Aktualitet

Jo më ndjekësa fallco, Instagram nis operacionin për heqjen e tyre

Kohët e fundit në rrjetet sociale, po vërehet fenomeni i rritjes së ndjekësve në mënyrë artificiale, nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme.

Që nga sot Instagram do të heqë pëlqimet, komentet dhe ndjekësit joautentike, nga llogaritë.

Kjo do të bëhet nëpërmjet disa programeve  të veçanta, të cilat do të identifikojnë këto llogari dhe do t’i heqin nga qarkullimi.

Sipas Instagram, kjo metodë është një sjellje e keqe dhe shkel gjithashtu udhëzimet dhe rregullat e përdorimit.

Instagram do tu dërgojë një mesazh këtyre llogarive për ti bërë me dije, se janë hequr komentet dhe ndjekësit joautentikë, si dhe do tu kërkohet që të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre.

Zakonisht, aplikacionet që përdoren për shtimin e pëlqimeve dhe ndjekësve joautentike, kërkojnë të dhënat personale të llogarisë. Përveç se shkelen rregullat e përdorimit, këto metoda ulin sigurinë e llogarive në Instagram.

Gjithashtu është identifikuar se disa persona pa dijeninë e tyre, mund të kenë ndarë të dhënat e logimit në Instagram dhe në momentin që marin mesazhe nga palë të treta, duhet të ndërrojnë fjalëkalimin, për të qenë të mbrojtur.

Jo më ndjekësa fallco, Instagram nis operacionin për heqjen e tyre Read More »

Siguria e digave, miratohet projektligji i marrëveshjes Shqipëri-EBRD

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në tërësi projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe EBRD.

Të ftuar për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), për financimin e projektit të përmirësimit të sigurisë së digës në hidrocentralin e Komanit, ishin zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari, Agim Bregasi, drejtor, Fatmir Elezi inxhinier i KESH dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë ishte Brikena Jazxhi.

Relatori i këtij projektligji Edmond Leka u shpreh se objektivat e projektit janë rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të sistemit elektroenergjetik shqiptar në kaskadën e lumit Drin dhe rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

“Rehabilitimi i digës së hidrocentralit të Komanit është realizuar duke u financuar nga marrëveshja nga marrëveshja e kredisë vetëm me 6.58 milionë euro, pjesa tjetër e marrëveshjes së huasë është e lirë dhe do të shërbejë për rehabilitimin e portave të shkarkimit të hidrocentralit të Komanit”, theksoi ndër të tjera në fjalën e saj, zëvendësministrja Çinari. Ky projektligj u miratua nen për nen dhe në tërësi.

Siguria e digave, miratohet projektligji i marrëveshjes Shqipëri-EBRD Read More »

Vogëlushi birësohet në Itali, gjyshërit e kërkojnë nipin e tyre 11 vjec: S’e marrim dot as me avokat

Një djalë me nënë rumune dhe baba shqiptar, tashmë është birësuar nga shtetas italianë. 2 gjyshër nga Laçi edhe pse në kushte tejet të vështira prej kohësh janë vënë në kërkim të nipit të tyre 11-vjeçar. Kjo dramë njerëzore është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ të moderatores Evis Ahmeti. Vogëlushi me emrin Kristian erdhi në jetë në 5 mars të vitit 2007 në Itali.

Nëna e tij është një shtetase rumune, ndërsa babai Gentjani ndodhej në Milano ditën që policia trokiti në derën e shtëpisë për të marrë vogëlushin pasi e ëma në gjendje të dehur e kishte dhunuar dhe britmat kishin alarmuar fqinjët. E ftuar në studion e emisionit është nëna e Gentjanit, e cila rrëfen momentet e vështira që prej vitesh po kalon familja e saj, pasi nuk dinë asgjë rreth fatit të nipin të saj.

Sipas saj, Gentjani pasi ka shkuar në shtëpi dhe ka mësuar atë që kishte ndodhur, është vënë në kërkim të të birit. Shteti italian e strehoi Kristianin në shtëpi fëmijësh, ai bisedonte dhe e shihte shpesh atë derisa përfundoi në burg për shkak të një ngatërrese me pasaportën. Bashkë me izolimin atij iu hoq dhe e drejta të kontaktonte me të birin. Në këtë periudhë nëna e vogëlushit ka dhënë dorëheqjen si prind dhe e ka lënë atë dhe fatin e tij në duart e shtetit. Pas shumë tentativash të dështuara për të hapur procese gjyqësore për të rimarrë të vogëlushin, nëna e Gentjanit kërkon të dijë sot se çfarë është bërë me nipin e saj.

“Ata ishin lidhur të vegjël, dhe bashkëjetuan për gati 2 vite. Vajza ngeli shtatëzënë. Pasi djali im iku në punë, bashkëjetuesja e tij e ka rrahur djalin dhe më pas ata i kanë marrë djalin, shërbimet sociale. Pasi u kthye djali im, e gjeti në qendër. E takoi për gati 2 vite djalin, hapi gjyqin dhe prapë se morëm dot. Nipi im ishte 3-4 vjeç. Madje dhe burri im shkoi në Itali, takoi një avokat. Edhe pse mori lekë avokati, se morëm dot. Për disa vite Gentjani e ka takuar. Kurse nëna firmosi dhe tha se hiqte dorë nga ai. Kur e ka takuar bashkëjetuesen Gentjani, i ka kërkuar shpjegime, por ajo kishte thënë se ishte e dehur dhe nuk mbante mend gjë. Djali im për shumë vite me radhë shkonte të takonte të birin. Por një ditë të premte djali im u vonua 5 minuta. Dhe kur shkoi atje, ata s’ja lanë dhe ai hyri me forcë. Kjo ishte një gafë, pasi hyri atje me forcë dhe më pas djalin ma arrestuan. Bëri 6 muaj burg. Dhe me gjyqe dhe më pas e liruam. Djalin e pa nga larg për gati dy vite se nuk e linte askush që t’i afrohej”, -tha nëna e Gentjanit.

Ndërkohë, pjesë e emisionit është bërë edhe gruaja e Gentjanit, Artjola, e cila tregoi se bashkëshorti i saj e vuante shumë faktin që nuk kishte dijeni për fatin e të birit. “Gentianin e kam pranuar si mashkull dhe i kam pranuar të gjitha këto gjëra. Gentjani është i prekur shumë, s’ja përmend dot se mërzitet. Se dimë se ku është ai fëmijë, dhe duam që ta takojë edhe babai i vet. Ne jemi të interesuar, por kemi qenë pa letra dhe me një fëmijë të vogël. S’kemi pasur shumë mundësi për avokat, por kemi marrë informacion se Kristjani është birësuar”, tha ajo.

Vogëlushi birësohet në Itali, gjyshërit e kërkojnë nipin e tyre 11 vjec: S’e marrim dot as me avokat Read More »

Shqipëria merr vlerësime nga UNESCO për trashëgiminë kulturore

UNESCO ka vlerësuar punën që po bën Shqipëria në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

Për të dytën herë brenda pak muajsh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, takim ky që u mbajt në Paris, në selinë e UNECO-s, aty ku është hapur ekspozita “Një dritare në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”.

“Audrey Azoulay jo vetëm një mikeshë e mirë, por edhe një dashamirëse e vëmendshme e Shqipërisë për kauzat tona të përbashkëta: Edukimin dhe Kulturën. Kënaqësi dhe nder që të merrja përgëzimet e saj në emër të UNESCO-s, për punën që po bën Shqipëria me Trashëgiminë Kulturore”, thotë ministrja Kumbaro.

Ekspozita dhe takimi me drejtoreshën Audrey Azoulay në selinë e UNESCO-s vjen në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Ekspozita u çel një ditë më parë nga ministrja e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Pjesë e kësaj ekspozite është një koleksion i ikonave bizantine, i piktorëve të rrallë shqiptarë. Me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, në mesin e muajit tetor u organizua në Shqipëri një aktivitet, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.

Pak mbi Shqipërinë në UNESCO…

Qyteti antik i Butrintit ishte pasuria e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992. Më pas vijoi puna me pranimin e Gjirokastrës, Beratit dhe Isopolifonisë. Aktualisht,  Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera. Është duke u shqyrtuar dosja për praninë në po këtë listë të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase. Miratimi pritet të ndodhë në sesionin e korrikut 2019. Më pas do të aplikohet për qytetin antik të Apolonisë, Amfiteatrin e Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës.

Ndërkaq, në bashkëpunim me UNESCO-n ka nisur puna për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit, i cili do të përfundojë vitin e ardhshëm./atsh

Shqipëria merr vlerësime nga UNESCO për trashëgiminë kulturore Read More »

Protesta e banorëve të “Astirit”, reagon Kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e zhvilluar në zonën e Astirit, duke theksuar se për këtë problematikë, do të bëj një shtjellim të plotë në Kuvendin e Shqipërisë.

“Qysh nga prishja e parë masive në Parkun Rinia, u desh të kalonin mbi 15 vjet prishje për interes publik, që të protestohet me kërkesën për dëmshpërblim për ndërtimet pa leje në shtratin e rrugës! E dini pse? Kjo s’thuhet me një tweet, meriton një shtjellim të plotë para Kuvendit!”, shkruan Rama. /atsh

Protesta e banorëve të “Astirit”, reagon Kryeministri Rama Read More »

‘Lazarati 2’/ Familjarët e të dënuarve sulmojnë gazetarët

Pasi Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi vendimin e Apelit për dënimin e të arrestuarve të dosjes “Lazarati 2”, situata në sallën e gjykatës ka dalë jashtë kontrollit.

Familjarët e të dënuarve, që nuk pajtohen me dënimet, të zemëruar sulmuan gazetarët e pranishëm, të cilët për t’iu shmangur konfliktit dolën jashtë.

Forcat e policisë që ishin të pranishme nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar këtë sulm.

Por, familjarët më pas kanë sulmuar edhe trupën gjykuese që dha vendimin. Këtu, policia ndërhyri për të ndalur përleshjen fizike.

‘Lazarati 2’/ Familjarët e të dënuarve sulmojnë gazetarët Read More »

Alarmi nga përmbytjet, rrezikojnë tre qarqe

Vlora, Gjirokastra dhe Elbasani rrezikohen nga përmbytjet për shkak të reshjeve të shiut, që kanë nisur ditën e sotme dhe pritet të vazhdojnë deri nesër.

Sipas parashikimeve të IGJEUM “sot pasdite dhe deri në orët e para të ditës së nesërme priten reshje intensive, deri lokalisht shumë intensive në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Kukës.”

Po ashtu IGJEUM thotë se mundësi për rrëshqitje të tokës do të ketë në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Elbasan dhe Berat.

Në zona të kufizuara të qarqeve, reshjet do të jenë në formë shtrëngatë, më të mundshme në terrenet malore.

Alarmi nga përmbytjet, rrezikojnë tre qarqe Read More »