Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 8100 turistë vetëm gjatë muajit maj, prej të cilëve rreth 3500 janë të huaj.
Në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj shprehet se, “fluksi i vizitorëve në Parkun Arkeologjik të Apolonisë është në rritje”.
Krahasuar me majin 2017 kur Apoloninë e vizituan vetëm 2900 turistë, statistikat e muajit që lamë pas janë mjaft optimiste, duke shënuar edhe rritje të të ardhurave për këtë park.
Po ashtu, sipas Dyrmishaj, në rritje është edhe numri i turistëve të huaj që vizitojnë këtë park, ndërsa gjeografia e tyre po zgjerohet nga dita në ditë.
“Shumica e turistëve të huaj janë gjermanë, italianë dhe francezë, por kanë filluar edhe turet nga grupet izraelite”, tha Dyrmishaj për ATSH-në.
Interesi i të huajve, sipas saj, është jo vetëm për Apoloninë, por për gjithë Shqipërinë, si një vend mesdhetar ende për t’u zbuluar.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike./atsh
Sazani dhe Karaburuni, janë ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.
Me fillimin e sezonit turistik anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar, Vlorë kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha për ATSH-në, se “udhëtimi drejt Sazanit dhe Karaburunit këtë vit ka filluar pak më herët. Gjatë kësaj jave janë nisur nga dy anije me turistë çdo ditë për të zbuluar bukuritë natyrore të tyre”.
“Ky është viti i dytë që anijet turistike nisen nga Porti i Vlorës, por këtë vit ka më shumë kërkesa. Pranë drejtorisë së sh.a. Portit Detar Vlorë kanë aplikuar për licencë 12 anije”.
Sipas tij, deri tani pesë anije kanë lidhur kontratë me portin e Vlorës, ndërsa shpresojmë që kërkesat të rriten.
Drejtori Malaj shprehet se “vitin e kaluar ishin katër anije, këtë vit është dyfishuar numri i tyre”.
I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.
Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./ATSH
Ky det shtrihet midis pjesës jugore të gadishullit të Ballkanit dhe gadishullit Apenin. Ai është deti më i thellë i Mesdheut, (me një thellësi që arrin në 5267 m tek humnera kalispo ), është det i hapur dhe mjaft i ngrohtë.
Brigjet shqiptare të këtij deti shtrihen nga Kepi i Gjuhezes deri në Kepin e Stillos me një gjatësi prej 151 km, me tipare të ndryshme. Përgjatë tij ngrihen male, prandaj ky bregdet është kryesisht i lartë e shkëmbor.
Në këtë bregdet plazhet janë te rralla dhe zallore. Ka edhe sektorë te tjerë te tij në të cilët malet u lëne vend fushave te vogla. Në grykëderdhjen e Lumit te Kalamasit ) dhe të lumit te Pavles brigjet janë të ulëta e fushore, me plazhe ranore dhe sektorë të moçalizuar.
Pamja tërheqëse, burimet e pastra, shkëlqimi i diellit, ujërat e kaltra dhe të tejdukshme të detit u japin këtyre plazheve vlera të mëdha turistike.
Për dy ditë me radhë një grup të rinjsh, që mendohet se nesër do të jenë udhërrëfyes dhe pjesë e stafit promovues, ndërmarrin një udhëtim kryq e tërthor hapësirave të Parkut Shebenik-Jabllanicë. Organizatorë të këtij aktiviteti njohës dhe eksplorimi janë dy shoqata, Egnatia dhe Qendra Eden. I bashkohemi edhe këtij grupi, natyrisht duke marrë edhe pajisjet e nevojshme me vete.
Për të shkuar deri në Parkun Kombëtar Shebenik- Jabllanicë na u desh të preknim fshatrat si: Nisja që u bë nga qyteti mrekullueshëm i Librazhdit duke kaluar në Togëz, Zgosht, Lunik, Llangë Stëblevë,në Liqenin e bukur të Fushë Studnës deri në destinacionin e fundit Fusha e Letmit. Në fshatin Zgosht arritëm të vizitonim një ndër xhamitë më të vjetra të zonës, e cila zanafillën e saj e ka rreth 500 vite më parë. Ngjitur me xhaminë ka hapur kurorën një rrap me një vjetërsi 200-vjeçare, i vetmi objekt që i rezistoi sistemit komunist. Zgoshti dhe Luniku na ofroi mundësinë të shijonim një larmirëshmëri të florës dhe faunës. Zgoshti dhe Luniku, thonë se ka një mijë e një burime. Pak me lart Lunikut gjendet një tjetër fshat i vogël i ndërtuar në buzë të një zalli, ku karakteristikë janë shtëpitë-kulla me çati prej rrase. Gjatë rrugëtimit gjithashtu u njohëm dhe me pemën ombrellë “Rrapi i Taksimit”, monument natyre, që gjendet në majë të një mali dhe mund të kundrohet më së miri nga të gjitha anët e horizontit.
Pasi arritëm në Fushë-Studë , ndalesa u krye me të njëjtin emër, një liqen mjaft piktoresk, ku pamja që të rrethon të krijon idenë e një ballkoni të bukur pranveror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjithë pamja spektakolare e Liqenit, që të mbërthen e s’të lë të largohesh. Teksa hedh vështrimin në të, të duket sikur ke përballë një pikturë në të cilën treten e harmonizohen mijra ngjyra, të dukshme e të padukshme. Liqeni i Fushë-Studës është i paimagjinueshëm.
Pas shijimit të këtyre bukurive nisemi për një ndalesë tjetër ku gjatë rrugëtimit njihemi me mjaft bimë tipike të zonës. Peizazhi piktoresk na shoqëron gjatë gjithë rrugëtimit. Ajri i pastër i ndërthurur me aromën karakteristike të luleve e cicërimat e zogjve, qyqes, gjelit të egër, bilbilave etj. të fusin në një botë tjetër, diverse nga ajo që përjetojmë çdo ditë.
Nën shoqërinë e kësaj energjie pozitive nisemi për në “Shpellen e Akullit”, ose, siç quhet ndryshe “Shpella Eremite”, ku ing. Barjam Kullolli dhe Ornela Poçi gjatë gjithë rrugës na shpjeguan për gjithçka që ne ishim kuriozë. Shumë pranë Shpellës së Akullt gjendet dhe fusha e Letmit, e cila është përdorur për kullotën e bagëtive dhe vitet e fundit është përdorur si vend për festën e 2 Gushtit e organizuar nga komuna Lunik. Një lëndinë disa qindra hektarë dhe me një shumëllojshmëri lulesh duke filluar nga më i rralli dhe më i bukuri, Ylli i Alpeve e duke vazhduar me të tjerë.
Pasi ndahemi nga kjo fushë, gjendemi pranë Shpellës së Akullit që daton gjatë shek II-III, në kohën e sundimit bizantin. Shpella e Akullt është përdorur kryesisht për banim, dhe ketë e tregojnë me se miri pikturat që ndodhen në të. Në Shpellën e Akullt ndeshësh me stalaktitet e stalakmitet llojë-lloj formëshe. Kjo shpellë me një thellësi dhjetëra kilometra ka nevojë edne për eksplorim. Nëse arrin të zbresësh pak më në thellësi të saj do të ndjesh ajrin e ftohtë dhe pikat e ujit, të cilat pas shkrirjes bien mbi shkëmbinj duke krijuar një si melodi të këndshme që të shoqëron gjatë gjithë qëndrimit në të. Impresioni dhe dëshira të bën të mos ndahesh prej saj, por koherenca kohore nuk na lejon të qëndrojmë më shumë.
Nisemi përsëri andej nga erdhëm duke mbajtur me vete këto mbresa të paharrueshme,që rrallëkush mund t’i prekë. Nuk gjejmë fjalë të falënderojmë drejtuesit e projektit që na dhanë këtë mundësi. Ishim të parët që ndenjëm kaq gjatë dhe udhëtuam kaq shumë në këto mrekulli. Një guidë e tillë është ndër të rrallat që organizohet në këtë mënyrë. Ndoshta për këtë rrugëtimi quhej “Ambasadorët e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë”.
Projekt trajnues i Shoqatës Egnatia dhe Qendrës Eden
Shoqata Egnatia në bashkëpunim me Qendrës Eden, në kuadër të projektit “Ambasadorët e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë”, organizuan para disa ditësh një rrugëtim trajnues me të rinj të zonës, ku veç anës teorike dhe vënies në zbatim të njohurive të marra, u shijuan më nga afër këto bukuri. Sipas informacionit që na jep drejtuesi i Shoqatës Egnatia, zoti Agim Blloshmi, rrugëtimi pati si synim trajnimin dyditor, ku u përfshinë të rinj të zonës ku do të në zhvillohet projekti, të cilët u ushtruan se si të jenë udhërrëfyes të një guide natyrore në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Programi i trajnimit u zhvillua sipas eksperiencës holandeze të Qendrës Eden me programin e saj të përshtatur në kontekstin lokal. Trajnimi u përqendrua në tre sesione kryesore: Teknikat dhe aftësitë e udhërrëfimit, hartimi i programeve përkatëse të identifikimit dhe promovimit të vlerave të parkut, udhërrëfimi natyror si profesion dhe teknikat e markimit të shtigjeve.
Guidë
Çfarë gjen në këtë park?…
Shebenik-Jabllanica shtrihet në pjesën lindore të rajonit të Librazhdit dhe përfshin malet me të njëjtin emër kufizues me Maqedoninë. Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km, në veri nga fshati Steblevë deri në jug në fshatin Rrajcë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 33.929 ha. Malet e Parkut Shebenik – Jabllanicë dominohen nga thepisjet e theksuara dhe variojnë me lartësi nga 300 m deri në 2.262 (Maja Rreshpes-Shebenik).
Po çfarë ofron parku, veç natyrës së bukur?
Popullsia
Në territorin e parkut përfshihen gjashtë Komuna: Stebleva, Luniku, Qendra, Hotolishti, Qukësi dhe Rrajca, gjithsej 12 fshatra si Borovë, Steblevë, Llangë, Zgosht, Letem, Kosharisht, Qarrishtë, Gizavesh, Dorëz, Skroskë (Peshtan), Rrajcë-Skenderbej dhe Rrajcë-Bardhaj. Por ndikimi parkut shtrihet më gjerë edhe në fshatrat Lunik, Librazhd Katund, Dragostunjë, Hotolisht, Buzgarë, Vulçan, Vehçan, Qukës-Shkumbin, Rrajcë Sutaj etj.
Ujërat
Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vegjël me bukuri madhështore, të cilët ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit. Janë gjithashtu dy lumenj që rrjedhin përmes zonës së Parkut me një gjatësi prej 22 km, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin.
Klima
Klima në shumicën e parkut bie në kategorinë e klimës mesdhetare, me temperatura mesatare vjetore ndërmjet 7 ° C dhe 10 ° C. Reshjet mesatare vjetore janë midis 1.300 mm dhe 1.800 mm.
Flora
Parku ka drurë ahu, pishë e zezë, bredh, lis, mështekna, arneni, bush, ajdes, panjë, shelg, lajthi, shkozë, mëllezë, vidh, vodhëz të egër, qershi të egër, boronicë, gorricë, dardha të egër, trëndafil të egër, çaji i mali, sanza dhe më i rralli, endemiku ylli i alpeve.
Fauna
Speciet kryesore të faunës janë: ariu i murrmë, ujku, vjedulla, dhelpra, ketri, nusja e lalës, shqiponja, skifteri. Më të rrallë janë: zardafi, derri i egër, kaprolli, dhia e egër, rrëqebulli, gjeli i egër, trofta e malit.
Veprimtari kulturore e sportive
Në këtë zonë, komuniteti organizon mjaft aktivitete social-kulturore tradicionale, të cilat janë e vetmja frymëmarrje e këtij komuniteti. Festat kryesore që zhvillohen në këtë zonë janë: Festa“Dorëz”, festë mjaft e madhe, me aktivitete kulturore tradicionale në terren natyror. Po ashtu, festa e Shëngjergjit në Stëblevë, e Qarrishtës, e Rrajces, e Lunikut, etj.
Parku, kaq pranë dhe kaq larg!…
Ndër parqet kombëtaret shqiptare, Parku Shebenik-Jabllanicë njihet si një nga më të mëdhenjtë, më të bukurit dhe më mbresëlënësit në vend. Ky park, gati i virgjër, ka një inventar të pasur të të gjitha llojeve të drurëve dhe shkurreve pyjore, bimë barishtore dhe lule të rralla; një faun të pasur me llojë-lloj kafshësh e shpendësh të egra; ka maja, sheshe alpinë, liqene, burime të ftohtë dhe plot çudira të tjera për marshime, ekskursione, veprimtari sportive, mundësi për aktivitete shkencore etj. Të gjitha këto që thamë më sipër përbëjnë potenciale të larta eko-turistike, por që fatkeqësisht deri më sot janë shfrytëzuar pak ose aspak, për shkak të politikave dhe interesave të të çastit, indiferente, që gjoja luftojnë për “bukën e gojës” dhe turizmin e quajnë një luks që ende nuk i ka ardhur koha!… Është kjo arsyeja që bukuritë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë nuk njihen, por edhe nuk janë
promovuar aq sa duhet.
E, megjithatë, në mënyrë natyrore dhe spontane, vitet e fundit parku ka marrë jetë në zhvillimin e turizmit malor. Në të po vijnë për herë e më shumë njerëz dhe po shihet një interes jo i vogël, por krahasuar me zonat simotra të Alpeve të Veriut, ende ka nevojë për investime në infrastrukturë, sinjalistikë, informim dhe ndërgjegjësim të banorëve, së pari, për ruajtjen e potencialeve natyrore, e më pas në zhvillimin e metodës së duhur të komunikimit dhe shërbimit tek vizitorët. Të gjitha këto krijojnë mundësi për t’i dhënë jetë formave ekzistuese juvenile të ekoturizmit, gjithashtu edhe formave të reja të tij.
Turizmi në këtë zonë akoma është në fazat e para të zhvillimit. Vizitorët janë të pakët dhe të vetëorganizuar. Kjo kur zona e parkut, përveç vlerave turistike ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme. Ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët, studiuesit, etj. Përmendin psh, Fshatin Llangë me shtëpi karakteristike me mure guri, trekatëshe, shumëvjeçare; Kishën e Koshorishtit, ndërtuar në një shpellë në shek. II para erës sonë; liqenet karstike Shebenik, liqenin e Fushë Studnes, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut, e shume të tjera.
Bregdeti jugor i Shqipërisë, me fshatrat e këndshëm tradicionalë, kalldrëmet dhe kishat e vogla ortodokse, është plot me plazhe të mrekullueshëm me ujëra të kristalta, që rivalizojnë Greqinë fqinje me gjysmën e çmimit, shkruan faqja e specializuar për turizmin, theculturetrip.com.
Dhe, nëse jeni të ngopur me bregdetin, ju mund të shkoni në burimet natyrore pranë Sarandës apo në brigjet liqenore pranë kufirit me Maqedoninë, pasi Shqipëria është plot surpriza.
Të përmendësh të gjitha plazhet e mrekullueshme është e pamundur, por më poshtë janë renditur 11 plazhet më të mahnitshme të Shqipërisë:
Drimadhes
Drimadhes, që mund të jetë plazhi më i bukur i Shqipërisë, një gji i vogël pranë Dhërmiut, me një shkëmb gjigant që ndan plazhet nga rëra, është vendi perfekt për të pushuar. Plazhi nuk është i populluar, madje as në verë, kështu që mbajeni mend mirë.
Dhërmiu
Pranë Drimadhes, ju gjeni Dhërmiun, një nga vendet më të famshme në Shqipëri, me shkëmbinj të bardhë që përkëdhelen nga ujëra blu në jeshilë.
Himara
Fshati i Himarës është një nga më të frekuentuarit në Rivierën Shqiptare, por që ende nuk e ka humbur sharmin e tij. Ka disa plazhe të mrekullueshme si Livadhi dhe Potami, të lokalizuar mes detit dhe një lumi.
Borsh
Është plazhi më i madh i Rivierës Shqiptare, një ngushticë rëre 7-kilometërshe e paprekur. Rrethohet nga ullinj dhe një mal i lartë dhe, pavarësisht bukurisë, është një nga më pak të vizituarit në vend.
Vlora
Qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë dhe vendi i plazheve mahnitëse të paprekura. Me Teuta Boat Tours mund të shkosh në Karaburun dhe Sazan, por nëse doni të ikni me makinë, shkoni në Radhimë apo Orikum.
Saranda
Konsiderohet kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqipëtare. Është një nga pikat më të frekuentuara të vendit për shumë arsye: qyteti ndodhet pranë kufirit me Greqinë, është përballë Korfuzit dhe ka plazhe të shkëlqyera si Pulëbardha.
Ksamil
Ndodhet në jug të Sarandës dhe është një nga destinacionet më të mira të plazheve. Quhet edhe ”perla e Jonit”. Ka pamje fantastike dhe është një gji me tri ishuj të vegjël. Ju sugjerojmë ta shmangni në gusht pasi është shumë i populluar.
Gjipe
E fshehur nga malet, Gjipe është plazh perfekt për ata që duan qetësinë. Pse? Pasi plazhi është larg rrugës dhe duhen 30 minuta për të parë pamjet spektakolare që të ofron.
Narta
Vetëm 15 minuta larg Vlorës, një lagunë e mrekullueshme me ujëra blu, perfekte për familjarët. Një plus i madh është ishulli i vogël i Zvërnecit me një kishe ortodokse të shekullit XVIII, e fshehur në mes të një pylli.
Syri i Kaltër
Teknikisht nuk është plazh, por një burim natyror. Sidoqoftë, nuk prish punë pasi është vendi perfekt për të notuar i vetëm në një nga peizazhet më të bukura natyrore të vendit.
Pogradeci
Shqipëria nuk ka vetëm plazhe të mrekullueshme në det, por ajo është shtëpia e një prej liqeneve më të vjetër dhe më të bukur të Europës, ai i Ohrit. Pranë Pogradecit ka disa plazhe të jashtëzakonshme të populluara gjatë verës, por ata janë perfektë sidomos në pranverë dhe në fund të verës.
Kryeministri, Edi Rama në prezantimin e Projekteve të reja për qarkun e Fierit e ka vënë theksin te program i “100 fshatrave” si një mundësi për të zhvilluar turizmin në vend, duke kombinuar turizmin tradicional me agroturizmin,.
Në fjalë e tij, Kryeministri Rama tha se “një tjetër element është programi i “100 fshatrave” kur ne do të ngremë 100 modele të zhvillimit të qëndrueshëm rural ku edhe Fieri ka 9 të tilla si pjesë e programit për të ndërtuar shembuj të integruar të transformimit në funksion të turizmit”
Kryeministri Rama theksoi se Turizmi është e ardhmja jonë.
“Turizmi është motori kryesorë i ekonomisë sonë natyrale dhe ne për këto arsye duhet të fokusohemi gjithmonë e më tepër te turizmi, duke i harmonizuar politika, duke harmonizuar investimet që nga bregdeti deri në alpe, që nga zonat urbane deri në zonat e thella rurale dhe duke kombinuar turizmin tradicional me agroturizmin”, tha Kryeministri./ata
Ndërsa janë hapur 26 qendra shëndetësore verore nga veriu në jug për të ofruar shërbim për pushuesit, një standard i ri shërbimi, që trajton me shpejtësi urgjencat, është vendosur në cdo urgjencë spitalore.
E ftuar në ERTV, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka prezantuar masat që Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë për një sezon të sigurt turistik.
“26 qëndra verore janë hapur në gjithë bregun nga Velipoja në Ksamil, për të garantuar kujdes shëndetësor. Gjithashtu në zonat malore si Theth, Razëm, Tamarë dhe për herë të parë në Tale pasi kishim shumë kërkesa nga viti që shkoi nga pushesit që donin të merrnin shërbim aty”, tha Manastirliu.
Manastirliu shtoi se ekipet që do të punojnë në këto qendra verore janë të specializuar dhe janë trajnuar nga qendra kombëtare e urgjencës.
Këto qendra kanë tashmë një sinjislistikë të re, janë kollaj të evidentueshme dhe kanë një numër ku mund të kontaktohen nga cdo pushues.
Manastirliu njoftoi se tashmë autoambulancat janë pajisur me mjetet e nevojshme për shpëtimin e jetës.
“Janë 17 autoambulanca që janë vendosur pranë qëndrave apo edhe pikave ku nuk kanë qënë më parë, në zonat turistike. Kemi shtuar pika në plazhet ku ka fluks. Ne kemi vendosur 5 pika të shtuara po nuk janë të vetmet se këto janë vetëm për plazhet. Përpos këtyre janë edhe autoambulancat e spitaleve tona”, tha Ministrja.
Një tjetër risi në urgjencat spitalore është një sistemi i ri i trajtimit të urgjencave, që shmang pritjet e gjata të pacientëve, sistemi i triazhit, ku sipas një kodi që tregon rastet më emergjente nis trajtimi me shpejtësi i pacientit më në nevojë.
Në anë tjetër, që prej muajit Prill, nga Inspektoriati Shtetëror i Shëndetit janë kryer 2883 inspektime në subjektet si pishina apo restorante për të rekomanduar përmirësime në kushtet higjieno sanitare. Janë marrë masa administrative por mbi të gjitha janë dhënë rekomandime për të përmirësuar kushtet nga subjektet si njesite akomoduese, etj./lexo.al
Për të parandaluar përmbytjet në periudhën e shtimit të prurjeve nga ana e lumit Vjosa dhe Buna, qeveria Shqiptare dhe ajo Turke do të hartojnë 2 projekte të përbashkëta për të parandaluar këtë fenomen.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri, Rama i cili theksoi se:
“Për të vazhduar dhe sistemuar situatën lidhur me përmbytjet dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe pyjeve të Turqisë kemi filluar të hartojmë 2 projekte të rëndësishme njëri për Vjosën dhe tjetri për Bunën, ku duam të bëjmë disa ndërhyrje të thella në mënyrë që ajo pjesë e përmbytjeve që lidhet me mungesën e kapaciteteve mbrojtëse të mund të eliminohet”, theksoi Kryeministri.