Orikuminews

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Në arsyet e kthimit të këtij ligji Meta shprehet se, “rregullimi i kuadrit normativ në këtë fushë me këtë ligj, duhet parë i lidhur me tre aspekte kryesore.

Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale.

Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues”.

“Lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, Meta thekson se, “rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale edhe pse është një risi teknologjike që përmban anë pozitive, në kushtet akutale, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve dhe standardeve që kërkojnë tregje të tilla të regjistrave të shpërndarë, mund të jetë një proces i parakohshëm për t’u miratuar dhe/ose për t`u zbatuar. Kjo për shkak të rreziqeve dhe anëve negative të përdorimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, që janë të shumta”, tha Meta.

“Ndaj, edhe në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet. Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik”, shprehet Meta.

Lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale, Meta shton se, “të dhënat publike tregojnë se, në të gjitha vendet ka patur një shqetësim mbi rastet e shumta të mashtrimit nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale”.

“Miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja”, nënvizon Meta.

“Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme”, thekson Meta./atsh

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” Read More »

“S’mund të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel”/ Ruçi: Të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi sot se s’ka arsye ligjore që me mos hapjen e të gjitha vendeve të vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel.

Duke iu drejtuar kryetares së KLGJ-së, Neureda Llagami, e cila mbajti raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë për vitin 2019, Ruçi theksoi se “kam vetëm një sugjerim për ju që është përsëritje e pikës së parë që i është vendosur institucionit që ju drejtoni për vitin 2020 që ka të bëjë lidhur me shpalljen e menjëhershme të të gjitha vendeve të lira në Gjykatën e Lartë dhe përmbylljen sa më shpejt të procesit të plotësimit të këtyre vendeve”.

“Kuvendi, publiku shqiptar dhe partnerët tanë janë të interesuar se kur do të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese që është rrjedhojë e mosplotësimit të Gjykatës së Lartë? S’ka asnjë arsye as ligjore që ju me mos hapjen e të gjitha vendeve të mbani peng Shqipërinë deri në Bruksel për këtë çështje. Lidhur me këtë rezolutë që Kuvendi do ta votojë sot për këtë pikë qoftë Komisioni përkatës i Ligjeve, qoftë edhe seanca e posaçme për këtë çështje, kur themi të hapen menjëherë dhe të përfundojë sa më shpejt, shumë shpejt të mos jemi tek momenti që të preokupohet Komisioni i Ligjeve për moszbatim të kësaj pike të rezolutës dhe të preokupohet një mbledhje e posaçme e Kuvendit vetëm për mosplotësim të kësaj rezolute”, – theksoi Ruçi.

Kryetarja e KLGJ-së, Neureda Llagami, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve tha se “jemi në fazën e e vijimit të procesit si Këshill për zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa vetingu është proces paralel që bën identifikimin e personave të ekspozuar ndaj korrupsionit. Këshilli ka filluar punën dhe besoj që edhe Këshilli do marrë shumë masa për gjyqtarët e korruptuar apo që ka indicie se janë të tillë”./atsh

“S’mund të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel”/ Ruçi: Të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë Read More »

Basha me fermerët: Qeveria e ardhshme do jetë në krah, do çlirojmë ekonominë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit e vegjël dhe fermerët në Marikaj.

Basha i garantoi fermerët dhe bizneset se qeveria e ardhshme do jetë në krah të tyre.

Ai tha se dëgjoi shqetësimet dhe problemet e fermerëve të zonës, dhe i garantoi se qeveria e ardhshme do jetë në krah të tyre. “Taksat dhe lekët e shqiptarëve nuk do të shkojnë më për 5 veta”, tha ai.

Basha theksoi se qeveria e ardhshme do çlirojë ekonominë dhe do shtojë mundësitë për punësim.

“Do çlirojmë mundësitë, të punoni të gjithë edhe sipas mundësive që, sigurisht do vijnë duke u rritur, kur të çlirohet ekonomia edhe ju të fitoni, të punësoni, të ketë mirëqenie. S’mund të jetë Shqipëria e 5 vetave”, u shpreh Basha. /atsh

Basha me fermerët: Qeveria e ardhshme do jetë në krah, do çlirojmë ekonominë Read More »

Mjeku Kalo: Virusi “gjallon” ende mes nesh, mos nënvlerësoni kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve

Mjeku i njohur në spitalin Infektiv, Tritan Kalo ka kërkuar nga qytetarët vetëndërgjegjësim pasi sipas tij kujdesi për veten dhe të tjerët ka nisur të nënvlerësohet edhe pse virusi është ende mes nesh.

Ai thotë se po kryen çdo ditë të njëjtën rutinë sikur ndodhi edhe para disa muaj, kur ky virus u shfaq edhe në Shqipëri. Sipas tij, personeli shëndetësor mbetet i papërtuar për të ndihmuar çdo të sëmurë në këto kohë të cilat Kalo i quan “kohë kovidiane”.

“Kohë kovidiane….sensibilizimin ynë, vetëndërgjegjësimi, kujdesi për veten dhe të tjerët rreth nesh këto ditët e fundit kanë filluar të harohen e nënvlerësohen për shumë e shumë prej jush….MOS haroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh”, u shpreh Kalo.

Kalo i rikujton ndër të tjera qytetarëve që kujdesi i vazhdueshëm për veten dhe të tjerët nuk duhet të nënvlerësohet dhe vetëm në këtë mënyrë mund t’i dilet mbanë kësaj sfide jo të lehtë.

“Kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Së bashku do ia dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar”, thekson ndër të tjera mjeku i njohur. /atsh

Mjeku Kalo: Virusi “gjallon” ende mes nesh, mos nënvlerësoni kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve Read More »

Faktet janë fakte, afro çerekmilion shqiptarë kanë marrë ‘pagat e luftës’

“Faktet janë fakte, janë duke shkuar afro çerekmilion shqiptarë që kanë marrë ‘pagat e luftës’”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama ndau rastin e dy punonjësve të një lokali në Derven, ndërsa theksoi se ne po vazhdojmë t’u shkojmë nga mbrapa të gjithëve për t’u dhënë pagën një për një”.

“Kemi ndaluar këtu në Derven pa shkuar në Thumanë. Sapo u takova me Gjonin, i cili ka marrë 3 ‘pagat e luftës’. Rastësisht u takuam këtu se jemi duke vizituar kantieret e rindërtimit”, tha Rama.

Rama tha se “qytetarët kanë përfituar ose 3 paga, ose 400 mijë lekëshin sipas kategorive”.

“Askush nuk ka mbetur vetëm. Vazhdojmë bëjmë verifikime dhe vazhdojmë ne t’u shkojmë nga mbrapa të gjithëve për t’u dhënë pagën një për një, kokërr leku më kokërr leku”, tha Rama. /atsh

Faktet janë fakte, afro çerekmilion shqiptarë kanë marrë ‘pagat e luftës’ Read More »

Energji pa ndërprerje gjatë sezonit turistik/ Instalohet nënstacioni i lëvizshëm për fshatrat e Jugut

Me synim rritjen e sigurisë të furnizimit me energji elektrike dhe në mbështetje të sezonit turistik bregdetar në jug të vendit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group sh.a, bëri të mundur instalimin e nënstacionit të lëvizshëm në fshatin turistik të Borshit, Sarandë.

Ky nënstacion, investim i OSHEE, është i lidhur me rrjetin 35 kV dhe bashkërendon me nënstacionet e tjera, atë të Bunecit dhe Himarës, si garanci e rritur për furnizim normal me energji elektrike.

Nënstacioni me fuqi 7,5 MVA furnizon fshatrat turistikë të Borshit, Qeparoit dhe Fterrën.

Përmes nënstacionit të lëvizshëm të vendosur në Borsh reduktohet ngarkesa e linjave elektrike për Lukovën, Piqerasin, Vunoin dhe Dhërmiun./atsh

Energji pa ndërprerje gjatë sezonit turistik/ Instalohet nënstacioni i lëvizshëm për fshatrat e Jugut Read More »

Rritje e të shtruarve në Infektiv, Tomini: Po preken dhe moshat më të reja, duhet ndërgjegjësim maksimal për zbatimin e masave

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi mëngjesin e së hënës se jo vetëm është rritur numri i personave të shtruar në spital me COVID-19 por janë prekur edhe moshat më të reja.

Në një intervistë televizive, Tomini argumentoi se numri aktual i të shtruarve përkon me të njëjtën periudhe të mëparshme të muajit mars ku kontaktet ishin të pakta dhe më herët u konsiderua piku i kësaj epidemie. Sipas saj, moshat e reja rreth 30-40 vjeç të prekur nga kjo sëmundje, përgjithesisht kanë patologji bashkëshoqëruese.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv kemi 10 raste që janë në terapi intensive. Është një trend i lartë përsa i përket asistencës së terapisë intensive në spitalin infektiv. Ndëkohë që aktualisht kemi 78 të shtruar gjë që përkon paralelisht me një situatë që e konsideronim pikun nën efektin e masave në periudhën e marsit. Të them të vërtetën, po të krahasojmë të dy nivelet janë gati të njëjta. Por në terapi intensive kemi më shumë raste ndërkohë që duhet të theksohet që kemi një zgjerim të moshës së prekur nga ajo që kishim. Në periudhën e epidemisë nën efektin e masave kishim të prekur të moshës mbi 50, 65 vjeç ndërsa aktualisht kemi edhe moshë të re 30-40 vjeç. Duket që virusi është prezent dhe transmetueshmëria është po njëlloj. Kemi të sëmurë të shtruar të kësaj moshë që kanë shprehur simptomatologji. Mund të mos kenë patologji bashkëshoqëruese por duhet thënë që shumica kanë patologji bashkëshoqëruese. Fakti që kjo periudhë ka prekje të grupmoshës më të re me simptomatologji, duhe që ndërgjegjësimi i popullatës të jetë në nivel shumë të lartë dhe duhet të kuptojnë që virusi ka transmetueshmëri dhe virulenca e tij nuk është zbutur me kalimin e muajve”, u shpreh Tomini.

E pyetur mbi rritjen e testimeve, ajo theksoi se me rritjen e numrit të të prekurve nga infeksioni, rritet edhe gjurmimi i kontakteve në terren.

“Fakti është që rritja e testimeve ka lidhje me një zgjerim të drejtpërdrejt të kontakteve gjatë 24 orëve. Ndërkohë që në fazën e karantinës ne kishim kontakte minimale , kjo reflektohej në nivelin e testimeve që paraqitej në ato javë. Aktualisht me shtimin e aktiviteteve të përditshme qofshin ato jetësore por edhe aktivitete argëtuese, kontaktet janë shumë më tepër sesa në kohën e izolimit dhe kjo reflektohet në shtimin e kontakteve që duhen etstuar. Rastet pozitivë asimptomatikë transmetojnë tek personat e tjerë të kontaktit në shifër shumë herë më të lartë sesa fillimi. Nuk do të thotë, sigurisht që nuk ka vend të testojmë akoma më shumë por është shumë e rëndësishme strategjia. Çdo rast i dyshuar ka ndjekje të kontakteve të mundshme dhe për rrjedhojë janë të gjithë të testuar. Sa më shumë raste do të kemi aq më shumë do të jetë edhe gjurmimi aktiv në terren që përkon edhe me ndjekjen e kontakteve dytësore apo tretësore”, theksoi Tomini.

Shefja e Survejancës dhe shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP apeloi për ndërgjegjësim të popullatës në nivele më të larta. Ajo tha se virusi nuk e ka ulur nivelin e transmetueshmërinë.

“Ndërgjegjësimi në këtë fazë i gjithë popullatës është me shumë vlerë. Çdo person i evidentuar pozitiv pavarësisht që nuk ka simptoma, ai është i rrezikshëm për transmetimin e sëmundjes për familjarët por edhe për shoqërinë që ai rri dhe kontaktet që mund të ketë. Është shumë e rëndësishme të vetëizolohemi. Mosprezenca e shenjave nuk e bën atë më pak të transmetueshëm përkundrejt Covidit. Përkundrazi, mosprezenca e shenjave e bën atë që të transmetojë sëmundjen. Duhet të ndjekin distancimin fizik dhe aty ku nuk respektohet mbajtja e maskës aq më tepër në ambientet e mbyllura është një domosdoshmëri e cila parandalon, mbron të tjerër dhe sigurisht ana e kundërt apo të tjerët duhet të mbrojnë ty. Normalisht nëse vetëm ti vendos maskë dhe pjesa tjetër e popullatës brenda këtij ambienti nuk vendos maskë, ti përkundrazi je i rrezikur ndërsa pjesa tjetër është e mbrojtur përkundrejt asaj çka mund të transmetosh. Prandaj distancimi fizik, higjiena personale ka shumë vlerë në këtë momente dhe duhet të shtohet në një shkallë më të lartë ndërgjegjësimi”, theksoi Tomini./atsh

Rritje e të shtruarve në Infektiv, Tomini: Po preken dhe moshat më të reja, duhet ndërgjegjësim maksimal për zbatimin e masave Read More »

Rinis transporti ndërkombëtar detar i pasagjerëve/ Monitorim rigoroz protokolleve të sigurisë

Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare po punon për të bërë të mundur rifillimin gradual dhe të sigurt të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve.

Përmes një njoftimi për shtyp, ministria njoftoi se i gjithë ky proces ka në fokus garantimin e sigurisë së shëndetit të pasagjerëve, duke përmbushur në mënyrë rigoroze të gjitha protokollet e sigurisë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e organizmave ndërkombëtare.

“Duke marrë në konsideratë kërkesat e operatorëve të licensuar në transportin detar të pasagjerëve dhe deklaratën e Komisionit Evropian të datës 11 qershor 2020, për heqjen e kufizimeve të udhëtimit duke filluar nga 1 korrik 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke nisur nga dita e hënë, 22 qershor 2020, do të lejohen të gjitha linjat e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve”, thuhet në njoftimin e MIE-s.

Në këtë situatë të re, sipas MIE-s, përgjegjësia do të jetë e shoqërive të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve, të cilat duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të mundësuar rezervimin e lundrimit për dhe nga Portet e Republikës së Shqipërisë.

“Shoqëritë e Transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve do të jenë përgjegjëse edhe për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga portet e Republikës së Shqipërisë dhe destinacionin e synuar si dhe rregullat e kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në destinacionin ku ata do të mbërrijnë” shprehet MIE.

Drejtoria e Përgjithshme Detare do të monitorojë zbatimin e të gjitha masave si dhe planin e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Detar, të miratuar nga Ministria.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe portet detare në vend është e angazhuar për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në mënyrë që të garantohen lundrime të sigurta duke mos cenuar sigurinë e shëndetit të punonjësve të sektorit dhe të pasagjerëve”, thuhet më tej/atsh

Rinis transporti ndërkombëtar detar i pasagjerëve/ Monitorim rigoroz protokolleve të sigurisë Read More »