Orikuminews

Basha: Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, provë e dështimit në përballje me krizën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi sot shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë si provë e dështimit të qeverisë për t’u përballur me krizën.

I pyetur në një intervistë televizive për vendimin e qeverisë që të shtyjë gjendjen e fatkeqësisë deri në 23 qershor dhe a u diskutua në Këshillin e Sigurisë, Basha tha se, “jo, nuk u diskutua. Gjendja e fatkeqësisë shërben për diçka. Shërben për të trajtuar problemin kryesor që është virusi dhe shërben për të trajtuar pasojat e këtij problemi që është kriza ekonomike. Për këtë arsye është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore. Tani të shohim çfarë është bërë këto javë, që kur është shpallur gjendja”.

“Në radhë të parë, nuk ka asnjë përmirësim sa i përket financimit të shëndetësisë dhe në veçanti rritjes së testimeve. Ne mbetemi vendi i fundit për sa i përket testimeve. Shikoni Maqedoninë apo vendet e tjera. Ne jemi një vend, ku kryeministri ka vendosur që testimet të mbahen në minimum. Dhe kur ke testime të pakta, do të kesh edhe zbulime të pakta, por kjo nuk na ndihmon. Ja ku kemi ardhur sot tek vendimi për të shtyrë emergjencën. Pse u shty emergjenca? E shpjegoi kryeministri këtë? Shpjegoi që këto 5 javë që ka kërkuar sakrificë të shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi nuk ka marrë asnjë masë reale për të na treguar ku është infeksioni? Kjo mundet kur ti ke mjaftueshëm testime. Na shpjegoi pse e ka marrë këtë masë në raport me atë që duhet të bëjë për të mbështetur të prekurit nga kjo masë, sepse masa e shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë presupozon që qeveria do të vazhdojë të ushtrojë pushtetet e veta për të urdhëruar mbyllje të bizneseve apo reduktim të orareve”, theksoi Basha.

Pra, shtoi Basha, “në masa shtrënguese kemi qenë të bollshëm, në komunikim në Facebook kemi qenë të bollshëm, por deri më sot, qeveria dhe kryeministri kanë dhënë me pikatore ndihmën që qytetarët meritojnë, ndihmën financiare apo ushqimore për të cilat qytetarët dhe bizneset kanë më shumë se kurrë nevojë sot. Ndaj, nga kjo pikëpamje, shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një tjetër provë e dështimit të qeverisë në këto 5 javë për t’u përballur me krizën”./atsh

Basha: Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, provë e dështimit në përballje me krizën Read More »

“coronavirus.al”/ 562 të infektuar me COVID-19, 314 të shëruar, 26 të vdekur dhe 5 542 teste

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 562 të infektuar me COVID-19, 222 raste aktive, 314 të shëruar, 26 të vdekur, ndërsa janë kryer 5 542 teste gjithsej.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Përmes kësaj platforme qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19. /atsh

“coronavirus.al”/ 562 të infektuar me COVID-19, 314 të shëruar, 26 të vdekur dhe 5 542 teste Read More »

Nga hapja e kufijve e deri tek lejet për lëvizjen e studentëve

Në përgjigje të pyetjeve të qytetarëve, Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se hapja e kufijve mund të ndodhë para muajit gusht, pavarësisht se ende nuk dihet sesa do të vazhdohet me këtë situatë.

“Uroj shumë më përpara nga gushti, por uroj shumë sepse askush nuk e di vazhdimin deri në fund të kësaj situate sepse armiku i padukshëm është këtu”, tha ai.

Lidhur me lejet e lëvizjeve për studentët, Rama tha se ministrja e Arsimit po diskuton me Rektoratin për një vendim të mundshëm.

“Ministrja e Arsimit po diskuton me rektoratet dhe shumë shpejt do të ketë një vendim se çfarë do të bëhet lidhur me këtë”, deklaroi Rama.

Për zanatçinjtë që punojnë në të zezë dhe të duan të pajisën me leje për të lëvizur, Rama u bëri thirrje të regjistrohen. “Sigurohuni, regjistrohuni, nxirreni më të fund këtë mësim nga kjo sekëlldia e madhe dhe ky taksirat i madh që juve ju ra si të tjerët, por që ju godet më shumë se të tjerët. Akoma nuk e nxorët këtë mësim?! Siguroni si të vetëpunësuar, person fizik dhe vazhdoni punën përndryshe nuk ka sesi. Mund të dalin shumë të tjerë që të thonë: unë jam pllakaxhi, unë jam elektricist, unë jam usta e të kërkojë leje”.

Pyetjes se kur mund të hapen rrugët për të lëvizur me makinë personale për personat që kanë vizitë në klinika mjekësore, Rama u shpreh se duhet të presin edhe për pak kohë./atsh

Nga hapja e kufijve e deri tek lejet për lëvizjen e studentëve Read More »

Strategji për hapjen e sezonit turistik/ Klosi: Distancim social në zonat e plazhit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik në vendin tonë.

Gjatë një interviste në një nga studiot televizive, Klosi u shpreh se për afatin se kur do të mund të hapen plazhet shqiptare do të vendosin mjekët, ndërsa ne, shtoi ai, po punojmë për të përcaktuar sesi do të funksionojë sezoni, në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi edhe duke bërë pushime brenda kufijve”, u shpreh ministri Klosi, duke nënvizuar se prioritet është jeta e njerëzve.

Sipas Klosit, po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë mbi parimet e Organizatës Botërore të Turizmit si dhe me një dakordësim me partnerët e rajonit.

“Po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019, do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se falë mënyrës së si u menaxhua në Shqipëri, situata e infeksionit nga COVID-19, ne sot do të kemi mundësinë të dalim shumë më shpejt në treg, sesa vendet e tjera, përreth si Italia, Greqia, Mali i Zi apo edhe Turqia, të cilat janë shumë të dëmtuara prej COVID-19, si dhe kanë struktura hoteliere shumë të mëdha, që ja u vështirësojnë vënien në kohë të shpejtë në punë.

Ndërsa strukturat tona hoteliere, bëri të ditur Klosi, janë të vogla, disa edhe familjare dhe janë lehtësisht të menaxhueshme për tu vënë në punë, brenda një periudhe kohore të shkurtër edhe për rreth 3 ditë.

“Këto dy faktorë do na japin shumë dorë që në të vazhdojmë të kërkojmë një treg të vendeve të pa prekura nga COVID-19, siç janë vendet Balltike, Ukraina, Bjellorusia, vendet e zonave Skandinave, Çekia, Polonia me të cilat ne po komunikojmë çdo ditë për të ndihmuar hotelierët shqiptarë, duke përpjekur të bëjmë, si të thuash edhe negociata shtetërore, në mënyrë që, nëse ne do të kemi hapje të tregut të kemi të siguruar edhe turistët”, deklaroi Klosi./atsh

Strategji për hapjen e sezonit turistik/ Klosi: Distancim social në zonat e plazhit Read More »

Martesë në kohë koronavirusi, çifti i ri bën xhiro me motor

Një çift ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për t’u martuar në kohë pandemie.

Kështu me motoçikletë, çifti nga Prishtina vendosi që të bëjë xhiro të shtunën, meqë planet për dasmë me kolonë makinash, e me festë të madhe familjare ua prishi koronavirusi.

“Ideja ka qenë e jemja se gjithmonë kam pas dëshirë me ardh Valoni me më marrë me motor se jemi motorista për një kohë të gjatë, por për shkaqe të ndryshme s’ka pas përgjigje pozitive, por tash për shkak të situatës”, tha Erza.

Martesë në kohë koronavirusi, çifti i ri bën xhiro me motor Read More »

Lufta ndaj COVID-19/Më shumë se gjysmë miliardë euro humbje për 4 muaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo shtëpi, ky shtet, kjo qeveri për pasojë, ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 milionë euro në muajin mars, 170 milionë euro pak a shumë në muajin prill dhe me gjasë do të humbasë po kaq, 170 milionë euro në muajin maj dhe pak a shumë 100 milionë euro në muajin qershor”.

Rama tha se në total janë më shumë se gjysmë miliardë euro.

“Nuk po ju qahem e as ankohem, as që do ju kthej kurrizin, por thjesht po ju sjell në vëmendje që si në shume shtëpi të zakonshme edhe në shtëpinë tonë të përbashkët të ardhurat janë goditur fort”, u shpreh Rama, duke shtuar se “kjo do të thotë vetëm kaq: Kur kërkoni nga unë në këto kushte të vështira për të gjithë, të mos e dyshoni që unë dua të merrni jo aq sa kërkoni, po edhe më shumë nga sa kërkoni, sepse besojeni ose jo sot më shumë së kurrë ju jeni të gjithë familja ime dhe çfarë është e shtetit, nuk është imja, është juaja. Por çfarë është e imja është përgjegjësi që kjo shtëpi të qëndrojë me dinjitet sot dhe të jetë dinjitoze edhe nesër. Prandaj ju lutem, mos i dëgjoni as kukuvajkat që predikojnë vdekjen për bukë, as bilbilat gjyzare që recitojnë recetat çudibërëse që detin e kthejnë në kos”.

Rama theksoi se “ne do ta fitojmë këtë luftë dhe lehtësimi do të vijë pas gjithë dhimbjes së saj, do të na bëjë të kuptojmë se sa e forte dhe se sa e mirë mund të jetë Shqipëria”./atsh

Lufta ndaj COVID-19/Më shumë se gjysmë miliardë euro humbje për 4 muaj Read More »

Parashikimi i motit, e premte 17 prill 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se sot moti parashikohet kryesisht i kthjellët, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta kalimtare në orët e mëngjesit.

Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6 m/s, e cila përgjatë vijës bregdetare hera-herës fiton intensitet deri në 10 m/s. Deti parashikohet i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 7/22 diell
Kukës 4/19 diell
Lezhë 9/22 diell
Dibër 2/17 diell
Durrës 8/20 diell
Tiranë 8/23 diell
Elbasan 9/24 diell
Berat 5/24 diell
Vlorë 9/22 diell
Korçë 1/17 diell re
Gjirokastër 4/23 diell re
Sarandë 10/23 diell/atsh

Parashikimi i motit, e premte 17 prill 2020 Read More »

Riatdhesimet/ Qeveria mbulon 2/3 e shpenzimeve në strukturat e hotelerisë ku karantinohen

Kryeministri Edi Rama foli sot edhe për riatdhesimet, ndërsa theksoi se qeveria do të paguaj 2/3 e shpenzimeve në strukturat e hotelerisë ku ata do të karantinohen dhe do të vendosim personelin shëndetësor duke krijuar kushtet antiCOVID-19.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Rama tha se “ne ia kemi dalë të mos bëjmë asnjë gabim deri tani”.

“Dëgjojmë që këta të riatdhesuarit t’i çojmë të punojnë tokën. Dëngla. Sepse nuk është as dëshira as një imagjinatë e lindur nga dëshira për t’i shtrënguar njerëzit që na detyron për hir të shëndetit e mbrojtjes së jetës t’i karantinojmë, por janë faktet me të cilat ne përballemi çdo ditë, duke marrë çdo ditë informacion për gjithçka ndodh në të gjitha vendet e planetit çdo ditë. Ne ia kemi dalë të mos bëjmë asnjë gabim deri tani”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje shembullin e Singaporit që dëshmoi se si riatdhesimet sollën një valë të re të infektuarish. “Singapori është shembulli më fantastik në valën e parë, por kur riatdhesimi i mbi 500 studentëve solli një valë të dytë infektimesh”, tha Rama.

“Po ju them edhe diçka, nuk dua të kthehem shumë në kohë por në kohën kur ikën nga qeveria ata që sot dalin e qajnë hallin e të varfërve dhe atyre me ndihmë ekonomike, i detyroheshin atyre 45 milionë dollarë që nuk ia kishin dhënë fare dhe nuk kishte fare as pandemi as tërmet, ishte thjesht pandemia dhe tërmeti i mënyrës se si funksiononin ata, plus edhe gjithë ato detyrime për të përmbyturit në Shkodër”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se ndihma 50 milionë euro e dhënë nga BE për të përballuar situatën në sistemin shëndetësor, nuk janë para që futen në qese, por janë një fond që do të disbursohet deri në mars të vitit tjetër. Akoma nuk ka ardhur transhi i parë 4 milionë euro, nuk ka asnjë qindarkë të huaj deri tani në këtë proces, zero. Janë përballuar nga buxheti i shtetit deri tani”, tha Rama. //atsh

Riatdhesimet/ Qeveria mbulon 2/3 e shpenzimeve në strukturat e hotelerisë ku karantinohen Read More »