Aktualitet

Tragjedia në aksin Shkup-Tetovë, Rama: Jemi pranë familjarëve dhe vendit mik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përmbysjes së një autobusi në autostradën Tetovë-Shkup në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 13 persona.

Kryeministri Rama shprehu ngushëllimet dhe keqardhjen për familjet duke shkruar: “Pikëllim për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, ku numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik”.

Disa prej të plagosurve në gjendje kritike janë dërguar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” të Shkupit dhe në spitalin ushtarak “8 Shtatori”./atsh

Tragjedia në aksin Shkup-Tetovë, Rama: Jemi pranë familjarëve dhe vendit mik Read More »

Gjermania një ndër 7 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi të martën në mbrëmje në Tiranë, pritjen e përvitshme për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi se Gjermania është një ndër 3 partnerët strategjikë të Shqipërisë, një nga 7 investitorët më të mëdhenj në vend, me një portofol prej 123 milionë euro dhe për këtë arsye, shteti shqiptar e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me komunitetin gjerman të biznesit.

Sipas saj, DIHA po luan një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij bashkëpunimi.

Pasi përmendi arritjet e deritanishme, ajo vuri në dukje se Qeveria shqiptare është e angazhuar fuqimisht në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, si dhe në mirëpritjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri.

Rritja e eficiencës së Administratës Tatimore dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet reformave në drejtim të konsolidimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit, janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ajo ftoi investitorët gjermanë të vijnë në Shqipëri, duke ofruar mbështetje maksimale nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ndërsa Ambasadorja Gjermane, Susanne Schütz, theksoi se, “Shqipëria ka një potencial ende të pashfrytëzuar në shumë fusha, para së gjithash në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme, bujqësisë moderne dhe shërbimeve. Ne shohim tashmë një interes të shtuar të sipërmarrjeve gjermane për Shqipërinë.

Jam e sigurt se ky interes do të rritet dhe konkretizohet më tej, dhe aq më tepër që Shqipëria po përgatitet për fazën e ardhshme të Procesit të Integrimit Europian.”

Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, në fjalën e saj përmendi faktin se Shqipëria ka hedhur hapa pozitivë në shumë drejtime, por ende mbetet shumë për t`u bërë.

Ajo theksoi se është momenti të tregohet veçanërisht kujdes në drejtim të përmirësimit të kushteve në vend, me qëllim që të frenohet vrulli i emigracionit./atsh

Gjermania një ndër 7 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri Read More »

Lleshaj: Vendim kriminal i gjyqtarëve për Dajtin, autorët të përballen me drejtësinë e vërtetë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh sot se, përgjigjja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore, për çështjen “Dajti”.

Në një konferencë për median, Lleshaj tha se, “48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre. Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor”, – tha ministri Lleshaj.

Ai deklaroi se, “operacioni ‘Forca e Ligjit’ është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit”.

“Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të popullit të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë”, – theksoi Lleshaj.

Ministri i Brendshëm u shpreh se personat me profil të lartë kriminal, në shumicën e tyre, janë sot prapa hekurave, si rezultat i vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe i një policie të reformuar dhe të motivuar për të imponuar fuqinë e ligjit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese.

Ata që krijuan kushte dhe lejuan rritjen kriminelëve me profil të rrezikshëm, dhe që jo rrallë u bënë njësh me ta, sot lajnë duart, madje përpiqen të krijojnë dhe kapital politik. Por qytetarët shqiptarë i njohin mirë, si arkitektët e djeshëm të një sistemi pa drejtësi, ashtu dhe perspektivën e pashmangshme të një reforme historike në drejtësi, e cila po thellohet falë vullnetit tonë të palëkundur, por që nuk mund të quhet e kryer, përderisa raste si ky i fundit, na dëshmojnë se ende njerëz të çartur, pa fe e atdhe, të veshur me petkun e së drejtës çmenden përpara parave të krimit.
Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Lleshaj siguroi qytetarët se përgjigjja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore.
“Unë siguroj qytetarët shqiptarë dhe familjarët e dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë, ligjore, në përpjesëtim të drejtë dhe në respekt të plotë me thirrjen që buron nga amaneti i atyre burrave të Policisë së Shtetit shqiptar që dhanë jetën për një Shqipëri më të sigurt dhe më drejtë.”, deklaroi Lleshaj./atsh

Lleshaj: Vendim kriminal i gjyqtarëve për Dajtin, autorët të përballen me drejtësinë e vërtetë Read More »

Vijon konkursi “Infermierë Për Shqipërinë”

Pas publikimit të listës së kandidatëve, në disa qytete po zhvillohet sot konkursi “Infermierë Për Shqipërinë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bën të ditur se pas testimit për qarqet e veriut, aktualisht po zhvillohet konkursi për infermierë i qarqeve Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Berat dhe Gjirokastër.

Manastirliu shton se “Infermierë Për Shqipërinë”, është platformë transparente e punësimit mbi bazë meritë të infermierëve dhe profesionistëve të shkencave mjekësore teknike në sistemin shëndetësor publik.

Dy ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi listat mbi rezultatet e verifikimit të kandidatëve që kanë aplikuar dhe janë kualifikuar për të marrë pjesë në testimin që po zhvillohet për profesione të shkencave të mjekësisë, sipas profileve dhe rretheve.

Ndërkaq një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije përfundimin e konkursit për infermierët e qarqeve Tiranë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Dibër, me rezultatet që u shpallën në kohë reale. /atsh

Vijon konkursi “Infermierë Për Shqipërinë” Read More »

Rrëfimi i gruas që hapi bibliotekën e parë për fëmijë në Prizren

Shtëpia e saj ngjan si një muze, e përveç rekuizitave, aty ruhen me fanatizëm edhe kujtime të shumta.

Myzejen Hoxha, e njohur si tezja Xene, konsiderohet si gruaja që hapi bibliotekën e parë shqipe për fëmijë në Prizren.

Ajo mban mbi supe tetë dekaka, por vitet e shumta nuk ia kanë zbehur shikimin e as dëshirën për lexim.

Ani pse nuk pati fëmijë, jetën e saj ia kushtoi fëmijëve të tjerë dhe librave. E historia e saj me librin u vulos në vitin 1956, kur ajo hapi bibliotekën për fëmijë me vetëm katër tituj shqip.

“56-shin, më një maj, u lajmërova unë në Kuvend, edhe ata thanë do me çelë një bibliotekë të fëmijëve? Edhe unë u pajtova edhe u hap biblioteka e fëmijëve, hera e parë, nuk ka pas bibliotekë të fëmijëve, ka pasur për të rritur, por për fëmijë jo”, tregon Hoxha.

“Kur pranvera vonohet”, “Lulet e Shingjergjit”, “Për ty” dhe “Lugjet e verdha”, ishin katër tituj shqip që i hapën rrugë bibliotekës shqipe për fëmijë. Ani pse nuk ishin tituj shumë të përshtatshëm për fëmijë, Hoxha thotë për KosovaPress se nuk kishin mundësi të tjera.

Por kjo bibliotekë u bë ndihmesë edhe për shkollat fillore, të cilat nuk kishin biblioteka të vetat.

“Në realitet ne nuk kishim kurrfarë librash, pastaj kur erdhëm këtu, do të thotë u bë 74-shi, u ndërrua politika, filluan shkrimtarët tanë të shkruajnë libra, ne merrnim libra nga ta, kështu që shtatë shkolla tetë vjeçare merrnin libra, lektyra, biblioteka nuk kanë pas shkollat, dhe merrnin këtu”, thotë ajo.

Me kalimin e kohës, përveç huazimit të librave, Hoxha tregon se në këtë bibliotekë filluan të mbaheshin edhe orë letrare e aktivitete të ngjashme për fëmijë.

Por pas 36 viteve punë si bibliotekiste në Prizren, Myzejen Hoxha dha dorëheqje në vitin 1992, sepse nuk donte ta pranonte sistemin serb.

“Kur u bë 92-shi, vjen njëri e i thotë vëllait, nesër do të vijnë për nënshkrime, kush është për Serbinë, e kush nuk është. Edhe vjen vëllai e më tregon, më thotë Xene, se mua më thërrasin të gjithë Xene, emrin e kam Myzejen, veç kështu popullorçe jam Xene. (Vëllai) thotë, shih, duan të vijnë për nënshkrime, a je e gatshme. Kush, për Serbinë, jo ore, nuk e qes, dal prej pune, edhe erdha i thashë drejtorit, prej nesër nuk dal në punë, e kemi pas drejtorin serb”, thotë Hoxha.

Vitet kaluan, e Hoxha nuk u kthye më për të punuar në bibliotekë, edhe pse pas përfundimit të luftës në Kosovë, pati propozime të tilla.

Tash ajo e viziton shpesh bibliotekën, por vetëm si lexuese e rregullt. Sikur të gjithë anëtarët e tjerë, ajo kohë pas kohe shkon e merr libra në bibliotekë, e kartela e saj e anëtarësisë e tregon më së miri interesimin e saj për lexim.

Hoxha shprehet e lumtur që sot bibliotekat janë plot libra, por sipas saj, vullneti i fëmijëve për lexim është zbehur.

“Tash më bëhet zemra mal me këto libra që janë bërë bibliotekat, janë mbushur me libra, vetëm se nuk kanë lexues sikurse kemi pasur ne, se atëherë nuk kanë qenë këta kompjuterat, fëmijët kanë ardhur e kanë lexuar, e unë e kam pasur një të “keqe”, kur fëmijët ma kthenin librin, e pyesja a e ke lexuar. Kur e vërej që nuk e ka lexuar, ia shtoja edhe dhjetë ditë”, rrëfen Hoxha.

Myzejen Hoxha u lind në vitin 1939 në Kukës të Shqipërisë, e më pas bashkë me familjen u zhvendos në Prizren. Shkollimin e mesëm e kreu në drejtimin për bibliotekiste, e po ashtu ndoqi kurse të kësaj natyre në Prishtinë e Beograd. Bashkë me Lili Berishën, hapi bibliotekën e parë për fëmijë në kuadër të bibliotekës së komunës së Prizrenit. Myzejen Hoxha aktualisht jeton në Prizren.

Përndryshe, biblioteka e parë në Kosovë konsiderohet biblioteka e Suzi Qelebiut, që u hap në Prizren në vitin 1513. Mirëpo, funksioni i kësaj biblioteke ishte i lidhur me misionin e bashkësive të kultit.

Ndërkaq, biblioteka e parë shqipe u hap në Prizren, në vitin 1944, si institucioni i parë publik bibliotekar, ndërsa pas dy vitesh u bartë në Prishtinë, e sot njihet si Biblioteka Kombëtare e Kosovës. /kosovapress

Rrëfimi i gruas që hapi bibliotekën e parë për fëmijë në Prizren Read More »

Historia tragjike e 13-vjeçares në Kavajë. Si nisi historia (video)

Përdh.unimi i 13-vjeçares nga bashkëmoshatarët e saj në Kavajë është padyshim një nga çështjet më të rënda të ndodhura në Shqipëri.

Kjo çështje është trajtuar në emisionin “Open”, ku janë dhënë edhe detaje nga dosja hetimore.

Në këtë video zbulohen rrethanat se si nisi e gjithë historia./Top Channel

Historia tragjike e 13-vjeçares në Kavajë. Si nisi historia (video) Read More »

Moti – Ja si pritet të ndryshojnë temperaturat

Ky është parashikimi i motit për ditën e sotme, e premte 8 shkurt 2019.

Dita përgjithësisht do të paraqitet e kthjellët, kjo për shkak të masave ajrore të qëndrueshme dhe të ftohta, ndërsa kalime vranësirash të lehta do të regjistrohen në zonat jugore-juglindore, por pa reshje.

Pasditja dhe mbrëmja mbeten me kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë vendin.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit janë ulur në mëngjes dhe mesditë, duke luhatur vlerat ekstremale ditore nga -4°C në 14°C.

Era do fryjë e lehtë me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke krijuar në det dallgëzim 2 ballë.

Moti – Ja si pritet të ndryshojnë temperaturat Read More »

Shalsi: Ndryshimet ligjore formalizojnë dhe zhvillojnë sektorin e peshkimit

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit se me ndryshimet në ligjin për peshkimin, është bërë realitet mbështetja për formalizimin dhe zhvillimin e sektorit, që nuk u bë për 8 vite kur qeveriste opozita.

Duke folur mbi ndryshimet në ligjin “Për peshkimin”, Shalsi theksoi se, përmirësimet ligjore i shërbejnë formalizimit edhe të sektorit artizanal dhe ndalimit të peshkimit të paligjshëm

Ndërsa politikat dhe mbështetja që ka adresuar qeverisë ndaj peshkimit, theksoi ai, e ka futur sot këtë sektor në rrugën e formalizimit të plotë.

“Në kohën kur ishte në qeverisje opozita, anijet e peshkimit furnizoheshin me karburant jashtë vendit, ndërsa sot heqja e TVSH për karburantin e peshkimit barazoi standardet e këtij sektori me ato të rajonit e më gjerë. Ne i dhamë fund, furnizimit me karburant të anijeve të peshkimit jashtë vendit. Ndërkohë që industria e përpunimit të peshkut është shumë herë më e formalizuar se para 8 viteve”, -tha Shalsi.

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes renditi gjatë fjalës së tij se, heqja e TVSH për pajisjet e peshkimit, mbështetja me financim përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, dhe kalimi i menaxhimit të portit peshkimit Durrës tek Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit Durrës, janë politika që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori dhe do të vijojnë edhe në të ardhmen./atsh

Shalsi: Ndryshimet ligjore formalizojnë dhe zhvillojnë sektorin e peshkimit Read More »