Turizem

Sazani dhe Karaburuni, tërhoqën 4963 turistë vetëm në qershor

Sazani dhe Karaburuni ishte destinacioni i 4963 turistëve vendas e të huaj gjatë muajit qershor të këtij viti, të cilët kanë kanë udhëtuar nga porti i Vlorës me anijet turistike.

Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “në muajin qershor ka pasur një rritje të fluksit të turistëve si nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të turistëve të huaj, të cilët kanë kuriozitet për të parë nga afër këta ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit”.

Sipas portit, nga këta turistë, 1727 kanë qenë të huaj nga vende të ndryshme të botës si si Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, etj.
gjatë sezonit turistik, anijet turistike operojnë me një grafik më të ngjeshur, duke udhëtuar pothuajse përditë.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës.

Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës. /atsh

Sazani dhe Karaburuni, tërhoqën 4963 turistë vetëm në qershor Read More »

Reagim – Faturat marramendëse në jug të vendit.”Kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin”

Çmimet e ushqimeve në restorantet që ndodhen në jug të vendit, sa vijnë dhe rriten, veçanërisht në sezonin e verës.

Pavarësisht cilësisë së ushqimit, e cila në shumë raste lë për të dëshiruar, për të mos thënë që të bën të përfundosh edhe në spital, nëse vendos të hashë një drekë apo darkë në jug, patjetër që duhet të sigurohesh ta kesh xhepin plotë.

Avokati Altin Goxhaj ka publikuar një faturë të kripur, nga e cila i ka bërë përshtypje një prej çmimeve.

Teksa publikon faturën me listën përkatëse, të ngel syri në fund, ku thuhet se një fileto demi prodhim vendi kushton 25 mijë lekë të vjetra.

Sipas avokatit, ky është rasti kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin.

Ai shkruan në rrjetet sociale:

KUR TË HA VIÇI TY DHE JO TI VIÇIN

25 mijë lekë një racion në pjatë me një fileto viçi në Sarandë!
Duket ata te restoranti po nxjerrin fitimin e munguar në kurriz të vikt.imave që u shkelin në lokalet bosh.
Ndaj habitemi ne se si turistët e huaj ndalojnë veç në ato restorante që kanë të publikuar jashtë Listën e Çmimeve. E dinë mirë se ç’duhet bërë që t’a hanë ata viçin dhe jo viçi ata.”

Reagim – Faturat marramendëse në jug të vendit.”Kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin” Read More »

Investimet në turizëm, më pak masivitet dhe më shumë të ardhura

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “bashkë me AIDA-n, më në fund do të çojmë në port disa investime domethënëse në sektorin e turizmit që do të injektojnë sasira të konsiderueshme fondesh”.

Gjatë ceremonisë së organizuar në Fier për fillimin e punimeve për stabilimentin e “Yura Corporation”, për prodhimin e pjesëve të këmbimit për makinat, Rama tha se “këto investime në turizëm do të çelin hapësira të konsiderueshme për punësim”.

Po ashtu ai tha se “do të influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe për zhvillimin e qëndrueshëm, bazuar në më pak masivitet dhe më shumë të ardhura nga turizmi, por edhe në drejtim të forcimit të domosdoshëm të imazhit të Shqipërisë turistike”.

Kryeministri theksoi po ashtu domosdoshmërinë e bashkëpunimit në nivel qendror dhe vendor.

Sa i takon investimit të kompanisë “Yura Corporation”, Rama shprehu kënaqësinë që ky investim ndodh në Fier, një zonë me profil industrial. “Ardhja e kësaj kompanie i jep mundësi për ta ridizenjuar këtë profil dhe hapur perspektivë për kompani të tjera të afrohen”, – tha ai. /atsh

Investimet në turizëm, më pak masivitet dhe më shumë të ardhura Read More »

Klosi: Shqipëria paketë të përbashkët turistike me 6 vende të rajonit

“Shqipëria është pjesë e një diskutimi të përbashkët mes 5 vendeve të rajonit, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Serbi, Mali i Zi, që synon përfshirjen e saj në hartën e destinacioneve turistike të rajonit”, deklaroi sot, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në aktiviteti e organizuar nga RCC në Tiranë.

Klosi tha se për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, megjithëse Shqipëria është pjesë e një projekti të përbashkët të financuar nga RCC (The Regional Cooperation Council), për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e saj si destinacion i qëndrueshëm në rajon dhe Europë, vendi ynë do të kishte sukses nëse do të futej në treg me një ofertë të përbashkët turistike.

“Mendoj që jo vetëm në rajonin e Mesdheut, por të gjithë rajonet kanë filluar të mendojnë si destinacione të përbashkëta pasi tregu i turizmit ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që udhëtojnë ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që përfitojnë nga turizmi ka ndryshuar shumë dhe gjithmonë e më shumë ofertat janë bërë komplekse. Prandaj unë do të doja shumë që t’ju nxisja të gjithëve ju që jeni këtu për të qenë pjesë e ideve të përbashkëta. NE kemi shumë nevojë për ide, për ta parë ndryshe mënyrën si është zhvilluar turizmi deri tani por natyrisht edhe turizmi së bashku me mbrojtjen e mjedisit”, tha ministri Klosi.

Më tej Ministri Klosi shtoi se për këtë arsye, ministri kërkoi asistencën e shoqërisë civile, për të ndihmuar me ide smart, projekte, që nxisin reflektimin e shoqërisë, veçanërisht të intelektualëve të fushës, për përfshirjen e tyre në gjetjen e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit.

Ne vijim Klosi shtoi se “Dua të jem mbase i pari që i bëj kritikës vetes dhe mënyrës së zgjedhur sesi ne akoma i menaxhojmë gjërat për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe të pasurive tona natyrore. Ndaj në këtë kuadër nuk është vetëm ky projekt që është shumë i rëndësishëm, është një projekt që krijon dhe jep grande për shoqërinë civile, për NGO-të, për njerëzit, intelektualët e fushës, në vlera të caktuara financiare të cilat nuk do të doja t’i përmendja pasi nuk mendoj që paratë janë më e rëndësishmja pro janë idetë më të rëndësishme. Edhe ne si institucione shtetërore përpiqemi të jemi pjesë e rrjetit dhe në këtë konkurrencë gjithmonë e më agresive që po bëhet qoftë edhe në fushën e projektit, pasi duhet ta kuptojmë që konkurrojmë me intelektualë nga 6 vendet e rajonit”, tha ai.

“Jemi në konkurrencë të hapur, kush di të mbrojmë më mirë projektet, kush di të paraqesë projekte që influencojnë më shumë sesa një shtet, kush di të lobojë me partnerë e intelektualë të rajonit në përgjithësi për të pasur projekte sa më të ideuara”, tha ministri Klosi, i cili premtoi mbështetje 100% të institucioneve shtetërore dhe agjencive në varësi, që do të mund të shfrytëzohen si laboratorë për çdo projekt dhe ide, që mbrojnë mjedisin dhe nxisin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.atsh

Klosi: Shqipëria paketë të përbashkët turistike me 6 vende të rajonit Read More »

Interes i madh për të vizituar Shqipërinë nga turistët sllovenë

Interesi i turistëve sllovenë për të për të vizituar e kaluar pushimet verore në Shqipëri është rritur.

Këtij fluksi të shtuar, Ambasada e Shqipërisë në Slloveni i është përgjigjur pozitivisht duke ofruar kontakte me agjenci e operatorë turizmi në Shqipëri.

Gjatë periudhës së fundit katër mujore, Ambasada ka intensifikuar veprimtaritë promovuese të turizmit shqiptar.

Ndërkohë ka patur rritje të interesit të qytetarëve sllovenë, studentëve, njerëzve të thjeshtë, zyrtarëve, si dhe atyre të apasionuar për turizmin e aventurës, për të vizituar e kaluar pushimet verore në Shqipëri.

Përveç ofrimit të kontakteve me agjenci e operatorë turizmi në Shqipëri, Ambasada ka vënë në dispozicion materiale e informacion për turizmin e kulinarinë shqiptare, asetet kulturore e historike të vendit, etj.

Interes i madh për të vizituar Shqipërinë nga turistët sllovenë Read More »

Boursorama: Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë

Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë, shkruan Camille Lemarchand e Boursorama, kompani e famshme bankare franceze, aktivitetet e së cilës shtrihen edhe në portalet e njohura të informimit.

Ajo vlerëson se Shqipëria është një destinacion tendencë e korrikut të këtij viti.

”Me një sipërfaqe sa Normandia, Shqipëria që ndodhet vetëm dy orë e gjysmë me avion nga Parisi, ështe një margaritar ende i panjohur nga turistët francezë. Është një vend frankofil, ku shpesh mund të flasësh edhe me banorët. Por, nuk është ky interesi kryesor i këtij destinacioni sekret…

Plazhe përrallore e pothuaj të zbrazura

Shqipëria mburret para së gjithash për autencitetin dhe mikpritjen a banorëve të saj. Ende e ruajtur nga turizmi i masës dhe nga globalizmi, ky vend duket i shkëputur nga koha… sidomos kur futesh brenda masiveve malore të saj që përbëjnë 70% të territorit.

Gjirokastra është një qytet për të cilin ia vlen të bësh ndalesë në mes të këtyre relieveve malore. Shtëpitë e gurta në rrëzë të malit dhe kështjella e saj kanë me të vërtetë vendin që u takon ne Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Për të gjithë ata që janë të dhënë pas rërës së bardhë, Riviera shqiptare është një parajsë. Aty nuk ka zona të mëdha të betonuara, por plazhe të mrekullueshme e pothuajse të zbrazura (gjë që të lejon të ecësh pak në këmbë).

Për të gjithë ata që kërkojnë komfortin e shezlonëve, të aktiviteteve ujore dhe restoranteve ne buzë të detit, Ksamili është i paevitueshëm. I ndodhur përballë ishullit grek të Korfuzit, ky fshat ka plazhet më të bukura të vendit. Popullariteti i tij në rritje po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.

Nëse ju tundon një udhëtim në Shqipëri, mos vononi të rezervoni biletat, sepse shumë shpejt do të bëhet një destinacion i pashmangshëm për turistët europianë”, përfundon Camille Lemarchand e Boursorama-s, kompani e famshme bankare franceze./atsh

Boursorama: Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë Read More »

Gjiri i Vlorës, destinacioni më i ri i garave ndërkombëtare të varkave me vela

Gjiri i Vlorës është zgjedhur këtë sezon si destinacioni më i ri i garave ndërkombëtare të varkave me vela dhe sporteve të tjera ujore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aktivitet, ku 24 veliera erdhën në Vlorë nga Brindizi duke përfshirë për herë të dytë itinerarin Vlorë-Orikum në etapat e regatës të tyre në Gjirin e Vlorës.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga gjiri i Vlorës që këtë sezon është zgjedhur si destinacioni më i ri i garave ndërkombëtare të varkave me vela dhe sporteve të tjera ujore, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Pushuesit dhe turistë e shumtë në Vlorë shijuan gjatë kësaj fundjave një pamje të mrekullueshme të Gjirit të Vlorës ku anijet me vela dhuronin një spektakël i cili ndërthurej mrekullisht me ujërat e kristalta që ky vend ofron.

Ky event gjithashtu bënë të mundur që Vlora të ketë për herë të parë turizëm elitar për një kategori të caktuar, varkat me vela. Në këtë edicion të dytë, ky event vjen me një itinerar të plotë dhe me risi./atsh

Gjiri i Vlorës, destinacioni më i ri i garave ndërkombëtare të varkave me vela Read More »

Regata Brindisi-Vlorë, përafrim kulturash e manifestim miqësie e bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë

24 barka vela, duke përfshirë edhe dy mjete ushtarake të këtij lloji, respektivisht të “Guardia di Finanza” dhe Forcës Detare Ushtarake Italiane, u bënë pjesë e manifestimit sportiv-kulturor “Regata del Grande Salento Bridisi-Valona”, që kulmoi në qytetin jugor bregdetar me tre ditë të mbushura me veprimtari të shumta.

Ky aktivitet, i organizuar nga Lidhja Detare Italiane e Brindisit, Konsullata e Përgjithshme e Italise në Vlorë, Bashkia Vlorë, Kooperacioni Italia dhe Guardi di Finanza, përkonte me edicionin e 9-të, çka e ka shndërruar atë tashmë në një traditë që përsëritet çdo verë.

Mjetet lundruese turistike sportive, ishin nisur nga porti i Brindisit për të mbërritur në Vlorë, ku u zhvillua edhe faza e pasardhëse e këtij manifestimi të përbashkët, edicioni i dytë i Regatës së gjirit të Vlorës.

Edicioni IX i “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, vlerësohet si një nga aktivitetet më të mëdha mes dy brigjeve të Adriatikut dhe përbën një moment kulmor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve që lagen nga i njëjti det.

Pikërisht, tek ky element e shohin simbolikën e këtij manifestimi, organizatorët, duke përcjellë mesazhin se, Adriatiku nuk ndan por afron më tepër dy popujt dhe vendet tona.

Prandaj dhe, jo rastësisht, “Regata…..”, emërtohet ndryshe, “Trofeu i mikpritjes” dhe cilësohet nga organizatorët edhe si një manifestim i vlerave më të mira mes dy popujve.

“Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, lindi 9 vjet më parë, në 2011-ën, në përvjetorin e 20-të të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në Brindisi, si një moment dhe si një mënyrë domethënëse për të kujtuar dhe përshkuar të njëjtin itinerar të shpresës për një ditë të re dhe të ardhme ndryshe.

Ky mesazh, kjo simbolikë, përcillen çdo vit në fillim korriku në atë pikënisje me kahje të kundërt që starton nga Brindisi për të mbërritur në Vlorë dhe anasjelltas, si dëshmi e ndryshimit dhe rrugës së vlerave të përbashkëta.

Por, ky edicion kishte të veçantat e veta, që e bënë atë më të pasur dhe më atraktiv në përmbushjen e qëllimit për të përafruar kultura dhe ide.

Edicioni i Dytë i Regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”, u shndërrua edhe në një garë, në një manifestim sportiv që u ndoq nga qindra qytetarë vlonjatë, turistë të huaj e pushues vendas, të cilët shëtisnin përgjatë Lungomares, apo kishin mbushur plazhet përgjatë saj. Ndërkohë, një tjetër dimension, e pasuroi edhe më tej këtë manifestim. Regatës ju bashkangjit një nismë tjetër domethënëse, kursi për të mësuar lundrimin me barkat me vela, për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë për 6 ditë rresht, një kurs falas për fëmijët e kësaj moshe, si një mënyrë për të promovuar dhe nxitur përhapjen e këtij sporti detar mes të rinjve të qytetit të Vlorës, duke futur kështu një kulturë të re, si pjesë e një të ardhmeje ndryshe në turizmin lokal.

Barkat me vela, që mbushën gjirin detar të Vlorës, duke e pasuruar atë me një dekor dhe atmosferë festive, u shoqëruan edhe me aktivitete të tjera kulturore. Mes tyre, spikati koncerti i sopranos së njohur, Ramona Tullumani dhe baritonit, Solen Alla, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj, që u ndoq nga dhjetra artdashës, në sallën e eventeve të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë.

Ndërkohë, në sheshin e Lungomares, qindra qytetarë vlonjatë, ndoqën koncertin e grupit të njohur nga Puglia, RIONE JUNNO, që mbylli edhe aktivitetet e planifikuara gjatë tre ditëve.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Micheli, e cilësoi “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë. “Mes Italisë dhe Shqipërisë, nuk ka një det, por një autostradë bashkëpunimi dhe miqësie”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që falënderoi organizatorët dhe protagonistët e këtij manifestimi, evidentoi dimensionet e aktivitetit, si dëshmi e forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë, ndërkohë që, e vuri theksin tek risitë që sjell çelja e një shkolle për mësimin e sportit të velave dhe mundësitë që krijohen për të ardhmen, për këtë sport, për të zhvilluar regata në kahjen e kundërt, në atë Vlorë-Brindisi.

Duke falenderuar miqtë nga Italia për kurset falas të ofruara për fëmijët e qytetit në sportin e velave, Leli nënvizoi se, Vlora turistike e 4 vjeçarit të ardhshëm, do të ofrojë për herë të parë turizëm elitar për një kategori të caktuar, varkat me vela. “Një shkollë e veçantë do të ofrojë për gjithë shqiptarët dhe vendet e rajonit, shërbime të certifikuara në det për varkat me vela”, u shpreh kryebashkiaku vlonjat, në përfundim të edicionit të dytë të garës së barkave me vela, që u zhvillua në gjirin detar të Vlorës, si pjesë e “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë” dhe duke prezantuar kështu një nga projektet e tij të këtij mandati.

Ai vuri në dukje kontributin e Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Luana Micheli, të cilën e cilëson një mike të madhe të Vlorës dhe të Shqipërisë.

Manifestimi kulturor-sportiv, “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, u përshëndet edhe nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili e vuri theksin tek domosdoshmëria e hartimit dhe zbatimit në të ardhmen të politikave dhe një strategjie të re për të zhvilluar ekonominë e detit.

Në mjediset e hotel “Vlora International”, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të këtij manifestimi dhe gare sportive, që përcolli edhe mesazhin e mbrojtjes së mjedisit ujor detar, si një pasuri e çmuar./atsh

Regata Brindisi-Vlorë, përafrim kulturash e manifestim miqësie e bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë Read More »