“Gjiri i Vlorës në jug të Shqipërisë, vetëm disa kilometra nga Greqia, aty arkeologët kanë lënë që të takohen. Atje ku gurët që rrihen nga dielli ruajnë me xhelozi sekretin e tyre të varrosur”, përshkruhet ndër të tjera në dokumentarin e realizuar nga Radio Televizioni Zvicerian për zonën arkeologjike të Orikumit.
Dokumentari pasqyron udhëtimin e arkeologëve të Universitetit të Gjenevës në Shqipëri por edhe misionin e tyre të veçantë në bashkëpunim me homologë të tyre nga Tirana.
E ftuar për të komentuar këtë reportazh në Radio Televizionin Zvicerian, për udhëtimin e arkeologëve, të cilët janë angazhuar të bëjnë gurët të flasin, ato të zonës së Orikumit, në jug të Shqipërisë dhe përpiqen gjithashtu të zbulojnë enigmën e historisë së rrënjëve tona, ishte Albana Krasniqi drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë.
E pyetur se cili është qëllimi i institucionit që drejton prej 10 vitesh, Krasniqi shprehet se “qëllimi kryesor është integrimi i popullsive të huaja që vijnë në Zvicër, në fillim ishte për popullsitë ballkanike që vinin nga Ballkani në periudhën e luftës”.
“Por, aktualisht, pas gati 20 vitesh eksperiencë, kemi vënë në dispozicion të personave me leje qëndrimi dhe të migrantëve të tjerë, eksperiencën dhe ekspertizën tonë dhe aktualisht kemi më shumë se 45 kombësi të ndryshme që frekuentojnë kurset dhe mësimet tona”, thekson Albana Krasniqi.
Më tej reportazhi prej mëse 1 orë, pasqyron gjurmët e udhëtimit të arkeologëve nga Gjeneva në Jug të Shqipërisë.
“Guri është jeta, mbi të gjitha për arkeologët sepse ne i bëjmë gurët të flasin dhe qëllimi i arkeologjisë është që të transmetojë njohurinë tek njerëzit, pra arkeologjia nuk është një punë në izolim. Është e vërtetë që na jep kënaqësi, përpiqemi të kuptojmë atë që zbulojmë. Por më e rëndësishmja në jetën e një arkeologu, ose të paktën në jetën time është që të ndajë njohuritë, zbulimet me publikun”, shprehen ata.
“Zona arkeologjike e Orikumit është pjesë e një bashkësie gjërash. Laguna, malet dhe më pas të gjitha së bashku deri këtu tek Kisha e Marmiroit, që është një kishë e vogël bizantine e rrethuar nga një gjelbërim i jashtëzakonshëm, insekte, zogj, ka një paqe… personalisht e pëlqej shumë këtë vend. Ideja për të kombinuar historinë dhe mjedisin ka lindur mjaftueshëm shpejt dhe mjafton të shëtisësh këtu për ta kuptuar përse. Kjo godinë është ndërtuar me material të marra nga qyteti i vjetër i Orikumit. Qoftë metalet, gurët e ndërtimit, kërkohet ajo që jep territori dhe atje gurë të prerë ka shumë. Ekziston gjithashtu kërcënimi që të vijnë buldozerët dhe betoni që mund të shkatërrojnë këtë parajsë të dytë”, shprehen përshkruhet në dokumentar.
Duke treguar për gërmimet e tyre, ata shprehen se “në fillim punuam mbi një teatër, pastaj në një burim, ndërsa tani flasim për fortifikime byzantine. Në fakt, Orikumi është një zonë shumë e pasur. Është një vend i vogël por me një trashëgimi shumë të pasur, jo vetëm materiale, por edhe jomateriale. Kemi ilirët, grekët, romakët, bizantinët, osmanët, venecianët e gjithë kjo duhet të shihet si një pasur dhe duhet të drejtohemi në të ardhmen me gjithë trashëgiminë tonë të së kaluarës.”
Një tjetër arkeologe rrëfen në këtë reportazh edhe për vizitën e tyre në fshatin Dukat të Vlorës.
“ Po shkojmë të shohim fshatin e Dukatit. Në fakt kjo është për mua edhe një mundësi që të shikoj fshatin e origjinës së punëtorëve. Janë 4-5 që vijnë çdo ditë të bëjnë këtë rrugë mes maleve për të ardhur të gërmojnë me në në zonën e Orikumit. Jam arkeologe, kam përfunduar masterin tim për arkeologji në Universitetin e Gjenevës. Vij nga Friburgu, por jam me origjinë shqiptare nga Maqedonia”, tregon ajo.
Orikumi është një zonë shumë e veçantë, me detin në njërën anë dhe lagunën në tjetër, me kafshët, zogjtë, peshqit që ajo ruan. Ndodhet një bazë ushtarake shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sot një bazë e NATO-s. Pra është një zonë që përfaqëson shumë gjëra./ATA
Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.
Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.
Një projekt i qeverisë shqiptare për rijetëzimin e fshatrave historikë ka përfshirë edhe Vunoin.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “në këtë fshat po vijojnë punimet për rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”.
Sipas tij, kjo është një punë e madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.
“Ky investim i qeverisë shqiptare që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, së bashku me projektin për kthimin si fshat historik të Dhërmiut, si dhe shëtitoren e Dhërmiut dhe Jalit, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro”, theksoi Goro.
Goro tha se ky projekt do të përfundojë në fund të vitit 2018.
Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.
Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.
Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.
Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.
Emri i këtij fshati shfaqet për herë të parë në defterin përmbledhës të regjistrimit osman, në vitin 1431-1432, si pjesë e Himarës, ku figuron si një fshat i vogël me 22 shtëpi. Ndërsa dy shekuj më vonë në vitin 1693 ai shfaqet si një ndër fshatrat më të mëdhenj të zonës së Bregut të Detit. Banorët e këtij fshati kanë qenë shumë aktiv në rezistencën antiosmane të krahinës së Himarës.
Emri i Vunoit apo banorëve të tij shfaqet pothuajse në të gjitha letrat që zona u dërgonte kancelerive perëndimore për të lidhur aleancë kundër pushtuesve osman, duke nisur me letrën dërguar Papa Gregorit XIII në vitin 1577, e deri tek ajo drejtuar careshës ruse Elisabetës, në vitin 1759.
Duke qenë një nga qendrat më të zhvilluara të zonës së Bregut, me kontakte të vazhdueshme me botën perëndimore, banorët e këtij fshati ishin mjaft të emancipuar. Për këtë arsye ata ishin ndër të parët që u përfshinë në lëvizjen kombëtare, kontribuan në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, morën pjesë në Luftën e Vlorës dhe ishin pjesë e lëvizjes antifashiste në Luftën e Dytë Botërore.
Shumë nga personalitetet e spikatur në fushën e artit dhe kulturës, si dramaturgu Spiro Çomorra, shkrimtari i letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, regjisori Dhimitër Anagnosti e aktori Robert Ndrenika e shumë të tjerë, janë me origjinë nga ky fshat./ATSH
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele me një shkrim dedikuar turizmit në Shqipëri.
“Mirëmëngjes dhe me këtë shkrim për Shqipërinë në revistën më prestigjioze të jahteve, Boat International, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama në Facebook.
Shkrimi i “Boat International”:
Riviera e fundit
Një vijë bregdetare e mbushur plot me plazhe me rërë të bardhë, zona antike, limane të fshehur, por nuk duket asnjë superjaht.
“Shqipëria ka qenë e fshehur nën hundën tonë gjithë këtë kohë”, thotë Tristan Rutherford, shkruan revista “Boat International” .
Në një park të mbuluar nga gjethet në Westminster në Londër, ambasadori shqiptar, Qirjako Qirko mburr aftësinë për jahte të Malit të Zi, një komb që pak persona mund të arrinin ta dallonin në hartë një dekadë më parë. Në të kundërt, zhvillimi detar i Shqipërisë është ende në hapat e parë.
Qirko dhe unë biseduam për brigjet e virgjëra, rihapjen e ishullit të Sazanit, një bazë ushtarake e izoluar për një shekull si dhe për mundësitë që mund të ofrohen nga vendi për jahtet.
“Ne jemi krejtësisht të hapur për këtë biznes. Por, në fillim duhet të shkoni ta shihni vetë”, përfundoi Qirko.
Për shkak të kësaj mora avionin që kalonte sipër Venecias dhe më pas vazhdonte drejt Istrias dhe ishujve Koranti në Kroaci. Aty shfaqen qindra jahte, që nga qyteti i Dubrovnikut, dukeshin si yje që këputen. Më pas vijon peizazhi perfekt i Gjirit të Kotorrit në Malin e Zi.
Në vitin 2006 e njëjta pamje magjepsi investitorin kanadez, Peter Munk kur fluturoi sipër bazës së braktisur të nëndetëseve në Tivat dhe vendosi të ndërtojë aty “Porto Montenegro”.
Ndërkohë që hyj në hapësirën ajrore shqiptare, shkëmbijtë gëlqerorë bien mbi plazh. Në zbritjen e fundit, sytë e mi tërhiqen në të djathtë ku, rreth 350 kilometra vijë bregdetare shumë pak e zhvilluar, kalon Sazanin dhe shkon drejt Korfuzit.
Kur mbërrin në ekstremin jugor të Shqipërisë, Korfuzi duket aq pranë sa që mund të arrihet duke notuar. Qiparisët e tij të lartë dallohen edhe një milje larg, në bregun shqiptar, ku rrënojat e Butrintit, të mbrojtura nga UNESCO-ja, rrethohen nga deti i kaltër.
Emri Rothschild, sinonim i një prej vilave më luksoze në Korfuz, peshon në të dyja krahët e bregut. Fondacioni “Butrint” i lordit Rothschild ndihmon në mirëmbajtjen e këtij muzeut të hapur.
Qyteti i rrënuar ka pritur më të mirën dhe të madhërishmen e Adriatikut për mijëra vite nga agoratë greke, te vilat romake dhe banjot bizantine. Kjo është Shqipëria, ku një pjesë e madhe është e pazbuluar dhe mbuluar nga bimësia, një zonë arkeologjike për Indiana Jones.
Hedh një gur në një pus që ende funksionon, ku kanë mbetur shenjat e litarëve në gurë pas mijëvjeçarësh përdorimi të vazhdueshëm.
I paduruar që të vizitoj bregun e Butrintit që rrihet nga dielli, marr një motoskaf.
Çmimi ishte 140 euro, duket shumë i lartë për këtë zonë, por e kuptova që kisha shtuar një zero. Ishte vetëm 14 euro, gjysma e çmimit të një koktejli në “Hôtel de Paris” në Monako, për të marrë anijen bashkë me kapitenin. Shqipëria është vërtetë një vend sa ekonomik aq edhe i paeksploruar.
Laguna që rrethon Butrintin me të drejtë është një park kombëtar. Poshtë varkës tonë lundrojnë qindra lloje peshqish. Kjo zonë pret gjithashtu më shumë se 250 lloje zogjsh, përfshirë çafka dhe bilbila uji që shoqërojnë varkën tonë drejt Korfuzit.
Gjatë regjimit të ashpër komunist të Shqipërisë, studentë të talentuar dolën vullnetarë për të zhvilluar gërmime arkeologjike në këtë rajon.
Ata mund të bëjnë banjo dielli në qetësi të plotë, të pinë duhan në kështjellën me pamje nga deti që është vizituar nga Lordi Bajron, dhe madje edhe të nxjerrin ndonjë amforë nga shtrati i detit kur të vijë momenti për të dorëzuar trofetë e gjetura
Në kthim drejt skelës së Butrintit, vëzhgoj të vetmit autobuza turistikë që ndesh përgjatë gjithë udhëtimit. Shifrat e vizitorëve flasin për një rritje me 20% në të dyja vitet 2016 dhe 2017, siç dëshmojnë statistikat në Kroacinë e viteve 1990.
Statistikat e rritjeve vjetore reflektojnë edhe mbërritje të superjahteve. Agjencia e jahteve dhe udhëtimeve, e cila gjendet në portin historik të Sarandës, së fundmi ka kaluar nëpër duar dokumentet për “SS Delphine”, një ish-anije 100-vjeçare e Flotës Detare Amerikane, 79 metra e gjatë, dhe “Barbara”, me një gjatësi prej 88,5 metrash.
“Jahtet, që sa vijnë e shtohen, hyjnë nga Korfuzi,” shpjegon Serani. “Nisja nuk është e vështirë por nevojitet një ndërmjetësues për të udhëzuar ku të ankorojnë apo të marrim me qera një makinë për të vizituar qendrat tona nën mbrojten e UNESCO-s që janë në Gjirokastër”.
Serani përmend një aeroport të ri afër Sarandës i cili pritet të vihet në punë në 2019. Ai do të tërheq jahtet ashtu si pista modeste e Tivatit rriti numrin e vizitorëve vetëm 160 milje detare larg nesh, në Malin e Zi.
Jahtet mund të ankorohen përgjatë bregdetit tonë përrallor, dhe në Orikum Marina 100 kilometra në veri, por një kompleks detar luksoz do t’i shtonte këtij vendi sa Toskana një magji të prekshme. Serani nxjerr iPhonin dhe më tregon një plan detar për portin e mallrave në Limion, vetëm dy kilometra në veri të qytetit, ku toka sapo ka nisur të gërryhet.
Kur të mbarojë, sipas parashikimeve, ai pritet të akomodojë jahte deri 120 metra të gjatë dhe perceptohet si çelësi që hap rrugën drejt kësaj vije bregdetare. Duke ndjekur këshillat për superjahte të ofruara prej Seranit si udhërrefyese, nisem drejt vijes bregdetare sipër Sarandës. Ankoroj në Qefal, i cili më ngjason me bregdetin e Amalfit 100 vite më parë.
Shkëmbinj të shkëputur nga njëri-tjetri rrethojnë plazhe të veçuar të cilat lagen nga deti i pastër Jon. Do justifikohesha nëse nuk do largohesha nga plazhi i Kakomesë, një plazh në formën e një gjysmë hëne më rërë të argjendtë, ku nuk mungon edhe një skelë e vjetër prej nga ku mund të kërcesh për në parajsë.
“Por, ne kemi nevojë për një port elitar”, shprehet ajo.
Megjithatë, unë zgjodha të ndjek rrugën e pelegrinazhit duke lënë pas dy manastiret e zbukuruar me afreske për të shkuar në plazhin e Krorëzës – dy harkore perfekte me rërë që do të përbënin kryelajm në Kroaci, Turqi apo Greqi. Këtu jam i vetëm në plazh. Isha në dijeni se sa qetësi ishte në këtë parajsë me rërë, kështu që i dhashë nën dorë një pronari të një plazhi atje rreth 10 euro për të më marrë në barkën e tij dhe për të më lënë në shtëpi pas një banjo dielli. Varka e tij e vjetër me motor 20 kuaj fuqi ndizet duke tërhequr një litar.
Mikrobuzi im i kampimit që zhurmon në perëndim të diellit, duke kaluar silurat sovjetike të gdhendura në shkëmbinj, do t’i bëjë miqtë e mi të jahtit që duan të shikojnë gjithçka, të mbyten në pije.
Më tutje drejt veriut qëndron një çudi akoma dhe më e madhe: gadishulli i fortifikuar i Porto Romanos – një Kep Ferrat francez në miniaturë që ka në majë një kështjellë veneciane që daton nga koha e luftës dhëmb për dhëmb në Adriatik mes anijeve veneciane dhe flotës osmane.
Vendqëndrimi është aq strategjik saqë kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov e vizitoi në 1959-ën, ai foli edhe për një bazë nëndetësesh.
I armatosur vetëm më një kajak, të marrë me qera dhe maskë, unë ndërmarr një sulm mëngjesi kundër bazës pa roje. Duhet t’i afrohesh me shpejtësi dokut të madh dhe më pas të përkulesh dhe lëvizësh në det pa qëllim. Brenda gjendet një katedrale betoni që mund të shërbejë si sfond për një film me Xhejms Bond. Jam shumë i druajtur për të bërë një zhytje të lirë, prandaj vozis për plot 100 metra derisa shikoj dritë vezulluese në anën tjetër të tunelit.
Ditë tjetër, tjetër pushtim i një ish-pike të fortë ushtarake. Ka qenë e ndaluar të shkoje në ishullin e Sazanit, një instalim ushtarak shumë sekret që nga koha e Luftës së Parë Botërore, por në 2017 u hap për turistët kureshtarë. Më një gjatësi prej pesë kilometrash është ishulli më i madh i pabanuar në të gjithë Mesdheun. Është i mbuluar nga pyje të dendura, ashtu si “Lufta e humbur” nga Jurassic Park.
Forcat special sovjetike dhe kineze lanë 2 800 bunkerë dhe kazerma, një hapësirë që tashmë është plotësuar nga shqiponjat që ngjiten lart si shigjetë dhe delfinët që kërcejnë. Meqë leja ime në Sazan më lejon të bëj vetëm një vizitë të shpejtë, udhëtimin tim e përfundoj me një ecje në këmbë drejt shtëpisë së shkatërruar të governatorit italian. Panorama detare ku Joni i kripur dhe i kaltër takon Adriatikun blu të bën të pyesësh veten se përse nuk ka jahte të tjerë që vijnë nga Italia, Kroacia, Mali i Zi apo Greqia?
“Ata vijnë”, thotë Nicolas Fry, menaxher i udhëtimeve me çarter në Camper & Nicholsons: “Në 2017, ne vumë re një rritje të popullaritetit. Fry pronotoi disa udhëtime çarter për në Shqipëri me Eclipse,” një anije 43 metra e pajisur me lodra eksploruese për një aventurë të pazakontë shqiptare.
“Klientët ia kaluan mirë”, tregon Fry, por ajo që mungon “është një port i klasit të parë i ndërtuar dhe i menaxhuar për superjahte”. Nuk është nevoja të pritet shumë për këtë. Fry thotë: “Kur pyet për Shqipërinë, më parë shiko se çfarë ndërtoi Mali i Zi në 10 vjet
Shkurtimisht, “Porto Montenegro” duhet të jetë model për zhvillimin e sektorit të jahteve në Shqipëri.
“Të huajt mund të ndërtojnë porte jahtesh në Shqipëri, një subjekt i legjislacionit vendas dhe duket se ka lëvizje në këtë drejtim. Në Kavajë, ka një propozim për një port jahtesh me 650 vende për jahte deri në 75 metra. I quajtur “Porto Albania”, projekti duket se ka marrë mbështetjen e kompanise zvicerane të zhvillimit “Finsec”. Ndërsa lidhur më zhvillimin në Limioni afër Sarandës, nuk ka një datë. Nëse merresh me këtë punë për zhvillimin e porteve të jahteve apo vetëm nëse mendon gëzueshëm për një plazh sekret të harruar nga turizmi botëror, atëherë e di ku të kërkosh.
Nuk do të jetë e largët dita, kur Shqipëria do të marrë vendin e duhur në qendër të skenës të xhiros verore të superjahteve.
Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka mbetur një destinacion i panjohur nga të tjerët.
Me pamje nga Mesdheu dhe që laget nga dy dete atë të Jonit dhe Adriatikut në një vijë bregdetare të vetme, ofron vende të pakonceptuara dhe plazhe të mrekullueshme.
Me këto fjalë e nisi shkrimin për Shqipërinë revista italiane ”greenMe”.
Plazhet e Shqipërisë së veriut, të cilat lagen nga deti Adriatik, janë ranore dhe me ujëra të cekëta prandaj janë edhe të preferuarit për familjet me fëmijë.
Ekzistojnë laguna dhe ekosisteme natyrore, prandaj ky bregdet është shumë i popullarizuar edhe mbetet i preferuar dhe nga turistët.
Le të shohim se cilat janë 10 plazhet më të bukura në Shqipërinë e Veriut.
Velipoja
Plazhi i Velipojës është plazhi më verior i vendit që ndodhet 22 km nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga destinacionet më të preferuara për atë që duan detin. Katërmbëdhjetë kilometra vijë bregdetare karakterizohen nga një plazh i pasur me jod. Një vend i dashur nga ata që duan të praktikojnë sportet ujore .
Shëngjin
Plazhi i Shëngjinit është një tjetër plazh ranor pranë rrethit të Lezhës, i vendosur 8 km nga qyteti historik i Lezhës. I njohur për rërën e tij dhe faktin që këtu do të gjeni diellin 300 ditë në vit. Një zonë shumë e populluar , veçanërisht në verë, zona e Shëngjinit është e njohur në të gjithë Shqipërinë, si për detin, gjithashtu dhe për kuzhinën e saj të famshme.
Rana e Hedhun
Në veri të Shëngjinit, gjendet plazhi i mrekullueshëm i quajtur Rana e Hedhun i cili është i mbrojtur mirë nga erërat e asaj zone. Ky plazh është quajtur kështu për shkak të peizazhit të tij me kodra të larta me pamje nga deti dhe të mbuluara me rërë. Sporti më praktikuar? Rrëshqitni në dunat e rërës!
Gjiri i Lalzit
Një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit shqiptar të Adriatikut është padyshim dhe Gjiri i Lalzit në veri të Durrësit. Uji kristal i pastër, rërë e hollë dhe një pyll me pisha të dendur e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për ata që e duan të relaksohen me detin. Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës dhe është lehtësisht i vizitueshëm.
Kepi i Rodonit
Kepi i Rodonit është një kryevepër natyrore e mrekullueshme prej 7.5 km dhe është një tërheqje e madhe për ata që e duan zhytjen. Në vitet e fundit ai është bërë shumë turistik dhe po vazhdon të ruajë bukurinë e tij.
Durrësi
Plazhi i Durrësit, i vendosur vetëm 39 km larg Tiranës, është plazhi më i madh dhe më i vizituar në vend. Nuk është rastësi që vija bregdetare është gjithmonë e mbushur me njerëz, pasi ofron një kuzhinë të shkëlqyer dhe shumë argëtim. Thellësia e detit gradualisht rritet, gjë që e bën plazhin të sigurt për familjet dhe fëmijët. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porti kryesor i vendit.
Currila
Në veri të Durrësit, plazhi i Currilës është më i thellë dhe mbrohet nga era e nxehtë . Duke qenë shumë afër plazhit kryesor ofron shumë atraksione turistike. Është një vend i përshtatshëm për familjet sepse është shumë i mbrojtur.
Golemi dhe Mali i Robit
Në jug të Durrësit gjenden Golem dhe Mali Robit, të cilët ndodhen pranë njëri-tjetrit. Këtu ka rërë të bardhë dhe detin kristalë. Ka edhe disa monumente natyrore, mundësi për shëtitje ose argëtim me sporte ujore.
Vlora
Vlora është porti i dytë më i madh në vend dhe është një nga qendrat e turizmit shqiptar, por plazhi ka shumë vende turistike, veçanërisht sepse është një qendër për ata që duan të zhyten në plazhet e vogla dhe shkëmbore të gjirit të Vlorës ose të vizitojnë portin e Orikumit.
Spille
Plazhi i Spilles është një parajsë e vërtetë e Shqipërisë. E mbyllur në mes të natyrës dhe pishave, ky plazh që është pranë Durrësit është një nga më të pastrit dhe më pranë natyrës./ATSH
Zonat e Mbrojtura në Qarkun e Vlorës vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ato përfaqësojnë në vetvete resurse të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore, që tërheqin në vazhdimësi turistë vendas dhe nga vende të tjera të botës.
Zonat e Mbrojtura në Qarkun Vlorë, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 65.000 ha, administrohen dhe monitorohen nga Administrata Rajonale e Zonave te Mbrojtura Vlorë. Në to përfshihen, Parku Kombëtar Detar “Karaburun Sazan”, Parku Kombëtar “Llogara”, Parku Kombëtar “Butrint”, Peizazhi i Mbrojtur “Vjosë-Nartë”, Rezervati Natyror i Menaxhuar “Karaburun” dhe ai “Rrëzomë”. Për gati dy vite është punuar fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Parku Kombëtar Detar “Karaburun- Sazan” përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme edhe në drejtim të zhvillimit të turizmit. Mjafton të sjell në vëmendje faktin që, sezonin e kaluar veror ai u vizitua nga 15.000 turiste, për të kuptuar këtë dimension. Dhe po të vazhdoj me këtë argument, numrin më të madh të turistëve e kanë zënë ata shqiptarë me rreth 60 % dhe 40 % të huaj, pre të cilëve pjesa më e madhe italianë.
Ky park detar, i pari dhe i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, ofron alternativa turistike nga më të ndryshmet. Veçojmë këtu gjiret e mrekullueshme përgjatë vijës bregdetare ku përfshihen, Gjiri i Shën Vasilit, Gjiri i Shën Janit, Gjiri i Gramës, formacionet gjeologjike të veçanta dhe unike në llojin e tyre, të cilat kurorëzohen më shpellën e Haxhi Alisë, si një nga shpellat më të mëdha në territorin e Shqipërisë dhe me vlera historike dhe gjeologjike të jashtëzakonshme. Në këtë mjedis, peizazhet nënujore janë gjithashtu të një cilësie të jashtëzakonshme, me shkëmbinjtë, shpellat nënujore, shoqërimet e faunës dhe florës, dhe në disa vende të alternuara edhe me mbetje arkeologjike. Dua të theksoj se, kjo është njëkohësisht edhe zona më e mirë dhe më mbresëlënëse e bregdetit shqiptar, ku ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e veprimtarive argëtuese, por jo vetëm, detare, si ato të zhytjeve me bombolë oksigjeni/scuba diving. Parku vletrësohet si një vendbanim për një numër të konsiderueshëm llojesh të rralla, të rrezikuara dhe të kërcënuara të faunës dhe florës në shkallë globale, rajonale dhe kombëtare. Numërohen të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara dhe/ose të mbrojtura nga disa konventa, të cilat janë të pranishme në zonën Karaburun-Sazan.
Por, jo vetëm kaq. Kjo zonë është vizituar herë pas here edhe nga delfini i zakonshëm (Delphinus delphis), delfini turishkurtër (Tursiops truncates), si dhe breshka e detit (Caretta caretta).
Më në jug të Shqipërisë gjendet Parku Kombëtar i Llogarasë. Ky park, me klimën e tij të pastër dhe bukuritë natyrore që ofrojnë faqet me pisha të formave nga më interesantet, si dhe falë ndikimit të erës, është i veçantë për faktin se ofron kushtet për një turizem gjithëvjetor. Në këtë park veçojnë elementë të tillë si Monumenti i Natyrës, “Pisha flamur”, që ndodhet në pjesën veriore të tij. Në parkun Llogara ka përfunduar ndërtimi i ekspozitës së turistëve e cila do të konsistojë në presantimin e vlerave naturore dhe turistike me të rëndësishme dhe më përfaqësuese të parkut, me qëllim imformimin dhe edukimin. Praktikisht, kjo ekspozitë do të jetë një përmbledhje e vlerave natyrore dhe turistike të parkut.
Një destinacion shumë i rëndësishëm turistik për sezonin veror 2016, ka qënë Monumenti i Natyrës “Syri i Kaltër”. Vetëm për sezonin që lamë pas, ky monument natyre është vizituar nga 28.521 vizitorë. Ndërkohë që Parku Kombëtar i Butrintit ka numëruar 126.563 vizitorë. Shumë interes kanë shfaqur edhe monumente të tjera të natyrës si “Kanionet e Gjipesë”( kryesisht nga të apasionuarit për climbing dhe hiking), “Përroi i Palasës”, Ishujt e Ksamilit, Pylli i Zvërnecit etj.
Natyra ne kete vend shpalos perkryerjen e nje harmonizimi spektakolar te malit, kodres, fushes, lumit, liqenit, detit, lugines, lagunes, flores se pafundme e faunes aq te vecante e shumellojshme!
Ketu Dielli lind me nje rrezellim te argjend e perendon i florinjt, e gjate kesaj udhe dhuron spektakle drite me shkelqimin e tij, me pasqyrimet e tij aq te bukura e aq shprehese sa asnje lloj arti nuk do mundej ta rrokte ne gjithe mrekulline e spektaklit qe jep thuajse pjesen me te madhe te diteve te vitit!
Ketu Hena lind vec per poete e te dashuruar, duke e bere naten diten e dashurise, kot s’thoshte Naimi : “Nate atje eshte tjater nate,edhe dita tjater dite!”
Ketu ne kete vend majat e maleve pershendesin Zotat lart ne qiej e lumenjt si me nje marsh triumfi luajne pjeset me te bukura te lavdise se natyres!
Ketu deti, thinjoshi qe edhe ne terbim qesh, duket se i ka dhene bucimen e vet historise se ketij vendi!
Ketu zor se ka nje vend ku natyra ta kete braktisur, veshtire se gjen nje vend ku te mos falenderosh Zotin per kujdesin qe ka patur duke u marre edhe me detajin e nje petali luleje apo nje cicerime zogu! Gjithshka perfekte gjithshka frymezuese!
Blogu i udhëtimeve “The Balkanista” shkruan një letër të hapur për të gjithë fansat, ku shpjegon 10 arsye përse duhet të vizitojnë Shqipërinë këtë verë.
Shkrimtare, udhëtare, një blogere udhëtimesh angleze, autorja jeton prej vitesh në Tiranë.
Pasi kishte vizituar bregdetin e Shqipërisë për pushime, ajo nuk u largua më.
Në një letër të hapur për të gjithë fansat e saj, ajo shpjegon përse duhet vajtur me pushime në Shqipëri, pikërisht këtë verë.
“Shqipëria nuk është në krye të listës së destinacioneve për pushime. Kur erdha këtu për herë të parë, edhe unë u ndjeva në faj sepse kisha lënë destinacione të tjera. Por, tani mund t’ju them se duhet patjetër të merrni në konsideratë këtë vend për pushimet verore të radhës”, shkruan blogerja.
Më poshtë vijojnë 10 arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria:
Ndryshe nga destinacionet e zakonshme
Pas disa vitesh, Shqipëria, ashtu sikurse ka ndodhur për destinacione të tjera të Mesdheut, pritet të mbushet nga hordhi me të rinj të dehur, në kërkim të argëtimit me kosto të ulët. Por, për momentin, turistët janë ende pak, nuk ekzistojnë radhët për të vizituar pikat turistike dhe nuk duhet të shtyhesh për të zënë një cep plazhi, ku të shtrosh peshqirin. Madje as në kulmin e verës.
Ka shumë për të mësuar
Shqipëria ka disa prej vendeve historike dhe zonave të UNESCO-s të paimagjinueshme. Ka nga të gjitha, rrënoja romake, kështjella mesjetare, bunkerë sovjetikë dhe mbetje osmane. Vetëm qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, do të mjaftonte për të ndërmarrë këtë udhëtim, ashtu si Berati dhe Shkodra, në kufij me Greqinë dhe shumë vende të tjera edhe më të bukura.
Plazhet më të bukur të Europës
“Të dashura Itali, Kroaci dhe Greqi! Më vjen keq t’ua them, por Riviera e Shqipërisë e tejkalon çdo breg tuajin”, shkruan blogerja duke këshilluar që të vizitohen patjetër Ksamili, Saranda, Himara dhe Dhërmiu për të admiruar ujërat e tyre të kristalta, plazhet e bardha dhe panorama malore që i rrethon. Bregdeti shqiptar është i egër dhe i mrekullueshëm dhe nuk ka asgjë të ngjashme në gjithë Europën, sipas asaj.
Liqene dhe ujëvara
Brendësia e Shqipërisë është plot liqene dhe ujëvara shumë të bukura. Liqeni i Komanit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Butrintit dhe Liqeni i Ohrit vlejnë të vizitohen për shkak të ujërave të tyre të kristalta dhe të peizazhit fantastik që i rrethon. Disa burime si Syri i Kaltër dhe ato pranë fshatit Theth janë perfekte për të notuar dhe për të adhuruar ujëvarat.
5.Klime perfekte
Shqipëria gëzon një klimë tipike mesdhetare, me verë të gjatë dhe të ngrohtë dhe stinët e tjera janë gjithnjë të këndshme. Gjatë vitit nuk bie asnjëherë nën 20 gradë Celcius, ndërsa nga maji temperaturat rriten në rreth 22 gradë Celcius duke arritur kulmin me 35 gradë Celcius në korrik dhe gusht. Përveç verës, çdo çast është perfekt për të udhëtuar në Shqipëri.
Njerëz miqësorë
Shqiptarët, kundër paragjykimeve, janë njerëz të përzemërt, miqësorë dhe kureshtarë. Blogerja tregon se nuk ishte ndjerë kurrë e rrezikuar. Duhet vetëm të përgatitesh pasi do të pyetesh qindra herë për arsyen se përse zgjodhe të shkosh në Shqipëri.
Ushqim i shkëlqyer
Përgjatë bregdetit peshku është i shkëlqyer dhe kushton shumë pak. Kuzhina ka patur një ndikim të madh nga ajo italiane. Sa më shumë që futesh në thellësi të vendit, aq më shumë gjen ushqime me bazë mishin, gjithmonë shumë i freskët. Këtu, ushqimet e ngrira nuk merren pothuajse kurrë në konsideratë. Duhet të provosh disa ushqime lokale si tavë kosi me mish qingji, oriz, vezë dhe kos, patëllxhanë të mbushur me salsiçet lokale.
Gjuha është shumë e bukur
Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe plotësisht ndryshe nga gjuhët e tjera europiane. Ajo nuk është e thjeshtë. Sidoqoftë, nëse bën pushime në Shqipëri duhet të dish disa fjalë, aq më tepër kur mendon se shqiptarëve u pëlqen kur të huajt përpiqen të flasin shqip me ta.
Një vend mysliman tolerant
Shqipëria është një vend mysliman, megjithatë nuk ia vlen të marrësh masa si në disa vende të Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore. Disa gra mund ta kenë fytyrën të mbuluar, por nuk të duhet asnjë kod veshjeje për të ecur rrugëve. Vetëm nëse vizitohet një xhami. Edhe pijet alkoolike janë në masë ashtu si mishi i derrit.
Pikënisje për udhëtime të tjera
Shqipëria është një bazë e mirë për këdo që dëshiron të vizitojë vende të tjera pranë saj, vende që janë një apo dy orë larg. Nga qyteti i Pogradecit mund të kalosh në Maqedoni, nga Shkodra kalon për në Malin e Z i dhe Kroaci, nga jugu futesh në Greqi dhe Korfuz, ndërkohë që nga kufiri verilindor shkon në Kosovë dhe Serbi. Italia është vetëm një orë fluturim nga Milano, Bolonja, Venecia, Roma dhe Piza, apo dy orë me traget që niset nga Ankona, Brindizi dhe Bari (që këtej vetëm në verë) dhe mbërrin në Durrës./express/
Kryeministri Edi Rama i nis ditën duke promovuar turizmin në vendin tonë.
Më konkretisht ai ka publikuar një artikull të mediave britanike, ku u bëhet jehonë bukurive shqiptare.
“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull dedikuar Shqipërisë, plazheve të mahnitshme dhe potencialeve te mrekullueshme turistike të vendit tonë në një prej mediave më prestigjoze britanike, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook,
Artikulli i plotë
Bregdeti jugor i Shqipërisë, me fshatrat e këndshëm tradicionalë, kalldrëmet dhe kishat e vogla ortodokse, është plot me plazhe të mrekullueshëm me ujëra të kristalta, që rivalizojnë Greqinë fqinje me gjysmën e çmimit, shkruan faqja e specializuar për turizmin, theculturetrip.com
Dhe, nëse jeni të ngopur me bregdetin, ju mund të shkoni në burimet natyrore pranë Sarandës apo në brigjet liqenore pranë kufirit me Maqedoninë, pasi Shqipëria është plot surpriza.
Të përmendësh të gjitha plazhet e mrekullueshme është e pamundur, por më poshtë janë renditur 11 plazhet më të mahnitshme të Shqipërisë:
Drimadhes
Drimadhes, që mund të jetë plazhi më i bukur i Shqipërisë, një gji i vogël pranë Dhërmiut, me një shkëmb gjigant që ndan plazhet nga rëra, është vendi perfekt për të pushuar. Plazhi nuk është i populluar, madje as në verë, kështu që mbajeni mend mirë.
Dhërmiu
Pranë Drimadhes, ju gjeni Dhërmiun, një nga vendet më të famshme në Shqipëri, me shkëmbinj të bardhë që përkëdhelen nga ujëra blu në jeshilë.
Himara
Fshati i Himarës është një nga më të frekuentuarit në Rivierën Shqiptare, por që ende nuk e ka humbur sharmin e tij. Ka disa plazhe të mrekullueshme si Livadhi dhe Potami, të lokalizuar mes detit dhe një lumi.
Borsh
Është plazhi më i madh i Rivierës Shqiptare, një ngushticë rëre 7-kilometërshe e paprekur. Rrethohet nga ullinj dhe një mal i lartë dhe, pavarësisht bukurisë, është një nga më pak të vizituarit në vend.
Vlora
Qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë dhe vendi i plazheve mahnitëse të paprekura. Me Teuta Boat Tours mund të shkosh në Karaburun dhe Sazan, por nëse doni të ikni me makinë, shkoni në Radhimë apo Orikum.
Saranda
Konsiderohet kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare. Është një nga pikat më të frekuentuara të vendit për shumë arsye: qyteti ndodhet pranë kufirit me Greqinë, është përballë Korfuzit dhe ka plazhe të shkëlqyera si Pulëbardha.
Ksamil
Ndodhet në jug të Sarandës dhe është një nga destinacionet më të mira të plazheve. Quhet edhe “perla e Jonit”. Ka pamje fantastike dhe është një gji me tri ishuj të vegjël. Ju sugjerojmë ta shmangni në gusht pasi është shumë i populluar.
Gjipe
E fshehur nga malet, Gjipe është plazh perfekt për ata që duan qetësinë. Pse? Pasi plazhi është larg rrugës dhe duhen 30 minuta për të parë pamjet spektakolare që të ofron.
Narta
Vetëm 15 minuta larg Vlorës, një lagunë e mrekullueshme me ujëra blu, perfekte për familjarët. Një plus i madh është ishulli i vogël i Zvërnecit me një kishe ortodokse të shekullit XVIII, e fshehur në mes të një pylli.
Syri i Kaltër
Teknikisht nuk është plazh, por një burim natyror. Sidoqoftë, nuk prish punë pasi është vendi perfekt për të notuar i vetëm në një nga peizazhet më të bukura natyrore të vendit.
Pogradeci
Shqipëria nuk ka vetëm plazhe të mrekullueshme në det, por ajo është shtëpia e një prej liqeneve më të vjetër dhe më të bukur të Europës, ai i Ohrit. Pranë Pogradecit ka disa plazhe të jashtëzakonshme të populluara gjatë verës, por ata janë perfektë sidomos në pranverë dhe në fund të verës.