Dukati i Vlorës ose dukati i trimave dhe i historisë si njihet ndryshe me histori të vjetër e me këngë e valle .
Një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipëris për nga sipërfaqja është Fshati Dukat .
Dukati ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasen,në veri-perendim laget nga deti Adriatik e ne jug/ perëndim nga deti Jon.
Ky fshat piktoresk është i vendosur në këmbët e maleve Paliske e Qore, në një grykë të thellë e të thyer, me përrenj të shumtë.
Ai ngelet në shekuj kështjelle e pathyeshme natyrore.Gjith gadishulli i Karaburunit është pjes e Dukatit.Edhe Dukati I Ri është ndërtuar po në territorin e Dukatit, kjo për efekt të rritjes së popullsis,qeveria e asaj kohe(PPSH)vendosi të ndertohej një fshat i ri,në mënyrë të mos prishej aktuali.Llogaraja është pronë e Dukatit.Që ku fillon Gadishulli i Karaburunit,nga bishti i gjuhës, përball Sazanit,e deri thuajse afer plazhit të Palasës jane territore të Dukatit.
Për udhëtimet që mund të bëhen një herë në jetë, udhëtime familjare dhe udhëtime të qëndrueshme, zgjedhim vendet më të mira për të vizituar këtë vit
Irish Times në një artikull të gjatë rreth destinacioneve për 2018 rendit Shqipërinë të dytën si vendi më i lirë dhe më i bukur ku mund të kalosh pushime të paharrueshme.
Në kategorinë e destinacioneve të lira e të mira, Baiona, Galicia zë vendin e parë, Shqipëria të dytin, Turqia të tretin që ndiqet nga Costa de la Luz dhe Wild Atlantic Way.
Shqipëria në artikull përshkruhet si një vend jo lehtësisht i arritshëm kur ke planifikuar të udhëtosh me familjen, por si një vend që nuk do të të zhgënjejë në aspektin e pushimeve.
“Nuk është vendi i parë që të vjen ndërmend kur vendos të udhëtosh me familjen, nuk është aq lehtë për të shkuar – duhet të fluturosh përmes Manchester (kur je në Irlandë) – por ka faktorin risi dhe është shumë më e lirë se Italia dhe Kroacia. Plazhet janë shumë të bukura, fshatrat të çuditshëm –shkoni për një vizitë në qytetin mesjetar të Krujës, në rrënojat e Apollonisë dhe Berat , ky i fundit nën mbrojtjen e Unescos për trashëgimi botërore. Berati njihet për kishat byzantine dhe arkitekturën otomane. Qiraja e makinave është 10 euro dita dhe restorantet e akomodimi janë po kaq lirë. Dhe dielli do të shkëlqejë” – përshkruan Irish Times Shqipërinë.
Shqipëria është promovuar si destinacion për 2018-ën edhe nga National Geografic, saite të ndryshme italiane dhe europiane.
Vendi ynë mbetet një nga destinacionet më të lira në Europë për pushime, por mbi të gjitha vazhdon të ruajë pjesën ekzotike të vendeve të virgjra, të egra, të paprekura nga dora e njeriut, për të cilat tyristët e huaj janë tepër të interesuar.
Dhërmiu dhe Himara vizitohen shpesh nga shumë grupe turistesh vendas dhe të huaj shprehet Jorgo Goro me anë të një statusi në rrjete sociale.
Ja statusi i plotë:
Dhermiu dhe Himara vizitohen shpesh nga shume grupe turistesh vendas dhe te huaj. Te gjitha keto vizita kane veçori dhe karakteristika te ndryshme, dhe me se shumti zhvillohen per bukurite e natyres, detit dhe plazheve te shumte qe ka Riviera jone. Kete vizite te nje grupi besimtaresh te Kishes Orthodokse, te cilen deshiroj ta ndaj me ju miq kete fundjave, me arsyen sepse fale tyre dhe ketij lloji turizmi religjioz, kerkojme te kemi nje numer te madh turistesh, gjate gjithe muajve te vitit.
Sic e shihni Kishat tona jane nje destinacion mjaft terheqes dhe promovues per vizitoret, perveçse te mbushura plot me ta. Dhe kjo natyrshem kerkon qe keto Kisha duhet te jene te hapura per te gjithe vizitoret, per te gjithe ata qe kane vertet interes per t’i pare ato, dhe qe te kryejne edhe ritet e besimit te shenjte orthodoks. Ndaj kerkoj ketu edhe vemendjen e Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare per te na asistuar me staf te pergatitur, per te perballuar interesimin e turisteve vendas dhe te huaj per te vizituar keto Kisha, veçanerisht gjate muajve te stines se veres, kohe kur Himara vizitohet nga miliona turiste te huaj dhe vendas.
Si një nga perlat e turizmit shqiptar Himara ka filluar ti populloj brigjet e saja ranore me pushues të shumtë.
Së fundmi ishin studentët e shkollave të kryeqytetit që ngritën kampingun e tyre në këto brigje. Janë dhe shumë pushues te tjerë që kanë prenotuar hoteleritë e bregut për këtë sezon turistik.
E shtrirë në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteza e Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e jugut, por edhe Labërinë e Kurveleshin. Ajo përmendet që në kohët e lashta ku paraardhësit ishin fisi Ilir i Kaonëve, por historia moderne duket se fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i Venedikasve.
Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që sot njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar që nga shekulli i XV edhe me të ardhur nga zonat e Mirditës dhe e Krujës pas vdekjes së Skënderbeut.
Qyteti i vjetër i Himarës, ka disa vepra historike dhe kulturore si Kalaja e Himarës, një monument i rëndësishëm historie dhe kulture. Në kështjellë ekzistojnë shenja të pranisë së pandërprerë të banorëve vendorë Iliro-Shqiptarë për më shumë se 3500 vjet. Në këtë kështjellë ka disa objekte kulti si kisha e “Shën Marisë” me ikonën e Shën Marisë që konsiderohet çudibërëse. Në kohë thatësirash ikonën Himarjotët e nxirrnin për litani (lutje) popullore. Populli dikur lutej para saj për të rënë shi. Gojëdhëna thotë se shpeshherë çudia ndodhte. Ndërsa sot përbënë një kuriozitet për turistët.
Kisha Episkopale, një kishë e stilit Bizantin. Para ndërtesës së sotme të kësaj kishe, në portën e saj, ekziston basoreliefi prej mermeri me shqiponjën dykrenare Iliro-Shqiptare. Ndërtesa e Kishës Episkopale i ka themelet mbi një ndërtesë të vjetër që ishte faltorja e Apolonit të Ilirisë.
Kisha e Gjithë Shenjtorëve,ndërtuar më 1775 në hyrje të kalasë. Sot kjo kishë e rindërtuar funksionon si Mitropolia e Himarës.
Manastiri i Shën Marisë, gjendet atje ku fillon rrugën e tij rrëzë malit përroi i Gjipesë, në lindje të fshatit Ilias. Në lashtësi, ne epokën prekristiane, ka qenë një faltore e perëndeshës Artemis. Atje shkohet vetëm me këmbë nga Iliasi, përgjatë bregut të thatë të përroit të Gjipesë.
Manastiri i Shën Theodhorit dhe disa objekte të tjera kulti që vizitori mund ti gjej me lehtësi në Himarë.
Në Jug të Himarës, në një gadishull të vogël, brenda gjirit të sigurt me të njëjtin emër, ndodhet kështjella e Bukur, e ndërtuar në fillim të shekullit 19-të nga Ali Pashai i Janinës dhe që sot ruhet në gjendje shumë të mirë. Kështjella është ndërtuar në vendin e gërmadhave të një kalaje të vjetër dhe të një manastiri që ekzistonte atje.
Në vendin ku gadishulli lidhet me tokën ndodhet kisha e Shën Nikollës, për të cilën ekzistojnë shumë legjenda dhe histori për ndërtimin e kështjellës.
Afër fshatit Borsh, në majën e kodrës, gjënden gërmadhat e kështjellës Shqiptare te Sopotit. Rruga për të vajtur atje është e vështirë dhe shkohet vetëm në këmbë.
Një tjetër histori misterioze gjëndet në veri të Himarës. Anës detit ndodhet një shpellë e madhe, në të cilën mund të hysh vetëm nga deti. Mjedisi është interesant dhe bregu ideal për të bërë banjë në grupe të vogla familjare ose shoqërore. Legjenda flet se kjo shpellë dikur ishte strëhe e piratëve.
Himara mbi të gjitha shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle por edhe me rërë te bardhë e të imët.
Spilea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në Jug Llamana, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.
Poshtë kalasë së Himarës ndodhet Livadhi dhe në veri Jali, Fusha, Ziso, Gjipea, Karkaniqi, Dhërmiu, Palasa dhe Dhralea. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë, për shkak të ujërave nëntokësorë. Po të largohesh disa dhjetra metra nga këto pika temperatura e detit merr vlerat natyrale.Në muajt e verës, Plazhet e Himarës mbipopullohen nga pushuesit.
Turisti në zonën e Himarës do të gjejë det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike,monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./Atsh
Sektori i turizmit shihet si një burim i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave dhe krijimit të vendeve të punës.
Për shkak se turizmi ngërthen në vete një numër industrish dhe shërbimesh dhe përfshin dimensione sociale, kulturore dhe mjedisore përtej zhvillimit fizik dhe marketingut, turizmi posedon potencial të theksuar për të ndikuar në rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë gjatë një aktiviteti të mbajtur sot në Tiranë për turizmin prezantoi paketën agresive pozitive me lehtësitë fiskale të hartuar nga qeveria për këtë sektor.
Sipas tij, që prej vitit të kaluar po aplikohet një shkallë e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) 6 % për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “hotel/resort me pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.
“I gjithë rajoni e ka këtë normë nën 10% dhe me ofrimin e nivelit prej 6%, Shqipëria është bërë tashmë një nga vendet me një paketë pozitivisht agresive të turizmit”, u shpreh Ahmetaj.
Gjithashtu, strukturat akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht “brand name”, janë përjashtuar nga tatim fitimi për një periudhë 10 vjeçare.
Ahmetaj tha se turizmi shqiptar është në fillimet e tij dhe has vështirësi të konkurrojë me hotelet dhe cilësinë që ofrojnë resortet e vendeve të rajonet .
“Ndaj nevojitet një infrastrukturë e gjerë e cilësore në shërbim të strukturave akomoduese nga toka apo deti. Dhe paketa prej 1 miliard dollarë që ne i referohemi paketa e Partneritetit Publik Privat (PPP), në këndvështrimin e rritjes së ndërlidhjes bën një punë të konsiderueshme. Besojmë se do të ndryshojë një herë e mirë hartën e infrastrukturës në funksion të ndërlidhjes dhe absolutisht edhe turizmit”, u shpreh kreu i financave publike.
Brenda vjeshtës pritet të përfundojë e gjithë procedura konkurruese që bën ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për sa i përket PPP në infrastrukturën rrugore dhe sipas ministrit Ahmetaj të gjithë qytetarët shqiptarë do të shikojnë qartë se kemi si politikë investuese ngritjen e një aksi veri-jug me vizion dhe në shërbim të ofertës ekonomike-turistike të tanishme dhe të së ardhmes.
Në të njëjtën kohë, tha Ahmetaj kemi bërë edhe përjashtimin nga taksa e infrastrukturës brenda paketës promovuese në turizëm.
“Është një shifër e konsiderueshme, prej 8% e çmimit të shitjes për banesa dhe patjetër që në momentin që një grup investon në turizëm me shifra që fillojnë në nivelet 5-8 milionë euro dhe përfundojnë në projekte gjigande mbi 80 milion euro sigurisht që 8% i ndërtimit është vlerë e madhe” , vuri në dukje Ahmetaj.
Njëkohësisht, sipas Ahmetaj, do të kemi një tarifë të reduktuar për TVSH-në për akomodimin dhe ushqimin në njësitë e agro turizmit. Sipas tij, do të ulim tatim-fitimin nga 15% në 5% për këto njësi.
Tjetër lehtësi, tha ai, është përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë edhe për këtë grup sipërmarrjes që janë korente apo do të nisin investimet./atsh
Gushti është shumë afër dhe me të po afron edhe piku i sezonit turistik. Jeni në mëdyshje dhe nuk e dini çfarë të zgjidhni? Epo ja tek vjen edhe një sugjerim për ju.
Mrekullia mbi tokë, bukuri e pamasë, ujë i kristaltë dhe kujtime të paharrueshme në Parkun Kombëtar detar Karaburun-Sazan.
E gjithë kjo zonë njihet për vlerat e saj të larta dhe unike të biodiversitetit detar dhe rëndësinë e madhe që ka për sa i takon potencialit të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës.
Zona e Mbrojtur Detare Karaburun-Sazan ose, siç njihet Parku Kombëtar i ekosistemit natyror detar pranë Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, është shpallur si zonë e mbrojtur më 28 prill 2010 nga Këshilli i Ministrave.
Vlerat e identifikuara në këtë ekosistem janë të shumta dhe përfshijnë vlera natyrore, në radhë të parë livadhe detare, vlera socio-ekonomike (peshkimi artizanal, turizmi) si dhe vlera kulturore, arkeologjike dhe historike.
Këto vlera e bëjnë këtë zonë, një nga më tërheqëset për zhvillimin e turizmit me burime të balancuara në tokë dhe në det.
Por le të flasim pak më gjerë për dy nga zonat më të bukura, për Gadishullin e Karaburunit dhe për ishullin e Sazanit.
Si fillim Karaburuni ndodhet midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim.
Gadishulli i Karaburunit është gadishulli më i madh i jugut të Adriatikut lindor dhe një nga pikat më strategjike në rrafshin ushtarak, që ndan Kanalin e Otrantos midis Shqipërisë dhe Italisë.
Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV.
Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe peisazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme.
Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje.
Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit.
Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm.
Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori.
Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë).
Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.
Karaburuni është gadishulli më i pasur me shpella të lashta në të gjithë Shqipërinë. Rreth 20 shpella të shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e Karaburunit në të dyja anët e deteve Adriatik dhe Jon.
Shpella më e madhe që i ngjan një katedraleje gjigante është ajo e Haxhi Aliut, e cila përbënë një dukuri të pazakontë të këtij gadishulli.
E lartë sa një pallat 20 katësh, ku thellësia e shpellës shkon në rreth 40 m, kjo shpellë të ofron një magji të vërtetë pasi brenda saj ujërat e errëta nga thellësia dhe të qeta nga magjia të krijojnë përshtypjen e zhytjes në pjesën tjetër të botës, apo në botë paralele.
E për sa i përket ishullit të Sazanit ai ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometërash katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës.
Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër.
Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer.
Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë.
Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.
Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra.
Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.
Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius.
Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake.
Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Në Sazan ndodhen 7 specie amfibësh, nga të cilat 3 janë specie të rralla.
Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh, nga të cilët 13 specie zvarranikësh janë të rrallë.
Disa nga këto amfibë dhe reptilë janë: Hardhucë luspore me gushë blu, hardhuca jeshile ballkanase, zhapiku evropian i bakrit, nepërka amodite gjendet në pjesën tokësore të afërt, por mungon në Ishullin e Sazanit.
Mungesa e kësaj nepërke prezanton një interes të lartë shkencor sepse tregon formimin dhe ndarjen e ishullit përpara shfaqjes së kësaj specieje.
I quajtur “Ishulli i thesareve”, ishulli i Sazanit e mbart mbi vete histori mijëravjeçare.
Sapo zbret në breg dallon bunkerët, objektet ushtarake dhe ndërtesat e shkatërruara të periudhës komuniste, ku strehoheshin rreth 300 familje. Ishte një ndër sekretet më të mëdha të Shqipërisë komuniste.
Për 50 vjet u përdor si bazë ushtarake e ndërtuar nën influencën e rusëve dhe të kinezëve si vija e parë e frontit të mbrojtjes nga pushtimet e bllokut perëndimor.
Me ndërrimin e sistemeve, baza u braktis dhe prej 20 vjetësh objektet ushtarake dhe civile janë lënë në mëshirën e fatit dhe të elementëve të natyrës.
Tani është hapur një kapitull i ri për ishullin, ka projekte për ta kthyer në një destinacion turistik dhe ekologjik të vizitueshëm.
Parku Kombëtar i Karaburun-Sazanit ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.
Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.
Në tërësinë e tij ky park është një mrekulli natyrore më vete që të fal magjinë e të qenit pjesë e një hapësire gati magjike.
Po cilat janë vendet më të vizituara në këtë park? Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar),ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë boten unike dhe pasuritë nënujore.
Po kështu një rëndësi kanë edhe studimet e ndryshme nga partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertët vendas, të cilat e cilësojnë zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan në parametra të kënaqshme për sa i përket peshkut, cilësisë së lartë të ujit dhe monitorimit e kontrollit që ka në zonë./njekomb
Jemi në pragfillimin e sezonit turistik veror dhe deti bëhet prioriteti kryesor i turizmit të kësaj stine.
Një nga destinacionet për pushime detare është bregdeti i Jonit. Në këtë vijë bregdetare ka plazhe si ai i Vlorës, Dhërmiut, Himarës dhe Sarandës që janë hapësira të mëdha e presin shumë vizitorë, por në këtë bregdet ka dhe gjire të vegjël por mjaft piktoreskë, intimë, të përshtatshëm për plazh familjar apo shoqëror.
Një i tillë është edhe Gjiri i Gramës në Orikum.
Saktësisht gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.
Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.
Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.
Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.
Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjërë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.
Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si shpella e shkrimeve. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike.
Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim.
Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./Atsh
Imagjinoni ujëra kristal të qartë, male të larta dhe plazhe me pak turistë. Jo, nuk bëhet fjalë për një mirazh, por për Drimadhen, plazhi më i bukur në Rivierën Shqiptare.
Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në një artikull të botuar në gazetën “Travel News”, për pesë plazhet mesdhetare ku mund të kalohen pushimet e verës.
Pushimet verore janë pothuajse në derë dhe ne të “Travel News” po ju çojmë në zbulimin e pesë plazheve absolutisht spektakolare mesdhetare për të parë këtë vit. Më mirë në fillim apo në fund të verës, kur turistët janë pak dhe ju mund ta shijoni plotësisht bukurinë e tyre.
Në listën e pesë plazheve bëjnë pjesë Navagio Zante (Greqi), Korcula Lampedusa (Siçili, Itali), Cala Agulla (Kroaci), Drimadhes (Dhërmi, Shqipëri) dhe Majorka (Spanjë).
Ndryshe nga shumë brigje përgjatë bregut, Drimadha nuk është e mbushur me njerëz edhe në pikun e sezonit.
Plazhi është i ndarë në dy pjesë nga një gur i gërmuar nga uji dhe era: në njërën anë është e përbërë nga guralecë, nga ana tjetër është e gjitha me rërë të shkëlqyer.
Nëse doni t’i shtoni disa vizita kulturore çlodhjes tuaj, fshati Dhërmi, vetëm tri minuta me makinë, është një xhevahir i ndërtuar pranë maleve, ku shfaqen kishat ortodokse me kupola blu, shtëpitë me gurë dhe kopshtet e mbushur me lulen e quajtur “Saranda”./Atsh