Shendetesi

Rritja e rasteve me COVID-19/Mjekja Çomo apel qytetarëve: Virusi nuk ka më përzgjedhje moshe, kujdesuni për veten dhe tjetrin

Shefja e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare, Najada Çomo i ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat pasi rritja e rasteve ditët e fundit është tepër shqetësuese.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar apelin e mjekes Çomo e cila thekson se në betejën me këtë virus, maska është arma e vetme dhe më e mirë.

“Numri i pacientëve të shtruar në shërbim ka ardhur duke u shtuar. Dua të tërheq vëmendjen që personat e shtruar në spitalin Infektiv, një pjesë e madhe janë në gjendje të rënduar, një pjesë e madhe në terapi intensive. Ajo që dua të theksoj është se qytetarë të nderuar është situatë për t’u shqetësuar nga ana shëndetësore për shëndetin tuaj. Natyrisht që ne jemi në krye të detyrës për t’ju shërbyer, por keni një detyrim madhor të qëndroni sa më larg personave të sëmurë dhe ulni në maksimum qëndrimin në vende publike dhe mos harroni që maska është e vetmja armë mbrojtëse që keni”, thekson Çomo.

Mjekja thekson se “virusi është midis jush, ju bëni hapin për t’u mbrojtur sa më shumë në të kundërt në Shqipëri do të kemi një numër të shtuar personash”.

“Natyrisht virusi nuk ka më përzgjedhje, mund të kapi çdo lloj moshe dhe nuk është vetëm mosha e tretë që preket nga ky virus, por janë moshat e reja që preken dhe që e dërgojnë tek moshat e tjera duke cenuar shëndetin e tyre. Ju lutem kini në vëmendje se ky virus është shumë tepër midis jush tani që janë hequr edhe barrierat, pra vendi është i hapur”, apelon mjekja Çomo./atsh

Rritja e rasteve me COVID-19/Mjekja Çomo apel qytetarëve: Virusi nuk ka më përzgjedhje moshe, kujdesuni për veten dhe tjetrin Read More »

141 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Sot më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 397 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 141 raste.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 42 (sipas vendbanimit: 39 raste Prishtinë dhe 2 raste Hajvali dhe 1 rast Barilevë), komuna e Vushtrrisë 30 raste (sipas vendbanimit: 18 raste Stanovc i epërm, 8 raste Vushtrri, 2 raste Maxhunaj, 1 rast Begaj dhe 1 rast Bukosh), komuna e Pejës 18 raste (sipas vendbanimit: 18 raste Pejë), komuna e Mitrovicës 11 raste (sipas vendbanimit: 9 raste Mitrovicë, 1 rast Zhabar dhe 1 rast Shupkovc), komuna e Obiliqit 9 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Obiliq, 1 rast Hade, 1 rast Breznicë dhe 1 rast Raskovë), komuna e Prizrenit 7 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prizren, 2 raste Lubizhdë dhe 1 rast Gërnçar), komuna e Fushë Kosovës 6 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Fushë Kosovë), komuna e Gjilanit 5 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Gjilan dhe 1 rast Cërnicë), komuna e Podujevë 4 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Konushevc, 1 rast Gërdovc dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), 3 raste Mamushë, 2 raste Viti (sipas vendbanimit: 2 raste Skifteraj) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Kamenicë, Partesh, Gabricë-Kaçanik dhe Rahovec.

Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.

Sot më 16 qershor 2020, janë shëruar 5 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 968 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.312 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.756 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 16 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.183.802 raste të COVID-19 dhe 441.175 raste të vdekjes.

Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa mbajtja e maskave mbetet e detyrueshme”, thuhet në njoftimin e IKSHPK. /KosovaPress/

141 raste të reja me COVID-19 në Kosovë Read More »

“Virusi po gjen terren në mosrespektimin e masave”, Tomini: Më mirë të mbajmë distancën, sesa të rikthehemi në izolim

Ruani distancën e sigurisë dhe zbatoni protokollin e sigurisë. Kjo është thirrja e Eugena Tominit, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Ajo theksoi se me procesin e hapjes, pas izolimit gati dymujor pritej një rritje e përhapjes, por duhet vëmendje dhe zbatim masash, pasi virusi ka gjetur terren në mosrespektimin e masave.

“Virusi ka gjetur një terren përkundrejt mosrespektimit të masave të sigurisë. Ka një trend në rritje të rasteve pozitive. Pritshmëria ishte e tillë me rihapjen e biznesit. Më mirë t’i rikthehemi kujtesës se si ishte karantina, dhe të mbajmë distancat e sigurisë, sesa të rikthehemi në izolim”, – bëri thirrje Tomini.

“Kemi një zhvillim fiziologjik të virusit. Të gjitha masat që janë marrë, karantinë, masat e etiketës respiratore janë për të parandaluar përhapjen e virusit. Ne duhet të vijojmë të mbajmë masat për të minimizuar përhapjen, virusi do kryejë procesin e tij fiziologjik, por përmes masave, pa u kthyer në izolim do të ulim në minimum përhapjen. Spitali Infektiv ku po përballemi me fluksin aktual, i ka kapacitetet e duhura. Duhet të theksohet se në dhjetë ditët e fundit, kemi mbi 60% e rasteve që kanë pasur simptoma dhe kanë pasur dhe sëmundje shoqëruese. Këta të fundit në varësi të problematikës janë hospitalizuar. Duhen respektuar masat. Është shumë e rëndësishme kjo gjë”, – vijoi Tomini.

“Nuk do ta quaja valë të dytë, do e quaja një intensitet në rritje të COVID-19. Të gjitha pikat e kalimit kufitar, ato ajrore apo edhe detare, është e rëndësishme të respektojnë të gjitha protokollet e sigurisë dhe të evidentojnë menjëherë elementët që mund të shfaqin simptoma. Lëvizshmëria e qytearëve është e rëndësishme për të gjitha vendet, sidomos tani në periudhë sezoni turistik”, – shtoi Tomini.

Sa i takon të shtruarve në spital, Tomini tha se 20% e pacientëve janë pacientë që menaxhohen me një shërbim normal, ndërsa pjesa tjetër ka sëmundje të shtuara dhe kanë nevojë për një trajtim më të specializuar dhe më intensiv. /atsh

“Virusi po gjen terren në mosrespektimin e masave”, Tomini: Më mirë të mbajmë distancën, sesa të rikthehemi në izolim Read More »

“Shtimi i rasteve, faji i të gjithëve”, Bino: Nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se shtimi i rasteve me koronavirus është faji i të gjithëve dhe se të vetmet masa mbrojtëse që kemi janë distancimin fizik, higjiena personale dhe vendosja e maskave.

Në një intervistë në media, Bino u shpreh se gjithçka e ka fillesën te moszbatimi i distancimit fizik.

Bino vuri në dukje se protokollet e sigurisë për bizneset dhe restorantet janë për të minimizuar përhapjen e virusit dhe në momentin që nuk zbatohen, infeksioni përhapet më lehtë.

“Unë kam vënë re që protokolli nuk zbatohet. Ai protokoll nuk është kot, duhet zbatuar”, tha Bino.

Sipas saj, nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën, por ajo theksoi se e rëndësishme është që të mos ketë mbingarkesë në spitale dhe fatalitete.

Lidhur me vaksinimin Bino u shpreh se një vaksinë nuk mund të futet në vendin tonë nëse nuk aprovohet nga Agjencia Europiane e Barnave.

“Vaksinat kanë luajtur rol kyç në mirëqënien e njerëzimit ndër vite. Ne i kemi harruar shpërfytyrimet e njerëzve nga sëmundje si poliomeliti dhe i kemi harruar falë vaksinave. Kjo është arsyeja që kemi një procedurë indirekte për vaksinat e kalendarit që nuk pranojmë fëmijët në shkollë”, tha ajo./atsh

“Shtimi i rasteve, faji i të gjithëve”, Bino: Nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën Read More »

Brataj: Faza e hapjes, numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet e të prekurve janë më të shumta

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, dr. Skënder Brataj u shpreh sot se qytetarët nuk duhet të ulin vigjilencën, pasi virusi është aty dhe po vijon përhapjen biologjike.

Brataj, gjatë një interviste televizive, u shpreh se numri i telefonatave në Urgjencë është në rritje, por kjo, sipas tij, ka shumë dimensione.

“Rritja e telefonatave është tregues i ankthit dhe stresit. Pati një rënie telefonatash përpara rihapjes dhe qytetarët nisën të ndihen të sigurtë. Por tani kur kemi një numër në rritje të të infektuarve, njerëzit më të afërt me ato të infektuar, u shqetësuan dhe nisën sërish të kemi fluks telefonatash. Kemi po ashtu dhe 30-40 telefonata nga i njëjti person, kur ai pret t’i shkojë urgjenca për tampon, por nuk i ka shkuar brenda 24 orëve dhe ai insiston me telefonata. Kemi po ashtu persona që telefonojnë dhe kërkojnë të bëjnë tamponin për të udhëtuar jashtë vendit, pasi ua kërkojnë atje”, – tha Brataj.

“Ky relaksim i gjithë popullatës shkaktoi një relaksim dhe të personelit shëndetësor. Unë s’duhet të pres të vijë ISHP, AKU, apo institucione të tjera për të më kontrolluar mua a po zbatoj apo jo rregullat. Po ashtu dhe inspektorët që duhet të kryejnë monitorimin e kanë bërë këtë papushim që prej 8 marsit, por tani që janë hapur qindra e mijëra biznese nuk mund të presim që të jenë të pranishëm tek të gjitha bizneset, por duhet vetë sipërmarrësi të jetë i vetësensibilizuar”, – tha Brataj.

Lidhur me infektimet tek “Francezi”, Brataj tha se ka pasur relaksim të personelit. “Në QSUT janë 53 shërbime, janë tre të tilla që janë prekur. Tek “Francezi”, që është një shërbim që ka qenë i mbyllur, por tani me rihapjen u prek nga ky virus ka patur relaksim. Atje bëhen kontrollet e syve dhe kontakti është i afërt dhe duhet me patjetër të kesh masat e sigurisë ti si personel. Në Itali janë 26 000 personel mjekësor të infektuar. Por këtu ka relaksim të popullatës. Po të shkosh në market kur i thua ruaj distancat, të shohin shtrembër e të thonë akoma e beson këtë, pasi lajmet e shumta me filozofi të ndryshme sjellin problematikë”, – tha Brataj më tej.

“Testimet janë punë e epidemiologut. Rritja e e infektimeve realizohet sipas kontakteve që ka pasur i prekuri. Kur je i izoluar numri testimeve ulet, pasi kontaktet janë të pakta, tani që jemi të hapur numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet rriten dhe kështu me radhë”, – tha Brataj. /atsh

Brataj: Faza e hapjes, numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet e të prekurve janë më të shumta Read More »

Ndërron jetë një paciente me COVID-19 në Klinikë Infektive, kishte sëmundje bashkëshoqëruese

Klinika Infektive e QKUK-së ka bërë të ditur se sot në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja N. D. (1946) nga Komuna e Rahovecit.

Ajo ishte pranuar në Klinikën Infektive më 5 qershor dhe përveç infeksionit me COVID -19 kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në Klinikën Infektive sot janë të hospitalizuar 58 pacientë, prej tyre të sëmurë me COVID-19 janë gjithsej 53 pacientë.

Nga 53 pacientët e infektuar me COVID-19, 33 raste janë në gjendje të stabilizuar, 20 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve një rast në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të Klinikës Infektive.

Në pritje të rezultateve janë tre pacientë, ndërsa një pacient i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për COVID- 19 vazhdon trajtimin në klinikë.

Sot del nga klinika një paciente e shëruar nga infeksioni me COVID- 19.

Që prej fillimit të pandemisë dhe deri më sot në Kosovë janë regjistruar 34 raste humbje jete./KosovaPress/

Ndërron jetë një paciente me COVID-19 në Klinikë Infektive, kishte sëmundje bashkëshoqëruese Read More »

Rritja e numrit të të prekurve me COVID-19/ Rakacolli: Qytetarët kanë ulur vigjilencën, nuk po zbatohen protokollet e sigurisë

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, njëherazi zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli komentoi situatën aktuale të pandemisë si dhe shifrat e larta të të infektuarve ditët e fundit për të cilat theksoi se ishin të pritshme që në momentin që u vendos për hapjen e vendit.

Në një nga mediet e vendit, Rakacolli u shpreh se shifrat përkthehen në më shumë kontakte për shkak të fazës së rihapjes. “Çdo program hapje shoqërohet me rritje, kudo është ky fenomen, ne e prisnim , kemi menduar dhe një maksimum numrash në rast hapjesh dhe se deri ku mund të përballohen. Dhe këto që kemi aktualisht janë të përballueshme. Momenti që u bë hapja ishte tërësisht e arsyeshme kjo gjë”, tha ajo.

Rakacolli ndër të tjera u shpreh se qytetarët e kanë ulur vigjilencën dhe po sillen sikur ka përfunduar pandemia.

“Vërtet u tha se do hapen të gjitha, bizneset etj me radhë, por të gjitha këto duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë, me maska, distancim etj me radhë dhe të gjitha këto nuk janë zbatuar fatkeqësisht , sepse po vëmë re se qytetarët po sillen sikur të kishte mbaruar pandemia”.

E pyetur mbi imunizimin e popullatës, Rakacolli u shpreh se “do duhet që 60-70 përqind e popullsisë ta ketë kaluar minimalisht sëmundjen që të flasim për diçka të tillë. Por duhet të mbrohemi derisa të dalë vaksina”.

Lidhur me rastin e një edukatoreje në çerdhen 16 në Tiranë e cila rezultoi pozitive me COVID-19, zv.ministrja u shpreh se stafi dhe fëmijët nuk kanë patur shenja por sot do të shihen rezultatet dhe do të merret vendim më tej. /atsh

Rritja e numrit të të prekurve me COVID-19/ Rakacolli: Qytetarët kanë ulur vigjilencën, nuk po zbatohen protokollet e sigurisë Read More »

50 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv, 8 në terapi intensive dhe 2 të intubuar

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 571 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u kërkoi qytetarëve të tregohen të kujdesshëm për shkak se ditët e fundit po vihet re një shtim i rasteve pozitivë me COVID nga bizneset dhe institucionet publike.

“Të nderuar qytetarë, nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve ne aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë, etj, i bëjmë apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Në këto kushte është domosdoshmëri mbajtja e maskës në ambiente publike kur nuk është e mundur të ruhet distanca fizike. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, tha Dervishi.

Ajo theksoi se “virusi është akoma mes nesh dhe për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshtaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19″. z.tosk/atsh

50 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv, 8 në terapi intensive dhe 2 të intubuar Read More »