Shendetesi

Ministria e Shëndetësisë: 78 raste të reja dhe 33 të shëruar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 78 raste pozitive.

Dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha sot në komunikimin e drejpërdrejtë se “një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec”.

“Ndërkohë që në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, – tha Beqo.

Sipas saj, në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë.

Po ashtu MSHMS i bën apel qytetarëve të respektojnë distancimin fizik dhe të vendosin maskën kur nuk mund të ruhet distanca, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën me dije situatën epidemiologjike në vend, ku vijon të ketë shtrime të reja në spital, vijon të ketë rritje të të prekurve nga Covid19, pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

“Ndaj ftojmë çdo qytetar të tregojë kujdes me ruajtjen e higjienës personale, me mbajtjen e distancës fizike, vendosjen e maskës në ambiente publike. Qytetarë, mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën. Lani duart sa më shpesh për të paktën 20 sekonda. Ruani distancën fizike në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse. Bizneset të sigurojnë vazhdimisht elementët e higjienës si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Siguroni ajrosjen e mire, pastrimin dhe desinfektimin e ambjenteve të punës.
Përdorni maskat apo barrierat mbrojtëse gjatë kohës që u shërbeni qytetarëve”, – tha Beqo.

Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.

Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes për barnat me rimbursim, apo infromacion për Covid19.
Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

COVID-19 – Statistika (25 Qershor 2020)
Testime totale 24711
Raste pozitive 2192
Raste të shëruara 1250
Raste Aktive 894
Humbje jete 48 (Qarku Tiranë 27, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 370
Durrës 176
Shkodër 153
Vlorë 79
Fier 41
Lezhë 26
Korçë 20
Kukës 12
Elbasan 9
Gjirokastër 6
Berat 2/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 78 raste të reja dhe 33 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

“Situata mbetet nën kontroll”/ Rakacolli: Kishim llogaritur më pak raste ditore, jemi akoma në kohë nëse respektohen protokollet

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherazi edhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve komentoi situatën aktuale të COVID-19 për të cilën u shpreh se ndonëse numrat e të infektuarve i kanë kaluar parashikimet, situata mbetet e kontrolluar.

Në një intervistë televizive, Rakacolli u shpreh se “shtimi i rasteve pas hapjes është një moment i pritshëm në të gjitha llojet e strategjive”.

“Problemi është gjithmonë sasia. Me thënë të drejtën, në pritshmëritë tona kishim llogaritur më pak raste ditore dhe më pak ngjarje por gjithsesi vazhdojmë të jemi te numrat e pritshëm. Situatën e quajmë të kontrolluar, për momentin jo të një niveli me një rrezikshmëri shumë të lartë. Puna është se nëse vazhdojmë kështu, nëse vazhdojmë me këtë trend, nuk e di nëse do të arrijmë ato nivele që janë me rrezikshmëri tepër të lartë. Që të mos arrijmë këtë, jemi akoma në kohë që të zbatojmë ato rregulla të mbrojtjes nga infeksioni të cilat aq mirë dhe aq me përgjegjshmëri i zbatuam në fazën e parë të sëmundjes, atëherë kur ishim më të frikësuar”, u shpreh Rakacolli.

Sipas saj, infektimi i bluzave të bardha nga koronavirusi është fenomen në çdo vend të botës ndërsa theksoi se për fat të mirë, asnjë person pjesë e personelit shëndetësor nuk ka humbur jetën nga COVID-19.

“Infektimi i bluzave të bardha është një fenomen që ndodh në çfarëdolloj epidemie. Kjo është edhe arsyeja që u përshëndetën me duartrokitje emocionuese. Plagosje të bluzave të bardha ka pasur në të gjitha vendet e botës, ka pasur në të gjitha institucionet shtetërore sado me emër dhe të fuqishme të ishin ato dhe fatkeqësisht ka pasur edhe të vdekur. Në Shqipëri, fatmirësisht deri më sot nuk kemi pasur asnjë nga bluzat e bardha që të ketë humbur jetën dhe nuk kemi asnjë nga bluzat e bardha që të ketë pasur nevojë për trajtim në kujdesin intensiv. Kjo ka ardhur si rezultat i një përgjegjshmërie dhe organizimi të punës. Por pikërisht në këtë kohë, infeksioni nuk ndodhi në të gjithë QSUT-në sepse nuk është mirë që të përgjithësohet e gjithë QSUT me 1 ose me 2 shërbime sepse në QSUT janë 57 ose 58 shërbime. Nga këto infeksione të mëdha patën vetëm 2 shërbime dhe pikërisht ato shërbime që trajtojnë pacientë që janë me faktorë risku shumë të madh për t’u prekur nga COVID siç janë pacientët e mjekësisë interne, pra pacientë që kanë disa lloje sëmundjesh: që kanë diabet dhe patologji të tjera që shtrohen. E rëndësishme është që u mbyll. Është një fenomen që ndodh, nuk ishte mirë që të ndodhte por është diçka që ndodh. E rëndësishme është që u mbyll”, theksoi Rakacolli.

Rakacolli argumentoi ndër të tjera se janë ende në fuqi masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë ku asnjë familjar nuk lejohet të shoqërojë pacientin brenda ambienteve të spitaleve. Sipas saj, edhe në spitalet rajonale apo ato bashkiakë, pacienti dorëzohet në hyrje të spitalit dhe më pas kujdeset personeli shëndetësor.

“Që në fillim të epidemisë dhe vazhdon të jetë në fuqi, është dhënë urdhër që të mos ketë familjarë që t’iu shërbejnë të sëmurëve dhe ky urdhër është zbatuar me rigorozitet edhe në kontrollet e ndryshme që janë bërë nga strukturat përkatëse. Në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit, nuk lejohen familjarët që të shoqërojnë pacientët siç ndodhte më parë. Pra, urdhërat janë dhënë që në fillim të epidemisë dhe vazhdojnë këto urdhëra të jenë në fuqi”, sqaroi ajo.

Kryetarja e Komitetit Teknik u shpreh se janë qytetarët shqiptarë që zgjedhin nëse kjo situatë të kalojë sa më lehtë, përmes respektimit të rregullave

“E kemi në dorë. Nëse Spanja dhe Italia nuk e kishin shumë në dorë sepse nuk njihej mirë virusi, ne pas kësaj eksperience që kemi dhe sidomos pas këtij bashkëpunimi që kemi pasur me qytetarët, duhet të mësohemi ta bëjmë të gjithë. Kjo luftë mund të fitohet vetëm po të jemi të gjithë bashkë. Po nuk ishim të gjithë bashkë, po nuk dëgjuam njëri-tjetrin dhe po nuk besuam ata njerëz që u është ngarkuar kjo punë dhe dhanë prova që po e bënin shumë mirë. Këtë përgjigje do ta jepja edhe si qytetare e thjeshtë. Po të isha vetëm qytetare dhe të vëzhgoja se çfarë bën shumica, se çfarë po ndodh në Shqipëri, unë do të thoja që fazën e parë e bëmë shumë mirë, ashtu siç po më thonë edhe shumë qytetarë të tjerë që pse nuk po vazhdojmë si në fazën e parë. Ka shumë qytetarë të përgjegjshëm që thonë që ne po i mbajmë masat por nëse nuk i mbajnë të tjerët, s’ka shumë vlerë po i mbajtëm vetëm ne sepse ne do të infektohemi”, u shpreh Rakacolli.

Lidhur me mosrespektimin e masave të kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë si përdorimi i maskës apo distancimi social, Rakacolli u shpreh se “është një realitet i dhimbshëm sidomos nga të rinjtë që janë të kulturuar, të rinjtë që marrin informacione, janë të rinj me gjuhë të huaja, të rinj me elektronikë dhe sinqerisht më dhemb në shumë drejtime”.

“Maska të mbron shumë. Është provuar që virusi shpërndahet nga spërklat dhe është shumë normale që mbrojtja mekanike të mbron dhe të mban spërklat. Është provuar që edhe maskat janë një mjet i mbrojtjes i rëndësishëm dhe i domosdoshëm”, përfundoi Rakacolli. /atsh

“Situata mbetet nën kontroll”/ Rakacolli: Kishim llogaritur më pak raste ditore, jemi akoma në kohë nëse respektohen protokollet Read More »

Mjeku Kalo: Virusi “gjallon” ende mes nesh, mos nënvlerësoni kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve

Mjeku i njohur në spitalin Infektiv, Tritan Kalo ka kërkuar nga qytetarët vetëndërgjegjësim pasi sipas tij kujdesi për veten dhe të tjerët ka nisur të nënvlerësohet edhe pse virusi është ende mes nesh.

Ai thotë se po kryen çdo ditë të njëjtën rutinë sikur ndodhi edhe para disa muaj, kur ky virus u shfaq edhe në Shqipëri. Sipas tij, personeli shëndetësor mbetet i papërtuar për të ndihmuar çdo të sëmurë në këto kohë të cilat Kalo i quan “kohë kovidiane”.

“Kohë kovidiane….sensibilizimin ynë, vetëndërgjegjësimi, kujdesi për veten dhe të tjerët rreth nesh këto ditët e fundit kanë filluar të harohen e nënvlerësohen për shumë e shumë prej jush….MOS haroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh”, u shpreh Kalo.

Kalo i rikujton ndër të tjera qytetarëve që kujdesi i vazhdueshëm për veten dhe të tjerët nuk duhet të nënvlerësohet dhe vetëm në këtë mënyrë mund t’i dilet mbanë kësaj sfide jo të lehtë.

“Kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Së bashku do ia dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar”, thekson ndër të tjera mjeku i njohur. /atsh

Mjeku Kalo: Virusi “gjallon” ende mes nesh, mos nënvlerësoni kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 22 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 67 me raste me koronavirus.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “vijon të ketë sërish shtrime të reja në Spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive”.

Por lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Sipas Dervishit, numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.

Në vendin tonë janë aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

COVID-19 – Statistika (24 Qershor 2020)
Testime totale 24367
Raste pozitive 2114
Raste të shëruara 1217
Raste Aktive 850
Humbje jete 47 (Qarku Tiranë 26, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 377
Durrës 165
Shkodër 135
Vlorë 69
Fier 39
Lezhë 24
Korçë 18
Kukës 10
Elbasan 9
Gjirokastër 2
Berat 2/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 22 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit Read More »

Dhjetëra ventilatorë mbërrijnë së shpejti/ Soreca: Vijon solidariteti i BE në kushtet e pandemisë

Bashkimi Europian vazhdon të jetë pranë popullit shqiptar dhe autoriteteve shëndetësore shqiptare në luftën kundër COVID-19

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shprehet se dhjetëra ventilatorë do të vijnë në Shqipëri në ditët e ardhshme, dhe më vonë këtë vit, 46 milionë euro grante do të ndihmojnë konkretisht familjet dhe bizneset shqiptare.

“Mbështetja konkrete nga Bashkimi Europian për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19 vazhdon, me ndihmën e UNOPS. Më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian po vjen. Dhjetëra ventilatorë në ditët e ardhshme, dhe, më vonë këtë vit, 46 milionë euro grante do të ndihmojnë konkretisht familjet dhe bizneset shqiptare”, theksoi Soreca.

Javën e kaluar ambasadori i BE-së Luigi Soreca i dorëzoi ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pjesën e tretë të ndihmës së BE-së për trajtimin dhe parandalimin e koronavirusit.

Pajisjet mjekësore të siguruara përmes UNOPS do të ndihmojnë mjekët dhe infermierët shqiptarë të përballojnë më mirë situatën që është bërë më akute kohët e fundit./atsh

Dhjetëra ventilatorë mbërrijnë së shpejti/ Soreca: Vijon solidariteti i BE në kushtet e pandemisë Read More »

COVID-19/ Manastirliu: Qytetarët të zbatojnë masat, qeveria po punon për të gjithë skenarët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha në një intervistë televizive se qytetarët duhet të zbatojnë me rigorozitet rregullat e distancimit social, si dhe ato të higjienës, pavarësisht përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pasi virusi COVID-19 vijon të qarkullojë.

Ministrja Manastirliu tha se virusi COVID-19 është i paparashikueshëm, por qeveria po punon fort dhe i ka bazuar skenarët mbi projeksione.

“Ky virus është i paparashikueshëm dhe ne nuk mund të bëjmë dot plane afatgjatë dhe afatmesëm. Por ajo çka ne ndërtojmë janë skenarë të bazuar mbi projeksione. Ne jemi duke punuar fort, që sa i përket shëndetësisë të kemi gati skenarët edhe për më të keqen, duke shpresuar gjithmonë më të mirën. Por gjithashtu edhe për shkollat, për t’iu përgjigjur jo vetëm me mësimin në shkolla, por edhe me mësimin online dhe për të gjitha ato aktivitete që janë të nevojshme, por që nëse do të duhet të përballemi me një vështirësi, duhet t’i përgjigjemi me një alternim të shërbimeve. Për riizolimin nuk mund të them sot, sepse situata është shumë dinamike dhe nëse një vaksinë do të zbulohet do të jetë shumë më e lehtë. Në rast të mungesës së një vaksine, masat e distancimin fizik, maskat, higjiena personale do të vazhdojnë të jenë masa që do të kenë shumë vlerë, si e vetmja armë që kemi në dorë kundër virusit”, – tha ministrja Manastirliu.

Lidhur me infektimet në QSUT, ministrja Manastirliu shtoi se janë raste sporadike, të cilat sipas saj nuk kanë munguar as në spitalet e vendeve më të zhvilluara si Italia e Gjermania.

Manastirliu tha se vendi ynë ka furnizimet e nevojshme me teste për COVID-19, por strategjia e ndjekur “Smart Testing”, ka bërë që në fillim të ishin më pak teste dhe tani në rritje sipas një strategjie të mirëpërcaktuar.

“Ne kemi furnizim të tamponëve në vazhdim. Nuk është vetëm çështja e testimit në vetvete. Por është edhe ‘smart testing’, ne testojmë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Nuk do të ketë mungesë të testimeve molekulare dhe po hapim një laborator për testim molekular në QSUT. Kemi një plan për ta shtrirë, por po bëjmë testim, sipas një strategjie për të këputur zinxhirin e infeksionit”, – tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Manastirliu tha se, disa aktivitetet do të vijojnë të mbeten të mbyllura, si dasmat, këndet e lojërave në ambiente të mbyllura, kinematë dhe teatrot.

“Heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të thotë se nuk ka rikthim mbrapa në mbylljen dhe kufizimin e lëvizjes, por kjo nuk do të thotë se gjendja e pandemisë ka përfunduar. Ndaj qëndrojnë të gjitha masat në kuadër të gjendjes së epidemisë, që janë vendosur për të mos lejuar përhapjen. Kufizimet që mbeten në fuqi janë ato që lidhen me aktivitete që kanë risk të lartë, klubet e natës, këndet e lojërave me ambiente të mbyllura dhe pishinat. Gjithashtu kinematë dhe teatrot nuk do të hapen”, – tha Manastirliu.

Sa i takon transportit publik, ministrja e Shëndetësisë tha se, çdo udhëtar do të jetë i detyruar që të mbajë maskë dhe respektimi i protokollit do të monitorohet nga subjektet që do të ofrojnë këtë shërbim. “Normaliteti i ri na dikton që të jetojmë në rregulla të reja dhe sot kërkohet më shumë se kurrë një ndërgjegje e lartë. Vendosja e maskës gjatë përdorimit të transportit publik është një detyrim”, – tha Manastirliu. /atsh

COVID-19/ Manastirliu: Qytetarët të zbatojnë masat, qeveria po punon për të gjithë skenarët Read More »

“Periudhë e pritshme kalimtare pas rihapjes”/ Mjeku Simaku: Parashikohet trend në rënie i rasteve të reja

Mjeku epidemiolog, Artan Simaku duke folur për kurbën e infektimeve me COVID-19, ku javët e fundit është vënë re një trend në rritje i rasteve të reja dhe pacientëve që trajtohen në spital, u shpreh se në ditët në vijim pritet rënie e shifrave.

Në një intervistë televizive, Simaku u shpreh se në ditët në vijim parashikohet që numri i rasteve me COVID-19 do të marrë trajektore rënëse. Sipas tij, rastet e shtuara ishin të parashikuara për shkak të fazës së rihapjes ndërsa shtoi se kjo ka ardhur për shkak të lehtësimit të masave kufizuese dhe mosrespektimit të rregullave nga qytetarët.

“Situata duhet thënë që në fillim se nuk është shqetësuese dhe nuk ka vend për panik. Në ditët në vijim parashikohet një trend në rënie e këtyre rasteve. Kjo ishte një periudhë kalimtare, e cila ishte e pritshme. Kjo ka ndodhur se nuk janë respektuar masat. Ka patur një relaksim të nxituar të popullatës dhe moszbatim të këtyre rregullave, por jo vetëm nga popullata por edhe nga shumë biznese. Apeli për popullatën është zbatimi dhe respektimi këtyre masave, sepse do të bashkëjetojmë me COVID-in”, tha ai.

Specialisti i ISHP-së theksoi se “aktualisht janë katër spitale COVID, që janë në gjendje të presin një fluks më të madh se sa është ky që është tani. Janë edhe tre spitale të tjera që janë në pritje nëse do të këtë raste të shtuara, por nuk parashikojmë raste të tilla. Jo vetëm spitalet, por është edhe infrastruktura. Koronavirusi nuk parashikohet të zhduket shpejt, por do të bashkëjetojmë me të. Kjo është një fazë kalimtare dhe ishte pritshme dhe në ditët në vijim parashikohet një trend rënës i këtyre rasteve”, u shpreh ai.

Mjeku tha se aktualisht në Spitalin Infektiv, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe një tjetër i intubuar. Siç thekson mjeku Simaku, gjendja e pacientëve të shtruar është relativisht e mirë.

“Aktualisht vetëm 10 pacientë janë në terapi intensive, dhe vetëm 1 është i intubuar. Gjendja është relativisht e mirë. Pra, edhe këto personat që janë në terapi intensive nuk janë në gjendje të rëndë, dhe shpresojmë në ditët në vijim që të bjerë ky numër”, shtoi ai. /atsh

“Periudhë e pritshme kalimtare pas rihapjes”/ Mjeku Simaku: Parashikohet trend në rënie i rasteve të reja Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 52 raste të reja dhe 36 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 52 raste të reja pozitë me koronavirus.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “pavarësisht shërimeve, ka sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po marrin trajtohen 81 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive. Mosha mesatare e të shtruarve është rreth 61 vjeç, ndërsa gjysma e të shtruarve është nga Tirana.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 36 qytetarë, duke e çuar në 1195 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 328 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 52 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Ajo tha ndër të tjera se “shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë.
Në vendin tonë janë aktualisht 807 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës’.

COVID-19 – Statistika (23 Qershor 2020)
Testime totale 24020
Raste pozitive 2047
Raste të shëruara 1195
Raste Aktive 807
Humbje jete 45 (Qarku Tiranë 25, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 374
Durrës 152
Shkodër 124
Vlorë 63
Fier 37
Lezhë 20
Korçë 17
Elbasan 10
Kukës 7
Gjirokastër 2
Berat 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 52 raste të reja dhe 36 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »