Turizem

Turizmi këtë verë me rregulla të reja

Dy javët e parë të majit do të jenë një fazë përcaktuese për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila shpreson të çelë sezonin turistik në muajin qershor.

Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tha në një prononcim për mediet se “kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”.

Sipas saj, ministritë e Turizmit dhe të Shëndetësisë do të mbyllin brenda kësaj jave librin e rregullave për turizmin, me masa të veçanta për stacionet e plazhit, shërbimet hoteliere, baret e restorantet.

“Distanca dy metra e personit me personin, do të thotë që në zbatimet në terren në një stacion plazhi, një çadër nga një tjetër duket të ketë një hapësirë prej 4 metra. Edhe për tavolinat në restorante po mendohet që distanca e tavolinave dhe karrigeve nga njëra-tjetra të shkojë deri në 3 metra. Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, në mënyrë që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend”, nënvizoi Moçka.

Ajo tha se “do ketë rregulla edhe për turizmin në natyrë, sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”.

Ndërsa ministri Klosi tha dje në një intervistë televizive se “për plazhet kemi një rregullore të re masash. Kemi propozuar dy variante, por një nga modelet është distanca për çadrat 3.5 metra horizontalisht”. /atsh

Turizmi këtë verë me rregulla të reja Read More »

COVID-19 shkatërrues për sektorin e turizmit

Pasojat e koronavirusit të ri në sektorin e turizmit do të jenë shkatërruese dhe kompanitë e vogla do të vuajnë më shumë, theksoi sot një zëdhënës i Komisionit Europian.

“Bashkimi Europian po punon për një përgjigje të përbashkët”, shtoi ai duke zbuluar dhe propozimet e komisionerit Thierry Breton mbi një takim të ministrave europianë të Turizmit.

Në Kontinentin e Vjetër, disa vende po përgatiten të heqin gradualisht ose kanë lehtësuar kufizimet.

Norvegjia rihapi shkollat. Një javë pas hapjes së çerdheve dhe kopshteve, është radha e fëmijëve të moshës gjashtë deri në dhjetë vjeç për të shkuar në shkollë, në klasa deri në 15 nxënës.

Zvicra sot filloi hapjen e parukerive, luleshitësve, ndër bizneseve e lejuara të funksionojnë.

Edhe në Gjermani dhe Austri, një pjesë e madhe e dyqaneve janë rihapur ditët e fundit, me paralajmërime të rrepta të distancimit shoqëror dhe vënien e detyrueshme të maskave ​​në hapësira publike.

Në Spanjë, pas gjashtë javësh të mbyllur në shtëpi, fëmijët që nga e diela mund të fillojnë përsëri të luajnë në rrugë, me një numër të caktuar kufizimesh. Ndalimi është zgjatur deri më 9 maj dhe qeveria do të paraqesë planin e saj të lehtësimit nesër.

Kryeministri francez Edouard Philippe, gjithashtu, do të zbulojë nesër strategjinë e tij për daljen nga kufizimi, i cili do të fillojë më 11 maj, me një rihapje graduale, por të diskutueshme të shkollave.

Italia pritet të përcaktojë në faza, në fillim të javës, masat që planifikon të marrë duke filluar nga 4 maji.

Shkollat ​​do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator, por bizneset strategjike në ekonominë e tretë europiane janë lejuar të rihapen./atsh

COVID-19 shkatërrues për sektorin e turizmit Read More »

Sazan-Karaburun destinacion turistik, Klosi: 10 Vjet Park Kombëtar Detar

Bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan e kanë kthyer atë në një nga destinacionet më të bukura turistike në vend, ku çdo vit vizitohet mijëra turistë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e cilëson ato një pasuri natyrore që ndihmon vendin tonë në kultivimin e një turizmi të qëndrueshëm.
“Parku Kombëtarë Detar, Sazan-Karaburun është një pasuri natyrore e të gjithëve, na ndihmoni ta ruajmë dhe të zhvillojmë turizëm të qëndrueshëm. Ju keni nevojë për parkun, aq sa edhe ai ka nevojë për ty sot…”, – nënvizoi Klosi.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit. Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh

Sazan-Karaburun destinacion turistik, Klosi: 10 Vjet Park Kombëtar Detar Read More »

Parku Kombëtar Detar, Karaburun-Sazan 10 vjet zonë e mbrojtur

UNDP Albania solli sot në vëmendje se Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan mbush 10 vite si zona e parë dhe e vetme detare e mbrojtur në Shqipëri.

UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, po mbështet projektin “Përmirësimi i mbulimit dhe menaxhimit efektiv të Zonave të Mbrojtura Detare”, me mbështetjen financiare të Qeverisë italiane, përmes AICS Tirana, dhe Global Environmental Facility (Global Environment Facility), i cili ka në fokus kryesor të sigurojë mbrojtjen afatgjatë të biodiversitetit detar dhe bregdetar në Shqipëri. /atsh

Parku Kombëtar Detar, Karaburun-Sazan 10 vjet zonë e mbrojtur Read More »

A do bëjmë pushime këtë vit apo jo? Mjeku Pëllumb Pipero jep lajmin që e prisnin të gjithë

Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero në një intervistë për “Mbrëmje në ABC”, shprehet se piku i koronavirusit në vend ka kaluar dhe sipas mjekut këtë verë shqiptarët do të kenë mundësinë të bëjnë pushime.

Pipero tha se do të ketë turizëm të brendshëm, por mund të bëhet një marrëveshje edhe me vendet e rajonit.

“Unë besoj se do të kemi sezon turistik, natyrisht të brendshëm. Por mendoj se janë të gjitha gjasat që me një mirëkuptim me vendet e rajonit, ku kemi pak a shumë të njëjtën mënyrë jetese, unë mendoj se mund të arrihet që jo vetëm ne të mund të shkojmë por edhe ata të vinë te ne.

Do të inkurajoja edhe një marrëveshje të mundshme”, tha Pipero.

A do bëjmë pushime këtë vit apo jo? Mjeku Pëllumb Pipero jep lajmin që e prisnin të gjithë Read More »

Klosi: Nga fundi i majit mund të kemi fluturimet e para charter me turistë

Nga fundi i muajit maj apo fillimqershori mund të fillojnë fluturimet e para charter me turistë drejt vendit tonë nën masa shumë strikte higjieno-sanitare dhe ruajtjen e distancimit social.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë një interviste televizive theksoi se, duke parë situatën e krijuar nga COVID 19, këtë vit, do të jetë një turizëm i vështirë, por që do të nis të funksionojë por pa humbur vigjilencën. Ministri Klosi tha se mbi 80 % e turistëve vijnë në rrugë tokësore kryesisht nga rajoni.

“Në fund të muajit maj ose fillimqershori nëse gjërat shkojnë kështu siç mendojnë se po shkojnë do të fillojnë Charter-at e parë me udhëtim të dedikuar dhe me kontrolle shumë strikte me turistë të huaj dhe me kontroll të madh të higjienës, distancimit social. Do të jetë një turizëm i vështirtë, por edhe një turizëm që do të fillojë të mbajë të gjithë sistemin e turizmin. Pra shpresojmë të nisim me Charter-at e parë, kompanitë e transportit dhe prenotimet e para. Me këto kushte që kemi por pa humbur vigjilencën ne do të kemi padyshim dhe këtë vit turizëm të organizuara”,- tha Klosi.

“Asgjë nuk do të jetë siç ka qenë, nuk do të kemi organizim e të madh e festa të mëdha, disko apo schuma-party, por struktura që duhet të menaxhohen në mënyrë shumë të organizuar për të ruajtur higjienën dhe distancimin. Jemi ende në fazën e duarve me shkumë dhe jo schuma-party”, u shpreh ministri Klosi.

“Mbi 80 % e turistëve vijnë nga toka shumë më tepër vizitor do të vijnë nga rajoni nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnja apo Bullgaria. Sektori ka nevojë që të jetë solid pasi nuk funksionon dot vetëm nga një hotel dhe restorant, por janë mbi 200 mijë kontributor direkt ose indirekt në këtë sektor”-, theksoi Klosi. /atsh

Klosi: Nga fundi i majit mund të kemi fluturimet e para charter me turistë Read More »

“Çfarë mrekullish ka Shqipëria”, Rama ndan videon e flamingove rozë në ujërat e kripur të vendit

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot pamje të mrekullueshme nga bregu perëndimor i vendit, ku si pasojë e izolimit të krijuar nga situata e COVID-19 është shtuar numri i flamingove rozë dhe shpendëve të tjerë.

“Çfarë mrekullish ka Shqipëria”, tha Rama ndërsa ndau videon.

Flamingot rozë po shtohen në Shqipëri e tashmë zbaviten në ujërat e kripur në bregun perëndimor të vendit. Në numër janë shtuar deri tre here, teksa shijojnë qetësinë e rivendosur gjatë mbylljen në shtëpi nga situata e COVID-19.

Ata nuk janë të vetmit shpendë që po shtrijnë krahët. Pelikani kaçurrel po ashtu po shtohet në këtë qetësi. Ruajtësit e tyre shpresojnë që qetësia do t’i shtyjë zogjtë të riprodhohen. /atsh

blob:https://www.facebook.com/2e97c239-a650-48c5-abb3-2a540be573da

“Çfarë mrekullish ka Shqipëria”, Rama ndan videon e flamingove rozë në ujërat e kripur të vendit Read More »

Klosi: Turizmin do ta nisim më shpejt se rajoni, vera shënon rihapjen e plotë të vendit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi sot se “vera do të shënojë rihapjen e gjithë jetës sociale të vendit dhe kjo do të shoqërohet me masa më të larta sa i përket higjienës dhe distancimit social, por turizmi do të jetë injeksioni i parë që do të hyjë në ekonomi, edhe me para të ardhura nga jashtë, por edhe brenda”.

Në një intervistë televizive ministri Klosi tha se “virusi po kontrollohet për momentin shumë më mirë se më përpara. Kemi lajme të mira për gjetjen e kurës dhe vaksinës, ndaj duhet të fillojmë të mendojmë se fundi i muajit maj do të ketë shumë më tepër lehtësira sa i përket sektorit të turizmit”.

Ministri Klosi u shpreh se “me gjithë dëshirën për një hapje sa më të shpejtë të qeverisë shqiptare, vendimi i takon institucioneve përgjegjëse, që është shëndetësia dhe task-forca”.

“Formula është të shohim se si veprojnë partnerët ndërkombëtarë të operatorëve tanë turistikë, por të gjitha gjasat janë që sektori tek ne të hapet më shpejt se rajoni”, – nënvizoi Klosi.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që turistët e huaj të cilët kanë shprehur dëshirën të pushojnë në Shqipëri dhe janë nga vende më pak të prekura si Çekia, Ukraina etj., të transportohen më charter, por shtoi se nuk mund të flitet për vendimmarrje në këtë rast, pasi kjo do të nënkuptonte kontrata, të cilat nëse nuk realizohen sjellin humbje për të dyja palët.

“Jam optimist, duke parë energjinë që ka turizmi në Shqipëri, i kemi mundësitë që të bëjmë një lëvizje të shpejtë në treg”, tha Klosi.

Ministri e përjashtoi mundësinë që këtë vit të kemi plazhin klasik me grumbullime e festa, pasi kjo gjë tha ai është e pamenaxhueshme, por shtoi se po diskutohen të gjitha mundësitë që mund të ofrojnë strukturat hoteliere në Shqipëri.

“Do kemi rregulla për hotelerinë, që nga ushqimi i ofruar në mënyrë individuale, jo ne restorante, në bare në natyrë apo me distancë”, tha ai.

Klosi u shpreh se “turizmi është sektori që ka përfituar nga të dyja paketat financiare të qeverisë”./atsh

Klosi: Turizmin do ta nisim më shpejt se rajoni, vera shënon rihapjen e plotë të vendit Read More »