Orikuminews

Akademiku i njohur: Shqipëria rezultate impresionuese dhe shembull pozitiv për masat e marra në betejën kundër pandemisë

“Shqipëria është një nga shembujt më pozitivë përsa i përket gjendjes së epidemisë”, ka deklaruar në një intervistë as. Prof. Arjan Durrësi.

Akademiku Arjan Durrësi, i cili është anëtar i Komisionit të Matematikës dhe Informatikës në Akademinë e Shkencave, i specializuar, veç të tjerash, në besueshmërinë e sistemeve të Inteligjencies Artificiale në Indiana University Purdue University Indianapolis, Sh.B.A, ka theksuar se, “Shqipëria është një nga shembujt më pozitivë përsa i përket gjendjes së epidemisë. Ka pak raste të reja në disa zona të kuqe dhe ka shumë zona të gjelbra pa raste fare. Dhe numri i vdekjeve është minimal”.

“Ky rezultat është kombinim i disa faktorëve. Më e rëndësishme, do të thoja, është mbyllja e shpejtë. Nga studimet që janë bërë koha e reagimit ka qenë vendimtare për mbajtjen e epidemisë nën kontroll, uljen e numrit të vdekjeve, etj. Edhe java a dita ka bërë diferencën në mbajtjen e epidemisë. Faktor themelor ka qenë dhe disiplina e popullsisë që ka kuptuar rrezikun dhe i është bindur rregullave te reja. Një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe ekipet mjekësore që me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre kanë trajtuar me shumë sukses të sëmurët dhe kanë bërë ndjekjen e kontakteve”, tha akademiku Durrësi.

I pyetur se si duhet vazhduar me tej, Durrësi ka shtuar se, “Shqipëria me këto pak raste, ka shansin ta zhdukë fare virusin dhe epideminë. Është bërë shumë mirë që vendi është ndarë në zona. Të gjelbrat, pa raste, mund të vazhdojnë jetën e punën normalisht, por duke qenë vigjilent nëse del ndonjë rast. Në zonat e kuqe, me testime, ndjekje kontaktesh, por dhe duke mbajtur distancën fizike, maskat, higjienën, shmangien e grumbullimeve, sidomos në mjedise të mbyllura, rastet mund të çohen në zero dhe të mbahen zero. Shumë kujdes do treguar me udhëtimet ndërkombëtare. Një nga arsyet e ritmeve kaq te larta të pandemisë në botë janë fluturimet e shumta. Kjo do të ishte një fitore e madhe dhe do t’i jepte hov të madh ekonomisë. Uroj të mos ketë dehje nga sukseset, sepse virusi nuk është zhdukur, dhe moskujdesja mund të na kthejë në situatën fillestare. Po ashtu, dhe statuskuoja nuk duhet pranuar, vërtet kemi pak raste, por do synuar zero raste, dhe kjo është plotësisht e arritshme me pak mundim, puna me e madhe është bërë. Është sikur të jetë shtëpia në zjarr, flakët, pothuajse, janë shuar, por vazhdojnë në një cep. Nuk besoj se do kishte ndonjë zjarrfikës ta linte flakën. O do shuar fare, o do kthehet të djegë shtëpinë”.

Se çfarë duhet të mësojmë nga kjo pandemi Durrësi tha se,“mendoj që mësimi më i madh nga kjo situatë është ajo që të gjithë e dimë, vlera e shenjtë e jetës njerëzore, dhe që shoqëria duhet të bëjë ç’është e mundur ta mbroje atë. Në Shqipëri u bë zgjedhja e duhur qe me solidaritet të mbroheshin sa më shumë jetë. Kjo epidemi nxori në dukje edhe disa gabime apo dhe dështime kolosale. Gabimi kryesor është mospërgatitja për situate te tilla, megjithëse këmbanat e alarmit nuk kanë munguar. Ndërkohë që kemi të detyruar sigurimin e makinës, apo shtëpisë, shoqëria ishte, pothuajse, e papërgatitur për një epidemi të tillë”.

“Fatkeqësisht, në disa vende u aplikuan teori jo shkencore si ai imunitetit të turmës, term ky i përdorur në kushte kur ka një vaksinë. Pa vaksinë kjo strategji është jo morale, sepse rezulton në një numër të madh vdekjesh, dhe e pakuptimtë se dhe ekonominë nuk e shpëton dot. Ekonomitë nuk i mbyllin apo hapin qeveritë, por konsumatorët. P.sh, në Suedi kanë numër shumë më të lartë vdekjesh në krahasim me fqinjët, por dhe ekonomia u mbyll realisht, megjithëse jo në letër. Dështime të tjera janë modelet e gabuara statistikore që rezultojnë me gabime të mëdha. Po ashtu, vështirësitë në prodhimin e testeve, maskave, apo me teste me gabime. Uroj që mësimet nga kjo situatë të na shërbejnë për të ardhmen”, tha akademiku Durrësi.

Nëse është e domosdoshme apo jo mbajtja maskës gjatë fazës së hapjes Durrësi tha se, “përdorimi i maskave është themelor në këtë fazë të hapjes. Shembullin më të mirë praktik e dha Guvernatori i NY, z. Cuomo. Nga përdorimi i maskave, tha, infektimi i ekipeve mjekësore është i papërfillshëm në krahasim me popullatën. NY është një nga shtetet më të goditura, por që po e shtypin epideminë. Dhe po bëjnë një fushatë shumë të madhe për maskat”.

I pyetur sesi e vlerëson E-grupin që u ngrit pranë akademisë dhe përvojën e mendimeve që u shkëmbyen aty dhe ç’mund të bëhet më shumë në të ardhmen me këtë grup, ai ka theksuar se, “përvoja ime në E-grupin ka qenë shumë e mirë. Nuk e di nëse ndonjë mendim është përdorur në vendimmarrje. Sugjerimi im do të ishte që ky grup të vazhdojë deri sa të zhduket fare virusi. Gjithashtu, kjo përvojë mund të përdoret për probleme të tjera. Akademia mund të krijojë grupe fleksibel për projekte të ndryshme. Komunikimet on-line do ndihmojnë shumë. Eksperienca e epidemisë tregoi që shumë punë mund të bëhen me shumë më tepër efektivitet online. Akademia, mendoj, që mund ta shfrytëzojë këtë eksperiencë dhe shumë punë e aktivitete mund t’i bëjë online. Siç thashë këto grupe mund të jenë fleksibël, edhe të filluar nga vetë anëtarët, dhe duke ftuar bashkëpunëtor. Roli i Akademisë mund të jetë si ombrellë. Sipas rastit, këto grupe mund të prodhojnë rezultate që Akademia mund t’i publikojë, promovojë, e të jenë kontribute të vetë Akademisë”.

Akademia e Shkencave, menjëherë pas shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri, organizoi grupin “Në ndjekje të pandemisë” me mjekë, gjenetistë, ekonomistë, biologë, matematikanë e fizikanë brenda dhe jashtë vendit, anëtarë të Akademisë, dhe përmes komunikimit arriti që të identifikojë disa nga problemet më të rëndësishme të kësaj pandemie. U mundësua, gjithashtu. edhe hartimi i Buletinit Ditor të shfaqjes së pandemisë në botë dhe në vendin tonë. Këta buletine së bashku me grafikët e hartuar sidomos nga prof. Niko Kaçiroti në SHBA apo Erida Gjini në Portugali, mundësuan edhe parashikimin e përhapjes, infektimit, vdekshmërisë dhe riaftësimit nga ky virus në shifra të përafërta me ato që u vërtetuan në praktikë. Me qenë së kjo fazë është quajtur si bishti i pandemisë, pra ka kaluar pjesa më e vështirë e saj, por jo e gjitha, ne zhvilluam një bisedë më tre profesorët Arjan Durrësi, Alban Ylli dhe Genc Sulçebej të cilat do t’i publikohen në vijim”, bën me dije Akademia e Shkencave./atsh

Akademiku i njohur: Shqipëria rezultate impresionuese dhe shembull pozitiv për masat e marra në betejën kundër pandemisë Read More »

Meta uron Fitër Bajramin: Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin!

“Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor”, shprehet Meta.

“Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat”, tha Meta.

“Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive”, është shprehur Meta.

“Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”, ka theksuar Meta.

“Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjërimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen”, ka shtuar Meta./atsh

Meta uron Fitër Bajramin: Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë Read More »

Ambasadorja e SHBA-së, Kim: Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë pa marrë parasysh pengesat

“Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë pa marrë parasysh pengesat”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Ambasadorja Kim publikoi sot foto të takimit me anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

“Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka një punë të vështirë, por Vettingu duhet të vazhdojë të tregojë përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e shqiptarëve. SHBA mbështet Reformën në Drejtësi. Le të vazhdojmë përpara, hap pas hapi, pa marrë parasysh pengesat”, tha ambasadorja.

Po ashtu, ambasadorja Kim publikoi një foto nga takimi me Komisionerët Publikë, në 21 maj.

“Ata janë të përkushtuar për të siguruar integritetin e Vettingut duke apeluar vendime. Le ta vazhdojmë Reformën në Drejtësi duke ecur përpara, hap pas hapi”, tha ajo./atsh

Ambasadorja e SHBA-së, Kim: Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë pa marrë parasysh pengesat Read More »

Namazi i Fitër Bajramit do të falet në xhami, protokolli i sigurisë që do t’i nënshtrohen besimtarët

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët se dita e parë e Fitër Bajramit është të dielën, më 24 maj 2020 ndërsa xhamitë do të funksionojnë sipas protokollit të sigurisë në kuadër edhe të situatës së krijuar prej COVID-19.

Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e COVID-19 në Shqipëri, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia bazuar në disa rregulla.

Ceremonia qendrore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri), në Tiranë.
Në mesazhin e tij për besimtarët, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu u shpreh sot se se Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin.

“Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë. Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”, shprehet Spahiu.

Ai këshillon më tej që gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë.

Ndërsa 18 maji ka qene dita kur janë rihapur xhamitë, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka firmosur protokollin e rreptë për zbatimin e masave të parandalimit të përhapjes së COVID-it.

Në protokoll specifikohen të gjitha masat që duhet të marrin besimtarët:

Dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi

Mbajtja e maskës dhe dorezave

Abdesi do mbahet në shtëpi

Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale

Mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve

Ndalohet përdorimi i tualeteve

Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike

Nuk lejohen grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç

Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, kuran, rafte

Hytbeja të mos jetë më shumë se 10 minuta

Hyrja dhe dalja në Xhami të mos jetë në grup.

Për zbatimin e këtyre masave, ngarkohen të gjithë myftitë për zbatimin e këtyre masave. /atsh

Namazi i Fitër Bajramit do të falet në xhami, protokolli i sigurisë që do t’i nënshtrohen besimtarët Read More »

Më shumë se 3 javë asnjë humbje jete, Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja me COVID-19, 79% e të prekurve të shëruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 12 raste pozitivë me koronavirus.

Gjithashtu Ministria bën me dije se për më shumë se 3 javë nuk ka asnjë humbje jete dhe 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar.

Eugena Tomini, shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, deklaroi se “kurba epidemike ka paraqitur qëndrueshmëri gjatë dy javëve të fundit, por me luhatje ditore përkundrejt rasteve të raportuara dhe të identifikuara nga shërbimi epidemiologjik. Për më shumë se 3 javë nuk kemi humbje jete dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik. Megjithatë, pas një situate të qëndrueshme dhe të stabilizuar të rasteve që kanë kërkuar shërbim spitalor, sot kemi një rritje të rasteve në spitalin infektiv. Aktualisht janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive”.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 174 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar pozitivë 12 raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 7 raste në Tiranë, 2 në Fier, 2 në Krujë dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 981 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1300 testime serologjike në personel shëndetësor dhe pacientë, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të COVID-19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (22 Maj 2020)
Testime totale 14259
Testime molekulare 12933
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 981
Raste të shëruara 777
Raste Aktive 173
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 58
Durrës 48
Krujë 31
Shkodër 10
Berat 10
Kamëz 9
Fier 4
Elbasan 1
Mirditë 1
Korçë 1/atsh

Më shumë se 3 javë asnjë humbje jete, Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja me COVID-19, 79% e të prekurve të shëruar Read More »

Investimet në trashëgimi kulturore sa në të gjitha vitet së bashku sa ka pasur shtet shqiptar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “te Piramida shumë shpejt do të fillojë investimi dhe do të kthehet në një qendër e teknologjisë së informacionit dhe projekti është prezantuar”.

“Çfarë kemi bërë ne dhe sa e kam kthyer unë syrin e qeverisë nga trashëgimia kulturore nuk është bërë në të gjitha vitet së bashku sa ka pasur shtet shqiptar. Sa shumë restaurime, mbrojtje e me radhë. Piramida do të bëhet një qendër e teknologjisë së informacionit. Guaska ekzistuese do të adaptohet brenda një strukture e bërë nga një prej arkitektëve më të famshëm të botës. Ju që keni pasur arkitekt vetëm Albert Brojkën revoltoheni nga aktet e mia kundër kulturës”, tha Rama.

Rama tha se “studio ka bërë projektin do të filloj investimi bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit”.

Kryeministri kujtoi se në godinën e Kryeministrisë ka gjetur në kat të parë togje me letra, minj, ujë dhe gardhe të vendosura.

“Kam vajtur në Shkodër dhe në reparte ushtarake kishte mobilie të babait të dizajnit modern, që ka bërë mobilie unikale për pallatin e Mbretit dhe Kryeministrinë. Aty ku trashëgimia është trashëgimi, mos ma qani hallin mua për ta ruajtur. Ka një gjeneratë e tërë, djali im u bë 30 vjeç dhe nuk kanë shkuar dot në Teatër Kombëtar për t’u ulur pa u ankuar karrigia”, tha Rama. /atsh

Investimet në trashëgimi kulturore sa në të gjitha vitet së bashku sa ka pasur shtet shqiptar Read More »

Lehtësimi i masave, Brataj: Vigjilenca duhet të jetë maksimale, momenti kur varet ecuria e kësaj sëmundjeje

Drejori i Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, Skënder Brataj u shpreh se Shqipëria ka respektuar zbatimin e masave kundër COVID-19 dhe shifrat janë mjaft pozitive.

Gjatë një interviste televizive ai tha se, “ky është momenti të lehtësohemi nga ana e gjendjes aktuale që kemi, por vigjilenca duhet të jetë maksimale, pasi është momenti kur varet ecuria e kësaj sëmundjeje, shëndeti i njerëzve dhe vazhdueshmëria e sezonit veror e më tej”.

Në këtë moment, tha Brataj, kemi treguesit më të mirë për sa i përket të gjitha aspekteve të numrit të infektuarve dhe shpërndarjes së virusit, ndaj dhe kemi lehtësim të masave, por duhet të respektojmë rregullat ashtu si për çdo sëmundje.

“Nëse nuk respektojmë rregullat do të gjendemi në situata të përsëritjes së rasteve me të sëmurët. Shqipëria nuk ka pasur një infeksion të shtrirë, ka pasur vatra nëpër qytete që janë identifikuar, gjurmuar dhe bllokuar menjëherë”, – tha Brataj.

Ai bëri apel për vazhdimin e rregullave dhe masave mbrojtëse që parandalojnë përhapjen e COVID-19.

Brataj shpjegoi se nga e hëna spitali i Sanatoriumit i është kthyer normalitet, spital Covid vazhdon vetëm Infektivi dhe numri i të sëmurëve është i ulët në këtë moment.

“Lirimi i masave i jep efektet pas 2 javësh, ndaj do të shohim në fund të muajit dhe në fillim të qershorit, efektin e lirimit të masave dhe sidomos respektimin e tyre. Ndaj njerëzit duhet të ndërgjegjësohen se janë ata ruajtësit e shëndetit të tyre”, – theksoi ai.

Ka shtete ku po rritet numri i të infektuare ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshsëm në respektimin e masave mbrojtëse. Të jemi shumë të kujdesshëm dhe kur të hapim kufijtë, u shpreh Brataj. /atsh

Lehtësimi i masave, Brataj: Vigjilenca duhet të jetë maksimale, momenti kur varet ecuria e kësaj sëmundjeje Read More »

Tre anëtarët e rinj të SPAK, betohen para Presidentit të Republikës

Në institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit të tre anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sotir Kllapi, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit të Republikës Ilir Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti Meta u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ju kërkuar të nisin menjëherë nga puna dhe të zhvillojnë hetime në mënyrë efikase, profesionale dhe të pavarur, ashtu siç duhet të funksionojnë të gjitha institucionet qeverisëse të sistemit të drejtësisë.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës apelon për të gjithë përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë që të përmbushin detyrën e tyre në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e huaj, si dhe t’i qëndrojnë përherë besnik vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në respekt të saj. /atsh

Tre anëtarët e rinj të SPAK, betohen para Presidentit të Republikës Read More »