Orikuminews

Regjistrimi i pronave në bregdetin e Jugut/ Kadastra: Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore dhe jo me gjoba nga njerëz të panjohur

Prej gati një muaji Kadastra Shqiptare ka nisur procesin e regjistrimit fillestar të pronave në 8 zona kadastrale të Bregdetit: Palasë, Gjilekë, Dhërmi, Himarë, Vuno, Ilias, Nivicë, Lukovë.
Në një njoftimn për shtyp Kadastra Shqiptare njoftoi se procesi po ecën me ritme normale dhe punonjësit po trokasin në çdo derë, po takojnë çdo kryefamiljar dhe po masin çdo pronë.
“Por me keqardhje konstatojmë nga banorë të zonës të cilët na denoncojnë raste, kur persona të paautorizuar paraqiten si punonjës të Kadastrës dhe premtojnë regjistrimin kundrejt shumave të parave. Është shumë i vjetër ky kurthi i gjeometrit mashtrues që, me një metër në dorë, përpiqet të trembë ndonjë fshatar të lodhur”, thuhet në një njoftim të Kadastrës.
Kadastra apeloi qytetarët për kujdes. “Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore qe do e provojnë dhe jo me gjoba të paguara njerëzve të panjohur. Procedurat në terren do të ndiqen nga këta djem që shihni në foto, të cilët kanë të dukshëm elementët e identifikimit: xhupat fluoreshentë të verdhë dhe mbajnë të gjoks librezën identifikuese me shenjat e Kadastrës”, thuhet në njoftim.
“Mos pranoni t’i hapni derën askujt që pretendon se vjen nga Kadastra dhe nuk mban këto elementë dallues. Denonconi në Policinë e Shtetit çdo rast që ju paraqiten persona të dyshimtë. Ne jemi aty për të regjistruar pronën tuaj! Mos u joshni! Besoni tek procesi dhe Kadastra Shqiptare! Punë të mbarë së bashku”, përfundoi Kadastra Shqiptare. /atsh

Regjistrimi i pronave në bregdetin e Jugut/ Kadastra: Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore dhe jo me gjoba nga njerëz të panjohur Read More »

Jap dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza, Kosova shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se “nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqjen si President dhe do të përballem me akuzat”.

Në një mesazh për popullin e Kosovës dhe shqiptarët kudo ku jetojnë, Presidenti Thaçi theksoi se “Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”.

“Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Europian”, – tha Thaçi.

Presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.Një shtet europian e një shoqëri multietnike. I them edhe një herë jo hakmarrjes dhe po tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhmen euroatlantike”.

“Kosova duhet të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejshëm. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, – tha Thaçi.

Më tej, Presidenti Thaçi theksoi se “zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë. Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja”.

“Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar. Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën”, – tha Thaçi duke shtuar se politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme, vijoi ai, që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

“E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madh njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njësoj do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, – nënvizoi Thaçi.

Kreu i Shtetit të Kosovës u shpreh se “gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë! Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Sllobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar. Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë: Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare. Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë. Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë.
Njëra, të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian; Dhe e dyta, që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës”.

Vendimi im, shtoi Thaçi, ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës.

“Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike. Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz. Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë”, – tha Thaçi.

Ai u shpreh se “unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Dhe ja ku jemi sot. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim europian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë! Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës. Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve”.

Presidenti Thaçi tha se “padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona. Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik. Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj”.

“E në anën tjetër, në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës. Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare. Ne jemi angazhuar, unë personalisht jam angazhuar fuqimisht, për dialog e paqe me Serbinë. Por, nuk pajtohem, as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve”, – theksoi Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se, “a mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona të përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh? Kjo pyetje absurde lind natyrshëm, pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës. Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë temë krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada”.

“Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte. Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet. Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri! Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi. Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet. Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë. As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të qeverisë, as nuk e mohoj sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në qeverisje dhe drejtim të shtetit”, – tha Thaçi, duke shtuar se kjo është e natyrshme për një lider.

Por, shtoi ai, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

“Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit”, – tha Thaçi.

Ai theksoi se “nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh. Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm një herë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them: Më fal, në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar”. /atsh

Jap dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza, Kosova shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë Read More »

Ndahet nga jeta Besim Zekthi, kërcimtari legjendar që i dha zë e shpirt valles dhe muzikës tonë tradicionale

Besim Zekthi, mjeshtri i valleve popullore, është ndarë sot nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të valltarit më të njohur shqiptar që arriti të bëjë për vete për vite me radhë të tri brezat.

“Lamtumirë kërcimtarit legjendar, Besim Zekthi”, – shprehet Rama në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besim Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tonë tradicionale.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore.

Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shëngjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, :valle e Kuksit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle mzeqare”, “Vjelja e mollëve”, etj.

Në vitin 2017 për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”. /atsh

Ndahet nga jeta Besim Zekthi, kërcimtari legjendar që i dha zë e shpirt valles dhe muzikës tonë tradicionale Read More »

Raporti i DASH për luftën ndaj trafikimit të personave/ Shqipëria në grupin e shteteve si Gjermania dhe Italia

Departamenti Amerikan i Shtetit për të gjashtin vit radhazi vlerëson Shqipërinë në luftën kundër trafikimit të personave.

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila mban edhe detyrën e Koordinatorit Kombëtar në Luftën ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ka publikuar raportin e DASH, ku Shqipëria vlersësohet në grupin e dytë të vendeve të ngjyrosura me të verdhë, ku është edhe Italia e Gjermania.

“Shqipëria renditet në grupin e dytë të vendeve, të ngjyrosura me të verdhë në hartën më poshtë, në çështjet që lidhen me Luftën kundër Trafikimit të Personave”,- sqaroi Voda.

“Në Raportin e Departamentit Amerikan te Shtetit vlerësohen përpjekjet e Shqipërisë si më poshtë:”… Qeveria demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme raportuese; prandaj Shqipëria mbetet në nivelin 2. Këto përpjekje përfshinin dënimin e trafikantëve të dënuar me kushte të konsiderueshme burgu, identifikimin e më shumë viktimave dhe sigurimin e trajnimeve të forta për zyrtarët përkatës. Qeveria, në bashkëpunim me shoqërinë civile, ngriti edhe Bordin Këshillëdhënës të Viktimave të Trafikimit, i përbërë nga tre të mbijetuar, dhe rritja e ndihmës së viktimave në procedurat penale duke krijuar Qendrën e Zhvillimit për Drejtësi Penale për të Mitur dhe punësimin e koordinatorëve shtesë të ndihmës së viktimave … “,- citoi Voda raportin e DASH. /atsh

Raporti i DASH për luftën ndaj trafikimit të personave/ Shqipëria në grupin e shteteve si Gjermania dhe Italia Read More »

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar për herë të parë dy ditë pas publikimit të aktakuzës me dhjetë pika nga Prokuroria e Specializuar në Hagë ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Me një citim në shqip dhe në anglisht, Presidenti Thaçi thekson se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës! Nobody can rewrite the history of Kosova!”, deklaron Presidenti i Kosovës, Thaçi krahas emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi dy ditë më parë se i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Pas këtij njoftimi, Presidenti Thaçi anuloi pjesëmarrjen e tij në takimin e parashikuar për dialogun me Serbinë që do të mbahej më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Pas vendimit të Thaçit, edhe Kryeministri Avdullah Hoti anuloi udhëtimin e tij drejt SHBA-së duke kërkuar shtyrjen e këtij takimi./atsh

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës Read More »

“Nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës”/Rama konfirmon takimin e Hotin

Kryeministri Edi Rama konfirmoi mbrëmjen e sotme se në 3 korrik do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Me Hotin nuk jemi njohur nga afër, por unë e kam takuar, e kam ndjekur pak me thënë të drejtën dhe kam një pëlqyeshmëri të veçantë sepse hyjnë tek ata që nuk flasin kot. Flasin vetëm kur u duhet vërtetë të flasin dhe thonë gjërat me kompetencë për atë që flasin. Ky është shumë virtyt i madh në politikën shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se unë nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës. “Kam pasur një debat fatkeq me Ramushin për shkakun që dihet, por unë asnjëherë nuk ndërhyjë në çështje të brendshme të partive në Kosovë dhe kurrë nuk mund ta imagjinoj se si kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve, të organizoj protesta në Prishtinë për të bërë zgjedhje apo për të ndaluar zgjedhje, apo të fusë hundët se si duhet të trajtohen të varfërit apo të pasurit. Këto nuk janë tema ndërshtetërore. Ne bëhemi qesharak kur bëjmë të tilla gjëra sepse jemi dy shtete dhe duhet të respektojmë shteti shtetin. Gjithmonë duke mos harruar se jemi vëllezër nuk duhet që të tregojmë se çfarë duhet bërë atje te shteti tjetër”, tha Rama.

Rama tha se me Albin Kurtin nuk ka pasur përplasje, por është metodikë e partisë së Albinit që bën edhe loje me dy porta. “Me ca këtu që dalin në protestë kundër qeverisë, ndërkohë që nga ana tjetër bisedohet qeveri me qeveri. Është një lloj amalgame që nuk shkon. Në qeverisje u soll në mënyrë korrekte në raport me normat”, tha Rama./atsh

“Nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës”/Rama konfirmon takimin e Hotin Read More »

Nisin eksportet e fiqve/ 1,82 tonë nga zona e Lushnjës drejt tregjeve të rajonit

Eksportet bujqësore kanë nisur mbarë edhe kulturën e fiqve.

Këtë vit, eksportet e fikut kanë nisur dy javë më herët se vitin e kaluar, ndërsa sezoni i prodhimit të bollshëm të fiqve të freskët, është nga vera, deri në vjeshtë, në varësi të varieteteve.

1,82 tonë fiq nga zona e Lushnjës, është sasia e parë që është eksportuar në tregjet e rajonit: Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi gjatë pesë ditëve të fundit. Por eksportet e këtij produkti pritet të arrijnë në disa mijë tonë deri në fund të sezonit të prodhimit.

Në Shqipëri rriten disa lloje fiqsh, disa më të hershëm në prodhim e disa të tjerë më të vonshëm, kryesisht të bardhë dhe të zinj, si edhe varietete të fiqve më të vegjël, të quajtur rreka, të cilët dalin në treg në fund të verës.

Shqipëria renditet ndër vendet kryesore në botë për prodhimin e këtij fruti. Përmeti, Berati, Elbasani, por edhe Tirana dhe mjaft zona të tjera të Shqipërisë, sidomos asaj jugore, janë prodhuesit dhe kultivuesit kryesorë të fiqve shqiptarë, ndërkohë që një pjesë e mirë e fiqve vendas përpunohet për reçel, marmelatë, apo thahet për t’u përdorur gjatë muajve të tjerë të vitit./atsh

Nisin eksportet e fiqve/ 1,82 tonë nga zona e Lushnjës drejt tregjeve të rajonit Read More »

“Kemi transmetim komunitar të COVID-19″/ Brataj: Respektimi i rregullave është thelbësor në këtë fazë të pandemisë

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se “respektimi i rregullave është thelbësor në këtë fazë të pandemisë, kur po vërehet transmetim i infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar”.

Brataj u shpreh se “jetojmë në një moment të vështirë të pandemisë. Sot nuk dua të hyj në shifra apo përqindje thjesht të ndaj shqetësimin me ju. Pa hyrë në analiza apo polemika, pa gjetur fajtorë siç e kemi zakon në Shqipëri, pa gjykuar doja të thoja, se po vërehen tri dukuri në sfidën ndaj Sars-Cov2 që shkakton sëmundjen e COVID-19”, tha Brataj.

Sipas tij, po ndodh shtimi i rasteve në përgjithësi, shtimi i të sëmurëve dhe prekja e moshave të reja që deri dje ishin të paprekura.

Brataj tha se “ajo që më shqetëson më shumë është rritja e numrit të pacientëve si në banesë, po ashtu edhe në spital”.

“Kalimi i infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar. Në këtë fazë të pandemisë a mund të bëjmë ne diçka më shumë për të parandaluar apo për të përmirësuar situatën e këtij infeksioni? Po. A kemi nevojë për masa drastike izolimi? Jo”, tha Brataj.

Duke folur për mënyrën më të mirë për të vepruar në këtë moment, Brataj nënvizoi respektimin e rregullave.

“Patjetër që varet nga ne, thjesht të respektojmë disa rregulla të thjeshta. Domosdoshmëri është përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, ndoshta është momenti që të ngremë zërin kur shikojmë persona të tjerë brenda këtyre ambienteve pa maska. Ruajtja e distancës 1,5-2 metra në këto ambiente. Dezinfektimi i duarve në hyrje të çdo ambienti të mbyllur pa përdorur doreza”, tha ai.

Po ashtu, Brataj nënvizoi karantinimin dhe distancimin fizik për të gjithë ata që rezultojnë të infektuar.

“Nëse ke pasur kontakt me persona të infektuar dhe shfaqen shenja e simptoma konsideroje veten si të infektuar. Mos përdor maska në ambient të hapur nëse nuk je prekur nga infeksioni. Mos përdor doreza në ambient të hapur”, këshilloi Brataj./atsh

“Kemi transmetim komunitar të COVID-19″/ Brataj: Respektimi i rregullave është thelbësor në këtë fazë të pandemisë Read More »