Turizem

Vlorë: Qendra Historike, dëshmi e vlerave të traditës në arkitekturë

Qendra Historike, ose Vlora e Vjetër, e rikonstruktuar përmes një projekti të përbashkët të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit(AADF) dhe Qeverisë Shqiptare, është shndërruar tashmë në një mjedis atraktiv dhe me interes për vizitorët.

Kjo hapësirë me vlera të shumëfishta, përmbledh në vetvete historinë e qytetit, ngjarje e momente me rëndësi kombëtare e mbarëkombëtare, ndërkohë që evokon segmente të të shkuarës shumëshekullore në aspekte të ndryshme, një prej të cilave është tradita në arkitekturë.

Ndërtimet në këtë zonë, të evokuara në kohë përmes procesit të restaurimit selektiv dhe në tërësi, përfaqësojnë vlera të vërteta në arkitekturë, të materializuara në shekujt XIX dhe XX, vazhdë e traditave shumë më të hershme.

Në këndvështrimin e historisë së arkitekturës, nuk mund të flitet për një banesë tipike vlonjate, si element urban, ashtu siç përkufizohet dhe veçohen banesat tiranase, shkodrane, elebasanase, beratase, gjirokastrite e korçare. Kjo, sepse, banesa qytetare e realizuar në Vlorë në dy shekujt e fundit, është një përzierje stilesh dhe ndikimesh, e kushtëzuar nga një sërë faktorësh ku përfshihen edhe mentaliteti edhe niveli ekonomik i individëve, ashtu si edhe zhvillimi shumëdimensional i vetë qytetit. E trajtuar në këtë këndvështrim, banesa në Vlorë përfaqëson një tërësi, një simbol ndikimesh e gjykimesh për përditshmërinë.

Në Vlorën e Vjetër, në çdo godinë apo banesë të saj, ne zbulojmë të gjitha fazat e zhvillimit të arkitekturës shqiptare, të materializuara në nivelin lokal. Ndeshim traditën qytetare në ndërtim, stilet arkitekturore otomane dhe më tej, ndikimin e arkitekturës italiane, në variantet e saj neoklasike dhe moderne në katër dekadat e para të shekullit XX, ndikime të stilit austriak etj, të selektuara në raste të veçanta etj.

Këtu, ne hasim dhe shijojmë mrekullinë e artit arkitektonik të të njohurve Gherardo Bosio e Morpurgo, Paolo Palleri etj, të cilët me talentin dhe fantazinë e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Vlorën e Vjetër dhe njëkohësisht të re, ashtu sikundër edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Banesat e shekujve XIX dhe XX në Vlorën e Vjetër, janë produkt i këndvështrimeve të ndryshme, janë përzierje e banesës qytetare beratase, gjirokastrite, korçare, por edhe më gjerë, ashtu si edhe e përvojës së mjeshtrave popullorë që kanë ndërtuar dhe që vinin kryesisht nga Korça, Panariti e Dibra(Golloborda), mes të cilëve Usta Nuredini e Usta Hasani.

Prandaj dhe çdo banesë e ndërtuar në Vlorë në periudhën e dy shekujve të fundit, duhet lexuar në atë që shfaq dhe në atë që mban të fshehur.

Vlora, për shkak të pozicionit gjeografik, vlerësohet të ketë qenë historikisht një qytet i hapur, një destinacion për migrimin e brendshëm dhe rajonal.

Familje me origjinë nga zona dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, nga Berati, Korça, Gjirokastra, Tirana, kanë mbërritur në këtë qytet, duke sjellë me vete edhe mentalitetin, traditën në stilin e jetesës, në përditshmëri, në ndërtim. Përmes aktivitetit ekonomik tregtar, apo prodhues, kanë rritur standardin ekonomik dhe kanë ndërtuar për të jetuar më mirë, por edhe për të treguar. Sepse, banesa, si njësia bazë e jetesës, është vlerësuar edhe si tregues i pozicionit të individit në shoqëri, si shfaqje e nivelit ekonomik të një familjeje.

Ky tipar i shoqërisë shqiptare në tërësi dhe asaj vlonjate në rastin konkret, reflektohet në çdo godinë të Qendrës Historike të Vlorës, në çdo banesë të kësaj lagjeje të njohur me emrin e saj historik “Muradie”, ku ishin vendosur dhe ndërtuan shtëpitë, pjesa më e madhe e familjeve të pasura, apo të njohura në Vlorë.

Banesa të tilla, si ato të familjeve Bezhani, Strati, Papa, Skrami, Karbunara, Dëma, Kuçi, Seit Qemali, Kume, Sorra, Koleka, Papa, Aristidh Ruçi, Shehu, Shyti, Hoxha, Levi e Jakoel, Matathia, Shamo, Beqa, Dhimitriadhi etj, përfaqësojnë jo vetëm shkëlqimin e pronarëve të tyre, por edhe arritje të spikatura në aspektin arkitekturor.

Sot, të restauruara, ato kanë fituar një dimension tjetër, në një hapësirë të ndryshuar, e cila pritet të shndërrohet në një pol të ri të zhvillimit të qytetit të Vlorës.

Prandaj dhe, në këtë zonë gjen dhe zbulon të gjithë Shqipërinë, personazhe që kanë lënë gjurmë në historinë e saj, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Marigo Posion e Babë Dudë Karbunarën, Avni Rustemin e Fan Nolin, ashtu sikurse edhe ngjarje të përmasave kombëtare si Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, Revolucioni Demokratik i Qershorit etj.

Kështu, Qendra Historike e Vlorës, përmes këtij projekti të financuar nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit(AADF) dhe Qeveria Shqiptare, përjeton tri dimensionet kohore, duke evokuar të shkuarën në funksion të të tashmes dhe të perspektivës./atsh

Vlorë: Qendra Historike, dëshmi e vlerave të traditës në arkitekturë Read More »

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Presidenti Ilir Meta bëri apel për të mos lejuar më që keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndotja e ajrit të dëmtojnë jetët tona.

“Të zgjohemi dhe të mos lejojmë që betoni të zhdukë hapësirat dhe kurorat e gjelbra të qyteteve, që lejet abuzive dhe papërgjegjshmëria të sharrojnë pyjet e jashtëzakonshme, malet t’i kthejnë në gurore, detin ta ndotin dhe bregdetin ta shkatërrojnë, që HEC-et dhe shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve”, tha Meta.

Sipas tij, “Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës, por të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur çdo dhuratë që na ka falur Zoti”.

“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët! Ta mbajmë të pastër e të gjelbër, dhe një vend të mirë e të shëndetshëm për të jetuar. Do të jem në mbështetje të shoqërisë civile, aktivistëve të ndershëm e patriotë dhe çdo komuniteti që duke mbrojtur mjedisin dhe bukuritë natyrore mbron të ardhmen e begatë të Shqipërisë”, tha Meta. /atsh

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës Read More »

Aplikimi në e-albania për stacionet e plazhit/ Shmang zvarritjet dhe allishverishet e së shkuarës, garanton paprekshmërinë e plazheve publike

Këtë sezon turistik, hotelierët duhet të aplikojnë te e-Albania për stacionet e plazhit.

“Në e-Albania https://e-albania.al/ .aplikim për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, për të garantuar sa më shumë siguri në mbrojtjen e shëndetit dhe për të mos lejuar më zaptimin e plazheve që për 30 vjet u ka nxirë pushimet njerëzve të këtij vendi”,- theksoi sot kryeministri Edi Rama, duke dhënë informacion sesi mund të aplikohet.

“Subjektet akomoduese apo të shërbimit duhet të aplikojnë në e-Albania për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit përgjatë gjithë sezonit 2020, duke marrë përgjegjësi për zbatimin e rregullave dhe mosshmangur asnjë detyrim ndaj qytetarëve, bashkisë, shtetit. Aplikimi është i thjeshtë dhe mund të bëhet edhe nga telefoni. Një sistem i ri këtë vit, që siguron transparencë, shmang zvarritjet po edhe allishverishet e të shkuarës dhe garanton paprekshmërinë e plazheve publike”,- u shpreh kryeministri Rama.

“Zero kosto, zero ecejake, zero rryshfet!Me https://e-albania.al/ , sezon të mbarë turistik”,- shtoi Rama.

/atsh

Aplikimi në e-albania për stacionet e plazhit/ Shmang zvarritjet dhe allishverishet e së shkuarës, garanton paprekshmërinë e plazheve publike Read More »

Klosi: Përgatitjet kanë filluar gjerësisht, këtë vit menaxhim ndryshe i vijës bregdetare

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “të gjitha strukturat hoteliere janë aktive, ndërsa përgatitjet për sezonin turistik kanë filluar gjerësisht”.

Në një intervistë televizive, Klosi theksoi se “ditët e fundit kam qenë në të gjithë zonën bregdetare. Këtë vit në plazhet shqiptare do të ketë një menaxhim krejt ndryshe të vijës bregdetare. Zona e bregdetit është një pasuri kombëtare dhe nuk mund të uzurpohet”.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në vite ka qenë uzurpim, ku çdo qytetar që shkonte për të bërë plazh duhet të gjendej përballë një njeriu që e shiste shezlongun dhe çadrën.

“Ajo që kërkohet këtë radhë është që të rriten më shumë hapësirat publike si dhe të garantohen të gjitha standardet si dushet, tualetet, rojet bregdetare”, – tha Klosi.

I pyetur nëse do të ketë rritje çmimi, Klosi tha se “jo nuk ka logjikë, është debat shterpë sepse nuk ka arsye të ketë rritje çmimesh, pasi edhe kërkesa do të jetë më e ulët. Për sa kohë do të kemi me pak vizitorë, më pak turistë është e pamundur që të rriten çmimet”.

“Shqipërinë e kemi 400 km vijë bregdetare, nga e cila më pak se 13% uzurpohet. Pra mbi 85 % është zonë e lirë. Ne shikojmë shumë plazhe si ai Dhërmiut që kanë hapësira të mëdha publike. Por edhe ata që do të marrin zonat e plazhit para hotelit do të kenë detyrimin që brenda kontratës që lidhin 80% do ta menaxhojnë me shezlongë, ndërsa 20 % do t’ia lënë publikut”, – nënvizoi Klosi.

“Në muajin qershor do të kemi turizëm tokësor, prandaj ftojmë shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut të vijnë në Shqipëri”, – tha Klosi.

Në lidhje me çarterat që do të vijnë në vendin tonë, ministri Klosi tha se “brenda dy javëve të para do vijën çartera nga Ukraina, Bjellorusia dhe Polonia”./atsh

Klosi: Përgatitjet kanë filluar gjerësisht, këtë vit menaxhim ndryshe i vijës bregdetare Read More »

Turizëm në Tragjas/ Në fshat distanca respektohet më lehtë

Turizmi po rikonceptohet ne kushte pandemie.

Por ka disa zona në Shqipëri ku për shkak të relievit edhe distanca respektohet më lehtë.

Një prej tyre është dhe fshati Tragjas, ku bizneset e zonës kanë punuar që prej rihapjes së aktiviteteve.

Sofon e gjejmë duke bërë gati mishin e kecit për ta pjekur në saç. Edhe pse larg zonave urbane, puna këtu nuk mungon.

Qetësia, bukuria natyrore por tani edhe mundësia për të qenë larg të tjerëve i bën zona si Tragjasi mjaft tërheqëse, edhe pse ka një problem që mbetet në cdo kohë e që nuk pritet ta rregullojë as pandemia, rruga e pashtruar prej 3 km nga aksi nacional e cila pershkohet per 40 minuta.

Turizëm në Tragjas/ Në fshat distanca respektohet më lehtë Read More »

Nuk ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin, po diskutohet shtyrja në vijën bregdetare

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “për sa i përket gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka arsye për të bërë shtyrje të përgjithshme por po ekzaminojmë idenë e një zone të kufizuar vetëm në vijën bregdetare”.

Rama tha se “kjo po diskutohet për të pasur gjatë sezonit të verës mundësinë që të ushtrojmë fuqinë legjislative në përballje të kësaj situate, për të ndihmuar në mbrojtjen nga përhapja”.

“Nëse nuk do të kemi një shtyrje të përgjithshme do të kemi një zonim vetëm në vijën bregdetare pa përfshirë zonat urbane. Jo në Durrës por në plazhin e Durrësit, jo në Vlorë por në plazhin e Vlorës. Kjo është diçka që po e studiojmë sepse mendojmë se do të ishte ndihmëse për njerëzit e shtetin”, tha Rama.

Ai theksoi se “sot ka përfunduar edhe gjithë procesi i ndërtimit të platformës për të aplikuar online për administrimin e plazheve nga subjektet private, një proces i qendërzuar nga një autoritet i përkohshëm për këtë fazë. Do të bëjmë atë që duhet për të mos lejuar pushtimin e plazheve publike masivisht”.

Rama tha se “do të jemi racional sepse nuk është se do ta fshijmë fare administrimin privat të hapësirave publike, kjo do të bëhet edhe sipas kushteve të caktuara”.

“Do të kërkohet për një sipërfaqe të caktuar apo për një numër të caktuar çadrash për të cilat përgjigjet para ligjit. Kjo për të mbrojtur njerëzit. Nuk besoj se ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin përveç plazhit, por akoma nuk e kemi marrë këtë vendim”, tha Rama. /atsh

Nuk ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin, po diskutohet shtyrja në vijën bregdetare Read More »

Sezoni turistik 1 qershor-15 nëntor/ Rregullat e marrjes së hapësirave për plazh nga hotelet dhe restorantet

Sezoni turistik këtë vit do të jetë nga 1 qershori deri më 15 nëntor, ndërsa nga dita e sotme ka nisur aplikimi në e-albania për plazhet private që do të zgjasë deri më 14 qershor.

Rregullat se si do të bëhet plazh dhe mënyra se si do të vendosen stacionet e plazhit në vijën bregdetare janë përcaktuar në vendimin e botuar sot në Fletoren Zyrtare.

Në mbështetje të ligjit “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi që për vitin 2020, në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, hapja e sezonit turistik si dhe dokumentacioni, procedura e miratimit, monitorimi për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi bëhen sipas parashikimeve të këtij neni.

Për mbarëvajtjen dhe monitorimin e veprimtarisë së sezonit turistik ngrihet Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMST), që kryesohet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të nivelit të lartë nga: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Detyrat e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik janë: miratimi i hartës së stacioneve të plazheve si dhe plazheve publike, të cilat pajisen me një numër të veçantë identifikues,që publikohet në momentin e hapjes së aplikimit online, sipas listës së plazheve; monitorimi i mbarëvajtjes së sezonit turistik 2020, si dhe koordinimi ndërinstitucional për respektimin e masave në kuadër të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Në lidhje me stacionet e plazhit prioritare do të jenë subjektet që disponojnë një strukturë akomoduese që ndodhet në vijën e parë bregdetare dhe do të marrë hapësirën e plazhit para saj.

Më pas vijnë subjekti duhet të disponojë një strukturë akomoduese në afërsi të vijës bregdetare dhe në fund ata që do të marrin një stacion plazhi janë ato restorante që kanë një kapacitet shërbimi mbi 20 tavolina dhe që kanë hapësirë plazhi para strukturës.

Ndërkohë që çdo aplikues duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi se merr përsipër një stacion plazhi dhe të respektojë e mbajë përgjegjësi të plotë për plotësimin dhe zbatimin e masave anticovid; Krijimin e kushteve higjienike, Respektimin e hapësirave të vendosjes së çadrave sipas tipologjisë së plazhit, Vendosjen e sinjalistikës në stacionin e plazhit, Sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim, Garantimin e sigurisë së jetës me vrojtues plazhi, përgjatë gjithë sezonit të ushtrimit të veprimtarisë së plazhit, Mirëmbajtjen e mjeteve dhe ambienteve të ndihmës së parë mjekësore dhe garantimin e protokolleve të sigurisë gjatë epidemisë Covid19, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Mosplotësimi i kushteve dhe kritereve ngarkon me përgjegjësi administrative dhe/apo, kur është rasti, me përgjegjësi penale kur sjell pasoja të rënda për shëndetin.

Për zbatimin e këtij vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, inspektorati përgjegjës për turizmin, inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMST), grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA), njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)./atsh

Sezoni turistik 1 qershor-15 nëntor/ Rregullat e marrjes së hapësirave për plazh nga hotelet dhe restorantet Read More »

Klosi mbledh Komitetin e Turizmit, prezanton masterplanin për funksionimin e vijës bregdetare këtë sezon veror

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi mblodhi sot në Kavajë Komitetin e Turizmit ku u diskutua me përfaqësues të hoteleve dhe njësive akomoduese mbi mënyrën se si do të funksionojë dhe se si do të menaxhohet plazhi këtë vit.

Ministri i informoi ata se Këshilli i Ministrave ka miratuar Hartën dixhitale të plazheve, apo masterplanin e ndarjes së plazheve, ku përcaktohet qartë se cilat sipërfaqe do ju jepen për menaxhim privatit dhe cilat plazhe do të jenë publike.

“Kemi bërë një masterplan të gjithë vijës bregdetare duke ndarë në mënyrë të plotë zonat që ne mendojmë se do ti kemi zona të gjelbërta. Ka zona që do ti ofrohen më qartë njerëzve që nuk duan të shkojnë në zona të menaxhuara nga pikëpamja e shezlongëve dhe çadrave. Po ashtu kemi ndarë në të gjithë territorin nga veriu në jug me një hartë shumë të detajuar me njësi, të gjithë zonën që do të menaxhohet nga operatorët turistik, për të garantuar që të mos kemi një situatë si ajo e vjetshmja ku megjithëse kishim shfrytëzim 100% të rërës dhe një uzurpish 100% të sipërfaqes të rërës e plazhit kishim të ardhura shumë të cunguara në bashki, pasi kontratat ishin shumë larg realitetit”, bëri të ditur ministri.

Ministri Klosi theksoi gjithashtu se do të adresohet një tjetër çështje e ngritur nga komuniteti hotelier, të cilët e kishin të pamundur që të gjenin hapësira për të çuar klientët e tyre dhe logjika e “tokës së zënë” që dikush e kishte dhe pastaj ja rishiste biznesin hoteleve do të duhet të marri fund.

Klosi shpjegoi dhe se si do të funksionojë plazhi publik, që është zona e verdhë në hartë, apo në ato zona ku nuk ka hotele dhe sipërfaqja do ju jepet për menaxhim restorante me mbi 20 tavolina.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton prioritetet. Të parët që do të përzgjidhen janë hotelet e vijës së parë, duke kërkuar që të menaxhojnë sipërfaqen para hotelit të tyre, jo pse janë në vijë të parë të kenë gjithë sipërfaqen e plazhit, do të zënë vetëm sipërfaqen që kanë para hotelit të tyre”, tha Klosi.

Pas hoteleve të vijës së parë, bëri të ditur ai, do t’u kërkohet hoteleve të tjera që të gjejnë veten në zonat e menaxhuara sipas ndarjes që kemi bërë rreth 10 metra ballore për ]do njësi.

“Në zonat ku nuk ka hotele, ku nuk ka struktura akomoduese, si në zonën e Gjirit të Lalëzit vija bregdetare e menaxhuar do të menaxhohet nga strukturat që ofrojnë shërbim që kanë një numër të konsiderueshëm tavolinash, mbi 20”, bëri të ditur ministri.

Sipas tij, zonat që do të merren nga restorantet apo strukturat menaxhuese, duhet të garantojnë higjienën, baywatch-in, vijëzimin e detit, garantojnë rregullat e pastërtisë në zonën që posedojnë do të mbeten zona publike.
Këto zona nënvizoi Klosi, do te jenë për qytetarët që nuk duan të zgjedhin plazhin privat.

“Realizojmë 2 objektiva kryesore, rritjen e hapësirave për njerëzit dhe respektimin e protokollit shëndetësor”, tha Klosi.

Sipas tij, subjektet duhet të aplikojnë në e Albania me numrin e niptit, certifikatën e higjienës.

“Subjektet do të caktojnë zonën që dëshirojnë të marrin më menaxhim, sipas kodit që do të ketë në hartë. Pastaj do të mblidhet komiteti me përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Shëndetësisë që do të diskutojë një për një kërkesat dhe do ju kthejë përgjigje subjekteve. Gjithë ky proces nga data 1 qershor do të zgjasë deri më 14 qershor”, tha Klosi./atsh

Klosi mbledh Komitetin e Turizmit, prezanton masterplanin për funksionimin e vijës bregdetare këtë sezon veror Read More »