ka joshur blerësit e huaj, të cilët sipas administratorit të pallatit kanë një moshë relativisht të re, nga 30 deri në 50 vjeç. Të gjitha shitjet janë kryer nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme dhe pronat kanë qenë të bllokuara nga bankat. Edi shton se për të parë apartamentet, godinën e kanë vizituar mbi tridhjetë persona me nacionalitet të huaj, por që nuk kanë vendosur. Një prej arsyeve kryesore, sipas tij, është mungesa e besimit për të blerë pasuri të paluajtshme në një vend si Shqipëria. Të huajt që kanë marrë në shqyrtim ofertat për shitje apartamentesh në pallatin që ai administron kanë njëlloj pasigurie. Megjithatë nuk janë vetëm të huajt që po blejnë në Durrës. Sipas agjencive kryesore të patundshmërisë në vend, një burim i kërkesës në bregdet kanë qenë shqiptarët e diasporës dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët sipas Jonian Antonit nga agjencia Century 21 janë më shumë të fokusuar në Veri të vendit. Ndërsa për sa u përket shqiptarëve, Klajdi Memajdini nga agjencia Devinf, thotë se janë më kërkues në cilësi dhe kërkojnë kryesisht apartamente cilësore në rezidenca banimi. Xheni Jahja nga Tirana Real Estate argumenton se finalizimi i shitjeve ka datuar në periudhën para gushtit, megjithatë ajo shton se pritet të ketë interesim në 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Buxheti është një nga faktorët që ndikon në përcaktimin e zonës për individët që kërkojnë të blejnë në bregdet. Për familjet me një buxhet të kufizuar, Durrësi është zona kryesore, ndërsa familjet me të ardhura më të larta kërkojnë kryesisht në Jug dhe në përgjithësi investojnë për një pronë në komplekse rezidenciale. Bazuar në listimet e pronave që kanë bërë agjencitë e pasurive të paluajtshme, “Monitor” ka përllogaritur çmimet mesatare të apartamenteve në bregdetin shqiptar. Shëngjini është zona ku ofertat janë më të ulëta, gjë që reflekton stabilitetin e tregut të pasurive të paluajtshme në atë zonë dhe individët që kanë blerë kryesisht nuk kërkojnë që të rishesin, ndërsa ndërtimet e reja po fokusohen më së shumti në hoteleri. Individët që kanë blerë në Shëngjin, nisur edhe nga frekuentimi i lartë i bregdetit aty nga shqiptarët e Kosovës, i shfrytëzojnë pronat për tregun e qiradhënies. Megjithatë, bazuar në agjencitë kryesore në vend, çmimi mesatar për metër katror në zonën e Shëngjinit është 720 euro. Bregdeti i Durrësit mund të ndahet në tre zona, bazuar në çmimin e pronave. Zona më e shtrenjtë për sa i përket çmimit të apartamenteve është Gjiri i Lalëzit, ku çmimi për metër katror varion nga 900- deri në 1100 euro për metër në katror, në varësi të kompleksit rezidencial ku ndodhet apartamenti. Zona e dytë fillon nga Plepat deri në afërsi të Golemit. Në këtë zonë të Durrësit ka shumë ofertë për shitje, bazuar mbi pronat e listuara nga agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend. Çmimet më të ulëta janë për apartamentet në pallatet e ndërtuara pas hekurudhës, si në rastin në fjalë, që janë shitur me çmimin 300 euro për metër katror. Sipas ofertave të listuara, pranë Hotel Adriatikut në Durrës mund të gjesh një apartament me çmim mesatar 450 euro për metër në katror. Për apartamentet që janë më pranë bregut të detit, çmimet mesatare luhaten në 700-750 euro/ m². Zona e tretë është Golemi, Pishat e Buta dhe plazhi i Qerretit, ku çmimet për apartament janë rreth 800-850 euro për metër katror, duke qenë se rezidencat e banimit janë në komplekse dhe kanë lehtësi që tërheqin blerësit. Jugu i Shqipërisë mbetet zona më e shtrenjtë dhe jo vetëm për apartamentet, por edhe për vilat. Në Vlorë, zonat më të lira janë Rradhima dhe Orikumi. Sipas ofertave të listuara në Rradhimë, për një apartament banimi, çmimi mesatar është 700 euro për metër në katror, ndërsa në Orikum, çmimet mesatare për banesa janë rreth 450-500 euro/m², në varësi të afërsisë me bregun e detit. Zona më e shtrenjtë vijon të mbetet Riviera. Një apartament në Dhërmi kushton mesatarisht 1200 euro/m², ndërsa për sa u përket ofertave të listuara, ato nuk janë të shumta në numër. Sipas agjencive kryesore të pasurive të paluajtshme dhe atyre që janë me fokus në bregdet, Saranda vijon të mbetet “mbretëresha” e bregdetit shqiptar. Çmimet mesatare të apartamenteve në Sarandë janë 900 euro/m². Kryesisht Saranda ka qenë zgjedhje për skandinavët, të nxitur edhe nga afërsia me aeroportin e Korfuzit.

Diaspora vë në lëvizje pasuritë e paluajtshme në bregdet Përveç të huajve, ka pasur interes edhe nga shqiptarët e diasporës dhe Kosovës. Sipas inxhiniere Xheni Jahja nga Tirana Real Estate kërkesat më të shumta kanë qenë nga shqiptarët e Kosovës. “Në vite ka pasur rritje të interesit në blerje. Zonë fokus ka qenë Lagjja 13, ish-Hekurudha, Rrashbulli dhe Golemi. Në përgjithësi janë kërkuar apartamente 1+1, me kosto deri 35.000 euro. Ndërsa pjesa më e rëndësishme për to është që prona të ketë dokumentacion të rregullt ligjor”, – thotë Jahja. Ajo shton se sado që ofertat e tjera mund të kenë qenë tërheqëse, por pa dokumentacion, ajo kërkesë është anuluar menjëherë. Edhe Jonian Antoni nga agjencia Century 21 thotë se siguria e dokumentacionit mbetet një nga prioritetet për realizimin e transaksioneve. Ai shton se në politikën e agjencisë së tyre nuk i prezantojnë fare pronat që kanë problematikë në dokumentacion. Për inxhinieren Xheni Jahja, kërkesa është rritur për arsye të përmirësimit të infrastrukturës. “Që nga 2013-a, Rruga e Kombit ka afruar shumë vendet dhe fokusi i tyre për të investuar në bregdetin shqiptar është rritur. Emigrantët në vendet e tjera kanë interesim, por numri i tyre mbetet i vogël, me përjashtim të moshave të reja që kanë interes real dhe mendojnë që të investojnë në bregdet për një apartament të mirë”, – argumenton Jahja për Revistën “Monitor”. Megjithatë, Jonian Antoni nga Century 21 thotë se edhe pse kërkesa nga diaspora është e konsiderueshme, nuk është në nivelet e mëparshme dhe e lidh këtë me largimin e tyre nga Shqipëria dhe me rritjen e çmimeve. Ndërkohë që një pjesë tjetër nuk e konsideron më kthimin në Shqipëri dhe për rrjedhojë, nuk e shikon të nevojshme investimin në pasuri të paluajtshme në vend. Ai shton se fokusi duhet të jetë te përthithja e tregjeve të huaja sesa te rikthimi i diasporës.

Parashikimi

“Nuk besoj se do të ketë rritje, madje mendoj se Shqipëria është më mirë të fokusohet te përthithja e tregjeve të huaja sesa te rikthimi i diasporës” – thotë Jonian Antoni

Përmirësimi i bregdetit në Durrës nxit shitjet Një ndër faktorët e rëndësishëm që kanë nxitur shitjet në bregdetin e Durrësit është edhe përmirësimi i infrastrukturës, përveç çmimeve të lira. Xheni Jahja thotë se përmirësimi i infrastrukturës jep një efekt pozitiv në rritjen e vlerës së pronës dhe për rrjedhojë, sjell dhe rritje të çmimit për pronat e paluajtshme. Megjithatë Jonian Antoni nga Century 21 thotë se për sa i përket infrastrukturës, urbane dhe jo vetëm, mbetemi ende mbrapa. Ai i cilëson projektet për ndërtimin aeroporteve në zonën e Jugut spekulime. Të huajt – thotë ai – e kanë të vështirë që për vendet si Shqipëria të besojnë planet që janë ende në letër.

Vetëm “shqiptarë te pasur” blejnë në bregdet Ndryshme nga të huajt apo shqiptarët e diasporës, shqiptarët kanë pretendime kur vjen puna për të blerë një shtëpi të dytë në bregdet. Klajdi Memajdini nga agjencia Devinf, argumenton se në përgjithësi, shqiptarët që blejnë shtëpi të dytë ose të tretë në bregdet kanë të ardhura të larta dhe për rrjedhojë, kërkojnë prona shumë cilësore. Në përgjithësi, kërkesa e tyre është e fokusuar në komplekset rezidenciale ku kanë edhe të gjithë lehtësitë e nevojshme.Jahja shton se në përgjithësi, shtëpitë e dyta apo të treta shoqërohen edhe me kosto dhe sipas saj, duhet një ekonomi mbi mesataren për të investuar në bregdet për një pronë.

Saranda, në verë turizëm, në dimër patundshmëri Për të huajt, Saranda vijon të mbajë vendin e parë për sa u përket shitjeve të pronave. Eron Çumani nga Saranda Property Invest thotë për “Monitor” që, pas sezonit të suksesshëm veror në qiradhënie të pronave në Sarandë, presin muajt në vijim për të finalizuar transaksione në shitje. Duke qenë se gjatë verës, Saranda vizitohet nga shumë turistë të huaj, shërben dhe si një mënyrë e mirë për prezantimin e pronave. Çumani thotë se në përgjithësi, pasi të huajt e vizitojnë si turistë gjatë verës, rikthehen në muajt tetor për të blerë apartamente. Xheni Jahja nga Tirana Real Estate thotë se për qytetet si Saranda, në përgjithësi shitjet janë për efekt turistik. Ajo argumenton se shfrytëzimi i pronës në qytete si Saranda apo për apartamentet në rivierë, të cilat për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe largësisë nuk mund të shfrytëzohen lehtë gjatë gjithë vitit, bëhet më i vështirë. Ndryshe ndodh në Vlorë, Lezhë apo Durrës.

Të huajt dhe diaspora po blejnë bregdetin shqiptar, ja zona e preferuar Read More »

28 vajza me emrin Vlora,vizitë në qytetin e Pavarsisë,emrin e të cilit ato mbajnë

Sheshi i Flamurit ,fshati Kanine,por edhe te tjera ambjente te qytetit ,kane qene pjese e viztes se 28-vajzave Vlora.

Me e vogla vetem gjashte muajshe mban pikerisht emrin Vlora ,ndersa ka startuar gjithcka ne bashkine e qytetit bregdetar,per et vijuar em vizita ne shehin historik te flamurit dhe fshatin Kanine. Aty ku kane pare nga afer shehsin historik te Vlores,emrin e nje qyteti qe vete 28 vajzat kane zgjedhur,por edhe te shijojne peisazhet e mrekullueshme qe qyteti i Vlores ofron.

Kjo eshte edhe vizita e pare e ketyre vajzave ne qytetin e Vlores,vizite qe starton edhe aktivitetet per festen e Pavarsise. Jo pa qellim jane zgjedhur pikerisht 28 vajza me emrin Vlora,si nje simbolike edhe per 28 nentorin festen e Pavarsise se vendit,pikerisht ne qytetin e Pavaresise.

Jo vetem vizite,per te njohur nga afer vendet historike te qytetin,apo shijuar peisazhet e mrekulluehsjme qe ofron Vlora,por edhe kercime,me muziken shqiptare dhe shume foto. 28 Vlorat e kosoves,ne qytetin e pavaresise per te pare nga afer emrin e qytetit qe 28 vajzat kosovare mbajne.

28 vajza me emrin Vlora,vizitë në qytetin e Pavarsisë,emrin e të cilit ato mbajnë Read More »