Shendetesi

Lehtësimi i masave, ISHP apel qytetarëve: Respektoni rregullat e distancimit social

Me lehtësimin e masave shtrënguese është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të tregojë kujdes maksimal për të ruajtur veten dhe të tjerët.

Instituti i Shëndetit Publik apelon qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social.

“Respektoni rregullat e distancimit social duke qëndruar në shtëpi, nëse dilni jashtë mbani një distancë të caktuar, më shumë se një metër nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur kolliten ose teshtijnë”, thuhet në mesazhin që ISHP iu drejton qytetarëve.

Po ashtu, ISHP apelon qytetarët të mënjanojnë kontaktet e ngushta dhe praktikojnë higjienën respiratore.

“ Lani shpesh duart për të paktën 20 sekonda. Mos prekni me duar sytë, gojën dhe hundën”, informon ISHP./atsh

Lehtësimi i masave, ISHP apel qytetarëve: Respektoni rregullat e distancimit social Read More »

U infektua pasi vizitoi prindërit në Fier, 36 -vjeçarja në pritje për t’u bërë sërish nënë fiton betejën me COVID-19

Lajme të mira vijnë nga spitali Infektiv në Tiranë. Gruaja shtatzënë e prekur nga COVID-19 ka rezultuar negative në dy teste duke fituar kështu betejën me koronavirusin.

“Pas më shumë se 10 ditësh në spitalin Infektiv, 36-vjeçarja kthehet shëndosh e mirë pranë familjes, plotësisht e shëruar, në pritje për t’u bërë sërish nënë”,- tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja ka publikuar edhe dy momente të veçanta, teksa 36-vjeçarja që është në muajt e fundit të shtatzanisë i nënshtrohet kontrollit mjekësor dhe një foto së bashku me ekipin e mjekëve pak para se të dilte e shëruar plotësisht nga spitali.

36-vjeçarja u infektua nga COVID-19 pasi shkoi të vizitonte prindërit e saj në Fier, të cilët ishin të prekur nga ky virus. Por sot falë edhe punës së përkushtuar të bluzave të bardha në spitalin Infektiv, ajo u kthye e shëruar pranë familjes së saj./atsh

U infektua pasi vizitoi prindërit në Fier, 36 -vjeçarja në pritje për t’u bërë sërish nënë fiton betejën me COVID-19 Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 17 raste të reja, shkon në 933 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 17 raste të reja me COVID.

Rovena Daja, eksperte pranë ISHP u shpreh se “janë testuar 306 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 17 qytetarë. Mes të testuarve janë 48 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar të gjithë negativë për COVID-19.

Rastet e reja janë të përqendruara në zonën Tiranë-Durrës, përkatësisht 8 në Tiranë, 8 në Durrës dhe 1 në Krujë, kryesisht kontakte të rasteve pozitive të mëparshme, por edhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik. Ndërsa të shëruar në 24 orët e fundit janë 9 qytetarë”.

Sipas saj, rastet e reja të rritura për të tretën ditë radhazi tregojnë qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë.
Deri më sot janë kryer mbi 12 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 933 qytetarë./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 17 raste të reja, shkon në 933 numri i të prekurve Read More »

Fituan betejën ndaj COVID-19, çifti nga Shkodra mesazh prekës mjekëve të Infektivit

Çifti Kraja ka arritur të fitojë betejën e vështirë me COVID-19 dhe në shenjë falenderimi i ka bërë një dedikim shumë prekës mjekëve të spitalit Infektiv.

Çifti nga Shkodra i është drejtuar me një letër personelit mjekësor që u kujdes për ta në QSUT. Ata janë shprehur shumë mirënjohës ndaj tyre duke i falënderuar familjarisht ata bashkë me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, sepse bënë të mundur që të riktheheshin shëndoshë e mirë në shtëpi.

“Drejtuar personelit mjekësor të COVID-19, spitalit Infektiv QSUT. Ju urojmë nga zemra, shëndet jetë të gjatë e lumturi pa kufi me familjet tuaja. Ju ruajt Zoti. Jemi shumë mirënjohës ndaj Jush. Punë të mbarë nga familja Kraja”, thuhet në letër.

Shefja e Infektivit Najada Çomo ka dhënë lajmin e mirë për çiftin Kraja. “Dy shkodranë të fisëm fituan betejën me COVID-19, betejë shumë e vështirë, ky falënderim vlen shumë për gjithë stafin e shërbimit infektiv. Mirënjohje çifti Kraja për këtë dedikim të ndjerë”, është shprehur Çomo./atsh

Fituan betejën ndaj COVID-19, çifti nga Shkodra mesazh prekës mjekëve të Infektivit Read More »

Tomini për ATSH-në: Monitorim intensiv i zonave të kuqe e të gjelbra, rikthimi mund të jetë i mundshëm nëse nuk respektohen udhëzimet

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaron se marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri.

Në një intervistë për ATSH-në, Tomini shprehet se COVID-19 në vendin tonë pati karakteristikën e një epidemie të butë, krahasuar me peshën që pati në vendet e tjera europiane, duke krijuar mundësinë për një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë.

“Kjo epidemi u paraqit me pikun në javën e fundit të muajit mars dhe me një trend të qëndrueshëm në vijim, duke sjellë një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë, për sa i përket përgjigjes së sistemit shëndetësor ndaj të gjitha rasteve, sigurisht nën efektin e masave të marra kundrejt distancimit fizik, por dhe strategjisë së ndjekur kundrejt testimit të çdo rasti të dyshuar dhe të gjithë kontakteve të evidentuara nga gjurmimi i thelluar epidemiologjik. Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri”, thekson Tomini për ATSH.

Në vend, thekson ajo, vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. “Por, transmetimi komunitar në disa zona është evident, sepse kemi shfaqjen e rasteve pozitive COVID-19 të pa lidhur epidemiologjikisht me njëri-tjetrin”, shprehet Tomini.

Monitorimi në mënyrë intensive i “zonave të kuqe” dhe ”të gjelbra”, shpjegoi Tomini, njëkohësisht sjell evidentimin e rasteve të reja aktive dhe kjo është në sajë të gjurmimit epidemiologjik të rasteve.

“Rastet e hospitalizuara, paraqiten në një nivel shumë të ulët aktualisht dhe kjo situatë flet në mënyrë pozitive për një klinikë jo agresive, sepse vetëm këto raste kërkojnë shërbim shëndetësor spitalor”, shprehet Tomini për ATSH.

Por sipas saj, këto të dhëna nuk flasin për faktin që pas rasteve me klinikë dhe me tampon pozitiv COVID-19, probabilisht kemi shumë herë më tepër raste asimptomatike në popullatë.

Megjithatë, Tomini thotë se aktualisht COVID-19 është nën kontroll, por vlerëson ajo, rikthimi mund të jetë i mundshëm dhe mund të mos përjashtohet nëse udhëzimet nuk do të respektohen.

“Duhet të kemi vazhdimësi në respektimin e distancimit fizik dhe masave të higjienës personale pavarësisht lehtësimit të masave, janë mundësitë e vetme të parandalimit dhe të shkëputjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, apelon Tomini./atsh

Tomini për ATSH-në: Monitorim intensiv i zonave të kuqe e të gjelbra, rikthimi mund të jetë i mundshëm nëse nuk respektohen udhëzimet Read More »

18 raste të reja në 24 orët e fundit, Manastirliu: Nevojitet përgjegjshmëri, jemi në kufirin ekstrem të lejuar për fazat e rihapjes

Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar sërish 18 raste të reja me COVID-19. Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Janë 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë, të gjitha kontakte.

Duke ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve pozitive në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave për të mos u kthyer në gjendjen e mëparshme.

“Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme”, tha Manastirliu.

Duke deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet planin e hapjes dhe lehtësimin e masave, Manastirliu deklaroi se nëse do të vijojnë rritje të rasteve, sipas skenarëve, mund të përdoren frenat e emergjencës.

“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar”.

Sipas saj, mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka.

“Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e rihapjes”, tha Manastirliu./atsh

18 raste të reja në 24 orët e fundit, Manastirliu: Nevojitet përgjegjshmëri, jemi në kufirin ekstrem të lejuar për fazat e rihapjes Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Rastet e reja në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë, 916 të prekur në total e 705 të shëruar

Në 24 orët të fundit janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 916, ndërsa janë shëruar deri tani 705 persona.

Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për situatën COVID19 në vend tha sot se “pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja; në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste”.

“Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit”, – shtoi ajo.

COVID-19 – Statistika (15 Maj 2020)

Testime totale 11988

Testime molekulare 11458

Testime serologjike 530

Raste pozitive 916

Raste të shëruara 705

Raste Aktive 180

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 77

Krujë 46

Shkodër 16

Kamëz 12

Berat 10

Durrës 9

Fier 5

Elbasan 2

Kurbin 1

Mirditë 1

Korçë 1

/atsh

Ministria e Shëndetësisë: Rastet e reja në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë, 916 të prekur në total e 705 të shëruar Read More »

Situata në spitale e qëndrueshme, 19 të shtruar dhe 4 në terapi intensive

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive.

Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për situatën COVID19 në vend theksoi sot se deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat”.

“Prandaj është vendi për një apel për të gjithë qytetarët: të respektojmë masat, të mos dalim nga shtëpia pa arsye të domosdoshme, të mos neglizhojmë shenjat e sëmundjes dhe duhet telefonuar 127 nëse keni shenja të Covid-19”, – tha Bino.

Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar sërish 18 raste të reja me COVID-19.

Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Janë 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë, të gjitha kontakte./atsh

Situata në spitale e qëndrueshme, 19 të shtruar dhe 4 në terapi intensive Read More »