Shendetesi

Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjekja Kuli: Përdorim të detyrueshëm të maskave nga qytetarët, penalitete nëse nuk zbatohet

Mjekja Gjeorgjina Kuli, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë, u shpreh për zbatimin rigoroz të masave antiCOVID dhe për vendosjen me detyrim të maskave në ambientet ku ka shumë njerëz dhe në ambientet e mbyllura.

Gjatë një interviste televizive, Kuli theksoi se “ka strategji për çdo problematikë por në përgjithësi ne stimulojmë përdorimin e maskave. E kemi thënë që do ta bëjmë të detyrueshëm përdorimin e maskave, në të kundërt do të ketë një farë penaliteti, pasi ka kaluar faza e këshillimit, ndërsa duhet të vijoj zbatimi i distancimit fizik dhe larja e shpeshtë e duarve”.

“Komiteti Teknik, vijoi ajo në kuadrin e masave kundër COVID-19, insiston për ofrimin e punës online nga të gjitha institucionet”- tha ajo.

Kuli bëri apel për zbatimin e protokolleve antiCOVID në kopshte, institucione e ambiente publike.

“Në ambientet e mbyllura ose në ambientet e hapura ku nuk ruhet dot distanca dhe ka më shumë se 10 veta, patjetër do të jetë e detyrueshme maska dhe do të ketë penalitete në rast moszbatimi nga qytetarët. Komiteti Teknik në mbledhjen e fundit, ka vendosur që përdorimi i maskave të jetë i detyrueshëm dhe kjo do të zbatohet sa më shpejtë. Me këto shifra që shoh, të cilat janë stabël por janë në nivelin e lartë të kurbës mendoj që masa do të zbatohet shpejtë”- theksoi Kuli.

Ajo theksoi se aktivitetet me më shumë risk janë qëndrimi dhe ngrënia në një bar ose në ambiente të ngushta ndërsa palestrat duhet të jenë shumë mirë të ajrosura.

Mjekja Kuli u shpreh se është më mirë frekuentimi i detit sesa i pishinave dhe të mos përdoren shezlongët e të tjerëve. /atsh

Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjekja Kuli: Përdorim të detyrueshëm të maskave nga qytetarët, penalitete nëse nuk zbatohet Read More »

Manastirliu: Pacientë të rinj të shtruar në spital; respektoni masat, bëhuni pjesë e betejës së përbashkët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i bëri apel sot qytetarëve të respektojnë masat për të frenuar përhapjen e COVID-19, ndërsa theksoi se në Spitalin Infektiv vijon të ketë pacientë të rinj të shtruar në spital, me simptoma të rënduara, si pasojë e virusit të rrezikshëm COVID-19.

“I gjithë shërbimi, duke filluar nga ekzaminimet, deri tek trajtimi në terapinë intensive realizohen në Spitalin Infektiv nga ekipi i specializuar i mjekëve, infermierëve dhe të gjithë stafit mbështetës, me vetëmohim e sakrificë që prej fillimit të epidemisë”, – tha Manastirliu.

Duke i bërë apel qytetarëve të respektojnë masat ministrja Manastirliu u shpreh se “bëhuni pjesë e betejës së përbashkët për të frenuar përhapjen e COVID19, duke respektuar rregullat. Ruani distancën nga të tjerët. Vendoseni maskën dhe kujdesuni për higjienën personale dhe kolektive”./atsh

Manastirliu: Pacientë të rinj të shtruar në spital; respektoni masat, bëhuni pjesë e betejës së përbashkët Read More »

Manastirliu: 90% e rasteve të dyshuara izolohen brenda 48 orëve

Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, punohet prej katër muajsh 24 orë në 7 ditë të javës, që rezultatet e testimit të jenë në kohë reale, për të izoluar vatrat dhe për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se 90% e rasteve të dyshuara izolohen brenda 48 orëve.

Manastirliu theksoi se qeveria po vijon të rrisë kapacitetet e testimit, për të garantuar hetimin epidemiologjik, që ndiqet me përgjegjësi dhe profesionalizëm nga ekspertët e shëndetit publik.

“Në këtë laborator reference, në Institutin e Shëndetit Publik, punohet prej katër muajsh 24 orë në 7 ditë të javës, që rezultatet e testimit të jenë në kohë reale, për të izoluar vatrat dhe për të kufizuar përhapjen e infeksionit. Është fakt se 90% e rasteve të dyshuara izolohen brenda 48 orëve”, deklaroi ministrja./atsh

Manastirliu: 90% e rasteve të dyshuara izolohen brenda 48 orëve Read More »

“Rritja e shifrave për shkak të mosrespektimit të protokolleve të sigurisë”/ Rakacolli: Asnjë mjek në frontin e parë të betejës nuk është infektuar nga COVID-19

“Rritja e të infektuarve në vendin tonë ka ardhur për shkak të mosrespektimit të protokollit të sigurisë”.

Kështu u shpreh Mira Rakacolli, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë një interviste televizive mbrëmjen e sotme.

Ajo tha se, “në vendin tonë vetëm 1% e mjekëve janë prekur nga COVID-19, teksa është shumë e rëndësishme të theksohet se asnjë prej mjekëve që është në frontin e parë të betejës me COVID-19 nuk është prekur nga koronavirusi i ri”.

“Rritja e numrit të rasteve në kushtet e hapjes është e pritshme dhe e parashikuar. Është një fenomen që po ndodh në mbarë botën, ashtu si dhe në vendet e rajonit. Duke patur parasysh shifrat që kishim ne në fazën e mbylljes, ishin shumë më të mira në krahasim me vendet e tjera. Në shpejtësinë e përhapjes ka qenë ajo që nuk u respektuan protokollet e sigurisë. Nëse në fillim shqiptarët zbatuan me përpikëmëri gjithçka që thanë ekspertët, në fazën e dytë u duk sikur gjithçka mbaroi. Ato sektorë të cilët u hapën, nuk respektuan rregullat e protokollet antiCOVID. Çdo kush që na ndjek nga shtëpia, mjafton të shkoj në kafe e bare e në lagje e shikon se sa afër janë mes tyre qytetarët nëpër lokale, pa maska etj.”, -tha Rakacolli.

“Vatrat kanë lindur kudo ku nuk janë respektuar rregullat. Edhe brenda studiove televizive etj. Ky është fakti i rritjes së shpejtë, pasi rritja pritej, por shpejtësia ka si faktorë këtë që sapo thashë. Duhet ta shohim këtu këtë defekt, sepse ne nuk po bëjmë atë që po kërkohet. Që të hysh në një supermarket duhet që patjetër ta vendosësh maskën. Numrat e arritur në fillim të pandemisë ishin meritë e zbatimit dhe respektimit të masave. Ne tanimë nuk po bëjmë atë që kërkohet.”,- tha Rakacolli.

“Ne kemi thënë që duhet të rrish më shumë 15 minuta me një person të infektuar për ta marrë dhe nuk mund të komentoj mbi disa fotografi që janë marrë me disa sekonda. Sa i përket maskave ato duhet mbajtur, asaj i qëndroj, kudo ku kemi afrimitet, sidomos kur jemi në ambiente të mbyllura. Është në ndërgjegjen e njerëzve që t’i zbatojnë këto masa.”,- u shpreh Rakacolli.

“Ministrja e Shëndetësisë e tha sot, aj që është e rëndësishme është që numri testeve është bërë i mjaftueshëm për të kontrolluar situatën. Ky është vlerësim i Komitetit të Ekspertëve. Ato janë të gjithë specialist, me tituj akademik e kanë dhënë prova në profesionin e tyre dhe në artikulimin e strategjive për tu përballur më këtë sfidë.”,- tha Rakacolli.

“Testimet po shtohen, është arritur të bëhen 463 testime në ditë. Strategjia është dinamike në varësi të situatës. Rëndësi ka izolimi i kontaktit dhe monitorimi i tij. Bërja e testit nuk është 100% i sigurt, pasi jo gjithnjë del e saktë përgjigja, mund të dalë negativë dhe kur je pozitivë. Duhet një hetim epidemiologjik, pasi qytetarët pyeten sa kohë kanë qëndruar me kontaktin pozitivë, sa herë e kanë takuar dhe shumë detaje të tjera dhe qëllimi i testimit është për të ndërprerë shpërndarjen e COVID-19. Që të futet laboratori privat, duhet të ketë laborator të certifikuar dhe në dijeninë time, nga OBSH i vetmi laborator është i ISHP dhe shumë shpejt do nisi dhe ai i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza””,- tha Rakacolli.

“Nuk ka mbyllje të reparteve shëndetësore, përkundrazi. Në varësi të situatës, në dispozicion të sëmurëve me COVID-19 janë parashikuar 550 shtretër, momentalisht nuk janë zënë as 20%. Të gjitha paratë e parashikuara për pandeminë kanë shkuar tek pandemia. Unë nuk mund të flas për shifra, por e them me përgjegjësi që energjitë dhe paratë e paracaktuara kanë shkuar në drejtim të infrastrukturës për tu përballur me pandeminë COVID-19. Mjekët nuk janë në një pjesë të madhe të prekur, 1% e gjithë personelit shëndetësorë janë të prekur. Ata që përballen përditë me COVID-19 nuk ka asnjë të prekur. Të gjithë mjekët i kanë mjetet mbrojtëse pas asnjë kursim”,- tha Rakacolli.

“Çfarë do të kishim bërë po të mos ishin rrugët e ndërtuara, ambulancat me kushtet modern, pra çdo investim është tejet i rëndësishëm për këtë çështje. Për hapjen e transportit ka qenë një temë mjaft e diskutuar në Komitetin e Ekspertëve tanë. Ishte parashikuar për tu hapur më parë, por ne e shtymë hapjen e transportit publik, por duke parë njëlloj stabiliteti, nuk ka pasur rritje, duke ndjekur strategjinë e paracaktuar. Këto dy javë shifrat kanë qenë në atë mesatare. Nuk ka pasur rritje. Virusi prek në përgjithësi moshat e vjetra, dhe ata që janë me sëmundje kronike. Mosha mesatare ka qenë rreth 60-vjeç, sot është 45-vjeç, pasi ato që po preken më shumë janë të rinj, pasi të moshuarit, por ruhen, dalin me maska, pra janë tejet rigoroz në respektimin e masave të sigurisë, ndryshe ndodh me të rinjtë që bëjnë jetën sociale.”,- tha Rakacolli.

“Infeksionet spitalore janë infeksione që kanë ndodhur në të gjithë botën, nuk është fenomen i veçantë. Gjërat duhen parë me objektivitet. Në qendrën spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka 53 shërbime, 58 shërbime dhe me ato jo universitare. Vetëm në dy shërbime, hematologjisë dhe mjekësisë interne patën probleme dhe vatra, por janë mbyllur dhe kanë nisur funksionin normal.”,- përfundoi Rakacolli. /atsh

“Rritja e shifrave për shkak të mosrespektimit të protokolleve të sigurisë”/ Rakacolli: Asnjë mjek në frontin e parë të betejës nuk është infektuar nga COVID-19 Read More »

“Zbatoni rregullat antiCOVID”/ Apeli i mjekes: Shprehje e respektit për jetën dhe e mirënjohjes për bluzat e bardha

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë një mesazh drejtuar qytetarëve nga mjekja e njohur, Adriana Babameto për ndërgjegjësim në zbatimin e masave antiCOVID.

Duke publikuar apelin e mjekes ministrja Manastirliu ka bërë lutje të dëgjohen këshillat pēr distancim social dhe mbajtje të maskës. ‘”Duhet të rrisim ndjenjën e përgjegjësisë tek secili prej nesh për të zbatuar disa masa të thjeshta, si distancimi, vendosja e maskës dhe higjiena vetjake dhe kolektive. Do të ishte një shprehje e vlerësimit për jetën dhe një shprehje mirënjohje për personelin shëndetësor që përballet çdo ditë në vijën e parë me COVID19″, u shpreh Manastirliu.

Në mesazhin e saj mjekja e njohur u ka kërkuar qytetarëve të rrisin ndërgjegjësimin dhe të respektojnë rregullat në shenjë mirënjohje për jetën

“Shfrytëzoj rastin të jap një mesazh, apel për miqtë e mi, kolegët, bashkëatdhetarët. Tashmë të gjithë e dimë që COVID-19 është një situatë konkrete dhe një sfidë sociale me të cilën të gjithë duhet të përballemi çdo ditë të gjithë. Dëshiroj të jap një mesazh për të rritur përgjegjësinë e secilit prej nesh, për të parandaluar sa më shumë përhapjen e këtij infeksioni që rrezikon edhe jetën”, shprehet mjekja.

“Le të zbatojmë disa masa të thjeshta të cilat nuk kushtojnë gjë që kanë një vlerë shumë të madhe, siç është mbajtja e maskave, siç është ruajtja e rregullave të distancimit fizik, siç është ruajtja dhe zbatimi i higjienës personale, individuale, kolektive në ambiente te mbyllura, në shkolla, siç është kufizimi i personave që rezultojnë me COVID dhe që tashmë është një detyrë morale dhe sociale e jona”, tha ajo.

“Të gjitha këto janë një shprehje e respektit dhe vlerësimit për jetën tonë, e secilit prej nesh dhe gjithashtu një shprehje e mirënjohjes dhe përkushtimit, e vlerësimit të punës së përditshme që bën personeli shëndetësor duke qenë në luftë të përditshme dhe duke u përballur cdo ditë me covid-19. Duke qënë një personel që është gjithmonë pranë jush, pranë njerëzve për të lehtësuar sado pak dhimbjet dhe për të trajtuar sëmundjet e tyre. Le të rrisim durimin dhe përkujdesjen ndaj vetes dhe njerëzve që na rrethojnë. Le të shtojmë besimin dhe mirëkuptimin ndaj njëri-tjetrit sepse vetëm kështu do të mund të kufizojmë këtë infeksion të rrezikshëm dhe ta përballojmë së bashku këtë sfidë të madhe sociale”, apelon mjekja./atsh

“Zbatoni rregullat antiCOVID”/ Apeli i mjekes: Shprehje e respektit për jetën dhe e mirënjohjes për bluzat e bardha Read More »

Mjeku Meta rrëfen betejën me COVID-19: Mantelbardhët heronj të atij “ferri”, në sytë e tyre kishte vetëm shpresë

Mjeku Shefki Meta, i prekur nga COVID-19 ka rrëfyer historinë e tij, duke theksuar se COVID-19 e ktheu në një “armik” në shtëpi. Gjithësesi mjeku Meta thekson se do ta mposhtë COVID-19.

“Kisha rreth katër muaj që në shtëpi kthehesha dhe shikohesha si “armik”, pasi çdo ditë përballesha me të panjohurën. Nuk kam bërë asnjë ditë pushim por ju kam shërbyer njerëzve pa asnjë lloj kufizimi, gjithmonë duke patur parasysh masat e duhura mbrojtëse. Çdo ditë jam kthyer në familje dhe jam sjellë si të isha një njeri i infektuar me COVID-19 dhe i “gatshëm” në çdo çast t’ja transmetoja dhe familjes time”, – shprehet Meta.

“Ky ankth më shoqëroi mua dhe familjen vazhdimisht deri sa një ditë u ktheva në shtëpi shumë i lodhur dhe me temperaturë. Nuk doja ta besoja se tek unë kishte ndodhur ajo që nuk doja të ndodhte kurrë. Më kot u mundova të fshihem pas vetes, duke qenë mjek kuptoja dhe kuptova çdo gjë. Tamponi pozitiv për COVID-19 ishte sa për t’i vënë kapakun”, – tregon ai.

“Gjendja ime erdhi duke u renduar, virusi i pabesë nuk kishte të ndalur. Ai po më zinte frymën dhe po më çorodiste mendjen. Nuk kishte rrugë tjetër, në atë prag mëngjesi të ditës së diele datë 28 Qershor 2020 veçse të telefonoja së pari shokun dhe mikun tim të ngushtë Dr.Ramazan Balla, i cili atë natë ishte në shërbimin e urgjencës. Ai më këshilloi që të marr 127, dhe ashtu bëra. Dr. Shefkiu jam, u prezantova. Kam nevojë të shtrohem në spital pasi nuk mundem më. Fryma po më merrej dhe kisha gjendje të fikëti. Zëri pas telefonit m’u përgjigj se për pesë minuta jemi aty… dhe ashtu ndodhi”, – rrëfen mjeku Meta.

“Për herë të parë në jetën time u shtrova në një spital dhe pikërisht në spitalin Infektiv. Në atë spital ku përpara dyzet e ca vitesh kisha qenë si student. Përballja e parë në spital ishte një kujdes i menjëhershëm nga stafi që punonte aty. Unë isha mjeku që kërkoja ndihmë dhe jetë, ndërsa rreth e rrotull shumë të tjerë lëngonin dhe luftonin me jetën. Isha futur në “ferrin” ku jeta dhe vdekja e kishin kufirin më të hollë se fija e perit”, – tregon Meta.

“Në ato çaste në kokë m’u rrotullua jeta ime që herë më vinte si mirazh dhe herë si keqardhje që mund të largohesha nga kjo botë, pa pritur e pa kujtuar. Një situatë e paimagjinueshme. Në ato momente të qëndrimit aty, nuk ja mësova dot emrin një infermieri të jashtëzakonshëm që nuk e kishte babain, i cili luftonte me një të sëmurë, duke e kthyer herë pas here në jetë. Më shtruan në katin e dytë të dhoma 10/2 bashkë me krutanin Shpend i cili ka qenë për mua një njeri me zemër të madhe”, – shprehet Meta.

“Ai merrte frymë me oksigjen, por më motivoi për të gjitha ditët e qëndrimit në spital. I kemi dhënë kurajo pa fund njëri-tjetrit. Vetëm kur je aty brenda në spital kupton se çfarë ndodh, një gjë e jashtëzakonshme, një situatë e paprecedentë. Dhoma të mbushura plot me pacientë, të shkujdesur, të zhveshur nga vapa, që rënkojnë dhe kërkojnë ndihmë. Nëpër korridore vraponin pa pushim, ato, heroinat dhe heronjtë e vërtetë, personeli shëndetësor, infermieret dhe infermierët, që kurrë ditë e natë nuk u lodhën megjithëse të mbuluar me atë veshje shumë të rëndë e cila të zë frymën. Në sytë e tyre kam lexuar vetëm shpresë. Ata ishin të jashtëzakonshëm, mbinjerëz”, – tregon Meta

“Jam infermieri i profesor Arben Gjatës më tha njëri, tjetra më tha se vinte nga një repart tjetër kirurgjikal, e kështu me radhë. Zërat e tyre si cicërimat e zogjve harmonizoheshin gjatë gjithë natës duke ju shërbyer të gjithë pacientëve pa përjashtim. Pa diskutim që mjekët e Spitalit Infektiv në QSUT janë të gjithë heronj por, në veçanti profesoreshë Najada Çomo është “Nënë Tereza” e këtyre ditëve, nga më të vështirat që po përballet ai spital. Dora e saj e ngrohtë, prekte dy herë në ditë pacientët. Ritheksoj dhe një herë se heronjtë e vërtetë të kësaj lufte të paprecedentë, me këtë virus të tmerrshëm janë ata djem dhe vajza që kanë vënë shpirtin e tyre aty ku jeta lufton me veten e saj. Njëra nga ato ishte me kollë, por e përfundoi turnin pa u ankuar asnjëherë. Mirënjohje e madhe për sanitaret, heroina të vërteta. Kam parë nën veshjen e trashë se si u kullonte djersa dhe përmbushnin pa asnjë ankesë detyrën e tyre. “Jetova” ato ditë në spital, ato ditë ferri, të papërshkrueshme në jetën time, si të ishin shekuj.”,- rrëfen mjeku.

“E ndërsa gjendja ime pothuajse vazhdonte të ishte e rënduar, një dorë magjike, dora e profesoreshë Najadës më përshkoi ballin, më preku nga duart dhe më tha: “Dr. Shefkiu, ti sot do të bësh tamponin dhe do të dalësh nga spitali, mjekimet do t’i bësh në shtëpi”. Për momentin nuk po e besoja si mund të dilja pasi ndihesha akoma keq. Vendimi i saj duhej respektuar, si kolege, si shoqe, si profesioniste. Atë darkë u gjenda në shtëpi ku vazhdoj akoma edhe sot që ndihem më mirë. Po luftoj akoma. Them se ja dola. Por do të kisha një apel për të gjithë ju, si mjek, si njeri që provova mbi kurrizin tim se çdo të thotë të sëmuresh nga COVID-19”, – tregon Meta.

“Unë “armiku” i përditshëm familjes time, nuk munda të ndaloj infektimin me gjithë masat që jam munduar të zbatoj. Si një person që u bëra dëshmitar i këtij virusi të tmerrshëm apeloj për të gjithë njerëzit kudo qofshin: Nuk ka shtet që t’ju mbrojë nga COVID-19. Duhet të ruheni vetë. Ruajeni veten, familjen, të afërmit dhe gjithë të tjerët. Vetëm një front i përbashkët pa “të çara” mund të bëjë diçka. Sistemi shëndetësor në këtë lloj infeksioni është dhe bëhet shumë i brishtë, aq sa mund të bëhet gjithnjë e më i pafuqishëm që të përballojë gjithë fluksin e të sëmurëve që mund të paraqiten. Sistemi shëndetësor ka limitet e tij. Të rëndësishme janë burimet njerëzore, pasuria më e madhe, sidomos në këto momente. Edhe ato duhen ruajtur me qëllim që gjërat të funksionojnë sa më normalisht. Në përfundim, e vetmja armë për tu përballur me këtë virus të tmerrshëm është vetëmbrojtja dhe vetëm vetëmbrojtja. Mirënjohje dhe vetëm shpresë për të gjithë”, rrëfen mjeku Shefki Meta./atsh

Mjeku Meta rrëfen betejën me COVID-19: Mantelbardhët heronj të atij “ferri”, në sytë e tyre kishte vetëm shpresë Read More »

“Krenare për punën e palodhur të stafit të spitalit COVID 1″/ Manastirliu apel qytetarëve: T’i ndihmojmë duke respektuar masat

Ministrja me Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet krenare për punën e realizuar nga stafi mjekësor i spitalit COVID 1, në betejën e përditshme kundër koronavirusit të ri.

Ajo nënvizon se qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat e thjeshta të cilat ndihmojnë në frenimin e përhapjes së COVID-19.

Ministrja Manastirliu ka publikuar foto nga puna e palodhur e infermier Korabit, i cili që prej ditë së parë të shfaqjes së COVID-19 është në krye të detyrës.

“Spitali Infektiv! Infermier Korabi është aktualisht në shërbim, duke u kujdesur për pacientët e shtruar në spital, me simptoma të rënduara, si pasojë e virusit të rrezikshëm COVID-19”, shprehet ministrja.

“Krenare për punën e palodhur e stafit të spitalit COVID1, që prej ditës së parë të epidemisë! T’i ndihmojmë, duke nxitur ndjenjën e përgjegjësisë tek çdo qytetar, për respektimin e disa masave të thjeshta, efikase për të frenuar përhapjen e COVID-19. Ruaj distancën nga të tjerët; Vendose maskën; Kujdesu për higjienën personale dhe kolektive”, thekson Manastirliu. /atsh

“Krenare për punën e palodhur të stafit të spitalit COVID 1″/ Manastirliu apel qytetarëve: T’i ndihmojmë duke respektuar masat Read More »

Brataj apel qytetarëve: Shifrat ulen brenda dy apo tri javëve nëse zbatoni 3 rregulla

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë një interviste televizive, pasditen e të martës është shprehur se zbatimi i tre rregullave nga qytetarët si: mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, distancimi fizik dhe higjiena, do bëjnë të mundur uljen e numrave të të infektuarve brenda dy apo tri javëve.

Shefi i Urgjencës Kombëtare Shëndetësore ka shpjeguar rritjen e rasteve me koronavirus përgjatë muajit të fundit, duke deklaruar se kjo ka ardhur për shkak të lirimit të masave të sigurisë.

“Me hapjen e masave do të kishte një rritje të të infektuarve dhe të sëmurëve, po ashtu dhe viktimave. Kjo është një formulë që ecën paralel. E pamë që izolimi dhe distancimi fizik funksionon. Nëse ne nuk do të ishim më pak se 1 metër e gjysëm larg nga njëri-tjetri do kishim më shumë të infektuar. Suedia ka deklaruar se po të ishte ndjekur izolimi nuk do kishim këtë numër viktimash. Ishin disa kushte që ndikuan në numrin e ulët në muajt e parë. Ndoshta u zgjat pak më shumë dhe njerëzit kishin një padurim për të dalë”, – tha Brataj

“Zgjatja e karantinës çoi deri në 2 të infektuar në ditë. Në muajin e dytë dhe të tretë njerëzit u shfaqën më të zhgënjyer. Këto çuan në uljen e vigjilencës nga njerëzit. Pas hapjes pati një javë pa rritje dhe u mendua se u zhduk koronavirusi. Këto shifra do të jenë reale dhe në muajin korrik. Janë procese fiziologjike të sëmundjes. Sado masa të marrësh, tashmë transmetimi është komunitar, nuk ka më një vatër. Nga 23 janari për ngritjen e Komitetit të Ekspertëve janë shpërndarë mjete mbrojtëse, veç trajnimit të personelit”, – tha Brataj.

Ai tha se njerëzit tashmë duhet të mësohen të bashkëjetojnë me virusin. Sipas tij, qytetarët nëse zbatojnë tre rregullat kryesore për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, ruajtjen e distancës dhe higjienën, shifrat do të bien brenda dy-tri javësh.

“Çdo qytetar që ka simptoma ta konsiderojë veten pozitiv dhe të sillet sikur është pozitiv. Tamponi ka një përqindje gabimi 20% në të gjithë botën. Me njerëzit asimptomatikë mund të jetë më shumë deri në 50%. Prandaj tamponi duhet të bëhet kur ke simptoma. Po të zbatohen rregullat për dy-tri javë do ulen shifrat. Ne duhet të bashkëjetojmë me virusin. Të vëmë maskën, të zbatojmë distancën dhe të ruajmë higjienën”, – tha Brataj. /atsh

Brataj apel qytetarëve: Shifrat ulen brenda dy apo tri javëve nëse zbatoni 3 rregulla Read More »