Votime Sondazhe

Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së, opozita dakordësi për t’u përfshirë

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kriza në politikën shqiptare është artificiale.

“Për sa i përket pjesës së krizës së madhe politike, faktikisht është e tejkaluar fjala “e madhe”. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, me, pikërisht, implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE-së. Kështu që, nuk mendoj që në këtë familje prej 57 vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Absolutisht”, – tha Kryeministri.

Rama theksoi se “ajo që është fakt është që, opozita ka shprehur – ju e keni dëgjuar, se edhe unë me të dëgjuar e kam, se nuk e kam me të takuar, – dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. E në këtë rast kemi një bosht shumë objektiv që s’kemi nga luajmë as njëra palë dhe, as pala tjetër dhe kemi dhe ODIHR-in që fare mirë mund të na ndihmojë për të thënë është kështu, apo është ashtu. Kështu që kjo është një bazë e mirë”./atsh

Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së, opozita dakordësi për t’u përfshirë Read More »

Basha: “Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër”

Kreu i PD Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të papritur mbrëmjen e sotme, duke deklaruar se opozita ëhstë gati për zgjedhje të parakohshme që nesër.

Në një intervistë për Vizion Plus, Basha u shpreh se opozitarët janë gati për zgjedhje që nesër, me kushtin e vetëm që shqiptarëve t’ju garantohet liria e votës.

“Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti jonë i vetëm është që shqiptarëve tju garantohet liria e votës”, tha Basha, ndërsa duke folur për rastim maqedonas shtoi “Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë se Maqedonia e Veriut. Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut tregojnë se drejtuesit atje vendosin interesin e vendit mbi interesin e vetë.”

Më tej, Basha tha se PD dhe aleatët janë të qartë dhe të vendosur në kërkesar e tyre: Po kërkojmë që qytetarët të vendosin qeverinë që duan me votë.

Basha: “Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër” Read More »

Proces shembullor votimi, zgjidhen kryetarët e qeverive të nxënësve

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve kanë zgjedhur të dielën qeverinë e tyre përmes një procesi zgjedhorë shembullor.

“Me një proces shembullor, përfundoi zgjedhja e kryetarëve të Qeverive të Nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë”-, deklaron ministrja e Arsimit dhe Rinisë, Besa Shahini.

“Kryetarët e zgjedhur do të paraqesin platformat e tyre për një përfaqësim sa më cilësor të interesave të fëmijëve dhe të rinjve në Parlamentin e Nxënësve, zgjedhjet e të cilit do të mbahen më 18 tetor. Suksese të gjithë kandidatëve”-, u shpreh Shahini./atsh

Proces shembullor votimi, zgjidhen kryetarët e qeverive të nxënësve Read More »

Kosovë/ Përfundon numërimi i votave të rregullta

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, ka numëruar 100% të votave të rregullta për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 202.968, vota apo 25,48%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 197.702 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 169.211, apo 21.24%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 92.149 vota apo 11,57%; Lista Serbe ka marrë 6.61 për qind ose 52.620 vota.

Koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet nën pragun zgjedhor, pasi ka marrë 39.495 vota apo 4.96%.

Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat pritet në numërohen gjatë ditëve të ardhshme.

Nga numërimi i 100% të votave, 40.732 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.

Në zgjedhjet për nivelin qendror në qershor 2017, mbi 42 mijë fletëvotimi të qytetarëve u shpallën të pavlefshme.

Shifra e votave të pavlefshme pothuajse u dyfishua në tetor të po atij viti kur vendi shkoi në zgjedhje lokale. Ishin rreth 80 mijë vota, të cilat KQZ-ja i shpalli të pavlefshme. /KosovaPress/

Kosovë/ Përfundon numërimi i votave të rregullta Read More »

BE: Qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç tha se 6 tetori ishte një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë. Në reagimin e saj fillestar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kocijançiç theksoi se ishte shumë pozitiv fakti, se në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë se në ato të mëparshmet në vitin 2017.

Ajo potencoi se qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme, duke përmendur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.

“Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor”, tha Kocijançiç.

BE dërgoi një mision monitorimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor.

Misioni do të paraqesë një vlerësim paraprak më 8 tetor dhe do të publikojë një raport përfundimtar në muajt e ardhshëm. /atsh

BE: Qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme Read More »

Thaçi për zgjedhjet: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet që ai i ka quajtur shembullore.

Sipas tij Kosova dëshmoi edhe njëherë pjekuri të lartë politike dhe demokratike.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tani të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”. /KosovaPress/

Thaçi për zgjedhjet: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike Read More »

Basha uron LDK dhe LVV: Kosova votoi për ndryshim

– “Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik”, deklaroi sot kryetari i PD-së Lulzim Basha, ndërsa i shprehu urimet më të përzemërta për fitoren e LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Basha tha se forcat politike në Kosovë mbajtën qëndrim europian në zgjedhje.

“Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës”, tha ai.

Po ashtu Basha vlerësoi profesionalizmin e policisë si dhe pjesëmarrjen masive në zgjedhje të popullit të Kosovës.

“Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesëmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cenuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare. Urime Kosovë!”, shprehet ai. /atsh

Basha uron LDK dhe LVV: Kosova votoi për ndryshim Read More »

Rama uron Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare

Kryeministri Edi Rama uroi sot Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare.

“Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, tha Rama.

Kosova zhvilloi dje zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197.966 vota ose 25,79%. E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%.

Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.

Kurse, koalicioni AAK-PSD, ka marrë 89.287 vota ose 11,63%. Koalicioni Nisma socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re ka marrë 37.786 vota ose 4,92 për qind./atsh

Rama uron Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare Read More »