Turizem

Delfinët spektakël të pazakontë në brigjet e Karaburunit

Delfinët kanë dhuruar spektakël për turistët në Karaburun, pranë shpellës së “Haxhi Alisë”.

Delfinët duket se kanë mirëpritur praninë e pushuesve si dhe i kanë ururar mirëseardhjen duke ofruar një spektakël me kërcime në ujërat e detit Jon para turistëve që ishin duke lundruar me anije drejt Karaburunit.

Kryeministri Edi Rama ka uruar mirëmëngjes me pamje nga spektakli i delfinëve në Karaburun.

“Mirëmëngjes dhe me spektaklin e pazakontë që këta delfinë kanë dhuruar dje në brigjet e Karaburunit, ju uroj një muaj sa më të mbarë”, shprehet Rama.

Nuk është hera e parë që delfinët dhurojnë spektakël në ujërat shqiptare.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.

Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/359829668275976/?t=0

Delfinët spektakël të pazakontë në brigjet e Karaburunit Read More »

Turistët e huaj të mahnitur me Shqipërinë: Do të kthehemi sërish

Turistë të huaj nga Suedia, Norvegjia Franca, Gjermania, Irlanda e Kina ndanë përshtypjet e tyre për natyrën e mrekullueshme të vendit tonë, historinë e kulturën, si dhe mikpritjen tradicionale që përcillet nga të rinjtë e Smile Albania.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me përshtypjet e turistëve të huaj të cilët janë mirëpritur nga të rinjtë e “Smile Albania”.

“Ne vijmë nga Suedia. Vizituam Shqipërinë dhe do të kthehemi sërish këtu”, u shprehën një grup turistësh nga vendi nordik.

Një turiste nga Kina tha se e ka shijuar shumë eksperiencën shqiptare. “Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe fantastik. Shpresoj që njerëzit e vendit tim të vijnë dhe të shijojnë miqësinë me këto njerëz dhe pamje të mrekullueshme”, u shpreh turistja kineze.

“Vitin që kaloi, kaluam nga Shqipëria për në Greqi. Na pëlqeu aq pak sa pamë dhe vendosëm të ktheheshim për të vizituar nga veriu në jug. Kemi ngelur të mahnitur nga ajo që kemi vizituar”, tha një çift turistësh nga Franca.

“Ne jemi nga Irlanda, kemi udhëtuar nëpër Shqipëri 2 javë. Ajo që mund t’ju them është se njerëzit janë fantastik, vendet janë të mrekullueshme dhe çdo njeri duhet të vijë dhe të përjetojë një eksperiencë që ndodh një herë në jetë”, u shprehën turistët nga Irlanda.

Ndërsa turistë nga Gjermania u shprehën se “na pëlqen gjithçka në Shqipëri. Kështu është super. Ne do kthehemi sërish këtu në Shqipëri”, tha vajza nga Gjermania./atsh

Turistët e huaj të mahnitur me Shqipërinë: Do të kthehemi sërish Read More »

Programi “100 fshatrat”/ Infrastruktura në mbështetje të agroturizmit nga jugu në veri të vendit

Kryeministri Edi Rama tha se, deri në korrikun e ardhshëm kemi një volum domethënës investimesh me vepra publike dhe në infrastrukturë në dobi turizmit, produkteve bujqësore dhe programit “100 fshatrat” për agroturizmin.

Në konferencën për shtyp paraditen e së martës, Rama tha se, rivitalizimi i parkut të Lurës, Korabit dhe Shebenikut, zona me burime të veçanta mjedisore dhe resurse natyrore do të sjellë dinamikë të re zhvillimi ekonomiko-turistike në këto zona.

Gjithashtu projekti i rrugës Berat-Fier, (zona po potencial të lartë prodhimi bujqësor) është një aks në gjendje të mirë, por shumë i rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë.

“Paralelisht me këto rrugë nacionale ne do të vijojmë me rindërtimin e rrugëve dytësore nga Konispoli, Fieri, Elbasani, Korça etj, zona ku ka nisur zbatimi i programit “100 fshatrat” që mbështet agroturizmin, si fushë e rëndësishme që rrit të ardhurat ekonomike dhe gjeneron zonat rurale”, – u shpreh Rama./atsh

Programi “100 fshatrat”/ Infrastruktura në mbështetje të agroturizmit nga jugu në veri të vendit Read More »

Vlorë, 2100 udhëtarë vendas e të huaj me tragete vetëm fundjavën që lamë pas

Numri i pasagjerëve, emigrantë por edhe turistë të shumtë, që udhëtojnë drejt portit të Vlorës vijon të jetë i lartë gjatë ditëve të fundit të korrikut.

“Gjatë kësaj fundjave në Portin e Vlorës kanë ardhur rreth 2100 pasagjerë, 750 prej të cilëve janë turistë të huaj”, bën të ditur për ATSH-në drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj.

Autoritetet kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve dhe turistëve që hyjnë apo dalin përmes portit detar të Vlorës, duke hapur sportele shtesë.

“Gjatë sezonit të verës po punojmë me 6 sportele në terminal për përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe 3 për makinat”, thekson Malaj.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Porti i Vlorës është i dyti në vend për nga madhësia, pas atij të Durrësit./atsh

Vlorë, 2100 udhëtarë vendas e të huaj me tragete vetëm fundjavën që lamë pas Read More »

Fluks turistësh të huaj në parqet arkeologjike, 130.785 vizitorë në 6 muaj

Parqet arkeologjike në vendin tonë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019.

Këto parqe në Shqipëri kanë pritur 130.785 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2019. Pra mbi 10 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë.

Shqipëri ka një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj. Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to. /atsh

Fluks turistësh të huaj në parqet arkeologjike, 130.785 vizitorë në 6 muaj Read More »

Media zvicerane, Blick: Histori, plazhe dhe mikpritje, Shqipëria ofron gjithçka

Qytete antike, histori të pasur, plazhe të bukura dhe mikpritje të veçantë, por edhe shumë më tepër – kjo është ajo që Shqipëria ka për të ofruar, shkruan media zvicerane Blick.ch, e njohur për informacionet në fushën e politikës, biznesit, sportit, argëtimit, mënyrës së jetesës dhe makinave.

”Ishte hera e parë që shkoja në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Përveç pushimeve në plazhin e Durrësit në vitin 2006, unë nuk kisha qenë kurrë këtu, ndërkohë që punonjësja e kontrollit të pasaportave u tregua shumë e sjellshme gjatë kohës që më informonte”, shprehet autori i këtij shkrimi Fanol Ajdari.

13 vite më vonë, si një shqiptar nga Lugina e Preshevës, unë rikthehem në rrënjët e mia pas një kohe shumë të gjatë. Para së gjithash, ky vend, pa dyshim ka më shumë për të ofruar sesa korrupsioni, krimi dhe trafiku i drogës!

Ngjyrat e një qyteti të projektuar

“I ri, piktoresk dhe i gjallë” është mënyra më e mirë për ta përshkruar kryeqytetin e Shqipërisë. Nëse në sheshin ”Skënderbej” nuk zhvillohet ndonjë event, ju do ta gjeni veten në ndonjë bar ose kafene ose të bëni shopping në dyqanet me produktet më të fundit të modës.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për një kohë të gjatë, popullsia ka qenë e izoluar nga bota e jashtme gjatë regjimit komunist (1944 deri në fillim të viteve 1990). Për t’i dhënë Tiranës një pamje më të gjallë, çatitë e vjetra të shtëpive u janë nënshtruar restaurimit gjatë këtyre viteve të fundit.

Por, historia vazhdon të mbetet: Në hyrje të zonës së ish-Bllokut, ku ndalohej hyrja e qytetarëve të zakonshëm gjatë komunizmit, sot është një kompleks memorial që të kujton viktimat e komunizmit nën drejtimin e Enver Hoxhës (1941-1985) dhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Bum ndërtimi në fortesat turistike

Para se të niseshim drejt jugut, ne morëm ashensorin për t’u ngjitur në majë të kullës së quajtur ”Sky Tower”, ku mund të shijoje pamjen e mrekullueshme të qytetit.

Pastaj vazhduam udhëtimin tonë përgjatë vendeve turistike të Vlorës, Ksamilit dhe Sarandës. Unë mendoj se Riviera Shqiptare është me të vërtetë e bukur dhe e përballueshme, njësoj siç reklamohet në internet; plazhet janë fantastike dhe uji është i kristaltë.

Gjenden kudo hotele të lirë dhe gjysmë të përfunduar. Vendasit janë shumë të sjellshëm.

Të gjitha këto tregojnë se sipërmarrësit bëjnë garë me njëri-tjetrin se kush të ndërtojë hotele më të mëdhenj dhe më luksozë.

Pamja mbresëlënëse e kështjellës së Gjirokastrës

Më tej në jug, pothuajse në kufirin me Greqinë, ndodhet një qytet me rëndësi historike mbi shpatin e Malit të Gjerë, qyteti i gurtë. Është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit më të njohur të Shqipërisë Ismail Kadare (“Kështjella” ose “Kronikë në gur”). Këtë emër e ka marrë nga çatitë gri me rrasa guri dhe kalldrëmet e gurta.

Edhe edhe më mbresëlënëse kalaja që dominon Gjirokastrën. Ndërsa brenda saj gjendet një muze armësh i Luftës së Dytë Botërore, para jush shtrihet një pamje mahnitëse e panoramës malore, Luginës së Drinos dhe zemrës së qytetit të vjetër.

Qyteti i vjetër: Nëse ju pëlqen ushqimi tradicional dhe me çmim të arsyeshëm, ju duhet të vizitoni restorantin ”Odaja”. Aty do të gjeni qofte me domate dhe musaka të shijshme.

Mikpritja shqiptare

Një tjetër sugjerim është qyteti i Beratit. Ky qytet i vjetër ashtu si Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. E vizitova ditën time të fundit – dhe u binda se është me të vërtetë qershia mbi tortë.

Nëse jeni të interesuar për ushqimin, gjëja më e rëndësishme: Ju sugjeroj restorantin e vogël që ofron gatime tradicionale ”Lili” që është pak i fshehur, por sapo të del para syve, duket qartë se përpjekja ia ka vlejtur. Në sfondin e mikpritjes shqiptare, pronari Lili, i cili ka punuar në Zyrih, na tregon gatimet mbi një tavolinë të madhe, të cilat janë përgatitur nga gruaja e tij. Më shumë autenticitet nuk është e mundur! Ne zgjodhëm patëllxhanë mbushur, vezë me gjizë, pilaf me pulë dhe kos dhe verë shtëpie. E gjithë gostia u mbyll me një gotë raki, të cilën e pimë bashkë me Lilin.

Vend i larmishëm me plazhe të bukura

Në Berat mund të shihni shtëpi të shumta me dritare të larta, dhe kjo është arsyeja pse vendi quhet “Qyteti i një mbi një dritareve”. Në 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Ndërtimi i godinave të reja është rreptësisht i ndaluar në tre lagjet e vjetra Mangalem, Gorica dhe Kalaja . Zona e kështjellës është zbukuruar me shumë shtëpi të vogla guri, kisha të ndryshme dhe rrënojat e xhamive. Ja vlen të vizitoni muzeun ”Onufri”, ku gjenden veprat e ikonografit të shquar shqiptar me të njëjtin emër.

Berati është fundi i rrugëtimit tim. Pasi pashë kaq shumë bunkerë komunistë dhe flamuj me shqiponja dykrenare , u ktheva nga Tirana në Zvicër.

Megjithëse vizioni im mund të jetë pak i turbullt, unë jam i sigurt se Shqipëria është një vend kaq shumë i larmishëm me natyrë të virgjër, brigje mahnitës dhe histori interesante. Dhe pavarësisht se turistët gjithmonë nxitojnë, vendasit kanë mbetur po aq mikpritës dhe të dobishëm./ atsh

Media zvicerane, Blick: Histori, plazhe dhe mikpritje, Shqipëria ofron gjithçka Read More »

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, atraksioni më i ri turistik në Pogradec

Parku Ujor Drilon-Tushemisht është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit piktoresk të Pogradecit.

Studioja portugeze e arkitekturës së peizazhit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve (AADF) prezantuan ditët e fundit në Pogradec, projektin e Parkut Ujor Drilon-Tushemisht.

Prezantimi u bë në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Bashkia Pogradec.

Projekti synon ta transformojë zonën në një destinacion të pakrahasueshëm ekoturistik, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara.

Në takim u parashtruan sfidat që dalin përpara në realizimin e këtij projekti. Tushemishti është përfshirë në programin e “100 fshatrave” dhe shihet me përparësi planifikimi i investimeve në infrastrukturë, të cilat do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë. /atsh

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, atraksioni më i ri turistik në Pogradec Read More »

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal sot te zhvillimi i sektorit të turizmit gjatë dy viteve të fundit, ndërsa deklaroi se “vetëm këtë vit në territorin shqiptar janë hapur 227 hotele të reja, kryesisht në zonën bregdetare”.

Kjo, sipas tij, ka rritur kapacitetin akomodues, por kemi akoma nevojë për struktura hoteliere në nivele cilësore.

Në një intervistë për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ministri Klosi foli mbi progresin e dukshëm në sektorin e turizmit me investimet në strukturat e reja akomoduese dhe numrin e shtuar të turistëve.

Ai u ndal te bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për 1 paketë gjithëvjetore në turizëm, duke shfrytëzuar resurset tona nga dimri në verë, nga mali në det, nga qendrat historike në monumentet e natyrës, për të rritur numrin e turistëve në të dyja anët e kufirit.

“Detet Adriatik e Jon janë të përbashkëta, ne duhet ta pranojmë gjithnjë e më shumë këtë fakt. Pushuesit kosovar janë ata të cilët kanë krijuar destinacion, kanë ndihmuar që të zhvillohet zona e hotelerisë në Golem dhe tani po zhvillohet shumë hoteleria në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, por edhe në zonën e jugut”, tha Klosi.

Në vitin 2018, sipas ministrit, “1/3 e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri kanë qenë ata me pasaportë kosovare”. “2 milionë kosovarë kanë hyrë në kufirin shqiptar vitin e kaluar dhe kjo është një rritje me rreth 27% më shumë se një vit më parë. Edhe këtë vit përsëri i kanë qëndruar besnik plazheve shqiptare dhe vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e këtij biznesin në Shqipëri”, tha Klosi.

Shqipëria dhe Kosova së bashku, sipas tij, “kanë shumë mundësi për të ofruar më tepër në turizëm”.

Sezonin e ardhshëm, sipas ministrit “do të ketë vëmendje të shtuar e më shumë bashkërendim për festivalet muzikore të rinisë e të shumë aktiviteteve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

“Një falënderim të veçantë për medien që na mbështet duke e bërë më të frytshme aleancën tonë të përbashkët për promovimin e turizmit shqiptar”, tha Klosi. /atsh

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja Read More »