Te fundit nga zona

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi sot pastrimin e inerteve përgjatë bregdetit të Orikumit.

Aksioni është ndërmarrë pas prishjes pak kohë më parë të një numri objektesh po nga ana e IKMT-së.

Në zonën ku po ndërhyn aktualisht IKMT, kalon projekti i shëtitores buzë detit, që nis nga Vlora.

Pavarësisht këtij aksioni në Orikum, IKMT nuk ka ndërprerë, por ka intensifikuar kontrollet dhe ndërhyrjet përgjatë gjithë bregdetit shqiptar dhe prej pak javësh edhe përgjatë lumenjve në mbrojtje të territorit dhe mjedisit./atsh

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve Read More »

Turizëm në Tragjas/ Në fshat distanca respektohet më lehtë

Turizmi po rikonceptohet ne kushte pandemie.

Por ka disa zona në Shqipëri ku për shkak të relievit edhe distanca respektohet më lehtë.

Një prej tyre është dhe fshati Tragjas, ku bizneset e zonës kanë punuar që prej rihapjes së aktiviteteve.

Sofon e gjejmë duke bërë gati mishin e kecit për ta pjekur në saç. Edhe pse larg zonave urbane, puna këtu nuk mungon.

Qetësia, bukuria natyrore por tani edhe mundësia për të qenë larg të tjerëve i bën zona si Tragjasi mjaft tërheqëse, edhe pse ka një problem që mbetet në cdo kohë e që nuk pritet ta rregullojë as pandemia, rruga e pashtruar prej 3 km nga aksi nacional e cila pershkohet per 40 minuta.

Turizëm në Tragjas/ Në fshat distanca respektohet më lehtë Read More »

Dukat – Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se u nda nga bashkëkrahinori ynë…

Me hidherim te thelle ju njoftojme se ne date 14 Maj 2020 nderroi jete bashkekrahinori yne Halim Hodo JEMINAJ.

Ceremonia e percjelljes per ne banesen e fundit u be sot ne date 15 Maj 2020 ne oren 13:00 ne fshatin DUKAT.

I shprehim ngushellimet tona familjes dhe te afermve.

I paharruar kujtimi tij

Dukat – Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se u nda nga bashkëkrahinori ynë… Read More »

Parku detar kombëtar Sazan-Karaburun, perla e Shqipërisë turistike

Karaburun-Sazani, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në qarkun e Vlorës, ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Me një shtrirje detare rreth 1,9 km gjatë viteve të fundit ky park është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.

Në muajt e verës anijet turistike operojnë me një grafik më të ngjeshur, duke udhëtuar pothuajse përditë.

Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në gjirin e vogël detar të Shën Vasilit, që ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, natyra është treguar e pakursyer. Plazhi i virgjër dhe gjelbërimi kryesisht i ulët, përfaqësojnë një raport vlerash natyrore të pakrahasueshme.

Biodiversiteti, peizazhi dhe kultura e kësaj zone janë unikale për Mesdheun dhe për këtë arsye Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës.

Në të jetojnë të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në zonë.

Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë./atsh

Parku detar kombëtar Sazan-Karaburun, perla e Shqipërisë turistike Read More »

Parku Kombëtar Detar, Karaburun-Sazan 10 vjet zonë e mbrojtur

UNDP Albania solli sot në vëmendje se Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan mbush 10 vite si zona e parë dhe e vetme detare e mbrojtur në Shqipëri.

UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, po mbështet projektin “Përmirësimi i mbulimit dhe menaxhimit efektiv të Zonave të Mbrojtura Detare”, me mbështetjen financiare të Qeverisë italiane, përmes AICS Tirana, dhe Global Environmental Facility (Global Environment Facility), i cili ka në fokus kryesor të sigurojë mbrojtjen afatgjatë të biodiversitetit detar dhe bregdetar në Shqipëri. /atsh

Parku Kombëtar Detar, Karaburun-Sazan 10 vjet zonë e mbrojtur Read More »

Djalit nga Dukati, Polici shqiptaro-amerikan rrëfen përballjen e tij me koronavirusin

Pandemia e koronavirusit nuk ka kursyer askënd, qofshin të fortë fizikisht apo me probleme ekzistuese të shëndetit.

Një kontigjent mjaft i prekur janë dhe punonjësit e policisë. Materiali në vazhdim sjell historinë e Altin Çeloaliaj, një oficeri policie i cili më 13 prill u diagnostikua me koronavirus.

Ai është vetëm një prej shumë policëve të prekur nga pandemia në shtetin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, disa prej të cilëve nuk arritën dot t’i mbijetojnë sëmundjes. Në intervistën dhënë koleges Menada Zaimi, 33 vjeçari shqiptaro-amerikan, rrëfen eksperiencën e tij me sëmundjen, që mund të vërë poshtë siç thotë, edhe më të shëndetshmin.

Krahas punonjësve të shëndetit publik që shërbejnë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, një tjetër grup në rrezik janë punonjësit e policisë.

Një prej tyre është oficeri Altin Çeloaliaj, i cili punon për agjencinë ligjzbatuese që mbulon Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, dy shtete të goditura rëndë nga pandemia.

Objekt i punës së tij është anti-terrorizmi dhe zakonisht përfshin pak ndërveprim me publikun. Por në këtë kohë krize misioni i punonjësve të policisë ka qenë edhe më i gjerë, duke i ekspozuar ata jo rrallë herë me persona të prekur nga koronavirusi.

“Iu përgjigja një thirrje për ndihmë ndërsa isha në detyrë, ndihmova dikë. Më tha më fal, por unë jam me koronavirus. Besoj aty e kam marrë virusin, duke punuar. Fillimisht nuk e mendova shumë, pasi nuk iu afrova shumë. Thashë nuk do të jetë ndonjë gjë. Dy tre ditë më pas më filloi kolla dhe simptoma të tjera”, thotë oficeri i policisë Altin Çeloaliaj.

Kolla është një nga simptomat që shoqëron rëndom sëmundjen, e që duket se merr kohë për t’u larguar edhe pas shërimit. Intervista jonë me Altinin ndërpritet disa herë prej kollës…

Por ai thotë se ndihet shumë më mirë sesa dy javë më parë…

“Kisha shumë kollë, mezi flisja dhe kisha dhimbje në gjoks. Pastaj filloi temperatura ajo ishte më e keqja. Sidomos natën bëhej edhe më keq. Ishte e vështirë. Kur ngrihesha nga krevati të shkoja në banjë, më duheshin 20 minuta vetëm të mbushesha me frymë. Prej datës 2 deri në 13 isha keq, tani kam pak kollë, por jam shumë më mirë”, thotë ai.

Altini nuk është i vetmi në departamentin e tij që është prekur nga sëmundja.

“Ka disa të tjerë (kolegë) që janë në shtëpi si unë, që po marrin veten nga sëmundja”, thotë ai.

Kjo ka qenë një periudhë e vështirë në shumë aspekte për 33 vjeçarin. Ka kaluar më shumë se një muaj që ai jeton vetëm në shtëpi pa bashkëshorten shtatzënë e cila po jeton me prindërit e tij. Në një përpjekje për t’i ruajtur ata nga virusi, Altini i kaloi ditët më të vështira të sëmundjes i vetëm. Dhe nuk ishte e lehtë, qoftë edhe për një oficer policie.

“Më e vështirë se të kalosh virusin është ndarja nga familja. Nusja është shtatzënë me binjakë, është shtatë muajshe, ka nevojë të shkojë tek doktori dhe unë nuk jam aty ta ndihmoj, u bë një muaj. Edhe prindërit janë në merak. Kur isha sëmurë vinin çdo ditë dhe më linin ushqim tek dera, por unë nuk ngrihesha dot fare nga krevati për t’i marrë”, shton Altini.

Nisur nga eksperieca e tij oficeri i policisë së Nju Jorkut ka një mesazh për të ndarë.

“Mendova se do të ishte si gripi normal. Thashë do të infektohem e do ta kaloj, nuk është gjë e madhe, por ishte më keq nga sa mendova. Isha me fat që gruaja ime ishte tek prindërit e mi dhe nuk sëmura njeri tjetër. Por do të ishte keq nëse kjo do të kishte ndodhur, pasi është shtatzane me binjakë dhe prindërit e mi janë të moshuar. Babi ka disa probleme shëndetsore.

Ndaj nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për prindërit e të tjerët. Ne të rinjtë e kalojmë, por disa nuk e kanë kaluar, një polic 34 vjeç vdiq pak ditë më parë”, thotë Altin Çeloaliaj.

Altin Çeloaliaj u testua poziv me COVID-19 më 13 prill. Ai thotë se është shëruar ose të paktën kështu mendon pasi simptomat po i fashiten. Por do të donte që gjithë kësaj historie t’i shtonte dhe një konfirmim zyrtar. Për shkak të volumit të madh të kërkesa ai thotë se nuk ka mundur të ritestohet.

“Tashmë ka kaluar më shumë se dy javë që kur u shfaqën simptomat. Më thanë (mjekët) që nuk përbën më rrezik për ta transmetuar virusin, por më kërkuan të rri edhe një javë tjetër në shtëpi që kjo gjë të jetë e sigurt.

Do të doja ta bëja sërisht testin të dilja negativ dhe të hiqja mendjen, sepse tani jam i izoluar nuk vete në asnjë vend, por më thanë që nuk ma bëjnë dot. Marrja e përgjigjes që isha pozitiv me COVID-19 më mori afërsisht nga 9-10 ditë, nëse e bëj tani sërisht testin, do të më kërkojë po aq, unë në datë 27 duhet të kthehem në punë”, thotë oficeri i policisë.

Sipas të dhënave më të fundit të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut rreth 20 për qind e punonjësve janë prekur nga COVID-19./VOA

Djalit nga Dukati, Polici shqiptaro-amerikan rrëfen përballjen e tij me koronavirusin Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com