Turizem

Gjirokastër, rikthehen në identitet rrugët me kalldrëm/Foto

Rruga “Hito Lekdushi”, tashmë nuk do të jetë vetëm një sokak për banorët e lagjes “Dunavat”, Gjirokastër, por edhe një shteg turistik për vizitorët e Urës së Ali Pashës.

Investimi i bashkisë së Gjirokastrës, në këtë segment rrugor me një fond prej 2 milionë lekësh, plotëson një tjetër premtim për banorët e lagjes dhe njëkohësisht sjell një infrastrukturë turistike me standarde.

Kjo rrugë mban emrin e patriotit që shtiu kundër Bimbashit turk në Gjirokastër. Hito Lekdushi dhe Bajram Ligu ishin dy anëtarët e çetës së Çerçiz Topullit që i bënë atentat Bimbashit.

Gjirokastra, qytet në jug të Shqipërisë në vitin 2005 është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Është një qytet historik dhe vendoset mbi shpatet e luginës së lumit Drino, ka peizazh të mrekullueshëm dhe kufizohet nga male të larta. Karakterizohet nga shtëpitë e stilit otoman me çati të gurta, me ballkone prej druri dhe me rrugë kalldrëmi./atsh

Gjirokastër, rikthehen në identitet rrugët me kalldrëm/Foto Read More »

Evening Standard: Bjeshkët e Namuna, në krye të 10 destinacioneve për 2018

“Bjeshkët e Namuna” në Shqipëri janë në krye të dhjetë destinacioneve europiane për tu vizituar gjatë muajit shtator, shkruan gazeta britanike “Evening Standard”.

“Bjeshkët e Namuna janë bërë një destinacion popullor i udhëtimit në vitet e fundit, duke të ofruar pamje absolutisht mahnitëse. Udhëtoni atje në shtator për një mot të ngrohtë dhe sigurohuni që të bëni udhëtimin prej pesë orësh mes Valbonës dhe Thethit përpara se të eksploroni Rivierën Shqiptare”, theksohet në artikullin e gazetës britanike.

Pas “Bjeshkëve të Namuna”, renditen Mynih, Gjermani, Chefchaouen, Marok, Siçili , Itali, Buenos Aires, Argjentinë, Vis, Kroaci, Lake District, Britani e Madhe, Bora Bora, French Polynesia, Santorini, Greqi, Beijing, Kinë.

Alpet shqiptare dhe Bjeshkët e Namuna janë vazhdimësi e maleve dinarite dhe shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi. Bjeshkët e Namuna shtrihen deri te lugina e Ibrit, rreth 50 km në gjatësi. Në anën e Kosovës arrijnë lartësinë mbi 2000 m, në disa vende prehen në lugina të thella  dhe kanë si kufi jugor Drinin. Alpet shqiptare janë mbresëlënëse dhe me forma piktoreske. Ato janë një shtrirje e peizazhit malor, i cili përplaset në disa zinxhirë luginash gëlqerore të Alpeve. /atsh

Evening Standard: Bjeshkët e Namuna, në krye të 10 destinacioneve për 2018 Read More »

Në 7 muaj, mbi 3 milionë turistë zgjodhën Shqipërinë

”3 milionë e 137 mijë vizitorë të huaj e kanë vizituar Shqipërinë gjatë periudhës janar -korrik 2018”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me përfaqësues të institucioneve të përfshira direkt në mbarëvajtjen e sezonit turistik,  zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë në COD, Klosi tha se ,”muaj gusht pritet të jetë më i frekuentuar pasi pushuesit shtohen më shumë në zonat turistike. Edhe pse moti nuk ishte favorizues dy muaj më parë, statistikat tregojnë se nga janari në qershor, kemi një rritje të numrit të pushuesve me 12.5 % më shumë se një vit më parë. Të dhëna këto zyrtare nga sistemi TIMS i policisë së shtetit”.

”Në korrik të viti 2017 kanë hyrë në territorin tonë 860 mijë pushues ,ndërsa në korrik të vitit 2018 kanë hyrë 1 milionë shtetas rreth 19% më shumë krahasuar me një vit më parë. Hyrjet në aeroport në periudhën qershor- korrik 2017,147 mijë shtetas të huaj po në të njëjtën periudhë të 2018 -ës 192 mijë shtetas të huaj. Pra rritja me një vit më parë është mbi 30%”,u shpreh Klosi.

Ai shtoi se ,”rritja e hyrjes së shtetasve të huaj në periudhën qershor – korrik 2017 krahasuar me po të njëjtën periudhë të viti 2016 ka qenë vetëm 3%, ndërsa në periudhën qershor -korrik 2018 kemi një rritje me 17 % me një vit më parë”. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156004637236523/?t=0

Në 7 muaj, mbi 3 milionë turistë zgjodhën Shqipërinë Read More »

Të huajt të apasionuar për të ‘fluturuar’ në Llogara/Foto

Të rinjtë e huaj që vizitojnë Shqipërinë gjatë stinës së verës, por edhe shqiptarë gjithnjë e më shumë po tërhiqen nga sporti i fluturimeve të lira.

Aeronautika Shqiptare po vazhdon me promovimin e turizmit nëpërmjet fluturimeve të lira të kthyera tashmë në një sport të preferuar nga Pista Olimpike e fluturimeve në Llogora, e cilësuar dhe certifikuar si nga më të bukurat dhe më të veçantat në botë.

“Mediterranean Heart”, përherë një ndalese e “detyruar” në Himarën turistike, një investim i qeverisë shqiptare i dha imazhin e dëshiruar nga të gjithë, pikës ndoshta më të lartë dhe më të bukur në Mesdhe në shumë këndvështrime.

Llogaraja, për pozicionin unik që ka, si dhe për erën e favorshme ndihmon shumë në ushtrimin e këtij sporti, të përhapur shumë vitet e fundit.

Sipas të pasionuarve pas këtij sporti, fluturimi sportiv po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e promovimit, por edhe një resurs në rritje për turizmin.

Llogaraja, me vetëm 500 metër diferencë, është pika e dytë në botë mbi nivelin e detit e përshtatshme për fluturimin me velë.

Vlora ngërthen natyrshëm gërshetimin e sporteve të ujit me ato të ajrit, turizmin malor, arkeologjinë dhe plazhin. Ka të gjitha mundësitë të krijojë të ardhura të jashtëzakonshme nga turizmi i aventurës.

Pista Olimpike e fluturimeve “Mediterranean Heart” është tashmë një atraksion turistik i qytetit jugor, të Himarës.  /atsh

Të huajt të apasionuar për të ‘fluturuar’ në Llogara/Foto Read More »

Kosovë- 18 mijë vizitorë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”

Parku arkeologjik “Ulpiana”, në Kosovë, gjatë vitit 2018 është vizituar nga 18 mijë vizitorë.

Këtë e bëri të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi gjatë vizitës në këtë park arkeologjik së bashku me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi.

Ministri Gashi tha se “Ulpiana tani po merr pamje jashtëzakonisht të bukur, një monument shumë i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe tani po shtohet edhe si pikë turistike, ku gjatë vitit 2018 kemi mbi 18 mijë vizitorë dhe kjo tregon se sa kanë qenë të rëndësishme investimet e MRKS-së në këtë park”.

Ministri Gashi tha se “Ministria e Kulturës do të vazhdojë dhe më tutje të mbështesë punimet dhe gërmimet në parkun arkeologjik, pasi është një trashëgimi e rëndësishme kulturore për vendin tonë. Pamë nga afër procesin e gërmimeve, që po ndodhë prej një kohe të gjatë këtu, i cili do të vazhdojë edhe me tej”.

Ndërsa ministri i kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, u shpreh se “gjatë takimit me ministrin Gashi biseduam rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin e kulturës”.

“Pata kënaqësinë që bashkë me ministrin dhe stafin e parkut Ulpiana të jem dëshmitar, i një pune cilësore të realizuar këtu dhe të shpreh habinë time qe edhe sa shumë punë ka për t’u bërë duke marrë parasysh që vetëm 2% e punëve janë bërë, ndërsa gjithçka që është bërë është mahnitëse dhe dëshmon për një trashëgimi kulturore”, tha Ademi./atsh

  

Kosovë- 18 mijë vizitorë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” Read More »

Kanioni i Holtës, bukuria e kristaltë e Shqipërisë (Foto)

Bukuritë natyrore në Shqipëri janë të shumta, dhe vetëm pak nga to janë para nga syri i njeriut. Të duhet shumë kohë për të parë nga afër të gjitha ato  vende që të lënë pa frymë.

Por disa nga vendet mahnitëse i sjell për të gjithë fotografi i njohur, Nëntor Oseku, i cili njihet si eksplorues dhe person që viziton vende mahnitëse, transmeton Indeksonline.

Ai sonte në profilin e tij në Facebook ka publikuar fotografi të realizuara në Kanionin e Holtës, vend ky me pamje mahnitëse, jo larg Tiranës.

Ky është mbishkrimi i Osekut për këtë kanion:

Në kanioni Holtës, i cili ndodhet në zonën e Gramshit, këto ditë bëmë kamping 2 ditor. Gjatë këtij qëndrimi jemi mahnitur nga lindja e diellit dhe rrezatimi i tij në mes të kanionit, si dhe në mbrëmje, reflektimi i rrezeve të hënës mbi sipërfaqen e lumit.

Kanioni i Holtës, konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë, e mori emrin nga lumi Holta.

Kanioni i Holtës, me gjatësi rreth 3 km. me shpatet e luginës që ngrihen deri në i 100 – 150 m, ndërkaq lumi arrin thellësinë deri në tri metra. Kanioni përpihet ndërmjet fshatrave Bardhaj dhe Kabash.

Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë.

Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.

Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj.

Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës.

Vizitojeni SHQIPËRINË!

Kanioni i Holtës, bukuria e kristaltë e Shqipërisë (Foto) Read More »

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit

Sazani dhe Karaburuni, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “deri në fund të muajit korrik rreth 6000 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

“Pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj. Sipas statistikave nga rreth 6000 turistë, 3675 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.

Sipas tij, qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në portin e Vlorës operojnë anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit Read More »

Turizmi, Rama: Është kthyer në një potencial të madh zhvillimi ekonomik

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në kampin veror të FRESSH, theksoi përpara të rinjve se zhvillimi e turizmit në vendin tonë ka hyrë në një fazë të re, duke e cilësuar këtë të fundit si një potencial të madh të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Besoj që turizmi në Shqipëri sot ka hyrë në një fazë të re që na jep mundësi të kemi më shumë të ardhura, më shumë arsye për të investuar në turizëm edhe patjetër edhe më shumë optimizëm për të nesërmen, sepse nga një mundësi e shfrytëzuar shumë keq në të shkuarën turizmi duket qartësisht që është kthyer në një potencial të madh zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi po ashtu. Patjetër që të bësh transformimet e infrastrukturës nuk është e lehtë, por të ngresh të gjithë sistemin e profesionistëve për shërbimin është shumë e vështirë akoma”, theksoi Kryeministri Rama.

I pyetur nga të rinjtë rreth prioritetit që qeveria shqiptare po i jep zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit, Kryeministri theksoi se në plazhet shqiptare dhe jo vetëm janë bërë disa ndryshime rrënjësore, edhe pse sipas tij puna për gjallërimin e plotë të këtyre sektorëve do të vijojë. 

Besoj që kush ka qenë këtu vitin e kaluar e shikon vetë që është një ndryshim i konsiderueshëm edhe pse është një punë në proces dhe ndryshimi duhet dhe do të vazhdojë, por faktikisht deri vjet këtu ishte një kaos i paparë, një rrëmujë e madhe me makina dhe një situatë jashtëzakonisht e degraduar që nuk i bënte asnjë nder le të themi kësaj natyre të mrekullueshme, ndërsa sot ju e shikoni që është një situatë krejt tjetër nga pikëpamja e të paktën infrastrukturës së bregdetit dhe është një hapësirë krejt tjetër që është rezultat i një pune që po zhvillohet në të gjithë territorin, në të gjitha zonat turistike, ku më shumë e ku më pak, sepse mundësitë nuk janë të pakufizuara ndërkohë që nevojat janë të pakufizuara dhe patjetër që duhet shumë më tepër akoma, por kini parasysh një gjë që çka u degradua dhe u bë mbrapsht në 20 e kusur vite nuk mund dot të rindërtohet ashtu siç duhet në një kohë shumë të shkurtër”, përfundoi Kryeministri./atsh

Turizmi, Rama: Është kthyer në një potencial të madh zhvillimi ekonomik Read More »