Numri i jahteve turistike që ankorohen në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë vitit 2018 pritet të dyfishohet, krahasuar me vitin e kaluar.
Që nga fillimi i muajit korrik të këtij viti në kalatat 1, 2, 4 dhe 5 janë ankoruar 81 jahte të përmasave të ndryshme, një shifër 72% më e lartë se sa i gjithë muaji korrik i vitit 2017.
Nga Sektori i Statistikave në Autoritetin Portual Durrës (APD), mësohet se në Durrës që nga viti 2017 është ankoruar një numër i madh jahtesh me gjatësi nga 30-100 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës. Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit.
Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave në APD, mësohet gjithashtu se që nga fillimi i muajit janar 2018 në Durrës kanë mbërritur 214 jahte, ndërsa shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.
APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit. Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat 1-5 të Terminalit perëndimor shkon deri në një javë. /atsh
Në këto zona të Shqipërisë ku vetja të duket si në plazhet e Vietnamit ose Tailandës, është e pafalshme të mos shkoni qoftë një herë të vetme…
Këto vende fantastike me bukuri përrallore të papërshkrueshme, i përkasin Liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës, në zonën e malësisë së Mbi-Shkodrës.
Lumi i Shalës me një gjatësi prej 37 km buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj, e në luginën e Shoshit, dërisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Drin (sot liqeni i Komanit).
Aty disa mendje të holla kanë inprovizuar disa plazhe spektakolare dhe një resort tepër origjinal, i cili për pamjet që ofron është vertetë si një copë “Parajsë”.
Fotot e këtyre vendeve të rralla kanë bërë tashmë xhiron e botës, ndaj aty kanë nisur të vërshojnë si turistë nga Shqipëria, ashtu edhe të huaj.
Por ajo që mbetet vërtetë mahnitëse është edhe ishulli i vogël në liqenin e Komanit, i cili vitit e fundit ka nisur të mbulohet nga bimësia e harlisur.
Shikoni këto foto që të kuptoni se për çfarë mrekullish po ju flasim
Bregdeti jugor i Shqipërisë, me fshatrat tradicionale, rrugët e shtruara me kalldrëme dhe i mbushur me kisha të vogla ortodokse, ka shumë plazhe të bukura të cilat karakterizohen nga ujërat e pastër dhe e sfidojnë Greqinë e afërt me çmime përgjysmë më lirë.
Në jug të Shqipërisë i keni edhe burimet natyrale afër Sarandës ose mund të shkoni t’i vizitoni brigjet e liqenit afër kufirit me Maqedoninë – Shqipëria ka shumë perla, transmeton Telegrafi.
Është thuajse e pamundur të krijohet një listë me të gjitha plazhet magjepsëse të Shqipërisë sepse ka plot të tilla, por të paktën më poshtë e keni një listë të shkurtë me disa prej plazheve më të njohura dhe më të bukura të cilat patjetër se duhet t’i vizitoni.
Drimades
Drimades mund të jetë plazhi më i bukur i Shqipërisë: një gji i vogël afër fshatit të Dhërmisë, ku një gur i madh e ndan plazhin me guralecë nga ai me rërë. Drimades është vend i përsosur për ta vizituar nëse dëshironi të relaksoheni sepse plazhi nuk është i ngarkuar me turma njerëzish.
Në foto: Plazhi Drimades
Dhërmia
Afër Drimades mund ta gjeni Dhërminë, një nga plazhet më të njohura në Shqipëri, ku karakterizohet nga gurët e bardhë dhe ujërat e kaltër. Plazhi është një nga më të gjatit dhe, gjatë verës, nga më të ngarkuarit.
Në foto: Plazhi në fshatin e Dhërmisë, Shqipëri
Himara
Fshati i Himarës është një nga më të frekuentuarit në rivierën shqiptare, dhe nuk e ka humbur asnjëherë sharmin e vet. Ka shumë plazhe të bukura afër këtij vendit, siç është plazhi i Livadhit, i cili është i mbushur me pemë ulliri, gurë të bardhë dhe uji është i pastër si loti.
Në foto: Livadhi, plazh në fshatin e Himarës
Borshi
Plazhi më i madh në Shqipëri është Boshi, i cili gjithashtu karakterizohet nga uji i pastër, pemët e ullirit dhe, pavarësisht bukurisë që ka, është një nga plazhet më së paku të vizituara në vend.
Në foto: Borshi
Saranda
Qyteti bregdetar i Sarandës konsiderohet si kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare. Është një nga vendet më të preferuara për turistët, dhe kjo për shumë arsye: qyteti është afër kufirit me Greqinë, para ishullit të Korfuzit, dhe ka shumë plazhe të bukura, si Pulëbardha i cili rrethohet vetëm nga natyra dhe ujërat përrallor.
Në foto: Plazhi Pulëbardha, Sarandë
Ksamili
Në jug të Sarandës e keni Ksamilin, një nga destinacionet më të mira në Shqipëri. Ksamili ndryshe quhet edhe si “perla e Jonit” për shkak të bukurisë që ka. Ksamili karakterizohet me tre ishuj të vogël në të cilët mund të shkoni duke notuar ose me anije dhe uji është tejet i pastër.
Rekomandohet që Ksamili të mos vizitohet gjatë muajit gusht sepse është tejet i ngarkuar.
Në foto: Ksamili përrallor
Gjipe
I fshehur thellë në male, Gjipeja është plazhi më i përsosur për ata që kërkojnë qetësi dhe relaksim. Përse? Sepse plazhi është shumë larg rrugës kryesore dhe për të shkuar aty nevojitet një ecje 30-minutëshe, përveç nëse posedoni ndonjë xhip off-road.
Në foto: Plazhi Gjipe, ku nuk mund të shkoni me vetura të rregullta, por duhet të bëni një ecje 30-minutëshe
Syri i Kaltër
Teknikisht Syri i Kaltër nuk është plazh, por burim natyral. Sidoqoftë, kjo nuk ka rëndësi: ky vend magjeps është vendi i përsosur për të notuar dhe një nga peizazhet më të bukura natyrale në shtet. Gjendet në rrugën mes Sarandës dhe Gjirokastrës dhe padyshim se ia vlen të vizitohet./njekomb
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ndaloi këtë të shtunë në Gjirokastër, ku rreth 4500 spektatorë ndoqën premierën absolute “Sokaku i të Marrëve”, më këngë e valle të Jugut.
“Mirënjohje të gjithë artistëve të trupës së AKKVP që ndezën sonte zjarrin artistik në Gjirokastër, duke e kthyer ‘Sokakun e të marrëve” në sokakun më të bukur në botë”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e pranishme në këtë premierë.
Iso polifonia dhe vallet tradicionale kumbuan në Gjirokastër, duke nisur nga shtëpia shekullore e Skëndulatëve e deri tek Bashte Teqeja, ku këngët, vallet e traditat shqiptare tërhoqën vëmendjen e turistëve të shumtë që po kalojnë pushimet në qytetin e gurtë.
Kalendari turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, AKKVP, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF dhe skenën e pavarur, bën bashkë trashëgiminë dhe kulturën, me gjithëpërfshirje nga Jugu në Veri, duke i kthyer skenat e hapuara të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.
Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil e Gjirokastër./atsh
Nëse unë do të përgjigjesha me një fjali, do të thosha: Shqipëria është një vend që po pëson ndryshime. Ne jemi një vend në tranzicion, një tranzicion i gjatë dhe kompleks, madje edhe i vështirë. Kemi lënë pas një të kaluar të hidhur dhe dramatike, gjysmë shekulli izolimi, shtypjeje dhe varfërie, të regjimit më të vështirë komunist në kontinent. Ne po ndërtojmë një sistem demokratik, një ekonomi të tregut të lirë, një shoqëri të hapur që synon të bashkohet me Europën.
Sigurisht, ne jemi një demokraci e re dhe kemi një rrugë të gjatë për të shkuar. Ndërtimi i institucioneve demokratike nuk ishte aq i lehtë sa menduam fillimisht. Megjithëse normat tona të rritjes ekonomike në përgjithësi kanë qenë të larta në vitet e fundit, pritjet e njerëzve, sidomos të rinjve, janë të larta. Fenomene të tilla si krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë qenë një pengesë serioze për përparimin tonë, ne jemi të vetëdijshëm, dhe për këtë arsye ne kemi ndërmarrë edhe një reformë serioze dhe të thellë të sistemit tonë gjyqësor.
Megjithatë, unë nuk do të ngurroja ta konsideroja Shqipërinë si një vend me mundësi dhe bukuri të mëdha. Ne jemi një popullsi e re dhe e arsimuar mirë; ne kemi një vend të bukur, Ballkanik dhe Mesdhetar në të njëjtën kohë, me burime të rëndësishme natyrore; ne kemi një orientim të qartë Euroatlantik dhe jemi të bashkuar në këtë orientim; kemi një bashkëjetesë unike fetare, të cilën Papa Françesku e quan vëllazëri fetare. Mund të vazhdoja, por po ndalem këtu.
– Pse është e rëndësishme Europa për vendin?
Europa është më shumë se e rëndësishme për Shqipërinë, për ne është ekzistenciale. Bashkimi me Europën për shqiptarët do të thotë pajtim i historisë dhe gjeografisë sonë. Ne mund të ndahemi në shumë gjëra, por ne jemi të bashkuar kur flasim për Europën. Regjimi komunist ishte kryesisht izolimi i vendit nga Europa. Tranzicioni demokratik është kryesisht një rrugë drejt Europës.
Unë besoj se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një plan B, që do të thotë një plan alternativ, i cili do të zëvendësonte Europën. Ne nuk besojmë në “politikat e dy karrigeve”, edhe pse ne jemi një vend i hapur për zhvillimin e marrëdhënieve me të gjithë.
Për ne sot, BE-ja nuk është vetëm një orientim i qartë strategjik, por është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në modernizimin e shoqërisë sonë. Gjatë procesit të integrimit europian po përmirësojmë standardet tona të jetesës, standardet e institucioneve tona, ato ekonomike.
Axhenda europiane është axhenda e ndërtimit të një Shqipërie moderne dhe demokratike. Natyrisht, ne shohim dhe ndjekim nga afër zhvillimet në Bashkimin Europian, dhe e dimë se ka vështirësi, e dimë se nuk jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë sot apo nesër. Por është e rëndësishme që dera të jetë e hapur dhe procesi nuk ndalet. Dhe ne jemi të kënaqur që Italia, fqinji ynë dhe avokati ynë kryesor në BE, na ka kuptuar dhe na ka mbështetur në çdo fazë, duke përfshirë edhe vendimin e fundit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm.
-Anasjelltas, çfarë mund t’i ofrojë vendi juaj Europës?
Do të pretendonim shumë po të thonim se mund t’i ofrojmë shumë një kontinenti të tërë. Por në fakt ne ofrojmë disa mundësi, veçanërisht për kompanitë e mesme dhe të vogla, dhe për rajonet e ndryshme europiane, duke filluar me ato të Italisë fqinje. Nëse duhet të përmend arsyet për të investuar në Shqipëri, disa prej tyre janë: klima liberale e investimeve, kosto konkurruese e punës, popullata e re dhe e arsimuar, taksat dhe stimuj konkurrues, pozicion të shkëlqyer gjeografik, potencialin e fortë të rritjes, zonat e lira ekonomike, qasje të lirë në tregje të mëdha, stabilitet makroekonomik. Shqipëria është gjithashtu një destinacion turistik që zbulohet çdo vit më shumë nga europianët, duke përfshirë italianët. Dhe nëse kthehem në gjeopolitikë për një çast, vendi im gjithmonë i është bashkuar politikës së jashtme dhe sigurisë së Brukselit pa asnjë hezitim.
-Si pozicionohet vendi në Ballkanin Perëndimor?
Ne jemi një vend ballkanik dhe ne kemi peshën tonë në këtë rajon. Ne jemi një vend i NATO-s, gjë që na bën të ndihemi më të sigurt dhe në të njëjtën kohë sjellim më shumë përgjegjësi.
Kemi marrëdhënie të ngushta strategjike me Kosovën, por vitet e fundit kemi përmirësuar dukshëm marrëdhëniet me Serbinë, të cilat për arsye të njohura kanë qenë të vështira dhe komplekse. Unë besoj se politika e moderuar rajonale e Shqipërisë ka kontribuar në stabilizimin e rajonit. Vitin e kaluar, në Trieste, vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord të ngrenë CEFTA, një zonë e tregtisë së lirë në rajonin tonë, e cila paraqet një hap të rëndësishëm përpara. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se vendet tona, të marra individualisht, janë tregje të vogla, por së bashku përbëjnë një treg prej pothuajse 20 milionë njerëzish, gjë që ka rëndësinë e saj. Dhe këtu, Shqipëria besoj se mund të jetë dera për të hyrë në Ballkan për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe kryesisht për kompanitë italiane.
Shqipëria dhe Italia: Cilat janë interesat kryesore ekonomike dhe dypalëshe?
Për ne, Italia është ndër partnerët e parë ekonomikë. Interesat kryesore ekonomike që na lidhin vijnë nga dy sektorë në të cilat Shqipëria ka potencial të konsiderueshëm. Bëhet fjalë për energjinë e rinovueshme dhe turizmin. Klima e Shqipërisë me rreth 240-300 ditë diellore në vit, me 8 lumenj të mëdhenj dhe 152 rrjedha të vogla ujore, si dhe energji të konsiderueshme të erës, i favorizon këto investime. Vendi ofron avantazhe për blerjen e hidrocentraleve të vogla, tarifa të favorshme për fermat e erës dhe impiante diellore, si dhe legjislacionin që mbështet hapjen e tregut në sektorin e energjisë. Shqipëria po përjeton një periudhë rritjeje në turizëm. Në raportin e fundit të ITTTC, duhet të theksohet se vendi u rrit me 24 pozicione gjatë 2015-2017 dhe me perspektivën për përmirësimin e pozitës së saj në 2018-2028. Me interes të madh janë brigjet Adriatiko-jonike, por jo vetëm. Ka një numër të madh të vendeve arkeologjike dhe fetare për të vizituar: 56 zona të mbrojtura natyrore, 1600 monumente, 9 parqe arkeologjike, 3 qytete të mbrojtura nga UNESCO. Sa i përket investimeve në turizëm, Qeveria ka miratuar stimuj si përjashtimet nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH e reduktuar, përjashtimet nga taksat mbi ndikimin e infrastrukturës.
Si janë strukturuar investimet e huaja direkte nga dhe drejt vendit?
Sipas institucioneve referuese, vitet e fundit investimet e huaja direkte kanë qenë nxitësi kryesor i rritjes ekonomike. Nga këto, investimet e bëra për ndërtimin e gazsjellësit TAP në Shqipëri përfaqësuan fluksin kryesore. Ne po punojmë për të inkurajuar diversifikimin e investimeve, veçanërisht në fushën e energjisë. Qeveria miratoi një ligj të ri, i cili synon për të promovuar dhe për të tërhequr investimet strategjike në fushat e “Energjisë dhe Mineraleve”, “infrastrukturës së transportit të komunikimeve elektronike dhe të mbetjeve urbane”. “Turizmi”, Bujqësisë dhe Peshkim “, duke krijuar zona zhvillimi prioritare në qytete të tilla si Vlora, Kashari, Spitalla, Koplik, Lezhë dhe të tjera. Për më tepër, industria e përpunimit të metaleve në Shqipëri është një sektor me potencial për zhvillim, të cilat mund të përfitojnë nga personeli i kualifikuar për shkak të nivelit të shkëlqyer të sektorit kryesor të industrisë së përpunimit të metaleve është prodhimi i makinerive, pajisjeve të prodhimit, përpunimit të metaleve të strukturuara (çeliku, alumini), industria e automobilave, industria e motorëve./atsh
Në hemisferën veriore, Shtatori është një nga muajt më të mirë për të udhëtuar. Në ato ditë ka më pak turistë, por moti vazhdon të jetë i ngrohtë. Krishtlindjet janë larg, ndërsa sezoni veror dalëngadalë mbaron, që do të thotë se çmimet janë më të lira për fluturime dhe akomodime. Kështu nis një shkrim të përditshmes britanike “Evening Standard” e cila u jep disa këshilla lexuesve të saj, për 10 vendet të cilat duhen vizituar në shtator.
Në vendin e parë, britanikët rendisin Bjeshkët e Namuna në Shqipëri. Media në fjalë shkruan se ato janë bërë një destinacion shumë i frekuentueshëm vitet e fundit dhe kjo vetëm për një arsye: Peizazhi është jashtëzakonisht mahnitës. Shkoni atje në Shtator për motin e ngrohtë dhe udhëtoni për 5 orë mes Valbonës dhe Thethit përpara se t’i drejtoheni Rivierës shqiptare, – sugjeron e përditshmja britanike.
Më pas renditet Mynihu në Gjermani, duke pasur parasysh festën e birrës që organizohet atje. Të tjera destinacione renditen Maroku për ndërtesat blu dhe Siçilia në Itali për ecje përgjatë bregdetit, Buenos Aires në Argjentinë, ku ndërthuret arkitektura franceze me atë italiane, lokalitetin Vis në Kroaci, liqeni Disrict në Britani, Bora Bora në Polinezinë franceze dhe Santorini në Greqi. Dhjetëshen e vendeve që duhen vizituar në shtator e mbyll Pekini, ku ndryshe, kjo periudhë njihet si “muaji i artë”./KultPlus.com
“Eja në Pilur të shijosh Himarën dhe Jonin”, shkruan kryetari i bashkisë Himarë, Jorgo Goro në një postim në rrjetin social “Facebook”, ndërsa prezanton risinë e punimeve që po kryhen në këtë zonë dhe faqen e re të një transformimi të bukur që do të ketë nga sot Piluri.
Investimet e Qeverisë Shqiptare po e shndërrojnë Pilurin, ose siç njihet ndryshe “Ballkoni i bregut”, vetëm 10 kilometra nga Himara e bukur, në një destinacion turistik nga më tërheqësit në Rivierën tonë.
“Bashkë me rehabilitimin e sheshit qendror të Pilurit dhe së shpejti edhe të shtëpive karakteristike, ku shumë prej tyre janë kthyer në shtëpi-pritëse falë bashkëpunimit me qeverinë gjermane nëpërmjet GIZ-it, kjo rrugë do të hapë potenciale të reja zhvillimi ekonomik për banorët e këtij fshati të rrallë për nga bukuria”, shkruan Goro.
Tani e them me plot gojën, vijon ai dhe me gëzimin më të madh: “Eja në Pilur, të shijosh Himarën dhe Jonin!” /atsh
Shqipëria është një destinacion gjithnjë e më i preferuar i turistëve nga Europa dhe veçanërisht nga Polonia. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT) në 6 muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar në pikat hyrëse të kufirit shtetëror rreth 1 919 504 shtetas të huaj.
Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, gjatë një prononcimi për ATSH, bëri me dije se, “numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë gjatë gjashtë muajve të parë është 1 919 504, duke u rritur me 9.1% më shumë se një vit më parë. Në qershor janë regjistruar 500 mijë turistë të huaj më shumë se një vit më parë. Duhet theksuar, se rritje të madhe kanë pasur turistët nga Polonia, ku në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në Shqipëri kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë. Pra në shifra rezulton se gjatë këtij gjashtëmujori kanë hyrë 34,775 polakë, ndërsa një vit më parë, në 2017-ën kanë hyrë në vendin tonë 27,508. Në qershor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë janë rreth 5 mijë dhe është rritur 13,3 % krahasuar me qershorin 2017. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga hyrjet e shtetasve maqedonas me 58,3,% , polakë me 16,9 %, italianë me 5,6 % krahasuar me qershorin e 2017”, – tha Ibrahimaj.
Sipas Drejtoreshës së INSTAT hyrja e polakëve në vendin tonë vjen për shkak dhe të zhvillimit dhe rritjes së ofertave gjithëvjetore. “Turizmi gjithëvjetor po merr hov çdo vit e më shumë. Tashmë prej dy vitesh numri i turistëve polakë rezulton në rritje dhe kjo nuk është vetëm përgjatë sezonit veror, por përgjatë gjithë vitin, pasi ata veç turizmit bregdetar, kërkojnë dhe turizmin malor dhe format e tjera të turizmit”, – tha Ibrahimaj gjatë prononcimit për ATSH. /atsh