Irina

Shullazi “shkund” Prokurorinë e Policinë, Ardi Veliu “kokë më kokë” me Donika Prelën

Refuzimi i prokurorëve për hedhjen e shortit mbi procedimin penal në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe të tjerëve që ndodhen të arrestuar është bërë shkak për marrjen e masave disiplinore ndaj tyre. Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku vendosi marrjen e masave administrative ndaj prokurorëve Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj.

Në fakt, fillimisht u tha për një hetim disiplinor për prokurorët e lartpërmendur, por në pak minuta, një tjetër deklaratë e zyrës së shtypit të kryeprokurores Marku njoftonte për caktimin e përkohshëm të tre prej tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në disa prokurori të tjera. Konkretisht, Olsian Çela në Berat, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Besim Hajdarmataj në Pogradec.

Menjëherë pas këtyre lëvizjeve  drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në orën 17:00 të pasdites së sotme ka zhvilluar një takim te Prokuroria e Krimeve të Rënda me drejtuesen e këtij institucioni, Donika Prela.

E ndërsa nuk ka ende shumë detaje nga tema e diskutimit mes Veliut dhe Prelës.

Takimi vjen edhje pas operacioneve të fundit nga policia në bashkëpunim me prokurorinë në Shkodër, Krujë.

Shullazi “shkund” Prokurorinë e Policinë, Ardi Veliu “kokë më kokë” me Donika Prelën Read More »

Vaj ulliri me hudhra, kura që duhet ta keni në shtëpi

Hudhra është përdorur prej shekujsh kundër shumë sëmundjeve.

Ajo shërben si një antioksidant dhe një shtysë e rëndësishme për  sistemin imunitar.

Siç e dimë, hudhra prodhon një lëndë kimike të quajtur alicinë, e cila çlirohet në momentin që hudhra pritet ose grihet.

Alicina është ajo që mban të gjithë peshën e fuqisë së madhe pastruese të hudhrës.

Vaji i ullirit ka vlera të pakundërshtueshme shëndetsore.

Disa ekspertë thonë se ai përbën kurën ideale të jetëgjatësisë.

Studimet kanë treguar se konsumi i vajit të ullirit së brendshmi por edhe aplikimi në lëkurë ka vlera dhe përfitime të mëdha.

Kombinimi i këtyre dy përbërësve të rëndësishme është i famshëm për vlerat shëndetsore që përcjell.

Tretja e hudhrës në vaj ulliri i shumëfishon vlerat e të dy përbërësve.

Një pikë nga vaji i ullirit ku keni tretur hudhrën është shumë i mirë për shijen e ushqimit por edhe kundër infeksioneve, rritjes së flokëve dhe kundër zbokthit.

Një nga mënyrat e ndërthurjes së hudhrës në vaj ulliri është nëpërmjet uthullës, një tjetër përbërës i rëndësishëm dhe i pasur në vlera.

Më poshtë do të gjeni tre alternativa të përgatitjes së kësaj kure të rëndësishme që nuk duhet të mungojë në shtëpitë tuaja.
Metoda e parë – në një enë të mbyllur
Mënyra më e mirë për të kombinuar vajin e ullirit me hudhrën është që t’i bashkoni të dyja në një enë qelqi të mbyllur mirë.

Në këtë mënyrë do të përfitoni një lëng ideal për aplikime në lëkurë. Por nëse vajin në fjalë dëshironi ta konsumoni atëherë hudhrat e grira duhen tharë në diell për 3-4 ditë për të hequr çdo gjurmë lagështie.

Më pas hudhrat mund të shtohen tek vaji i ullirit duke u siguruar që enët dhe duart tuaja të jenë të thata.
Përbërësit:
Një filxhan me vaj ulliri

1-2 dy hudhra të qëruara dhe të grira
Përgatitja;
Pas qërimit, grijini hudhrat hollë dhe vendosini në një enë qelqi.

Hidhni sipër tyre vajin e ullirit dhe përziejini së bashku.

Mbylleni kapakun fort dhe kavanozin lëreni në dritare ose parmak për 3-4 ditë.

Gjatë këtij harku kohor vlerat e hudhrës dhe vajit të ullirit ndërthuren plotësisht për të ofruar përfitime maksimale.

Pasi e keni hequr kavanozin, kullojeni vajin dhe largoni të gjitha hudhrat. Vajin e mbledhur ruajeni në frigorifer në një enë qelqi të mbyllur mirë.

Me këtë sasi hudhrash dhe vaji do të prodhoni një lëng të cilin mund ta përdorni deri në 2 muaj.
Metoda e dytë – në një tenxhere ose tigan
Këtë ndërthurje të shëndetshme mund ta përgatisni edhe duke i gatuar së bashku në një tenxhere.

Procesi zgjat 10 minuta dhe lëngu i përftuar është për konsum të përgjithshëm dhe aplikim në lëkurë.

Sipas dëshirës kësaj përzierje mund t’i hidhni 1-2 gjethe dafine për t’i shtuar vlerat ushqyese dhe përmirësuar shijen.
Përbërësit;
2 filxhanë me vaj ulliri

1-2 hudhra të qëruara dhe grira hollë

1-2 gjethe dafinePërgatitja
Hidhni vajin në një tenxhere dhe sapo të ngrohet shtoni hudhrën.

Me nxehjen e vajit do të vëreni që hudhrat do të lëshojnë bulëza.

Përziejini rregullisht që të shmangni djegien.

Temperatura duhet të jetë e ulët dhe përzierja duhet të vazhdojë nga 4 deri në 5 minuta ose deri sa hudhra të marrë një nuancë të artë.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Më pas kullojeni dhe hidhni hudhrat.

Vajin aromatik ruajeni në një enë qelqi në frigorifer dhe përdoreni brenda javës në gatime.
Hudhër e tretur në uthull
Një tjetër mënyrë për të përfituar nga vlerat e hudhrës është që ta tresni atë në uthull.

Kjo e fundit është përdorur në mjekësinë kineze prej shekujsh.

Uthulla me hudhër përdoret jo vetëm në kuzhinë por është ideale kundër të ftohurës, për rritjen e rezistencës, kundër dhimbjeve të kraharorit dhe inflamacionit.
Përbërësit
1 filxhan me uthull të bardhë

1-2 hudhra të qëruara dhe grira hollë

1 lugë çaji me kripë deti.
Përgatitja:
Kombinojini përbërësit në një kavanoz qelqi dhe më pas vendoseni në një vend të freskët për tre javë.

Tundeni kavanozin herë pas here që të përshpejtoni tretjen dhe lëshimin e aromave.

Do të vëreni se hudhra do të marrë nuanca blu ose jeshile, një gjë krejt normale që vjen si pasojë e ndërveprimit të sulfurit te hudhra me bakrin tek uthulla.

Pas tre javësh, kullojeni lëngun dhe ruajeni në një enë qelqi.
Konsumojeni për gjashtë muaj. Mund ta kosnumoni në gatime të ndryshme ose nga një lugë në ditë./AgroWeb.org

Vaj ulliri me hudhra, kura që duhet ta keni në shtëpi Read More »

Vezë të pjekura me patate ,receta e shëndetit të mirë

Ndër gjërat që nuk mungojnë kurrë në frigoriferin tuaj, me siguri janë vezët.

Qëllon shumë shpesh që t’i përdorim ato për një darkë të shpejtë, kur nuk kemi shumë kohë ose nuk mund të qëndrojmë gjatë në kuzhinë.

Por duhet të jemi të kujdesshëm. Vetëm një ose dy përbërës të gabuar janë të mjaftueshëm për ta kthyer një gatim në një koncentrat kalorish.

Gjalpi dhe kripa e tepërt janë disa nga këta përbërës me të cilët nuk duhet tepruar.

Kur gatuhet si duhet dhe shoqërohet me perime, ky ushqim është ekuilibri i përsosur midis shijes dhe shëndetit.
Si të garantoni vlerat e mira?
Në vijim AgroWeb.org ju sjell një recetë të përkryer për të gatuar një omeletë të lehtë pa vaj e pa gjalpë.

Është shumë e dobishme për shëndetin dhe ofron më pak se 200 kalori!

E shijshme, ngopëse dhe e lehtë për t’u përgatitur, kjo omeletë në sajë te lidhjes natyrale midis proteinave të vezës dhe niseshtesë së patates, është shumë e shëndetshme dhe plot vlera të mira ushqyese.

Gjithashtu mund të konsumohet dy herë në javë pa asnjë problem për peshën dhe kolesterolin.
Vezë të pjekura me patate

Përbërësit për një omëletë të lehtë me më pak se 200 kalori. Kjo recetë është për katër persona.

Për një omeletë të lehtë për dy njerëz, ndani masat në mënyrë të përshtatshme.

Ju duhen 6 vezë • 2 patate të mesme • dy tufa me majdanoz të freskët • një lugë çaji me pluhur shafran të Indisë • pak kripë dhe piper të zi
Përgatitja
Qëroni patatet dhe prijini ato në kuba, lërini të vlojnë në ujë për disa minuta derisa të zbuten dhe më pas kullojini.

Rrihni vezët në një tas dhe shtoni patatet, duke i përzier dhe shtypur bashkë derisa të formojnë një masë të plotë.

Shtoni majdanozin e prerë për t’i rritur shijen omletës tuaj pasi në sajë të vitaminës C, shtoni një efekt antioksidues dhe tretës.

Shtoni gjithashtu edhe shafranin e Indisë që e gjeni në markete bashkë me piperin e zi.

Të dyja këto erëza kur kombinohen, ndihmojnë në përthithjen e shpejtë të vlerave të gatimit nga organizmi juaj.

Shtoni pak kripë, përzieni mirë gjithçka. Më pas kalojeni masën në një tavë të veshur me letër pjekjeje të lagur me ujë.

Vendoseni në furrë të nxehur në 180° për 30 minuta dhe shijoni një gatim të lehtë plot shëndet!

Sekreti është pjekja dhe përdorimi i letrës së lagur pjekëse, e cila na lejon të mos përdorim shumë yndyrë.

Përveç kësaj, përdorimi i erëzave jo vetëm që e bën atë më të shijshëm, por siguron substanca shumë të dobishme siç është vitamina C, e bollshme në majdanoz./AgroWeb.org

Vezë të pjekura me patate ,receta e shëndetit të mirë Read More »

Zupa shtëpie me qumësht dhe biskota , ëmbëlsira me shije të lehtë

Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, biskotat e thërrmuara por edhe arrat si gjithashtu.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave.

Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.
Përgatitja e Zupave në Shtëpi
Përbërësit
1.5 litra qumësht

2 të verdha veze

9-10 lugë sheqer

7 lugë niseshte

1 lugë kafeje vanilje

1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara

Një grusht arra të thërrmuara

Kanellë
Përgatitja
Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdheat e rrahura të vezëvem sheqerin dhe niseshten.

Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara por edhe arra nëse preferoni.

Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta./AgroWeb.org

Zupa shtëpie me qumësht dhe biskota , ëmbëlsira me shije të lehtë Read More »

Nga trafiku i drogës te miqësia me Ilir Meten, si arriti Noizy te ngrinte nje perandori luksi, jeta e tij mes femrash, sherreve dhe hashashit

Të gjithë e kemi një idhull, por sa të drejtë jemi në këtë zgjedhje nuk e dimë sidomos kur jemi në një moshë të re. Të hedhim një vështrim te moshat e reja, idhujtë e tyre janë kryesisht këngëtarët, sidomos ato të zhanerit rrep, ku videoklipet janë të mbushura me makina të shtrenjta, armë dhe fjalor banal.

Sot ne do të ‘skanojmë’ Rigels Rajkun, i njohur ndryshe si Noizy. I ardhur nga Londra në Shqipëri në moshën 20 vjeçari ai hyri vrullshëm në tregun muzikor me këngën Kosovë-Shqipëri. Noizy krijoi një grup repi të cilin e quajti OTR (On Top of the Rest). Ajo çka këngëtari ka deklaruar vetë më parë ishte se në Lodër është marrë me ‘Boks rruge’, por shkaku i kthimit të tij në Shqipëri ishte jo vetëm të kthehej për të krijuar një emër, por edhe se policia e ka kapur atë me një sasi të konsiderueshme droge. Kjo ngjarje ka bërë që ai të deportohet drejt Shqipërisë, duke ju ndaluar hyrja në shtetin britanik për një kohë të gjatë.

Rozana Radi ishte këngëtarja e parë femër që bëri një videoklip me të dhe pas saj, ‘vërshuan me vrull’ këngëtaret e tjera shqiptare Kujtojmë bashkëpunimet e Noizy me Dafina Zeqiri, Enca, Eni Koçi, Ciljeta dhe shume emra të tjerë të showbizit shqiptar. Noizy u tregua i zgjuar, ‘peshkoi’ një target-grup adoleshentësh duke rritur famën e tij.

Këngëtari njihet edhe për sherret e shumta, ai ka disa ‘beteja’ të hapura me disa grupe të tjera rrepi ku secili grup i bën ‘dis’ grupit tjetër. Kujtojmë ngjarjen e vitit 2016 ndodhur në Prishtinë, ku pati shkëmbime zjarri mes tij dhe këngëtarit Gozman. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.. ‘Cherchez la femme’, sebepi i sherrit është femra. Pikërishtë një deklaratë e Noizy-t në një studio televizive ku ai tha se ka pasur marrëdhënje me partneren e reperit Gozman, këngëtaren Ajtuna Sejdini e njohur ndryshe si TUNA. Gozman për të ruajtur dhe vënë në vend “nderin” u përplas me të në një hotel në Prishtinë, ku vetëm disa ditë më parë gjykata i cilësoi të dy reperët me faj.

Kujtojmë që Tuna jeton e lumtur me partnerin e saj të ri që tashme ka edhe një fëmi me të. Famën e Noizyt nuk e lakmuan vetëm këngëtaret, por edhe njerëz të biznesit dhe të politikës. Në videoklipet e tij, Noizy shihet me biznesmenin e njohur Samir Mane.

Noizyn e shohim shpesh edhe krah presidentit Ilir Meta. Në një klip të tij ‘E bardhë apo jeshile’, i cili ka kushtuar shumë që nga Ferrarri, orët e shtrenjta etj., ajo çka ti vret sytë dhe veshët është teksti i këngës. Mesazhi që ai përcjell me anë të këngës, që për fat të keq është këngëtari që dëgjohet më se shumti nga adolëshentët jep është trafiku i paligjshëm. Noizy pyet se si e do drogën, sa kilogram do dhe se paratë i ka të paluara pale- palë.

Këngëtari ka deklaruar se ka në zotërim një ferrarri, 3 biznese, dy locale, një në Durrës dhe një në Tiranë, si dhe një dyqan veshjesh. Këngëtari 30 vjeçar nga Dibra, i dënuar në Angli ka një ‘perandori’ luksi të krijuar me një shpejtësi ere.

“Gojët e liga” flasin se ai merret me punë të pista edhe përgjatë koncerteve ku merr pjesë si brenda dhe jashtë vendit. Madje ai e bën këtë pa frikë sepse ka mbeshtetje të politikanëve me peshë në Shqipëri, është i përkëdheluri i tyre, të dy palët ndihmojnë njeri tjerin.

Këngëtari pasurohet, rrit famën dhe politikani pasurohet dhe nëpërmjet këngëtarit merr mbështetjen e një pjese të ‘droguarish’ që hedhin votën çdo katër vite pa e menduar mirë se ku po e hedhin, thjesht nën ndikimin e idhullit të tyre. Problemi ynë është se brezi i ri, e ardhmja e Shqipërisë po rritet në një mjedis shumë kontravers, ku i ndershëm është Fullani, i zoti është Noizy dhe burrë i fjalës është Ilir Meta.

Fundja e ‘bardha apo jeshilja’ i ka futur trurit lavazh.. Ne shpresojmë që drejtësia e re të merret edhe me njërëzit që janë jashtë politike, por të afërt me politikën, ku bëhet fjalë për ‘punë’.

Noizy, dhe jo vetëm ky, deklarojnë fitime përrallore në një koncerti… Po tatimet a i paguajnë në shtet?!

P.S. Noizy kujdes me “tortat me hashash”, është vepër penale./pamfleti

Nga trafiku i drogës te miqësia me Ilir Meten, si arriti Noizy te ngrinte nje perandori luksi, jeta e tij mes femrash, sherreve dhe hashashit Read More »

Monika Kryemadhi e pranon: Jam nën survejim për pastrim parash. SPAK zhbiron edhe depozitat jashtë vendit të të korruptuarve

Ndërkombëtarët kanë nisur përgatitjet për arrestime në nivele të larta. Ekspertë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave së bashku me një grup ekspertësh gjermanë dhe nga vende të tjera të BE  kanë shqyrtuar nga afër dosjet që ka Drejtoria e Pastrimit të Parave. Për këtë janë në dijeni dhe vetë politikanët, të cilët i kanë nxjerrë çantat me lekë përmes rrugëve tokësore për t’i depozituar në banka jashtë vendit.

“Unë jam survejuar nga SHISH, nga Policia, nga struktura e kësaj qeverie nga pastrimi i parave, jo vetëm unë por të gjithë deputetët edhe familjarët tanë”, ka deklaruar Kryemadhi në emisionin “Open”.

Rreth 1.6 miliardë dollarë gjatë 14 viteve të fundit janë transferuar jashtë nga politikanët e korruptuar.

Por këto para kanë nisur të gjurmohen dhe kur të ngrihet SPAK të gjithë do të japin llogari. Janë plot 15 shtete me të cilat SPAK do të lidhë kontakte dhe duke bashkëpunuar do mundet që të gjenden paratë e korrupsionit, si dhe do zhvillohen hetime për krimin e organizuar.

Monika Kryemadhi e pranon: Jam nën survejim për pastrim parash. SPAK zhbiron edhe depozitat jashtë vendit të të korruptuarve Read More »

Rinis projekti “Arkeologu i vogël”, brezi i ri më pranë historisë

Rinis projekti “Arkeologu i vogël”, me nxënësit e shkollës jopublike “Faik Konica” që vizituan Muzeun Historik Kombëtar.

“Arkeologu i vogël”, ky projekt i iniciuar nga Sektori i Programeve Edukative pranë Muzeut Historik Kombëtar, rinisi për vitin e ri shkollor 2018-2019 me fëmijë nga shkolla jopublike “Faik Konica”.

Fëmijët, të shoqëruar edhe nga dy mësuese të tyre, si fillim bënë një guidë në muze. Ata u njohën imtësisht me Pavijonin e Lashtësisë dhe me objektet e zbuluara në vite prej ekspeditave arkeologjike.

Më pas nxënësit u drejtuan për në atrium, ku zhvilluan pjesën tjetër të aktivitetit, që kishte të bënte me imitimin e gërmimeve dhe gjetjen e objekteve antike. Pas gërmimeve fëmijët vizatuan objektet të cilat i kishin gjetur vetë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është, që fëmijë të moshave të ndryshme të vijnë në muze dhe të njihen më nga afër me historinë e vendit tonë. Konkretisht, projekti në fjalë i njeh nxënësit me procesin e gërmimeve që bëjnë arkeologët gjatë ekspeditave të tyre në terren.

Rinis projekti “Arkeologu i vogël”, brezi i ri më pranë historisë Read More »

80 efektivë dhe 4 anije shqiptare në stërvitjen “Albanian Lion 2018”

80 efektivë dhe 4 anije të Forcës Detare shqiptare prej më shumë se një javë janë angazhuar në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2018”, shprehet Ministria e Mbrojtjes.

“Stërvitja “Albanian Lion 2018”, e cila po zhvillohet në vendin tonë me pjesëmarrjen e forcave ushtarake nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria, po praktikon elementë stërvitorë të ndryshëm, duke përdorur edhe rajonet stërvitore të Forcës Detare.

Në Gjirin e Dukatit në Vlorë, po zhvillohen stërvitje të trupave me pjesëmarrjen e palombarëve anglezë, kroatë dhe shqiptarë. Ndër elementët stërvitorë kryesorë të tyre janë kërkimi nënujor, gjetja e objekteve të ndryshme, nxjerrja e tyre në sipërfaqe, kërkime rrethore etj. Në stërvitjen zhytëse marrin pjesë mjete lundrimi të tre vendeve: Britanisë së Madhe, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë, nga Kepi i Palit deri në Porto Palermo, Forca Detare me katër anije dhe një grup bordingu po zhvillon stërvitje detare me anijen britanike “RFA Lyme Bay” dhe një helikopter “Wildcat” duke ekzekutuar elementë të ndryshëm stërvitorë si mbrojtje e afërt dhe e largët, operacion zbarkimi trupash, mbrojtjen e anijes komandë nga sulme të befasishme etj.

Stërvitja “Albanian Lion 2018” po zhvillohet njëkohësisht në disa garnizone të FA si në Durrës, Pashaliman, Porto – Palermo, Rinas, Zall – Herr dhe Bizë me pjesëmarrjen e 1164 trupave ushtarake, 126 mjeteve tokësore, detare, ajrore dhe ka për qëllim realizimin e operacioneve të ndryshme nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Ndërkohë, ditën e hënë, më datë 24 shtator, ora 11:00 do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, Dita e Vizitorëve të Shquar të kësaj stërvitjeje, ku pritet të marrë pjesë Kryeministri Edi Rama”, shkruan MM./atsh

80 efektivë dhe 4 anije shqiptare në stërvitjen “Albanian Lion 2018” Read More »