Turizem

Vija bregdetare në Lungomare krejtësisht e pastër,fund derdhjes së ujërave të zeza në det

Vija bregdetare përgjatë shëtitores “Lungomare”, do të jetë totalisht e pastër.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, ka hartuar projektin që i jep fund derdhjes në det të ujërave të zeza dhe të ndotura.

Projekti aktualisht është dërguar pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe gjendet në proces tenderimi, për të nisur nga zbatimi shumë shpejt, ndërsa ka marrë miratimin e Këshillit Teknik.

“Ky është një premtim i mbajtur i kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Derdhja e ujërave të zeza në det, ka qenë një problem shqetësues për qytetin, por tashmë është drejt zgjidhjes”, – tha për ATSH drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili.

Xhelili shprehet se “projekti parashikon lidhjen me rrjetin e kanalizimeve të banesave apo objekteve të ndërtuara në zonat informale dhe që kanë qenë të patrajtuara, në zonën nga ish-Fabrika e Cimentos, tek “Bishti Kalldrëmit”, në kodrën pranë këtyre zonave deri në “Ujë të Ftohtë” te Tuneli, që nuk kanë qenë të përfshira ndonjëherë në rrjetin e kanalizimeve sipasojë e ndërtimeve që janë bërë ndër vite. Por janë ndërtuar edhe përpara se Impianti i Vlorës të projketohej”.

Sipas tij, këto banesa apo objekte momentalisht nuk kanë lidhje me rrjetin e kanalizimeve, ndërsa ujërat e ndotura me këtë projekt do të kalojnë në Stacionet e Pompimit.

“Brenda këtij viti pritet që situata të stabilizohet dhe të kemi një bregdet të pastër pa ujëra detar të ndotur. Një tjetër projekt i rëndësishëm do të jetë edhe ai i ridimensionimit të Stacioneve të Pompimit ekzistues në “Lungomare””, – u shpreh Xhelili.

Investimi është bashkëkohor me sistemin ‘Scada’ me monitorim 24 orë me kamera dhe sistem alarmi.

“Projekti për këtë investim është duke u hartuar dhe në të përfshihen Stacionet e Pompimit në “Lungomare”, ai tek ish-Parku i Tregtisë dhe tek ish-Fabrika e Makaronave”,- tha ai.

Kreu i ujësjellësit të Vlorës sqaroi se “do të zëvendësohen edhe pompat dhe panelet elektrike në stacionet e pompimit”.

I përuruar në maj të 2017, Lungomare është cilësuar si projekti më i rëndësishëm në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës. Jo vetëm, në stinën e verës , por edhe të dimrit Lungomare është ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj./atsh

Vija bregdetare në Lungomare krejtësisht e pastër,fund derdhjes së ujërave të zeza në det Read More »

Shqipëria përgatitet për një bum tjetër turistik

Shqipëria po përgatitet për një bum tjetër turistik gjatë 2019. Vitin e kaluar, vizitorët e huaj arritën shifrën e 6 milionë turistëve, me një rritje prej më shumë se 15% krahasuar me vit më parë, shkruan agjencia italiane e lajmeve, ANSA, në një artikull të publikuar për Shqipërinë.

”Është toka e shqiponjave, ndërkohë që ne përshëndetemi nga një një buf duke ngjitur shkallët prej druri të fermës Mrizi i Zanave të kuzhinierit Altin Prenga.

Një buf me pendë të vërteta, indiferent dhe i qetë nga thirrjet tona të papritura, si një prani përrallash. Hyjmë brenda, një flakë prej guri dhe druri të gjallë, ngjyra të ngrohta, aroma të lashta.

Por, befasia e vërtetë do të jetë për shijen dhe sytë. Mrizi i Zanave është rreth një orë nga Tirana, në fshatin Fishtë, në mes të një pylli, jo larg nga një prej kampeve të punës së detyruar e regjimit të kaluar.

Shqipëria ishte i vetmi vend ateist europian sanksionuar me ligj, kur në vitin 1967 diktatori Enver Hoxha shpalli ateizmin shtetëror. Festat fetare festoheshin fshehtas dhe hahej bukë e ngrohtë me miell të bekuar, djathë dhe hudhra të freskëta.

Sot Altin Prenga është një djalë i ri, por ai i kujton ato shije klandestine dhe punën e tij për rimëkëmbjen e e një kuzhinë krenarie (në Shqipëri tavolina e Altinit është shumë e vlerësuar është një pikë reference e slow food) tregon për një rizbulim që në fakt bëhet një reflektim mbi historinë shqiptare.

Altini mbërriti në Itali në vitin 1998, në moshën 15-vjeçare, në një nga ato anije që shikonim në TV dhe në të cilin ishin mijëra njerëz të dëshpëruar, ai punoi shumë vite në rajone të ndryshme, duke përfshirë Trentinon, por më pas, ai u kthye në vendin e tij të origjinës.

Sot ai u shërben 60 000 njerëzve në vit, ka krijuar një rrjet me qindra fermerë dhe barinj që e furnizojnë atë me produktet më të mira të zonës, duke përfshirë një ekip të vlefshëm të mbledhësve të frutave (ju duhet të shijoni makaronat e tij me boronicë të egër) . Në enët e tij ka të gjithë magjinë e një kujtese antike që shfaqet, përbërës të habitshëm, shije që i referohen tregimeve që ne dëgjonim si fëmijë.

Një kuzhinë e krenarisë së rizbuluar. “Do të doja që shqiptarët – thotë ai – të bëhen krenarë për të qenë fermerë si fshatarët italianë, krenarë për rëndësinë e punës së tyre dhe produkteve të tyre”. Vera vjen nga vreshtat e afërt të Kallmetit. Për ata që mendojnë se distanca prej një ore nga Tirana është e tepruar, Mrizi i Zanave gjithashtu ka 10 dhoma.

Me zgjimin mund të bëheni kureshtarë duke vëzhguar një nga 175 000 bunkerët e ndërtuara nga Enver Hoxha, është ende atje, jo shumë larg hyrjes në agroturizmin e Altinit. Por ndërkohë bufi është zhdukur.

Si një pikësim i mbetur i territorit, bunkerët do të shoqërojnë udhëtimin tuaj përmes Shqipërisë kudo, instrumentet e heshtura të regjimit që shqetësojnë ende nuk përdoren, për të shkaktuar kërcënimin delirues të një sulmi bërthamor ose një pushtimi të menjëhershëm.

Një çelës për të lexuar një vend të ndërlikuar, ende i ndarë midis një të kaluare të dhimbshme dhe një modernizmi që tërheq rrokaqiej dhe pasqyron qendrat e reja urbane, dritat festive të qyteteve bregdetare, shumë të rinj me një pamje krenare.

Një vend ku ende është e lehtë të takosh një gomar me ngarkesën e tij dhe pranë tij një njeri me një ritëm të durueshëm, si në një Itali të pasluftës; një vend krenar me një të ardhme të ndritur, e cila manifestohet me numrat në rritje të prezencës turistike nga viti në vit, duke konfirmuar interesin në rritje për Shqipërinë e potencialeve të madha dhe bukurive natyrore ende të pashkelur, e kombinuar me çmime të përballueshme.

470 kilometra të bregdetit shqiptar tërheqin çdo vit më shumë gjermanë, polakë, francezë dhe turistë nga Europa Veriore. Italianët renditen të parët në aspektin e numrit më të lartë (rreth 436 mijë në vitin 2018, 20% më shumë).

Alternativa e shqiponjës së zezë me dy koka (flamuri i Shqipërisë në një sfond të kuq: një kokë përballë Lindjes, tjetra në Perëdim, duke shikuar si Romën dhe Konstandinopojën) bëhet përgjigjja për plazhet më të mbushura me njerëz në Greqinë fqinje.

Shkurt, Shqipëria është Greqia e re. “Është e pamundur të mos kopjojmë Italinë, por nuk duam të bëjmë gabimet tuaja”, thotë kryeministri Edi Rama duke treguar ndërgjegjësimin se dëshiron të kapë avantazhet e një shansi turistik të mbërritur më në fund, por duke ditur të shikosh edhe rreziqet.

Nga Italia, ”Adria Ferries” garanton lidhjet ditore me detin nga Trieste, Ankona, Bari në Durrës, me makinë, sepse në Tokën e Shqiponjave lidhjet nuk janë të thjeshta, me një hekurudhë të munguar dhe një rrjet rrugor që përkujton Italinë pas luftës, pavarësisht progresit të bërë.

Kompania e anijeve, e cila gjithashtu ofron pako turistike, i kushton vëmendje të veçantë modeleve të biznesit të qëndrueshëm.

Gjatë rrugës për në gjirin e Vlorës (që ishte kryeqyteti i parë, Tirana është nga viti 1920), ju do të admironi plazhet e gjatë me rërë dhe një nga 10 zonat e mbrojtura të vendit, ku ka 15 parqe natyrore dhe shumë zona malore, sektori i turizmit, në të cilin qeveria aktuale synon të fokusohet.

Ndër plazhet më të rëndësishme në jug të Vlorës, ku deti Adriatik takon detin Jon, janë Ksamili, Orikumi, Himara deri në perlën e vogël të Sarandës; në veri Velipoja dhe Shëngjini; në qendër përveç Durrësit gjiri i Lalëzit, Mali i Robit, Spille, Karpen.
Por rruga është e mbushur me bizhuteri si qyteti i lashtë osman i Beratit, trashëgimi e Unesco-s, “qyteti i një mbi një dritareve”. Lagjet e fortifikuara të shtëpive të lashta të gurit, kishave dhe xhamive, Berati ende përfaqëson një shembull të tolerancës shekullore dhe bashkëjetesës paqësore midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ura e Goricës, 127 metra e gjatë nga epoka osmane, në lumin Osum, lidh lagjet e Goricës dhe Mangalemit. Për të vizituar fortesën e afërt të Beratit, ku Skënderbeu pësoi një nga humbjet e tij shumë të pakta.

Lungomare e Vlorës përveç shëtitjeve të bukura, përvojave të kuzhinës për të theksuar, për shembull nëse e pëlqeni peshkun e kaltër dhe produktet e kopshtit, nuk mund të humbni restorant ”Bujarin”, ku mund të gjeni artikuj të freskët, salca origjinale të perimeve të egra dhe frutave.

Shumë i rekomanduar një udhëtim me anije rreth gadishullit të Karaburunit, i përfshirë në Parkun Detar Kombëtar të Karaburun-Sazanit, një destinacion popullor për zhytësit, shpellat dhe gjiret e pacënuar, reliket e lashta të zhytura; mos humbisni plazhet e zonës së Orikumit, 20 kilometra në jug të Vlorës. Ekskursioni nga Vlora në Sarandë është shumë i bukur.

Gjithashtu pranë Vlorës,gjendet parku arkeologjik i Apollonisë, për nder të tempullit të zotit Apollo, nga i cili kanë mbetur disa rrënoja. E themeluar në vitin 588 para Krishtit nga kolonistët grekë të Korfuzit aktual, Apollonia ishte një port i rëndësishëm, gjithashtu pikënisje e rrugës ”Egnatia”. U bë një koloni romake, e përfshirë në krahinën e Epirit. Perandori romak Oktavian përfundoi studimet atje në 44 paar Krishtit dhe pikërisht këtu ai mësoi lajmin se njerku i tij, Cezari, ishte vrarë.

Ju nuk mund të largoheni nga Shqipëria pa u zhytur në një nga bunkerët klaustrofobikë. Një në qendër të Tiranës, jo shumë larg nga sheshi Skënderbej, ia vlen të vizitohet. Është një nga më të mëdhenjtë, antisizmik dhe antiatomik, fsheh një tunel të lidhur drejtpërdrejt me Ministrinë e Brendshme, përfshinte përveç dhomave të shumta për ushtarët dhe mjete mbrojtëse, dhomën e gjumit të ministrit, si dhe disa qeli dhe dhoma torture.

Sot Bunk’Art 1 dhe ai që duhet të priste Enver Hoxhën vetëm jashtë Tiranës, Bunk’Art 2, prej 2 680 metra katrorë, janë bërë muze të kujtesës, ku mund të hulumtosh përmes objekteve, filmave të epokës, një lloj udhëtimi të regjimit, një vizitë edukative për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë.

Ju nuk do të hasni shumë ndërtesa kulti, diktatura Hoxha është kujdesur edhe për punën e përpiktë të fshirjes së kujtesës. Gjatë regjimit, i cili zgjati nga viti 1944 deri në vdekjen e Hoxhës më 1985, rreth 2 500 kisha u shpërthyen me dinamit ose përdoreshin si një depo për armë dhe materiale. Popullsia ishte e ndaluar të përdorte televizor, ose në disa raste edhe për të kërcyer ose kënduar një këngë që kujtonte stilin e jetës perëndimore dhe vuajtjen me burgimi të përjetshëm.

Shqiptarët e duan shumë Italinë, që nga koha kur shikonin Festivalin e Sanremos në TV klandestine: është e vështirë të takosh një banor që nuk flet së paku pak italisht. Gjeniu i arkitekturës dhe dizajnit italian është qartë i dukshëm në Pallatin e Mbretit në Tiranë, pallati i fundit mbretëror i ndërtuar në Europë, i vetmi në të cilin një mbret kurrë nuk fjeti. Gherardo Bosio dhe arkitektë të tjerë nga shkolla Giò Ponti punuan në ndërtimin e 1250 metra katrorë të hapësirës së brendshme të rrethuar nga 75 hektarë pyje dhe orendi elegante.

Durrësi gjithashtu ruan gjurmët romake, muret dhe një amfiteatër në qendër të qytetit. Ofron perla të kuzhinës me pamje nga porti, bulevardet me pemë të mëdha, rrugët tregtare dhe një gjallëri që goditi edhe Catullo dy mijë vjet më parë që e përkufizoi qytetin port “tavernën e Adriatikut”.

Këtë vit Shqipëria po përgatitet për një bum tjetër turistik, duke ngjallur interesin e emrave të mëdhenj në këtë sektor: vitin e kaluar vizitorët e huaj arritën shifrën e 6 milionë turistëve, me një rritje prej më shumë se 15% krahasuar me vit më parë./atsh

Shqipëria përgatitet për një bum tjetër turistik Read More »

Shqipëria me rekord historik, destinacioni i 6 milion turistëve në 2018

Shqipëria si destinacion turistik europian dhe gjithë vjetor, vazhdon të mbetet atraksioni turistik i preferuar i turistëve të huaj dhe përgjatë 2019.

Gjatë tremujorit të parë të 2019, 695 mijë vizitorë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, shifër kjo që e krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018 ka një rritje me 2,7 %. Vetëm gjatë muajit mars, Shqipërinë e kanë vizituar 294 mijë turistë të huaj pra 11,8% më shumë se në mars të 2018.

Shqipëria me bukuritë natyrore dhe vendet mahnitëse ka tërhequr një bum turistësh amerikan ku gati 33% e kanë vizituar vendin tonë gjatë muajit mars.

Kryeministri Edi Rama publikoi shifrat inkurajuese për turizmin.

”Me këto të dhëna inkurajuese për turizmin në Shqipëri edhe gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Gjatë vitit 2018 Shqipëria u bë destinacioni turistik i 6 milionë turistëve të cilët vizituan vendin tonë duke shijuar bukuritë natyrore, bregdetin, vendet e trashëgimisë, mikpritjen si dhe kulinarinë tradicionale. /atsh

Shqipëria me rekord historik, destinacioni i 6 milion turistëve në 2018 Read More »

Kryeministria “pushtohet” nga makinat antike

Dhjetëra makina retro kanë “pushtuar” sot ambientet e jashtme të Kryeministrisë.

Këto mjete historike të bëjnë të rikthehesh pas në kohë në Shqipërinë e para viteve ’90.

Automjetet e vjetra janë parkuar përreth godinës së Kryeministrisë në kuadër të aktivitetit “RETROPUBLIK” që po zhvillohet sot në ambientet e COD – Center For Openness And Dialogue.

Në këtë dëgjesë dhe workshop do të flitet për propozimet për themelimin e rregullave dhe përmirësimin e akteve ligjore për mjetet me interes historik dhe koleksionet./atsh

Kryeministria “pushtohet” nga makinat antike Read More »

Rritet numri i vizitorëve të huaj në fillim të vitit 2019

Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në tremujorin e parë të vitit 2019 u rrit me 2,7% nga viti në vit duke arritur në 695 027, njoftoi sot zyra shqiptare e statistikave.

“Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për arsye argëtimi në periudhën janar-mars u rrit me 2% duke arritur 643 145”, deklaroi INSTAT.

Numri më i lartë i vizitorëve të huaj erdhi nga Kosova, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia.

Vetëm në muajin mars, Shqipëria u vizitua nga 283 910 shtetas të huaj, një rritje me 11,8% në raport me të njëjtën periudhë një vit më parë. Nga kjo shifër, 262 419 erdhën për arsye argëtimi, një rritje me 11,4% në raport me muajin mars 2018.

Në vitin 2018, numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj në Shqipëri u rrit me 16%, duke arritur 5,9 milionë. /atsh

Rritet numri i vizitorëve të huaj në fillim të vitit 2019 Read More »

Dita e Tokës, gjimnazistë nga Tirana e Prishtina aksion pastrimi në Dajt

Në Ditën e Tokës, gjimnazistët e dy shkollave në Prishtinë dhe në Tiranë kanë zhvilluar një aksion pastrimi në malin e Dajtit.

Nxënësit e gjimnazeve “Qemal Stafa” në Tiranë dhe “Xhevdet Doda” Prishtinë, në kuadër të shkëmbimit kulturor midis 2 vendeve, pastruan vullnetarisht mbeturinat që qytetarët kanë lënë në malin e Dajtit pasi kanë bërë piknik.

Dita e Tokës i kushtohet planetit tonë. Me disa veprime të thjeshta, çdokush mund të bëjë diçka për planetin në këtë ditë, ashtu si edhe gjimnazistët e shkollave nga Tirana dhe Prishtina.

Pjesa më e rëndësishme është mbajtja pastër e mjedisit, ndërkohë që nuk duhen përdorur qese plastike.

Edukimi i brezit të ri me sjellje miqësore ndaj mjedisit është investimi afatgjatë në Ditën e Tokës. /j.p/

Dita e Tokës, gjimnazistë nga Tirana e Prishtina aksion pastrimi në Dajt Read More »

Gjiri i Gramës në Orikum – Një nga destinacionet për pushime detare

Një nga destinacionet për pushime detare është dhe Gjiri i Gramës në Orikum.

Saktësisht gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.

Gjiri detar futet deri disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor. Duhet të ketë edhe shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gjir është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë kanë gdhendur aty emrat e shumë të dhëna të tjera.
Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si shpella e shkrimeve. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Gjiri i Gramës në Orikum – Një nga destinacionet për pushime detare Read More »

Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit ndryshon tërësisht pamje

Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, 30 kilometër larg qytetit të Vlorës, është në fazën përfundimtare të rehabilitimit, duke i kthyer dinjitetin kësaj zone me kaq histori dhe me natyrë mbresëlënëse.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të punimeve theksoi sot se “Dukati përfshihet në projektin 100 fshatrat plus. Bashkia e Vlorës zgjodhi që të bëhej një financim, ku me ndihmën edhe të ambasadës së Zvicrës dhe Austrisë u bë i mundur një rikonceptim i sheshit kryesor të fshatit Dukat”.

“Pikërisht në këtë shesh kishte 4-5 objekte të ndërtuara pa leje, gërmadha të ngelura prej 25 viteve në qendrën e fshatit Dukat. Sot kemi një shesh që do t’ia kishte ënda çdo fshati në territorin e bashkisë së Vlorës”, – tha Leli.

Kryetari Leli theksoi se “për arsye të natyrës piktoreske të këtij vendi, të vizitorëve që vijnë, për ushqimin e jashtëzakonshëm që këta njerëz dinë të servirin dhe tavernave që janë pjesë e destinacioneve që njerëzit kanë zgjedhur të vijnë në Dukat, të gjitha këto ishin arsyet që vendosëm të rivitalizojmë me mbështetjen time personale për këtë zonë që ka bërë shumë histori. Sot jemi në fazën finale te kurorëzimit të këtij investimi të madh”.

“Shkolla e kuqe e fshatit është një nga emblemat e qytetarisë dhe arsimdashjes, që ishte një nga kërkesat e komunitetit të kësaj zone që kërkonte që kësaj shkolle t’i kthehej lavdia e dikurshme. Sot shkolla është shndërruar në një objekt social në përdorim të banorëve të zonës”, – nënvizoi Leli.

Kryebashkiaku Leli tha se “gjatë inspektimeve të punimeve dhe mesazheve që banorët dërgojnë në faqen e bashkisë apo në kërkesa të ndryshme ata kanë kërkuar që ky objekt të kthehet në muze të fshatit”.

Ai tha se kam lënë iniciativën të lirë, pasi është komuniteti që do të vendosë si do ta shndërrojë këtë objekt në favor të tij.

Leli bëri të ditur se një nga kërkesat e mëdha që banorët kanë pasur ka qenë ai i qendrës shëndetësore në qendër të fshatit.

“Kjo qendër ka pasur probleme me lagështirën, çatia ka qenë në gjendje shumë të mjeruar, investimi që në kemi bërë është rregullimi i fasadës dhe godinës me simbolikat e godinave historike të kësaj zone”.

Duke u ndalur tek monumentet historike të kësaj zone, Leli përmendi edhe kullën e Dervish Aliut.

“Kulla e Dervish Aliut ka qenë frymëzim për realizimin e këtij projekti dhe bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës po koordinojmë në mënyrë që të riparojmë monopatin në drejtim të kullës, që është objekti më i vizituar në luginën e Llogorasë aty ku kalojnë të gjithë turistët për të shkuar në Llogora dhe bregdet”, – theksoi Leli.

Gjithashtu, vijoi ai, jemi duke punuar me Ministrinë e Kulturës për të restauruar kullën e Dervish Aliut, jemi në hapat e parë të saj, por sot jemi në hapat finalë të këtij projekti.

Sipas tij, projekti ka filluar si një projekt i vogël dhe kemi shtuar gjëra të tjera, do të vazhdojë me segmente të tjera rrugore që të mos mbetemi vetëm tek qendra, por të kemi edhe projekte të tjera.

Kryebashkiaku tha se duhet të rritet edhe iniciativa e komunitetit që të bëhen pjesë e realizimit të investimeve për ta përshtatur qendrën e fshatit Dukat dhe jo vetëm qendrën, por të gjitha godinat që sot mund të përdoren si bujtina për të pritur njerëzit që pëlqejnë klimën malore, të gjitha këto janë në vëmendjen e punës sonë në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës.

“Në katër vitet që vijnë në mandatin e dytë në bashkinë e Vlorës për të pasur rimëkëmbje të qendrave të fshatit. Projekti i rilindjes urbane që ka filluar me qytetet shqiptare që ka ndryshuar faqe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama ka qenë shembulli pozitiv që ndiqet nga projekti 100 fshatrat dhe projektet e tjera që çdo bashki mund të zhvillojë për 100 fshatrat plus, ku një plus është Dukati që nuk ishte në projektin e 100 fshatrave”, – tha Leli.

Fshati Dukat ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasën, e në perëndim laget nga deti Adriatik e ai Jon. Ky fshat piktoresk është i vendosur në këmbët e maleve Paliske e Qore, në një grykë të thellë e të thyer, me përrenj të shumtë. Ai ngelet në shekuj kështjellë e pathyeshme natyrore.

Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit. Më vitin 48 pas Krishtit, pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun. Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.

Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës, ose siç quhet sot mali i Rimit./atsh

Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit ndryshon tërësisht pamje Read More »