Turizem

Kalaja e Tiranës kthehet në zonë pedonale, mundësi për turizëm dhe argëtim/Foto

Pas Sheshit “Skënderbej” dhe Pazarit të Ri, Tirana do ketë një tjetër hapësirë pedonale, e cila pritet të shndërrohet në një nga vendet më të frekuentuara jo vetëm për kryeqytetasit, por edhe për turistët e huaj. Kalaja e vjetër e Tiranës do t’i kthehet qytetarëve të saj si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin e artizanisë, kulturës dhe artit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në brendësi të mureve të Kalasë dhe u shpreh i bindur se ky projekt do të jetë xhevahiri i radhës për Tiranën. “Në qetësi, pa zhurmë, pa bujë, pa histeri, e kemi kthyer “çarshinë” e Kalasë së vjetër të Tiranës, në një kantier i cili do transformohet në një tjetër hapësirë pedonale, të ngjashme, e ndoshta edhe më të mirë se sa Pazari i Ri”, tha Veliaj.

Ai theksoi se kalaja e rinovuar do jetë gati brenda pak javësh, ndërsa tha se ashtu si Pazari i Ri, edhe kjo hapësirë do krijojë shumë mundësi punësimi dhe të bërit biznes. “Dua t’u bëj thirrje të gjithë sipërmarrjeve, të ngjashme me sipërmarrjet në Pazarin e Ri, që kanë një “tis” të kulturës, të traditës sonë, qoftë në kulinari, qoftë në artizanat, qoftë në muzikë, qoftë në shërbimet e tjera publike, të fillojnë interesimin dhe besoj se shumë shpejt do të jetë një nga pjesët më të vizituara të Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se ky projekt është një shembull tjetër i suksesit që mund të ketë bashkëpunimi mes privatit dhe publikes. “Për të gjithë ata njerëz që kanë alergji nga fjala partneritet publik-privat, duhet të vijnë të shohin këtë pjesë të Kalasë së Tiranës, ku pronarët origjinalë, pra familja Toptani, me qeverinë lokale dhe qendrore, bashkëpunojnë në këtë partneritet publik-privat, që pronën e tyre private ta vënë në shërbim të publikes, si një mjedis për kulinari për gatimet shqiptare, për artizanët, për art dhe kulturë, si një mini-pallat pionerësh për kurse dhe muzikë, e për të ruajtur traditën tonë dhe një hapësirë fantastike midis Tiranës moderne të kullave, të shumëkatësheve ultramoderne, me Tiranën tradicionale. Pra, çfarë është për të ruajtur të ruhet dhe t’i kthehet publikut!”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se pavarësisht debateve që shoqërojnë çdo nismë të Bashkisë së Tiranës, ashtu si në rastin e sheshit “Skënderbej”, Pazarit të Ri, edhe Teatri i ri Kombëtar do jetë një sukses më vete, që do sjellë një godinë moderne dhe me të gjitha kushtet për ata që luajnë në skenë dhe spektatorët. “Jam shumë i lumtur që pak metra nga Teatri i ri, ku pritet të lindë diçka ultramoderne, kemi një simbiozë, ku diçka e Tiranës së vjetër bashkëjeton me modernen”, u shpreh Veliaj.

Falë bashkëpunimit me familjen e vjetër Toptani, Kalaja e vjetër e Tiranës i është nënshtruar një rinovimi total, duke krijuar një hapësirë të re kulturore e tregtare, ku do të ketë dyqane souveniresh me fokus historinë e Tiranës, mozaikë, restorante tradicionale. Ajo do të shërbejë si një hapësirë tjetër pedonale. Për ta bërë atë më të aksesueshme do të ndërtohet edhe një rrugë e re në shërbim vetëm të këmbësorëve që do e lidhë atë me Unazën dhe rrugën e “Elbasanit”. /atsh

Kalaja e Tiranës kthehet në zonë pedonale, mundësi për turizëm dhe argëtim/Foto Read More »

Zingarate: Bregdeti shqiptar, destinacioni më i rëndësishëm për verën/Foto

“Ekzistojnë shumë pak vende që janë ende të fshehta në Europë. A jeni në kërkim të një destinacioni për pushime? Ne kemi një sugjerim për ju, Shqipëria”, shkruan Zingarate.

Bregdeti shqiptar do të jetë së shpejti destinacioni i ardhshëm më i rëndësishëm për verën, por për momentin ju mund të përfitoni nga plazhet e virgjëra spektakolare dhe deti blu.

Menjëherë në jug të Shqipërisë është Greqia një destinacion popullor për të shkuar në plazh, Mali i Zi ka bërë shumë progrese këto vitet e fundit duke u pozicionuar si një destinacion detar në zhvillim, ndërkohë që më në veri, Kroacia pret vizitorë nga e gjithë bota që prej një dekade.

Shqipëria, është ende e panjohur, pavarësisht nga pozita e shkëlqyer gjeografike prej 363 kilometrash vijë bregdetare të Detit Adriatik dhe Detit Jon.

Më poshtë vijojnë arsyet pse duhet të zgjidhni Shqipërinë për pushimet verore.

Plazhet në Shqipëri

Plazhe me rërë, gjire të izoluara dhe deti që ngjan me Karaibet.

Bregdeti i Shqipërisë, i karakterizuar nga fshatrat tradicionalë që ndodhen në gjiret e e paprekura, është një prej zbulimeve të viteve të fundit.

Ju mund të udhëtoni drejt jugut dhe të mbërrini në Rivierën shqiptare ku do të gjeni plazhe të bukura dhe gjire.

Më shumë se 300 kilometrat e bregdeti shqiptar lagen nga Deti Adriatik dhe Deti Jon. Ne mund të shikojmë më në detaj plazhet e bukura.

Plazhet e bregdetit Adriatik janë ranorë dhe me ujëra jo shumë të thellë. Ato janë vendi ideal për të shkuar në plazh me fëmijët.

Deti Adriatik shtrihet në kufirin me Malin e Zi në veri deri në gjirin e Vlorës, ku fillon Deti i Jonit.

Mes plazheve më të bukura janë ato të Velipojës, Shëngjinit, Durrësit, Golemit, Spillesë, Divjakës dhe Vlorës. Duke udhëtuar përgjatë brigjeve mund të vizitohen laguna, rezervuare dhe ekosisteme të tjera natyrore.

Sapo kalon malin e Llogarasë, rreth 1 000 metra lartësi, do të gjendemi përballë një panorame të mrekullueshme të Rivierës Shqiptare të përbërë nga plazhet e gjata, peizazhet e gjelbëruara dhe deti me një blu të qartë dhe transparente që dominon.

Në këtë pikë të parajsës Deti Adriatik takon Detin Jon.

Përgjatë bregdetit jonian do të gjeni detin më të bukur dhe nuk është ekzagjerim kur thuhet se ngjan me detin e Karaibeve.

Këtu, bregdeti ofron pamje natyrore që të lënë pa frymë, gjire të paprekura, male të gjelbëruara që shtrihen drejt plazheve me rërë dhe gurë apo drejt shkëmbinjve të lartë dhe majave të thepisura që shtrihen në detin blu.

Shtrirja e bregdeti shtrihet nga Vlora në Sarandë dhe kalon parkun kombëtar të Qafës së Llogarasë. Në këtë pikë të parajsës do të gjeni gjithashtu shpella detare të mrekullueshme për ata që pëlqejnë udhëtimet dhe zhytjet.

Mes plazheve më të bukura të bregdetit jonian bëjnë pjesë Dhërmiu, Jala, Himara, Qeparoi, Borshi, Saranda dhe Ksamili.

Në jugun e Shqipërisë bregdeti të ofron peizazhe të mrekullueshme nëse ju planifikoni një itinerar rrugor për të zbuluar Shqipërinë.

Ju mund të merrni rrugën nga Durrësi në Sarandë. Rruga është e gjatë 250 kilometra dhe nëpërmjet kësaj trajektoreje mund të vizitoni qytete, fshatra, plazhe dhe gjire të mrekullueshme.

Një itinerar tjetër është ai që shkon nga Durrësi në veri, deri në kufirin me Malin e Zi. Përgjatë kësaj pjese të bregdetit do të gjejmë Gjirin e Lalëzit, që ndodhet mes Kepit të Rodonit dhe Kepit të Bishtit të Pallës.

Mos e humbisni një vizitë në Kepin e Rodonit, një kep gjigand, një kryevepër natyrore që shtrihet mbi det. Këtu mund të gjeni mbetjet e një kështjelle që duhet vizituar.

Gjithashtu në këtë rajon duhet të vizitoni edhe lagunën e Rushkullit pasi do të gjeni duna rëre, rezervatë natyrorë, rrafshina, pyje me pisha dhe zona ujore.

Plazhet e Durrësit janë më të frekuentuarat në të gjithë vendin dhe janë perfekte për ata që vendosin të shkojnë në plazh me fëmijët.

Por, nëse dëshironi të gjeni detin më të bukur dhe piktoresk, shkoni drejt jugut. Përgjatë kësaj pjese të bregdetit të njohur si Riviera Shqiptare do të zbuloni plazhet më të bukura nga Vlora në Sarandë.

Mos humbisni një vizitë në parkun kombëtar të Llogarasë. Nëse i pëlqeni sportet malore është vendi ideal. Ai ndodhet rreth 30 kilometra në jug të Vlorës. Të ecësh përgjatë shtigjeve të shënuara do të gjeni gjithashtu vende për të praktikuar parashutizmin.

Një udhëtim i bukur është ai që të çon në Qafën e Llogarasë, një prej pikave më të larta të parkut kombëtar nga ku pamja është e jashtëzakonshme.

Vendet më të bukura për t’u vizituar ne Shqipëri

Mënyra më e mirë për të zbuluar Shqipërinë është ta bëni atë nëpërmjet rrugës. Këshilla është që të arrini në Durrës me traget ose me avion nga Italia në Tiranë dhe pastaj të shkoni në bregdet.

Destinacionet më të mira për ata që kërkojnë plazhe të bukura dhe gjire të paprekura janë në jug, ku do të gjeni gjithashtu qytete të bukura dhe qytete të lashta, pyje, lugina dhe ishuj.

Ndaluni për të vizituar Apolloninë, një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë .

Për të shkuar në jug duhet të ndalosh në Vlorë, një nga portet më të rëndësishme të vendit, ku përballë qytetit gjendet ishulli i Sazanit. Vlora është një nga qytetet historike shqiptare. Lindja e saj daton që nga shekulli i VI para Krishtit.

Pranë Vlorës ndodhet plazhi i Jalës , një plazh i bukur dhe i qetë. Dhërmiu ndodhet pak në jug dhe është një nga vendet më të njohura turistike në të gjithë bregdetin. Jo shumë larg plazhit të Dhërmit ju mund të vizitoni Shpellën e Piratëve, që mund të arrihet me anije ose traget.

Një nga plazhet më të bukura të këtij bregdeti është edhe ai i Gjipesë që ka një formë të bukur, ku shkëmbinjtë e thepisur shtrihen në detin e kaltër. Për të arritur atje ju duhet të ecni për rreth 20 minutash në këmbë. Pranë këtij plazhi ka një lumë që rrjedh përgjatë një kanioni prej 70 metrash të lartë. Këtu vlen të vizitosh fshatin Vuno.

Nëse po kërkoni ndonjë vend, ne rekomandojmë një vizitë në Himarë, një nga qendrat më të mëdha në zone, si dhe gjatë rrugës deri në Sarandë nuk duhet të humbni një vizitë në gadishullin e Porto Palermos, ku do të gjeni një kala të ndërtuar nga Ali Pasha, si dhe një pamje spektakolare, shkëmbinj dhe një port të vogël të përdorur nga sovjetikët për të fshehur nëndetëset e stacionuara në Adriatik.

Borshi është një nga zonat më të bukura të Rivierës Shqiptare dhe ka një shtrirje bregdetare të karakterizuar nga agrume dhe ullishte. Në këtë bregdet do të gjeni plazhet e Bunecit, Kakomesë.

Saranda ndodhet vetëm 9 kilometra nga ishulli grek i Korfuzit, nga këtu ju mund të niseni për një udhëtim në ishullin grek.

Në këtë zonë mos humbisni një vizitë në plazhin e Ksamilit, ku ka katër ishuj të vegjël të mbuluar nga bimësia mesdhetare.

Nga Saranda mund të niseni për një vizitë në gërmadhat e Butrintit./atsh

Zingarate: Bregdeti shqiptar, destinacioni më i rëndësishëm për verën/Foto Read More »

Bregdeti si nëpër ëndrra i Shqipërisë

Me verën që po afron, pyetja që dëgjojmë më shpesh nga lexuesit ka të bëjë me pushimet. Disa kërkojnë një vend në det, një vend të thjeshtë dhe të lirë për të kaluar vetëm një jave larg brigjeve të bukura, por kaotike italiane. Përgjigjja jonë është gjithmonë dhe vetëm Shqipëria, një vend me të cilin jemi dashuruar. Po, përse t’i zgjedhim plazhet shqiptare gjatë verës? Deti si nëpër ëndrra, çmime të leverdisshme dhe mikpritje e ngrohtë, shkruan një nga faqet më të njohura dhe më të specializuara për turizmin, 2backpack.it.

Për fat të keq, kemi arritur në përfundimin se ekzistojnë paragjykime në drejtim të këtij vendi, që ne në Itali e njohim shumë pak. Ndoshta për shkak të së kaluarën së saj të mundimshme, ne italianët kemi akoma të stampuar në kokë imagjinatën e një vendi të varfër dhe pak mikpritës, pa menduar se shqiptarët janë të pasur me burime dhe kanë dëshirë për të ecur përpara.

Nga se mund t’ia rifillojë Shqipëria, përveçse turizmit? Sepse me bukuritë natyrore që zotëron, ky vend mund të nxjerrë jashtë loje shumë vende të tjera turistike të Europës dhe, pasi ta keni vizituar gjerë e gjatë për disa muaj, jemi të sigurtë se do të jetë Shqipëria desitinacioni veror i preferuar në vitet e ardhshme.

Meqenëse popullariteti i saj rritet sidomos në gusht, ju këshillojmë që të pronotoni, me çmimet shqiptare, dhe jo italiane, dhe ju këshillojmë agjencinë Albania Travel.

Një tjetër motiv për ne italianët për të vizituar këtë shtet është se në këtë vend kemi gjetur shumë lokale me një italishte të kënaqshme dhe mund të themi që me këtë popull kemi shumë gjëra të përbashkëta si mentaliteti, mënyra e të jetuarit, zakonet e tjerë. Këtu ndenjëm si në shtëpine tonë dhe për këtë shkruajmë, me shpresë që pak informacion më shumë duhet për të gjithë, të kuptojnë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, i sigurtë, mikpritës, dy hapa larg Italisë, dhe më pak e populluar dhe e kushtueshme se Greqia dhe Kroacia.

Meqënëse gjeografia nuk është opinion, Shqipëria, ndan të njëjtat ujëra me Kroacinë dhe Greqinë, por për shumë vite brigjet e saj kanë qënë të virgjëra dhe të pashfytëzuara. Ja disa nga gjërat pozitive të dhjetëra viteve izolimi. Bregdeti shqiptar është një spektakël i natyrës dhe në shumë zona nuk ka akoma spekullime ndërtimore.

Edhe pse veriu i vendit rezervon surpriza përgjatë bregdetit, zonat më të bukura të Shqipërisë janë ato nga Vlora deri në kufi me Greqinë. Ja disa nga plazhet që kemi dashur më shumë në bregdetin jugor, disa të zhvilluar si pika turistike, dhe disa të tjera akoma të virgjëra, të mahnitshme dhe perfekte për adhuruesit e natyrës.

Karaburuni

Në qoftë se do të vëzhgoni hartat, do të vini re se poshtë qytetit të Vlorës, ndodhet gadishulli i gjelbër i Karaburunit. Në këtë ish-zonë ushtarake hyrja ishte e ndaluar për shumë vite, deri në çmilitarizimin e saj në vitet ’90. Zona u shndërrua në një park kombëtar dhe sot mund të vizitohet me varka që nisen të gjitha pranë Vlorës. Nëse doni të vizitoni Karaburunin nuk mund të humbisni pa parë Gjirin e Gramës, një zonë e pasur me shkëmbinj natyrorë ku një herë e një kohë strehoheshin piratët, dhe e karakterizuar me ujëra kristal. Një bukuri të rrallë   kanë edhe zallishtet e bardha, që këshillohen të zbulohen në paqe dhe në relax total.

Dhërmiu

Duke ecur përgjatë jugut, arrihet në disa destinacione nga më të bukurat për turizmin lokal. Dhërmiu për ne ishte vërtet një zbulim i vërtetë. Një pjese bregdeti e pabesueshme, e bukur, skenografike, me detin e kaltër të errët, gurë të bardhë dhe male afër detit, ku lokalet dhe restorantet anës detit ofronin një atmosferë kënaqësie, pa kaos dhe zhurmë, siç jemi mësuar të shohim në rivieren tonë. Këtu kemi ngrënë peshk të pjekur duke i zgjedhur vetë me dorë nga barkat e peshkatarëve dhe servirur nga restorantet. Ajo që në Romagna-n tonë është një darkë luksi që të zbraz portofolin, në këto zona kushton sa një pica. Përveç plazhit, ky vend është ideal për adhuruesit e maleve. Në muajt e verës, Dhërmiu është i mbipopulluar, sidomos në fundjavë nga turistët e vendit, por duke qënë se ka shumë plazhe përreth, edhe në këtë periudhë është e mundur të gjesh zona të izoluara dhe të qeta, siç është Drimadhes, që gjendet pak kilometra më në veri, dhe është i arritshëm me një udhëtim më këmbë.

Himara

Ky është vendi me detin më blu në gjithë Shqipërinë dhe është një pikë strategjike për të vizituar vendet e tjera, gjithmone të bukura, por me pak të frekuentuara. Ndërsa Himara është super e vizituar në kulmin e verës (ofron hoteleri dhe çmime të kënaqshme), plazhet afër saj, si Llamani, Livadhi, një në veri dhe tjetri në jug, ofrojnë të njëjtat panorama, ujëra të kulluara dhe male panoramikë.

Porto Palermoja

Duke zbritur drejt jugut, gjatë një rruge detare të mrekullueshme, do të mbërrini në gadishullin e vogël të Porto Palermos, i quajtur kështu nga italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtu, përveç detit si nëpër ëndrra, do të shihni edhe shumë bunkerë, që datojnë që nga koha e monizmit, si dhe një kështjellë që daton që nga koha e Perandorisë Osmane.

Borshi

Në një distancë të afërt, do të gjeni një nga fshatrat më piktoreskë të bregdetit shqiptar. Fshati i Borshit. Me kalanë e tij të Sopotit në majë të malit, ofron një pamje mahnitëse duke vrojtuar bregdetin, vijën e tij gjashtë kilometra të gjatë dhe shumë të bukur. Për të mbërritur në det duhet të kalosh nëpër rrugët me ullinj dhe agrume, që ofrojnë një spektakël natyror të rrallë dhe unik. Borshi është shembulli i natyrës primitive në Shqipëri, me një det dhe male që krijojnë një bukuri mahnitëse.

Ksamili

Duke ecur drejt Greqisë, pak para kufirit gjendet një nga destinacionet më të mahnitshme të të gjithë bregdetit shqiptar. Në këtë rast është e vërtetë të ndjesh mbipopullimin e stinës së verës dhe bukuritë natyrore të kësaj pjese të bregdetit, pak kilometra nga qyteti i Sarandës. Ksamili jo me kot është quajtur Perla e Ballkanit. Kjo zonë detare, e afërt me ishullin e Korfuzit, me ujë kthjellsisht blu, bregdet skenografik dhe i gjithi për t’u zbuluar. Nëse kërkoni pak jetë nate, ky është vendi i duhur për ju, pasi aty ka shumë lokale dhe në plazh organizohen shumë festa gjatë fundjavave./atsh

Bregdeti si nëpër ëndrra i Shqipërisë Read More »

TURISTËT SERBË: DUAM TË PUSHOJMË NË DURRËS DHE SARANDË, SHQIPTARËT JANË TË PËRZEMËRT

Tashmë nuk është befasi: sa më shumë që zhvillohet turizmi në Shqipëri, aq më shumë gjuhë do të dëgjohen në rrugët dhe në plazhet e Adriatikut dhe Jonit.

Republika me dy dete po tërheq turistë nga Italia, vendet skandinave, Zvicra, Austria e Franca. Sivjet pushimet në Shqipëri i kanë kaluar edhe një numër i konsiderueshëm i serbëve, sidomos nga jugu i Serbisë.

Ata nuk kanë shkuar në Greqi, Mal të Zi, në Kroaci dhe Turqi kryesisht për shkak të çmimeve. Shqipëria vazhdon të jetë ende vend i lirë, andaj turistët serbë kanë marrë rrugën drejt Durrësit dhe Sarandës. Aleksandar Niçiforoviq i ka thënë gazetës «Blic» se para se të shkonte në Shqipëri kishte shumë paragjykime, por tani sërish planikon të shkojë në bregdetin shqiptar.

Do të shkojë sërish. Që ditën e parë e kam ndërruar mendjen. Plazhet janë të pastra, çmimet në kafeteri dhe restorante më të lira se në Novi Pazar, pronarët e lokaleve dhe banorët të përzemërt, sidomos ndaj nesh nga Serbia. Më moshuarit madje asin serbisht dhe u pëlqen të bëjnë muhabet me mysarët nga vendi ynë. Askush nuk na e vë mendjen dhe nuk et për politikë”, ka deklaruar Niçiforoviq.

Ai ka thënë se në shtator do të shkojë sërish për vizitë me disa miq në Shqipëri: “Mezi po pres”.

Gazeta “Blic” shkruan se ka edhe familje që kanë vendosur të blejnë banesë në Durrës. Edhe agjencitë turistike në Novi Pazar kanë regjistruar interesim më të madh të turistëve për të pushuar në Shqipëri.

Kuptohet numri më i madh i turistëve nga Serbia jugore që shkojnë në Shqipëri janë boshnjakë dhe shqiptarë, por numri i serbëve është në rritje, sidomos nga Vraja, Vladiçki Hani, Surdulica dhe Bosilegradi.

“Për herë të parë në korrik i kam kaluar 10 ditë në Durrës bashkë me familjen dhe nuk jemi penduar. Plazhet janë të pastra dhe të rregulluara. Njerëzit janë të përzemërt, mikpritës dhe të gjindshëm. Çmimet e aranzhmaneve janë të përshtatshme me standardin tonë. Pushimet na kushtuan gjithsejtë 1000 euro. Me siguri vitin tjetër do të shkojmë sërish në Shqipëri”, tha Z.J. nga Vladiçki Hani.

E habitshme është që ky serb et anonim për pushimet e tij në Shqipëri.

Marija Aleksandroviq nga Surdulica ka treguar se ka qëndruar me familje 15 ditë në Sarandë, “perlën e detit Jon. Natyra e bukur, klima e shkëlqyer, çmimet të volitshme. Ushqimi i mirë… Plazhet të rregulluara. Destinacion i vërtetë për pushime”.

Turistët serbë thonë se shqiptarët janë mikpritës të jashtëzakonshëm. Një turist nga Bosilegradi ka thënë se çmimet në Shqipëri janë përgjysmë më të lira në Greqi. (dp)

 

TURISTËT SERBË: DUAM TË PUSHOJMË NË DURRËS DHE SARANDË, SHQIPTARËT JANË TË PËRZEMËRT Read More »

”Alpitour” resort me 4 yje në Shqipëri

Alpitour kompania më e rëndësishme e turizmit italian fokusohet në Shqipëri dhe fillon ndërtimin e një resorti me 4 yje dhe me 200 dhoma në një nga zonat më të bukura të bregdetit jugor, midis Sarandës dhe Dhërmiut, shkruan Agjencia e Lajmeve për sektorin e turizmit në Itali ”Guida Viaggi”.

Resorti do të ndërtohet nga një konsorcium i investitorëve ndërkombëtarë dhe nga grupi italian i udhëhequr nga Gabriele Burgio do të menaxhohet për 15 vjet. Do të mbajë markën Voihotels, e cila është markë hotelerie e operatorit të parë italian të tureve.

Për tregun e turizmit të Shqipërisë, Alpitour ka krijuar një kompani të pavarur me qendër në Tiranë, me anë të portalit albaniatravel.com i cili ofron 350 hotele (që së shpejti do të shkojnë deri në 500), fluturime, anijet,transportin rrugor, ekskursione dhe shërbime ndihmëse.

Oferta ka për qëllim kryesisht turizmin familjar, por të një niveli të lartë me 4 dhe 5 yje. Qeveria, shumë e angazhuar për zhvillimin e turizmit, është duke përfunduar ndërtimin e tre aeroporteve të tjera përveç atij të Tiranës, të cilët do të lehtësojnë lëvizjet.

Albania Travel e cila drejohet nga administratorja e deleguar Eliana BERTOZZI, ish-menaxher Tui, e cila thekson rëndësinë, në krahasim me konkurrentët, të ketë selinë, zyra dhe staf lokal, gjë që e bën më efektive njohjen e territorit në raport me furnizuesit.

Qëllimi është të arrijë në një periudhë 3 vjeçare një shumë prej 10 milionë, me 15-20 mijë vizitorë të ardhur nga Italia. Aktualisht, 5 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2017, këtë vit u rrit me 15-20%, por prania e vizitorëve italianë është ende në rritje, të parët vijnë francezët, gjermanët, norvegjezët dhe suedezët, të cilët e kanë zbuluar këtë destinacionë prej vitesh.

Duhet theksuar se ky është një vend që ofron një raport të shkëlqyer mes çmimeve dhe cilësisë në niveleve të ndryshme nga hotelet luksoze në ferma, me çmime shumë të ulëta krahasuar me ato europiane.

Natyra është e larmishme, deti është i kristaltë, plazhet fantastike , rrugët e përsosura,vende të shumta arkeologjike dhe vende historike shumë karakteristike, siç është Berati, “qyteti i një mijë dritareve”. /atsh

”Alpitour” resort me 4 yje në Shqipëri Read More »

Masat për sezonin turistik në Vlorë,rritje të masave dhe sigurisë për evitimin e problemeve të ndryshme

Masat për sezonin turistik në Vlorë,rritje të masave dhe sigurisë për evitimin e problematikave gjatë periudhës së sezonit.

Të bllokuara dhe rreth 30 mjete taksi,të paliçensuara,për të cilat do të vijohet deri në sekuestrimin e mjeteve pas paralajmërimit të parë. Kreu i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, Naun Doko ka konfirmuar se qëllimi kryesor mbetet evitimi dhe goditja e të gjitha rasteve problematike gjatë sezonit turistik.

Doko ka konfirmuar edhe bllokimin e rreth 30 mjeteve taksi pirate,pas protestës së taksive të liçensuara në Vlorë,ardhur pas dhunës së ushtruar ndaj një prej drejtuesve të taksive në Vlorë.

Problematikat gjatë sezonit janë evidente kryesisht në sigurinë në rrugë,ndërsa deri në fund të sezonit po punohet me shtim personeli dhe rritje masash, ndërsa në fokus është edhe lufta ndaj taksive pirate gjatë kësaj periudhe.

Masat për sezonin turistik në Vlorë,rritje të masave dhe sigurisë për evitimin e problemeve të ndryshme Read More »

Alpet shqiptare, atraksioni i veçantë turistik

– Prezantohet projekti “Alpet Shqiptare Traditë dhe mite”

  • Duket e pazakontë që në mes të sezonit veror, të plazhit e të detit, të flasësh për Alpet. Por është fuqia e kësaj zone, që jo më kot nuk e kanë thënë mediat ndërkombëtare, të gjitha rrugët në çojnë Alpe.

Dhe pavarësisht se është sezon plazhi, nuk mungojë turistët e huaj në rajonin e alpeve. Sepse nuk mund të kuptosh Shqipërinë turistike pa Zonën e Alpeve.

Kështu u theksua sot në prezantimin e projektit zhvillimor “Alpet Shqiptare – Traditë dhe mite”, në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
“Alpet janë një nga asetet më unikale që ka rajoni. Është e vështirë që në rajonin tonë të gjesh një aset të tillë siç janë alpet shqiptare, të cilat nuk ekzistojnë në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Kosovë. Pra, mund të jenë një nga atraksionet më të veçanta, që ne mund t’i ofrojmë turizmit rajonal”, tha në fjalën e tij Klosi.

Sipas tij, nga sondazhet e bëra nga gjithë institucionet për turizmin në Shqipëri del që 99% e turisteve duan të rikthehen në vendin tonë për të vizituar alpet dhe 100% e tyre e sugjerojnë te miqtë për ta vizituar.

Ministri Klosi u shpreh se “këtë magji që kanë alpet shqiptare ne do duam sa më shumë ta promovojmë dhe me materiale të thjeshta si ky i sotmi, por të goditura ne duhet ta promovojmë turizmin, këtë pasuri shqiptare”.

Ne, vijoi ai, do të donim shumë që të mos kishim ndërhyrjen e dorës së njeriut, që ato t’i masakrojë me ndërhyrje për t’i shfrytëzuar në mënyrë të pastrukturuar.

“Për këtë ne kemi përcaktuar zona të qarta se ku do të bëhet investimi dhe të shohim se ku kemi nevojë të zhvillojmë turizmin në zonën e alpeve dhe ne kemi për detyrë që të shtohen shtretërit, Guest house dhe hotelet tona tradicionale”, nënvizoi Klosi.

Duke folur për projektin “Smile Albania”, Klosi tha se “të rinjtë e këtij projekti janë në të gjitha pikat turistike të vendit, në porte, aeroporte pika kufitare. Duhet të kemi materiale shtesë që t’ia shpërndajmë çdo turisti”.

“Mendoj që turizmi duhet të jetë një astet që duhet ta promovojmë sa më shumë që në radhë të pare nga turizmi i brendshëm ,shqiptarët duhet të njohin nga afër këtë bukuri të jashtëzakonshme”, tha Klosi.

Me projektin e ri Alpet shqiptare hyjnë tani në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit me një qasje tjetër territoriale më të ekuilibruar, me qëllim ruajtjen e mjedisit, një ekonomi lokale të integruar me industrinë e turizmit./atsh

Alpet shqiptare, atraksioni i veçantë turistik Read More »

The Guardian: Festë në vendin që duket si parajsë

“Një i ardhur rishtaz në vendin e festivalit, Shqipëria po tërheq turistë të moshave të reja, për të kërcyer në plazhet e saj dhe për të eksploruar përtej brigjeve të panjohura për vizitorët”, shkruan The Guardian në artikullin kushtuar Kala Festival por edhe turizmit në vendin tonë.
Se sa seriozisht ministria shqiptare e Turizmit po e merrte festivalin Kala- ngjarjen e parë ndërkombëtare të këtij lloji në vend– kjo gjë u duk që në momentin kur zbritëm nga varka në Sarandë ku u pritëm nga një grup policësh të cilët shoqëruan konsulentët tanë gjatë rrugës që dredhonte nëpër male.
Kjo dhe ardhja e kryeministrit Edi Rama të nesërmen, për një konferencë shtypi të papritur buzë pishinës me organizatorët në hotelin tonë.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë e bukur, ” tha ai, ndërsa një kamardare flamingo ngjyrë rozë kalonte përmes pishinës prapa tij. “Por njerëzit e perceptojnë atë atë si një vend ku të grabisin ose të vrasin … Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush vjen për vizitë dhe kthehet shëndoshë e mirë, ata e kuptojnë se është një parajsë! Është si molla e ndaluar: mos e kafshoni ose do e dëshironi atë gjatë gjithë kohës “.
Sa për opinionin e tij për Kalanë? “Duhet të pranoj, nuk di asgjë për festivalin, por, në parim, është diçka fantastike,” tha ai, duke ofruar një natë me birrë shqiptare falas para se të largohej.

Humor i hollë ballkanik dhe birrë falas për më tepër, Shqipëria nuk është në krye të listës së vendeve më të vizituara të Europës.
Ajo vizitohet nga rreth 80,000 turistë nga Mbretëria e Bashkuar në vit – një numër i vogël krahasuar me 3 milion që udhëtojnë çdo vit në Greqinë fqinje, ose 765,000 që vizitojnë Kroacinë aty afër saj. Por ky trend ka gjasa të ndryshojë. Në vitin 2014, New York Times e përfshiu bregdetin shqiptar mes destinacioneve më të mira të saj (“Kjo është Europa në kohën kur çdo gjë ishte e freskët dhe e lirë”, shkruan ajo), ndërsa Lonely Planet e renditi kryeqytetin e saj, Tiranën, mes vendeve më të mira për t’u vizituar në Europë këtë vit.
Kala – një festival një-javor i cili zhvillohet në qershor në resortin turistik të Dhërmiut – mund të konsolidojë reputacionin e Shqipërisë si destinacion i ri me plazhe dhe i përshtatshëm për festa, në të njëjtën mënyrë që Outlook dhe Dimensions e vendosën Kroacinë në hartë për britanikët e rinj. Për momentin, Dhërmiu është pak i vështirë për të shkuar: një fluturim në Korfuz, pastaj katër orë me traget dhe autobus. Megjithatë, me aeroportin e ri që pritet të hapet në Vlorë (vetëm 50 km larg nga Dhërmiu) në vitin 2020, aksesi do të përmirësohet në mënyrë dramatike.
Festivali Kala gjithashtu ka një program dedikuar jetës së shëndetshme
Kalaja (Kala) u zhvillua muajin e shkuar në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit. Vetëm 2,000 bileta u vunë në dispozicion, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti tek restorant Luciano ishin më të preferuarat).
Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B tek hotelet luksoze, të gjitha Brenda rrezes së festivalit. Me një program Wellness (yoga dhe banja me gong përballë detit Jonian) i cili ofrohet paralelisht me eventet muzikore, festivali siguron hapësirë edhe ata që janë të interesuar për pushime të qeta (i ngjashëm me festivali veror të Kroacisë Obonjan) ndërsa për ata që dëshirojnë të festojnë gjatë gjithë natës (ka muzikë deri në orën 6 të mëngjesit çdo ditë).

Repertori ishte kryesisht muzikë elektronike, përfshirë grupet underground të Londrës – Feelings, Secretsundaze, Phonica dhe Stamp the Wax – për të formuar një turmë (shumë ndjekës të festivalit ishin nga Mbretëria e Bashkuar), si dhe të preferuarat e Moodymann, Maurice Fulton dhe Tama Sumo dhe Lakuti . Performuesit kryesorë ishin Tom Misch dhe Todd Terje, ndërsa shpirti dembel dhe i rrahur nga dielli i Roy Ayers e bëri turmën të gjithën për vete.
Ekipi që themeloi Kala – Mainstage Travel – është iniciatori i një prej festivaleve më të mëdha të dimrit në Europë, Snowboxx. Përgatitjet për të lançuar një festival vere, kishin nisur prej tri vitesh. “Ne bëmë kërkime në Portugali, Kroaci, Itali, Spanjë, Maltë, Marok, por nuk gjetëm asnjë vend të paeksploruar”, shprehet Alan Crofton, drejtori i festivalit. “Në tetor të vitit të kaluar, ne vizituam Dhërmiun për herë të parë dhe menjëherë na tërhoqi potenciali i tij. Ideja është se je me pushime, ndaj vjen dhe çlodhesh në plazh … “
Shumica e njerëzve më të cilët fola, e konfirmuan një gjë të tillë. “Gjëja më e mirë do të ishte të shkonim diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha Rebecca, 27 vjeç, nga Londra.
“Doja të shkoja në një festival jashtë vendit. E zbulova në Resident Advisor dhe fotot dukeshin të mahnitshme. “
Teksa shumë prej nesh qëndruan për një javë të plotë, ministria e Turizmit i inkurajonte të ftuarit që të eksploronin vende të tjera të rivierës shqiptare.
Këto ishin Gjiri i Gramës, i quajtur ndryshe simotra shqiptare e plazhit të Aleks Garlandit – një gji i veçuar i aksesueshëm vetëm me anije, me ujin blu që të lë pa frymë dhe me qindra mbishkrime nëpër shkëmbinj që datojnë qysh në shekullin e 3 para Krishtit; Burimi i Syrit të Kaltër, një pishinë 45 metra e thellë e rrethuar me pemë lajthie; dhe plazhi i Ksamilit, një fshat bregdetar nga i cili mund të eksplorohen me barkë katër ishuj të pabanuar.
Për mua, pjesa më mbresëlënëse nga Kalaja ishte pikëtakimi në Gjipe, plazhi dhe vendkampingu ekologjik në gjirin më tutje, një udhëtim me gomone që zgjati gjashtë minuta nga Dhërmiu. Vetëm përtej plazhit, i rrethuar nga bimësi e harlisur dhe shkëmbinj të thepisur në ngjyrë të kuqe, ndodhej një skenë e vogël dhe sistem audio, ku mundëm të kërcenim deri në perëndim të diellit dhe erdhi koha për t’u kthyer me barkë.

DJ-të duke përfshirë Bjørn Torske, Nick The Record dhe Jenifa Mayanja, luajtën me radhë për një turmë me fytyra të buzëqeshura dhe të përkëdhelura nga dielli … muzika që përplasej me grykën, ndryshonte ngjyrë çdo orë nën sfondin e një drite që zbehej. Një shëtitje në kanion, na çoi tek një ujëvarë e fshehtë – një gjurmë sekretesh të tjera që kjo pjesë e bregdetit mund të nxjerrë.
Kryeministri nuk po bënte shaka kur thoshte se ky vend është një parajsë.
Doli se nuk po bënte shaka edhe për birrën falas. Vetëm dy ditë përpara përfundimit të festivalit, unë u ndesha me Crofton, i cili qeshte vesh më vesh. “Sapo mora një mesazh nga kryeministri,” tha ai. “Na ka nisur një paletë me birra … Mendoj se të gjithë në festival, do të kenë një birrë falas.”/atsh

The Guardian: Festë në vendin që duket si parajsë Read More »