Turizem

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës tërheq vëmendjen e Ambasadës Austriake/Foto

Personeli i Ambasadës Austriake e kaloi fundjavën në natyrën e bukur të Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës. Ata u pritën në hyrje të parkut nga të rinj të “Smile Albania”dhe specialistë të natyrës në Bashkinë e Krujës që prezantuan te vizitorët historikun e këtij parku,vlerat e tij natyrore dhe  kulturore, ato kurative dhe kulinarinë e veçantë të zonës. Ekipi i Ambasadës, shoqëruar nga udhërrëfyes vendas shëtitën në pyjet me pisha të parkut, në shpatet malore, u argëtuan në barin e lëndinave  dhe vlerësuan ujin e  veçantë të kroit të “Nënës Mretneshë”. Në përfundim të piknikut, ata lanë përshtypjet më të mira pranë udhërrëfyesve të Bashkisë Krujë që i shoqëruan./atsh

Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës tërheq vëmendjen e Ambasadës Austriake/Foto Read More »

Specialistët e AdZM Gjirokastër, gjithmonë pranë vizitorëve të natyrës

Jo vetëm buzëqeshjet e të rinjve të “Smile Albania”, por edhe të rinjtë specialistë në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Gjirokastër, janë çdo ditë pranë turistëve që vizitojnë qarkun e tyre. ”Edhe ne sjellim buzëqeshjen tonë te vizitorët” thonë këta të rinj të palodhur në bisedë telefonike me gazetarët e ATSH-së.

Gjatë fundjavës, ata ishin në fushën e Çajupit, në Parkun Natyror “Zagori” dhe shoqëruan e ndihmuan një grup vizitorësh që vinin nga Austria. Kjo zonë së fundmi u shpall Park Natyror dhe është tepër i vizitueshëm.

Ky park natyror shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në jugun e vendit.  Zagoria ngjan brenda kësaj kurore malesh si një “perlë e rrallë natyrore”. Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin, mjaftueshëm për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj. /atsh

Specialistët e AdZM Gjirokastër, gjithmonë pranë vizitorëve të natyrës Read More »

Plazhi i vjeter pritet të jëtë këtë vere një nga me atraktivet

Plazhi i vjeter pritet të jëtë këtë vere një nga me atraktivet. Det i paster, vije të gjere bregdetare dhe rerë të bardhe, plazhi i vjeter është ideali për pushime familjare dhe jo vetem. Me nderhyrjet e kryera kryesisht nga operatori privat, në këtë plazh, është ideali për atë që kerkojnë të kalojnë pushime familjare dhe të qeta.

I vetmi në bregdetin e Vlorës, me rerë të paster dhe det jo shumë te thellë dhe të paster, por natyrishte dhe me një infrastrukture të permiresuar, plazhi i vjeter pritet të jëtë mjaft i frekuentuar dhe atraktiv. Jo vetem pushues nga Vlora, por edhe nga rrethe, dhe te moshave te ndryshme.

Plazhi i vjeter pritet të jëtë këtë vere një nga me atraktivet Read More »

Shënime udhëtimi/ Mos dil jashtë Shqipërisë po s’pate vizituar Sazanin

Nga Xhuliana Jakimi

Çdo herë që vizitoj perlat e natyrës shqiptare bindem akoma më shumë që nuk ia vlen të udhëtosh jashtë Shqipërisë pa prekur mrekullitë që na ka falur natyra.

Destinacioni i radhës ishte Vlora. Këtë herë bashkëudhëtare kisha dy miket dhe koleget e mia. Ishte ndryshe, udhëtim pune e qejfi, por pa përcaktuar agjendë. Isha veriorja e privilegjuar mes mikeve të jugut.

Me të arritur në qytetin bregdetar, theksi i vlonjatëve ngjalli kërshërinë time për t’i dëgjuar me vëmendje. “O derman, o vëlla, o cole…” fjalët që dëgjon më së shumti për të treguar përzemërsinë ndaj të tjerëve. Në dukje të ftohtë e të prerë, por nëse iu “zë derën” kupton që janë miq të çmuar. Ndërsa ironia e hollë i shoqëron edhe në shakatë e tyre.

Kafen e mëngjesit e shijuam përballë detit te porti i Vlorës, ndërsa nisja me anije për në Sazan e në brigjet e Karaburunit u bë rreth orës 9:30. Koha nuk qe shumë premtuese, herë dielli ngrohte mbi ne, e herë zhdukej mes reve. Megjithatë ishim të vendosura që me apo pa diell do e shijonim udhëtimin.

Valentina, guida, një zonjë e respektuar që mbi kokë mbante kapelen e marinarit, na tregonte rreth Sazanit e Karaburunit si dhe historive gjatë udhëtimeve.

“Pothuajse çdo ditë në shohim delfinë në det. Ka raste që dhe na shoqërojnë në udhëtime”, na tha Valentina. Ndërsa ne shihnim mes dallgëve mos do na nderonin si vizitorë për herë të parë të Karaburunit. Por jo. S’i pamë gjëkund.

“Një herë kemi parë dhe një fokë në det. Doli vetëm për disa sekonda. Në memorien time më kanë mbetur sytë e mëdhenj dhe të zinj”, tregoi më tej ajo. Gjithësesi, ne nuk qemë aq fatlumë që të shihnim foka e delfinë.

Pas rreth dy orësh udhëtim mes detit, pamë tokë. Ishte Sazani. Sa më shumë afroheshim, aq më shumë shtohej dëshira për ta prekur nga afër.

Një pamje aq piktoreske me larmishmëri ngjyrash. Jeshile, të verdhë, të kuqe, blu… thjesht mrekulli. Para nesh kish mbërritur një tjetër anije. Nuk ishte një port modern, por kishte gjurmë të një porti ushtarak të braktisur.

Hapat e Valentinës ishin busulla jonë e orientimit drejt eksplorimit të Sazanit, “qytetit të braktisur” siç e quante ajo. Bunkierë kudo, vagonë të prishur, shina, qendër spitalore e pabanuar, shkollë, ndërtesa.

Zhurma që krijohej nga flladi mes pemëve e cicërimat e zogjve ishin melodia që na shoqëroi në ngjitje, ndërsa ajo çka shihnim fliste për historinë e kësaj zone.

Imagjinata ime ndizej vetvetiu, e dëshira për të jetuar aty shtohej më shumë. Nga lart e gjithë vija bregdetare dukej nën monitorimin tim, e ndihesha perëndesha e asaj mrekullie.

Por thirrja e Anxhelës më nxorri nga bota që unë kisha krijuar për disa sekonda. “Na ka marrë uria. Do hamë ndonjë byrek?”. Mes natyrës, e një pamje që ç’të them, në fakt edhe oreksi të shtohet. Ia shtruam mes natyrës, e falenderonim mamin e Invës për duart e arta që ka e që na gostisi mirë e mirë.

Ndonëse nuk donim, ora kish kaluar shpejt e duhej të udhëtonim drejt brigjeve të Karaburunit. Hipëm në anije, e teksa po i largoheshim ishullit, isha e sigurtë që një ditë do kthehesha sërish, për ta shijuar dhe më gjatë.

Anija ankoroi në Shën Vasil. Ndryshe nga Sazani, aty kishte lokale e shezlong. Zumë një çadër, e si të babëzitura hodhëm çantat e u zhytëm në det për të mos dalë për rreth një orë. Dielli na ledhatonte fytyrat, ndërsa deti u tregua miqësor me ne, duke qetësuar dallgët.

Në mbrëmje për herë të parë do kishte dhe koncert. Djemtë e lokalit na ftuan të qëndronim, por na duhej të largoheshim. Pas një pasditeje të gjatë e të shkurtër njëkohësisht; pa internet, pa punë, mes të qeshurave, detit, diellit e gurëve, duhej të ktheheshim.

Teksa po visheshim, po shihnim njëra-tjetrën. Dielli e kripa kishin bërë harta në trupin tonë. Vende vende të skuqura, diku më bardhë e ca pjesë të nxira mirë.

Dielli na shoqëroi gjatë kthimit. Ai pasqyronte mbi det, ndërsa një erë e lehtë luante mbi fytyrat tona. Perëndim më të bukur s’kisha parë, por jam e sigurtë që udhëtime akoma më të bukura do të ketë./politiko.al

Shënime udhëtimi/ Mos dil jashtë Shqipërisë po s’pate vizituar Sazanin Read More »

Divjaka, atraksion turistik për të mos u humbur

Parku kombëtar i Divjakës është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj por edhe ata shqiptarë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. /atsh

Divjaka, atraksion turistik për të mos u humbur Read More »

Siguria e pushuesve, kulla vrojtimi nga Velipoja në Sarandë/Foto

Për herë të parë ka një infrastrukturë kullash vrojtimi në funksion të sigurisë së pushuesve nga Velipoja në Sarandë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Edi Rama bën të ditur se situata me kullat e vrojtimit ende nuk është perfekte dhe pa boshllëqe, por përmirësimi është i dukshëm, ndërsa evidenton edhe përgjegjësinë e pushtetit vendor në këtë drejtim.

“Ende jo perfekte dhe pa boshllëqe, po si dita me natën me vitet e shkuara dhe në përmirësim ditë pas dite, me gjithë dobësitë e mëdha të pushtetit vendor në këtë drejtim, edhe pse ky aspekt është detyrë ligjore e funksion i bashkive. Sidoqoftë asnjë justifikim dhe bashkëpunimi me bashkitë për të garantuar një sezon të pastër e të sigurt po forcohet dita-ditës në terren”, shkruan kryeministri. /atsh

Siguria e pushuesve, kulla vrojtimi nga Velipoja në Sarandë/Foto Read More »

Kroçera më e madhe turke mbërrin në portin e Durrësit/Foto

Mbërrin në Shqipëri për herë të parë kroçera më e madhe nga Turqia, me kapacitet 1800 pushues.

Kroçera u ankorua në portin e Durrësit me turistë nga vende të ndryshme të botës. Ata kanë patur si destinacion Krujën, Tiranën dhe Beratin. Ndërsa janë pritur dhe shoqëruar nga të rinjtë e “Smile Albania”, pjesa më e madhe e pushuesve që vizitonin Shqipērinë për herë të parë janë shprehur të suprizuar nga bukuria e zonave historike të Shqipërisë dhe mikpritja.

Ministri Klosi me ftesë të kapitenit dhe agjencive turistike ishte i pranishëm në mjediset e kroçerës.

“Ne erdhëm të falënderojmë kroçerën e parë të nisur nga Turqia. Do të donim shumë të falënderonim kapitenin e  kroçerës së parë të ardhur nga Turqia që e vlerësoi Shqiperine si destinacion të ri turistik. Këto kroçera do ta frekuentojnë Shqipërinë për gjatë gjithë sezonit turistik të këtij viti dhe po ashtu me të rinjtë e projektit “Smile”, ne u përpoqëm t’i ofronim  buzëqeshjen të gjithë pasagjerëve të këtij udhëtimi. Përveç shpjegimeve që iu dhanë të rinjtë, një pjesë kanë vizituar Tiranën dhe pothuaj të gjithë janë të surprizuar nga mikpritja shqiptare, nga bukuria e vendeve turistike dhe po ashtu kanë arritur që të bindin dhe kolegë të tjerë dhe sidomos kapitenin dhe ekuipazhin e ri që të vinin në Shqipëri me kompaninë e tyre”, theksoi ministri Klosi.

Përfaqësuesit e kompanive turistike, deklaruan se Shqipëria është përfshirë tashmë në vendet turistike për t’u vizituar. “Është hera e parë që një kroçerë turke mbërrin në Shqipëri. Është hera e parë në këtë port dhe kjo do të thotë të hapësh një derë dhe është kënaqësi që të shohësh këta të rinj me t-shirt të cilët shpjegojnë shumë mbi sajtet turistike dhe historinë e tyre, është kënaqësi të dëgjosh për Tiranën dhe të pritesh me buzëqeshje nga këta të rinj”, tha kapiteni i kroçerës. /atsh

Kroçera më e madhe turke mbërrin në portin e Durrësit/Foto Read More »