Turizem

Vlorë/ Zonat e mbrojtura, një mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ato përfaqësojnë në vetvete, resurse të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore, që tërheqin në vazhdimësi turistë vendas dhe nga vende të tjera të botës. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Në vijim të realizimit të standardeve për t’u bërë pjesë e rrjetit “Natyra 2000”, në kuadrin e procesit të integrimit në BE, qeveria shqiptare ka krijuar një sistem Zonash të Mbrojtura që mbulon 20% të territorit kombëtar, dhe që është i organizuar në 15 Parqe Kombëtarë, rezervate natyrore dhe peizazhe gjithashtu të mbrojtura.

Nisur nga ky fakt, ACAP (Aksioni Komunitar për Ruajtjen e Zonave të Mbrojtura) është një nismë që ka për qëllim vlerësimin, fuqizimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri, të burimeve të tyre natyrore dhe të trashëgimisë së tyre kulturore e historike.

ACAP, një projekt që financohet nga BE-ja, promovon përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivitetet e tyre në jetën e parqeve respektive dhe mbështet shkollat në programe sensibilizimi aktiv, me synimin për ta shndërruar këtë në një mision të qëndrueshëm dhe transmetimin tek brezat që vijnë të vetëdijes dhe respektin për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.

Nga ana tjetër, ACAP është një nismë, ku janë përfshirë partnerë të ndryshëm, që zotërojnë kapacitetet e nevojshme për ta pasuruar atë me teknologji dhe mbështetje të natyrave të ndryshme.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri), janë dy aktorët kombëtarë që asistohen nga partnerë të huaj, që investojnë në projekt, mes të cilave, COSV (Koordinimi i Organizatave për Shërbimin Civil), IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), ECARO (Parku Rajonal Fusha e Luleve PCF), bashkia e Milanos (Itali), Inxhinierë pa Kufij (ISF), “Carbonsink” s.r.l. e Kallipolis.

Në kuadrin e procesit të hyrjes së Shqipërisë drejt Rrjetit europian “Natyra 2000”, synimi është të përmirësohen standardet e ruajtjes së Zonave të Mbrojtura dhe në një periudhë 3-vjeçare të forcohen masat për menaxhimin dhe konservimin e parqeve, mes të cilave, Parku Kombëtar Llogora, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, Parku Kombëtar Mali i Tomorrit, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli dhe zona limitrofe, në përputhje me përcaktimet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si pjesë e Programit Strategjik Afatshkurtër e Afatmesëm 2015-2020.

Projekti, që do të shtrihet në një afat kohor prej 36 muajsh, do të konkretizohet përmes veprimeve në formën e përfshirjes së komuniteteve dhe autoriteteve vendore në qeverisjen e Zonave të Mbrojtura, realizimin e aksioneve të komuniteteve lokale në përputhje me Planin e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, mbështjetjen e Agjencive Rajonale për Zonat e Mbrojtura për funksionimin e strukturave-park dhe ruajtjen e habitateve, identifikimin dhe kryerjen e atyre që cilësohen aktivitete gjeneruese të të ardhurave (income generating activities IGA) për Zonat e Mbrojtura.

Po ashtu, një vend të veçantë në implementim do të zerë edhe bashkëpunimi shkencor ndërmjet AKZM, Carbonsink dhe ISF, për gjetjen dhe aplikimin e zgjidhjeve të caktuara për energjinë e rinovueshme në mbështetje të komuniteteve lokale, promovimi i teknologjive më të përparuara, siç janë ato të quajtura RES, për qëndrueshmërinë mjedisore, në bashkëpunim me SME-të e pranishme në Zonat e Mbrojtura, zhvillimit të fushatave sensibilizuese etj.

Përmes projektit, ACAP, synohet përmirësimi i menaxhimit dhe administrimit të 4 zonave të mbrojtura, rritja e kapaciteteve infrastrukturore dhe teknike, ndërkohë që përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë 30 punonjës nga 3 agjenci rajonale të zonave të mbrojtura, 6 bashki dhe 4 këshilla qarqesh, 6 organizata të shoqërisë civile, 50 ndërmarrje aktive në zonat e mbrojtura dhe përreth tyre etj.

Detajet e këtij projekti, që mbështetet nga BE-ja, u diskutuan në një takim të zhvilluar në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, organizuar nga Qendra e Misionit të Shtetit Italian (CELIM), me praninë e përfaqësuesve dhe drejtuesve të qeverisjes vendore në Vlorë, nga AKZM, Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, AMSHC, organizatave nga Italia e Shqipëria.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Alita Micheli, theksoi se, ky projekt përveçse rëndësisë që ka për rivlerësimin e Zonave të Mbrojtura, është një dëshmi e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zoti Zamir Dedej, u ndal mes të tjerash në risitë që ka krijuar miratimi i Ligjit “Për Zonat e Mbrojtura në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2017, që, sipas tij, është bashkëkohor, çka i ka hapur rrugë përgatitjes së paketës së akteve nënligjore, për të bërë atë efektiv. Ai theksoi se, përmes këtij projekti do të realizohen gjëra të prekshme dhe të matshme, që do të reflektojnë në përmirësimin e hapësirsë në zonat respektive, në funksion të një turizmi të qëndrueshëm.

Po ashtu, folën edhe specialistë e drejtues të tjerë, mes të cilëve, Boris Erg nga IUCN, Nihat Dragoti nga INCA, Erion Banushi nga AMSHC, Giuseppe Anania, Gerta Mehmeti që prezantoi kalendarin e veprimeve të projektit etj.

Gjatë 3 viteve parashikohet të zhvillohen 24 takime me aktorë lokalë, do të hartohen dhe arrihen marrëveshje me të gjitha bashkitë e përfshira në territor për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe dialogun me shoqërinë civile, do të zhvillohet një vizitë përvoje në parkun “Campo dei Fiori”, Itali, takime informuese në shkolla të ndryshme etj.

Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zenë 20 për qind të territorit, ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.

“Natyra 2000”, është rrjeti më i madh i zonave të mbrojtura në të gjithë botën dhe përfshin zona kryesore për shumimin dhe jetesën e llojeve të rralla dhe të kërcënuara dhe disa tipe habitatesh të rralla natyrore. Ai shtrihet në 18 për qind të sipërfaqes së tokës të BE-së dhe rreth 6 për qind të hapësirës detare.

Qëllimi i këtij rrjeti është të garantojë mbijetesën afatgjatë të llojeve dhe habitateve më të çmuara dhe më të rrezikuara të Europës, të listuara në Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.

Çdo vend anëtar i BE-së, duhet të përcaktojë një listë të zonave që përmbajnë habitate dhe lloje të listuara në këto dy direktiva. /atsh

Vlorë/ Zonat e mbrojtura, një mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm Read More »

Ja 7 aventurat qe duhet te beni ne Shqiperi sipas te huajve

Një faqe e dedikuar udhëtimeve dhe eksperiencave aventureske, Heywedidthat.com i ka dedikuar një artikull të shkurtër Shqipërisë. I fokusuar tek ana e virgjër dhe e paeksploruar ende e natyrës sonë, heywedidthat.com rendit 7 aventurat “must” në Shqipëri.

Kemi kaluar një muaj të tërë në Shqipëri për të vizituar vendin si dhe për të ndihmuar sipërmarrësit e rinj. Gjetëm një vend të bukur dhe të larmishëm me një të kaluar të ndritur. Për 40 vjet, Shqipëria u konsiderua Koreja e Veriut e Evropës me një diktaturë izoluese.

Sot, është një vend që ka shumë për të ofruar për ata që kërkojnë anën e fshehur, të panjohur dhe të egër të Tokës. Ja 10 gjërat që duhet të shihni dhe bëni kur shkoni për një aventurë në Shqipëri.
1.Përshkruani me makinë bregun jugor

2.Rafting në kanionet e Osumit.

3.Burimet e nxehta të Banjës në Përmet

4.Eksploro “fjordet” shqiptare në veri.

5.Ngjisni Kepin e Rodonit deri në kështjellën e perëndimit.

6.Numëroni bunkerët ndërkohë që udhëtoni në rrugët e vendit.

7.Zgjidhni rrugën e paasfaltuar.

/njekomb

Ja 7 aventurat qe duhet te beni ne Shqiperi sipas te huajve Read More »

Modelet e rijetëzimit një risi për turizmin kulturor që nxit interesin e turistëve

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vizitoi Hotel Vila Aleksander në Berat, një nga modelet e suksesshme të rijetëzimit të trashëgimisë kulturore.

Aleksandër Nako dhe bashkëshortja e tij, pas kthimit nga Italia, kanë investuar në banesën e pozicionuar në lagjen Mangalem, Berat, duke ruajtur dhe vendosur në fokus vlerat e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike të banesës, tashmë e kthyer në ambient hotelerie dhe restorant, me shërbim të kualifikuar.

Ky model-rijetëzim e njeh publikun me historikun e banesës, situatën urbane, arkitekturën dhe zhvillimin e hapësirave të brendshme, duke modeluar turizmin kulturor , që këtë vit ka një numër të lartë vizitorësh në të gjithë vendin.

Banesat si pasuri kulturore, janë një mundësi shumë e mirë për ti rijetëzuar në bujtina, restorante, qendra shërbimi dhe të tjera aktivitete private fitimprurëse./atsh

Modelet e rijetëzimit një risi për turizmin kulturor që nxit interesin e turistëve Read More »

Sezoni turistik, mozaiku në Vilën Impluvium në Apolloni hapet për turistët

Turistët vendas dhe të huaj që do të planifikojnë të bëjnë pushime, do të kenë mundësi që të shikojnë një nga mozaikët më të vjetër në vendin tonë, siç është mozaiku në Vilën Impluvium në qytetin antik të Apollonisë.

Mozaiku që daton ne vitet II-III para Krishtit, do të qëndroj i hapur për vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik, duke shtuar destinacionet turistike që duhen vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

“Mirëmëngjes

Dhe me këto pamje nga mozaiku në Vilën me Impluvium të shek. II-III para Krishtit në Apolloni që do të qëndrojë i hapur për vizitorët gjatë gjithë sezonit turistik, ju uroj një të dielë të bukur”, – përfundon Kryeministri./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155975916266523/?t=0

Sezoni turistik, mozaiku në Vilën Impluvium në Apolloni hapet për turistët Read More »

Liqeni i Banjës, një destinacion për turizmin ditor në zonën e Gramshit

Ndodhet  fare pranë Elbasanit, Cërrikut, Gramshit por edhe Tiranës. Zona e Gramshit tashmë e kthyer në një destinacion të vërtet turistik për vlerat e saja natyrore, antike dhe kulturore, çdo fundjavë tërheq vizitorë të shumtë edhe për shkak të një infrastrukture rrugore të përfunduar me parametra cilësorë që siguron një udhëtim komod.

Me hapjen e hidrocentralit të Banjës, rruga në drejtim të Gramshit dhe vlerave të tij turistike, ka mundësuar dhe zhvillimin e ekonomisë turistike në këtë zonë dikur të izoluar.

Vet vepra arkitekturore e hidrocentralit që gjendet pranë këtij qyteti, është kthyer në një destinacion turistik. Kureshtar të fushës së ndërtimeve, turistë të natyrës, të aventurës, qytetar të thjeshtë, pothuajse çdo ditë udhëtojnë drejt tij. Veç veprës teknike, aty është krijuar dhe një liqen madhështor mes malesh që tërheq mjaftë kureshtar.

Edhe nga lartësitë e Gjinarit, ky liqen paraqet një pamje madhështore.

Por Gramshi ka dhe pika të tjera natyrore që bëhen të vizitueshme sidomos në fundjavë, siç

është dhe Liqeni i Zi, që ndodhet pranë  fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit.

Aty jo vetëm në stinën e verës por edhe në atë të dimrit, zona popullohet

me çadra dhe makina që parkohen rreth liqenit.

Shumë vijnë për tu kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni i cili nga vendasit konsiderohet si një burim jetëdhënës.

Më e bukura dhe më e vizituara mbetet Ujëvara e Sotirës.

Është një thesar ku mund të shijosh dy bukuri në të njëjtin vend. Ujëvara dhe katarakti i Sotirës, krah për krah por aspak kopje e njëra-tjetrës. Secila nga këto bukuri ka personalitetin dhe veçoritë e veta, ujërat e ujëvarës vijnë nga dy të çara kryesore të malit Tomor. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5-20 m. Peizazhi i shpatit ku del uji është me disa shkallëzime në disnivel 150 m, ujëvara rrethohet nga pyll dushku dhe bimësi e pasur.

Kjo ujëvarë është një bukuri që të lë pa fjalë, e pakrahasueshme por si çdo gjë e rrallë e magjike edhe kjo ujëvarë ka hilet e veta, këshillohet të vizitohet në periudhën e pranverës dhe fillimverës, sepse ushqehet me burime ujore nëntokësore, të cilat kur bien nën një nivel të caktuar sjellin edhe tharjen e ujëvarës.

Përbri ujëvarës, një hapësirë e blertë të krijon idenë e një ballkoni të përkryer natyror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjitha pamja spektakolare.

Vend të veçantë në turizmin e natyrës dhe të historisë, zënë edhe shpellat, ku më e veçanta është shpella e Kabashit.

Është një nga shpellat më unike në Shqipëri dhe ndoshta nga më të bukurat në Ballkan.
Ndodhet në afërsi të fshatit Kabash, 28 km nga qyteti i Gramshit, në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit.

E formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë dhe është e gjatë rreth 120 m.

Ende nuk është eksploruar tërësisht dhe akoma nuk dihet se çfarë ka në thellësitë e saj.

Pjesa e njohur formon një labirint të vërtetë dhe është e mbushur me stalaktite dhe stalagmite me bukuri të rrallë. Është një nga objektet ku vizitorët dhe turistët e huaj vërshojnë drejt saj.

Agjenci të ndryshme turistike, gati çdo ditë ofrojnë guidat e tyre drejt Gramshit. Rruga e re ka  sjell dhe një zhvillim të ri ekonomik dhe turistik për këtë zonë./atsh

Liqeni i Banjës, një destinacion për turizmin ditor në zonën e Gramshit Read More »

Shqipëria e Jugut, e gjitha një përrallë për tu eksploruar

Një guidë mbresëlënëse në Shqipërinë e Jugut. Gazeta italiane, Corriera della sera, i ka kushtuar një reportazh qyteteve shqiptare në jug të vendit, si dhe traditës që mbizotëron në Gjirokastër, Berat e Përmet.

Gazeta italiane “Corriere della sera”, i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë, kësaj herë në një rrugëtim magjepsës në jugun e vendit.

Në shkrimin e publikuar nga gazeta, zbulohet një tjetër pasqyrë e Shqipërisë së jugut. Në artikull përmenden kështjellat shekullore, peisazhet e rralla piktoreske, ushqimet tradicionale, mes tyre byrekun dhe procesin e përgatitjeve të zahireve të dimrit.

Një fotogaleri mbresëlënëse e “syrit” vëzhgues të eksploratorëve që zgjodhën të zbulonin për botën thesaret e fshehura të jugut të vendit tonë.

Artikullin e ka shpërndarë edhe kryeministri Edi Rama në Facebook, i cili shkruan se ky media italiane e ka përshkruar me mjeshtëri vendin tona dhe atraksionet turistike.

Shqiptarja.com sjell më poshtë të plotë artikullin:

Shqipëria jugore është një vend që duhet eksploruar pasi rezervon shumë surpriza. Lumenjtë që rrjedhin mes mureve të ngushta dhe të thella të shkëmbinjve, natyra e egër, fshatrat dhe burimet e gurit. Ja vlen të gërmosh në thesaret e saj të fshehura.
Qendrat urbane të Unesco Heritage dëshmojnë për bashkëjetesën e lashtë paqësore midis kulturave dhe feve të ndryshme. Kjo është Shqipëria e Jugut, drejtimi i ri i udhëtimit është nga Tirana në Berat, Skrapar, Permet, Gjirokastër, rrethe që shndrisin si qytete me hotele me hijeshi të thjeshtë dhe taverna të përballueshme.

Përafërsisht rreth 130 kilometra rrugë lidhin kryeqytetin me Beratin, që priten nga lumi Osum, i shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2008. Shpirti historik është në brigjet e lumit, në rrethet Magdalem dhe Goricë, ku xhamitë dhe kishat ortodokse mesjetare zbukurojnë qytetin.

“Tavolina në natyrë të hotelit Muzaka (Gorica) të dhruon spektaklin e shtëpive tradicionale osmane në kodër dominuar nga Kalaja,”- zbulon Bridges, drejtuesi i projektit të Agjencisë Italiane për mbështetjen e Bashkëpunimit për Zhvillim, duke kujtuar se “Muzaka është pjesë e konsorciumit të ri Pro-Berat: ne punojmë së bashku në marketing, përgatitjen e stafit, promovimin e territorit .

Po të ecësh 200 metra më tej përpara të del kalaja e shekullit të trembëdhjetë, me ndërtesa fetare dhe Muzeun Onufri në mes të shtëpive të vjetra, dyqane artizanale, restorante me tarraca të fshehura si ajo panoramike e restorantit Klea, pranë hyrjes kryesore. Nga ana tjetër, flamuri me stemën kombëtare qëndron gjithmonë i ngritur pasi feja e shqiptarit është shqiptaria.

Nga maja e Kalasë, ndiqni Osumin poshtë drejt Skraparit, ku Cesvi ka hapur një zyrë turistike në pallatin qendror të Kulturës. Këtu lumi zhytet në kodrat e bukura dhe të pyllëzuara, të cilat në pranverë duhet të kalohen me rafting në kanione, ose duke eksploruar rreth gjashtëdhjetë kilometra.

Me kanone e udhëhequr nga guidat mund të arrish më në jug, në lumin Langarice, për të vizituar edhe burimet natyrore termike të Benje.

Ky është Përmeti, qyteti i luleve dhe i festivaleve multikulturorë që zhvillohen në muajin qershor.

Me grupin tonë, na u bashkuan edhe 7 deri në 10 djem shqiptarë që e zotëronin mjaft mirë italishten, na rrëfyen se shtigjet që kishim përpara ishin një rrugë e shkëlqyer për të mbërritur në shtëpitë e gurit në Frashër Patran dhe Leusa ku ndodhet dhe kisha ortodokse të Shën Mërisë, një thesar të pikturave murale bizantine: një hajmali.
Malet që ndajnë Përmetin nga Gjirokastra duke kaluar përmes grykës spektakolare në Këlcyrë, deteve vertikale të pishave dhe shumë burime të ujit, derisa të shohësh kështjellën nga një distancë “të mbrojtur.” Qyteti, gjithashtu është në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s (2005).

Muzetë, dyqanet, restorantet e kohëve të tjera
Pjesa më e vjetër e kështjellës daton në shekullin e 13-të, ndërsa kulla e orës daton në fillim të viteve 1800. Po të futesh brenda ka një hije të rëndë, korridoret dhe tavane janë me harqe guri dhe më pas ndodhet hapësira e rezervuar për Muzeun Kombëtar të Armatimeve Shqiptare.

Përtej mureve të qytetit ndodhet lugina e gjerë e lumit Drin dhe pamja panoramike të Bazarit, një lagje otomane që ngjitet në kodër. “Një pjesë e rrugëve është e veshur me kalldrëm punuar nga artizanët me dru liri,”- na rrëfen Refik Aliko, që punon me CESVI, ku jep seminare të cilët shpjegojnë edhe se si bëhen rezervat e ushqimeve dimërore, si trushtë dhe gjellëra të ndryshme tradicionale. Aliko na shtroi raki, një nga specialitetet e rrushit dhe frutave të ndryshme.

Pastaj arritëm në një kodër ku në një nga restorantet me tarracë sheh luginën teksa shijn një drekë më mish qengji dhe vici, perime, djathëra dhe byrek. Në çdo tavolinë nuk mungojnë as pjatat me sallatë/njekomb

 

 

 

 

Shqipëria e Jugut, e gjitha një përrallë për tu eksploruar Read More »

Syri i Kaltër si destinacion turistik tranzit midis Sarandës dhe Gjirokastrës

Të shkosh apo të kthehesh nga Saranda është një detyrim emocional të kthehesh majtas, në një pyll të bukur në Malin e Gjerë e të vizitosh “Syrin e Kaltër”, një burim, një mrekulli natyrore që të befason.

Konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar, mahnitës “syri i Kaltër” ose “syri blu” është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues.

Për Syrin e Kaltër, një nga 18 burimet karstike të Malit të Gjerë, ka në rrjedhën e kohës rrëfimet për një dragua dhe vashat e bukura.

Në vitet e ndërtimit të puseve të naftës, një inxhinier e përafroi me sytë e të dashurës ngjyrën e ndryshueshme të burimit, e kështu historia e një dashurie u bë refreni i një pastërtie ujërash dhe kthjelltësie marramendëse.

Sipas legjendës në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e Jugut.

Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen. Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e  natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës; por edhe varësinë e tij prej natyrës.  Nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar, thotë Bekoni për natyrën.

Syri i Kaltër me gjithçka përreth tij është tamam një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mbijetuar në natyrë dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen rrepet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithçka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me nuanca magjike, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithmonë me forcën për ti qëndruar pranë.

Veç natyrës së bukur është edhe mikëpritja e vendasve, gastronomia karakteristike e krahinës, qetësia e natyrës që  e detyrojnë vizitorin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore. /atsh

Syri i Kaltër si destinacion turistik tranzit midis Sarandës dhe Gjirokastrës Read More »

Atraksionet turistike shqiptare në “Corriere della Sera”

Kryeministri Edi Rama ka uruar mirëmëngjes këtë të shtunë me një artikull të medias italiane që përshkruan vlerat e atraksioneve turistike në vendin tonë. Përmes statusit të tij në rrjetet sociale, kryeministri Rama uron një fundjavë të qetë për gjithë shqiptarët.

“Me këtë artikull të medias italiane që përshkruan bukur dhe me mjeshtëri vlerat e jashtëzakonshme të atraksioneve të shumta turistike të vendit tonë, ju uroj një fundjavë të qetë”, thotë kryeministri Edi Rama.

Artikulli është botuar në gazetën prestigjioze italiane “Corriere della Sera”dhe ndalet në një sërë atraksionesh turistike në vendin tonë, si në qytetin e gurtë, trashëgimi e UNESCKO-s, Beratin por edhe në kalatë dhe muzetë e shumë të vendit. Autori përshkruan kanionet e Osumit dhe pas tyre kalon në Gjirokastër. /atsh

Atraksionet turistike shqiptare në “Corriere della Sera” Read More »