Shendetesi

6 të shëruar nga COVID-19 në 24 orët e fundit/ 759 pacientë kanë fituar betejën që nga fillimi i pandemisë

759 qytetarë janë shëruar, ose 79% e të gjithë të prekurve nga COVID-19.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin për mediet se “nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Po aq sa numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit. 6 raste janë të shëruar në 24 orët e fundit”.

Ndërsa lidhur me të shtruarit në spitalin Infektiv Tomini tha se aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive.

“Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”, theksoi Tomini./atsh

6 të shëruar nga COVID-19 në 24 orët e fundit/ 759 pacientë kanë fituar betejën që nga fillimi i pandemisë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja në Tiranë dhe Shkodër

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë konfirmuar 6 raste pozitivë, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe raste në proces hetimi epidemiologjik.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë”.

“Mbështetur në strategjinë e lehtësimit të masave mbi kriteret e rasteve të shtruara në spital, rasteve që kërkojnë trajtim në terapi intensive, rasteve të humbjeve të jetës, situata ka qenë e qëndrueshme, përkundrejt 14 ditëve të vlerësimit të saj. Kurba epidemike në Shqipëri ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. Hetimi i thelluar epidemiologjik ka treguar luhatje ditore të rasteve në dy javët e fundit”, – tha Tomini.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake.

“Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e COVID-19 si kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje. Nëse keni këto shenja telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”.

COVID-19 – Statistika (25 Maj 2020)
Testime totale 14659
Testime molekulare 13333
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1004
Raste të shëruara 795
Raste Aktive 177
Humbje jete 32 (Qarku Tiranë 19, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 59
Durrës 53
Krujë 27
Shkodër 12
Berat 10
Kamëz 9
Fier 4
Elbasan 1
Mirditë 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja në Tiranë dhe Shkodër Read More »

Lehtësimi i masave/ Qytetarët, edhe më shumë përgjegjësi për të ruajtur veten dhe të tjerët

Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjes së të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe përgjegjësia e çdo qytetari për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të respektojnë distancimin fizik dhe të ruajnë higjienën personale.

Institucionet dhe bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte për parandalimin COVID-19.

Ministria këshillon qytetarët që të qëndrojnë të sigurtë, nëse duhet të dalin nga shtëpia për qëllime thelbësore, sikurse janë vajtja në pazar apo farmaci.

Nëse është e mundur këshillohet të kufizohen daljet duke provuar mundësitë online.

Po ashtu, këshillohet të vizitoni sa më pak vende të jetë e mundur si dhe kryerja e furnizimeve për të paktën një jave.

Këshillohet mbajtja e distancës prej të paktën 1 metër dhe larja e shpeshtë e duarve./atsh

Lehtësimi i masave/ Qytetarët, edhe më shumë përgjegjësi për të ruajtur veten dhe të tjerët Read More »

Mjeku Pipero: Inkurajoj hapjen e plotë, situata epidemiologjike në vend dhe rajon na e mundëson këtë

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero bën të ditur se është koha që vendi të hapet plotësisht pasi situata epidemiologjike në vendin tonë dhe rajon na e mundëson këtë.

“E kam theksuar se dielli dhe ajri ndihmojnë shumë të mos sëmuremi nga COVID-19, pasi rrisin imunitetin, madje edhe nëse infektohemi e kalojmë shumë lehtë sëmundjen. Kam theksuar dhjetra herë se virusi nuk trasmetohet përmes ujit, ndaj deti dhe rëra janë të këshilluara, pushimet dhe turizmi të inkurajuara. Por nuk rekomandoj “sfidën”, përkundrazi kujdesin. Virusi ende qarkullon, beteja ende vazhdon. Dhjetra herë kam theksuar se virusi nuk qëndron në ajër në mjediset e hapura, ndaj kam inkurajuar dhe shpjeguar profesionalisht pse duhet të jemi të vendosur për hapjen, e cila deri tani duhej të ishte graduale. Këtej e tutje vetëm e kujdesshme”, deklaroi mjeku Pipero.

Si mjek dhe profesionist i shëndetit publik, Pipero u shpreh se mirëkuptoi çdo vendim të institucioneve në respekt të distancimit social, për më tepër në një mori informacionesh shpesh kontraditore për COVID-19, dhe aq më tepër në një sërë udhëzimesh të OBSH-së.

“Ndoshta i kam lodhur qytetarët duke më dëgjuar çdo natë, ndoshta kam përsëritur veten shpesh, por kam qenë dhe jam i drejtëpërdrejtë me qytetarët. Shpresoj të mos jem bërë “babai i mërzitjes”. I përulem mirëkuptimit dhe durimit të tyre, dhe tani që jemi në fund të kësaj epidemie sërish ju kërkoj pak kujdes, asgjë më shumë”, deklaroi Pipero.

Ai inkurajoi komitetin e ekspertëve të jetë më i sigurt në rekomandimin për hapjen e plotë, situata epidemiologjike në vendin tonë dhe rajon na e mundëson këtë.

“Jo një ditë por edhe një orë më parë se të tjerët të hapemi, do kemi shumë më tepër përfitime. Jo vetëm ekonomike por mbi të gjitha psikologjike dhe shëndetësore”, u shpreh Pipero.

Po ashtu, Pipero bëri të ditur se i ka kërkuar Komitetit të orientojë gjurmimin e rasteve përmes hetimit intelegjent dhe aplikimin e PCR, “tamponit”për rastet më klinike, dhe të planifikojë një studim seroprevalence për të parë shkallën e ekspozimit e ndërtuar strategji për të përballuar një rikthim të mundshëm të epidemisë në fund viti, të cilën unë e besoj pak, por nuk e përjashtoj dot, krahas analizave serologjike që po vazhdojne aktualisht.

“Kështu mund të kontrollojmë me sukses edhe më tej epideminë. Së bashku si deri tani do e fitojmë betejën me COVID-19”, tha Pipero./atsh

Mjeku Pipero: Inkurajoj hapjen e plotë, situata epidemiologjike në vend dhe rajon na e mundëson këtë Read More »

Akademiku i njohur: Shqipëria rezultate impresionuese dhe shembull pozitiv për masat e marra në betejën kundër pandemisë

“Shqipëria është një nga shembujt më pozitivë përsa i përket gjendjes së epidemisë”, ka deklaruar në një intervistë as. Prof. Arjan Durrësi.

Akademiku Arjan Durrësi, i cili është anëtar i Komisionit të Matematikës dhe Informatikës në Akademinë e Shkencave, i specializuar, veç të tjerash, në besueshmërinë e sistemeve të Inteligjencies Artificiale në Indiana University Purdue University Indianapolis, Sh.B.A, ka theksuar se, “Shqipëria është një nga shembujt më pozitivë përsa i përket gjendjes së epidemisë. Ka pak raste të reja në disa zona të kuqe dhe ka shumë zona të gjelbra pa raste fare. Dhe numri i vdekjeve është minimal”.

“Ky rezultat është kombinim i disa faktorëve. Më e rëndësishme, do të thoja, është mbyllja e shpejtë. Nga studimet që janë bërë koha e reagimit ka qenë vendimtare për mbajtjen e epidemisë nën kontroll, uljen e numrit të vdekjeve, etj. Edhe java a dita ka bërë diferencën në mbajtjen e epidemisë. Faktor themelor ka qenë dhe disiplina e popullsisë që ka kuptuar rrezikun dhe i është bindur rregullave te reja. Një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe ekipet mjekësore që me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre kanë trajtuar me shumë sukses të sëmurët dhe kanë bërë ndjekjen e kontakteve”, tha akademiku Durrësi.

I pyetur se si duhet vazhduar me tej, Durrësi ka shtuar se, “Shqipëria me këto pak raste, ka shansin ta zhdukë fare virusin dhe epideminë. Është bërë shumë mirë që vendi është ndarë në zona. Të gjelbrat, pa raste, mund të vazhdojnë jetën e punën normalisht, por duke qenë vigjilent nëse del ndonjë rast. Në zonat e kuqe, me testime, ndjekje kontaktesh, por dhe duke mbajtur distancën fizike, maskat, higjienën, shmangien e grumbullimeve, sidomos në mjedise të mbyllura, rastet mund të çohen në zero dhe të mbahen zero. Shumë kujdes do treguar me udhëtimet ndërkombëtare. Një nga arsyet e ritmeve kaq te larta të pandemisë në botë janë fluturimet e shumta. Kjo do të ishte një fitore e madhe dhe do t’i jepte hov të madh ekonomisë. Uroj të mos ketë dehje nga sukseset, sepse virusi nuk është zhdukur, dhe moskujdesja mund të na kthejë në situatën fillestare. Po ashtu, dhe statuskuoja nuk duhet pranuar, vërtet kemi pak raste, por do synuar zero raste, dhe kjo është plotësisht e arritshme me pak mundim, puna me e madhe është bërë. Është sikur të jetë shtëpia në zjarr, flakët, pothuajse, janë shuar, por vazhdojnë në një cep. Nuk besoj se do kishte ndonjë zjarrfikës ta linte flakën. O do shuar fare, o do kthehet të djegë shtëpinë”.

Se çfarë duhet të mësojmë nga kjo pandemi Durrësi tha se,“mendoj që mësimi më i madh nga kjo situatë është ajo që të gjithë e dimë, vlera e shenjtë e jetës njerëzore, dhe që shoqëria duhet të bëjë ç’është e mundur ta mbroje atë. Në Shqipëri u bë zgjedhja e duhur qe me solidaritet të mbroheshin sa më shumë jetë. Kjo epidemi nxori në dukje edhe disa gabime apo dhe dështime kolosale. Gabimi kryesor është mospërgatitja për situate te tilla, megjithëse këmbanat e alarmit nuk kanë munguar. Ndërkohë që kemi të detyruar sigurimin e makinës, apo shtëpisë, shoqëria ishte, pothuajse, e papërgatitur për një epidemi të tillë”.

“Fatkeqësisht, në disa vende u aplikuan teori jo shkencore si ai imunitetit të turmës, term ky i përdorur në kushte kur ka një vaksinë. Pa vaksinë kjo strategji është jo morale, sepse rezulton në një numër të madh vdekjesh, dhe e pakuptimtë se dhe ekonominë nuk e shpëton dot. Ekonomitë nuk i mbyllin apo hapin qeveritë, por konsumatorët. P.sh, në Suedi kanë numër shumë më të lartë vdekjesh në krahasim me fqinjët, por dhe ekonomia u mbyll realisht, megjithëse jo në letër. Dështime të tjera janë modelet e gabuara statistikore që rezultojnë me gabime të mëdha. Po ashtu, vështirësitë në prodhimin e testeve, maskave, apo me teste me gabime. Uroj që mësimet nga kjo situatë të na shërbejnë për të ardhmen”, tha akademiku Durrësi.

Nëse është e domosdoshme apo jo mbajtja maskës gjatë fazës së hapjes Durrësi tha se, “përdorimi i maskave është themelor në këtë fazë të hapjes. Shembullin më të mirë praktik e dha Guvernatori i NY, z. Cuomo. Nga përdorimi i maskave, tha, infektimi i ekipeve mjekësore është i papërfillshëm në krahasim me popullatën. NY është një nga shtetet më të goditura, por që po e shtypin epideminë. Dhe po bëjnë një fushatë shumë të madhe për maskat”.

I pyetur sesi e vlerëson E-grupin që u ngrit pranë akademisë dhe përvojën e mendimeve që u shkëmbyen aty dhe ç’mund të bëhet më shumë në të ardhmen me këtë grup, ai ka theksuar se, “përvoja ime në E-grupin ka qenë shumë e mirë. Nuk e di nëse ndonjë mendim është përdorur në vendimmarrje. Sugjerimi im do të ishte që ky grup të vazhdojë deri sa të zhduket fare virusi. Gjithashtu, kjo përvojë mund të përdoret për probleme të tjera. Akademia mund të krijojë grupe fleksibel për projekte të ndryshme. Komunikimet on-line do ndihmojnë shumë. Eksperienca e epidemisë tregoi që shumë punë mund të bëhen me shumë më tepër efektivitet online. Akademia, mendoj, që mund ta shfrytëzojë këtë eksperiencë dhe shumë punë e aktivitete mund t’i bëjë online. Siç thashë këto grupe mund të jenë fleksibël, edhe të filluar nga vetë anëtarët, dhe duke ftuar bashkëpunëtor. Roli i Akademisë mund të jetë si ombrellë. Sipas rastit, këto grupe mund të prodhojnë rezultate që Akademia mund t’i publikojë, promovojë, e të jenë kontribute të vetë Akademisë”.

Akademia e Shkencave, menjëherë pas shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri, organizoi grupin “Në ndjekje të pandemisë” me mjekë, gjenetistë, ekonomistë, biologë, matematikanë e fizikanë brenda dhe jashtë vendit, anëtarë të Akademisë, dhe përmes komunikimit arriti që të identifikojë disa nga problemet më të rëndësishme të kësaj pandemie. U mundësua, gjithashtu. edhe hartimi i Buletinit Ditor të shfaqjes së pandemisë në botë dhe në vendin tonë. Këta buletine së bashku me grafikët e hartuar sidomos nga prof. Niko Kaçiroti në SHBA apo Erida Gjini në Portugali, mundësuan edhe parashikimin e përhapjes, infektimit, vdekshmërisë dhe riaftësimit nga ky virus në shifra të përafërta me ato që u vërtetuan në praktikë. Me qenë së kjo fazë është quajtur si bishti i pandemisë, pra ka kaluar pjesa më e vështirë e saj, por jo e gjitha, ne zhvilluam një bisedë më tre profesorët Arjan Durrësi, Alban Ylli dhe Genc Sulçebej të cilat do t’i publikohen në vijim”, bën me dije Akademia e Shkencave./atsh

Akademiku i njohur: Shqipëria rezultate impresionuese dhe shembull pozitiv për masat e marra në betejën kundër pandemisë Read More »

Pipero: Masat e fundjavës të nevojshme për shmangien e grumbullimeve

Pëllumb Pipero, mjeku i njohur infeksionist komentoi masat e fundjavës, sipas së cilit, janë të nevojshme për shkak se shmangin grumbullimet e mundshme të qytetarëve.

Ndërsa komentoi situatën epidemike në vend, Pipero u shpreh se kjo e fundit është në rënie. Pozitive sipas mjekut të njohur është fakti që rastet pozitive janë asimptomatikë.

“Shifrat dëshmojnë se intensiteti i epidemisë ka rënë, të paktën nga numri që konstatohen pozitivë , janë në një ulje të qëndrueshme edhe pse dinamika e grafikut ka oshilacione të cilat vijnë për shkak të aplikimit të strategjisë sonë që gjurmon rastet e kontaktit, kontaktet e kontakteve por e rëndësishme është që rastet janë asimptomatikë”, u shpreh Pipero.

Pipero shtoi se ecuria e epidemisë është drejt mbylljes, drejt përfundimit në vendin tonë.

“Fundjavat zakonisht dyfishojnë grumbullimin e njerëzve dhe duke qenë paksa të shkujdesur, krijohet më shumë mundësia të kenë kontakt më shumë, të ekspozohemi më shumë për të na rikthyer jo në fillimin e kësaj epidemie por për të na shtuar numrat. Ndaj besoj që ndoshta Komiteti i Ekspertëve e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin të arsyeshme që fundjava të jetë gjatë kësaj kohe më pak frenuese për shkak të ecurisë së epidemisë sonë. Ecuria e epidemisë, mua më bën optimist që fundi i muajit do të jetë tërësisht i lirë. Unë do të sugjeroja që në fund të muajit të hapej”, u shpreh ai.

Pipero u shpreh po ashtu se në këtë fazë po kryhen testimet serologjike, së pari për personelin shëndetësor.

“Në këtë fazë po aplikojnë testimet serologjike për personelin shëndetësor të atyre që kanë qenë më të ekspozuar si dhe të pacientëve pozitivë dhe në radhë të dytë për të parë ecurinë e qëndrueshmërisë së antitrupave në persona të konfirmuara me PCR”, tha Pipero./atsh

Pipero: Masat e fundjavës të nevojshme për shmangien e grumbullimeve Read More »

Ministria e Shëndetësisë/ Ndërron jetë në spitalin Infektiv 64-vjeçarja, vuante nga limfoma e trurit

Mbrëmjen e sotme ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 64-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e cila ishte e shtruar prej 3 javësh në spital, në gjendje të rëndë.

64-vjeçarja që vuante prej 4 muajsh nga limfoma e trurit, nuk arriti dot të mbijetonte, pavarësisht mjekimit intensiv dhe përpjekjeve të stafit mjekësor.

64-vjeçarja është viktima e 32 e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe apelon edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social, për të mbrojtur veten dhe të tjerët./atsh

Ministria e Shëndetësisë/ Ndërron jetë në spitalin Infektiv 64-vjeçarja, vuante nga limfoma e trurit Read More »

Mjeku Alimehmeti ndan dy studime të rëndësishme: COVID-19 nuk transmetohet me lehtësi përmes së objekteve, deti nuk e përhap infeksionin

Koronavirusi nuk mund të transmetohet me lehtësi përmes prekjes së objekteve apo sipërfaqeve të infektuara si dhe deti nuk e përhap infeksionin.

Mjeku Ilir Alimehmeti ka ndarë këto dy lajme të rëndësishme përmes së cilave bazohet në studime të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Francë.

“DC (Centers for Disease Control and Prevention – USA, informon se virusi nuk transmetohet me lehtësi përmes prekjes se objekteve apo sipërfaqeve të infektuara.
Megjithëse është ende e mundur, kjo mundësi është zbuluar që është shumë më e vogël se sa mendohej fillimisht. Pra, ato dorezat hiqini po patët mundësi”, bën të ditur Alimehmeti.

Ndërkaq, ai ka lajmëruar se Instituti Kombëtar i Francës për Shkencat Oqeanike nuk ka gjetur gjurmë të koronavirusit as në ujin e detit dhe as në molusqe.

“Që ta kemi të qartë, DETI NUK E PËRHAP KORONAVIRUSIN! Pse molusqet janë të rëndësishme në studim? Sepse ushqehen përmes filtrimit të ujit të detit.
Në ujërat detare derdhen ujërat e zeza që përmbajnë virusin. Nëse ky virus do të mbijetonte në det, atëherë prova bëhet pikërisht te molusqet që shërbejnë si akumulues biologjike!Forca miq! Lahuni në det, argëtohuni vetë dhe lironi fëmijët”, shprehet ai. /atsh

Mjeku Alimehmeti ndan dy studime të rëndësishme: COVID-19 nuk transmetohet me lehtësi përmes së objekteve, deti nuk e përhap infeksionin Read More »