Turizem

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit/Foto

Sazani dhe Karaburuni, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “deri në fund të muajit korrik rreth 6000 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

“Pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj. Sipas statistikave nga rreth 6000 turistë, 3675 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.

Sipas tij, qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në portin e Vlorës operojnë anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit/Foto Read More »

Ujëvara e Sotirës, perla shqiptare që të befason

Nga Pëllumb Gorica

Një udhëtim drejt Ujëvarës së Sotirës së Gramshit, pavarësisht

Pranë ujëvarës së Sotirës

Pranë ujëvarës së Sotirës

kapërcimit të shtigjeve të vështira herë-herë me pengesa të ngjan se hap brenda teje, një hapësirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapësirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peisazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujëvara, liqene. Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.
Vlerat e turizmit malor dhe infrastruktura
Pikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. High Albania Mountain Club, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr. Ndonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi

Qyteti i Gramshit

Qyteti i Gramshit

bëhet e papërfillshme çdo ditë nga qindra adhurues. Duhet thënë lexuesit, që krahinat e Gramshit janë një vend me kontraste gjeografike dhe peisazhe të mrekullueshme që dita ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ja shkatërrojnë, gurët po ja marrin. Është fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerëzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit ashtu si shoqëria, edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t’i thërrasin koshiencës dhe të ndalim rrënimin e natyrës, por edhe shteti shqiptar duhet të mendojë më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj. Për mendimin tim sektori i turizmit mund të zhvillohet më shumë krahinat e Gramshit, të cilat janë një magji pak e eksploruar. Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën karstike të Kabashit, Grabovën e krishterë, Kanionet e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastruktura e rrugëve me terrene të vështira e të pashkelura shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e merituar të vendeve turistike. Madje ka premisa të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që kanë mundësi të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve në shoqërinë tonë dhe në pushtet, që përpëliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgun ujqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide. Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim nga institucionet për ta bërë atë të vizitueshëm jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj. Gjithsesi, duhen përgëzuar iniciativat e individëve nga Gramshi, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peisazheve të trevës. Është e vërtetë që emigrimi si gjithandej në Shqipëri në këto vitet e fundit ka tkurrur edhe fshatrat e krahinave të Gramshit, po përsëri këtu ka jetë. Këtë e tregojnë arat që punohen, pemët me frutat e tyre, njerëzit që kryejnë punët e stinës. Këto janë përshtypjet e çdokujt që krahas vrojtimit të peisazheve, objekteve arkeologjike e ndjen këtë sidomos në stinën e pranverës. E kush nuk e lakmon këtë stinë plot ngjyra. Gjelbërimi dhe lulet kanë ngjallur ngrohtësinë njerëzore dhe janë të papërsëritshme.
Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë që davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peisazhin që parakalon. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin gurgullojnë mes gurëve të lëmuar nëpër brigje të gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura,me ndjesinë e tyre madhështore, herë shfaqen e herë përhumben nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të borëzuar të përshëndet ngrohtësisht këtë mëngjes. Pasi përshkon rrugën, që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat e po konturohet si vepër energjitike e Shqipërisë, të shfaqet befasisht qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll rrethuar nga malet hijerënda. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh e që e ka zanafillën nga fshati me të njëjtin emër. Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi të pashembullt dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion e në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë. Në një pushim të shkurtër në qëndër të qytetit e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga rendin me revan drejt qiellit. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësinë e tyre.

 

Mali Tomorr

Mali Tomorr

Relieve piktoresk rural
Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani më i moshuari i grupit të vizitorëve u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku dhe Dritani në rolin e ciceronëve tregojnë për ujëvarën, vendet ku do kalonim, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për tu përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe të shumta janë ato historike. Sulova ka këmbët në ujë. U jep të tjerëve të pinë. Për vete digjet në vapë. Një karakteristikë se rrjedha e dy lumenjve Devoll e Tomorricë kalon përbri saj dhe qindra përrenjve, duke krijuar një peisazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mendjes, traditave të rralla e të admirueshme të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e këtyre anëve janë magjepsëse dhe një privilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash që zgjaten pa mbarim e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen fshatra me pamjeve mbresëlënëse, ku secili prej tyre paraqitet me veçanti karakteristike. Si kudo gjetkë në Shqipëri edhe shumica e shtëpive janë të mbuluara me çati tjengullash të kuqe dhe plot reflekse. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën një trevë të banueshme e të pandërprerë, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peisazhet e gjelbëruara dhe tokat i ka mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me resurset që ju ka falur natyra, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e ngushtë dhe e pashtruar ku nuk shkëmbehen dot automjetet. Rrugë e gjatë e lodhshme, që asnjë pushtet nuk ka arritur tua ndërtojë. Një rrugë gjarpëruese që ngjitet e zbret kodrave të buta, të cilat ngrihen e ulen shumë vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, ku kalon përmes zallishteve dhe të shoqëron për kilometra të tëra. Tomorri një nga malet më madhështore në Ballkan pamjen më të bukur e ka në fshatrat e Sulovës. Faqja e tij veriore veshur me pisha dhe majat mbuluar nga bora. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij u ka hedhur vellon shkëlqyese. I kam admiruar përherë këto vise dhe i kam shijuar peisazhet që në fëmijëri, duke ruajtur vazhdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtimet më të mira dhe përshtypjet e mbresave këtu. Ndaj, nuk i shmangem dot emocioneve të mia kur shikoj këto peisazhe. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria.
Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatikuqe nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peisazhit të braktisur nga jeta e banueshme. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur shikon pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall trishtim me shtëpitë e saja të gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për tua përcjellë brezave dhe të ngjallin një zbraztësi në shpirt. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjve, që e vrasin këtë qetësi, por edhe ndonjë kumbim i zbehtë zile bagëtish. Ndoshta e vetmja gjë që kishin mundur të bënin këtu ishte kanalizimi ekologjik për të përfituar nga uji i Ujëvarës, duke krijuar pak kilometra më poshtë një hidrocentral të vogël.
Bukuri që të le pa fjalë

Ujëvara e Sotirës, nën këmbët e malit Tomorr

Ujëvara e Sotirës, nën këmbët e malit Tomorr

Duke ngjitur rrjedhën e të lumit të Sotirës, që humbiste mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërinte lehtë, morëm rrugën për në Ujvarën e Sotirës. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peisazhin me një ndjesi të pakrahasueshme. Syri të mbushet me kënaqësi. Tingëllojnë ëmbël cicërimat e zogjve përzier me zhurmat e tjera të stinës. Herë pas here ndalojmë dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peisazhit, lëndinat me bar, ajrin e pastër, blerimin e drurëve. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë veshur me bar e lule. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, ku edhe blerimi përthithës i pranverës të shfaqet akoma më i freskët. Kështu të joshur nga pamjet e pashlyeshme. Tomorri madhështor me pamjen e tij mahnitëse kërleshur nga retë e bardha, të tërheq me madhështinë dhe bukurinë natyrore. I magjepsur s’ngopesh, duke vështruar këtë mal. Mahnitës e mbizotërues shpaloset ai gjithmonë, por i mbuluar me qeleshen e bardhë të borës, pamja e tij e paharrueshme dhe emocionale është si një ëndërr. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë edhe me ujin kristal të burimeve të praruara dhe bukurive të pamata me pyje.
Karvane resh udhëtojnë qiellit dhe pylli i gjelbëruar fëshfërin e të çlodh. Lulet me ngjyrat e ndezura shpërndajnë aromën e tyre. Tingujt e paqtë dhe flladi i freskët që vjen prej malit të japin kënaqësi të veçantë. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta e po aq të këndshme në këtë stinë janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peisazhin. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse. Venitet lodhja nga pesha e emocioneve e sytë përplasen në masivin e mbuluar me borë të malit Tomorr. Shushurima e zhurmshme e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepsëse. Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje kënaqësie në shpirt nga magjia që të shfaqet. Nuk mund ta përfytyrosh kënaqësinë që ndjen, e yshqyer nga atmosfera magjike e ujëvarës së Sotirës me mrekullinë e saj të veçantë. Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar nga kjo kënaqësi si pjesë e realitetit të një mrekullie. Padyshim rruga e gjatë e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese me zhaurimën gurgulluese e të fuqishme të ujit të freskon ledhatueshëm e të heq si me dorë lodhjen. Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjen. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, një peisazhi të zemërimit të shkumbëzuar të ujërave, që vërshon me tërsëllimë prej barkut të shkëmbit e teksa rrjedh papushim shpërndanë përreth piklat. Përballë ujëvarës hijëzimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi e çlodhje, ashtu si ajri i lagësht që drithërohet nga forca e ujit e i shpupurit flokët tanë.
Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujërave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjve gëlqeror të malit të Tomorrit. Më shumë shton ai, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes dhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh. Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m dhe në fund të shkëmbinjve mbi disa gurë të mëdhenj, duke krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara krijonte edhe një lumë të vogël, por këto dy vitet e fundit pak metra më poshtë rrjedhës ujërat përfshihen në një kanal ekologjik të nëndheshëm që i shërben një H/C të vogël, duke e bërë më ekonomike atë me fuqinë prodhuese.
Epilog përshtypjesh

Katarakti që krijohet nga rrjedha e përroit të  Dardhës

Katarakti që krijohet nga rrjedha e përroit të Dardhës

Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara, Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm, nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirseardhës të një lokali teksa pimë kafenë e kthimit ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin shekullor dhe banorët e tij. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falenderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata, që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjëherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.

tiranaobserver.al

Ujëvara e Sotirës, perla shqiptare që të befason Read More »

”Hoffpost”: Ksamili, Karaibet shqiptare

Një tjetër media e huaj radhit Shqipërinë mes destinacioneve më të preferuar ku europianët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet veror këtë vit.

Zbulimi i Shqipërisë si një atraksion turistik nga ”Hoffpost”, vjen pas një hulumtimi që media e huaj ka bërë tek blogerët më të rëndësishëm europian të udhëtimeve.

Nga kjo ka rezultuar se Shqipëria renditet mes vendeve si Spanja, Indonezia, Suedia, Italia etj, si destinacion europian për të pushuar këtë verë.

Ballkani

“Në vitet e fundit, kam parë gjithnjë e më shumë njerëz që janë të interesuar në vende si Mali i Zi, Shqipëria, Bullgaria . Unë mendoj se është një zhvillim i natyrshëm që kur Spanja dhe Italia janë të populluara shumë në verë dhe jo të gjitha plazhet janë aq të pastra si dikur”, u shpreh Veronika Primm, blogere udhëtimesh në Travel Geekery.

“Në tre verat e fundit , kam gjetur disa vende të reja të preferuara si Shqipëria për shembull, e cila është pak e ngjashme me Greqinë, por shumë më pak e hulumtuar dhe më e lirë. Më pëlqen vërtet Ksamili në pjesën jugore të Shqipërisë. Nëse doni të përjetoni rërë të bardhë dhe me ujë të kulluar kristal të qartë si në Karaibe, atëherë Ksamili është gjëja më e mirë në Europë”, tha blogeria Primm. /atsh

”Hoffpost”: Ksamili, Karaibet shqiptare Read More »

Rritje e eksporteve të produkteve bujqësore të Divjakës

Prodhimet bujqësore të Divjakës kanë rritur eksportet çdo vit e më shumë.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama sjell pamje nga Festa e Bostanit në Divjakë, produkt lider për këtë zone.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Festa e Bostanit në Divjakën e rilindur turistike dhe të prodhimeve fantastike bujqësore që rrisin eksportet çdo vit e më shumë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Festa e bostanit mblodhi mijëra pushues në disa ditë të zhvilluar në sheshin kryesor të Parkut Kombëtar të Karavastasë. Prodhues dhe përpunues të bostanit, ekspozuan dhe tregtuan për pushuesit, varietet e ndryshme të bostanit, gatime me bazë shalqini dhe pjepri, si, lloje të ndryshme sallatash, tortat me bostan, gliko të ndryshme dhe ëmbëlsira të tjera me këtë bazë. 

Bostani është produkti më i eksportuar i zonës, që këtë vit shënoi rekordin e shitjeve jashtë vendit prej 81 mijë ton.

Divjaka këtë herë pret një rritje prej 30 përqind të turistëve më shumë se një vit më parë, kjo falë edhe më shumë ofertave turistike që ofron tashmë zona e mbrojtur./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156001051856523/?t=0

Rritje e eksporteve të produkteve bujqësore të Divjakës Read More »

Sezoni turistik, fushatë sensibilizuese në pikat e kalimit kufitar

Në vijim të fushatës, në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik 2018, në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, për t’u garantuar qytetarëve një shërbim policor në përputhje me standardet e kërkuara, specialistë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në Pikat Kufitare.

Specialistët ishin pikën e kalimit kufitar në Muriqan për të folur me qytetarë e pushues dhe për t’i njohur me shërbimin, si dhe shpërndanë kartëvizita me numrin pa pagesë 0800 90 90 ku çdokush mund të denoncojë shkeljet e punonjësit të Policisë së Shtetit. /atsh

Sezoni turistik, fushatë sensibilizuese në pikat e kalimit kufitar Read More »

Rritet numri i vizitorëve të Kalasë së Gjirokastrës

Mbi 60 për qind është rritur numri i vizitorëve të Kalasë së Gjirokastrës, bazuar në shifrat që janë publikuar nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare e qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mediet shqiptare kanë raportuar se bazuar në numrin e vizitorëve në kala, në shtatë muajt e parë të vitit, i bie se qyteti që mbrohet nga Organizata Ndërkombëtare e Bashkimit Evropian për Edukim, Shkencë e Kulturë “UNESCO” e ka pasur një sezon të suksesshëm turistik.

“Shifrat e bëra publike nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër tregojnë për rritje me mbi 60% të numrit të vizitorëve për 7 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, ka shkruar Agjencia Telegrafike Shqiptare. Gjatë vitit 2017, përgjatë kësaj periudhe, numri i vizitorëve ka qenë 31.085, numër ky që sivjet është rritur në 50.481 turistë vendas e të huaj. Një prej atraksioneve kryesore në qytet është Kalaja… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Rritet numri i vizitorëve të Kalasë së Gjirokastrës Read More »

Alpet shqiptare prezantohen në Europë si atraksion i veçantë turistik

Agjencia Kombëtare e Turizmit(AKT) organizoi këtë fundjavë një tur për një grup gazetarësh, blogerësh, dhe përfaqësues të turizmit alpin nga vendet e Europës Qrndrore si Austri, Çeki , Gjermani etj .

Ky tur informues u organizua në bashkëpunim me disa agjenci, shoqata, të cilat ushtrojnë këtë veprimtari dhe i janë dedikuar këtij lloj turizmi.

AKT në këtë mënyrë u bë promotor i Alpeve Shqiptare, duke njohur vizitorët me traditat, kulturën, natyrën dhe veçantinë e kësaj zone të vendit tonë. Vizitorët mundën të admironin disa nga bukuritë e zonës së Thethit , Komanit dhe atraksionet përreth./atsh

Alpet shqiptare prezantohen në Europë si atraksion i veçantë turistik Read More »

Vendet që duhet t’i vizitoni në Kosovë për verën 2018

Kosova gjatë periudhës së verës është e mbushur me mërgimtarët tanë, si dhe me turistë të huaj që e vizitojnë vendin tonë për arsye turizmi dhe rekreacioni.
Kosova është një vend i vogël, por me disa pasuri natyrore dhe vende atraktive për t’i vizituar.

Për këtë verë me bashkëpunim me një etnolog si dhe me Prizreni Guide këto janë vendet të cilat mund të vizitohen nga turistët e huaj dhe kosovarë:

Prishtina

Vendet që duhet të i vizitosh në Prishtinë:

Muzeu Etnologjik

Është pjesë përbërëse e Muzekut të Kosovës. Këtë muze e vizitojnë shumë turist nga e gjithë bota, me qëllim të informimit për trashëgimisë kulturore prej pavijonit arkeologjik, teknologjisë, natyrës, etnos-kulturës, dhe folklorit. Është vend shumë interesant për të u vizituar nga të gjithë, sidomos për ata që duan të mësojnë diçka më shumë për kulturën shqiptare

Xhamia e Sulltan Mehmet Fatiut

Kjo xhami gjendet në bërthamën e qytetit të vjetër të Prishtinës. Ndryshe njihet edhe si Xhamia e Madhe ose Xhamia e Mbretit. Kjo xhami përveç që vizitohet çdo ditë prej besimtarëve myslimanë, vizitohet po ashtu edhe nga shumë turist anë e mbanë botës. Mos dil nga Prishtina pa e vizituar!

Katedralja Nëna Terezë

Ideja e ndërtimit të kësaj Katedrale ishte nga Presidenti Rugova. Kjo katedrale është inauguruar zyrtarisht vitin e kalaur. Është një vend interesant për të u vizituar. Në kulm të katedrales mund të shihet gjithë qyteti i Prishtinës. Shumë turistë nga e gjithë bota shkrepin foto të ndryshme në këtë vend. Nëse do të e shohësh gjithë Prishtinën, atëherë vizito edhe Katedralen Nëna Terezë.

Jashtë kryeqytetit të Kosovës ka shumë vende atraktive dhe të bukura për të vizituar nga shumë turistë :

Prekazi

Kompleksi Memorial Adem Jashari është vendi më i vizituar në të gjithë Kosovën si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Historia e Kosovës është e lidhur me këtë fshat. Ciceroni i këtij kompleksi kujdeset që vizitorëve t`ua shpjegojë historikun e familjes Jashari, si dhe pjesë nga historia e Kosovës.

Janjeva

Ky vend është lokalitet shumë i lashtë, Këtë e dëshmojnë mbishkrime të shumta që janë gjetur që nga e kaluara. Në këtë vend jeton edhe komuniteti pakicë kroat. Mund të mësosh shumë gjatë vizitës në këtë vend.  Një objekt fetar interesant për të u vizituar është edhe kisha e këtij fshati. Po ashtu, një vend shumë atraktiv për të u vizituar

është shtëpia e Shtjefan Gjeqovit.

Rugova

Trevat e Rugovës është e ndarë me 13 fshatra. Është ndër vendet më të bukura dhe më piktoreske në Kosovë. Të gjithë vizitorët dalin të mahnitur me këtë vend. Rugova është gjithmonë një ide e mirë. Ua rekomandojmë !

Bjeshkët e Deçanit

Këto bjeshkë nuk është se kanë qenë atraksion turistik në të kaluarën. Por tani ka shumë vizitorë jo vetëm vendor por edhe ndërkombëtar. Mos e lë të shkoj kjo verë pa e vizituar këtë vend.

Prizreni

Pa dyshim është qyteti më i bukur dhe më historik i Kosovës. Vendi i parë që do e dëgjosh që do të rekomandohet nga të tjerët sapo të hysh në Kosovë është Prizreni.

Vendet që patjetër duhet të i vizitosh në Prizren :

  1. Lidhja e Prizrenit

  2. Xhamia e Sinan Pashes

  3. Kisha Katolike e Zonjes Ndihmetare

  4. Kisha Ortodokse e Shen Gjergjit

  5. Kisha e Shën Nikollës

  6. Kalaja e Prizrenit

  7. Teqja dhe Muzeu Etnologjik,

  8. Xhamia e Bajraklise dhe Hamami dhe

7.Muzeu Arekologjik (Sahat Kulla)

Mirusha

Ujëvarat e Mirushës janë një prej vendeve më piktoreske dhe më të bukura në Kosovë. Kjo ujëvarë ka rëndësi të madhe historike, natyrore dhe shkencore. Vendose në listën tënde këtë ujëvarë dhe jepi kujtime të mira verës tënde.

/njekomb

Vendet që duhet t’i vizitoni në Kosovë për verën 2018 Read More »