Turizem

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal sot te zhvillimi i sektorit të turizmit gjatë dy viteve të fundit, ndërsa deklaroi se “vetëm këtë vit në territorin shqiptar janë hapur 227 hotele të reja, kryesisht në zonën bregdetare”.

Kjo, sipas tij, ka rritur kapacitetin akomodues, por kemi akoma nevojë për struktura hoteliere në nivele cilësore.

Në një intervistë për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ministri Klosi foli mbi progresin e dukshëm në sektorin e turizmit me investimet në strukturat e reja akomoduese dhe numrin e shtuar të turistëve.

Ai u ndal te bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për 1 paketë gjithëvjetore në turizëm, duke shfrytëzuar resurset tona nga dimri në verë, nga mali në det, nga qendrat historike në monumentet e natyrës, për të rritur numrin e turistëve në të dyja anët e kufirit.

“Detet Adriatik e Jon janë të përbashkëta, ne duhet ta pranojmë gjithnjë e më shumë këtë fakt. Pushuesit kosovar janë ata të cilët kanë krijuar destinacion, kanë ndihmuar që të zhvillohet zona e hotelerisë në Golem dhe tani po zhvillohet shumë hoteleria në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, por edhe në zonën e jugut”, tha Klosi.

Në vitin 2018, sipas ministrit, “1/3 e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri kanë qenë ata me pasaportë kosovare”. “2 milionë kosovarë kanë hyrë në kufirin shqiptar vitin e kaluar dhe kjo është një rritje me rreth 27% më shumë se një vit më parë. Edhe këtë vit përsëri i kanë qëndruar besnik plazheve shqiptare dhe vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e këtij biznesin në Shqipëri”, tha Klosi.

Shqipëria dhe Kosova së bashku, sipas tij, “kanë shumë mundësi për të ofruar më tepër në turizëm”.

Sezonin e ardhshëm, sipas ministrit “do të ketë vëmendje të shtuar e më shumë bashkërendim për festivalet muzikore të rinisë e të shumë aktiviteteve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

“Një falënderim të veçantë për medien që na mbështet duke e bërë më të frytshme aleancën tonë të përbashkët për promovimin e turizmit shqiptar”, tha Klosi. /atsh

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja Read More »

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës

Gjirokastra vijon të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj. Rrugët gjarpërushe janë të mbushura me vizitorë të huaj, disa nga Gjermania, disa nga Holanda, Franca, por ka edhe nga Brazili i largët, të cilët kanë ardhur në vendin tonë për të shijuar pamjen magjepse, kulinarinë dhe kulturën e një vendi që në çdo cep fsheh një histori.

“Jam nga Gjermania. Ne planifikojmë të qëndrojmë dy a tre javë. Fillimisht do të qëndrojmë këtu në Gjirokastër, ndërsa nesër do të shkojmë në Himarë. Gjithashtu duam të vizitojmë edhe Durrësin. Këtu na pëlqen shumë ushqimi”, thotë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare një nga vizitorët

“Ne vijmë nga Holanda. Ne do të qëndrojmë në Shqipëri 14 ditë, ndërsa këtu në Gjirokastër do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Qyteti i Gjirokastrës është i bukur. Në fillim kemi vizituar Tiranën, pastaj vizituam Liqenin e Komanit, ku morëm tragetin për të shkuar në Valbonë”, bën me dije një tjetër vizitor.

“Na pëlqen natyra dhe historia e këtij vendi. Ne vizituam kështjellën, që ishte gjigante dhe shumë objekte këtu janë ruajtur shumë mirë. Po kështu, edhe ushqimi na pëlqen shumë, përfshi kuzhinën tradicionale vendase, sikurse edhe gatime të kuzhinave të huaja, që shërbehen këtu. Për të qenë të sinqertë, tha ai, ne nuk e prisnim këtë mikpritje në Shqipëri. Ky vend tregoi se është tepër mikpritës ndaj nesh si turistë, kështu që kjo është vërtet shumë gjë e bukur. Për Shqipërinë kemi mësuar nga librat”, tha turisti tjetër i intervistuar nga ATSH. “Unë kam blerë edhe nja dy libra kushtuar Shqipërisë”, shtoi ai.

“Kemi mësuar rreth Shqipërisë duke lexuar në internet dhe ishte një dëshirë, veçanërisht e imja për të ardhur në këtë vend. Në internet ofrohet një informacion i gjerë rreth Shqipërisë”, tha turistja.

“Padyshim që ne do të flasim shumë me miqtë tanë në Holandë lidhur me Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur dhe ka aq shumë gjëra të bukura për t’u treguar vizitorëve”, tha ai.

“Ne vizituam edhe Muzeun Kombëtar në Tiranë, ku ishin ekspozuar disa piktura të socializmit, të epokës së kaluar”, theksoi ai.

“Unë vij nga Holanda. Jam këtu prej një jave. Kemi qenë në Ksamil, ndërsa tani po vizitojmë Gjirokastrën. Më pas do të vizitojmë Durrësin dhe Tiranën. Gjirokastra është një qytet shumë i bukur. Po ashtu, edhe Ksamili ishte një plazh shumë i mrekullueshëm, qytet i këndshëm dhe shtëpi të bukura. Edhe ushqimi më pëlqen shumë. Ecja në fakt këtu është paksa e vështirë, pasi kalldrëmet janë shumë të pjerrët. Kam mësuar rreth Shqipërisë kryesisht përmes internetit”, tha një turist tjetër i intervistuar nga ATSH.

“Unë vij nga Anglia, Jorkshire. Këtu jemi me pushime. Do qëndrojmë shtatë ditë. Sot jemi në Gjirokastër dhe dje ishim në Sarandë. Sapo kemi arritur këtu në Gjirokastër. Çdo gjë duket shumë mirë. Duket vend i mirë për të ardhur”, tha turistja.

“Ne jemi nga Gjermania, Mynihu. Do të kalojmë një javë në Shqipëri. Do të udhëtojmë me autobus. Kemi parë Beratin. Tani jemi në Gjirokastër. Do të shkojmë në Pogradec. Do të shohim edhe Syrin e Kaltër. Po, Shqipëria na pëlqen shumë. Vajza ime kaloi katër muaj në Shqipëri dhe ajo me këshilloi të vija. Po, dhe ushqimi tradicional na pëlqeu shumë”, tha një turiste.

“Jam nga Holanda. Këtu erdhëm të dielën. Sot është e premte. Pra, pesë ditë deri tani. Nuk e kemi mbaruar vizitën akoma. Por, na ka pëlqyer mikpritje, miqësia e njerëzve, natyra, klima. Gjërat këtu duken shumë origjinale. Ushqimi është shumë i mirë. Kemi provuar glikonë. Kemi ngrënë patëllxhanë. Dhe kemi pirë raki. Por mua më pëlqen vera. Kështjella ishte goxha e madhe dhe e bukur. Nuk e prisnim të ishte kaq e madhe. Ne kemi mësuar për Shqipërinë nga interneti. Dhe nga një guidë në Holandë. Kemi parë Tiranën, Pogradecin, Përmetin, Korçën dhe tani jemi këtu. Çmimet janë të të lira, shumë më të lira se në Holandë”, tha turistja për ATSH.

“Ne jemi nga Brazili. Nuk kemi pasur informacion për Shqipërinë. Ishim në Korfuz. Thamë, le të shkojmë në një vend tjetër për të cilin nuk dimë gjë, ata na thanë se Shqipëria është më afër të gjithave. Dhe erdhëm këtu. Na pëlqeu vërtet shumë. Kemi qenë në Sarandë. Sot është dita e parë që erdhëm këtu në Gjirokastër për ta eksploruar. Na pëlqeu shumë. Peshku në Sarandë ishte shumë i mirë. Rakia, po ashtu ishte shumë e mirë. Natyrisht do t’i tregojmë dhe miqve. Njerëzit janë të lumtur dhe mikpritës dhe të butë”, thanë disa brazilianë për ATSH.

“Unë jam nga Franca dhe jam këtu prej gjashtë ditësh. Ne sapo erdhëm nga Korça do të rrimë këtu sot dhe nesër do të shkojmë në Rivierë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, janë shumë origjinalë dhe natyra është e mrekullueshme. Edhe ushqimi është shumë i mirë. Çmimet janë sigurisht më të lira se në Europë apo se në Francë, po po janë të lira. Deri tani përvoja më e mirë janë njerëzit, shumë mikpritës dhe shumë të këndshëm”, tha turisti nga Franca për ATSH-në. /atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2363107230628232/?t=0

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës Read More »

Vlorë/ 18% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë

“Numri i turistëve është rritur me 18% në krahasim me një vit më parë”, tha për ATSH, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.

Ai shtoi se java e fundit e korrikut ka pasur një fluks të lartë të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj në qarkun e Vlorës.

Po ashtu, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, thekson se numri i turistëve është rritur në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Për fluksin e turistëve mund të them me bindje të plotë që duke filluar dhe nga java e fundit por dhe duke parë shifrat është me intensitet të lartë rreth deri në 18% rritje në të gjithë qarkun, duke e krahasuar me vitin 2018”, tha ai.

Në fund, Mamaj shtoi se fluksi pritet të rritet gjatë muajt gusht, ndërsa janë marrë masa për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së pushuesve. /atsh

Vlorë/ 18% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë Read More »

Rikthehet në jug Turtle Fest, mijëra turistë dhe mbi 45 DJ nga e gjithë bota spektakël në rivierën shqiptare

Bregdetit tonë të mrekullueshëm të jonit do t’i shtohet akoma më shumë atmosfera këtë fundjavë nga tingujt e një prej festivaleve më argëtuese jo vetëm për pushuesit, por dhe për adhuruesit e zhanreve të ndryshme muzikore.

Festivali Turtle Fest do të hapë dyert e performancave fantastike në një prej perlave të plazheve të jugut, Drymadhes, duke nisur nga e premtja në mbrëmje deri të djelën, përkatësisht në datat 26, 27 dhe 28 korrik.

“Është koha për Turtle Fest. Evenimenti i njohur muzikor për të rinjtë shqiptarë dhe europianë, vjen verën e vitit 2019, në edicionin e tij të 8-ë. 3 netë muzikë, spektakël në brigjet e detit jon, në Drimadhë! Mijëra vizitorë, mbi 45 DJ më të famshëm nga gjithë bota do të shijojnë muzikën, natyrën dhe pamjet spektakolare të rivierës së jugut, në Shqipëri”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. /atsh

Rikthehet në jug Turtle Fest, mijëra turistë dhe mbi 45 DJ nga e gjithë bota spektakël në rivierën shqiptare Read More »

Sezoni turistik/ Fluks i madh i qytetarëve nga Kosova, Veliu inspektim në Morinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, inspektoi që në orët e para të mëngjesit të sotëm Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar në Morinë.

Veliu vlerësoi nga afër zbatimin e masave për përballimin e fluksit ndërsa u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.

Ai porositi drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri.

Veliu gjatë bisedës me drejtuesit e Policisë kufitare u kërkoi atyre që gjatë sezonit shërbimet e policisë qoftë për pikën e Morinës, qoftë për kufirin e gjelbër të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjithashtu Veliu ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.

Gjate inspektimit Veliu ka takuar edhe punonjësit e Policisë kufitare të Kosovës.

Gjatë mëngjesit të sotëm ka patur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm orët e parë të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas.atsh

Sezoni turistik/ Fluks i madh i qytetarëve nga Kosova, Veliu inspektim në Morinë Read More »

Klosi: 6,7 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri këtë vit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në mbrëmje se “kemi një rritje të konsiderueshme të turizmit krahasuar me një vit më parë dhe janë 6,7 milionë të huaj që hynë në vendin tonë këtë vit”.

I ftuar në një studio televizive, Klosi tha se “ne duhet të kemi një lloj krenarie, se në krahasim me vendet e rajonit po ecim shumë shpejt”. “Duke u rritur numri, rritet edhe kërkesa për të rritur çmimet, për tu bërë vend më atraktiv”, – tha ai.

Duke folur për sezonin turistik, Klosi tha se “kriza politike ndikoi shumë, por numri i turistëve është në rritje”. “O ishte sezon me probleme 2019, me shumë frikëra, plasi këtu, plasi aty, do ndodhi, s’do ndodhi, molotovi, debati, sherri, a do ndodhi që Shqipëria të kthehet në 1997, dhe numri i turistëve është në rritje”, – tha ai.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit tha se bashkë me Agjencinë e Turizmit është duke u punuar për të krijuar një strategji të re për detin dhe për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që ofron vendi.

Klosi foli edhe për sfidat e industrisë së turizmit në vendin tonë.

“Turizmi është një biznes që duket i kollajshëm, turizmi hyn te bizneset që kanë të bëjnë me kënaqësitë, ndërkohë që aktorët që e realizojnë këtë biznes vuajnë shumë dhe kanë të gjithë të drejtën e botës të jenë kritikë me politikën, me administratën publike, qendrore e lokale, pasi nuk kemi arritur ende t’u japim atyre peshën dhe vëmendjen e merituar”, – tha ai.

Sipas tij, “problemi më i madh i turizmit, është zgjerimi i sezonit dhe mbushja me alternativa”.

“Sot mund të themi se jemi duke dalë nga ajo faza e turizmit të aventurës, nga ajo adoleshenca aventureske dhe jemi duke u futur në një turizëm të ndryshëm. Pra, që kur turistët të vijnë të kenë mundësi të shkojnë të vizitojnë Krujën, një ngjitje në Tomorr apo një vizitë në lumin e Shalës, etj.”, – tha ai. /atsh

Klosi: 6,7 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri këtë vit Read More »

”The Guardian”: Shqipëria e çuditshme, antike dhe e mrekullueshme

I çuditshëm, antik dhe i mrekullueshëm. Ka shumë për të zbuluar ndërmjet kryqëzimeve kulturore të një vendi që ju siguron një aventurë të vërtetë, shkruan Fiona Dunlop për gazetën e njohur britanike ”The Guardian”.

”Ishte një ujk? Ndërsa makina jonë u hepua në një tjetër kthesë të ngushtë në një fshat shqiptar, një krijesë e çuditshme me qime po na shihte nga buza e rrugës. Pa dyshim që ishte ujk, pasi sapo kishim lënë pas një rezervat natyror, ku një panel për faunën lokale bënte fjalë për një canis lupus identik.

Kjo nuk ishte përvoja e vetme e papritur në vendin e Zogut (mbreti i vetëm i Shqipërisë, në vitet 1920-30), vend që nën diktatorin represiv Enver Hoxha, u mbyll hermetikisht deri në vitet ‘90 nga pjesa tjetër e Europës.

Ne kishim vendosur të nisnim udhëtimin tonë në Korfuz, për të shmangur kaosin dhe shpenzimet në kryeqytetin, Tiranë. Nga gjithë ngushtica, silueta malore e Shqipërisë u shfaq dhe iku çuditshëm si një aureolë, kështu që kur anija jonë më në fund gulçiti në portin e Sarandës, ishte një tronditje të gjeje një xhungël me ndërtesa të ngritura kuturu që përqafonin bregun.

Kjo nisje për në Rivierën Shqiptare nuk ishte për ne, sidoqoftë, si partneri im dhe unë kishim përshkruar udhëtimin tonë rrugor thellë në brendësinë e thyer të jugut, në kërkim të xhevahireve bizantine, bujtinave të çuditshme osmane, xhamive, kështjellave dhe restoranteve që prodhojnë produkte të këndshme lokale.

“Shqipëria ka vetëm një rrugë – ajo shkon deri në Kosovë. Ju nuk mund të humbni!”, na tha ai që na dha makinën me qira në port. Nuk është në fakt ky rast, por në të vërtetë një hartë duhet patjetër. Në këtë vend të çuditshëm, ku makinat private janë vetëm që prej rreth 25 vitesh, parkimi i dyfishtë, ngarjet e gabuara dhe sinjalistika e paqartë rrugore u bënë pjesë e përvojës së pasur.

‘’Mercedes’’-at e fortë dhe SUV-ët plot me shkëlqim ishin normë, por kur rrije me makinë pas një plaku të hipur mbi biçikletë ose mbi një gomar, e gjithë kjo sfidonte shekujt.

Zakonet e tyre janë interesante, sidomos zakoni i lëkundjes së kokës për të thënë ‘’po’’ dhe ai duke u anuar atë për të thënë për ‘’jo’’. Gjuha shqipe në vetvete është ndryshe nga çdo gjuhë tjetër, megjithëse duket nga pak edhe ndikimi italian.

Disa gjëra funksionojnë në anën e kundërt: një mëngjes i bollshëm filloi me kek dhe vazhdoi me djathë, domate dhe suxhuk të fortë para se të mbaronte me vezë dhe, më në fund, kafe me fruta përkrah.

Destinacioni ynë i parë ishte Butrinti, i shpallur zonë e trashëgimisë botërore nga UNESCO-ja, që gjendej në jug të Sarandës. I shpërndarë mbi një gadishull të egër dhe të pyllëzuar dhe i arritshëm përmes një vargu shtigjesh të pashkelura, ai është një shumëllojshmëri e pabesueshme ndërtesash antike greke, romake, bizantine dhe veneciane, ndërkohë që ka edhe një muze të vogël, por madhështor.

Disa orë rrëshqitën si me magji, që u shtuan edhe me pak det dhe lule të egra plot aromë. Jo shumë larg, ndaluam për drekë në restorantin ‘’Shtëpia e midhjeve’’. Në një tavolinë pranë një lagune të madhe, mbuluar nga malet, ne hëngrëm midhje lokale, linguini me fruta deti, peshq të pjekur në skarë dhe verë lokale – të gjitha për 22 stërlina.

Më në fund ia dolëm të mbërrinim në vendin e bukurisë të rajonit, Syri i Kaltër, i cili ndodhet në një luginë të gjelbër. Këtu, ndodhej një burim që dilte nga një shkëmb karstik dhe derdhej në liqenin e tij me çdo variant të mundshëm të smeraldit.

Dukej si një mirazh ose ndoshta një përrallë zanash shqiptare, sepse menjëherë aty pranë pamë atë ujk, dhe jo vetëm atë, por edhe kuaj të egër, tufa delesh dhe dhish, që kullosnin aty pranë.

Gjirokastra, ndalesa jonë e ardhshme, është e njohur për kështjellën e saj dhe lagjet harmonike të stilit osman. Në këtë bukuri përfshiheshin shtëpinë e skalitura të Skëndulëve, ku për të na tregoi një trashëgimtar i familjes, i brezit të njëmbëdhjetë.

Ajo ishte konfiskuar nën regjimin komunist të Hoxhës dhe iu rikthye pronarëve të saj në vitin 1993. Njëkohësisht, ishin mbresëlënëse edhe strehimet e popullsisë nga avionët borbardues, një labirint tunelesh dhe zyrash nëntokësore, një reflektim mbresëlënës i paranojës së regjimit të Hoxhës. Megjithatë, ne nuk mund të fajësojnë ushqimin ose mirësinë e vendasve, të cilët na prisnin me mirësi.

Gryka të larta, male të pjerrëta shkëmbore dhe një industri e lehtë prezente, na ndoqën në veri, përgjatë rrugës kryesore që kalon nëpër qytetet përgjatë lumit të gjerë të Vjosës.

Gërmadha të lashta na prisnin në zonën arkeologjike të Bylisit, një qytet i bukur dhe i braktisur 2 500-vjeçar, para se të mbërrinim në Berat , që për mua ishte një spektakël i vërtetë.

Ky qytet i gjallëruar të përqafonte me ‘’mijëra dritaret e bukura’’ (një tjetër vend i trashëgimisë botërore UNESCO) dhe shtrihej përgjatë lumit Osum mes dy kodrave përballë njëra-tjetrës, të mbushura me shtëpi osmane, me një kështjellë që duket si kurorë në lagjen më të lartë, Mangalemin.

Brenda mureve të kalasë, gjenden kishat mesjetare, dy xhami të shkatërruara, shtëpi private dhe një muze i jashtëzakonshëm i artit bizantin, ndërsa hotelet dhe restorantet me tarifa të ulëta, kishin lulëzuar në brendësi të kalasë.

Ushqimi është i gatuar më së miri në Berat. Një mbrëmje, u ulëm në një dritare të restorantit me një pamje të ndritshme të lumit, ku shijuam një specialitet të gatuar me bretkosa të freskëta nga ujërat poshtë restorantit.

Një tjetër mbrëmje erdhëm në kala për të biseduar me Bashkimin, pronar i restorantit simpatik ‘’Antipatrea’’. Darka përfshinte byrek me spinaq dhe tavë kosi për një total prej 18 stërlinash.

Ndërsa pimë pak verë të kuqe të mirë nga vreshti i tij, Bashkimi na tregoi për 17 vitet e tij të punës në Firence dhe se një e treta e popullsisë së Shqipërisë jetonte jashtë vendit. Gjuha italiane flitet gjerësisht, por edhe anglishtja diku, kështu që komunikimi rrallëherë ishte problem.

Berati ishte aty ku ne kuptuam se si Krishtërimi, Islamizmi, Bektashizmi dhe Judaizmi kanë bashkëjetuar në harmoni për shekuj me radhë në Shqipëri.

Kjo tolerancë u ilustrua nga xhamia e sulltanit të shekullit XV, ende në përdorim, një xhami sufi, një muze i vogël hebre dhe një katedrale madhështore ortodokse.

Nga aty, ku dukeshin malet e largëta të mbuluara me borë, iu drejtuam një rruge të gjatë të rrethuar nga kafenetë e shumta. Dielli po afrohej dhe qindra burra dhe gra shëtisnin përgjatë bulevardit, duke u ndalur për një bisedë ose një kafe.

Ky Bulevard ishte njësoj si shëtitorja italiane apo paseo spanjolle. Pavarësisht nga e kaluara e saj ekzotike, Shqipëria është një vend shumë mesdhetar. Kështu u zbulua se Shqipëria është një udhëkryq kulturor ndriçues ku takohet Greqia, Italia dhe Ballkani. Pas ndryshimit, mendoj se Shqipëria është një vend vërtet i admirueshëm dhe padyshim për t’u vizituar”, përfundon ”The Guardian”./ atsh

”The Guardian”: Shqipëria e çuditshme, antike dhe e mrekullueshme Read More »

“Grand Hotel Tragjasi” garanton cilësi,seriozitet,përkushtim për të gjithë klientët(foto)

Te dashur miq ! Diten e djeshme date 20 Korrik ne hotelin tone kishim te ftuar kengetaren Maya.

Duke pare gjendjen e veshtire ne te cilen po ndodhet edhe turizmi shqipetar keto dite arritem te mblidhnim plot 700 persona nepermjet reklames se fuqishme ne te gjithe qytetin e Vlores dhe Bregdetin e Orikumit.

Duke pare se hoteli yne ofron ne te gjithe Vloren 2 nga sallat me te medha te qytetit eshte nje prove per ne po gjithashtu dhe per kengetaret per te mbushur keto 2 pista gjigande .

Dhe nje Mbretereshe si Maya nuk ka kurrsesi te deshtoi po “zaptoi” te gjithe territorin duke sjelle nje super performance dhe nje pjesmarrje spektakolare qe theksojme se rralle e gjene ne cdo lokal apo hotel ne Vlore.

Ne si Staf i hotelit per diten e djeshme kerkojme ndjese per 2 gjera :

1- Nje ndjese maksimale per te gjithe personat qe erdhen dhe nuk arrinin te gjenin nje tavoline pasi kapaciteti yne ishte maksimal
2- Nje ndjese maksimale dhe me shpirt per te gjithe pjestaret qe paten vonesa ne marrjen e porosive dhe sherbim por ne nje pjesmarrje aq spektakolare jane gjera qe ndodhin .

Ne si Hotel ju garantojme se cdo dite do mundohemi te garantojme cilesi dhe seriozitet per klientet tane . Dihet dhe jemi koshient per cdo gabim njerezor dhe kerkojme ndjese maksimale .
Maya do te jete e ftuar dhe ne Gusht , do te jemi akoma dhe me shume per te garantuar nje stad te larte dhe per te qene lider te eventeve ne Qytetin e Vlores .

“Grand Hotel Tragjasi” garanton cilësi,seriozitet,përkushtim për të gjithë klientët(foto) Read More »