Aktualitet

Parashikimi i motit, 27 maj 2019

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura.

Parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në të gjithë territorin të cilat në mesdite fitojnë intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Më pas gradualisht prej orëve të pasdites, moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare më tepër të theksuara në relievet malore.

Parashikohet mjegullinë përgjatë zonave luginore dhe malore. Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Verilindje 1-15m/sek, kryesisht në bregdet. Valëzimi i forcës 1-2.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/22 Re shi/diell
Kukës 15/19 Re shi/diell
Lezhë 17/22 Re shi/diell
Dibër 14/18 Re shi/diell
Durrës 17/22 Re shi/diell
Tiranë 18/23 Re shi/diell
Elbasan 18/24 Re shi/diell
Berat 16/23 Re shi/diell
Vlorë 18/20 Re shi/diell
Korçë 13/19 Re shi/diell
Gjirokastër 15/22 Re shi/diell
Sarandë 17/22 Re shi/diell/atsh

Parashikimi i motit, 27 maj 2019 Read More »

Sezoni turistik-Tabela informuese në monumentet e kulturës në Sarandë e Vlorë

Monumentet kanë vlera historike dhe kulturore dhe janë një atraksion interesant për vizitorët vendas e sidomos të huaj që shfaqin kuriozitet për të mësuar mbi rrënjët e historisë shqiptare.

Në kuadër të çeljes së sezonit turistik veror 2019 dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë ka nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese.

Ditët e fundit DRKK ka vendosur tabela të reja aty ku është e nevojshme për krijimin e kushteve optimale për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumente.

Këtë javë fokusi punimeve ka qenë vendosja e tabelave të reja për vizitorët e huaj në Portin e Sarandës, vendosja e tabelave të reja dhe rinovimi i atyre ekzistuese në Parkun Arkeologjik të Orikut, në manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë dhe në kishën e Marmiroit në Orikum.

Të gjithë duhet të përkujdesen t’i mirëmbajnë këto tabela, pasi i ofrojnë shërbim shumë herë më të mirë turistëve, të cilët duhet të njihen me historikun dhe vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.

Sipas DRKK Vlorë, kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur edhe tek brezat e ardhshëm. /atsh

Sezoni turistik-Tabela informuese në monumentet e kulturës në Sarandë e Vlorë Read More »

Basha: Ne jemi populli i Europës, asnjë hap pas

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha një ditë pas protestës në kryeqytet se “forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Asnjë hap pas”, tha ai, në një reagim pas protestës së 25 majit.

“Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu”, tha Basha.

“Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe kombit tonë”, tha kryetari i Partisë Demokratike. /atsh

Basha: Ne jemi populli i Europës, asnjë hap pas Read More »

Rama, letër të pestë publike Bashës

Zoti Kryetar,

në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!

Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh. Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë.

Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët. U bënë muaj që vini vërdallë, bashkë me punonjësit e bashkive blu e me ca katranë me bojë, duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian; duke cënuar veprimtarinë ekonomike të vendit dhe turizmin në veçanti; duke trazuar një popull të tërë me hallin absurd se çfarë do të ndodhë e çfarë do të digjet kur të sosni në Tiranë herën tjetër…

Përveç këtyre sukseseve, që mund t’i thelloni më tutje nëse e vijoni këtë avaz dhe rënies së mëtejshme të mbështetjes së grupimit Tuaj politik, çfarë keni arritur ose mund të arrini tjetër apo le të dalë ku të dalë?

Parlamentin e keni ndaluar dot të funksionojë normalisht?
Jo, madje në seancat e të enjtes ka më shumë prezencë në anën e djathtë të sallës, se sa ç’kishte deri kur Ju e braktisët.

Qeverinë e keni ndaluar dot të vazhdojë punën normalisht?
Jo, madje e vërteta është se edhe të enjten, që na e kishit imponuar si ditë për lojë luftash, kur duhet të merreshim me baltën, çizmet, bojën, glasat e vezët Tuaja në Kuvend, e kemi ditë kuvendore normale.

A mos vallë më keni larguar mua dot?
Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!

Gjithësesi, pa u zgjatur me çka Ju kam stërshpjeguar nga ana ime në katër letrat e mëparshme, shoh të udhës të nënvizoj si vijon:

E para, nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, Ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për Ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim, me të gjitha bateritë e karikuara për katër vjet, deri në qershorin 2021.

E dyta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi. E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.

E treta dhe e fundit, mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur, i cili zhubravitet papushim nga mllefi i patretshëm qysh prej ikjes nga pushteti me 1 milionë shpulla dhe cfilitet përditë, nga tmerri i pangushëllueshëm i trokitjes së drejtësisë në derë. Po kjo s’ka si t’Ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë! E aty pastaj kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike.

Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije.

Edi Rama

Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë:-)

26 maj, 2019

Rama, letër të pestë publike Bashës Read More »

Ismail Kadare rikthehen në shtëpinë muze

Shtëpia ku shkrimtari i madh Ismail Kadare ka jetuar gjatë periudhës së komunizmit në hyrje të rrugës së Dibrës, çeli dje dyert për qytetarët në formën e muzeut.

Një nga vizitorët e parë të shtëpisë muze është vetë gjeniu i letrave shqipe, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare, u rikthye në apartamentin e mbushur plotë me kujtime.

Për Ismail Kadarenë, projekti për shndërrimin e shtëpisë në një muze të vizitueshëm për qytetarët dhe turistët e huaj është një ide e mrekullueshme dhe fisnike, thuhet në njoftimin e bashkisë së Tiranës.

“Askush nuk e dinte këtë projekt dhe ideja vetë është e mrekullueshme, është fisnike, shumë humane. Mua s’më mbetet veçse të përsëris mirënjohjen time për të gjithë”, tha ai.

Kadare theksoi se shkrimtari nuk mund të kuptohet pa lexuesin e tij, pa gjuhën, pa kombin e pa miqtë e tij.

“Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”, tha shkrimtari i madh.

Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehu mirënjohjen ndaj Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë.

“Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike. Është shumë e papritur për mua personalisht ta shikoj këtë gjë dhe për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë arkitektja Elisabeta, me të cilën kam pasur disa takime. Shumë bukur”, tha Helena Kadare.

Arkitektja e njohur, Elisabetta Terragni, e cila ka restauruar apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës, shprehu bindjen se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah për vizitorët nga e gjithë bota jo vetëm të vlerave të gjuhës shqipe, por edhe të periudhës në të cilën jetoi e punoi shkrimtari ynë i madh.

“Ky apartament është për ne rezultati i celebrimit të letërsisë, nuk është një muze klasik, por është një vend ku mund të mësoni më shumë përsa i përket shkrimit në kanavacë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të festuar gjuhën, që është gjuha shqipe në të cilin shkroi shkrimtari, dhe në të njëjtën kohë për të treguar se si ky shkrimtar ia doli gjatë kësaj periudhe të vështirë për të përkthyer gjithë punët e tij. Ndaj, kjo është gjithashtu ajo çfarë duam të nxjerrim fillimisht në pah, që bota të shohë se ai gjithmonë shkroi në gjuhën shqipe”, u shpreh Terragni.

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë botërore. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe./atsh

Ismail Kadare rikthehen në shtëpinë muze Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 25 848 ankesa të zgjidhura

Platforma e bashkëqeverisjes është kthyer tashmë në një nga mekanizmat më të mirë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, të cilët nuk u duhet më që të sorollaten nëpër zyrat e shtetit.

Në total kjo platformë ka zgjidhur 25 848 ankesa nga 36 709 ankesa të regjistruara.

Në nivel vendor rastet e ankesave të zgjidhura janë 3107 nga 6517 ankesa të regjistruara në total.

Rastet e suksesit janë 12: 4 në Ministrinë e Drejtësisë, 5 në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, 2 në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, si dhe 1 në Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Numri i login-eve në faqe ka arritur në 102 257. Ndërsa numri i regjistrimeve të reja është 17 577.

Platforma e bashkëqeverisjes është kthyer në një mjet për zgjidhjen e halleve të qytetarëve, të cilët brenda 10 ditëve marrin përgjigje rreth ankesave të depozituara prej tyre, duke shmangur burokracitë.atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/323739354970731/?t=0

Platforma e bashkëqeverisjes, 25 848 ankesa të zgjidhura Read More »

Parashikimi i motit, 25 maj 2019

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, mot për sot parashikohet i kthjellët me alternime vranësirash kalimtare.

Deri në orët e mesditës në zonën e veriut dhe qendrës, parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Jugperëndim 1-12 m/sek, kryesisht në bregdet. Valëzimi i forcës 0-1.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 12/26 Shi diell
Kukës 11/23 Shi diell
Lezhë 13/26 Shi diell
Dibër 9/23 Shi diell
Durrës 13/25 Diell re
Tiranë 14/27 Shi diell
Elbasan 13/27 Shi diell
Berat 11/27 Diell re
Vlorë 12/25 Diell re
Korcë 9/22 Diell re
Gjirokastër 11/27 Diell re
Sarandë 12/25 Diell re/atsh

Parashikimi i motit, 25 maj 2019 Read More »

Pse jo Shqipëria?

Pasi dëgjonin se sapo ishim kthyer nga një udhëtim në Greqi dhe Shqipëri, askush nuk na pyeste për Greqinë. Pyetja që na bënin të gjithë ishte përherë e njëjta… Po pse në Shqipëri?”, shkruan blogerja e njohur kanadeze, Colleen Friesen, në faqen e saj të internetit www.colleenfriesen.com, në një përshkrim të kujdesshëm për Shqipërinë, i trajtuar në mënyrë shumë interesante.

Por, babai im do të thoshte: Pse jo në Shqipëri?

Në rregull. Ndoshta ai nuk thoshte pjesën e Shqipërisë, por sigurisht që i pëlqente të përgjigjej me pse jo? sa herë që i jepej mundësia.

Megjithatë, për të kapërcyer faktorin pse jo, sugjeroj këtë foto të parë si përgjigje. Mes Malit të Zi dhe Greqisë, Shqipëria ka 482 kilometra vijë bregdetare, me shumë plazhe.

e më pas do të kaloja te pasuria arkeologjike…

ose ndoshta tek njerëzit e dashur…

ose te barinjtë e deleve, lopëve dhe dhive…

ose te fakti se ”fëmija” brenda meje kishte qejf të thoshte shitet. Dhe pata mundësi ta thosha për shumë kohë pasi tabelat shitet gjendeshin gjithandej…

Edhe pse regjimi shtypës shkatërroi këtë vend, njerëzit dhe disa prej ndërtesave arritën të mbijetonin.

Kishte edhe disa arsye të tjera, disa prej të cilave i zbuluam ndërkohë që udhëtonim në këtë vend:

ne gjithsesi do të shkonim në Greqi dhe Shqipëria ishte ngjitur me Greqinë, kështu që ishte e thjeshtë.
nuk kishim qenë kurrë aty.
për vite të tëra kemi udhëtuar në vendet më lindore të Europës. Kemi qenë në Hungari, Bullgari, Rumani, Republikën Çeke, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Estoni dhe me një udhëtim në Greqi, dukej e thjeshtë të shkonim në Shqipëri.
mënyra e vetme që unë të kuptoj dhe përvetësoj historinë e një vendi është duke shkuar atje. Mund të lexoj çdo libër historie, por nëse nuk e shoh vendin, thjesht nuk më ngjit. Unë gjithashtu mësoj duke lexuar libra të shkruar në atë vend (në Tiranë, gjeta disa përkthime në anglisht të autorit fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, Ismail Kadare, por nuk munda të thellohem në historinë e Shqipërisë. Po e ndjeja tashmë shumë dhimbjen e vendit. Kam plan ta lexoj tani që kam ardhur në shtëpi).

5 – Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë ku, pas mbarimit të luftës kishte më shumë hebrenj se sa para fillimit të saj. Në fillim të luftës kishte rreth 200 hebrenj në vend. Rreth 2 000 hebrenj të tjerë duke iu larguar Hitlerit, u strehuan gjithashtu në vend. Pavarësisht kërcënimeve ekstreme naziste, hebrenjtë u mbajtën dhe u strehuan në familjet myslimane. Shqiptarët refuzuan të dorëzonin listat që iu kërkuan me emrat e tyre. Kjo vjen si pasojë e kodit shqiptar të nderit të quajtur ”Besa” që përfaqëson tolerance fetare dhe trajtim me respekt dhe barazi ndaj të tjerëve. Mysafirët duhen mbrojtur dhe çdo refugjat hebre konsiderohej i tillë. Kjo histori është akoma pjesë e rëndësishme e nderit kombëtar të Shqipërisë.

6 – Ne mundohemi të mos harxhojmë shumë dhe Shqipëria është ideale për këtë. Qëndruam në disa hotele spektakolare dhe hëngrëm ushqim shumë të mirë për më pak dollarë kanadezë nga sa kishim harxhuar në një hotel të lënë në Grand Folks. Gjithashtu, shqiptarët dinë se si të bëjnë pije shumë të mira dhe, ashtu si grekët, duan të ulen në kafenetë e pafund dhe e zgjasin një kafe për disa orë.

7 – Malet pranë qyteteve ishin shumë interesantë për t’u eksploruar.

Ushqimi ishte i freskët dhe plot aromë; mish qengj organik, oktapod, kallamar, mish derri, fruta, perime dhe të preferuarat e mija, pak patate të skuqura në mëngjes … të shkëlqyera.

Ishte kënaqësi të shikoje të gjithë grupet e burrave të moshuar të veshur e të mbërthyer duke luajtur domino dhe shah. Unë nuk e dija që mund të vije një gur dominoje duke shkaktuar aq shumë zhurmë.

Megjithatë, jo çdo gjë ishte e mrekullueshme. Komunistët e donin arkitekturën e shëmtuar. Ata kërkonin të ndërtonin ndërtesa katrore, në blloqe, ngjyrë gri dhe kërcënuese. Dhe akoma më keq, në vitin 1967, kur ata e shpallën Shqipërinë vendin e parë ateist , shkatërruan shumë xhami dhe kisha, pa përmendur vrasjen dhe burgimin e imamëve dhe priftërinjve.

Çfarë ndjeva se mungonte në Shqipëri ishte bukuria spontane e Greqisë. Duket sikur mungonin disa detaje hijeshie… si mënyra se si grekët shpesh përdornin kanaçet e vajit të ullirit si vazo lulesh në shtëpitë borë të bardha. Megjithatë, pamë shumë grafiti agresivë në Athinë dhe Selanik, që në Shqipëri kishte shumë pak.

Shumë nga shtëpitë më të reja që pamë në fshat dukeshin shumë utilitare. Nuk është habi, pasi regjimi i tmerrshëm ishte në fuqi deri në vitin 1991. Ende nuk ka shumë para shtesë për asgjë përveç bazikeve. Ndoshta bukuria vjen vetëm pasi të kapërcehet mbijetesa?

Megjithatë, në një shtet me rreth 3 milionë banorë, me një milion që jetojnë në kryeqytet, ka shumë shpresa. Për shkak se shumë njerëz kanë migruar nga vendet e origjinës në kryeqytet, Tirana ka mbjellë në bulevardet e bukura pemë dhe barishte që përfaqësojnë fshatrat nga i gjithë vendi. Ata po pikturojnë muret e shumë ndërtesave me ngjyra të ndryshme. E gjithë kjo tregon shpresën dhe qëndrueshmërinë e pabesueshme të këtyre njerëzve.

Vendi akoma përkufizohet si mysliman, edhe pse duket të jetë më shumë nga ana kulturore se sa fetare. M’u duk si këndvështrimi që kam unë për rrënjët e mija menonite… unë jam më shumë për ushqimin dhe gjërat menonite se sa për fenë. Nëpër vend, pamë shumë pak myslimanë të veshur me veshje tradicionale të fesë. Pothuajse të gjithë të rinjtë vishen me rroba të stilit perëndimor dhe mbajnë në dorë celularin e pashmangshëm.

Ne shkuam në një tur me ecje në Tiranë dhe guida na tha se gjatë regjistrimit kombëtar, babai i tij e deklaroi veten mysliman. Guida i kishte thënë të atit: ”O ba, e para, ushqimi yt i preferuar është mishi i derrit. Dhe e dyta, kur ka qenë hera e fundit që ke shkuar në xhami?”. Dhe babai kishte rrudhur supet.

Pasi kaluam nëntë ditë duke i dhënë makinës në ”Skoda”-n tonë të vogël me qira, Kevini u bë mjaft ekspert në metodën shqiptare të mos lirimit të rrugës. Koncepti i radhës ose i kthimit as nuk konceptohet në Shqipëri. Ne gjithashtu mësuam se makina kishte përparësi ndaj këmbësorëve. Nuk ka tolerim në kalimin e rrugës në Shqipëri.

Por, përtej kësaj njerëzit ishin shumë të sjellshëm, të ndihmonin shumë dhe ishin të lumtur që ne po na pëlqente vendi i tyre. Ky është një nga ato vende ku e di që çdo lek që harxhon po ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë një vend që të ngrihet në këmbë.

Nëse kam mësuar ndonjë gjë përmes udhëtimeve, është se kryesisht… njerëzit janë të mirë.

Njerëzit gjithandej thjesht duan të jetojnë në mënyrë të ndershme, të mësojnë, të luajnë, të shijojnë komunikimin përmes ushqimit dhe të krijojnë në jetesë të mirë për fëmijët e tyre. Shumica prej nesh thjesht duan të jetojnë në paqe dhe të respektohen.

Bukuria e të shkuarit në vende të reja është mundësia për të zbuluar se si çdo vend i qaset këtyre gjërave në kontekstin e kulturave të tyre të veçanta. Këto interpretime i bëjnë udhëtimet interesante.

Pra, pse në Shqipëri? Pse jo?/atsh

Pse jo Shqipëria? Read More »