Aktualitet

Parku i Viroit peizazh mahnitës nën magjinë e dëborës

Flokët e dëborës i kanë dhuruar një pamje mahnitëse parkut të Viroit, 3 km larg Gjirokastrës.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, ky Monument Natyre, i mbuluar nga petku i dëborës të magjeps me pamjen e tij.

Pjesë e guidave turistike të këtij qyteti ky Monument Natyre frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas e të huaj.

Moti i ftohtë me temperatura që zbresin nën zero gradë në pjesën më të madhe të vendit, ka risjellë këtë fillimvit reshjet e borës në zonën veriore, juglindore dhe jugore të vendit.

Në këto fotografi shfaqen peizazhet mbresëlënëse të këtij parku, që gjatë sezonit turistik të verës mbledh qytetarë të shumtë gjirokastritë për të kaluar disa orë larg monotonisë së përditshme.

Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës edhe gjatë stinës së dimrit këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./atsh

Parku i Viroit peizazh mahnitës nën magjinë e dëborës Read More »

Nga veriu në jug, spitalet dhe qendrat shëndetësore në gatishmëri

Prej disa ditësh, vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura dëbore shoqëruar me ulje temperaturash dhe ngricash gjë që ka vështirësuar qarkullimin dhe ka krijuar kufizime për komunitetin në disa prej qarqeve në vendin tonë.

Të gjitha strukturat shtetërore, mbi dy mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, punonjës të OSSHE dhe të shëndetësisë janë në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë banorëve, për çdo problem.

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bën të ditur se nga veriu në jug, jo vetëm spitalet por edhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin janë në gatishmëri për të përballuar rastet emergjente që mund paraqiten në zonat e prekura nga dëbora.
Krahas gatishmërisë së ekipeve mjekësore, edhe ekipet e shërbimit social janë në terren për të mbështetur familjet në nevojë. /atsh

Nga veriu në jug, spitalet dhe qendrat shëndetësore në gatishmëri Read More »

Presidenti Hashim Thaçi: Në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë

Presidenti Hashim Thaçi tha se në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë, në saje të sakrificës së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982.

“Ndërkaq, sot e 35 vjet më parë, në një qëndresë heroike përballë aparatit policor serb e jugosllav, ranë trimërisht dy veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Rënia e tyre u bë motiv shtesë për brezat që kishin ideal çlirimin e Kosovës. Lavdi heronjve të Janarit”, tha Thaçi./KosovaPress

Presidenti Hashim Thaçi: Në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë Read More »

Rama: “Shpresojmë në çeljen e negociatave në 2019”

“Ne shpresojmë që ky vit të kurorëzojë një proces që duhet të ishte bërë vitin e shkuar dhe bashkë me zgjedhjet europiane të mbarojë edhe kushtëzimi i çeljes së negociatave të Shqipërisë”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, Kryeministri Rama u shpreh se “patjetër që çelja e negociatave është një sfidë e jona”.

“Ne morëm ftesën pa kushte nga BE dhe pastaj morëm një shtyrje të procesit, por me mirëkuptimin që të fillojë procesi ‘screening’, njëlloj si të kishim hapur ‘de facto’ negociatat. Ne i kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë detyrat e shtëpisë, pasi ky është një proces që nuk mbaron. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, – tha Rama.

Por, sipas tij, “jemi po kaq të qartë edhe për faktin se disa vende të mëdha i kanë të gjitha instrumentet t’i thonë gjërat si duan dhe t’i ndryshojnë fjalët si të jetë nevoja”.

“Dhe duke qenë të mëdha, dhe duke pasur shumë më tepër fuqi për t’i komunikuar gjërat, patjetër që nuk është problemi më i madh se çfarë pasojash krijon kjo te një vend si i yni, apo si Kosova, që i është premtuar liberalizimi i vizave dhe fjala nuk është mbajtur. Apo si Maqedonia që ndërroi emrin dhe ende sot është në të njëjtën pozitë si ne. Unë shpresoj shumë që burimet tona të mëdha të frymëzimit, vendet tuaja të BE-së, të jenë burime shtyse dhe energjie pozitive që ne të çelim negociatat dhe të shkojmë më tutje”, – tha Rama. /atsh

Rama: “Shpresojmë në çeljen e negociatave në 2019” Read More »

KLGj pezullon nga detyra gjyqtarin Roland Hysi

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, i cili u arrestua pas publikimit të denoncimit ndaj tij, ku shfaqej në një video, teksa merrte ryshfet dhe i kërkonte favore seksuale një gruaje, që ishte në proces gjyqësor për kujdestarinë e vajzës.

Përmes një njoftimi KLGJ bën me dije se “menjëherë sapo u njoh me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi me unanimitet në mbledhjen e datës 10.01.2019, pezullimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Roland Hysi”.

“Gjatë mbledhjes anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, shprehën vendosmërinë për të luftuar pa asnjë kompromis çdo akt apo sjellje që diskrediton rëndë figurën e gjyqtarit. Duke pasur si objektiv parësor rikthimin e besimit të publikut tek gjyqësori. Këshilli i Lartë Gjyqësor do vijojë pa kompromis betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit”, thuhet në njoftim. /atsh

KLGj pezullon nga detyra gjyqtarin Roland Hysi Read More »

Vlorë – Policia ndalon 18-vjecarin

Një 18-vjeçar i cili rezultonte i shpallur në kërkim për plagosje me dashje është arrestuar gjatë ditës së sotme në Vlorë. Sipas policisë, në pranga ka rënë E. B., 18 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu për post veprës penale të plagosjes, ndaj të riut rëndonte edhe një akuzë e dytë, që lidhej me “Mbajtjen pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Njoftim i Policise:

“Policia e Vlorës ka bërë ndalimin e shtetasit në kërkim, E. B., 18 vjeç, banues në Vlorë. Shërbimet e Policisë kanë bërë ndalimin e tij për arsye se Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me vendimin nr.321, datë 17.11.2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për nenet 88/1 dhe 278/1 të Kodit Penal.”

Vlorë – Policia ndalon 18-vjecarin Read More »

Problematike situata në zonën e lumit të Vlorës

Moti i keq në Shqipëri,ngricat,dëbora,temperaturat e ulta dhe së fundmi reshjet e shiut kanë sjellë problematika të shumta.
Në zonën e Lumit të Vlorës situata vijon të jetë e rëndë.
Rikthimi i rreshjeve dhe temperaturave të ulta në fshatin Kuç të Vlorës ka detyruar Shtabin e Emergjencave Civile të marr masa për sistemimin e një nga familjeve më të prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë. Forcat e Armatosura kanë pajisjur familjen me çadër ushtrie, ku do të sistemohet provizorisht deri në përfundim të procesit të evidentimit të dëmit. Në terren prefekti, Flamur Mamaj, tha se situata po monitorohet hap pas hapi.

Në terren kanë mbërritur edhe grupi i punës së bashkisë së Himarës, i cili po punon për evidentimin e dëmeve tha Mamaj.

Aktualisht, në Kuç të Vlorës, por edhe në gjithë zonën e lumit të Vlorës vijojnë temperaturat e ulta shoqëruar me rreshje shiu e dëbore. Ndërkohë, pas sistemimin provizor pas tërmetit ka rifilluar normalisht mësimi në shkollën e fshatit, Memo Meto. Aktualisht dëmet e shkaktuara nga tërmeti janë: 113 në Kuç, 1 në Bolen, 1 në Vranisht .60 janë të banuara dhe 7 në gjendje kritike.

Problematike vijon të jetë situata sa i përket furnizimit me energji elektrike, kjo e fundit mungon prej disa orësh për shkak të motit të keq në zonë. Akset lidhëse mes fshatrave janë të kalueshme edhe pse bëhet apel për vigjilenc dhe përdorim të zinxhirëve nga drejtuesit e mjeteve .

Problematike situata në zonën e lumit të Vlorës Read More »

Aplikimet për pasaporta dhe karta ID për emigrantët, nëpërmjet platformës “SHKO”

Viti 2019 shënon mbarimin e vlefshmërisë së letërnjoftimit ID të prodhuar në vitin 2009.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme informon shtetasit që jetojnë në Greqi, Itali, SHBA, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani se rinovimin e letërnjoftimit apo pasaportës mund ta kryejnë nëpërmjet platformës së Shërbimeve Konsullore Online.
Dokumentacioni i nevojshëm për ata që aplikojnë për herë të parë dhe që janë mbi 16 vjeç kërkohet, pasaportë e modelit të vjetër, leje për drejtim automjeti, model elektronik (model i ri), nëse ka dhe një dokument tjetër mbështetës i vlefshëm me fotografi lëshuar nga vendi pritës (nëse ka).

Për Pajisjen me pasaportë biometrike për shtetasit nën 16 vjeç e cila ka vlefshmëri 5 vjet kërkohet certifikatë familjare, certifikatë lindjeje, pasaportë e modelit të vjetër (nëse ka) dhe dokument tjetër mbështetës i vlefshëm me fotografi lëshuar nga vendi pritës (nëse ka).
Për ata që i ka skaduar pasaporta dhe karta e identitetit nevojitet pasaporta dhe karta e identitetit e skaduar.

Ndërsa për personat që u ka humbur vetëm pasaporta, bëhet ripajisje kur ka humbur vetëm pasaporta. Për këtë nevojitet karta e identitetit shqiptare, dokument tjetër i vlefshëm me fotografi lëshuar nga vendi pritës dhe/ose, pasaportë e modelit të vjetër certifikatë familjare dhe/ose, certifikatë lindjeje. Po ashtu nevojitet denoncimi për humbjen e pasaportës në organet policore të vendit ku ka ndodhur humbja (legalizuar dhe përkthyer).

Në rastet kur shtetasi ka humbur pasaportën dhe kartë identiteti bëhet ripajisja duke paraqitur pasaportën e modelit të vjetër dhe/ose leje për drejtim automjeti, model elektronik (model i ri) dhe/ose, dokument tjetër i vlefshëm me fotografi lëshuar nga vendi pritës, denoncimi për humbjen e dokumentit (kartë identiteti dhe pasaporta) në organet policore të vendit ku ka ndodhur humbja.

Në rastet kur shtetasi ka dëmtuar pasaportën bëhet ripajisje, kur duhet zëvendësuar pasaporta e dëmtuar ose kur janë plotësuar të gjithë fletët e saj. Për këtë nevojitet pasaporta dhe karta e identitetit të dëmtuar.

Sa i përket procedurës për kartën e identitetit dhe pasaportën (për shtetasit mbi 16 vjeç) nevojitet paraqitja personale dhe verifikimi i identitetit. Konfirmimi i të dhënave me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Marrja e fotos dixhitale. Skanimi dhe marrja e shenjave të gishtërinjve. Depozitimi i nënshkrimit elektronik. Rimarrja e shenjave biometrike për tërheqjen e ID

Ndërsa sa i përket procedurës për pasaportë biometrike (për shtetasit nën 16 vjeç) nevojitet paraqitja personale (shtetasi nën 16 vjeç shoqërohet të paktën nga njëri prind, ose nga kujdestari ligjor ose nga një përfaqësues i caktuar me prokurë të posaçme) dhe verifikimi i identitetit. Konfirmimi i të dhënave me Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile; Marrja e fotos dixhitale. Skanimi dhe marrja e shenjave të gishtërinjve. Depozitimi i nënshkrimit elektronik (nënshkruan prindi kur femija nuk mund të shkruajë)

Tarifa e shërbimit Karta ID Pasaporta Biometrike
1) Greqi, Itali: 12 euro 1) Greqi, Itali: 130 euro
2) Bruksel: 16 euro 2) Bruksel: 170 euro
3) Angli: 13 paund 3) Angli: 144 paund
4) Mynih: 16 euro 4) Mynih: 170 euro
5) SHBA: 18 $ 5) SHBA: 240 $

Për pasaportat dhe kartat e reja të identitetit aplikohet në ambasadat e Shqipërisë në Athinë; Romë; Londër; Bruksel dhe në Konsullatat e Përgjithshme: Selanik; Milano, Mynih.

Po ashtu mund të aplikohet në zyrat konsullore: Pranë Misionit të RSH-së, Nju Jork.
Afatet e përgjigjes janë 20 deri 30 ditë

Nëse një shtetas ka bërë aplikimin për ID në Shqipëri dhe nuk e ka tërhequr dot për arsye të ndryshme, atëherë ai duhet të paraqitet në një nga përfaqësitë, të bëjë një deklaratë para konsullit për anullimin e aplikimit të bërë në Shqipëri dhe lejohet të aplikojë vetem pas marrjes së miratimit nga ALEAT.

Për fëmijet tërheqja e pasaportës bëhet nga prindi, kujdestari ligjor ose nga një përfaqësues i caktuar me prokurë të posaçme)./atsh

Aplikimet për pasaporta dhe karta ID për emigrantët, nëpërmjet platformës “SHKO” Read More »