Orikuminews

Yuri Kim dhe ministrja Xhaçka vizitë në anijen Butrinti/ SHBA dhe Shqipëri krah për krah si aleate në NATO

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim së bashku me ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka ishin sot në bordin e anijes P-134 Butrinti, për një lundrim përgjatë gjirit të Vlorës.

Kjo vizitë ishte një tjetër shembull si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vazhdojnë të qëndrojnë krah për krah si aleate në NATO.

Ambasadorja e SHBA-së Kim, ka publikuar foton nga kjo vizitë dhe shprehet se “përkushtimi i Shqipërisë ndaj NATO-s mbetet një përparësi kryesore për qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe shqiptare”.

“Krah për krah”, shprehet ministrja Xhaçka e cila ka publikuar foto nga vizita e ambasadores Kim në anijen Butrinti./atsh

Yuri Kim dhe ministrja Xhaçka vizitë në anijen Butrinti/ SHBA dhe Shqipëri krah për krah si aleate në NATO Read More »

Përcaktohen zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës/ Kapaciteti rreth 10 mijë tonë peshk në vit

Shqipëria ka përcaktuar tashmë zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës dhe kapacitetet prodhuese pas një studimi të financuar dhe kryer nga ekspertë të Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Gjirin e Vlorës aty ku ushtrojnë aktivitet 7 subjekte të rritjes së kocës dhe levrekut. Duke iu referuar studimit, ministri tha se kapaciteti i Shqipërisë për zhvillimin e akuakulturës në det është 10 mijë tonë peshk.

Saranda dhe Vlora janë dy zonat prioritare për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë blu.

“Ka pasur mangësi në një planifikim dhe strategji më të mirë të këtij sektori. Prandaj ne bashkë me ekspertët e huaj përmes fondeve të Bashkimit Europian kemi bërë studimin për të gjithë sektorin dhe kemi arritur në përfundimin që kapaciteti i Shqipërisë për akuakulturë është rreth 10 mijë ton në det. Po të fusim këtu edhe ujërat e brendshëm, pra akuakulturën nëpër liqene artificiale, dhe troftikulturën shkojmë deri në 15-20 mijë ton prodhim peshku nga akuakultura”, tha ministri Çuçi.

Studimi parashikon që koshat ku rritet peshku do të largohen nga bregu me qëllim që edhe impakti mjedisor të ulet duke rritur cilësinë dhe garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.

Në periudhën janar – maj 2020 janë eksportuar rreth 1200 tonë prodhime shqiptare të akuakulturës drejt tregjeve të BE, si prodhime me vlerë të lartë të certifikuar sipas standardeve më të mira, deri edhe në standardin pa asnjë antibiotik, që është shumë i rrallë në Mesdhe

“Edhe pse ne kemi pranë Greqinë dhe Turqinë, që janë kampionë për sa i përket akuakulturës, produktet tona e sidomos këto të Gjirit të Vlorës, konkurrojnë denjësisht në tregjet italiane”, tha ministri Çuçi.

Aktualisht nga subjektet e akuakulturës në Gjirin e Vlorës prodhohen rreth 3200 ton peshk, ndërsa investimet e kryera në stabilimentet e prodhimit vlerësohen në rreth 25 milionë euro.

Tendenca zhvillimit të akuakulturës në botë vlerësohet me rreth 20% rritje. Edhe në Shqipëri prej vitit 2014 akuakultura është rritur me rreth 48%./atsh

Përcaktohen zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës/ Kapaciteti rreth 10 mijë tonë peshk në vit Read More »

Rama feston 56-vjetorin e lindjes, publikon foton me nënën e tij Anetën

Kryeministri Edi Rama feston sot 56-vjetorin e lindjes. Ai ka ndarë një foto me nënën e tij, Anetën.

“Me gruan që më dha jetën”, shprehet Rama, ndërsa publikon foton nga ambientet familjare, ku duket duke përqafuar nënën e tij.

Kryeministri Rama ka lindur në Tiranë më 4 korrik 1964 dhe është i martuar me Linda Ramën. Ai është baba i dy djemve, Gregut dhe Zahos./atsh

Rama feston 56-vjetorin e lindjes, publikon foton me nënën e tij Anetën Read More »

I rëndësishëm forcimi i të gjithë masave dhe ruajtja e distancimi fizik”, përfaqësuesja e OBSH-së: Moshat mbi 60 vjeç duhet patjetër të mbajnë maskë

Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shqipëri Bettina Menne deklaroi se për të shmangur rimbylljen për shkak të infeksionit të COVID-19, duhen zbatuar masat strike.

Në një intervisë në një nga mediet në vend, përfaqësuesja e OBSH këshillon që të gjithë personat mbi 60 vjeç të mbajnë patjetër maskë.

“Të gjithë personat që janë mbi 60 vjeç duhet të mbajnë patjetër maskë, çdo person që ka një sëmundje duhet të mbajë maskë. Nëse shkoni në spital dhe shikoni se një mjek apo infermier nuk ka maskë, ju lutem ngriheni zërin dhe bëjani të ditur këtë domosdoshmëri atyre”.

Deri tani, theksoi Menen, jemi ende nën numrin 100 të shtruar në spital dhe kjo është një situatë që ka qenë pak a shumë kontastante. Megjithatë, shton Menne, ka shumë mënyra që mund ta kontrollojmë këtë situatë pa qenë e nevojshme që të kalojmë në mbyllje totale sërish, por vetëm me masa të caktuara.

Sipas Menne, është shumë e rëndësishme që të merren të gjitha masat parandaluese dhe sidomos në ambiente të tilla, siç janë instituciontet shëndetësore, spitalet, qendrat shëndetësore e kështu me radhë.

Menne theksoi rëndësinë e të gjitha masave mbrojtëse në kompani të ndryshme industriale, në restorante, në bare dhe të gjitha ato ambiente ku kemi një numër të madh njerëzish të cilët mblidhen aty.

Mbas stinës së verës, thotë Menne, do të kemi shumë shpejt dimrin dhe siç e dimë gripi është një nga sëmundjet që shfaqet më tepër në dimër sepse njerëzit rrinë më tepër në dhoma të mbyllura për një kohë më të gjatë dhe sigurisht që do të rezultojë në një numër më të lartë të sëmurësh dhe në mosha të reja, kryesisht nga 18-50 vjec.

“Ky është skenari le të themi, situata më e keqe që ne kemi parashikuar dhe të shpresojmë, shpresojmë shumë që një vaksinë të arrijë të bëhet e mundur ndoshta për një periudhë maksimale një vjeçare”, deklaron ajo.

Lidhur me debatin mbi shtimin e testimeve, Menne thotë se “nëse rrisim testimet nuk do të thotë se patjetër do të kemi më pak njerëz të infektuar”.

“Mesazhi është i qartë, izolohuni, karantinohuni dhe pastaj mund të testoheni. Vetëm nëse keni simptoma gjatë izolimit, gjatë kësaj periudhe karantine do të testoheni. Pra nuk është vetëm që në fazë të parë testim testim testim”, u shpreh përfaqësuesja e OBSH-së.

Për doktoreshën Menne përgjegjësia e luhatjeve në shifrat e infektimeve është edhe e vetë qytetarëve.

“Është shumë e rëndësishme që të forcohen të gjitha masat paraprake dhe mbi të gjitha të ruhet distancimi fizik. Të rinjtë kanë një rol kryesor në të gjithë këtë proces, për tu mbrojtur, për tu ruajtur dhe për të mos u infektuar, sepse të rinjtë me anë të propagandës, në mediat sociale, në komunikimet që kryejnë ti transmetojnë të tjerëve të gjitha këto mesazhe, duke mbrojtur veten tuaj ju mbroni nënë tuaj, babanë tuaj, gjyshin, gjyshen, të gjithë njerëzit që keni pranë. Ky është mesazhi im kryesor për të gjithë ju për të gjithë njerëzit e këtij vendi të mrekullueshëm”, tha Menne.

Përfaqësuesja e OBSH Bettina Menne tregon se aktualisht ka 18 vaksina kandidate, njëra është në fazën 3, pra në fazën e fundit./atsh

I rëndësishëm forcimi i të gjithë masave dhe ruajtja e distancimi fizik”, përfaqësuesja e OBSH-së: Moshat mbi 60 vjeç duhet patjetër të mbajnë maskë Read More »

Rama uron Festën Kombëtare të Amerikës: Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara

Kryeministri Edi Rama uroi sot 4 Korrikun, festën kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Happy Birthday Amerika. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara”, tha Rama ndërsa ndau një video me disa mesazhe të rëndësishme të presidentëve amerikane, por edhe me pamje nga vizitat në Shqipëri të autoriteteve më të larta amerikane.

Rama veçoi mesazhin e Presidentit Xhorxh Bush, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ku deklaroi mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Mjaft është mjaft. Kosova duhet të jetë e pavarur. Ky është qëndrimi im. Kosova duhet ta dijë. Ky është një qëndrim i prerë dhe i fortë”, deklaroi Presidenti Bush nga Tirana.

Në video citohet thënia e Presidentit Abraham Lincoln: “Kur bëj mirë ndihem mirë, kur bëj keq ndihem keq”.

Një tjetër mesazh i veçuar përmes kësaj videoje është ai i presidentit Woodrow Wilson: “Ne duhet të besojmë në atë që u mësojmë fëmijëve”.

“Ky komb i madh do të durojë, ashtu siç ka duruar. Do të ringjallet dhe do të begatohet”, Franklin D. Roosevelt.

“Mos pyet çka bërë atdheu yt për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd”, John F. Kennedy.

“Unë kam një ëndërr”, Martin Luther King Jr./atsh

Rama uron Festën Kombëtare të Amerikës: Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara Read More »

Dita e Pavarësisë/ Mesazhi i ambasadores Kim: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Shqipërinë për reformat dhe integrimin në BE

“Historia ka treguar se në moment vendimtare, SHBA dhe Shqipëria kanë zgjedhur të jenë pranë njëra-tjetrës, krah për krah. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me ju sot dhe do të qëndrojmë me ju nesër, si aleatë të fortë, të lirë dhe të vendosur për të formuar një bashkim më të përsosur”.

Kështu u shpreh sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim në një mesazh me rastin e Ditës së Pavarësisë së Amerikës, ku veçon ndër të tjera partneritetin e ngushtë mes dy vendeve.

“Së bashku ne kemi punuar për më shumë se 1 shekull për të formuar një bashkim më të përsosur midis kombeve tona. 100 vjet më parë, SHBA përdorën fuqinë e tyre për të mbështetur një Shqipëri të pavarur dhe shtruan rrugën që ju t’i bashkoheshit Lidhjes së Kombeve në 1920. Presidenti amerikan punoi për të promovuar mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve në mënyrë që ata të gëzonin bekimet e lirisë”, tha ambasadorja Kim.

Për të siguruar një mbrojtje të përbashkët, ajo nënvizoi se, “Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009”. “Që prej asaj kohe Shqipëria ka qenë një partner i besueshëm për sigurinë e rajonit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krenare krah jush, ndërsa zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes dhe e bëjmë Shipërinë një aleate më të fortë dhe më të aftë”, tha ajo.

Kim u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, ndërsa u shpreh se “në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi njëzëri Reformën në Drejtësi, vendi hodhi hapat e parë drejt vendosjes së drejtësisë së re në Shqipëri për të çrrënjosur korrupsionin, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të vendosur me vendosmëri sundimin e ligjit”.

“Ky është një proces që kërkon kohë dhe përpjekje për të sjellë rezultate, por si gjithmonë SHBA do të vazhdojnë t’ju mbështesin”, tha ajo.

Sot, vijoi Kim, “Shqipëria është në rrugën drejt një bashkimi tjetër, BE”. “Reformat e nevojshme për këtë do të sjellin më shumë drejtësi dhe begati për popullin shqiptar.
Shtetet e Bashkuara ishin me ju në fillim të këtij procesi dhe ne do të qëndrojmë me ju derisa ju të arrini synimin tuaj”, siguroi ajo.

Në mesazhin e saj, Kim theksoi se “festimi i ditës së pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë po përballemi me një pandemi, e cila nuk na ka lënë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244-rt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht, ne amerikanët dhe shqiptarët, jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë dhe e vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen”.

Kim u shpreh se “më 17 shtator 1787, anëtarët e Konventës Kushtetuese nënshkruan draftin përfundimtar të Kushtetutës së SHBA-së”. “52 fjalët e para të këtij dokumenti, në hyrjen e tij, janë disa nga më të fuqishmet në historinë amerikane. Ato thonë: Ne populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të krijojmë një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësinë në vend, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të nxisim mirëqenien e përgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për veten tonë dhe pasardhjen tonë, caktojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë të SHBA-së”, tha Kim.

Për dy shekuj e gjysmë, ajo theksoi se, “Amerika ka ndjekur atë ëndërr për të formuar një bashkim më të përsosur. Sipërmarrja jonë demokratike ka arritur sukses në një mënyrë unike dhe të pashembullt në historinë e njerëzimit. SHBA kanë përdorur fuqinë e tyre për të sjellë paqe dhe begati më të madhe, jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për botën. Historia e Amerikës është vërtetë një histori unike suksesesh. Sukses që nuk përcaktohet nga mungesa e dështimeve apo gabimeve, por nga vendosmëria jonë për t’u përballur me çdo dështim dhe gabim dhe për të bërë më të mirën. Me fjalë të tjera vendosmëria jonë për t’u përpjekur që gjithmonë të formojmë “një bashkim më të përsosur”. Dhe i tillë është rasti me miqësinë midis Shqipërisë dhe SHBA-së”. /atsh

Dita e Pavarësisë/ Mesazhi i ambasadores Kim: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Shqipërinë për reformat dhe integrimin në BE Read More »

Sezoni turistik/ 550 punonjës të Policisë së Shtetit, gati për menaxhimin e trafikut të shtuar rrugor

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 550 punonjës të Policisë Rrugore, radarë, kamera, alkoolteste, automjete të uniformuara dhe motocikleta, për menaxhimin e trafikut rrugor në sezonin e verës dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në kuadër të masave të marra nga ana e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2020, Drejtoria e Policisë Rrugore ka rritur prezencën e saj në akset rrugore nacionale dhe në zonat bregdetare, për shkak të rritjes së ndjeshme të qarkullimit rrugor.

Në të gjitha akset rrugore nacionale dhe ato që lidhin zonat bregdetare, Policia Rrugore, që prej një jave është duke kryer shërbime me orë të shtuara, me qëllim përballimin e fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në zonat bregdetare gjatë sezonit veror.

Ndërkaq, ditën e shtunë dhe të diel, drejtues mjetesh, pasagjerë, drejtues motomjetesh, përdorues të shumtë të rrugës të të gjitha moshave, vendas dhe turistë të huaj udhëtojnë drejt plazheve të vendit tonë.

“Policia Rrugore informon se do të jetë prezente në akset rrugore për të mbikëqyrur trafikun, për të parandaluar shkeljet dhe aksidentet, për të ndihmuar në çdo rast bllokimi të trafikut dhe për të dhënë ndihmë automobilistike ndaj kujtdo që ka nevojë. “Ndihma” që Policia Rrugore kërkon nga të gjithë drejtuesit e mjeteve është respektimi i normave të sjelljes. Mos drejtoni automjetet nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma, në gjendje të dehur! Vendosni përherë rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse kur drejtoni mjete/motomjete. Evitoni parakalimet e gabuara, pasi janë rreziku më potencial për aksident rrugor dhe për bllokim të trafikut. Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit. Qëndroni në radhën e mjeteve kur ajo krijohet për shkak të ngarkesës së madhe. Dalja nga “kolona” mund t’ju kushtojë një gjobë së bashku me pezullim të lejes së drejtimit 2-4 muaj. Duke respektuar normat, vajtja dhe ardhja nga plazhet është më e shkurtër dhe pa vonesa”, informoi Policia e Shtetit.

Po ashtu, Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që mos të nisen të gjithë në të njëjtin orar nga plazhet drejt banesave të tyre, si dhe të përdorin edhe rrugët alternative, me qëllim shmangien e krijimit të fluksit të pandërprerë në rrugë nacionale, në hyrje apo dalje të qyteteve.

“Apelojmë për këmbësorët të respektojë me korrektësi rregullat e qarkullimit, të kalojnë në vijat e bardha dhe mbikalimet dhe aty ku ato mungojnë të kontrollojnë rrugën nga të dy senset e lëvizjes pastaj të kalojnë në krahun tjetër të rrugës”.

Policia Rrugore bën me dije se në zbatim të Udhëzimit të Përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministres së Transportit dhe Infrastrukturës “Mbi kufizimet në qarkullimin e mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave”, nuk do të lejojë lëvizjen e kamionëve në fundjavë jashtë orareve dhe akseve të përcaktuara në këtë udhëzim.

Personat fizikë dhe juridikë që operojnë në fushën e transportit rrugor të mallrave, të planifikojnë lëvizjet e tyre në ditët dhe oraret e lejuara, në akset rrugore alternative që nuk preken nga kufizimet, pasi nga ndërprerjet e qarkullimit mund t’u shkaktohen edhe dëmtime të materialeve që transportojnë, përgjegjësi që bie plotësisht mbi ta. Nga shërbimet e Policisë së Shtetit do të kërkohet zbatimi rigoroz i kërkesave të këtij udhëzimi, duke i ndëshkuar shkelësit e kërkesave të udhëzimit, si dhe ndalimi i qarkullimit të mjeteve në kundërvajtje deri në oraret e lejuara për qarkullim.

Policia Rrugore, në bashkëpunim me radiot kombëtare me sinjal të shtrirë në vend, do të vijojë njoftimet për zonat me trafik të rënduar apo nevojën për devijime në qarkullim.

Policia Rrugore fton qytetarët dhe mediet që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të saj, si dhe të denoncojnë çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm./atsh

Sezoni turistik/ 550 punonjës të Policisë së Shtetit, gati për menaxhimin e trafikut të shtuar rrugor Read More »

Dekorata “Nderi i Kombit” për martirin e gjuhës shqipe dhe mësuesin, Koto Hoxhi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi Rilindasin e shquar, martirin e gjuhës shqipe dhe mësuesin Koto Hoxhi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë.

Në vlerësim të veprimtarisë së çmuar si mësues, atdhetar dhe krijues i talentuar ai iu përkushtua deri në sakrificën më sublime atdhedashurisë, historisë, gjuhës, harmonisë fetare, identitetit shqiptar dhe lirisë së vendit”.

Në fjalën e tij të rastit gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm personalitete të kulturës, studiues dhe akademikë, drejtues institucionesh dhe anëtarë Shoqatës kulturore “Lunxhëria”, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se, “në shekuj Lunxhëria ia ka dalë të shkruajë faqe të lavdishme atdhetarie, arsimimi, kulture dhe emancipimi shoqëror”.

“Fjalët sonte nuk do të mjaftonin për të përcjellë gjithë respektin, mirënjohjen dhe nderimin shtetëror për krahinën tuaj të mrekullueshme.

Nuk ka studiues, vizitor apo udhëtar të famshëm, përfshi edhe Lord Bajronin, i cili ka përshkuar Lunxhërinë, e të mos ketë mbetur i mahnitur me bukuritë e natyrës, mikpritjen lunxhiote, kostumet, vallet, këngët dhe traditat tuaja të mrekullueshme”, tha ai.

“Në çdo etapë të historisë ju keni gdhendur në gur e nëpër fletë të shkruara historie gjurmët e qytetërimit dhe të përpjekjeve për liri, edukim dhe kulturë si dhe ruajtje të paepur të trashëgimisë sonë aq të vyer kombëtare.

Lunxhiotët kanë besuar përherë tek drita e shpirtit, tek dija, Zoti dhe liria”, u shpreh Meta.

“Në këtë truall të bekuar nga Zoti e të mrekullueshëm, ata ndërtuan me shije objekte kulti, hapën shkolla dhe luftuan përherë për pavarësi dhe jetë më të begatë!

Në shtëpitë e tyre plot dritë u përhap mësimi parë i gjuhës shqipe, u shkrua dhe u luajt drama e parë në gjuhën tonë amtare ‘Një dasmë në Lunxhëri’, shkruar 150 vite më parë prej të madhit Koto Hoxhi”, tha Meta.

“Nga duart e arta të grave e vajzave u qepën kostumet më të hijshme të pakrahasueshme në botë. Ndërsa mjeshtrit e gurit ndërtuan banesa, shkolla, kisha e manastire me shumë art!

“Nga ky panteon vlerash, në pamundësi për t’i vlerësuar të gjithë, sot zgjodhëm atdhetarin, martirin e gjuhës sonë, dramaturgun dhe mësuesin e rilindësve të mëdhenj, Koto Hoxhin.

Ky pionier i arsimit shqiptar mbolli në errësirën e kohës farën e dijes, të alfabetit dhe të gjuhës shqipe. Ai edukoi me ndjenjën e lirisë dhe krenarinë e identitetit kombëtar Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, por edhe shumë të tjerë.

Koto Hoxhi ishte ndër luftëtarët më të vendosur të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit shqiptar bashkë me patriotët Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri”, u shpreh Meta.

“Ne jemi mbledhur së bashku jo vetëm ta kujtojmë, por edhe ta vlerësojmë lunxhiotin e famshëm me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Me këtë gjest ne nderojmë kontributin e tij në shërbim të kombit, por edhe përcjellim mesazhin e përkushtimit patriotik për gjeneratat e reja!

Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte produkt i fatit dhe i rrethanave të kohës, por në radhë të parë i luftës, sakrificës dhe përpjekjeve të burrave dhe grave më të përkushtuara të kësaj toke”, tha Meta./atsh

Dekorata “Nderi i Kombit” për martirin e gjuhës shqipe dhe mësuesin, Koto Hoxhi Read More »