Aktualitet

Cakaj: Në asnjë rrethanë s’e kam mbështetur ndryshimin e territoreve Kosovë-Serbi

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gent Cakaj gjatë një interviste në emisionin opinion në Tv Klan, të mërkurën në mbrëmje bëri të ditur se nuk ka mbështetur në asnjë rrethanë ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ligjërisht nuk ka asnjë rol në negociatat mes palëve.

“Jam akuzuar për një opozicion politik, për një projekt që s’e kam mbështetur në asnjë rrethanë, flas për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Unë s’jam as pjesë e ekipit negociator të Kosovës e s’jam as nënshkrues potencial, apo më tej.

Këto komente kanë ardhur prej mendjeve të ngushta politike. Qoftë nga pikëpamja politike, unë e kam konfirmuar atë që thotë Presidenti, unë për atë marrëveshje nga pikëpamja juridike s’kam asnjë rol.

Unë në çfarëdo rrethane me Presidentin e Republikës nuk do të replikoj publikisht dhe do shpreh konsideratat maksimale.

Ai është përfaqësues i unitetit kombëtar. Vërejtjet ndaj tij do t’i bëj vetëm në kanalet institucionale. Shembullin e fundit të bashkëpunimit të suksesshëm ishte sot, ku emëruam ambasadorin e ri të vendit në Spanjë”, tha Cakaj. /atsh

Cakaj: Në asnjë rrethanë s’e kam mbështetur ndryshimin e territoreve Kosovë-Serbi Read More »

“Bindja Demokratike” regjistrohet në KQZ për zgjedhje, Patozi: Alternativë e re

“Bindja Demokratike”, tashmë është zyrtarisht partia më e re në Shqipëri, e cila më 30 qershor 2019 do të hyjë në garën elektorale.

Astrit Patozi zyrtarizoi partinë “Bindja Demokratike” duke e regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe në KQZ nga ku kanë dorëzuar edhe 1000 firma më shumë nga 3000 që kërkohen.

Fabian Topollaj dorëzoi në KQZ edhe regjistrimin e kësaj force politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa sot është afati i fundit i vendosur nga KQZ për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet lokale.

“Shqipëria do të ketë prej sot një parti opozitare më shumë”, thuhet në deklaratën e “Bindjes Demokratike”.

“Vendimi erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e para të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj. Nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit”, thuhet në njoftimin e partisë së re opozitare.

Anëtarë të këtij bordi do të jenë: Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi.

Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka theksuar se kjo parti politike ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik. “Bindja Demokratike” është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri. Ajo ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik”, – thekson Patozi.

Sipas tij, “Bindja Demokratike” është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri”.

“Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët. Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri”, – shtoi Patozi.

“Ndryshimi i sistemit dhe çlirimi i zgjedhjeve, kauza jonë, sistemi ynë politik bazohet tek garancia që dy rivalët kryesorë në vend i kanë dhënë njëri-tjetrit, për të nënshtruar çdo ide apo frymë demokratike brenda kampeve të tyre. Ilustrimi më i mirë për këtë ishte marrëveshja okulte e dy vjetëve më parë mes kryetarëve të dy partive të mëdha”, vijon ai.

Sipas Patozit, janë tre prioritetet e Bindjes Demokratike. “Bindja Demokratike i ka vendosur vetes këto objektiva afatshkurtra në rrugëtimin e saj politik: E para, vendosmëria për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sistemi politik shqiptar duhet të çlirohet nga kontrolli i dy partive të mëdha dhe nga avantazhi i frikshëm i qeverisë, sa herë shkohet për të votuar”, – shton ai. “Në këtë pikë ne mbështesim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për depolitizim të komisioneve zgjedhore dhe avancimin drejt numërimit elektronik të votave, si një mënyrë për të lehtësuar procesin nga ushtria e trafikantëve dhe pagesat e zeza, të cilat e ndryshojnë rezultatin edhe gjatë administrimit të zgjedhjeve”, – vijon Patozi.

“Ne jemi, gjithashtu, për ndryshimin e sistemit zgjedhor në një periudhë më afatgjatë, ku kandidatët të kenë mundësi të marrin mbështetje popullore dhe jo vetëm mbështetje nga kryetari i partisë. Ligji i dekriminalizimit dhe vetingu i politikanëve është një premisë pozitive për t’i mbajtur larg elementët kriminalë nga zgjedhjet dhe kjo duhet të na inkurajojë për t’i lënë më shumë hapësira shqiptarëve të zgjedhim një listë të filtruar nga politika”, – thekson ai.

“Së dyti, Bindja Demokratike identifikon si problem të madh për Shqipërinë polarizimin ekonomik dhe krijimin e një hendeku të thellë mes një shtrese të varfër dhe një grupi njerëzish të pasuruar në mënyrë abuzive. Bindja jonë është se polarizimi ekstrem ekonomik i Shqipërisë është pasojë e korrupsionit në qeverisje. Por po ashtu, ne jemi të bindur që oligarkët më të mëdhenj në vend janë politikanët më të rëndësishëm. Korrupsioni ka prodhuar një Shqipëri që ka 10 për qind milionerë dhe 90 për qind mbijetues. Kjo do të thotë se pa një betejë kundër korrupsionit politik dhe atij shtetëror vendi nuk mund të ketë kurrë barazi sociale. Së treti, vendi ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në ofertat e oligarkëve, por në një vizion të qëndrueshëm, që bazohet tek pasuritë kombëtare dhe mundësitë reale të shqiptarëve për t’i bërë ato efikase. Vendi duhet të ketë prioritete të zhvillimit kombëtar, që nuk duhet të ndryshojnë sipas orekseve të qeverive të kapura nga korrupsioni”, – shton ai”. /j.p/

“Bindja Demokratike” regjistrohet në KQZ për zgjedhje, Patozi: Alternativë e re Read More »

Rama: Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen, koalicioni opozitar vetëvrasje politike,

“Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa e konsideroi krijimin e koalicionit kundër zgjedhjeve “një tjetër formë të padëgjuar vetëvrasjeje politike, pas djegies së mandateve”.

Rama komentoi vendimin e partive të koalicionit opozitar, të cilat nënshkruan sot një marrëveshje për krijimin e një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

“Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s’e marrin dot peng. Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki”, – tha Rama./m.m/j.p/

Rama: Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen, koalicioni opozitar vetëvrasje politike, Read More »

Meta apel të rinjve: Rikthehuni fuqishëm tek libri dhe leximi, lërini kafenetë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave Autoriale ka apeluar për rikthimin e të rinjve drejt librit dhe leximit.

“Libri është jo vetëm miku më i mirë, por edhe dashuri e madhe e të gjitha kohërave. Është e trishtueshme të shohësh sot biblioteka bosh dhe kafene të mbushura plot me të rinj, por asnjëherë nuk është vonë t’i orientojmë ata drejt librit dhe t’u kujtojmë se vetëm dija mund të pasurojë dhe të ndryshojë jetët e tyre”, shprehet Presidenti Meta.

“Rikthehuni fuqishëm tek libri dhe leximi, për plotësimin e dijeve dhe ëndrrave tuaja, është ky apeli im për të gjithë të rinjtë e të rejat, sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave Autoriale”, thekson Presidenti Meta./atsh

Meta apel të rinjve: Rikthehuni fuqishëm tek libri dhe leximi, lërini kafenetë Read More »

Ministria e Brendshme: Regjistroni vendbanimet tuaja reale pa marrë gjobë deri më 10 maj

Të gjithë qytetarët që ende nuk kanë bërë regjistrimin e tyre të vendbanimit, kanë ende dhe 17 ditë kohë ta realizojnë këtë procedurë pa u gjobitur.

Ministria e Brendshme përmes një njoftimit, publikuar të martën, kujton të gjithë qytetarët shqiptarë mbi pezullimin e masës administrative gjobë, për ata që realizojnë regjistrimin në vend banesat e tyre brenda datës 10 maj 2019

“KUJTESË mbi pezullimin e masës administrative/gjobë për të gjithë shtetasit që nuk e kanë bërë regjistrimin e vendbanimit aty ku banojnë realisht”, thekson ministria e Brendshme në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, qytetarëve do tu duhen vetëm dy dokumente për të bërë regjistrimin e vendbanimit të tyre. “Pezullimi i masës administrative zgjat deri në datë 10 maj 2019. Për të bërë regjistrimin FALAS, qytetarët duhet të dorëzojnë pranë zyrave të Gjendjes Civile këto dokumente: Dokument i pronësisë, ose kontratë qiramarrje/huadhënie/përdorimi apo banimi (fotokopje e noterizuar) Fotokopje e Kartës së Identitetit për çdo person mbi 16 vjeç”, përfundon njoftimi. /atsh

Ministria e Brendshme: Regjistroni vendbanimet tuaja reale pa marrë gjobë deri më 10 maj Read More »

Lëkundje tërmeti në Tiranë

Lëkundje tërmeti u ndjenë mesditën e sotme në Tiranë dhe në zonat përreth.

Tërmeti i rënë në orën 10:58 ishte me magnitudë 3.8, me thellësi 10 km nën tokë, ndërsa epiqendrën e ka pasur rreth 13 km në Perëndim të Krujës dhe 28 km në veriperëndim të Tiranës.

Lëkundjet e tërmetit ishin të lehta dhe deri tani nuk ka njoftime për dëme materiale./atsh

Lëkundje tërmeti në Tiranë Read More »

Basha: Hapi i parë, kthimi i vendimmarrjes së shqiptarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot pas firmosjes së marrëveshjes me partitë e koalicionit të bashkuar opozitar se, hapi i parë është kthimi i vendimmarrjes së shqiptarëve.

“Nuk do të lejojmë që vullneti i shqiptarëve të drejtohet nga krimi që më pas prodhon një parlament fals, një qeveri false”, – tha ai.

“Kemi përfunduar paraditen e sotme nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit opozitar për zgjedhjet e ardhshme. Në orët dhe ditët në vijim, ky koalicion do të shtohet me radhët e të tjerë aktorëve”, – u shpreh Basha për mediet.

“Angazhohemi për çuarjen përpara të reformës në drejtësi pa ndikime politike, por që të ofrojë një drejtësi për shqiptarët”, – theksoi Basha.

“Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë pa u ndëshkuar krimi elektoral, pa u vënë para përgjegjësisë Edi Rama e bashkëpunëtorët e tij”, – shtoi më tej Basha.

I pyetur në lidhje me partinë Bindja Demokratike, të drejtuar nga Astrit Patozi, Basha tha se, “gjeneza e të keqes ku ndodhemi janë zgjedhjet false të diktuara nga krimi. Nuk do ketë më zgjedhje false, qeveri false, as opozitë false”./atsh

Basha: Hapi i parë, kthimi i vendimmarrjes së shqiptarëve Read More »

Astrit Patozi flet pas mbledhjes së parë të Bindjes Demokratike

Pas mbledhjes me themeluesit te Partise Bindja Demokratike që zgjati për më shumë se tre orë, Astrit Patozi deklaroi se

“Nuk kemi asgjë për të fshehur asgjë për të treguar sot. Do i komunikojmë nesër detajet.

Më vjen keq që nuk e shuaj dot kuriozitetin tuaj sot” tha ai.

Te gjitha firmat e kerkuara nga ligji per te regjistruar nje parti jane mbledhur dhe neser themeluesit e “Bindjes Demokratike” do te regjistrohen ne gjykate.

Po neser pritet qe partia “Bindja Demokratike” te regjistrohet edhe prane komisionit qendror te zgjedhjeve per te garuar ne 30 qershor.

Edhe pse pjese e krijimit te kesaj partie ne fillim ishte edhe Hajdari, ajo vendosi te distancohet nga “Bindja Dmokratike”.

Astrit Patozi flet pas mbledhjes së parë të Bindjes Demokratike Read More »