Orikuminews

Ministria e Shëndetësisë apel qytetarëve: Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, ku nuk mund të ruani distancën

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëri thirrje sot qytetarëve të tregojnë kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë se “qytetarët duhet të përdorin maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyjnë në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruajnë distancën”.

Sipas saj, në vend vijon të ketë një trend në rritje të të prekurve me COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore”, – tha Tomini.

Sipas saj, çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID-19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive./atsh

Ministria e Shëndetësisë apel qytetarëve: Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, ku nuk mund të ruani distancën Read More »

Burhani, një nga 10 mijë e 548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës

Burhani, menaxher recepsioni salle në një prej hoteleve të qytetit është një nga 10 mijë e 548 qytetarët, të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në Qarkun Vlorë.

“Deri më sot 169 mijë e 900 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë”, – bëri të ditur ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila ka publikuar një video me dëshminë e Burhanit.

“Unë jam më i vjetri në këtë hotel kam 15 vjet që punoj që në vitin 2006. Në muajin prill përfituam 40 mijë lekë pagë lufte që më ka kaluar në bankë”-, tha Burhani./atsh

Burhani, një nga 10 mijë e 548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës Read More »

Rama: Nuk kam fjalë për gjuhën e turpshme të sulmit ndaj Milot-Fier pa nisur gara, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin

“Nuk kam fjalë për gjuhën e turpshme të atyre që duan të qeverisin Shqipërinë e sulmojnë me fjalët më të ulëta projektin Milot-Fier ende pa nisur mirë gara ndërkombëtare”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama pas deklaratave të opozitës për projektin e segmentit Milot-Fier.

“Këta që fjalën e vjedhje e kanë në majë të gjuhës për çdo punë, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin”, – tha Rama.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot nga Divjaka se qeveria ka dhënë koncesion 1.2 miliardë euro për një rrugë imagjinare Milot-Fier. Ai tha se “një pjesë e madhe e kësaj rruge është ndërtuar nga PD”. “Ky nuk është asgjë, vetëm një projekt tjetër vjedhje dhe pa pikë diskutimi nuk ka asnjë shans të realizohet”, tha Basha./atsh

Rama: Nuk kam fjalë për gjuhën e turpshme të sulmit ndaj Milot-Fier pa nisur gara, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin Read More »

Një jetë mes metrazheve dhe makinës qepëse, historia e veçantë e Afërditës, 56-vjeçarja që ëndërronte të bëhej arkitekte

Në zonën e pallateve në Unazën e Re në kryeqytet, ndodhet një atelie e vogël, rrobaqepësie. Aty janë të punësuara dy gra, përfshirë edhe pronaren. Ato presin, qepin, qëndisin e mundohen të bëjnë modë sipas kërkesave të klientëve, konceptit të tyre, por edhe tendencave të fundit.

Afërdita Dule nuk është shefe e punishtes, por rrobaqepësja që ideon, skicon dhe që prej 7 vitesh punon tek “Reti Collection” duke ushtruar një profesion që i pëlqen dhe e bën me pasion. Por historia e Afërditës është krejt e veçantë.

Ajo tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare që dhuntinë e saj e zbuloi që e vogël, e rritur në një familje të kulturuar shkodrane dhe në gjendje të mirë ekonomike.

Pasioni i saj për të qepur e prerë nuk ka ardhur duke u zbehur me kohën, por sipas Afërditës, çdo ditë i duket sikur po merr porosinë e parë, ku nga ai moment kanë kaluar 38 vjet.

“Kam një pasion që pavarësisht se janë punonjëse, unë e bëj punën sikur ta kem dyqanin tim. Kam mbaruar shkollën për konfeksione në Shkodër, për rrobaqepësi. Kam qenë me të gjitha 10-ta, e para shkollës gjithmonë si në 8-vjeçare si në shkollën e mesme. Unë jam rritur në një familje me shumë kulturë, të shkolluar. Babai im ka qenë ekonomist. Jemi rritur me një kulturë të jashtëzakonshme, rrethi familjar i babait kanë qenë intelektualë. Jam rritur në një familje të lumtur në Shkodër, familje model që ma merr mendja që nuk mund të ketë, me një kulturë të jashtëzakonshme të babait dhe mamasë, të cilët na edukuan për ndershmëri dhe pasionin ndaj të lexuarit. Jam rritur me libra, me pasion për artin, pikturën dhe këngën. Si më e madhja e fëmijëve, pas vdekjes së gjyshes, m’u desh që të merresha më shumë me shtëpinë, po ashtu edhe me motrën dhe vëllain që ishin të vegjël. Për shkak se u fejova e vogël, ende pa mbushur 18 vjeç, m’u desh që të hiqja dorë nga ëndrrat e mia për të vazhduar shkollën, edhe pse isha me të gjitha 10-ta”.

Prej tridhjetë e tetë vitesh, ajo gdhihet dhe ngryset mes copave, mes metrazheve e makinës qepëse.

“Pasionin për rrobaqepësinë e kuptova që herët, qëkur bëja rroba për kukullat. Copat nuk më mungonin asnjëherë sepse na vinin nga Ulqini që para viteve ’90. Ne ishim fëmijët më të veshur në Shkodër. Unë shkoja tek rrobaqepëset më të mira në Shkodër, që kur isha e vogël për të qepur rroba sepse ishim në gjendje të mirë ekonomike. Kam pasur një gjysh që ka ditur 5 gjuhë të huaja sepse ka qenë detar. Deri në 1964, gjyshi im ka punuar me anije, ka transportuar mallra në Itali, Serbi e shumë vende të tjera. Kështu që jam rritur në kulturën dhe edukatën e tyre. Pas fejesës nuk mund ta vazhdoja dot shkollën. Më pas kur linda vajzën, nisa të qep për vajzën time të gjitha rrobat me dorë pasi tek familja e re nuk ishim në gjendje shumë të mirë ekonomike. Nisa të punoja në shtëpi, më vinin porosi edhe nga të tjerë dhe nuk u thoja jo. Kurrë nuk kam thënë nuk di, as sot nuk di të them jo nëse me vjen një porosi. Isha vetëm 18 vjeç kur nisa të punoja me porosi. Punoja 22 orë. Kur kisha vajzën vetëm 2 vjeçe, babai im shkoi në Jugosllavi në kohën e partisë së punës dhe më pyeti çfarë doja që të më sillte prej andej. I kërkova një makinë qepëse. Ka qenë makina e parë në Shkodër me korent “bagat’. Pas 1990-ës kam punuar aq shumë sa çdo personi i kam thënë po, mund ta bëj. Edhe në atë kohën kur ishte bosh tregu, unë kam furnizuar tregu, kam fituar nga 1 milion e gjysmë duke punuar tërë natën. Kam punuar për tërë Shkodrën, nga gra pedagogësh deri tek shtresat më në nevojë. Stilimi i rrobave është art. Skicimet i bëj në mendje, nuk kam nevojë për laps e letër. Kostume, fustane fëmijësh, xhupa burrash gra e fëmijë. Kam bërë xhupa për të gjithë mjekët e Shkodrës”, rrëfen ajo.

Afërdita i referohet edhe internetit për të parë modelet e reja, trendet e fundit ndërsa skicimet nuk i hedh asnjëherë në letër, por është mësuar të ideojë në mendje gjithçka. Shumë klientë kërkojnë imitime të fustaneve, xhaketave, pantallonave të brendeve ndërkombëtare si “Dolce Gabbana”, Versace, Valentino, Max Mara apo stilistë të tjerë të famshëm, tepër të shtrenjtë për standardin shqiptar.

“Mua më pëlqen më shumë të pres xhaketa, kostume, fustane, këshilla, pantallona. Mund të them që nuk kam një sektor që preferoj më shumë, mjafton që ta bëj shumë mirë porosinë e klientit dhe ndjej kënaqësi të veçantë”.

Afërdita rrëfen për ATSH-në se ka një moto të veçantë që thotë: Vip është çdo person që hyn në dyqan. Mëgjithëse nuk mohon se ka marrë porosi edhe nga këngëtarë të famshëm shqiptarë mes të cilëve Arilena Ara.

“Kam punuar me çdo lloj shtrese, të pasur, të varfër, të kulturuar apo personazhe të njohur në Shqipëri. Për ne, vip është çdo person që hyn në dyqanin tonë. Kemi marrë porosi edhe nga Arilena Ara. Stilimin e kam thjesht pasion, dhunti nga i madhi Zot, por çdo ditë mësoj gjëra të reja”.

Afërdita tregon se qëndrojnë gjithë ditën në krye të detyrës me dy orë pushim në drekë.

“E hapim në mëngjes në orën 07:30 dhe e mbyllim në darkë në orën 20:00. Kemi shumë punë por në drekë shkëputemi dy orë për të ngrënë dhe për t’u çlodhur”, tregon Afërdita.

Klientët e saj thonë që është e veçantë, jo vetëm për shkak të çmimeve dhe dashamirësinë e saj, por edhe sepse pak kush mund ta besojë, pasi Afërdita të përfundon porosinë me sy ku ndonjëherë edhe përmasat i gjen të sakta sapo sheh klientin. Në këtë atelie vijnë adoleshente, të reja, por edhe gra në moshë. Qepin e presin fustane, pantallona, kostume, këmisha. Të dyja gratë mundohen t’u plotësojnë kërkesat duke iu përshtatur çdo preference të klientit.

“Jam e kënaqur me punën, e bëj me dëshirë. Edhe sikur të më jepnin rrogë më të lartë, nuk do të largohesha sepse jemi në një mendje me shefen, ideojmë të dyja së bashku dhe çdo gjë na shkon mbarë. Jam e martuar e kam dy fëmijë të rritur tani, të shkolluar jashtë vendit pasi kam punuar shumë për ta. Shpesh edhe ata më sjellin shoqet që t’u qep fustane”, – thotë 56-vjeçarja.

Afërdita ëndërronte të vazhdonte studimet për arkitekturë ndërsa ende sot vijon të ushtrojë edhe pasionin e të pikturuarit gjatë kohës së lirë për t’u relaksuar.

Në mes të qëndismave, penjve, por edhe porosive të pafundme, një gjë e dimë tashmë…në duart e Afërditës jemi të sigurt!/atsh

Një jetë mes metrazheve dhe makinës qepëse, historia e veçantë e Afërditës, 56-vjeçarja që ëndërronte të bëhej arkitekte Read More »

Sezoni turistik/ Hapen 28 qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orë

Nga Thethi në Ksamil, janë hapur 28 qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orësh, të cilat do t’u vijnë në ndihmë pushuesve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto qendra shëndetësore të cilat janë të përgatitura për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për gjendjen e epidemisë.

“Mirëmëngjes nga 28 qendrat shëndetësore verore që janë hapur me shërbim mjekësor 24 orë nga Thethi në Ksamil, për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për gjendjen e epidemisë”, tha Rama.

Shëndetësia është në gatishmëri për një sezon turistik të sigurt. 160 mjekë dhe infermierë janë trajnuar edhe për situatën e epidemisë.

“Prej datës 15 qershor ne jemi hapur 24 orë në 7 ditë të javës në qendrën shëndetësore Ksamil. Në këtë periudhë, për shkak edhe të pandemisë, masat janë të gjitha të shtuara dhe personeli është i përgatitur për të pritur çfarëdo lloj rasti që do të paraqitet”, tha një mjeke e qendrës shëndetësore Ksamil.

E njëjta situatë paraqitet edhe në qendrat e tjera shëndetësore të cila funksionojnë me shërbim 24 orësh.//atsh

Sezoni turistik/ Hapen 28 qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orë Read More »

Amarildo, një nga 10548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës

Amarildo Kreka, përgjegjës salle në një prej hoteleve të qytetit të Vlorës është një nga 10548 qytetarët, të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë shqiptare në qarkun e Vlorës.

“Deri më sot 169 757 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë”, – bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një video me dëshminë e Amarildos.

“Kam tre vjet që punoj në këtë subjekt, bëmë aplikimet në muajin prill dhe në muajin maj kemi marrë rrogën 40 mijë lekë. Nga momenti që kompania bëri aplikimin kur u hap procedura, maksimumi dy javë morëm pagën e luftës”, – tha Amarildo./atsh

Amarildo, një nga 10548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës Read More »

Operacion nga ajri për shuarjen e zjarrit në Pashaliman, nuk rrezikon bazën

Në Vlorë u zhvillua një operacion nga ajri për shuarjen e vatrës masive të zjarrit në zonën e Pashalimanit.

Një helikopter i Forcës Ajrore i pajisur me mjetet e posaçme është pëfshirë në operacionin për shuarjen e zjarrit, pasi zjarri ka rënë në një zonë me shkurre të dendura duke bërë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikëseve.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se sipas raportimeve të deritanishme zjarri nuk rrezikon bazën detare të Pashalimanit.

Në terren ndodhen mjete zjarrfikëse të Vlorës dhe Repartit të Pashalimanit, forca të MSZH, AdZM dhe forca ushtarake./atsh

Operacion nga ajri për shuarjen e zjarrit në Pashaliman, nuk rrezikon bazën Read More »