Aktualitet

Shqipëria udhëheq rajonin në arsimin parashkollor

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini mori pjesë në ministerialin e 8-të i Platformës të Ballkanit Perëndimor.

Ministeriali i 8-të i Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsimin dhe Trajnimin si fokus kryesor sivjet ka edukimin parashkollor.

Ministrja Shahini ka bërë të ditur se në këtë kuadër, Shqipëria udhëheq rajonin për kujdesin ndaj më të vegjëlve me afro 80% pjesëmarrje në arsimin parashkollor të fëmijëve nga mosha 3-6 vjeç.

Qëllimi i Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim është të ndihmojë këto vende me reformat e arsimit dhe trajnimit, si dhe të risë bashkëpunimin rajonal./atsh

Shqipëria udhëheq rajonin në arsimin parashkollor Read More »

Shqipëria ndryshe pas 30 qershorit, Rama: Edhe demokratët do kuptojnë se nuk shkohet pas një udhëheqjeje të marrë fund

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral, në kuadër të hapjes së fushatës elektorale në Mirditë ka theksuar se Shqipëria në 30 qershor do të jetë ndryshe, ku hienat që kërkojnë të lënë pas këtë popull do t’i lëmë njëherë e mirë me të shkuarën.

“Në 30 qershor është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria të jetë ndryshe dhe të përgatitet për një ndryshim shumë të madh, që këto fantazma e hiena të të kaluarës dhe këtë udhëheqje të dalë mendsh, ta lëmë pas njëherë e mirë në të shkuarën. Kështu edhe demokratët do të çlirohen se nuk do të shterojnë, dhe PD do marrë një impuls të ri dhe do kuptojnë se nuk vijohet duke shkuar pas një udhëheqjeje të marrë fund në çdo aspekt dhe mbi të gjitha s’mund të shkohet pas një udhëheqjeje që synon pushtet për vete dhe që ska asnjë sens të drejtimit të Shqipërisë”, – theksoi Rama.

“Shqipëria ka shumë sfida dhe probleme, por Shqipëria është e sigurt që bëhet dhe ne do ta bëjmë me mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe me fuqinë transformuese të Partisë Socialiste”, theksoi Rama.

“Në mbyllje unë dhe njëherë dua t’i uroj Ndrecës të ketë sa më shumë pasion për Mirditën dhe të ketë sa më shumë ambicie për t’i çuar deri në fund projektet që ka nisur dhe të ketë respekt e mirënjohje për mirditorët dhe uroj të mos e humbasë atë asnjëherë”, – tha Rama. /atsh

Shqipëria ndryshe pas 30 qershorit, Rama: Edhe demokratët do kuptojnë se nuk shkohet pas një udhëheqjeje të marrë fund Read More »

Meta uron besimtarët myslimanë për festën e Bajramit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dhënë sot një mesazh urimi për besimtarët myslimanë shqiptarë.

Në përfundim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Meta ka uruar besimtarët myslimanë, duke apeluar gjithashtu për përqafimin e vlerave hyjnore, sociale dhe kombëtare.

“Me mbylljen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Muajit të sakrificës, përkushtimit ndaj së mirës dhe paqes shpirtërore, u bashkohem lutjeve Tuaja për agjërim të pranuar dhe ju shpreh në këtë prag feste të madhe, urime të ngrohta, të sinqerta dhe të përzemërta: Gëzuar Bajramin e Madh! Nesër, në këtë Ditë të Shenjtë, kur besimtarët myslimanë ndajnë me njëri-tjetrin, vlerat dhe virtytet më të mira të besimit Islam si dhe në traditën më të mirë shqiptare, respektin e përkushtimin ndaj familjes, mirëkuptimin dhe pranimin e tjetrit, solidaritetin dhe harmoninë ndërfetare, dhembshurinë dhe përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë, le të përcjellim mesazhin se është koha të udhëhiqemi në vendimet tona me ndërgjegje të pastër, përgjegjësi qytetare, besim në Zot dhe me një dashuri të sinqertë për të mirën e përbashkët. Arroganca, korrupsioni, demagogjia, veset, lakmia, dhuna e çdo shfaqje negative që helmon paqen, drejtësinë, barazinë e kohezionin social dhe pamundëson jetën e një shteti demokratik, duhen izoluar. Të përqafojmë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, si dhe kombëtare, për të gjetur rrugën e duhur dhe tejkaluar çdo sfidë, pavarësisht sakrificave shpeshherë të dhimbshme, me dialog, mirëkuptim e bashkëpunim, për një shoqëri më të drejtë dhe një Shqipëri më njerëzore. Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ndodheni: Zoti ju dhëntë shëndet, mbarësi, begati e paqe në familjet Tuaja dhe në Shqipërinë tonë të përbashkët!” – shprehet Meta./atsh

Meta uron besimtarët myslimanë për festën e Bajramit Read More »

Spiropali: Tre njerëz po dhunojnë të gjithë shqiptarët, kërkojnë destabilitet

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, theksoi sot gjatë një interviste televizive se “tre njerëz po dhunojnë të gjithë shqiptarët, qëllimi është të ketë viktima”, duke ju referuar këtu drejtuesve të opozitës.

“Të thuash se në atë protestë nuk pati dhunë, do të thotë të tallesh me veten dhe gjithë të tjerët. S’ka nevojë për komente pati a jo dhunë, se shqiptarët e kanë parë live protestën prej pesë orësh, ku policët ishin në sulme të vazhdueshme nga njerëz të orkestruar nga Berisha e Basha”, – tha Spiropali.

“Pse bëjmë protestën natën? Pse e kanë të nevojshme të veshin kapuçi të zi, pse marrin hekura e leva në protestë me vete? Pse përdorin mjete piroteknike mbi kokat ep policive, pse del tym e flakë në protestat e tyre? Cili është qëllimi tyre?. Qëllimi i tyre është i qartë, janë kthyer në gjahtar viktimash, konkretisht Basha e Berisha, duan të prodhojnë një viktimë apo shumë viktima. E them këtë me përgjegjësi të plotë për këtë e do ju jap dhe faktet për këtë”, – theksoi Spiropali.

“Këtë që po u them, ja u them shqiptarëve dhe demokratëve të ndershëm që shkojnë në protestë se kanë probleme padrejtësie, kanë probleme papunësie dhe janë në të drejtën e tyre të jenë në protestë. Ka rrezikshmëri pjesëmarrja në protestë”, – shtoi Spiropali.

Sipas Spiropalit, opozita po krijon skenare për të krijuar destabilitet në vend, duke sjellë si shembull rastin e babait dhe djalit të dhunuar gjatë protestës së fundit të opozitës.

“Ka një plan të qartë për të krijuar destabilitet dhe viktima në vend. Në këtë skenar dua t’ju sjell në vëmendje çfarë ndodhi me babë e bir, që pasi u dhunuan me leva hekuri nga një grup që u nis për t’u sul në Parlamentin e Shqipërisë u nxor në faqen e Sali Berishës si një akt heroizmi i këtyre viktimave, si një akt kriminal nga ana e Policisë, pra pretendoi se ishin rrahur barbarisht nga forcat e Policisë”, – theksoi ajo.

“Kjo është një gënjeshtër e pastër, por jo e vetmja. E imagjino çfarë skenari do prodhonte Berisha po të mos ishte kamera që kishte kapur skenën, do ishte një 21 Janar i dytë. Duheshin pamjet për t’u vërtetuar ky makabritet dhe kjo gënjeshtër ashiqare. Prandaj Partia Demokratike, Lulzim Basha duhet të distancohet nga aktet e dhunës dhe duhet të ndjekë udhëzimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – theksoi Spiropali gjatë fjalës së saj në emisioni “Open” të Eni Vasilit në “Top Channel”.atsh

Spiropali: Tre njerëz po dhunojnë të gjithë shqiptarët, kërkojnë destabilitet Read More »

Koçi: Opozita dhe lideri i saj po frymëzojnë dhunën në vend

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi u shpreh se Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit edhe pse opozita ka vendosur që të mos bëhet pjesë e tyre.

“E para ne shkojmë në zgjedhjen e 30 qershorit, duke respektuar totalisht vendimin e Partisë Demokratike. Nuk është faji dhe as përgjegjësia e mazhorancës që në këto zgjedhje nuk marrin pjesë kandidatët e Partisë Demokratike qofshin këta për Kryetar Bashkie, qofshin këta për anëtarë të këshillave bashkiakë. Partia Demokratike është në një situatë nervoziteti sepse ka ndërmarrë disa hapa që është e pamundur të dalë. Tashmë afati i fundit për të kapërcyer këtë lloj situate ishte deri pardje, ku mund te ndërhyhej në Kod me ndonjë marrëveshje, tani është shumë e vështirë”, – theksoi ai.

Koçi diskutoi edhe për incidentin e ndodhur ditën e djeshme në protestën e opozitës, ku babai së bashku me djalin janë goditur me mjete të forta, duke përgënjeshtruar versionin e dhënë nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Lidhur me incidentin që ka ndodhur, unë mund të them se opozita ka viktimizuar vetveten në të dyja incidentet, të cilat u përdorën edhe për t’u manipuluar nga zoti Berisha. Pra kjo parti manipulon qoftë zgjedhjet, imazhet, qoftë edhe faktet. Edhe sikur të mos kishte ndodhur, të ishte bërë ajo video me ata të dy të plagosur nga dhuna brenda protestës, me siguri do të vlonte opozita duke kërcënuar me fakte në thonjëza mazhorancën si të inkriminuar në krime politike. Ne tashmë e kemi të vërtetuar që pala e cila merret me këto manipulime është opozita. Përsa i përket asaj që ka ndodhur te spitali, aty duket qartazi se është ish-deputeti që ndërhynë në mënyrë jo civile, me dhunë verbale ndaj ministrit Leshaj. Nuk është në detyrën e tij t’i tregojë Ministrit se ku duhet të shkojë tek policët, apo tek protestuesit”, – vijoi ai.

Koçi gjithashtu theksoi se opozita dhe kryetari i saj po frymëzojnë dhunën në vend./atsh

Koçi: Opozita dhe lideri i saj po frymëzojnë dhunën në vend Read More »

Basha: Koha e fjalëve po mbaron, në protestën e ardhshme vendos sovrani

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbyllje të protestës së shtatë kombëtare nga oborri i selisë së PD deklaroi se, zgjidhja e vetme politike janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë. Harrojeni se do mbani pushtetin me dhunë. Hapini rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e vetme politike. Lëreni sovranin të flasë me votë ose dëgjoja zërin në protestën e ardhshme”, tha Basha.

“Ne nuk hedhim asnjë hap pas. E sotmja është dita e fundit që ju drejtohem me argumentet e arsyes të gjithë atyre me përgjegjësi në kupolën socialiste. Koha e fjalëve po mbaron sepse në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm ju. E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit, mbrohet me dhunën e krimit”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se, “demonstrata sot ishte me praninë më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria, Ballkani dhe Europa. Një protestë e lirë për zgjedhje të lira pa të cilat s’mund të ketë demokraci”.

Basha theksoi se “gjatë protestës tonë bëmë gjithçka që asnjë punonjës i thjeshtë i rendit të mos dëmtohej dhe se kam fjalën për horrat që hedhin gaz”.

Pavarësisht kësaj, tha Basha, “përgjigja e tyre ishte dhuna disproporcionale ndaj disa protestuesve me fraktura dhe plagë të thella në këmbë”.

“Të jemi të bashkuar kështu dhe të vendosur për vlerën më europiane pa të cilën nuk ka Europë, nuk ka Amerikë, nuk ka demokraci, por vetëm despotizëm lindor si ai që Edi Rama do të instalojë në Shqipëri për të shkatërruar njëherë e mirë institucionet dhe integrimin euro-atlantik”, nënvizoi Basha. /atsh

Basha: Koha e fjalëve po mbaron, në protestën e ardhshme vendos sovrani Read More »

Tërmetet në Korçë/ Çako: 184 banesa të dëmtuara, masa për përllogaritjen e dëmeve

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi sot se si pasojë e tërmetit të rënë në Korçë janë dëmtuar 180 banesa, ndërsa janë marrë të gjitha masat për strehimin e banorëve.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës së sotme në Korçë ka pasur një lëkundje tjetër tërmeti prej 3.9 ballë

Në një prononcim për mediet, Çako theksoi se “janë marrë të gjitha masat që prej momenteve te para të që ka rënë tërmeti prej 5.3 ballë. Në fshatin Floq janë sistemuar 160 banorë në 13 çadra me kapacitet prej 30- 40 vende. Në fshatin Libohovë janë sistemuar 40 persona në xhaminë e fshatit dhe ambiente të tjera”.

“Në Qafëzezë janë sistemuar 30 persona në 5 çadra të ngritura dhe janë marrë të gjitha masat, ku janë në dispozicion forcat e armatosura, Policia e Shtetit, Kryqi i Kuq, si dhe njësia e emergjencave civile vullnetare”, tha Çako.

Kreu i Emergjencave tha se “184 banesa janë dëmtuar në tërësi nga të cilat 95 prej tyre janë të dëmtuar plotësisht, për të cilat duhet të marrin vlerësimin sipas ligjit përkatës”.

“Duhet të bëhen procedurat, por masat emergjente janë marrë për të siguruar vendbanime deri në stabilizimin sizmik të zonave përkatëse. Qeveria po vlerëson në maksimum akordimin e një fondi për emergjencat civile për të gjithë banorët e kësaj zone, të cilët do të vlerësohen mbi bazën e nivelit të dëmit dhe masave që duhet të merren për trajtimin financiar dhe rindërtimin e banesave të tyre”, u shpreh Çako.

Sipas tij, të gjitha institucionet si Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, Shëndetësisë janë në këmbë dhe kanë në vëmendje masat e shtuara dhe stabilizimin e gjendjes në zonën e prekur.

Çako ftoi të gjithë biznesmenët apo kontributorët, të cilët kanë vullnetin e tyre për shtresat vulnerabël ta përqendrojnë vëmendjen drejt Korçës për të shtimin e kapaciteteve për këta banorë në nevojë./atsh

Tërmetet në Korçë/ Çako: 184 banesa të dëmtuara, masa për përllogaritjen e dëmeve Read More »

Lleshaj: Përgjigje publike për insinuatën e akuzave monstruoze kundër Policisë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi sot se nga frymëzuesit dhe ekzekutuesit e dhunës së mbrëmshme, tashmë duhet një përgjigje publike për akuzat ndaj policisë.

Ministri reagoi lidhur me akuzat e ish-kryeministrit Berisha i cili publikoi foto nga dy të të plagosur gjatë protestës së opozitës që sipas tij, “Ymer Çela dhe djalit i tij Erjon Çela, janë goditur nga policia me qyte revolveri dhe shkaktuar plagë të rënda në kokë, në hundë dhe në nofull”.

Ministri Lleshaj ka publikuar një video ku shfaqet dhuna e ushtruar nga mbështetësit e opozitës ndaj dy të plagosurve.

“Nga frymëzuesit dhe ekzekutuesit e dhunës së mbrëmshme, tashmë duhet një përgjigje publike për insinuatën e akuzave monstruoze kundër Policisë, që rezultuan në një blof të turpshëm, të ngjashëm me atë të “çadrave pistoletë” të 2011-ës”, thekson Lleshaj./atsh

https://www.facebook.com/lleshajsander/videos/332313567408164/?t=0

Lleshaj: Përgjigje publike për insinuatën e akuzave monstruoze kundër Policisë Read More »