Aktualitet

Shkarkohet ministri i Brendshëm, zbulohet emrin i ri që e zëvendëson

Shkarkohet nga detyra Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Bejtush Gashi. Mësohet se shkarkimi i ministrit është bërë nga partia e Behxhet Pacollit, AKR.

Lajmi për shkarkimin konfirmohet nga sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, ndërsa në vend të Gashit në krye të MPB-së pritet të emërohet Ekrem Mustafa.

Rrahim Pacolli ka deklaruar se shkarkimi i tij vjen pasi nuk ka treguar performancë të mirë në detyrën e ministrit.

“Po, është e vërtetë që ai është shkarkuar nga ana e partisë. AKR-ja gjithmonë i ka ndërruar ministrat e saj. Kjo po bëhet për shkak të performancës. Çdo ministër i AKR-së, duhet të japi më shumë punë në të mirë të qytetarëve”- tha për Express Rrahim Pacolli.

Shkarkimi i Gashit nga detyra vjen në kohën kur Kosova është duke pritur votimin për anëtarësim në INTERPOL. Ministër i ri mund të jetë Ekrem Mustafa nga Ferizaj.

Shkarkohet ministri i Brendshëm, zbulohet emrin i ri që e zëvendëson Read More »

Policia në aksion, mbi 400 të shoqëruar

Policia e Shtetit dhe FNSH ka bërë bilancin e një jave në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe kapjen e personave në kërkim.

Polica bën me dije se në operacionet e zhvilluara gjatë javës së kaluar në të gjithë vendin janë sekuestruar arsenal armësh, lëndë narkotike si dhe janë shoqëruar për verifikim rreth 414 persona.

Njoftimi i policise:

Policia e Shtetit në të gjithë vendin vijon zbatimin e masave për “Rritjen e parametrave të sigurisë, për kontrollin e territorit, kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike e trafiqeve të paligjshme, parandalimin e aksidenteve rrugore”.

Në këtë kontekst, gjatë kësaj jave në të gjithë vendin janë zhvilluar kontrolle nga FNSH e Policitë Vendore, janë ngritur e kanë funksionuar pika kontrolli dhe të lëvizshme, ku është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i 211 personave, si dhe janë sekuestruar armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Nga Policia Rrugore në të gjithë vendin duke përdorur Dragerat dhe Radarët janë arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi 58 drejtues mjetesh.

Nga kontrollet e kryera nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë janë kapur 47 persona në kërkim kombëtar/ndërkombëtar.

Janë sekuestruar:
– 5 armë zjarri, 3 krehëra, 916 fishekë, 2 gëzhoja, 2 kallëpe lëndë plasëse TNT, 3 kapsolla elektrodetonatore, 1 granatë difensive
– 6 armë e ftohtë (3 thika, 3 leva metalike)

– 665 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa

Janë shoqëruar për verifikim 414 persona.
Po gjatë kësaj jave janë finalizuar 4 operacione të koduara:

– Më datë 11 Tetor në Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Precious“. Operacioni pas një hetimi disa mujor nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku u zbardhën dhe u dokumentuan me prova ligjore 7 raste vjedhjesh (kasafortash, vlerash të mëdha monetare e sende të çmuara) të ndodhura në banesa.Njëri prej autorëve i kapur në flagrancë duke kryer një vjedhje në qytetin e Durrësit, ndërsa autori tjetër shpallet në kërkim nga Policia.

– Po më datë 11 Tetor në Vlorë, Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Twin”, ku është arrestuar një person që posedonte lëndë narkotike në banesë.

– Më datë 12 Tetor përsëri në Tiranë – Operacion antidrogë i koduar “Argjinatura”, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas dhe një tjetër u shpall në kërkim. U sekuestrua lëndë narkotike, armë zjarri, municion luftarak, automjet dhe aparate celularë.

– Më datë 13 Tetor në Lezhë, u finalizua operacioni “Vila”, ku u kapën në flagrancë nga policia 2 autorët e dyshuar në momentin që po nxirrnin materialet për t’i transportuar që kishin vjedhur në një vilë. Këta shtetas dyshohen dhe si autorë të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke garantuar ruajtje të anonimatit, reagim në kohë dhe të panashëm./korrieri

Policia në aksion, mbi 400 të shoqëruar Read More »

Rama dorëzon ‘kokat’ e bandave? Ultimatum drejtorëve të policisë: Godisni të fortët, ata që përgjakën ish-bllokun

Kryeministri Edi Rama ka bërë një ultimatum para drejtuesve të Policisë së Shtetit, teksa ju ka kërkuar atyre të godasin të fortët e Bllokut.

Në një takim me drejtuesit e policisë, Rama ka thënë se vendi ynë është me një indeks më të ulët kriminaliteti, si dhe me një indeks pozitiv në sigurinë e qytetarëve. Kryeministri ka kërkuar nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, që të mos shpërqëndrohen nga shpifjet, por të vazhdojnë punën dhe të godasin “të fortët”.

“40 vrasje sivjet për priudhën janar-shtator, 43 vjet. 54 parvjet. 84 në janar-shtator 2013-ës. Më keq akoma në 2012, 92 vrasje. Pra më shumë sesa dyfishi në krahasim me sot. Por sot ka nisur një kujë e zezë, kanal më kanal, portal më portal, foltore më foltore, banak më banak, që rreket të ushqejë popullin se krimi po bën kërdinë, se po vritet si kurrë më parë, se policia nuk po lufton krimin, por është bërë njësh me të. Krahasimet janë nga burimet zyrtarë të statistikave në Europë. Bëhet fjalë nga burimet zyrtare që i referohet edhe KE.

Roma, Athina e plot qytete të tjera, e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit. Tirana ka një indeks më të lartë sigurie se Roma apo Athina. Këto dy qendra janë shumë të afërta me ne dhe nuk ka shqiptarë që mund të dëshmojë se në Romë apo Athinë ka parë ndonjëherë ndojë gërdi zifti dhe helmi, ekran më ekran, për krimin.

Kam kërkuar sot, që të flas me ju dhe përmes ju me të gjithë punonjësit e Policisë së shtetit. Po kalojmë një moment kur mbi publikun, e për fat të keq edhe mbi Policinë e Shteti është marrë një fushatë shpifjesh të rrezikshme. Bota i njeh si Fake News që përhapen. Lajmi i rremë, shpifja ka qenë me ne në faqet e gazetave dhe në mediat tradicionale.  Kam ardhur këtu, sepse dalldia e shpifjes nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punë tuaj.

Fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat e tyre, nuk duhet t’u shpërqendrojë nga misioni dhe qëllimi i këtij trupi. Që nga të fortët e llojit, që sollën përgjakjen e bllokut në Tiranë, e deri tek ata kundra-vajtësit që shkelin rregullat. Çdo gjë baltoset këtu. Britania  e Madhe, Suedia apo Franca, Bullgaria kanë një indeks kriminaliteti më të lartë se Shqipëria. Shikoni indeksin e sigurisë. E kemi në mesatar indeksin e sigurisë. Pa dashur t’ju marr shumë kohë me statistika, shikoni disa krahasime interesante. Këto janë bërë jo nga unë dhe nga policia, por nga institucionet europiane”, ka thënë Rama.

Rama dorëzon ‘kokat’ e bandave? Ultimatum drejtorëve të policisë: Godisni të fortët, ata që përgjakën ish-bllokun Read More »

Me kamion për në Angli, shqiptarët gjejnë një mënyrë tjetër për të kaluar kufirin

Prej vitesh shqiptarët kanë tentuar të ikin me kamion drejt Britanisë së Madhe, që tashmë për shumë të rinj është bërë si “ëndrra amerikane”.

Por ndërsa më parë zgjidhnin të iknin nga Franca, tashmë kanë gjetur një rrugë tjetër përmes Gjermanisë.

Kështu mediat e huaja kanë shkruar sot se shumë të rinj po përpiqen të shkojnë nga Cuxhaveni i Gjermnaisë, për në Britani të Madhe, si udhëtarë ilegalë pa bileta përmes kamioneve te mallrave.

Mediat shkruajnë se pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë që kalojnë edhe pse nëpër porte janë rritur masat e sigurisë.

Gjashtë herë në javë, një trajekt mallrash udhëton nga Cuxhaveni për në Immingham të Anglisë. Pothuajse çdo herë ndonjë pasagjer ilegal përpiqet të futet në bord pa ndonjë dokument hyrjeje. Kryesisht bëhet fjalë për shqiptarët që në Gjermani kanë ardhur si turistë. Qëllimi i tyre është një jetë në Britani të Madhe, ku tashmë një pjesë e familjes së tyre janë stabilizuar.

<Jörg Ristoë i Policisë Federale në Hanover ka treguar:
Gjithçka filloi në vitin 2015. Që atëherë, Cuxhaven është bërë gjithnjë e më shumë një qendër për udhëtarët ilegalë. Gjithashtu janë prekur edhe portet e tjera të Gjermanisë Veriore, megjithëse në një masë shumë më të vogël. Në vitin 2015, Policia Federale regjistroi 30 ndërhyrës në zonën e vlerësuar si të sigurt të portit në Cuxhaven. Këtë vit, Policia Federale numëroi 222 persona deri në fund të muajit gusht. Ata po kërkojnë çdo mundësi për të hyrë në bord. Njëra nga to është edhe fshehja në ndonjë kamion që futet në trajekt. Në rast se kapen ata tentojnë përsëri pas disa kohësh. Kjo pasi ata nuk mund të akuzohen me pasoja juridike penale, vetëm pse duan të largohen nga vendi. Mund t’ju bëhet vërejtje por ata nuk tremben.”
Shqiptarët ndërmarrin rreziqe të mëdha që u rrezikojnë edhe jetën. Sipas zëdhënësit të policisë Ulf Ëundrack ka pasur raste kur shqiptarët kanë tentuar të kalojnë kufirin ujor me dyshek të mbushur me ajër.

Operatorët e portit në Cuxhaven tashmë kanë rritur masat e tyre të sigurisë: Janë rregulluar gardhe të përforcuara, forca gjithnjë e më të shtuara të sigurisë dhe janë instaluar video kamera. Përveç kësaj, një grup pune është krijuar së bashku me përfaqësuesit e Policisë Federale, Tokësore dhe të Mbrojtjes së Ujërave. Në këtë mënyrë pra, janë parandaluar shumë kalime të paligjshme kufitare.

Megjithatë, nëse udhëtarët e paligjshëm arrijnë të hipin në një anije, udhëtimi i tyre zakonisht përfundon në Portin e Imminghamit.

Me kamion për në Angli, shqiptarët gjejnë një mënyrë tjetër për të kaluar kufirin Read More »

Avioni me probleme në motor, shtyhet sërish fluturimi nga Rinasi. Pasagjerët: Na thanë se…

Vonesat e nisjes së fluturimeve për shqiptarët janë kthyer tashmë në një shqetësim të zakonshëm.

Ditën e sotme pasagjerët e avionit të kompanisë ‘Blue Panorama’ njoftuan se udhëtimi i tyre për në Bergamo, Itali u shty dhe akoma nuk kanë asnjë njoftim se kur do të nisen.

“Prsh JOQ! Jemi ne Rinas tek aeroporti dhe ka 1 ore qe eshte shtyre fluturimi per ne Bergamo, Itali, sepse avioni i kompanise BLUE PANORAMA ka problem ne motor. Ne jemi ketu duke plasur nga vapa dhe nuk na lajmerojne qe te dime cfare ka. Tani na nxoren jashte dhe nuk e dime se kur do hyjme qe te nisemi e te ikim”.

Avioni me probleme në motor, shtyhet sërish fluturimi nga Rinasi. Pasagjerët: Na thanë se… Read More »

Shkarkohet Drejtori Hipotekës së Sarandës, i akuzuar edhe nga PD

Drejtori i Hipotekës në Sarandë, Gledis Duka është shkarkuar, pas vetëm 3 muaj e gjysmë në detyrë,.Kujtojmë që Duka shpesh herë është akuzuar nga PD se ishte lajmëruar në mënyrë të paligjshme si Zv/Regjistrues e më pas si Regjistrues në Hipotekën e Sarandës, pavarësisht se kishte vetëm 6 muaj eksperiencë në sektorin privat.  Shpeshherë ai është denoncuar në media për kaosin e krijuar në hipotekën e Sarandës 3 muajt e fundit.

“Partia Demokratike dega Sarande, denoncon me force komandimin si Regjistrues te ZVRPP Sarande, te shtetasit Gledi Duka. Komandimi i tij bie ndesh me ligjin per ZVRPP, ku percaktohet qarte qe Rregjistruesi duhe te kete pervoje pune jo me pak se 5 vjet ne administraten publike dhe te kete specializime ne fushen e vleresimit te pasurive te paluajtshme.

Ky shtetas, ka eksperience pune vetem 6 muaj ne sektorin privat dhe 3 muaj ne administraten shteterore”, shkruante PD në reagimin e saj disa muaj më parë.

Shkarkohet Drejtori Hipotekës së Sarandës, i akuzuar edhe nga PD Read More »

Në malin magjik të Lenies, ku uji bën mrekulli për të sëmurët

Natyra shpesh fsheh brenda vetes çudira të rralla. Krahas bukurive, ku të çlodhet syri ajo krijon për njerëzit edhe ato gjëra, që një mjek nuk mundet t’i krijojë asnjëherë. Nga të njohurit e mi kisha dëgjuar për Burimin e Lenies, në një nga zonat më të thella të Gramshit, të përdorur prej shekujsh, duke e konsideruar ndër ujërat e ftohta kuruese në Shqipëri dhe jo vetëm aty..! Burimi ndodhet në lartësinë 1684 m mbi nivelin e detit, në shtrirjen e një akullnaje të vjetër kuaternare, ku ndodhen liqene të vegjël e ku ka me shumicë pisha malore qindravjeçare.

Nga Pëllumb Gorica

Një mëngjes të bukur u nisëm drejt Lenies, që ndodhet 50 kilometra larg Gramshit. Por, për të shkuar deri atje, duhet të ecësh në një rrugë të “mundimshme’’, me zigzage të shumta e shpesh të “pasigurta’’. Nuk ke arsye të ankohesh për rrugën e “keqe’’, nëse do të shijosh të mirat e natyrës, freskinë dhe magjinë e pyjeve të pishave, si një spital natyror, e më kryesorja ujin çudibërës, ku mund të bëhesh mjek i vetvetes që të shërohesh prej sëmundjeve pa ngurruar në kohën e duhur, por edhe të qetësohesh ca ditë larg zhurmës së trevave urbane. Kur e sheh pak me gjakftohtësi këtë guxim sfidues, për të bërë “celebrimin” e ligjshëm ajo ndjenja e furishme përbrenda vetes, të bën të mos ndjesh lodhje. Makina jonë ndoqi rrugën në të majtë të rrjedhës së lumit Devoll, që gjarpëron si një vijë e hollë dhe e kaltër grykave, pyjeve e kurrizeve shkëmbore.

Të kthyer në drejtim të xhamave të dritareve vështronim Bërsnikun, Kodovjatin, Bulçarin dhe Tragjinin, fshatra të vendosur rrëzë kodrave, që shfaqen si njolla shkëndijore në atë qilim të gjelbër të pyjeve. Edhe këtu erozioni ka bërë punën e vet së bashku me dorën lakmitare të njeriut, me pasojë shkatërrimin e ekuilibrit të natyrës, duke masakruar pyjet. Ndërkohë pushtohesh nga një ndjenjë zhgënjimi e arratisë së dhimbshme të fshatrave, si një kambanë alarmi, që do sjellë boshatisjen e tyre nga mungesa e kushteve për të jetuar, më kryesorja rrugës së pashtruar gjithë gropa, pluhur dhe lodhje, e cila prej vitesh nuk ka pasur përkujdesjen e duhur. Në Qafën e Dushkut, si portë natyrore të shfaqet në pëllëmbë të dorës, Kurata, Grabova e Poshtme dhe Shënepremte, me shtëpitë grupe-grupe sa një dorë, të fshehura mes gjelbërimit, si gjithë fshatrat e Gramshit. Më lart Shënepremtes është Grabova e Sipërme e banuar nga vllehët, të vendosur këtu pas djegies dhe shkatërrimit të parë të Voskopojës, që për të siguruar vetëqenien e tyre shkuan drejt vendeve të mbrojtura, me ujë, toka, livadhe e pyje. Qafa e Dushkut ka shërbyer si vijë fronti lufte sa herë janë dyndur ushtritë pushtuese. Historitë tregojnë se në Luftën e dytë Botërore u kthye në arenë luftimesh midis ushtrive italiane dhe greke, ku secila palë me kacafytje dhëmb për dhëmb për jetë a vdekje, të kapnin lartësitë e malit të Lenies. Një histori lufte ”me veten e tyre”, me shumë elementë strategjikë, por deri më sot është “enigmë”.

– Pas përfundimit të luftës, – tregon Bajram Haxhillari nga Grabova e Poshtme, ushtarët italianë nuk kishin bukë për të ngrënë. Ata vinin në shtëpitë tona dhe kërkonin nga prindërit tanë t’u jepnin atyre bukë. I trajtuan si vëllezër se nuk ka faj ushtari, por ata që drejtojnë luftën. Shënepremte e mbledhur në lugun e kodrave, me lagje të shpërndara rrëzë tyre s’kishte se si të mos rrëmbente vështrimin tonë. Masat shkëmbore, i kanë dhënë forma të veçanta peizazhit të saj. Aty kalon një urë metalike, me dy gurë si gardianë besnikë të mureve të kalasë antike, ku gjurmët humbasin mes arave dhe ndërtimeve. Më lart shfaqet një e çarë pingule me dy shkëmbinj të njëjtë rreth 1.5 km ( Shkëmbi i Kopaçit), me mbi 500 metra lartësi shquhet, si një monument që e ka krijuar natyra me aq madhështi. Thuhet se shekuj më parë Shënepremte ishte tepër e populluar, me një kulturë të zhvilluar për kohën, ku endeshin zhurmat, duke jetuar me të mirat dhe të këqijat e saj. E vështirë jeta, por e kapërcyeshme pranë ajrit të pastër, pyjeve dhe maleve përreth. Nga shfletimet e dokumenteve dhe historive të dëgjuara, kanë lënë gjurmë ngjarje të rëndësishme të ndikuara nga faktorë historikë, trashëgimie, ekonomikë e social. Figurat e saj në kohë ishin liridashëse pro kombëtare, të qëndresës ndaj çdo shkelësi të huaj, sepse shpirti i tyre, si vetë natyra, kishte forcuar tek ata tiparet e termit “burrë”, të këngës e muhabetit, besnikërisë, guximit, zemërgjerësisë e sakrificave ndaj vetvetes. Këto vlera të skalitura në shekuj shikoheshin nga partiakët në dy këndvështrime, si në pozitiven dhe negativen e situatave. Të vijnë në mëndje histori rrëqethëse, kur kuadrot partiakë nga Gramshi shtroheshin në darka të mëdha aty dhe të nesërmen e dënonin mikpritësin me burg. Sigurisht janë kohë të tjera dhe ndryshimi në Shqipëri në fillim të viteve ’90, të kalimit nga centralizimi në kapitalizëm edhe këtu krijoi probleme. Pas kësaj gjërat morën dhe një kah të kundërt, sa pati stërmundim për kapërcimin e vështirësive të panjohura. Por zgjidhja erdhi nga lëvizja e pakontrolluar e emigrimit jashtë shtetit dhe drejt qyteteve më shumë se gjysmës së banorëve për një të ardhme më të mirë. Të pamundurit, që nuk janë larguar nga vendlindja kanë investuar aty, duke shfrytëzuar mundësitë që u ka dhuruar natyra.

Mali i Lenies

Rruga kalonte mes për mes shtëpive, të rrethuara nga kopshtije me lloj- lloj frutash, që tregonte se banorët i kanë trajtuar paqësisht e mjeshtërisht ato, me tradita që burojnë nga thellësitë e shekujve. Të mësuar me lëvizjet në këtë periudhë, por të zënë me punët e tyre në arat dhe stanet, me ballafaqimin e vështirësive ata janë të çlirët nga kureshtja e mysafirëve që shkelin aty. Ne, duke u ngjitur nëpër një varg kodrash që ngrenë shpinën në malin e Lenies, në një të përpjetë që sa vinte e bëhej më e vështirë, na bënte të shijonim bukuri të tjera. Emrin mali sipas një legjende e ka marrë nga mbretëresha Lenje, që mbretëronte viset rreth e qark. Me pyjet, gurët, kullotat, bimët medicinale dhe ujin e jashtëzakonshëm ai shfrytëzohet në interes të mirëqenies së banorëve dhe u jep një avantazh të madh për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, duke mos u mjaftuar me një muaj. Por nëse do të investohet, së pari rruga me asfalt, duke e lidhur me Gramshin vizitorët do të vinin ndoshta me mijëra e s’do të ishin thjeshtë frekuentues të ujit çudibërës. Por, këtu ato mungojnë dhe shteti nëpërmjet projekteve për një fshat turistik mund ta ringrejë nga gjendja ku ndodhet.

Të njohësh sfidat kuruese të natyrës

Me këto mendime përgjatë rrugës gjarpëronjëse, që sa vinte e bëhej e përpjetë dhe me hendeqe të thella, ku në të rrallë kalonte ndonjë makinë, i afrohemi lartësive të Lenies, që kufizohen me fshatrat malorë të Pogradecit dhe të Korçës. Të binin në sy lëndinat, ku bari kishte marrë ngjyrë okrri e mizëronin tufa delesh, të cilat përtypnin e ripërtypnin atë. Tringëllimat e zile-këmborëve, melodia e fyellit dhe kënga e zogjve të sillnin një kënaqësi shpirtërore.  Ndalesën tjetër e bëjmë pranë një pylli me dru gjithfarësh deri edhe pemë frutore, identike, si në lartësitë e tjera rreth e rrotull, aty- këtu stane e lera uji të cilat lehtësonin punën e barinjve dhe përmirësonin regjimin kullosor të bagëtive. Diku mbrapa malit dëgjohen ca shpërthime. Janë punimet për Hidocentralin e Moglicës, që po konturon digën e tij në rrjedhën e Devollit, pothuajse një orë rrugë më këmbë larg që këtej. Ecim dhe pak derisa derisa mbërrijmë në një shesh të gjerë, të thatë e të mbrojtur nga erërat, në mes dy përrenjve që gurgullonin ujërat drejt Shënepremtes. Ajri dridhej nga zhurmat e makinave, hingëllimat e kuajve dhe zërave njerëzorë, që ashtu siç thuhet s’ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Ne arrijmë, por të tjerë nxitojnë të ikin prej andej, me plot lëvizje e gjallëri. Në mes të tij shfaqej në guackën e vet një godinë e gurtë hijerëndë e të vetmit hotel këtu, me një arkitekturë kubike, të cilën po ta kundroje, të ngjante si një kapanon ushtrie, rrethuar nga dy tre baraka dhe qindra çadra në mënyrë kaotike, të ngritura këtu për një muaj rresht çdo vit. Nuk pret komoditete, por në thjeshtësinë e pajisjeve, ato sigurojnë kushte, ku mund të kalohet nata e freskët. Kjo periudhë aktiviteti ka shpërthime dhe pushime të përkohshme, që nuk zgjat më shumë se, nga fillimi i gushtit deri në mes të shtatorit.

-Ky numër të ardhurish në këtë kohë, nga anë e anës është shumë i madh për Lenien – thotë Bledi Bici, që shkon në më shumë se 300 në ditë, me shpresën për t’u kuruar u lehtëson dhimbjet, largon stresin, kënaq sytë dhe qetëson shpirtin. Me ardhjen e tyre duket se edhe natyra këtu merr pamje tjetër dhe gjithçka gjallërohet. Bledi na sistemon diku në mesin e hapësirës së çadrave. Qemë lodhur pas asaj ngjitje dhe një kafe e shoqëruar me një gotë ujë do e zhbënte atë, por kureshtja të bën t’i afrohesh burimit që gurgullonte nga një lëfyt i vogël.

Pak më poshtë në gjendje natyrale uji i burimit kishte formuar një gropë të rrethuar me gurë, me diametër 3 metra, i cili qarkullonte vazhdueshëm e derdhej në një liqen me sipërfaqe ujore 2.5 ha, si një sy i kaltër. Rrezet e diellit e bënin më shkëlqyese pamjen e tij dhe gjithashtu edhe atë vend me gurë e drurë. Ndërkohë që aty ziente gjallëria, pamja e natyrës ishte aq romantike dhe e thyer sa s’mund ta përshkruash dot, nga shkëmbinjtë me forma interesante dhe pyll i veshur me pisha që krihen e tunden nga era.

Në qiell ndonjë re e bardhë, të ngjante si një dele e shkëputur nga tufa. Mjekë dhe studiues vendas e kanë vëzhguar me përkushtim se ç’fshihet në përbërjen e vetive të këtij burimi që shëron. Ndalesat e tyre në studime shkencore përcaktuan fuqinë kuruese të burimit të freskët të Lenies, i cili shkon në temperaturën 3 gradë gjatë verës së nxehtë.

Përmbajtja e disa kripërave të pasuara me kalcium, magnez, sulfate të natriumit me pH neutral, jo vetëm për t’u pirë, por edhe me banjën ndihmojnë për reumatizmin, sëmundjet bllokuese të gjunjëve, krahëve, tendinëve, paralizave, edhe për ato me anemi, anoreksi, astmë, bronshit, ftohje, edema, gastrit, të sindromës së zorrës së irrituar, hemorroideve, sinozitit, teshtitjeve, por jo për ata me sëmundje të rënda të zemrës dhe mushkërive për të cilat është i domosdoshëm miratimi i mjekut.

Mos ta zemërojmë Natyrën, ajo ka ligjet e veta ndëshkuese!

Por, megjithë frekuentimin e jashtëzakonshëm këtu nuk ka shërbim mjeksor për kontrollin e tyre para hyrjes në ujin e ftohtë e cila mund të jetë fatale. Dhe rastet nuk kanë munguar. Banjat në pus për çdo njeri zgjasin rreth 15 minuta, njëherë në ditë. Çdo frekuentues zhyt trupin në ujë dhe mundohet të durojë temperaturën e ulët. Larja e përditshme në pus e qindra njerëzve kërkonte edhe respektimin e higjienës me sa lejonin kushtet. Edhe pse ishte investuar për grumbullimin e mbetjeve atje përsëri ndotej Natyra. Në një vëzhgim të shkurtër të bënin përshtypje kasapët që thernin qengja dhe mbetjet i hidhnin në grykëderdhjen e burimit, gra të cilat hidhnin mbetjet e tyre higjienike në ujë me besëtytni se do u largoheshin sëmundjet, apo te veprimet e pijanecëve ordinerë, që pasi mbaronin së piri i thyenin shishet me birra ku të mundnin. Natyra ka ligjet e veta të miratuara qysh me krijimin e saj. Ajo mund të na ndëshkojë siç ka bërë me burime të tjera, duke i tharë ose zhdukur ato, ndaj të mos e keqtrajtojmë këtë dhuratë të Natyrës, për t`ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm.  Pas banjës, sipas rregullave, kuruesi nuk duhet të qëndrojë në vend, por për disa minuta duhet të bëjë ushtrime dhe ecje për të mos e ndjerë të ftohtin. Ai duhet të shtrihet më pas e të mbulohet me batanije e ndoshta edhe të flejë një orë sa të djersijë. Rregulla të tjera thonë se kuruesit nuk duhet të konsumojnë as mish dhe as alkol. Megjithëse të panjohur shumë shpejt miqësohesh me ata që janë pranë pusit. Bisedat vërtiten rreth vetive kuruese, ku secili tregon diçka të dëgjuar për mrekullitë e ujit, ndonjëherë të ekzagjeruara nga fantazia e shfrenuar e tyre. Tregimet shpesh ishin të veshura me cilësi të veçanta për njerëz që janë shëruar, e s’është e udhës të përmendim grimca dëshmish të përfitimit nga uji çudibërës.

– Që ka vlerë kurues ky ujë është e padiskutueshme – thotë Tahiri nga Dumrea, se ndryshe nuk do të tërhiqnin njerëz të panumërt. Neimi, një banor vendas tregtonte djathë. E pyesim për toponiminë e Ujit të Ftohtë.

-Këtu shuanin etjen barinjtë dhe udhëtarët që kalonin. Dikur një çoban i këtyre anëve kthehet nga meraja dimërore dhe meqë kishte shumë ujë, bashkë me delet qëndronte pranë këtij burimi. Mushkën e tij e pickoi miza dhe vrapin e ndali te pusi, ku u mbyt. Ndaj e quajnë burimi i mushkës. Ai e tregoi aq rrjedhshëm dhe me aq pasion, sa të krijonte përshtypjen sikur kishte qenë dëshmitar i kësaj ngjarje. Është quajtur edhe pusi i grave. Kështu thoshin pleqtë e moçëm. Me energjinë e zhurmshme orët në kampingun pranë burimit të Lenies kalojnë në çaste të këndshme, të vogla në përmbajtje të tyre, por të mëdha nga kuptimi i kënaqësisë. Për të pasur një syshikim të gjerë, të apasionuarit e eksplorimit të natyrës u bien kryq e tërthor pyjeve, livadheve pa mbarim të malit të Valamares aq të dashura për qetësinë dhe freskinë, duke kapërcyer, shkëmbinjtë e trungjet e rrëzuara të pishave, gropa dhe brigje, gurë të copëtuar që thurin e thyejnë peizazhin këtu. Pa dyshim që në rrethana të tilla romantikën e shijon tej mase, rreth zjarreve, ku freskinë nuk e ndjen, por zhurmat ngjajnë me një zgjua blete që s’pushon as natën vonë, me këngët që çiltërsojnë gjendjen, si në një festë të bukur. Bota krijon aty ku s’ka, kurse banorëve të Lenies Natyra ua dhuroi me bujari burimin e ftohtë të Lenies, që është rrallë ta gjesh, si një bekim i saj, ndaj duhet ta njohim, ruajmë e të rritim më tej vlerat kurative e turistike. Sa më shumë që largohemi nga ky burim i ftohtë kurativ aq më shumë e ndjejmë veten të lidhur me ujin e tij të kristaltë.

Në malin magjik të Lenies, ku uji bën mrekulli për të sëmurët Read More »

Çështja “Balla”, bëhet nami në Parlamentin Europian. Gjithcka çfarë ndodhi

Çështja “Balla” është bërë problem para syve të politikanëve europianë.
Debati brenda politikës shqiptare ka kaluar kufirin dhe kësaj here është spostuar në Bruksel. Genc Pollo dhe Taulant Balla kanë ngritur tonet edhe në Parlamentin Europian.

Teksa Balla fliste përballë të pranishmëve, Genc Pollo kërkoi të merrte fjalën. Ndërkohë drejtuesja e Komisionit “kritikoi” Pollon, ndërsa ky i fundit bashkë me përfaqësuesit u larguan nga salla.

“Eurodeputetët e sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën. Eurodeputetët kerkojne zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës. Balla pasardhës i denjë i Tahirit në këtë Komision; si Tahiri të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues”, tha Pollo.

Pollo kërkon që komisioni të mos drejtohet nga Balla, ndërsa ka theksuar se kjo është e padenjë të jetë bashkëkryetar.

“Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi. Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Ne nuk mund të rrimë e të votojmë deklarata me thirrje kundër krimit te korrupsionit me Ballën në presidium. Eurodeputetët mund të mos kenë mekanizëm procedural për ta larguar Ballën. Por, siç e thanë, do zënë hundën me dorë e vazhdojnë një orë punë. Dhe po i kërkojnë llogari ekzekutivit të tyre për skandalet e shumta të Balles. Edhe pse kjo është hera e fundit me Ballën bashkëkryetar ne këtë parlament. Me Ballën shef delegacioni parlamentar sabotohet integrimi europian dhe silurohet hapja e negociatave vitin tjetër”, shtoi ai.

Drejtuesja e komisionit kërkoi nga deputetët e opozitës të respektojnë rendin e ditës, por theksoi faktin se me largimin nga mbledhja, deputetët tregojnë se janë kundër dialogut.

Po gjatë ditës së sotme ka patur reagime dhe kundër-reagime në distancë mes Ballës dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Balla deklaroi se Basha ka porositur deputetët e tij për të krijuar rrëmujë në Parlamentin Europian, ndërsa i bëri thirrje që të ishte i kujdesshëm, me qëllim për të ruajtur imazhin e vendit duke mënjanuar sulmet politike, të cilat sipas tij janë të pabaza.

Nga Brukseli Balla tha se betejat mes kampeve politike duhet të lihen në Shqipëri. Po ashtu Balla bëri deklaratën e fortë, ndërsa shtoi se nëse ndonjë nga akuzat që lëshoi deputeti i PD-së Genc Pollo është e vërtetë, ishte i gatshëm që t’i bëhet gjyqi në Luksemburg.

“Ne duhet të lëmë betejat tona në Shqipëri, dhe këtu të bashkojmë forcat me ju. Nëse 1% kaq është shumë 1 në 1 mln nga gjithcka sa tha z. Pollo jam gati të më bëhet gjyqi ne gjykaten e Luksemburgut”, tha ai.

“Ata duhet të votojnë bashkë me mua ligjin e Magjistraturës. Dy vite me parë votuam reformën në drejtësi. Ishte Kukan, Fleckenstain, por ka shumë ligje në parlament që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament kolegët ne parlament duhet të kuptojnë se nëse duan të vijnë në pushtet vihet me zgjedhje të lira. Ndryshimi nuk behet me marrëveshje por përmes votës se popullit dhe te kesh zgjedhjet e lira. Ndryshimi nuk behet me marrëveshje por përmes votës se popullit dhe te kesh zgjedhjet e lira ne thamë se duhet te bëjmë ndryshimet ne kodin zgjedhor. Drafti është këtu, unë dua t’ju jap një kopje gjithçka është aty nga A te ZH. Vettingu po vazhdon gjysma e tyre që e kanë kaluar, për fat të keq ose për fat të mirë. Faleminderit për angazhimin tuaj. Ju e doni vendin tim më shume se opozita jonë”, tha ai.

Çështja “Balla”, bëhet nami në Parlamentin Europian. Gjithcka çfarë ndodhi Read More »