Turizem

Shqipëria, mes destinacioneve më të kërkuara për vitin 2018

Edhe National Geographic ka përfshirë Shqipërinë mes destinacioneve më të mira të 2018, së bashku me vende si Jordania, Tanzania, Zvicra, Kamboxhia dhe Madagaskar, shkruan në një artikull agjencia italiane e udhëtimeve “Vacanze in Albania”.

National Geographic i këshillon pushimet në Shqipëri sidomos kërkuesve të aventurave, që janë në kërkim të një pushimi aktiv, larg turizmit masiv, por e pasur me eksperienca autentike, në kontakt me natyrën dhe kulturën e vendit.Për t’u zbuluar qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, amfiteatrot greko-romane, plazhet dhe sidomos peizazhet e pazbuluara të vendit si majat alpine, fushat e blerta, zonat ujore dhe fauna.

Përse të zgjidhni Shqipërinë

Vendi është një koncentrat i pasurisë- Në një sipërfaqe jo më të madhe sesa ajo e Bretagne, Shqipëria posedon një mozaik të popujve dhe traditave, maleve, liqeneve dhe dy detrave, qyteteve të mëdha dhe rajoneve shumë të largëta, feve që bashkëjetojnë në harmoni dhe peizazheve të bukura mesdhetare.

E mbyllur për turistët rreth 50 vite, në fillim të viteve ’90 , Shqipëria ofron një pamje heterogjene të turizmit bregdetar dhe malor dhe ka tërhequr gjithnjë e më shumë turistë të huaj në dhjetë vitet e fundit. Dhe pikërisht nga turistët është quajtur “një dashuri e re mesdhetare” dhe “sekreti i fundit i Europës”.

Shqipëria është ende një vend i pashkelur – National Geographic fton turistët të eksplorojnë trashëgiminë natyrore të vendit, të zhyten në ujërat relativisht të pashkelura. Ujërat e përmbytura, rrënojat e anijeve dhe shpellat e rralla janë disa nga thesaret relativisht të pacënuara që presin zhytësit në Shqipëri. Dekadat e izolimit nën diktatorin komunist Enver Hoxha e kanë kufizuar zhvillimin dhe pa dashje kanë ruajtur trashëgiminë kulturore nënujore, veçanërisht jashtë brigjeve të jugut.

Destinacion për udhëtime aventureske – Shqipëria po fokusohet gjithnjë e më shumë në udhëtimin e aventurave. Iniciativa e fundit në këtë linjë ishte majin e kaluar kur u lançua një udhëtim eskursionist në Rezervatin Natyror të Gadishullit të Karaburunit, një bazë ushtarake e lashtë e arritshme vetëm në këmbë ose me anije. Duke kaluar gadishullin me një varkë të vogël, mund të arrini një gji të vogël, perfekt për zhytjen nën ujë, që ndodhet pranë një shpelle prej 600 m2.

Majin e kaluar, autoritetet hapën ishullin e Sazanit në Shqipërinë jugore. Ishte një bazë ushtarake që u përdor nga italianët deri në Luftën e Dytë Botërore, përpara se të bëhej baza më e fshehtë e vendit nën komunizëm, kur u fortifikua me bunkerë dhe tunele të projektuara për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm bërthamor që elita komuniste shqiptare kishte frikë.Ishulli i vogël i pabanuar prej 5.7 km2 dhe gadishulli i Karaburunit ofrojnë për eksploruesit rrënojat e anijeve të mbytura greke, romake dhe të Luftësë së Dytë Botërore, faunën e pasur nën ujë, shkëmbinjtë e pjerrët dhe shpellat gjigante, mbishkrimet e lashta të marinarëve në plazh dhe pamje që të lënë pa frymë të bregdetit.

Nuk është hera e parë që ky vend të emërohet në listat e udhëtarëve si një nga destinacionet që nuk duhet humbur. National Geographic gjithashtu e ka vlerësuar Shqipërinë si një nga dhjetë vendet më të mira që meritojnë më shumë udhëtarët dhe ka rekomanduar Luginën e Valbonës në Shqipërinë e Veriut, si një nga hapësirat më të mëdha në botë.

Shoqata ATTA (Shoqata e Tregtisë së Aventurave të Udhëtimit) e ka përfshirë Shqipërinë si një nga destinacionet kryesore të udhëtimit të aventurave për 2017 së bashku me Kubën dhe Portugalinë. Ndërsa transmetuesi publik francez France 2 e ka quajtur Shqipërinë si “Perla e Ballkanit”.

Shqipëria, mes destinacioneve më të kërkuara për vitin 2018 Read More »

Dritan Leli ju prezanton me Vloridën, zbardh bisedën me amerikanin

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli thotë se qyteti bregdetar ka potencial të madh për t’u shndërruar në magnet për turistët e huaj. Leli ka mburrur restorantet e Vlorës duke u shprehur se edhe spagetin e gatuajnë më mirë se në Itali.

Leli tregoi edhe një episod me një shtetas amerikan që kishte mbetur i mahnitur nga bukuritë e qytetit të Vlorës.

“Një miku im amerikan më tha: Kryetar, kjo nuk është Florida është Vlorida”, u shpreh Leli në OraNews.

Dritan Leli ju prezanton me Vloridën, zbardh bisedën me amerikanin Read More »

Mbërrin charter tjetër në Rinas, turistë suedezë zbresin në tokën shqiptare

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka mbërritur disa minuta më parë një tjetër charter, kësaj radhe me turistë suedezë.

Lajmi u bë i ditur nga Krislen Keri, Drejtor Ekzekutiv pranë Autoritetit të Aviacionit Civil. Turistët suedezë do të vizitojnë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Himarën, Sarandën etj.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka deklaruar se përgjatë këtij sezoni turistik do të mbërrijnë 300 chartera me turistë që do të vizitojnë vendin tonë./ATSH

  

Mbërrin charter tjetër në Rinas, turistë suedezë zbresin në tokën shqiptare Read More »

15% më shumë turistë të huaj se viti 2017

Turizmi po pëson një zhvillim të shpejt dhe me këtë ritëm pritet që Shqipërinë ta vizitojnë rreth 10 milion turistë të huaj në vit, brenda pesë viteve të ardhshme.

Kryeministri, Edi Rama gjatë fjalës së tij gjatë hapjes së zezonit turistik në qytetin e Vlorës, u shpreh se synohet që Shqipëria të kthehet në një destinacion kryesor të ofertës mesdhetare për tregjeve ndërkombëtare të turizmit.

Një nga instrumentet që qeveria ka vendosur për të realizuar këtë qëllim është reduktimi i taksës së turizmit nga 20% në 6%, si dhe heqja e TVSH për dhjetë vjet për hotelet e reja me 4-5 yje.

“Vetëm pak muaj më parë, “The Guardian” e renditi vendin mes 20 vendeve ku mund të zhvillohet turizmi. Rritja e pranisë së vendit në faqet e gazetave, revistave, mediave online në botë që kanë folur për turizmin është një rritje e ndjeshme, por jo befasuese. Të paktën jo për ne, pasi jemi shumë të qartë për çfarë kemi synuar në këtë proces transformimi, ku instrument kryesor ka qenë programi i Rilindjes Urbane”, tha Rama.

“E kemi të qartë se ku duam të arrijmë dhe duke pasur parasysh se vjet arritëm 5 milion turist të huaj dhe sivjet presim të paktën minimalisht 15% më shumë se vjet, atëherë në harkun e pesë viteve është plotësisht i mundur objektivi i 10 milionë turistëve të huaj”, tha Rama.

“Nuk e zgjodhëm kot Vlorën për të bërë këtë paraqitje, pasi Vlora është një nga polet kryesore të turizmit dhe është emblema turistike që ka prekur të gjitha zonat turistike në vend e që po përparon vit pas viti. E dimë, që Vlora është ende një kantier, pra është në një proces transformimi të vazhdueshëm. Mjafton të shohësh investimin te “Bulevardi qendror që të çon drejt skelës, për ti dhënë qytetit një fuqi të re tërheqëse, me shumë gjelbërim e atraksion”, përfundoi Kryeministri./e.caushi/ATSH

15% më shumë turistë të huaj se viti 2017 Read More »

Turizmi, Klosi: Ekonomi që prodhon mirëqenie dhe para

Frekuentimi i vizitorëve të huaj drejt vendit tonë, sa vjen dhe shtohet, ku turistët e huaj tregojnë kureshtje për të parë plazhet e Shqipërisë dhe të ndiejnë natyrën dhe mjedisin e pastër që të ofrojnë zona të caktuara turistike.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi në hapjen e sezonit turistik në qytetin e Vlorës, theksoi se numri i turistëve nga viti në vit është edhe më i lartë, duke zbuluar disa nga vendet qe vijnë charterat me turistë të huaj.

“Janë vetëm ditë e para të qershorit por realisht ka shumë pak dallim nga gushti i pak viteve më parë e them këtë pas numri i turistëve që shikoj në rrugët qytetin e Vlorës dhe gjithë zonës bregdetare. Përditë në aeroportin e Rinasit kanë filluar të ndalojnë charterat e parë nga Tel Aviv, Kopenhagen, vendet Nordike dhe nga vendet e Europës Juglindore po ashtu.

Nga veriu në jug, Velipoja, Shëngjini, Vlora e gjithë vija e bregdetit deri në Ksamil, tashmë janë plot e përplot me turistë të huaj dhe vendas.

Rritja e turistëve të huaj për çdo muaj është pothuajse me disa % më shumë se disa muaj më parë krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar e thënë me fjalë të tjera turizmi për ne po shndërrohet në një ekonomi, ashtu sic e kemi thënë që në maj, në programin e kësaj qeverie.

Sipas ministrit Klosi, turizmi nuk është thjesht një industri shërbimesh por është një ekonomi që prodhon mirëqenie dhe më shumë para.

“Turizmi për ne nuk është thjeshtë një industri shërbimesh për është një ekonomi që prodhon mirëqenie, është një ekonomi e cila prodhon punësim dhe është një ekonomi që sjell para, dhe për të prodhuar këto para dhe për të urdhëruar këtë industri na duhet më shumë se kaq dhe na duhet të kuptojmë që ne duhet ti shërbejmë kësaj industrie.

Ngremë në këtë takim problemet e mëdha që ka turizmi në vend, pasi numri i shtuar i turistëve dhe po ashtu oferta në rritje turistike për vendin tone na shton përgjegjësitë, kërkesën e llogarisë dhe zgjidhjen e një sërë problemesh të vjetra dhe të reja që turizmi në Shqipëri ka”, përfundoi Klosi./e.caushi/ATSH

Turizmi, Klosi: Ekonomi që prodhon mirëqenie dhe para Read More »

Destinacionet më të bukura në Europë, ja vendi që e nxjerr Shqipërinë “On Top”

Sezoni veror po afron, me ardhjen e muajit qershor nisin edhe planifikimet për pushime. Përpos destinacioneve të kërkuara jashtë trojeve, vetë Shqipëria ofron një sërë vendesh interesante për të pushuar apo për të vizituar, në rastin e turistëve të huaj.
Në hartën europiane të britanikëve Reddit, Shqipëria ka dy cilësi me të cilat “mburret” në syrin e turistëve të huaj: natyra dhe Riviera Shqiptare.

Në mesin e shumë shteteve të tjera, natyra është ajo që dominon në përshtypjet e të huajve në vendin tonë apo ajo që i ka lënë më tepër mbresa. Po t’i hedhim një vështrim rajonit, Mali i Zi dhe Kroacia është po aq e pëlqyer për bukuritë natyrore. Kosova, Maqedonia pëlqehen për objektet e kultit fetare; Serbia për kështjella, ashtu sikurse edhe Greqia dhe Qipro. Të dhënat janë marrë nga WTTC dhe mendimet e turistëve në Tripadvisor.

Ndërsa si element i veçantë, Shqipëria përmendet për Rivierën e saj. Kosova për Manastirin e Deçanit, Mali i Zi për Liqenin e Shkodrës, Bosnja për Urën e Mostarit, Maqedonia për Kishën Shën Gjonit, Serbia për Kështjellën e Beogradit.

Pak kohë më parë, media gjermane Die Welt iu referua Rivierës Shqiptare si një nga brigjet e fundit të paprekur në Mesdheun Europian.

“Ata që duan të përjetojnë origjinalitetin e tyre duhet të nxitojnë, sepse tashmë ka plane të mëdha për këtë zonë. Kur jemi te Riviera Shqiptare, ka fshatra që thuajse janë të paeksploruar si fshati i vjetër Lukova me një kishë të vogël dhe me vështirësi gjen barkë lundrimi dhe ku jo pak familje flasin greqisht. Më tej ndodhet Dhërmiu, një fshat piktoresk me shumë hotele me pamje nga deti. Krahas këtyre fshatrave përmendet edhe Vunoja, plazhi i Gjipes, Himara si vendbanimi më i madh i këtij rajoni, etj. Rajoni do jetë më atraktiv për turistët kur do të hapet edhe aeroporti që pritet të ndërtohet në gjirin e Vlorës”- thuhet në artikullin e gjermanëve. /Monitor

Destinacionet më të bukura në Europë, ja vendi që e nxjerr Shqipërinë “On Top” Read More »

Turistë nga Kievi mbërrijnë në Shqipëri

Bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e tursitëve të huaj, nga vende të ndryshme të botës.

Në fillim të sezonit turistik të këtij viti, janë të shumtë turistët që kanë zgjedhur të njohin natyrën dhe historinë e vendit tonë.

Një tjetër charter me turistë është ulur në Aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për charterin e parë me turistë nga Kievi, të cilët u pritën nga përfaqësues të autoriteteve turistike që kishin organizuar një ceremoni tradicionale.

Numri i turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë sa vjen dhe rritet, ku vetëm ditët e para të qershorit në Rinas kanë mbërritur charterat e parë nga Izraeli dhe Kopenhageni.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka deklaruar se gjatë gjithë sezonit turistik do të ulen në Rinas rreth 300 charter, të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, por edhe nga Anglia e Gjermania.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria vazhdon të tërheqë vëmendjen dhe kureshtjen e shumë turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. Në stinën e verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. /atsh

Turistë nga Kievi mbërrijnë në Shqipëri Read More »