Loading...

Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit ndryshon tërësisht pamje

Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, 30 kilometër larg qytetit të Vlorës, është në fazën përfundimtare të rehabilitimit, duke i kthyer dinjitetin kësaj zone me kaq histori dhe me natyrë mbresëlënëse.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të punimeve theksoi sot se “Dukati përfshihet në projektin 100 fshatrat plus. Bashkia e Vlorës zgjodhi që të bëhej një financim, ku me ndihmën edhe të ambasadës së Zvicrës dhe Austrisë u bë i mundur një rikonceptim i sheshit kryesor të fshatit Dukat”.

“Pikërisht në këtë shesh kishte 4-5 objekte të ndërtuara pa leje, gërmadha të ngelura prej 25 viteve në qendrën e fshatit Dukat. Sot kemi një shesh që do t’ia kishte ënda çdo fshati në territorin e bashkisë së Vlorës”, – tha Leli.

Kryetari Leli theksoi se “për arsye të natyrës piktoreske të këtij vendi, të vizitorëve që vijnë, për ushqimin e jashtëzakonshëm që këta njerëz dinë të servirin dhe tavernave që janë pjesë e destinacioneve që njerëzit kanë zgjedhur të vijnë në Dukat, të gjitha këto ishin arsyet që vendosëm të rivitalizojmë me mbështetjen time personale për këtë zonë që ka bërë shumë histori. Sot jemi në fazën finale te kurorëzimit të këtij investimi të madh”.

“Shkolla e kuqe e fshatit është një nga emblemat e qytetarisë dhe arsimdashjes, që ishte një nga kërkesat e komunitetit të kësaj zone që kërkonte që kësaj shkolle t’i kthehej lavdia e dikurshme. Sot shkolla është shndërruar në një objekt social në përdorim të banorëve të zonës”, – nënvizoi Leli.

Kryebashkiaku Leli tha se “gjatë inspektimeve të punimeve dhe mesazheve që banorët dërgojnë në faqen e bashkisë apo në kërkesa të ndryshme ata kanë kërkuar që ky objekt të kthehet në muze të fshatit”.

Ai tha se kam lënë iniciativën të lirë, pasi është komuniteti që do të vendosë si do ta shndërrojë këtë objekt në favor të tij.

Leli bëri të ditur se një nga kërkesat e mëdha që banorët kanë pasur ka qenë ai i qendrës shëndetësore në qendër të fshatit.

“Kjo qendër ka pasur probleme me lagështirën, çatia ka qenë në gjendje shumë të mjeruar, investimi që në kemi bërë është rregullimi i fasadës dhe godinës me simbolikat e godinave historike të kësaj zone”.

Duke u ndalur tek monumentet historike të kësaj zone, Leli përmendi edhe kullën e Dervish Aliut.

“Kulla e Dervish Aliut ka qenë frymëzim për realizimin e këtij projekti dhe bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës po koordinojmë në mënyrë që të riparojmë monopatin në drejtim të kullës, që është objekti më i vizituar në luginën e Llogorasë aty ku kalojnë të gjithë turistët për të shkuar në Llogora dhe bregdet”, – theksoi Leli.

Gjithashtu, vijoi ai, jemi duke punuar me Ministrinë e Kulturës për të restauruar kullën e Dervish Aliut, jemi në hapat e parë të saj, por sot jemi në hapat finalë të këtij projekti.

Sipas tij, projekti ka filluar si një projekt i vogël dhe kemi shtuar gjëra të tjera, do të vazhdojë me segmente të tjera rrugore që të mos mbetemi vetëm tek qendra, por të kemi edhe projekte të tjera.

Kryebashkiaku tha se duhet të rritet edhe iniciativa e komunitetit që të bëhen pjesë e realizimit të investimeve për ta përshtatur qendrën e fshatit Dukat dhe jo vetëm qendrën, por të gjitha godinat që sot mund të përdoren si bujtina për të pritur njerëzit që pëlqejnë klimën malore, të gjitha këto janë në vëmendjen e punës sonë në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës.

“Në katër vitet që vijnë në mandatin e dytë në bashkinë e Vlorës për të pasur rimëkëmbje të qendrave të fshatit. Projekti i rilindjes urbane që ka filluar me qytetet shqiptare që ka ndryshuar faqe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama ka qenë shembulli pozitiv që ndiqet nga projekti 100 fshatrat dhe projektet e tjera që çdo bashki mund të zhvillojë për 100 fshatrat plus, ku një plus është Dukati që nuk ishte në projektin e 100 fshatrave”, – tha Leli.

Fshati Dukat ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasën, e në perëndim laget nga deti Adriatik e ai Jon. Ky fshat piktoresk është i vendosur në këmbët e maleve Paliske e Qore, në një grykë të thellë e të thyer, me përrenj të shumtë. Ai ngelet në shekuj kështjellë e pathyeshme natyrore.

Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit. Më vitin 48 pas Krishtit, pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun. Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.

Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës, ose siç quhet sot mali i Rimit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com