Turizem

WTTC: Turizmi shqiptar rritje të gjithanshme

Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC) parashikon një rritje të gjithanshme për turizmin shqiptar gjatë vitit 2018.

Në një analizë të përgjithshme, WTTC-ja përmend ndikimin e turizmit shqiptar në Produktin e Brendshëm Bruto, në punësim, në numrin e vizitorëve si edhe në totalin e investimeve.

WTTC-ja i parashikon në rritje të gjithë këta faktorë.

Sipas saj, kontributet direkte të turizmit në PBB gjatë vitit 2017 ishin 134.1miliardë lekë (USD 1,124.1mln), ose 8.5% të PBB-së totale, ndërkohë që për vitin 2018 parashikohet një rritje prej 3.9% in 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit përgjatë viteve 2018-2028.

Kjo rritje do të arrijë në 220.4 miliardë lekë (USD 1,847.2 mln) ose në 9.3% të PBB-së totale në vitin 2028.

Sipas WTTC kontributi total për vitin 2017 ishte 414.2 miliardë lekë (USD 3,471.9 mln) ose 26.2% e PBB dhe parashikimi është një rritje prej 4.4% në vitin 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit, në 684.2 miliarëd lekë (USD 5,735.0 mln) ose 28.9% e PBB në vitin 2028.

Ndërkohë, kontributi direkt për punësimin nga turizmi gjatë vitit 2017 ishte 93,500 vende pune (7.7% e punësimit total). Kjo pritet të rritet 3.3% në vitin 2018 si edhe një rritje prej 1.4% çdo vit në 111,000 vende pune (8.8% e punësimit total) në vitin 2028.

Në 2017, kontributi total i turizmit në punësim, përfshi punët e mbështetura në mënyrë indirekte nga industria ishte 24.1% e punësimit total (291,500 vende pune).

Kjo pritet të rritet me 3.8% në 2018 në 302,500 vende pune dhe do të rritet me 1.3% në 344,000 vende pune në 2028 (27.3% të totalit).

Sipas WTTC, eksportet për vizitorët dhanë 235.5 miliard lekë (USD 1,974.1 mln), 54.2% të eksporteve totale në 2017.

Kjo parashikohet të rritet me 3.6% në 2018 dhe do të rritet me 4.7% , nga 2018-2028, në 387.4 miliard lekë (USD 3,247.4 mln) në 2028 ose 62.2% të totalit.

Ndërkohë, për investimet WTTC thotë se për vitin 2017 ishte 32.2 miliardë lekë ose 7.5% e totalit të investimit (USD 269.9 mln). Ato do të rriten me 5.5% në 2018, dhe me 4.4% gjatë 10 viteve të ardhshme deri në 52.1miliard lekë (USD 437.1mln)./ ATSH

WTTC: Turizmi shqiptar rritje të gjithanshme Read More »

Vunoi mirëpret ‘South Outdoor Festival’ , promovim i turizmit të qëndrueshëm

Promovimi i turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës, janë në fokus të aktivitetit South Outdoor Festival – Himara 2018, që do të zhvillohet në Vuno, gjatë këtij muaji.

Nën moton “Jo vetëm det”, Vunoi mirëpret South Outdoor Festival – Himara 2018, një aktivitet i kthyer në traditë tashmë për promovimin e turizmit.

Me një arkitekturë të veçantë e të rafinuar, urbanizim, histori dhe protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, Vunoi ka një kontribut të vyer në kulturën kombëtare.

Organizimi i panaireve me ushqime të zonës dhe me produkte artizanale, do të jenë po ashtu në qendër të këtij festivali si një mënyrë për promovimin e traditës.

Në kuadër të këtij festivali pritet edhe organizimi i shumë aktiviteteve të sporteve outdoor si hiking, trekking, jeep safari, climbing, paragliding mountain bike dhe scuba diving.

Gjithashtu parashikohen dhe aktivitete të shumta për fëmijë, muzikë polifonike dhe muzikë moderne.

Vunoi është i vendosur në shpatullën e malit të Mjegulloshit, dhe karakteristikë e zonës janë shtëpitë e gurta dy ose trekatëshe.

Në këtë fshat ka qëndruar Lord Bajroni dhe piktori Eduard Lear, që u mrekulluan me ndërtimin dhe afresket e kishave. Vunoi është vendlindja e shumë personaliteteve të artit, kulturës, por edhe i patriotizmit, për të cilët vendasit ndihen krenarë.

Tunelet e gurta që mbajnë mbi vete banesa të mëdha të ndërtuara me gurë, përbëjnë një stil arkitekturor që nuk haset as në Gjirokastër e as në Berat. Ndërtimi i disa shekujve më parë që kërkon mjeshtëri të madhe inxhinerike, e cila është bërë për të shfrytëzuar hapësirën urbanistike të fshatit.

Aktiviteti i mirëoganizuar nga ana e GIZ, vitin e kaluar u zhvillua në fshatin Pilur.

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1276971922437110/?t=0

Vunoi mirëpret ‘South Outdoor Festival’ , promovim i turizmit të qëndrueshëm Read More »

Fshati i mrekullueshëm shqiptar në mes të Turqisë (foto)

Arnavutkoy është një lagje e Stambollit që ruan ende formën e saj të mëparshme. Kjo lagje është pika e bashkimit e shkëlqimit dhe e qetësisë.

Ky është një vend që e ruan strukturën tradicionale shumëvjeçare, sado që me kalimin e viteve kjo strukturë po zvogëlohet.

Emri i lagjes lidhet me çlirimin e Stambollit (Kostandinopojës) nga Sulltan Mehmet Fatihu, i cili kishte pushtuar edhe Shqipërinë. Besohet se emri i kësaj lagjeje të jetë vënë në bazë të ushtarëve shqiptarë, të cilët thuhet se kanë luftuar në krah të Sulltan Fatihut në betejën për çlirimin e Stambollit, familjet e të cilëve u vendosën aty pas marrjes së qytetit nga ana e turqve.

Shqiptarët e ardhur u organizuan në këtë lagje, për këtë arsye mbeti edhe emri me domethënien Fshati Shqiptarë (Arnavutkoy). Sipas portalit turk “Star.com.tr”, kjo lagje ekzistonte edhe para çlirimit të Stambollit.

Në shekujt 14 dhe 15 kur turqit kishin rritur presionin e tyre ndaj Perandorisë Bizantine, nga ky vend ishin larguar shumë njerëz. Ndërsa gjatë perandorisë osmane, ky vend ishte i banuar më shumë nga romët dhe çifutët.

Bukuria natyrore si ajo e Arnavutkoyit mund të gjendet shumë rrallë, kur kësaj i shtohet edhe arkitektura e vjetër. Edhe bizneset e reja që janë hapur, mundohen t’i përshtaten kulturës së arkitekturës së vjetër.

Një fakt tjetër është edhe pika më e thellë e Marmarasë dhe e Bosforit. Por, shpesh ky vend rrezikohet edhe nga dallgët e larta.

Fshati i mrekullueshëm shqiptar në mes të Turqisë (foto) Read More »

Turistët kinezë dynden në Shqipëri, Ministria: Deri më 31 tetor…

Turistët kinezë mund të vizitojnë Shqipërinë nga 1 prilli deri më 31 tetor 2018 pa viza. Vendimi është marrë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa kjo masë pritet të rrisë fluksin e turistëve kinezë në Shqipëri. Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu, e vlerësoi Shqipërinë si një atraksion për turistët kinezë.

Ambasadorja tha se Shqipëria po shihet si një perspektivë turistike e kinezëve në Europë. Krahasuar me vendet pranë si Italia, që u vizitua nga 3 milionë kinezë vitin që shkoi dhe Greqia nga 1 milion, Shqipërinë e vizituan 10 mijë turistë kinezë. “Ne po punojmë që kjo shifër të rritet këtë vit, duke hapur kështu një perspektivë të mirë për turizmin tonë në Shqipëri. Po punojmë me operatorë turistikë kinezë për njohjen e Shqipërisë dhe të njëjtën gjë po kërkojmë dhe nga operatorët tuaj turistikë”, tha ajo.

E pyetur se çfarë turizmi pëlqejnë kinezët në Shqipëri, ambasadorja tha se prioritet zë ai kulturor me Krujën dhe Gjirokastrën, por edhe natyra e bukur shqiptare. Kruja pëlqehet për historinë heroike të saj dhe të heroit tuaj kombëtar, ndërsa Gjirokastra, edhe sepse aty është luajtur filmi “Ngadhnjim mbi Vdekjen”, që kinezët e pëlqejnë dhe gjejnë pika të përbashkëta mes dy popujve. “Ne jemi për një politikë rajonale përsa i përket turizmit, ku do të përfshihen vendet ballkanike. Turizmi rajonal është më i suksesshëm dhe këtu do të përfitojë përparësi dhe Shqipëria”, tha ambasadorja Jiang Yu.

Ambasadorja nënvizoi se në vitin 2017, 130 milionë kinezë kanë dalë jashtë shtetit për turizëm dhe shpenzimet e tyre turistike arritën në 115.92 miliardë dollarë amerikanë, gjë që e rendit Kinën, prej disa vitesh tashmë, në vendin e parë në botë si kontribuesja më e madhe në industrinë e turizmit. Politikat e liberalizimit të vizës do të jenë në favor të thellimit të shkëmbimeve kulturore, njerëzore e turistike mes Kinës dhe Shqipërisë dhe të zgjerimit të mëtejshëm të tregtisë së shërbimeve, sigurisht, në të mirën e arritjes së rezultateve të bashkëpunimit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.

Vitin e kaluar, Shqipëria ka tërhequr mbi 5.1 milionë vizitorë të huaj dhe të ardhurat nga sektori turistik dhe pritet të kalojnë 10% e PBB-së. “Kina dhe Shqipëria duhet të shtojnë bashkëpunim mbi mbrojtjen konsullore, lehtësimin e hyrjedaljes së kufirit, përpilimin e itinerareve, pritjen me guida vendore, trajtimin e rasteve emergjente etj., duke garantuar kontaktet 24 orëshe me shërbim të gjithanëshëm për të përballuar problemet që mund të ndodhin”.-tha ambasadorja.

Turistët kinezë dynden në Shqipëri, Ministria: Deri më 31 tetor… Read More »

Masat për sezonin turistik – Muzika me orar dhe rojet bregdetare

Sezoni i kaluar veror shënoi një bilanc të pazakontë viktimash në det, për shkak të mungesës së rojeve bregdetare, por edhe nga motorët e ujit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi kërkoi masa urgjente për përmirësimin e këtyre dy elementëve, duke ftuar edhe sipërmarrjet private që të kontribujojnë.

Blendi Klosi: “Është e pafalshme që të gjithë ambjentet publike dhe private, por sidomos këto që janë private: që kanë 5-6 djem që heqin dhe vënë shezlong, që shërbejnë në plazh, të mos kenë një prej tyre të trajnuar, të liçensuar, të veshur me uniformën përkatëse dhe të mos kenë roje deti. Problematika e mjeteve motorrike të ujit në det, të cilët tashmë janë shtuar shumë dhe ne vjet kemi patur edhe humbje jete. Edhe për këtë duhet të jemi shumë transparent, me përdoruesit e këtyre mjeteve.”

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive në vend, Klosi kërkoi nga kryetarët vendorë që të marrin masa për një sezon sa më të mirë. Në këtë aspekt ministri kërkoi që brenda muajit prill kryebashkiakët të jartojnë një fashë orari për lejimin e muzikës në lokalet e natës.

Blendi Klosi: “Brenda muajit prill, çdo vend që do të lejojë muzikën me orare dhe me fasha oraresh, nëse do të vendoset që muzika gjatë javës të jetë deri në 23.00 dhe në fundjavë mbase deri në 00.00, duhet t’ia bëjmë të qartë dhe me dije që në orën 00.00 mbyllet dhe mbyllet”

Ministri Klosi kërkoi nga bashkitë që të kujdesen që panairet e ndryshme të ushqimit të jenë më të shpeshta.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=UDPAxVujYUI?feature=oembed]

Oranews

Masat për sezonin turistik – Muzika me orar dhe rojet bregdetare Read More »

Orikumi nxit interesin e të huajve !Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë Orikumin shprehin gjithnjë e më shumë interes

Gërmimet arkeologjike vazhdojnë të kenë një impakt dhe interes të madh për vizitorët vendas e sidomos për ata të huaj. Këto gërmime tregojnë histori dhe vlera, ndoshta disa dhe të panjohura për historinë e vendit tonë.

Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë këto site arkeologjike shprehin gjithnjë e më shumë interes për to e së shpejti, do të përgatitet një film dokumentar, nga radiotelevizioni zviceran RTS, mbi gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Orikumit dhe punën tashmë disavjeçare të projektit arkeologjik shqiptaro-zviceran në këtë sit të jashtëzakonshëm.

Ky film dokumentar do të ketë një impakt të rëndësishëm për promovimin e Parkut Arkeologjik të Orikumit dhe pasurive kulturore të zonës, në botën frankofone.

Qyteti antik i Orikumit shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Limani).

Në qytetin e Orikumit, vizitori mund të shohë edhe shumë objekte kulti apo vepra të tjera me vlerë historike e kulturore. Një monument kulture i veçantë është dhe kisha e Marmiroit.

Ajo gjendet në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit, është një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit.

Është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet diku në shek. XII. Kisha e Marmiroit, siç e quajnë banorët e zonës, ka narteksin si dhe tri hyrje, nga veriu, perëndimi dhe jugu.

Në pjesën lindore të saj gjendet absida e cila merr dritë nga një dritare e vogël. Kishat me kupolë në formë kryqi janë tipike për komplekset manastirore. Dhe në fakt, rrënojat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare lënë të kuptohet se aty dikur mund të ketë qenë një manastir.

Teatri i gurtë i ndërtuar në shek. I p.e.s me kapacitet 600 spektatorë, mendohet se në kohën e lulëzimit të qytetit përdorej për shfaqje teatrale e ndeshje gladiatorësh. Ekzistenca e këtij teatri mbart jo vetëm vlera historike dhe arkeologjike, por edhe kulturore.

Teatri i Orikumit është monumenti kryesor i zbuluar në kodrën e Paleokastrës. Aty bien në sy shkallët antike të gdhendura në shkëmb që të çojnë në Akropol. Nën ujë gjendet një strukturë guri 1,80 m e gjerë, çka konsiderohet si bankina për ankorimin e anijeve antike. Për të shkuar në parkun arkeologjik të Orikumit ndiqet rruga që të çon për në bazën ushtarake detare të Pashalimanit.

Në qoftë se do të vizitojmë Orikumin e sotëm që në antikitet njihej si Oriku, jo vetëm do të gjejmë një natyrë të bukur dhe shlodhëse, por mund të njihemi edhe me historinë e këtij vendi dhe veprat monumentale të tij. Këtu mund të zhvillojmë jo vetëm një turizëm natyror me det e me plazhe të bukura, por edhe një turizëm kulturor të pasur./Atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1275610719239897/?t=0

Orikumi nxit interesin e të huajve !Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë Orikumin shprehin gjithnjë e më shumë interes Read More »

Vlora eshte mbreteresha!Vlora dhe s’ka tjeter !

Nga Rudina Xhunga

“Unë kam në Vlorë një apartament shumë të vogël, që më mjafton të pushoj dhe mësoj time bijë me dashurinë për qytetin ku linda.

Dikur nga ballkoni shikoja detin, perëndimi mbi Sazan më derdhej në shtëpi, tani e marr me mend që është, aty pas pallateve, ngjeshur e plasur, të gjitha bosh, me tabela mbi dritare, shitet.

Sa herë vij këtu, e vëzhgoj qytetin, ia dalloj dhe tregoj mungesat, më mërzit e trishton çdo kujtim që më kanë prishur e zëvendësuar me asgjënë.

Siç bën një njeri me gjënë që do më shumë. Duke dashur ta shohë më mirë, ta shohë aty ku duhet të jetë, aty ku ti ëndërron për të.

Por tani, kur dëgjoj aq shumë njerëz të thonë se Vlora kaq mundet, kaq di, se ja shikoni Korçën çfarë mrekullie, më kap inati.

Ç’lidhje ka Vlora me Korçën? Përvec faktin që ata kishin Peleshin dhe Vlora Gjikën. Tani Korça ka po Peleshin dhe Vlora Dritanin, fakt që ka të bëjë me qeverisjen dhe fondet për qytetin, asgjë tjetër nuk flet në favor të Korçës.

Keni parë korçar që mendon përveç se për hallet e veta?

Ja shikoni Peleshin, po për Korçën i dhemb zemra, edhe pse është zv/kryeministër.

Ndërsa një vlonjat mendon për të gjithë botën.

Pyesja komshiun dje si ia bën tani,  që nuk ka më gruan,  atë zonjën e shtatpakët, që dikur mbushte me buzëqeshje gjithe pallatin. Më tha: “Ah, ajo ç’më bëri, po ç’bëhet kështu moj vajzë, është zënë Haxhinasto me Ahmetaj, si zihen këta, këta duhet të shkojnë mirë. Do të na sjellin Berishën këta prapë?”

Apo të jesh në Vlorë të shikosh ndeshjen mes Italisë dhe Gjermanisë, ti harron që je vërtet në Vlorë, qyteti befas shndërrohet në Bari, është më italian se çdo qytet italian, për nervin dhe të sharat që hanë gjermanët, kur shënojnë gol.

Ky është qyteti i  njerëzve që nuk rrinë dot pa u bërë merak për çdo hall global. Të vetat iu duken të vogla, por kur nxehen të vënë para, e të mundin, siç kanë bërë me pushtues dhe pushtete.

Qyteti i dhjetëra mrekullive që ankohet se lungomare nuk po ecën dhe harron se thesarin e ka te deti.

Qyteti unik që laget nga dy dete, aty ku Adriatiku përqafohet me Jonin dhe një tunel të çon nga një parajsë te tjetra.

Është qyteti që ka det për gjithë shqiptarët.

Kur i shoh sesi mpleksen e përplasen,  kurriz me kurriz,  në Sarandë, më vjen të bërtas, po ejani në Vlorë.

Ka plazhin e vjetër me rërë e kum, ku mund të lahen e lozin gjithë ditën, gjithë fëmijët tuaj, ka Ujin e Ftohtë, Radhimën, Orikumin, ka Karaburunin, ka shpella,  plazhe të bardha, për nudistet që zhvishen nç Ksamil, duke shijuar më shumë se diellin, aparatet që çojnë fotot e tyre në portale.

Ka restorantet më të mira të jugut, sepse ushqimi këtu nuk gënjen, është si njerëzit e këtij qyteti, i vërtetë.

Mjafton të çohesh në mëngjes dhe shikon peshkatarët plot me merlucë e karkaleca, që në drekë t’i sjellin në tavolinë, pa i ndërruar rrugës me ato që vijnë nga jashtë.

Nëse do të hash peshk,  eja vetëm në Vlorë.

Ka restorantet më të bukura ne vend, luksoze dhe të bukura, për kë harxhon më pak e do ta shijojë ushqimin për vete, jo për në instagram, ka Nartën dhe Zvërnecin, plot taverna me ngjala dhe midhje. Ka Italinë dhe Greqinë, bashkë në një qytet.

Ka hotelet më të bukura, në vend, të gjitha me detin në dhomë.

Ka Liron që është unik, edhe pse të pushtuar nga të huajt që ia njohin Vlorës, bukuritë, më shume se ne.

Ka Bolonjën plot histori, buzë shëtitores, ka qindra hotele me emër dhe nam të mirë.

Ka hotele e komplekse pafund nga Radhima në Orikum, është plot plazhe private dhe publike për të gjithe, ka afër Llogaranë, për të ndryshuar klimë, si me thikë, një lagje qyteti është Kanina, ku nuk të ngop, as uji, as ajri.

Pse piktorët më të mirë në Shqipëri janë nga Vlora?

Sepse kanë treguar,  çfarë kanë parë. Det, mal, perëndime dielli që nuk i sheh dy mbrëmje njësoj.

Kur thonë Saranda, mbretëresha e verës, e them dhe vetë në te vertetë, habitem sesi nje mbretereshë mund të ketë aq pak det e tokë.

Ajo është ndoshta një princeshë, mbretëresha është Vlora, me shtirjen, me detet, me malet, me peshkun dhe mishin në hell, me këngët, me lulet, me njerëzit.

Vlora është mbretëresha, që pret e përcjell çdo verë e më shumë, duke të magjepsur sesi nuk plaket, nuk ndryshon, nuk mburret, nuk bërtet.

Është si argjinaret e saj, me ngjyra dhe gjemba për kë nuk di ta trajtoje, por për kë di, të jep zemrën, zemrën e madhe të një mbretëreshe.

Nuk ka qytet të bërë për turizmin si Vlora. Unë e shoh çfarë ishte dhe do të jetë, sicc shoh detin, pas këtyre pallateve. E di që ai det, ka qenë dhe do të jetë, ndërsa këto ndërtime janë çeshtje kohe.

Siç po ju gërryhen fasadat e bëra me nxitim dhe leje ndërtimi të dyshimta, ashtu do të përfundojnë, të pavlera.

Vlera e vërtete e qytetit do të dalë, kur rrugët të sistemohen, kur të rritet pisha bregdetare, kur të mbushet me lule, si dikur avllitë e vlonjatëve.

Atëherë çdo njeri do të punësohet në një mënyrë apo tjetër, në të vetmen  industri që mund ta zhvillojë Vlorën, turizmi.

Deri sa kjo të ndodhë, çdokush mund të përmirësojë shtëpinë e tij, veten e tij.

Kur shoh peshkatarët ngarkuar për tavernat familjare, mendoj për gratë e tyre, që lajnë peshkun e ujisin luleboret.

Pse nuk bëjnë liko si dikur, kur qyteti i portokalleve e nerenxave, ia kalonte Përmetit, që nuk e bën dot kurre likonë, aq të ëmbël sa duhet, aq të hidhur sa durohet.

Një liko në fund të ushqimit, një fjalë e mirë në fillim të tij, kaq e bën diferencën, ca detaje. Nuk mungon uji, as dritat, as siguria.

Po dëgjove që ankohen, duhet të jenë nga Vlora, ata që e duan të gjithë detin për vete. Por e kemi bashkë dhe do ta kemi plot, më shumë në det, se në rrugë këtë sezon.

E di që kjo verë do të jetë e tejmbushur, e di që ata që ikin do të kthehen sërish, sepse Vlora është e tillë,  që ka vend për të gjithë, që ke çfarë të bësh e ku të shkosh, që nuk të mërzit kurrë, sa herë të shkosh e ta shijosh.

Ndaj kur dëgjoj Korça ia doli, e bëri, aty ke ku çon njerëzit, kur të vijnë, nuk e pranoj dot.

Sepse Korça është e bukura e një dite, Vlora është gjithë pushimet e tua, Vlora të mëson notin, detin, të mëson peshkun, të mëson malin, të mëson të ecësh, të mëson të shijosh verën e të ikësh i lumtur.

Ndaj, për këto pushime,  mos ia kurse vetes Vlorën!

Vlora eshte mbreteresha!Vlora dhe s’ka tjeter ! Read More »