Aktualitet

Flukse turistike në Tiranë, 150 mijë vizitorë në muajt e parë të 2019

Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë.

Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Mirela Koçollari, drejtoreshë e Turizmit në bashkinë e Tiranës tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vetëm gjatë muajve të parë të 2019 ka një rritje me rreth 25% më shumë turistë në Tiranë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

”Është evidente prezenca e turistëve në rrugët e kryeqytetit. Ka një rritje të fluksit të turistëve dhe të Tiranës si destinacion, dhe gjatë 2019 janë 150 mijë turistë që e kanë vizituar kryeqytetin. Kryesisht turistët që vizitojnë Tiranën vijnë nga vende që kanë linja direkte, ku pjesa më e madhe janë gjermanë, italianë, janë shumë dhe nga Turqia dhe padiskutim nga Kina”, tha Koçollari.

Ajo tha se, “atraksionet më të frekuentuara nga turistët janë pjesa qendrore e Tiranës, si sheshi ‘Skënderbej’, i cili është kthyer në një epiqendër dhe pikënisje e itinerarit të turistëve të huaj. Gjithashtu atraksione të tjera janë Pazari i Ri, i cili është kthyer në një oaz interesant gjelbërimi i frutave dhe perimeve si dhe gatimeve tradicionale, si dhe Kalaja e Tiranës, e cila ka tërhequr shumë vëmendje si nga pozicioni dhe historiku që mbart, ashtu dhe nga mënyra se si është rijetëzuar”.

“Përveç pjesës qendrore atraksione të frekuentuara nga turistët janë dhe muzetë, si Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Gjetheve, i cili ka një dyfishim të numrit të turistëve pasi trajton tematika që të huajt kanë interes”, u shpreh Koçollari.

Ajo shtoi se, “së shpejti qytetit të Tiranës do i shtohet dhe një atraksion i ri, që do jetë shtëpia muze e shkrimtarit Ismail Kadare. Ky muze do jetë shumë pranë qendrës së Tiranës dhe do jetë shumë ndryshe nga muzetë e tjerë. Ai është konceptuar brenda një pallati banimi dhe aty do jetë një studio, e cila do i ftojë të gjithë jo vetëm të apasionuarit e letërsisë, por të gjithë turistët për të kuptuar jo vetëm figurën e vet shkrimtarit, por dhe mënyrën dhe tipologjinë e të jetuarit gjatë periudhës së komunizmit”.

Gjatë vitit 2018, Tiranën e kanë vizituar rreth 2 milionë turistë. Ndryshe nga vitet e tjera, tashmë turistët e zgjedhin Tiranën jo më për një ditë, por për disa ditë qëndrimi. /r.e/

Flukse turistike në Tiranë, 150 mijë vizitorë në muajt e parë të 2019 Read More »

Kryemadhi: T’i japim fund tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri

“Ka ardhur koha që t’i jepet fund tranzicionit të zgjatur 30-vjeçar në Shqipëri” deklaroi sot Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

LSI mblodhi sot në Tiranë Konventën Kombëtare, ku morën pjesë gjithë delegatët, përfaqësuesit politikë të LSI-së dhe simpatizantë të kësaj force politike.

“Konventa kombëtare e LSI-së, mblidhet për herë të parë si shqiptarë të thjeshtë, pa mandat deputeti.

LSI-në nuk e bëjnë njerëzit, e bën shpirti, dashuria që kemi ne për njëri-tjetrin”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së tha se reforma në drejtësi është deformuar me qëllim për të lënë drejtësinë pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

Ne besojmë, tha Kryemadhi, se “pa parti politike transparente jeta politike shqiptare nuk do të jetë transparente”.

“Si doktoreshë edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë, të ndritur të begatë, pa Edi Ramën kryeministër”, tha Kryemadhi në fjalën e saj në Konventën Kombëtare të LSI-së./atsh

Kryemadhi: T’i japim fund tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri Read More »

Balla: “Ne refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje që guxon të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen”

“Ne refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje që guxon të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Balla mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Muzeun Kombëtar, në kuadër të 75- vjetorit të Çlirimit.

“Prej 28 vitesh vijojnë përpjekjet e dështuara të nxijnë LANÇ, por nuk ja kanë arritur dot. Dhe nuk do t’ia arrijnë edhe së fundmi. Nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo qeverie shqiptare”, tha Balla, duke shtuar se vetëm nderimi nuk mjafton.

Mesazhet e Luftës Antifashiste, sipas tij, “janë mesazhe që ne duhet t’i përcjellim me ngulm dhe pas asnjë lëkundje, tek të gjithë përfaqësuesit e gjeneratës tjetër”.

Partia Socialiste, tha Balla, bën të gjitha përpjekjet, duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo vetëm si një faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen.

“PS dhe përfaqësuesit e saj në qeverinë qendrore dhe atë vendore janë të angazhuar në kujdesin për varrezat e dëshmorëve në cdo qytet, kujdesin për lapidarët në kujtim të heronjve. Ligji që sapo kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë “Për Statusin e Dëshmorit” është një konfirmim i këtij angazhimi të vazhdueshëm tonin”, tha ai./atsh

Balla: “Ne refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje që guxon të hedhë baltë mbi Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen” Read More »

Basha: Beteja jonë për një demokraci gjithëpërfshirëse

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot nga Lezha se “beteja jonë është më shumë se elektorale, është një betejë për demokracinë shqiptare”.

PD, tha Basha, ka një program të qartë për të sjellë ndryshimet që i duhen Shqipërisë, për një demokraci gjithëpërfshirëse.

“Kemi një program të qartë ekonomik dhe social, që shqiptarët të mos vuajnë më për bukën e gojës. Rama nuk do Shqipërinë e zhvillimit, por të përjashtimit. Ai i do njerëzit të ikin jashtë vendit, jo të rrinë këtu”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, “rinia po e braktis vendin, ndërsa edhe forca punëtore e mbetur është më pak e kualifikuar”.

“PD do të bëjë që të gjithë shqiptarët të jenë të përfshirë në demokraci, të gjithë të gëzojnë respektin dhe dinjitetin që iu takon”, tha Basha.

Ai vlerësoi po ashtu edhe anëtarësimin në PD të 150 anëtarëve të rinj në Lezhë. Kjo, tha ai, është një tjetër dëshmi e bashkimit të shqiptarëve me PD./atsh

Basha: Beteja jonë për një demokraci gjithëpërfshirëse Read More »

Karaburun, nxirren nga deti 12 predha artilerie dhe 1 bombë aviacioni

Dymbëdhjetë predha artilerie dhe një bombë aviacioni, municione luftarake të Luftës së II Botërore janë gjetur në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun.

Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka publikuar disa fotografi të këtyre municioneve.

“Zhytësit dhe xhenierët e Forcave të Armatosura nxorën nga deti 12 predha artilerie dhe 1 bombë aviacioni, të gjitha nga Lufta II Botërore dhe që rrezikonin jetën e pushuesve”, theksoi Xhaçka.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipëri.

Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Ky park gjatë sezonit turistik veror në 2018, ishte destinacioni më mbresëlënës për 45000 turistë vendas dhe të huaj/atsh

Karaburun, nxirren nga deti 12 predha artilerie dhe 1 bombë aviacioni Read More »

Sipërmarrjet e reja në bujqësi rritën punësimin

Shqipëria vazhdon të jetë një vend i lidhur fort me bujqësinë, ku janë të punësuar 37,4% e popullsisë së aftë për punë.

Sipas të dhënave nga INSTAT, sektori i bujqësor regjistroi në fund të vitit 2018 përqindjen më të lartë të të punësuarve me 37,4% të të punësuarve gjithsej.

Shifër kjo me tendencë në rritje edhe për periudhën në vijim.

Politikat e mbështetjes radikale që ka ndërmarrë qeveria, në drejtim të certifikimit të pronës, (tokës bujqësore), lehtësitë fiskale dhe programet e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit dhe programi i BE-së, kanë rikthyer fermerin të punojë dhe investojë në tokën e tij.

Ndërsa trendi i ri që po ndjek biznesi për sipërmarrje të reja në këtë sektor kanë sjellë dukshëm përmbysje të shifrave me rritje të numrit të punësuarve, të prodhimit vendas bujqësor dhe të ardhurave në familjet e zonave rurale.

Bujqësia jep rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me eksporte që kapin shifrën e 300 mijë tonve fruta- perime që tregtohen në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së por edhe më gjerë dhe ku angazhimi i forcës së punës në këtë sektor po shtohet nga viti në vit, përfshirë edhe orientimin më të madh të rinjve në shkollat profesionale bujqësore./atsh

Sipërmarrjet e reja në bujqësi rritën punësimin Read More »

Shqipëri-Greqi, rritje e bashkëpunimit në fushën e Doganave

Shkëmbim më efikas i informacionit midis strukturave inteligjente, bashkëpunim kundër trafiqeve të paligjshëm, lehtësim dhe thjeshtëzim i lëvizjes së pasagjerëve dhe mallrave.

Këto ishin temat kryesore që diskutuan gjatë një takimi bilateral Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta, me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Greke, Kostandinos Mourtidis.

Gjatë këtij takimi, i cili u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës, dy homologët diskutuan mbi rritjen e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacioneve, që ndikon shumë në sigurinë e të dy vendeve, si dhe të eksperiencave për të përmirësuar punën e Administratave Doganore.

Drejtori i Doganave Shqiptare, Gjokuta, e njohu homologun grek me disa nga arritjet e administratës që ai drejton, si në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, atyre të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, kontrollit të flukseve të parasë fizike që kalon në kufi dhe kontrabandës së mallrave.

Gjatë këtij takimi u vlerësua me interes për të dy palët shkëmbimi i informacioneve dhe kryqëzimi i tranziteve që nisen nga Porti i Pireut me destinacion Shqipërinë, për të parandaluar kontrabandën. Për këtë do të ndihmojë shumë eksperienca pozitive në shkëmbimin e informacioneve dhe në kryqëzimin e tranziteve në kuadër të projektit të SEED të implementuar nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë u dakordësua nga dy drejtuesit e Doganave respektive se ngritja dhe funksionimi i Qendrës Operacionale të Përbashkët me përfaqësues të Policisë dhe Doganave të të dy vendeve, do të shërbejë për zgjidhjen e shumë problematikave kufitare. Një marrëveshje e tillë mes dy vendeve tashmë është drejt përmbushjes.

Greqia është tashmë prej vitesh një ndër partnerët kryesorë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë, dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi midis administratave doganore luan një rol të rëndësishëm. /a.g/

Shqipëri-Greqi, rritje e bashkëpunimit në fushën e Doganave Read More »

Parashikimi i motit, e shtunë, 4 maj 2019

Moti ditën e sotme parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura në të gjithë territorin.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se deri në mesditë reshjet do të jenë të pranishme në jugperëndim të vendit me intensitet të ulët e mesatar. Më tej reshjet do të përfshijnë të gjithë vendin me intensitet deri mesatar. Lokalisht në formën e shtrëngatave. Në orët e vona të mbrëmjes reshjet do të jenë me intensitet të lartë në qarqet në jugperëndim e veriperëndim.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Jugperëndim 1-10 m/sek, në bregdet deri 20-25 m/sek në mesditë, duke u pasuar nga një valëzim i forcës 3-4 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 12/18 shi pak diell
Kukës 9/16 shi pak diell
Lezhë 12/18 shi pak diell
Dibër 8/14 shi pak diell
Durrës 12/19 shi pak diell
Tiranë 10/19 shi pak diell
Elbasan 10/19 shi pak diell
Berat 7/20 shi pak diell
Vlorë 11/20 shi pak diell
Korçë 6/14 shi pak diell
Gjirokastër 5/19 shi pak diell
Sarandë 12/19 shi pak diell

Parashikimi i motit, e shtunë, 4 maj 2019 Read More »