Jogro Goro me anë të një statusi në rrjetet sociale ka publikuar disa foto të një projekti të realizuar me finesë dhe profesionalizëm të lartë nga arkitektët tanë.
Ja statusi i plotë:
Pak nga ajo që po ndodh në Jal… një suprizë e këndshme për të gjithë pushuesit. Sa mahnitëse dhe fantastike këto pamje sot. Një projekt i realizuar me finesë dhe profesionalizëm të lartë nga arkitektët tanë, ashtu si në realizime të tjera të ngjashme tashmë të kthyera në model, si në Qeparo apo Himarë, ndërkohë që vazhdojmë edhe në Dhërmi e Palasë. Një investim i shkëlqyer i Qeverisë Shqiptare për Himarën tonë Europiane.
Gjiri i Gramës në Gadishulli i Karaburunit njihet ndryshe edhe si Gjiri i Grammatas dhe ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor, shumë të thiktë, pranë Orikumit.
Gjiri i Gramës ka shërbyer si vendstrehim për anijet që gjendeshin në vështirësi, përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm. Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet.
Emri i Gramës sipas përshkrimeve është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet. Mbishkrimet shkëmbore kanë qenë të shumta në gjirin e Gramës, ku numërohen më shumë se 1500 mbishkrime.
Ato greke janë më të lashta dhe u takojnë shekujve të fundit para Krishtit, të pasuara nga disa mbishkrime latine të periudhës perandorake, para se greqishtja mesjetare të ishte mbizotëruese me mbishkrime që në të shumtën e herëve i drejtohen Jezu Krishtit.
Mbishkrimet antike në gjuhën greke u drejtohen Dioskurëve, Kastorit dhe Poluksit, që ishin hyjni pagane shpëtimtare; mbrojtëse të detarëve dhe të anijeve.
Autorët e këtyre mbishkrimeve u kërkonin ndihmë Dioskurëve, për njerëz të ndryshëm, anëtarë familjeje, bashkudhëtarë, bashkë-skllevër, etj.
Prania e emrave latinë të përkthyer në greqisht, flet gjithashtu edhe për lidhjet e ngushta midis dy brigjeve të Adriatikut dhe detit Jon, në atë shkallë sa emrat latinë gjenden edhe tek banorët e bregut lindor.
Mbishkrimet mesjetare, të shkruara në greqisht, janë lutje drejtuar Jezu Krishtit, përgjithësisht me formulën “Senjor, ndihmoje shërbëtorin tënd” . Dokumenti mesjetar më i çuditshëm, i paraqitur nga Henri Daumet, tregon se më 1369, Mbreti i Romakëve Johani i V-të Paleologu ka ardhur në gjirin e Gramës, gjatë një udhëtimi për në Venedik, i njohur nga dëshmitë bashkëkohëse.
Këto foto të mrekullueshme do t’iu lënë pa fjalë për bukuritë e magjishme të Shqipërisë
Duke qenë se është edhe periudhë pushimesh verore, Shqiëpria është e mbushur plot me mundësi ekplorimi dhe zbavitjeje, përveç turizmit tradicional balnear të të shëllyerit në plazh me orë të tëra nën rrezet e diellit.
Shpella, gjire të virgjëra, vendndodhje historike, parqe arkeologjike, e kala e kisha të lashta.
Mjafton dëshira për t’i vizituar.
Këto foto janë bërë në vende të pashkelura si në Karaburun, Shën Vasil, Shën Jani, Shpella e Haxhi Alisë, Kepi i Gjuzës, Dhërmi, Drimadhes, Perivolos, Shën Andrea, Palasë, Gjiri i Gramës, Gjipe, Shpella e Piratëve, Jalë, Gjiri i Akumariumit, Kalaja e Himares, Himarë, Llaman, Kalaja e Porto Palermos, etj, shkruan mapo.
Fotogaleria e mëposhtme është thjeshte mrekullueshme.
Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, Durrësi ka qenë prej kohësh portë ballkanike në botë. Grekët, romakët dhe bizantinët e shfrytëzuan tërësisht portin e mrekullueshëm natyror dhe sërish mbetet një nga portet më me fluks në Adriatik.
Pse ta vizitoni tani?
Aty gjeni amfiteatrin më të madh romak në Ballkan, muret bizantine të qytetit, prodhimet e detit të mrekullueshme dhe netët e gjallëruara. Durrësi është qytet me stil bregdetar, pak qytete në vend mund t’i afrohen dhe çmimet mbeten të leverdishme.
Merrni koordinatat tuaja
Durrësi është një udhëtim i shkurtër nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë: pak më shumë se gjysmë ore, edhe pse varet nga trafiku. Taksitë do t’ju sjellin këtu nga aeroporti i Tiranës për rreth 30-40 euro. Nga qendra e qytetit të Tiranës ka autobusë dhe mini-autobuza që kushtojnë gati asgjë, të cilët nisen çdo 30 minuta nga stacioni i autobusëve të kryeqytetit.
DITA 1
Grekët dhe Romakët
Nisni ditën tuaj në Muzeun Arkeologjik (Rruga Taulantia 32), ndoshta muzeu më i mirë në vend dhe një abetare e vërtetë mbi historinë shqiptare. Kthehu pranë amfiteatrit romak. Në shikim të parë ju mund të mendoni se nuk janë kujdesur mirë për të: e vërteta është që, duke u ndërtuar gjatë sundimit të Hadrianit rreth vitit 100 pas Krishtit, u dëmtua nga tërmeti (dy herë) dhe pastaj u “varros” nga osmanët në shekullin e16-të.
Marrëveshja me hijen
Në veri të sheshit Shatërvani ka një hapësirë mjaft të këndshme e rrethuar nga ndërtesat moderne. Banorët e moshuar të qytetit kalojnë pasditen e tyre të verës këtu duke biseduar në hijen e pemëve. Nëse keni fuqi, një ngjitje në kodrën e Durrësit do t’ju dërgojë në Vilën e braktisur të Zogut, mbretit të shqiptarëve që mbretëroi në vitet 1928-39. Ndërtesa është përdorur si shtëpi pritje për të huajt gjatë diktaturës ekonomiste, por më pas u grabit gjatë trazirave të 97-s.
Mbrëmjet Veneciane
Sheshi elegant Epidam, rruga kryesore e qytetit të vjetër, e veshur me palma, kafene rruge, restorante, dyqane dhe bare të çon deri në port, ku qyteti mblidhet për një mbrëmje kundruese. E ashtuquajtura Kulla Veneciane në buzë të ujit dhe muri që rrjedh prej saj janë mbetjet më të ruajtura të fortifikimeve bizantine të qytetit. Ka disa vende të mira për të ngrënë në këtë zonë (duke përfshirë një kafene në kullë), por ia vlen të shëtisni 10 minuta përgjatë bregdetit në perëndim të diellit në Aragosta (Rruga Taulantia 71), vendi më i mirë për ushqim deti.
DITA 2
I gjerë, dhe i bekuar me rërën e artë e të butë, plazhi i Durrësit është pothuajse një qytet i gjallë në vetvete. Në fundjavë gjatë verës do të duhet të shkosh herët për të gjetur një vend: nëse kërkoni një plazh të shkretë duhet të shkoni më në jug. Sapo të instaloheni në shezllonin tuaj, nuk do të keni nevojë të lëvizni gjatë gjithë ditës. Shitësit do iu enden gjithë kohës nga çadrat me thirrjet: kafe, çaj, kokteje, snacks dhe çdo gjë tjetër që ju nevojitet. Ndërsa baret e plazhit garojnë me njëri-tjetrin për të parë kush mund të luajë muzikën e tyre më lartë, të gjitha këto e bëjnë pushimin kaotik dhe të shkëlqyeshëm “alla-Ballkan”.
Ditët larg
Nëse mund qëndrosh larg nga plazhi për një pasdite, shpejt do të zbulosh se ka shumë gjëra përtej Durrësit në bregdetin shqiptar (në të vërtetë, shumë njerëz lokalë do të pëshpëritin në veshin tuaj se më e mira e Rivierës Shqiptare gjendet në jug të vendit).
Mos lini pa marrë një udhëtim për në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta (ose vetëm Laguna e Karavastas) rreth 20 minuta në jug të qytetit. Jo shumë larg nga këtu është një nga manastiret më të vjetra të Shqipërisë, Manastiri i Ardenicës i shekullit të 13-të, kisha e Shën Marisë përmban disa ikona të pikturuara nga Athanas Zograf, një shqiptar i cili ishte një nga artistët kishtarë më të kërkuar të shekullit të 18-të.
Durrësi në një paragraf
Ballkani kaotik me një shije të pagabueshme italiane. Peshk i shkëlqyer dhe ushqim deti me çmime të pakrahasueshme kudo tjetër në rajon. Kushtojini kujdes kulturës së të kaluarës, ku xhamitë dhe kishat mund t’i gjeni shumë pranë njëra-tjetrës. Merrni me qira një makinë dhe bëni një xhiro përgjatë Lagunës së Karavastasë. Burimi: Erging Europe/ Përshtati JOQ.al
“Jemi duke u përballur me një fluks në rritje të turistëve dhe për të adresuar nevojën e akomodimit, është hartuar paketa e lehtësirave për hotelet me 4 dhe 5 yje, e cila ka rritur ndjeshëm interesimin e emrave të njohur të hotelerisë botërore për të investuar në Shqipëri”, deklaroi Hajrullah Çeku, zv.ministri i Turizmit dhe Mjedisit
Gjatë llogaridhënies publike përpara qytetarëve të Lezhës, ai tha se në kuadër të projektit të “100 fshatrave”, kemi nisur procesin e certifikimit të njësive të agroturizmit bashkë me paketën e lehtësirave fiskale dhe skemën kombëtare të mbështetjes përmes granteve të bashkë investimit.
Aktualisht tha ai, jemi duke shqyrtuar aplikimet për certifikim dhe Shqipërisë shumë shpejt do t’i shtohen dhjetëra njësi të reja agroturizmi në të gjithë territorin e vendit. Më tej, Çeku tha se për t’ju përgjigjur në mënyrë më të mirë kërkesave të turistëve, është zhvilluar programi “1 mijë të rinj dhe të reja të punësuar gjatë sezonit të verës”, një nismë që synon punësimin e të rinjve, pastrimin e vendit dhe informimin e turistëve mbi aktivitetet rekreative që zhvillohen në të gjithë territorin e vendit tonë.
Ai tha se kalendari turistik 2018, i cili përmbledh të gjitha aktivitetet dhe ngjarjet artistike të kulinarisë, sportive dhe rekreative e veçanërisht festat tipike lokale që zhvillohen nga janari në dhjetor, nga veriu në jug të Shqipërisë. Zv.ministri tha se janë certifikuar 50 udhërrëfyes të rinj turistikë që do të jenë të angazhuar për të pritur dhe informuar turistët e huaj gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë.
Duke u ndalur në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, Çeku tha se kemi zhvilluar një numër programesh të reja si, brendimi i produktit të kulinarisë, që synon të shndërrojë produktet bujqësore dhe gatimet tradicionale tona në ambasadorin më të fuqishëm të turizmit dhe zhvillimin e portaleve dhe kanaleve të reja të promovimit të Shqipërisë turistike nëpër gjithë botën.
“Për kundër të gjitha këtyre zhvillimeve, ne jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka mjedisi dhe në ndikimin që ka mjedisi në forcimin e perceptimit të çdo turisti gjatë qëndrimit në Shqipëri. Ka qenë programi ynë i madh mjedisor me synim një Shqipëri turistike të pastër dhe të gjelbër, që ka mobilizuar dhjetëra e mijëra në betejën kundër papastërtisë, e veçanërisht kundër burimeve të ndotjes. Programi ynë ka qenë operacioni më i madh i pastrimit dhe gjelbërimit në Shqipëri dhe deri tani ka pastruar tonelata mbetje dhe synon 20 milionë pemë të reja deri në vitin 2020”, deklaroi Hajrullah Çeku, zv.ministri i Turizmit dhe Mjedisit/ata
Qeparoi, një ndër atraksionet verore të Bregut të Jonit mirëpret sezonin turistik me një pamje tërësisht të transformuar.
Shëtitorja e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare i ka dhënë Qeparoit tiparet e një fshati tipik turistik mesdhetar, ku janë ruajtur karakteristikat dhe traditat e zonës.
Me financim të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve është bërë sistemimi i infrastrukturës nëntokësore, është ndërtuar pedonalja, trotuaret dhe sistemi i ndriçimit të hapësirave publike.
Shëtitorja e Qeparoit shtrihet buze detit me gjatësi 1200 ml. Ajo është ndërtuar me pllaka guri, ndërsa muret anësore me gurë tradicionalë të zonës.
Falë këtij investimi, plazhi i Qeparoit bëhet edhe më mikpritës dhe më tërheqës për vizitorët dhe turistët. Investimi i jep po ashtu, një nxitje zhvillimit të biznesit lokal./ATSH
Kjo foto është shkrepur disa kilometra larg fshatit Tragjas të Vlorës, përgjatë rrjedhës së Izvorit drejt detit. Lumi shquhet për ujra të kristalta por tepër të ftohtë, edhe kur temperatura jashtë është afër 40 gradëve celcius.
Pak vetë e dinë se rrugës për në Dhërmi, para se të mbërrijnë në Orikum, mund të ndalojnë për të pushuar buzë Izvorit të akullt, ku mund të shijojnë gatimet e zonës, freskun dhe pamjen.
Kjo skenë mu duk si një subjekt i përkryer për një tablo impresioniste.
Një mulli uji i dalë jashtë përdorimit dhe bimësia që harliset rreth lumit, ca më tutje kulloste një lopë, që nuk deshi të dalë në foto…
Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon dhe e konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare çeli sezonin e ri turistik “Verë 2018”.
Në ceremoninë e organizuar në sheshin e Limanit, Sarandë, përveç qytetarëve sarandiotë ishin të pranishëm edhe 2500 turistë të huaj që erdhën në qytetin bregdetar me kroçerën e parë për këtë sezon.
Kryetarja e bashkisë së Sarandës, Florjana Koka duke i uruar mirëseardhjen turistëve të huaj, tha se “ne sot menduam që t’u ofronim këtë mikpritje dhe pritje të ngrohtë . Nuk mendoj se kishim arsye më të fortë sesa ju sepse ju konsiderojmë dallëndyshen e parë që ikën çdo vjeshtë e vjen çdo pranverë”.
Koka u uroi gjithashtu turistëve të huaj qëndrim të këndshëm dhe të kthehen sërish në qytetin bregdetar të Sarandës.
Pjesë e aktivitete promovuese për sezonin e ri turistik ishin grupe fëmijësh që pedalojnë, artistë që performuan artin popullor të veshur me kostume popullore të trevave shqiptare, si dhe notarë, zhytës e ekipe njerëzish që japin siguri jete në plazhe.
Gjithashtu gjatë gjithë ditës u zhvilluan aktivitete promocioni nga Parku Kombëtar i Butrintit, rrjeti i Hotelerisë e restoranteve, të organizuar në Shoqatën e profesionistëve të turizmit STI, sektori i Kulturës Kombëtare, profesionistet e rinj të turizmit, që përgatit shkolla Hoteleri-Turizëm, operatorët turistikë e ata bankarë, agjencitë imobilare që operojnë në këtë rajon, tregtarë të suvenireve me prodhime deti, tregtarë të punëve të dorës e qëndismave, deri tek realizime promovuese të profilit dhe funksionimit të institucioneve në varësi të Bashkisë Sarandë.
Aktivitetet për promovimin e Sarandës do të vijojnë më 12 dhe 13 maj 2018, me edicionin e 6-të të Festës së Midhjes në Ksamil, ku do të ketë promocion, shijim dhe argëtim.
Qyteti i Sarandës, që e ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht “Agioi Saranta”, 40 shenjtorët, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal.
Saranda është klasifikuar në krye të 21 destinacioneve për t’u vizituar për vitin 2018 nga National Geographic.
Plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i pasqyrave, i Ksamilit, etj, ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare./ATA