Shendetesi

Manastirliu, apel të rinjve: Zbatoni rregullat bazë, mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u bëri apel sot të rinjve shqiptarë të respektojnë masat kundër përhapjes së COVID-19, duke theksuar se “të gjithë bashkë, me përgjegjshmëri qytetare, dhembshuri njerëzore, duke zbatuar rregullat bazë të mbajtjes së maskës, distancimit social dhe higjenës vetjake, ne mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura. Dhe kjo varet nga sjellja e gjithësecilit prej nesh”.

Duke publikuar një fotografi nga terapia intensive në Spitalin Infektiv, Manastirliu tha se “e mirëkuptoj shkujdesjen e moshës, zellin për të relativizuar çdo gjë, madje edhe një sëmundje si kjo që shkakton koronavirusi. E mirëkuptoj edhe prirjen tuaj për të mos besuar ekzistencën e diçkaje që nuk shihet me sy. Ka shumë gjëra që nuk i shohim, por kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë. Dhe një prej tyre është COVID-19, që ka vënë në vështirësi botën mbarë”.

“Ju lutem, ndaluni një sekondë dhe shihni këtë moment në terapinë intensive në Spitalin Infektiv pak minuta më parë dhe mendoni pak për prindërit dhe të afërmit tuaj! A do të donit vërtet të bëheshit bartës të një virusi, dhe shkaktarë të një sëmundjeje, që për ta mund të rezultojë fatale? Dhe në fund, mendoni pak për të nesërmen”, – u shpreh Mansatirliu.

Ministrja Manastirliu tha se “mendoni për një kohë kur do të mbërrini në moshën e prindërve tuaj dhe do t’u mësoni fëmijëve tuaj përgjegjshmërinë dhe kujdesin ndaj të afërmit. A do ua ilustronit me shembullin që vetë po jepni sot? Sigurisht, koronavirusi do të vihet përfund, siç ka ndodhur me shumë pandemi që ka parë bota”./atsh

Manastirliu, apel të rinjve: Zbatoni rregullat bazë, mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura Read More »

“Punë gjigande në sistemin shëndetësor”/ Manastirliu: Testimi ka vlerë thelbësore, po të njëjtën vlerë ka dhe ndërgjegjja individuale

/ “Shqipëria është më mirë në raport me vendet e tjera, por të krahasohesh për numrin e fataliteteve është e dhimbshme. Kjo sepse është diçka e rëndë në radhë të parë për viktimën, pastaj për familjarët dhe të afërmit”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Prisnim më shumë bashkëpunim nga ana e qytetarëve dhe prisnim numra më të vegjël tanimë. Me relaksimin e masave, pësuam edhe relaksim të sjelljes, duke shmangur masat për COVID-19. Kemi pasur madje edhe grumbullime, që mund të kenë pasur efekte negative. Sot kemi rreth 90 mijë teste në pozicion”, tha Manastirliu duke shtuar se po punojmë për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Sipas ministres, pandemia ka ardhur në një fazë të re, ka më shumë vatra dhe kjo duhet pasuar me rregulla nga shoqëria.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “po bëhet një punë gjigande në sistemin shëndetësor. Janë 130 ditë që mjekët infermierët, epidemiologët, Shërbimi i Urgjencës Kombëtare, të gjithë mjekët në sistemin shëndetësor dhe infermierët janë duke punuar natën dhe ditën”.

Lidhur me dyfishimin e testimeve Manastirliu tha se “e para duhet të rivlerësojmë testimet e shtuara, por testimi nuk bëhet thjesht për të testuar, ai bëhet për të gjurmuar dhe izoluar. Gjurmimi është super i mundshëm dhe në momentin që teston ti gjurmon, heton. Lidhesh me mjekun e familjes i raporton rastin. Mjeku i familjes ndjek, udhëzon. Është një punë kapilare, nuk është se përfundon me testimin”.

Ministrja Manastirlu tha se “po vijojmë të shtojmë kapacitetet tona. Testi është një gjë, nuk e garanton 100%, pasi ti mund të testohesh sot dhe të dalësh negativ dhe pas 3 ditësh mund të rezultosh i infektuar. Jemi në një epidemi dhe testimi ka vlerën thelbësore po të njëjtën vlerë ka dhe ndërgjegjja individuale. Nëse merr 127 dhe thotë se duhet të rrish i izoluar në banesë duhet të rrish në banesë dhe nuk mund të dalësh. Jemi në një moment të transmetimit komunitar në qytete të caktuara”.

Sipas saj, kush ka simptoma duhet patjetër të vetëizolohet.

Lidhur me zbatimin e masave, Manastirliu tha se “ne ndërtuam 4 skenarë dhe ndërkohë që ishim në izolim, punuam. Në fund të majit, ndërkohë që disa mendonin se virusi nuk ekzistonte, ne rregulluam spitalin në aksin Tiranë-Durrës. Adaptuam spitalin e Kirurgjive të vjetra. I kemi marrë dhe po punojmë për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme. Thelbi është se përveç masave që po marrim, duke ndjekur strategjinë duhet të respektojmë masat, distancimin fizik, ndërsa maskat janë të detyrueshme brenda ambienteve publike”.

“Solidariteti është një nder elementet kyç në gjithë këtë krizë shëndetësore. Jam e bindur se të gjitha vendet do të gjenden në rastet e tilla. Për të mos vajtur në atë pozite, si Italia, ne kemi marrë masa për mjekë dhe infermierë rezervë”, – tha Manastirliu./atsh

“Punë gjigande në sistemin shëndetësor”/ Manastirliu: Testimi ka vlerë thelbësore, po të njëjtën vlerë ka dhe ndërgjegjja individuale Read More »

Në terapi intensive, fëmijët i dërgojnë lule për ditëlindje/Manastirliu publikon foton prekëse nga Infektivi: Të mos e lejojmë që COVID-19 të përhapet

Një paciente e shtruar në spitalin Infektiv e cila po kurohet nga COVID-19, sot do të duhej të festonte ditëlindjen e saj së bashku me fëmijët, por virusi ka bërë që ajo të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përmes një mesazhi prekës ka publikuar rastin e kësaj nëne e cila po lufton për jetën dhe fëmijët e saj në pamundësi për ta vizituar, i kanë dërguar një buqetë me lule për t’i uruar ditëlindjen.

Në pusullën e buqetës se luleve shkruhet: “Edhe 100 vjeçe nga motra dhe fëmijët. E shtrenjta jonë”.

“Ju lutem ndaluni pak çaste për të parë këtë nënë që po lufton për jetën në spitalin infektiv. Në ditën e saj të lindjes, në pamundësi për ta parë, fëmijët kanë dashur t’i tregojnë se i janë pranë, duke i sjellë një tufë lule në spital. Por ajo është në terapi intensive, e intubuar, vetëm për shkak të virusit të rrezikshëm, që merr jetë!‼️Të mos e lejojmë që COVID-19 të përhapet, duke rrezikuar jetën e njerëzve tanë të dashur! Vendose maskën”, apelon ministrja.

Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se maskat ose barrierat e mbrojtjes prej tekstili do të jenë të detyrueshme të mbahen në ambientet e mbyllura nga çdo qytetar.atsh

Në terapi intensive, fëmijët i dërgojnë lule për ditëlindje/Manastirliu publikon foton prekëse nga Infektivi: Të mos e lejojmë që COVID-19 të përhapet Read More »

Manastirliu: Nuk ka rekomandim apo vendimmarrje nga Komiteti i Ekspertëve për izolim të Shqipërisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se nga Komiteti i Ekspertëve nuk është rekomanduar dhe nuk ka patur vendimmarrje sa i përket izolimit të kufijve.

Në një nga mediet e vendit, Manastirliu u shpreh se “nga Komiteti i Ekspertëve nuk jemi rekomanduar dhe nuk ka patur vendimmarrje sa i përket izolimit të kufijve të Shqipërisë me vendet e tjera. Ndërkohë që Bashkimi Europian ka rekomanduar përpara disa javësh tashmë, u bënë rreth 2 javë apo diçka më pak të listës së vendeve të rekomanduara për të udhëtuar dhe ato jo. Këto varen nga kriteret epidemiologjike që vendos Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve. Ne do të na duhet të presim sesi do të vendosen kriteret epidemiologjike, nëse do të jenë të njëjta apo do të ndryshojnë”.

Më tej, ministrja argumentoi se për vitin e ri shkollor po punohet intensivisht me Ministrinë e Arsimit për skenarë të mundshëm, ndonëse është ende herët për të folur për këtë çështje.

“Jemi duke punuar me Ministrinë e Arsimit. Do të jenë 8 javë të mëtejshme të cilat do të jenë intensive për nga pikëpamje e hartimit të skenarëve. Sot nuk mund të flasim dot për skenarët fiks në raport me çfarë pritet të ndodhë”, tha Manastirliu./atsh

Manastirliu: Nuk ka rekomandim apo vendimmarrje nga Komiteti i Ekspertëve për izolim të Shqipërisë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 96 raste të reja, 2 humbje jete dhe 48 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 96 raste të reja me COVID-19.

Rovena Daja, ekspertë pranë Institutit të Shëndetit Publik thotë se “vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.

I drejtohemi çdo qytetari, të vendosë maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, edhe në ambiente të hapura, të tregoni kujdes me masat e higjienës dhe të ruani distancën fizike nga të tjerët, nëse nuk janë familjarët tuaj. Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetare: Një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze. Aktualisht janë të shtruar 90 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë”.

Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 51 raste në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Pogradec, nga 3 raste në Krujë, Kukës, nga 2 raste në Fier, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Dibër, dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Devoll, Has, Lushnjë, Mat, Përmet, Sarandë, Përrenjas, Bulqizë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 2062 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1508 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”, bën të ditur Daja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën, ruani distancën në ambientet publike, kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse, shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga COVID-19, kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes. Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

COVID-19 – Statistika (14 Korrik 2020)
Testime totale 33389
Raste pozitive 3667
Raste të shëruara 2062
Raste Aktive 1508
Humbje jete 97 (Qarku Tiranë 49, Shkodër 17, Durrës 15, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 2, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 672
Durrës 219
Shkodër 190
Vlorë 97
Lezhë 77
Kukës 51
Korçë 46
Berat 40
Elbasan 39
Fier 36
Gjirokastër 22
Dibër 19/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 96 raste të reja, 2 humbje jete dhe 48 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Ishte në Sarandë me bashkëshorten, pushuesi nga Orikumi rezulton pozitiv me koronavirus

Një person nga Orikumi i Vlorës rezulton pozitiv me COVID-19 pasi vizitoi të shtunën qytetin e Sarandës.

Ai shkoi në fundjavë për të pushuar me bashkëshorten e tij në Sarandë dhe u vizitua po aty pasi nuk ndihej mirë.

Po ashtu atij iu mor tamponi i cili u dërgua në Tiranë dhe rezultoi pozitiv me koronavirus.

Por në fakt pas tamponimit, personi në fjalë u largua për në Orikum ku dhe po trajtohet aktualisht./lajmifundit

Ishte në Sarandë me bashkëshorten, pushuesi nga Orikumi rezulton pozitiv me koronavirus Read More »

Rritja e rasteve, Skëndet Brataj i habit të gjithë: Testi të nxjerr negativ edhe kur je i infektuar

Në një intervistë për Euronews, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka treguar se, rritja e infektimeve vjen si shkak i heqjes së masave kufizuese dhe mosrespektimi nga ana e qytetarëve të rregullave bazë mbrojtëse.

Brataj u shpreh se, ka ndryshuar dhe sjellja e virusit pasi tashmë nuk shkakton dëmtime, ndaj dhe në shumë raste pavarësisht kryerjes së tamponit shumë persona të infektuar rezultojnë negativë

“Nëse virusi nuk kryen dëmtime nuk shfaqen simptoma ndaj edhe po të kryesh testim nuk del pozitiv. Ndaj është shumë e kujdesshme bërja e tamponit pasi një person pozitiv mund të dalë negativ dhe pas kësaj lëviz i lirshëm me këtë argument. Nëse je asimpotomatik është e vështirë që virusi të dalë nga kryerja e tamponit.

Një person që ka shenja dhe simptoma duhet ta konsiderojë veten të prekur dhe duhet të ruajë distancën dhe të mos dalë. Mos bërja e tamponit nuk duhet të justifikoi lëvizjen. Konsideroje veten të infektuar nëse ke shenja dhe ke qenë në kontakt me persona të infektuar. Pasi një person mund të ketë ngarkesë të vogël virale, sa që nuk e kap as tamponi.”, tha Brataj.

Rritja e rasteve, Skëndet Brataj i habit të gjithë: Testi të nxjerr negativ edhe kur je i infektuar Read More »

Rritja e rasteve me COVID-19, KMSH apel besimtarëve: Zbatoni protokollin

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u ka bërë apel sot besimtarëve të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Prej disa muajsh jemi në një situatë të pazakontë, e cila ka sjellë mjaft vështirësi dhe kufizime në jetën dhe përditshmërinë tonë. Të vetëdijshëm që mbrojtja e shëndetit dhe jetës së çdo njeriu është detyrim parësor për të gjithë ne, që në fillimet e përhapjes së pandemisë COVID-19, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori disa masa parandaluese dhe vendime kufizuese në lidhje me jetën fetare në vend”, – thekson KMSH.

Sipas KMSH, ditët e fundit verëhet një shtim i ndjeshëm në rastet e prekura me koronavirus, rrijte e numrit të vdekjeve si pasojë e këtij virusi si dhe përhapje e kësaj sëmundjeje në të gjithë territorin e vendit.

Nisur nga kjo situatë, KMSH u ka kërkuar të gjithë myftijve, nëpërmjet një qarkoreje, zbatimin me rigorozitet të të gjitha masave të marra më herët për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Protokolli i masave: dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi, marrja e abdesit në shtëpi, mbajtja e maskës dhe e dorezave, çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale, mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve, ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve, personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike.

Po ashtu nuk lejohen në xhami grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç, ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, Kur’anë, rafte, etj, ytbeja e xhumasë të mos jetë më shumë se 10 minuta, hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.

Për zbatimin e këtyre masave KMSH ngarkon të gjitha myftinitë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në të gjitha masat e marra dhe në të gjithë hapat që do hidhen në vazhdimësi është konsultuar dhe konsultohet me organet kompetente të shëndetësisë, me synimin dhe qëllimin e vetëm të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së besimtarëve, sidomos të asaj pjese që janë më të rrezikuar nga kjo pandemi dhe që njëkohësisht janë edhe frekuentues të rregullt të xhamive, baballarët dhe gjyshërit tanë.

KMSH falënderon të gjithë besimtarët që mirëkuptuan, bashkëpunuan dhe u solidarizuan si asnjëherë më parë në përballimin e kësaj situate./atsh

Rritja e rasteve me COVID-19, KMSH apel besimtarëve: Zbatoni protokollin Read More »